| K R E U VIII
RRITJA E LËVIZJES KOMBËTARE NË
SHQIPËRI
NË VITET 1901-1908
1. LËVIZJA KOMBËTARE
DHE REFORMAT E FUQIVE TË MËDHA
(1901-1904)
Depërtimi austriak dhe italian në fushën
ekonomike, kishtare dhe shkollore
Në vitet e para të shek. XX, krahas shteteve fqinje ballkanike
(Serbisë, Greqisë e Bullgarisë), të cilat prej
kohësh punonin për të vendosur në provincat
shqiptare ndikimin e tyre në fushën politike e në
atë shkollore-kishtare edhe Shtetet e Mëdha, e veçanërisht
Austro-Hungaria dhe Italia, i shtuan përpjekjet për të
zgjeruar ndikimin e tyre në Shqipëri. Për shkak të
afërsisë gjeografike me Italinë dhe me Austro-Hungarinë
dhe të pozitës së rëndësishme në Ballkan
e në Adriatik, Shqipëria mori në këtë periudhë
një vlerë të veçantë gjeostrategjike
për këto dy fuqi dhe u bë një nga objektet kryesore
të rivalitetit të tyre.
Austro-Hungaria u aktivizua sidomos pas pushtimit të Bosnjës
dhe të Hercegovinës, kur vuri si qëllim të shtrihej
drejt territoreve të tjera ballkanike të Perandorisë
Osmane, të dilte në Selanik (porti më i madh i detit
Egje) dhe të ndërtonte hekurudha drejt Egjeut e Adriatikut,
të cilat do të kalonin nëpërmjet territoreve
shqiptare. Vjena synonte gjithashtu të përdorte tokat
dhe popullsinë shqiptare si mburojë kundër shtrirjes
së shteteve sllave (Malit të Zi e Serbisë) në
brigjet shqiptare të Adriatikut dhe të pengonte njëkohësisht
vendosjen e Italisë në këtë zonë.
Italia, nga ana e saj, synonte të zgjerohej në të
dyja brigjet e Adriatikut, për të vendosur zotërimin
e plotë mbi të dhe për ta kthyer në një
det të brendshëm ose “liqen italian”. E shqetësuar
përballë rritjes së ndikimit austriak në Shqipëri
e në Ballkan, Roma, që nga fundi i shek. XIX, filloi të
zhvillonte një veprimtari të gjerë për depërtimin
ekonomik, politik e ideologjik në vilajetet shqiptare.
Ndeshja e interesave ndërmjet tyre i detyroi këto dy fuqi
të merreshin vesh për politikën e mëtejshme
në Shqipëri. Marrëveshja u arrit pas shkëmbimit
të notave ndërmjet Romës e Vjenës, që u
bë nga dhjetori i vitit 1900 deri në shkurt 1901, në
të cilat u ripohua nevoja e ruajtjes së status quo-së
në Shqipëri dhe u theksua me këtë rast se, në
qoftë se ajo do të prishej, atëherë do të
formohej një Shqipëri autonome.
Marrëveshja austro-italiane për Shqipërinë dhe
për brigjet lindore të Adriatikut, që u arrit edhe
nën ndikimin e Gjermanisë, u vu në themel të
Aleancës Tripalëshe, Gjermani, Austri dhe Itali, e cila
u përsërit më 1902 dhe mbeti pjesë e saj deri
më 1912. Me këtë marrëveshje, që njihet
edhe si një akord i “ekuilibrit” në Adriatik,
nuk i lejohej asnjërës prej këtyre dy fuqive të
vendoseshin në Shqipëri; por për shkak se kishte
nën zotërim bregdetin Adriatik, ky vend, sipas tyre, nuk
duhej të binte as në duart e shteteve të tjera. Në
të vërtetë, kjo marrëveshje e mbante Shqipërinë
si zonë të ndikimit austro-italian.
Respektimin e status quo-së në Ballkan e në Perandorinë
Osmane e kërkuan, në vitet e para të shek. XX, edhe
Fuqitë e tjera të Mëdha, Gjermania, Rusia, Franca
dhe Anglia. Megjithatë, në Angli kishte filluar të
përkrahej edhe ideja e dëbimit të Turqisë nga
Ballkani dhe e ndarjes së zotërimeve të saj evropiane
ndërmjet shteteve ballkanike.
Meqë ruajtja e status quo-së kishte një karakter
të përkohshëm, Austria dhe Italia i shtuan përpjekjet
për zgjerimin e depërtimit ekonomik e politik në
Shqipëri, në mënyrë që të ishin të
përgatitura për të kënaqur ambiciet e tyre,
në rast se do të ndodhnin ndryshime eventuale në
hartën politike të Ballkanit.
Austro-Hungaria, Italia dhe shtetet e tjera në fundin e shek.
XIX e sidomos në fillim të shek. XX shtinë në
dorë tregun e Shqipërisë. Në mënyrë
të veçantë, Austro-Hungaria dhe Italia vendosën
kontrollin mbi tregtinë e jashtme të vendit, që bëhej
nëpërmjet skelave të Adriatikut, nga të cilat
një rëndësi të dorës së parë
kishin skela austriake e Triestes dhe ato shqiptare, si Shkodra,
që lidhej me botën e jashtme me anë të Obotit
në Bunë, Shëngjini, Durrësi, Vlora, Saranda
etj.
Të dhënat ekonomike të viteve 1901 e 1904-1905 tregojnë
se në fillim të shek. XX Austro-Hungaria kishte përqendruar
në duart e veta 3/4 e import-eksportit që bëhej nëpërmjet
Shkodrës, e cila ishte qendra më e rëndësishme
për tregtinë e jashtme të vilajeteve shqiptare. Vendin
e dytë e zinte Italia, pas së cilës vinin Mali i
Zi, Franca dhe shtetet e tjera. Nga vlera e përgjithshme prej
215 000 franga ari të doganës së Shkodrës për
vitin 1904-1905, Austro-Hungarisë i përkisnin rreth 170
000 franga, kurse Italisë 24 000 franga.
Firmat austro-hungareze kontrollonin gjithashtu rreth 2/3 e import-eksportit,
që bëhej nga porti i Durrësit në vitin 1904-1905.
Vendin e dytë e të tretë e zinin këtu Anglia
dhe Italia, pas të cilave vinin Egjipti, Rusia e Franca. Nga
251 000 franga ari të vlerës së përgjithshme
të import-eksportit të portit të Durrësit për
vitin 1904-1905, Austro-Hungarisë i takonin 156 000 franga,
Anglisë 37 000 franga, kurse Italisë rreth 30 000 franga.
Austro-Hungaria zinte vendin e parë në import-eksportin
e vilajetit të Kosovës, që në vitin 1908 arriti
në rreth 49 000 000 franga dhe bëhej kryesisht nëpërmjet
Selanikut. Pas saj vinin Rusia, Anglia, Gjermania, Italia etj.
Në tregtinë e jashtme të vilajeteve shqiptare (të
Shkodrës, të Kosovës etj.), për shkak se Shqipëria
ishte një vend agrar, zotëronte importi, që përbëhej
nga prodhime industriale e ushqimore dhe gjatë viteve 1901-1910
paraqitej çdo vit 2,5-3 herë më i madh nga eksporti,
i cili përbëhej tërësisht nga prodhimet bujqësore
e blegtorale të vendit.
Austro-Hungaria e Italia kishin vendosur gjithashtu kontrollin e
tyre mbi lundrimin detar e mbi transportin tregtar e postar të
porteve shqiptare të Adriatikut dhe të Jonit, të
cilat i kishin në dorë shoqëritë austriake të
lundrimit “Llojd” (“Lloyd”), “Raguza”
(“Ragusa”), “Ungaro-Kroate” dhe Shoqëria
italiane “Pulia” (“Puglia”). “Llojdi”
austriak, që ishte një nga shoqëritë më
të fuqishme në Evropë, kryente veprimet e transportit
në tërë bregdetin shqiptar deri në portet e
jugut dhe zinte pozitë zotëruese në transportin detar
të Shkodrës (Obotit) e të Durrësit. “Llojdi”,
sipas të dhënave të vitit 1902, merrte nga qeveria
austriake një subvencion vjetor shtetëror prej 3 600 000
fiorintash.
Në vitet e para të shek. XX shoqëritë austriake
të lundrimit ndeshën në konkurrencën e atyre
italiane, të “Pulias”, që depërtoi në
skelat e Tivarit, të Ulqinit, të Shëngjinit, të
Durrësit, të Vlorës, të Sarandës e të
Janinës. “Pulia” kishte mbështetjen financiare
të shtetit, që, sipas të dhënave të vitit
1902, arrinte në 430 000 lireta në vit. Përveç
“Pulias”, në skelat e Shqipërisë së
Jugut vepronte edhe Shoqëria tjetër italiane “Adria”,
që, konkurronte me sukses shoqëritë austriake “Llojd”
e “Raguza”, ndërsa Shoqëria tregtare italiane
“Frateli Alatini”, që ishte grumbulluesja kryesore
e leshit dhe e drithit, e kishte shtrirë veprimtarinë
e saj deri në vilajetin e Kosovës.
Në këto rrethana u rrit pesha e Italisë në tregtinë
e jashtme të skelave të Shqipërisë së Jugut.
Në vitin 1910 Italia arriti të zinte vendin e parë
në importin e Shqipërisë së Jugut, që ishte
3 800 000 franga ari, duke ia kaluar dy herë atij austriak,
që përbëhej vetëm nga 1 800 000 franga ari.
Por Austro-Hungaria vijoi të mbante vendin e parë në
importin e skelave të Shqipërisë së Veriut,
që në vitin 1910-1911 arriti në rreth 5 200 000 franga
ari, duke ia kaluar dy herë atij italian, që ishte vetëm
2 200 000 franga ari.
Ndikimi austriak në skelën e Sarandës në jug
të Shqipërisë dhe në portin e Durrësit
ndeshi, në fillim të shek. XX, edhe në konkurrencën
e firmave greke të tregtisë e të lundrimit, si “Ksidias
(“Xydias”) e C” etj.
Depertimi i huaj ekonomik, veçanërisht ai austriak e
italian, u realizua gjithashtu nëpërmjet sistemit bankar
e të kredisë. Në vilajetin e Shkodrës vepronin
shtëpitë bankare të Triestes, ndërsa bankat
evropiane (franceze, italiane, gjermane, angleze) jepnin kredi me
anë të agjentëve ndërmjetës që mbanin
në Shqipëri. Në vitin 1906 u themeluan në Shkodër
e në Durrës degë bankare italiane të “Shoqërisë
Tregtare të Lindjes” (“Societa Comerciale d’Oriente”),
që kishin si synim të përqendronin në duart
e tyre veprimet e blerjes së mallrave, të hipotekimeve
e të inkasimeve dhe të vendosnin ndikimin e Romës
në sistemin financiar në Shqipërinë e Veriut.
Firmat e huaja bënë përpjekjet e para për të
depërtuar edhe në fushën e industrisë. Në
Vlorë, në fillim të shek. XX, firmat austriake ngritën
presa për prodhimin e vajit, ndërsa sipërmarrës
të tjerë austriakë filluan të shfrytëzonin
pyjet e Bregut të Matit. Po në këto vite të
para të shek. XX një shoqëri italiane siguroi nga
Turqia koncensionin e përpunimit të pyjeve të Rrushkullit;
firma të tjera italiane hapën në Vlorë, në
Durrës e në Butrint kripore, mullinj e presa për
prodhimin e vajit, ndërsa një shoqëri franceze filloi
të nxirrte bitum në Selenicë. Sipërmarrësit
italianë parashikonin të sillnin kolonistë në
rrethet e Shkodrës, të Vlorës dhe të Durrësit,
ndërsa ata austriakë në tokat e vilajetit të
Kosovës.
Në fillim të shek. XX firmat e huaja (franceze, italiane,
austriake e ruse) hartuan disa projekte për ndërtimin
e hekurudhave transballkanike, që do të lidhnin portet
shqiptare të Adriatikut me detin Egje (Selanikun) dhe me Detin
e Zi.
Austro-Hungaria dhe Italia kishin ngritur konsullatat e agjencitë
konsullore, tregtare e postare në qytetet më të rëndësishme
të Shqipërisë, si në Shkodër, Durrës,
Vlorë, Janinë, Prevezë, Gjirokastër, Shkup,
Prizren, Mitrovicë, Manastir etj. Përfaqësi të
shumta konsullore në qytetet e vilajeteve shqiptare kishte
gjithashtu Franca dhe në disa qendra të Shqipërisë
edhe Rusia me Anglinë.
Në fillim të shek. XX u acarua konflikti ndërmjet
Vjenës e Romës për ndikimin mbi klerin katolik në
Shqipëri dhe në lëmin e kulturës. Vjena synonte
të ruante përgjithmonë të drejtën e protektoratit
mbi klerin e mbi shqiptarët katolikë, të fituar prej
kohësh me anë të kapitulacioneve që i kishte
shkëputur Perandorisë Osmane (qysh me Traktatin e Karllovacit
të vitit 1699) dhe që i siguronte asaj kontrollin e plotë
mbi ta e varësinë prej Vjenës. Ndërkohë
qeveria italiane filloi të vendoste në Shqipëri urdhra
katolikë që do t’i nënshtroheshin Romës,
po ashtu edhe priftërinj italianë nga kombësia, dhe
po përgatiste klerikë shqiptarë në Itali. Por,
gjatë bisedimeve që u zhvilluan ndërmjet përfaqësuesve
të të dy vendeve në fillim të shek. XX, Vjena
mbrojti të drejtën e saj ekskluzive mbi klerin katolik
e mbi institucionet katolike në Shqipëri dhe nuk pranoi
t’i bënte asnjë lëshim Romës. Ndërkaq,
qeveritë e të dyja vendeve bënin shpenzime të
mëdha për të bërë për vete klerin
katolik duke i dhënë atij subvencione të rregullta
mujore ose vjetore.
Austro-Hungaria e Italia zgjeruan edhe rrjetin e shkollave të
tyre, që ishin kryesisht fetare katolike, kurse një pjesë
laike. Pas shkollave, të hapura qysh në gjysmën e
dytë të shek. XIX, Austro-Hungaria ngriti shkolla të
tjera, për djem e për vajza, në Shkodër, Durrës,
Shkup, Janievë, Prizren, Pejë, Gjakovë, Zymë,
Lumë, Manastir, Milot, Rrëshen, Tiranë dhe në
qendra të tjera të Shqipërisë. Vetëm në
qytetin e Shkodrës, në fillim të shek. XX, kishte
7 shkolla austriake me rreth 800 nxënës, ndërsa në
gjithë vilajetin ishin ngritur 21 të tilla; në vilajetin
e Kosovës kishte 8 shkolla austriake dhe në atë të
Manastirit 3 (në sanxhakun e Manastirit). Shkollat austriake
ishin në shumicën e tyre fetare dhe administroheshin nga
institucionet katolike; vetëm një pjesë ishin laike
(fillore) ose profesionale. Disa nga këto të fundit frekuentoheshin
edhe nga fëmijë myslimanë.
Deri në vitet e fundit të shek. XIX në shumicën
e shkollave austriake mësimi zhvillohej në gjuhën
italiane. Në fillim të shek. XX, duke synuar të dobësonte
ndikimin italian, Vjena shpalli “nacionalizimin” e shkollave
katolike austriake në Shqipërinë e Veriut, vendosi
në mjaft prej tyre, në vend të italishtes, gjuhën
shqipe si gjuhë mësimi, në disa të tjera futi
gjuhën gjermane po si gjuhë mësimi dhe mbajti njëkohësisht
(në ndonjë qendër të Kosovës) shkollat
katolike në gjuhët sllave.
Me këtë masë Vjena mendonte të forconte ndikimin
e saj mbi lëvizjen kulturore shqiptare, një nga kërkesat
e së cilës ishte themelimi i shkollave kombëtare
shqipe. Në qarqet qeveritare të Austro-Hungarisë
ky veprim, si edhe botimi në Vjenë i librave në gjuhën
shqipe, vlerësohej si një kontribut për ruajtjen
dhe përhapjen e idesë nacionale në Shqipëri.
Pranë Institutit shtetëror të gjuhëve orientale
të Vjenës u hap në vitin 1903 një kurs për
mësimin e gjuhës shqipe, që drejtohej nga Gjergj
Pekmezi, ndërsa në koloninë shqiptare të Zarës
(në Borgo-Erico) qysh në vitin 1901 funksiononte një
kurs për mësimin e shqipes pranë Institutit Pedagogjik,
një tjetër pranë shkollës ushtrimore (me rreth
40 nxënës, më 1903); në vitin 1903 u çel
aty një kurs i gjuhës shqipe për vajza (me 55 nxënëse),
që drejtohej nga Patër Bardhi. Në vitin 1906 mësimin
e gjuhës shqipe në atë institut si edhe në shkollën
e vajzave filloi ta jepte, në vend të Patër Bardhit
që u largua, Shtjefën Konstantin Gjeçovi. Në
shkollat pedagogjike me internate, si në atë të Klagenfurtit
e të ndonjë qendre tjetër, u përgatitën
mësuesit e parë për shkollat austriake në Shqipëri.
Edhe Italia, duke filluar nga viti 1896, pas ardhjes në fuqi
të kryeministrit Krispi, çeli shkolla fillore e profesionale
në Shkodër, në Janinë, në Durrës e
në Vlorë, ndërsa në fillim të shek. XX
u ngritën shkolla të tjera në Shkodër (ku funksiononin
tanimë një shkollë fillore për djem, një
për vajza, një shkollë tregtare, një tjetër
artizanati dhe një kopësht për fëmijë),
u hapën shkolla të reja fillore për djem dhe për
vajza (më 1901-1906) në Vlorë, në Durrës,
në Janinë (dy shkolla fillore e një shkollë
artizanati). Vëmendjen kryesore Roma e kishte përqendruar
në Shkodër, ku në vitin 1906 shkollat italiane ndiqeshin
nga 360 nxënës, ndërsa ato të Durrësit
nga rreth 110 djem e vajza, të Vlorës nga 68 nxënës
dhe 50 të rritur. Në vitin 1906 qeveria italiane shpenzonte
për shkollat jashtë vendit 1 milion franga. Vetëm
për shkollat e Shkodrës Roma shpenzonte çdo vit
40 mijë franga.
Ndryshe nga shkollat austriake, ato italiane nuk ishin fetare, por
shtetërore, ndërsa mësimet zhvilloheshin në
italisht. Në vitet e para të shek. XX edhe Roma, nën
ndikimin e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare dhe të kërkesës
së saj për përhapjen e shkrimit shqip, futi në
shkollat italiane, në një masë shumë të
kufizuar (dy orë në javë në vitin e fundit),
mësimin e gjuhës shqipe. Përgatitja e personelit
mësimor për shkollat italiane në Shqipëri bëhej
në dy institucione, në Katedrën e Gjuhës Shqipe,
pranë Institutit Oriental të Napolit dhe në Kolegjin
italo-shqiptar të Shën-Demetër Koronës (San-Demetrio
Corone), që nxirrte mësues dhe priftërinj për
Shqipërinë.
Si Austria, ashtu edhe Italia, siç theksohej në dokumentacionin
e kohës të të dy këtyre shteteve, duke zgjeruar
nëpërmjet shkollave ndikimin e gjuhës e të kulturës
së tyre në Shqipëri, synonin njëherazi të
përgatisnin truallin për të vendosur kontrollin e
tyre mbi shtetin e ardhshëm shqiptar. Prandaj rilindësit,
edhe pse këto shkolla ndikonin në zhvillimin e përgjithshëm
kulturor të vendit, madje edhe në përhapjen e mësimit
të gjuhës shqipe, sado që në një masë
të kufizuar, i shikonin ato me mosbesim, kërkonin zëvendësimin
e tyre me shkolla kombëtare shqipe.
Qëndresa ndaj sunduesve osmanë dhe kundërshtimi
i ndërhyrjeve të Fuqive të Mëdha në vitet
1901-1903
Shtypja ekonomike e politike e administratës osmane dhe krahas
saj ndërhyrjet e Fuqive të Mëdha e sidomos të
Rusisë si edhe ato të shteteve fqinje ballkanike në
trevat shqiptare, bënë që lëvizjet çlirimtare
në vitet e para të shek. XX të drejtoheshin njëkohësisht
kundër zgjedhës osmane dhe kundër ndërhyrjeve
të shteteve të huaja në Shqipëri.
Vilajetet shqiptare, ashtu si territoret e tjera të Turqisë
Evropiane, karakterizoheshin në fillim të shek. XX nga
një prapambetje e madhe ekonomiko-shoqërore e kulturore,
e cila forcohej edhe më shumë për shkak të politikës
së rëndë fiskale, që Porta e Lartë zbatonte
në këto treva. Edhe në këtë periudhë
burimin kryesor të të ardhurave të shtetit osman
e përbënin të dhjetat (ashari), që u merreshin
në natyrë gjithë pronarëve të tokave, nëpërmjet
sistemit të sipërmarrjes; ky sistem rëndonte më
shumë fshatarësinë, e cila përbënte shumicën
e popullsisë së vendit. Në vilajetin e Janinës
shteti nxirrte çdo vit nga të dhjetat më shumë
se 8 milionë groshë, që përbënin rreth
30 % të të ardhurave të përgjithshme të
kësaj province, të cilat arrinin në 28 500 000 groshë.
Në vilajetin e Manastirit nxirreshin nga të dhjetat më
shumë se 14 milionë groshë, që përbënte
gjithashtu 30 % të shumës së përgjithshme të
të ardhurave prej 47 milionë groshësh. Nga vilajeti
i Kosovës qeveria turke vilte nga të dhjetat 16 milionë
groshë, d.m.th. 30 % të sasisë së përgjithshme
të të ardhurave prej më shumë se 53 milionë
groshësh.
Në fillimin e shek. XX rreth 2/3 e të ardhurave vjetore
të vilajeteve të Janinës, të Manastirit e të
Shkodrës dhe rreth 1/2 e atyre të vilajetit të Kosovës
shkonin në Stamboll, ndërsa nga ato që mbeteshin
në vend dhe që formonin buxhetin lokal, më shumë
se gjysma shpenzohej për të mbajtur forcat e xhandarmërisë
e të policisë dhe aparatin burokratik shtetëror osman.
Sipas të dhënave të Sait Pashës, kryeministër
i Turqisë, në vitin finaciar 1902-1903, në vilajetin
e Kosovës nga 647 612 lira, që ishte buxheti i përgjithshëm
i kësaj province, për të mbajtur xhandarmërinë,
ushtrinë dhe aparatin e nëpunësve, përdoreshin
695 mijë lira, domethënë 61 000 lira më shumë;
në vilajetin e Manastirit nga buxheti i përgjithshëm
prej 488 000 lirash, për xhandarmërinë, ushtrinë
dhe aparatin burokratik shpenzoheshin rreth 500 000 lira; në
vilajetin e Janinës nga rreth 269 000 lira të ardhura,
217 000 përdoreshin për xhandarmërinë, ushtrinë
dhe aparatin shtetëror osman; në vilajetin e Shkodrës,
ku të ardhurat ishin më të pakëta, rreth 39
000 lira gjithsej, shpenzoheshin për xhandarmërinë,
ushtrinë dhe aparatin shtetëror 200 000 lira.
Nga këto të dhëna kuptohet se për nevojat e
zhvillimit ekonomik të vendit nuk përdorej pothuajse asgjë,
ndërsa për arsimin, që ishte në gjuhën
turke, vetëm një shumë e papërfillshme. Kështu,
në vilajetin e Kosovës për arsimin përdoreshin
vetëm rreth 4 000 lira. E njëjta gjendje paraqitej edhe
në vilajetet e tjera.
Duke qenë përballë ndërhyrjeve të reja
të shteteve fqinje në Turqinë Evropiane, Porta e
Lartë i shtoi edhe më shumë forcat ushtarake. Në
vitin 1901 Stambolli mbante në Rumeli një ushtri prej
203 000 vetash, një pjesë e mirë e së cilës
ishte vendosur në vilajetet shqiptare. Në vitin 1901 u
shtuan forcat e xhandarmërisë në të gjitha viset
shqiptare, sidomos në vilajetet e Manastirit e të Kosovës,
ku kishte respektivisht 2 700 dhe 2 200 xhandarë.
Masat shtypëse të Portës së Lartë u bënë
shkak për rritjen e pakënaqësisë së përgjithshme
dhe të lëvizjes kombëtare në Shqipëri.
Në fillim të vitit 1901 në Prizren vepronte një
Komitet Qendror, që kishte degët e veta në Prishtinë,
në Shkodër e në Guci dhe që zhvillonte një
propagandë të gjerë kundër ndërhyrjeve
të Vjenës. Në janar-shkurt të po atij viti Haxhi
Zeka organizoi mbledhje në qytetet e Kosovës me qëllim
që të rimëkëmbte Lidhjen Shqiptare të Pejës
për të përballuar rrezikun që i kanosej vendit
nga shtetet ballkanike dhe nga Austro-Hungaria, e cila kishte projektuar
hekurudhën Uvac-Mitrovicë, që shihej nga shqiptarët
si një mjet për depertimin austriak në Kosovë).
Në tubimin që u mbajt në maj, në Luka, afër
Manastirit të Deçanit, përfaqësuesit e popullsisë
së vilajetit të Kosovës protestuan kundër ndërhyrjeve
të Austro-Hungarisë në këtë trevë.
Nisma për rimëkëmbjen e Lidhjes së Pejës
u përkrah nga atdhetarët dibranë e të viseve
të tjera. Në kuvendin që u caktua të mbahej
në maj ose në qershor të vitit 1901, ku do të
përfaqësoheshin të gjitha vilajetet shqiptare, parashikohej
të merreshin masa për bashkimin e shqiptarëve dhe
të kërkohej futja e gjuhës shqipe në shkolla
e në administratën shtetërore. Por, për shkak
të pengesave të administratës osmane, ky kuvend nuk
u thirr.
Në qytetet e Shqipërisë së Mesme e të Jugut
dhe në ato të Kosovës, ku futej fshehurazi shtypi
shqiptar, ai xhonturk dhe librat shqip, po ndihej gjithnjë
e më shumë ndikimi i programit autonomist të Ismail
Qemalit dhe po përhapej gjerësisht ideja e autonomisë
së vendit. Për të penguar zgjerimin e saj në
Shqipërinë e Mesme dhe të Jugut, Porta e Lartë
u mbështet në pranverën dhe në verën e
vitit 1901 te Syrja bej Vlora (që i propozoi Stambollit masa
të posaçme, të drejtuara kundër lëvizjes
kombëtare) dhe tek Esat pashë Toptani, që me autorizimin
e sulltanit hartonte peticione e mblidhte nënshkrime kundër
lëvizjes kombëtare dhe Ismail Qemalit, të cilin e
akuzonte si agjent të Anglisë, të Greqisë etj.
Ndërkaq në Kosovë të dërguarit e posaçëm
të Stambollit, pasi nuk arritën të bënin për
vete Haxhi Zekën e parinë e Pejës, shkëputën
prej krerëve të veçantë të Prishtinës
e të Prizrenit peticione, drejtuar sulltanit (të botuara
edhe në gazetën zyrtare “Kosova”), në
të cilat dënohej veprimtaria atdhetare e Ismail Qemalit.
Megjithatë, në popullsinë shqiptare myslimane e krishtere,
krahas kërkesës së përgjithshme për njohjen
zyrtare të gjuhës shqipe, për ngritjen e shkollave
kombëtare e për lëvrimin e gjuhës shqipe, po
forcohej bindja se duheshin prerë lidhjet me sulltanin e paaftë
dhe se Shqipëria duhej të kthehej në një shtet
autonom. Në vitin 1901 në mjaft qytete të Shqipërisë,
si në Tiranë, Elbasan, Shkodër, Dibër, Mat,
Vlorë, Fier etj., qenë krijuar me kontributin e popullsisë
fonde të posaçme, që përdoreshin për
të sjellë fshehurazi libra, gazeta e broshura në
gjuhën shqipe, si edhe për të ndihmuar veprimtarinë
e atdhetarëve shqiptarë jashtë vendit.
Në verën dhe vjeshtën e vitit 1901 pakënaqësia
filloi të bëhej e përgjithshme dhe u shtri në
të katër vilajetet shqiptare. Popullsia në krahina
të tëra nuk pranonte të paguante taksat dhe të
jepte ushtarë. Në Shkodër grupe kryengritësish
u përqendruan rreth qytetit dhe u orvatën ta sulmonin
atë, ndërsa në Shqipërinë e Jugut kryengritësit
zunë rajonin midis Tepelenës e Vlorës dhe zhvilluan
përleshje me trupat turke, duke i shtrirë veprimet e tyre
deri në Konicë dhe në afërsi të Elbasanit.
Në shtator të vitit 1901 ngriti krye popullsia e qytetit
të Tiranës, me të cilën u bashkua, duke lidhur
besën, edhe Malësia e këtij rrethi. Kryengritësit
i dërguan sulltanit një telegram proteste kundër
korrupsionit, arbitraritetit e dhunës së administratës
osmane lokale. Porta e Lartë u detyrua të pushonte prefektin
e sanxhakut të Durrësit (Tefik Pashën) dhe kajmekamin
e Tiranës. Ngjarjet e Tiranës vlerësohen në
dokumentet bashkëkohëse si dëshmi e forcimit në
këtë qytet të krahut nacionalist e antiqeveritar
të lëvizjes kombëtare ose të “partisë
shqiptare”, që në atë kohë drejtohej nga
Mehmet pashë Toptani, Fuad dhe Refik bej Toptani etj.
Në shkurt të vitit 1902 ngritën krye mirditasit,
që ranë në marrëveshje me malësorët
e Pukës e me banorët e Kthellës dhe prenë rrugën
midis Shkodrës e Prizrenit, si edhe vijën telegrafike
në afërsi të Lezhës. Në memorandumin, që
u dërguan valiut të Shkodrës e konsujve të huaj,
krahas kërkesës për të kthyer nga internimi
dhe për të emëruar si guvernator të Mirditës
Preng Bibë Dodën, ata shfaqën edhe aspirata kombëtare,
autonomiste, deklaruan se “nuk do ta njohin më sulltanin
si kryezotin e tyre dhe se kërkojnë njohjen e kombësisë
shqiptare”.
Për të qetësuar gjendjen në Shqipëri Abdyl
Hamiti mori masa të ashpra. Pasi hoqi valiun e Shkodrës,
Qazim Pashën, si të paaftë për të shtypur
lëvizjen shqiptare, sulltani dërgoi në vendin e tij
Shaqir Pashën me kontigjente të shumta ushtarësh.
Në Shkodër u bënë arrestime të shumta të
krerëve dhe të qytetarëve të thjeshtë që
kishin kërkuar reforma me karakter kombëtar. Arrestime
të atdhetarëve shqiptarë u bënë edhe në
Ohër, në Tiranë, në Berat, në Vlorë
e në qytete të tjera. Trupat osmane bënë gjithashtu
masakra midis popullsisë së Pejës, të Gjirokastrës,
të Konicës e të qyteteve të tjera.
Një nga veprat më të shëmtuara të armiqve
të popullit shqiptar ishte vrasja në Pejë, më
21 shkurt të vitit 1902, e udhëheqësit të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, Haxhi Zekës, që u krye me nxitjen
e qarqeve shoviniste të Serbisë dhe me përkrahjen
e autoriteteve osmane. Si përgjigje për këtë
populli i Pejës ngriti krye, sulmoi zyrat qeveritare, shtiu
në dorë postë-telegrafin, arrestoi funksionarët
turq dhe kërkoi nga sulltani lirimin e gjithë bashkatdhetarëve
të burgosur. Lëvizje të tilla antiqeveritare pati
edhe në Mitrovicë, në Prishtinë, në Pazar
të Ri e në qytete të tjera. Vrasjes së Haxhi
Zekës i bëri jehonë edhe shtypi evropian, gazeta
“Lë Tan” (“Le Temps”, Paris) dhe organe
të tjera.
Pakënaqësinë që zotëronte në vend
u orvat ta shfrytëzonte edhe pretenduesi për fronin e
Shqipërisë, aventurieri don Aladro Kastrioti, ish-diplomat
spanjoll, që e paraqiste veten si pasaardhës të Kastriotëve.
Promemorja e tij për autonominë e Shqipërisë,
e shpallur në korrik 1902 gjoja në emër të një
komiteti shqiptar, takimet me diplomatë të huaj, lidhjet
me “garibaldinët” (vullnetarë italianë,
të përgatitur për t’u hedhur në Shqipëri),
deklaratat për organizimin e kryengritjes së armatosur
e sidomos vizitat në Korfuz, pranë brigjeve shqiptare,
e detyruan Portën e Lartë që të përqendronte
në Vlorë përforcime të tjera ushtarake, të
sjella nga Konica e nga Janina. Por ky pretendent aventurier mbeti
pa ndonjë mbështetje në Shqipëri dhe për
këtë arsye dështoi.
Në qershor të vitit 1902 Porta e Lartë, me qëllim
që të shtypte Lëvizjen Kombëtare Shqiptare,
të parandalonte zhvillimin e saj të mëtejshëm
dhe t’u jepte një shembull ndëshkimi krahinave të
tjera të Shqipërisë, ndërmori arrestime të
shumta në sanxhakun e Beratit, sidomos në Vlorë e
në Kaninë, ku u ndalën 20 veta, kryesisht nga paria
e kësaj zone, që u dërguan të lidhur në
Janinë dhe iu dorëzuan gjykatës ushtarake. Të
arrestuarit u akuzuan për tradhti të lartë dhe për
përhapjen e shkrimeve të ndaluara. Në Korçë
u arrestua, në muajin korrik të vitit 1902, atdhetari
Nuçi Naçi dhe më pas veprimtarët e shquar
të lëvizjes në këtë qytet, Orhan bej Pojani
e Thimi Markoja. Edhe çarmatimi në masë i popullsisë
në rrethin e Vlorës dhe në atë të Mallakastrës,
që u ndërmor në qershor-korrik të vitit 1902,
kishte për qëllim të godiste lëvizjen kombëtare
në këtë zonë.
Këtij qëllimi i shërbeu edhe ekspedita ushtarake
kundër lokalitetit të Shëngjergjit në Malësinë
e Tiranës, që u organizua drejtpërsëdrejti nga
valiu i Shkodrës dhe që u bë shkak për qëndresën
e armatosur të popullsisë së kësaj zone kundër
Portës së Lartë, e cila zgjati nga 11 deri më
29 korrik të vitit 1902. Fshatarësia e kësaj zone
përbënte një mbështetje të fuqishme për
lëvizjen kombëtare, të drejtuar nga grupi i bejlerëve
nacionalistë të Tiranës.
Në mesin e korrikut përballë ekspeditës, që
ishte ngarkuar të ndërmerrte çdo lloj masakre,
qëndronte e bashkuar popullsia e Shëngjergjit, e cila
së bashku me atë të krahinave përreth, nxorri
më shumë se 2 500 njerëz të armatosur. Qëndresa
e malësorëve u përkrah edhe nga grupi i atdhetarëve
të Tiranës, që lidhën besën me ta dhe i
ndihmuan fshehtazi me të gjitha mjetet.
Më 24 korrik u mbajt në katundin Shënmëri mbledhja
e përfaqësuesve të popullsisë së fshatrave
të Malësisë së Tiranës; në të
mori pjesë edhe një komision i posaçëm i dërguar
nga Këshilli administrativ i kazasë së Tiranës,
ku bënin pjesë edhe atdhetarë të tillë
si Abdi bej Toptani, Fuat bej Toptani etj. Këtu u vendos që
të përtërihej Lidhja (Besa), që tanimë
ishte në fuqi nga 17 korriku, dhe të kërkohej nga
qeveria të largonte menjëherë ekspeditën; pas
plotësimit të kësaj mase, duhej të pakësohej
tatimi i prapambetur i vergjisë dhe të lëshohej urdhri
për shlyerjen e tij me këste etj.
Stambolli u detyrua të tërhiqej përballë përmasave
të qëndresës së popullsisë së Shëngjergjit,
me të cilën u bashkuan edhe malësorët e krahinave
përreth; ajo rrezikonte të kthehej në një lëvizje
të përgjithshme, që mund të çonte në
një luftë të përgjakshme, e cila do t’i
sillte ndërlikime ndërkombëtare Stambollit dhe do
të bëhej shkak për ndërhyrjen e Fuqive të
Mëdha në Shqipëri e në Turqinë Evropiane.
Më 29 korrik ekspedita u largua nga Shëngjergji.
Gjendja në Shqipëri vijoi të mbetej e nderë.
Në relacionin që kryeministri turk, Said Pasha, i parashtroi
sulltanit më 2 korrik 1902, i shkruante se “Shqipëria
ishte duke dalë nga duart e shtetit osman”, ndërsa
lëvizjen shqiptare e quante si “prelud të çështjes
së ekzistencës ose të zhdukjes së sundimit osman
në Ballkan”.
Edhe Fuqitë e Mëdha nuk ishin indiferente ndaj krizës
që po përjetonte sundimi osman në Shqipëri.
Ambasadori austro-hungarez në Stamboll, baroni Kaliçe,
disa herë i kishte folur Said Pashës për trajtimin
e keq të shqiptarëve nga Turqia, të cilin Vjena e
shikonte si shkakun kryesor të pakënaqësisë
dhe të revoltave të tyre. Austro-Hungaria pati shprehur
pakënaqësinë që Porta e Lartë nuk kishte
zbatuar në Shqipëri e në Rumeli as reformat e premtuara
sipas Traktatit të Berlinit (sipas nenit 23). Një politikë
e tillë, theksonte përfaqësuesi diplomatik i Vjenës,
“mund të krijonte rrezikun e humbjes nga Turqia të
Rumelisë dhe veçanërisht të Shqipërisë”.
Në qershor të vitit 1902 ambasadori austriak në Stamboll
pati kërkuar nga kryeministri turk që të merrte masat
për të përmirësuar nivelin arsimor e kulturor
të shqiptarëve dhe, në mënyrë të veçantë,
të pranonte mësimin e shkrimin e gjuhës shqipe, duke
futur për këtë alfabetin latin. Ministri i Punëve
të Jashtme të Austro-Hungarisë, Golluhovski, në
letrën që i dërgoi kryeministrit turk në ditët
e para të gushtit të vitit 1902, vlerësonte drejt
kërkesat kombëtare të shqiptarëve, për
të cilat thoshte se nuk janë “të nxitura nga
jashtë”, siç pretendonte Porta e Lartë, por
janë të lidhura “me ndjenjat, që kanë
lindur te populli shqiptar”. Ai i tërhiqte vëmendjen
Portës së Lartë për qëndrimin e saj mospërfillës
“ndaj aspiratave të vërteta dhe të natyrshme
të shqiptarëve për pavarësi”.
Por, siç del nga letra e Golluhovskit, Vjena shqetësohej
gjithnjë për ruajtjen e status quo-së në Ballkan,
prandaj kërkonte nga qeveria e Stambollit zbatimin në
Shqipëri të disa reformave të pjesshme, të cilat
nuk cenonin ekuilibrin në këtë zonë, siç
ishin zgjerimi i kompetencave të vilajeteve, vendosja e rregullit
dhe e drejtësisë në vjeljen e taksave, po ashtu kërkonte
t’u jepej fund abuzimeve dhe arbitraritetit të nëpunësve,
të mbrohej jeta e pasuria e tyre. Përmirësimi i administrimit
të Shqipërisë dhe i gjendjes së saj të
përgjithshme vlerësohej nga Golluhovski si një masë
që do t’i shërbente forcimit të administratës
osmane në këtë vend dhe njëherazi do të
shmangte turbullirat e brendshme dhe ndërhyrjet nga jashtë.
Këtë përmbajtje kishte edhe projekti i reformave
që Said Pasha i parashtroi sulltanit në “Promemorjen
për Shqipërinë” më 9 gusht të vitit
1902, në të cilën propozonte të zbatoheshin
masa të tilla, si ndreqia e rrugëve, zgjerimi i rrjetit
të komunikacionit, përkrahja e tregtisë detare e
tokësore, rindërtimi i limaneve, zhvillimi i artizanatit
dhe i industrisë, hapja e punishteve dhe e fabrikave, heqia
e nëpunësve të korruptuar dhe zëvendësimi
i tyre me njërëz të kulturuar etj. Por edhe këto
masa, të cilat, siç theksonte kryeministri turk, do
të përmirësonin gjendjen ekonomike e kulturore të
vendit, nuk u miratuan nga sulltani.
Në gjysmën e dytë të vitit 1902, u acarua përsëri
çështja maqedone dhe u forcuan ndërhyrjet e shteteve
ballkanike e të Fuqive të Mëdha në Turqinë
Evropiane, marrëdhëniet e popullit shqiptar me qeverinë
e Stambollit u ashpërsuan edhe më shumë. Qarqet politike
të Sofjes, me mbretin Ferdinand në krye dhe organizatat
nacionaliste bullgare, duke përfituar nga lufta e drejtë
çlirimtare e popullsisë sllave-maqedone, e nxisnin atë
të hidhej në kryengritje kundër sundimit osman, për
të bashkuar Maqedoninë, me anën e forcës, me
Bullgarinë. Ndërkaq Serbia e Greqia, duke përfituar
nga fakti që në Turqinë Evropiane kishte edhe popullsi
serbe (në Kosovë) e greke (në vilajetin e Selanikut),
ndërhynin në çështjen maqedone për të
ndarë ndërmjet tyre territoret e vilajeteve të Selanikut,
të Manastirit e të Kosovës.
Nga vera e vitit 1902 në radhë të parë Bullgaria,
por pas saj edhe Serbia e Greqia filluan të dërgonin në
viset e Turqisë Evropiane banda të armatosura (të
drejtuara shpesh nga oficerë të ushtrisë së
rregullt), që luftonin kundër njëra-tjetrës
dhe përpiqeshin të shkombëtarizonin me forcë
ose të shfarosnin popullsinë e kombësive të
tjera të territoreve të cilat pretendonin t’i aneksonin.
Veprimtaria e çetave bullgare, të përbëra
nga disa qindra veta, shtrihej, përveç vilajetit të
Selanikut, edhe në disa rrethe të vilajetit të Manastirit,
kurse qeveria serbe filloi të armatoste bashkëkombësit
e vet në vilajetin e Kosovës.
Ndërhyrjet e vazhdueshme të Rusisë në Turqinë
Evropiane dhe përkrahja prej saj e lakmive pushtuese të
shteteve sllave ballkanike në këtë zonë i shtyti
shqiptarët të kundërshtonin çeljen e konsullatës
ruse dhe hyrjen e konsullit të Rusisë në Mitrovicë.
Në fillim të shtatorit të vitit 1902 qëndresa
e shqiptarëve, e udhëhequr nga Isa Boletini, u shndërrua
në një kryengritje të armatosur me karakter kombëtar;
ajo drejtohej kundër ndërhyrjeve të Rusisë në
trevat shqiptare dhe kundër Portës së Lartë
që i bënte asaj lëshime. Më 7 shtator rreth
1 000 shqiptarë të armatosur u grumbulluan në afërsi
të Mitrovicës, në rrugën që të çonte
në Pejë dhe në rrethinat e saj, të gatshëm
për të sulmuar qytetin. Një forcë ushtarake
osmane prej 500 ushtarësh, që u dërgua nga Shemsi
Pasha për të shtypur lëvizjen, u çarmatos
më 15 shtator nga shqiptarët. Për t’i ndëshkuar
kryengritësit, mareshali turk bombardoi e dogji fshatrat e
boshatisura të Mitrovicës. Qëndresa e shqiptarëve
të Mitrovicës u përkrah edhe nga popullsia e rretheve
të tjera dhe mund të shtrihej në tërë vilajetin
e Kosovës. Më 18 tetor u grumbulluan në Boletin (ku
Isai kishte kullën e vet) rreth 5 000 shqiptarë të
armatosur nga rrethet e Mitrovicës, të Pejës, të
Prishtinës e të Pazarit të Ri, të cilët
shprehën vendosmërinë për të luftuar për
çështjen shqiptare.
Nën presionin e Rusisë e të Serbisë, që
i kërkuan Stambollit të shtypte me çdo mjet kryengritjen
shqiptare dhe të largonte Isa Boletinin nga Mitrovica, Porta
e Lartë përdori dhunën ushtarake për të
shuar këtë vatër të qëndresës së
armatosur. Megjithatë, ekspedita ushtarake, që Dervish
Pasha ndërmori në muajin tetor në rrethet e Drenicës
e të Pejës, ku shkatërroi e bëri rrafsh me tokën
fshatra të tëra dhe qindra kulla të shqiptarëve,
dogji shtëpitë e grabiti bagëtinë e drithin,
nuk dha përfundimet që priste Porta e Lartë.
Vetëm pas bisedimeve, që kryesekretari i pallatit dhe
Shemsi Pasha zhvilluan në Mitrovicë me Isa Boletinin,
ky u bind të largohej në fillim nga Mitrovica dhe në
fundin e nëntorit të vitit 1902 u tërhoq në
Stamboll, ku u mbajt deri në vitin 1906.
Në të njëjtën kohë, Porta e Lartë
shtypi me egërsi brenda një muaji kryengritjen e popullsisë
maqedone, që shpërtheu në fundin e shtatorit 1902.
Për të shmangur shpërthimin e një kryengritjeje
të re në Maqedoni, qeveria turke, duke qenë edhe
nën trysninë e vazhdueshme të Rusisë e të
Austro-Hungarisë, shpalli në fillim të dhjetorit
të vitit 1902 reformat për vilajetet e Turqisë Evropiane,
të cilat u përfshinë në “Udhëzimin
për vilajetet e Rumelisë”, të 12 dhjetorit
të atij viti. Krahas masave të përgjithshme për
përmirësimin e gjendjes në provincat e Rumelisë,
për zhvillimin e tregtisë, të bujqësisë,
të zejtarisë e të punëve botore, në këtë
Udhëzim parashikohej edhe riorganizimi i xhandarmërisë,
i policisë dhe i gjykatave (duke futur në to të krishterët),
hapja e shkollave turke në fshatrat më të mëdha,
përdorimi i një pjese të të ardhurave lokale
për nevojat e vilajeteve etj. Për zbatimin e reformave
në Rumeli emërohej një inspektor i përgjithshëm,
që do të kishte kompetencat e një ministri dhe pranë
tij një nëpunës civil e një tjetër ushtarak.
Porta e Lartë nuk përcaktoi provincat ku do të shtriheshin
reformat, por zbatimin e tyre ajo e kufizoi në tri të
ashtuquajturat vilajete maqedone (të Selanikut, të Manastirit
e të Kosovës), në krye të të cilave u vu
si inspektor i përgjithshëm, me seli në Shkup, Hysen
Hilmi pasha. Reformat turke ishin gjysmake dhe në thelb nuk
i sillnin ndonjë përmirësim gjendjes së popullsive
të shtypura të Rumelisë. Për këtë
arsye ato nuk u pritën mirë as nga këto popullsi,
as edhe nga qeveritë e shteteve të Evropës e nga
opinioni publik evropian, i cili mbajti qëndrim kritik ndaj
tyre.
Ashpërsimi i mëtejshëm i gjendjes politike në
Rumeli dhe rritja e pakënaqësisë së popullsive
të saj i shtyti Fuqitë e Mëdha, veçanërisht
Rusinë e Austro-Hungarinë, të ndërhynin drejtpërdrejt
në çështjen maqedone. Pasi morën edhe pëlqimin
e Anglisë, të Gjermanisë e të Francës,
më 21 shkurt 1903 ato i paraqitën Portës së
Lartë projektin austro-rus të reformave, të cilin,
pas disa kundërshtimesh u detyrua ta pranonte edhe sulltani.
Me këto reforma Fuqitë e Mëdha synonin të ruanin
status quo-në në Turqinë Evropiane dhe, duke u dhënë
disa të drejta popullsive të krishtere, sllave e greke,
të parandalonin shpërthimin e kryengritjes, veprimtarinë
e çetave të armatosura dhe mundësinë e një
ndërhyrjeje të hapur ushtarake të Serbisë, të
Bullgarisë, të Malit të Zi e të Greqisë
(që njihnin si protektore Rusinë) në Rumeli.
Por kjo nuk mund të arrihej pa u dhënë kombësive
të Turqisë Evropiane, duke përfshirë këtu
edhe shqiptarët që zinin pjesën më të madhe
të territoreve të saj, të drejtën e autonomisë.
Projekti austro-rus i reformave ishte në thelb një përsëritje
e atij të shpallur nga sulltani në dhjetor të vitit
1902. Disa masa të reja që përmbante ai, si përqendrimi
i riorganizimit të xhandarmërisë dhe të policisë
në duart e specialistëve të huaj, kontrolli i Bankës
Otomane mbi buxhetin e vilajeteve të Selanikut, të Manastirit
e të Kosovës etj., ndonëse do të sillnin ndonjë
përmirësim të gjendjes së përgjithshme,
do t’i shërbenin më shumë forcimit të
kontrollit të dy fuqive në këtë zonë.
Shqiptarët në përgjithësi, me përjashtim
të një shtrese njërëzish që kërkonin
të nxirrnin përfitime nga gjendja ekzistuese dhe nga anarkia,
nuk ishin kundër reformave, të cilat mund të sillnin
përparimin e vendit, as edhe kundër barazisë së
të krishterëve me myslimanët. Kryeministri turk Said
Pasha, qysh në nëntor të vitit 1902, duke bërë
fjalë për nevojën e zbatimit të reformave në
Shqipëri, i shkruante sulltanit se nuk është e vërtetë
që shqiptarët janë kundër reformave, se “përveç
disa krerëve, rendin dhe qetësinë në Shqipëri
e do shumica e popullsisë, paria dhe të pasurit”.
Megjithatë, shpallja e projektit austro-rus të reformave
(të 21 shkurtit 1903) e elektrizoi gjendjen në Shqipëri
dhe u prit me pakënaqësi nga popullsia e saj, që
shihte tek ato rrezikun e një copëtimi të ri të
vendit. Duke zbatuar këto reforma vetëm në vilajetet
e Selanikut, të Manastirit dhe të Kosovës, Fuqitë
e Mëdha do të saksiononin në fakt copëtimin
e vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit,
që ndaheshin nga vilajetet e Shkodrës e të Janinës.
Kjo ishte arsyeja kryesore, që i shtyti shqiptarët të
ngriheshin kundër projektit austro-rus të reformave.
Qëndresa e shqiptarëve kundër reformave mori një
karakter kombëtar. Nëpërmjet artikujve, të botuar
në shtypin përparimtar në fundin e vitit 1902 dhe
në fillim të vitit 1903, (në gazetat “Drita”
të Sofjes, “Albania” të Beogradit etj.), atdhetarët
rilindës i bënin thirrje popullit të kundërshtonte
projektet e reformave, që synonin të copëtonin tokat
shqiptare ndërmjet fqinjëve ballkanikë. Përkundrejt
tyre, theksohej në këto organe të shtypit, populli
shqiptar duhej “të kërkonte bashkimin e vendeve
që janë në Shqipëri nën një vali”,
t’u shpallte Fuqive të Mëdha dhe Portës së
Lartë se shqiptarët nuk janë kundër reformave
në përgjithësi, “por duan që të mbajnë
vendin e tyre, duan që ai të mos shkelet prej të
huajve ..., që në Shqipëri të bëhen reforma
për të mirën e shqiptarëve dhe duke qenë
e tërë Shqipëria e bashkuar dhe jo e ndarë copa-copa”.
Në janar-shkurt të vitit 1903 vatra të lëvizjes
shqiptare u bënë Peja e Gjakova, në rrethet e të
cilave u mbajtën atëherë dy tubime. Në këto
tubime u diskutua çështja e reformave, e hapjes së
konsullatës ruse në Mitrovicë dhe e lirimit të
të burgosurve politikë. Shqiptarët që u mblodhën
këtu, dhanë Besën, vendosën të kundërshtonin
reformat e projektuara dhe kërkuan largimin nga Shqipëria
të Shemsi Pashës, që ishte dërguar për
të shtypur qëndresën e tyre. Popullsia e Pejës
dhe e Gjakovës u bëri thirrje gjithë shqiptarëve
të bashkoheshin kundër ndërhyrjeve që po bëheshin
në Shqipëri në emër të zbatimit të
reformave, por që kërcënonin tërësinë
e saj territoriale. Me këto vendime u bashkua gjatë muajve
shkurt-mars popullsia e Prizrenit, e Dibrës, e Drenicës
dhe e Llapit, që i deklaroi Portës së Lartë
se do të kundërshtonte me armë nëse kërkesat
e shqiptarëve nuk do të merreshin parasysh.
Sulltani nxori një qarkore, që u shpërnda në
qendrat kryesore të vendit, në të cilën u bënte
thirrje shqiptarëve të nënshtroheshin e të mos
ngrinin krye, ndërsa në fundin e shkurtit të vitit
1903, po për këtë qëllim, u dërguan në
Pejë, në Gjakovë, në Rekë, në Shkup
e në qytete të tjera të Kosovës komisione të
posaçme. Megjithatë, këto përpjekje nuk dhanë
rezultat.
Po kështu dështuan orvatjet, që inspektori i përgjithshëm
i Rumelisë, Hilmi Pasha, bëri po në shkurt të
atij viti, për t’i bindur personalisht krerët shqiptarë
të pranonin reformat e shpallura. Atdhetarët shqiptarë
i deklaruan atij se nuk janë kundër reformave, por kundër
përpjekjeve që po bëheshin nëpërmjet tyre
për të copëtuar atdheun e tyre. Ata kërkuan
njëkohësisht zbatimin në vilajetet shqiptare të
disa masave me karakter kombëtar, siç ishin njohja zyrtare
e kombësisë shqiptare, e drejta e mësimit dhe e lëvrimit
të gjuhës amtare, futja e saj në ceremonitë
fetare, emërimi i nëpunësve shqiptarë nga njerëzit
e aftë, përdorimi i një pjese të taksave të
nxjerra në Shqipëri për ngritjen e shkollave, amnisti
për të burgosurit politikë, ndalimi i të huajve
që të përziheshin në punët e katër
vilajeteve shqiptare etj.
Ministri i Punëve të Jashtme të Turqisë, Tefik
Pasha, duke njohur aspiratat kombëtare të shqiptarëve,
në shkurt të vitit 1903 u kumtoi përfaqësuesve
të huaj diplomatikë se asnjë formë qeverisjeje
nuk do t’i kënaqte shqiptarët, veç asaj që
do të mbështetej në autonominë e viseve të
tyre. Kërkesat kombëtare të shqiptarëve tërhoqën
në atë kohë vëmendjen e përfaqësuesve
të huaj konsullorë në Shqipëri. Në “Promemorjen
mbi Shqipërinë prej vitit 1901 deri më 1905”,
hartuar në Vjenë nga Kral, theksohej se “shqiptarët,
më shumë se popujt e tjerë të Ballkanit, dëshirojnë
zbatimin e reformave në atdheun e tyre të prapambetur”,
se “ata kundërshtojnë ato masa që, sipas bindjes
së tyre, kanë për qëllim shkombëtarizimin,
copëtimin dhe dobësimin e racës së tyre”
dhe që “do ta ngushtonin tokën e tyre nacionale”.
Edhe kërkesa e shqiptarëve për hapjen e shkollave
shqipe, thuhej në këtë dokument, përveç
rëndësisë që ka për zgjimin kombëtar
të shqiptarëve, është një conditio sine
qua non për çdo reformë serioze, që synon
me të vërtetë përparimin e Shqipërisë.
Shqiptarët u qëndruan me armë ndërhyrjeve të
Fuqive të Mëdha e sidomos të Rusisë në
Shqipëri. Në mars të vitit 1903 mijëra shqiptarë
të armatosur u grumbulluan në rrethet e Prizrenit e të
Mitrovicës dhe zunë gjithë zonën midis Gjakovës
e Pejës. Më 26 mars rreth 5 000 kryengritës u mblodhën
në Drenicë, ku, nën drejtimin e udhëheqësve
të tyre Ahmet Delia, Ukë Kamberi etj., mbajtën në
Fushë të Morinës kuvendin e tyre, në të
cilin u kërkua nga qeveria turke të hiqte dorë nga
reformat që rrezikonin tërësinë e Shqipërisë
dhe të dëbohej konsulli rus nga Mitrovica. Më 29
mars rreth 10 000 shqiptarë nga Vuçiterna, Prishtina
e Mitrovica u grumbulluan në Vuçiternë, ku pati
përleshje të armatosura me forcat qeveritare.
Karakter të ashpër morën ngjarjet në rrethet
e Mitrovicës, ku më 30 mars u përqendruan 2 000 -
3 000 kryengritës, të cilët, ashtu si në Kuvendin
e Drenicës, protestuan kundër “reformave që
po dëmtonin interesat e atdheut”. Ngjarjet e Mitrovicës
e ndërlikuan gjendjen në Kosovë e në gjithë
Rumelinë dhe e vunë Stambollin nën trysninë
e Fuqive të Mëdha, sidomos të Rusisë, e cila,
nëpërmjet ministrit të Punëve të Jashtme
Zinovjev, disa herë kërkoi nga Porta e Lartë të
shtypte me forcë qëndresën e shqiptarëve. Konsulli
rus në Mitrovicë, Shçerbin, në kundërshtim
me funksionet e tij diplomatike, duke qarkulluar në llogoret
e ushtrisë e të artilerisë turke, i nxiste ato dhe
komandantët e tyre të sulmonin sa më parë shqiptarët.
Më 30 mars 1903 autoritetet osmane, sipas vendimit që
ishte marrë në Stamboll, urdhëruan garnizonin e Mitrovicës
dhe forcat e artilerisë të sulmonin kryengritësit.
Megjithëse u vunë nën breshërinë e predhave
të artilerisë, shqiptarët u përleshën për
2 orë të tëra me ushtrinë osmane. Më shumë
se 200 shqiptarë mbetën të vrarë në hyrjet
e qytetit, ndërsa forcat e tjera u detyruan të tërhiqeshin.
Të nesërmen, më 1 prill, u vra në Mitrovicë
gjatë një ceremonie ushtarake, nga një ushtar shqiptar,
konsulli rus Shçerbin. Atentatori (Ibrahim Gjilani) e quajti
konsullin fajtor që kishte urdhëruar ushtrinë turke
të qëllonte mbi shqiptarët, bashkatdhetarë të
tij.
Lëvizja kryengritëse në Shqipëri kërcënonte
të prishte status quo-në në Ballkan. Prandaj Rusia
dhe Austro-Hungaria, gjatë gjysmës së parë të
prillit 1903, i kërkuan disa herë Portës së
Lartë që, për të shmangur ndërlikimet në
Ballkan, “të merrte masat e domosdoshme dhe sa më
energjike kundër revolucionarëve shqiptarë”,
të shtypte “kryengritjen shqiptare”, siç
u quajtën në Evropë ngjarjet e marsit të vitit
1903. Me këto veprime u bashkuan gjithashtu Gjermania e Franca.
Në gjysmën e dytë të prillit të vitit 1903
valiu i Shkupit, Shaqir Pasha, shkoi me 20 batalione ushtarësh
e 8 bateri të artilerisë në fillim në Ferizaj
dhe më pas në Prizren, ku bëri arrestime të
shumta midis udhëheqësve të lëvizjes, të
cilët u dërguan pastaj në Mosull e në Anadoll.
Ushtri të tjera turke (rreth 18 000 ushtarë), nën
komandën e Shemsi Pashës, u dyndën po në këtë
kohë në Gjakovë, në Pejë, në Mitrovicë
e në Prishtinë, ku u përleshën me forcat kryengritëse
vendase.
Më 30 prill ushtria osmane, e komanduar nga Omer Ruzhdi Pasha,
nga valiu i Kosovës Shaqir Pasha dhe nga Shemsi Pasha, pasi
doli nga Gjakova, u ndesh me kryengritësit në katundin
Skovjan. Gjatë përleshjes, që vazhdoi 12 orë,
ushtria turke la shumë të vrarë e robër. Pas
tërheqjes së kryengritësve në pllajat përreth,
ushtria shkatërroi fshatra të tëra midis Prizrenit
e Gjakovës dhe shkretoi arat e mbjella. Përfaqësuesit
e huaj konsullorë në Kosovë theksojnë në
relacionet e tyre, se dëme të tilla nuk i ishin bërë
popullsisë së kësaj treve qysh nga koha e shtypjes
së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe se pasojat e tyre
shqiptarët do t´i ndienin për shumë kohë.
Në ditët e para të majit ushtria osmane shtypi edhe
vatrën e fundit të qëndresës së shqiptarëve,
Pejën. Më 3 maj sulltani e njoftoi Zinovjevin, që
kërkonte informata të vazhdueshme për veprimet e
ushtrisë në Shqipëri, se trupat turke morën
edhe Pejën. Vetëm në Gjakovë e në Pejë
komanda turke arrestoi 47 udhëheqës të kryengritjes
shqiptare. Në fundin e majit midis Prizrenit, Gjakovës
e Pejës ishin përqendruar 44 batalione, me 10 bateri artilerie,
gjithsej 33 000 ushtarë.
Gazeta “Drita” shkruante në atë kohë
“për egërsinë e turqve në Mitrovicë,
ku u vranë rreth 300 shqiptarë, për ekspeditat ndëshkimore
të Ruzhdi Pashës, Shemsi Pashës etj., që vranë
gra, pleq e foshnja dhe çuan në internim qindra shqiptarë”.
Në një thirrje që kjo gazetë u drejtonte shteteve
të Evropës në mars të vitit 1903, kërkonte
që të zbatoheshin në Shqipëri reforma të
tilla, të cilat të siguronin njohjen zyrtare të kombësisë
shqiptare, hapjen e shkollave në gjuhën shqipe dhe futjen
e saj në ceremonitë fetare në kisha, amnisti për
të burgosurit politikë, emërimin e një përfaqësuesi
të popullsisë shqiptare në komisionin e reformave
etj.
Reformat e parashikuara nga projekti austro-rus i shkurtit të
1903, nuk kënaqën as popullsinë maqedone. Për
më tepër, Porta po e zvarriste zbatimin e tyre. Ndërkaq,
në Maqedoni gjendja e popullsisë u bë e padurueshme
dhe i dha shkas shpërthimit të kryengritjes në pranverën
e vitit 1903, që u përhap në disa qendra (në
rrethet e Ohrit, Kosturit, Serezit etj.) ku, bashkë me banorët
vendës, luftuan kundër ushtrisë osmane edhe çetat
e armatosura, të dërguara nga Bullgaria dhe të organizuara
nga komitetet bullgaro-maqedone. Me gjithë masat e egra të
terrorit qeveria osmane nuk mundi ta likujdonte lëvizjen çlirimtare
të popullsisë sllave-maqedone. Më 2 gusht të
vitit 1903, shpërtheu në rrethinat e Manastirit, Kryengritja
e Ilindenit (dita e Shën Ilisë), që shpalli si qellim
kryesor çlirimin e popullit maqedon nga robëria osmane.
Po në këtë ditë u çlirua qyteti i Krushevës,
ku u shpall edhe Republika e Krushevës, kryetar i së cilës
u caktua Nikolla Karev, komandant i shtabit të kryengritjes
në këtë qytet. Më pas kryengritja u shtri në
Traki, në vilajetin e Selanikut dhe vijoi 3 muaj, deri në
fund të tetorit.
Kryengritja u përkrah nga popullsia shqiptare e trevave lindore,
e Krushevës me rrethinat e saj, nga popullsia shqiptare e Shkupit,
e Tetovës, e Gostivarit, e Dibrës, dhe e Strugës.
Ndërsa atdhetarët shqiptarë të Manastirit, të
Prespës, të Strugës, të Pogradecit dhe të
qendrave të tjera, furnizuan çetat maqedone me armë
e me municione. Një bashkëpunim i ngushtë u vendos
ndërmjet çetave shqiptare dhe kryengritësve maqedonë.
Ata u ndihmuan edhe nga Themistokli Gërmenji, që jetonte
në Manastir e që mbante lidhje me revolucionarët
maqedonë. Për shkak të kontributit që dhanë
në Kryengritjen e Ilindenit, shqiptarët zunë një
vend të rëndësishëm edhe në organet drejtuese
që u krijuan gjatë saj. Kështu nga 60 anëtarë
të Këshillit apo të Kuvendit të Republikës
së Krushevës, që u formua në këtë
qytet, 20 ishin maqedonë, 20 shqiptarë dhe 20 të
tjerë vllehë. Organi ekzekutiv i kësaj republike
që doli prej tij si një lloj qeverie e përkohshme
përbëhej nga 2 maqedonë, 2 shqiptarë (Gjorgji
Çaçi dhe Nikolla Balo), dhe 2 vllehë, gjithsej
nga 6 anëtarë. Kryetar i saj ishte shqiptari Vangjel Dino.
Edhe Manifesti i Krushevës, që u shpall në fillim
të gushtit, u bënte thirrje të gjitha kombësive,
e në radhë të parë shqiptarëve, që
të bashkoheshin me kryengritësit në luftën kundër
armikut të përbashkët, sunduesve osmanë.
Kryengritja e Ilindenit u shtyp me egërsinë më të
madhe nga Porta e Lartë. Ajo hodhi kundër saj rreth 200
000 ushtarë, të cilët bënë reprezalje të
shumta ndaj kryengritësve dhe popullsisë, dogjën
e rënuan fshatra të tëra.
Shtypi shqiptar përkrahu luftën çlirimtare të
popullsisë sllave-maqedone kundër zgjedhës osmane,
dënoi me zemërim terrorin turk dhe reformat gjysmake të
sulltanit, të cilat, sikurse shprehej ai në artikujt e
botuar ato ditë, “i sollën shkatërrime, vaj
e varfëri popullit të thjeshtë”. Aty i bëhej
thirrje popullit shqiptar që “të bashkohej me maqedonët
dhe me ta të kërkonte lirinë kundër armikut
të përbashkët, qeverisë së sulltanit”.
Programi i reformave i Myrcshtegut (22 tetor 1903) dhe
kryengritjet shqiptare të vitit 1904
Kryengritja e Ilindenit dhe shtypja e saj nga ushtritë osmane,
u dha shkak Fuqive të Mëdha të ndërhynin përsëri
në të ashtuquajturën çështje maqedone.
Më 22 tetor 1903 Austro-Hungaria dhe Rusia, që njiheshin
edhe nga Fuqitë e tjera të Mëdha si shtetet më
të interesuara në këtë zonë, i paraqitën
Portës së Lartë një program tjetër reformash
për tri të ashtuquajturat “vilajete maqedone”,
që ishte rezultat i marrëveshjes ndërmjet perandorit
austriak dhe atij rus në Myrcshteg (Austri). Meqë “Koncerti
evropian” shihej si një mekanizëm më i ndërlikuar
për t’u vënë në veprim, Fuqitë e
Mëdha parapëlqyen t’u jepnin mandatin për reformat
Rusisë e të Austro-Hungarisë.
Programi i ri u ndërmor “për të mbrojtur popullsitë
krishtere” nga dhuna osmane, ndërsa qëllimi kryesor
i Fuqive të Mëdha ishte të shmangnin çdo mundësi
për çrregullime e turbullira (me të cilat nënkuptoheshin
lëvizjet kryengritëse çlirimtare në Turqinë
Evropiane) dhe për çdo ndërhyrje të Bullgarisë,
të Serbisë, të Malit të Zi e të Greqisë,
që rrezikonte të cenonte ekuilibrin e vendosur në
këtë zonë dhe paqen e përgjithshme në Evropë.
Në kushtet e krijuara në Turqinë Evropiane në
vitin 1903, nuk përjashtohej edhe një mundësi tjetër,
ajo e një ndërhyrjeje ushtarake ruse a austriake, ose
e të dyja fuqive në këtë zonë.
Marrëveshja e Myrcshtegut u quajt nga ministri i Punëve
të Jashtme të Austro-Hungarisë, Golluhovski, “një
aleancë e përzemërt” ndërmjet dy vendeve,
që kishte për qëllim të ruante status quo-në
në Ballkan dhe të siguronte një zgjidhje paqësore
të problemeve të kësaj zone. Ai deklaroi se këto
dy fuqi nuk synonin të vendosnin ndonjë ndikim mbizotërues
këtu por, në të njëjtën kohë, nuk
do të lejonin që një gjë të tillë
ta bënte ndonjë shtet tjetër.
Golluhovski pranonte gjithashtu se programi i Myrcshtegut përbënte
një ndërhyrje të drejtpërdrejtë të
Austro-Hungarisë e të Rusisë në Turqinë
Evropiane, e cila, nëse Porta e Lartë nuk do të bashkëpunonte
me to, do të vazhdonte dhe mund të sillte pasoja të
rënda për Perandorinë Osmane. Duke caktuar, sipas
këtij programi, pranë inspektorit të përgjithshëm,
Hysen Hilmi pashës, dy nëpunës civilë, një
rus dhe një austriak, që do të vëzhgonin zbatimin
e reformave dhe gjendjen në Maqedoni, Vjena e Peterburgu vinin
nën kontrollin e tyre vilajetet e ashtuquajtura “maqedone”,
të Kosovës, të Manastirit e të Selanikut. Projekti
parashikonte gjithashtu riorganizimin e xhandarmërisë,
për të cilën ngarkoheshin si komandant një gjeneral
(që u vendos të ishte italian) dhe oficerë të
huaj, si edhe krijimin e komisioneve që do të merreshin
me shqyrtimin e problemeve politike; këto komisione do të
përbëheshin nga përfaqësues konsullorë
të të dy fuqive dhe të popullsisë së krishtere
e myslimane të të tri vilajeteve.
Ndërkaq, për të shmangur një ashpërsim
të mëtejshëm të kontradiktave ndërmjet
Fuqive të Mëdha, territori në të cilin do të
zbatoheshin reformat u nda në 5 zona (të Serezit, të
Dhramës, të Selanikut, të Shkupit dhe të Manastirit),
në çdonjërën prej të cilave u vendosën
respektivisht oficerët e huaj, francezë, anglezë,
rusë, austriakë dhe italianë.
Projekti austro-rus i reformave dhe përgjithësisht ndërhyrjet
e huaja në territoret shqiptare, i dhanë një shtytje
të re lëvizjes kryengritëse në Shqipëri.
Shqiptarët u ngritën përsëri kundër reformave,
që cenonin tërësinë territoriale të atdheut.
Pakënaqësia e popullsisë u shtua edhe për shkak
se Porta e Lartë, në emër të reformave, vendosi
taksa të reja dhe dërgoi në Shqipëri ushtri
të shumta për vjeljen e tyre dhe për zbatimin e reformave.
Ndonëse nuk ishte e organizuar në përmasa kombëtare
dhe u zhvillua në formën e kryengritjeve lokale, që
nuk udhëhiqeshin nga një qendër e vetme, lëvizja
shqiptare e vitit 1904, ose siç u quajt që në atë
kohë kryengritja shqiptare kishte një objektiv të
përbashkët, ishte drejtuar kundër zgjedhës osmane
e ndërhyrjeve të reja, që Fuqitë e Mëdha
ndërmorën në Shqipëri në fund të vitit
1903 dhe në fillim të vitit 1904. Edhe kërkesat që
kryengritësit parashtruan në vatrat e ndryshme të
saj ishin të njëjta dhe përgjithësisht kishin
karakter kombëtar, synonin të siguronin autonominë
e Shqipërisë. Revista “Albania” (Londër,
1904) e Faik Konicës botoi në numrin 2 të saj programin
e kryengritjes, ku rendiste, përveç çështjeve
të tilla si kundërshtimi i zbatimit të reformave,
tërheqja e ushtrisë osmane nga Kosova dhe lirimi i të
burgosurve politikë, edhe çështjen e autonomisë
ose të “veturdhërimit” të Shqipërisë,
nën sovranitetin e sulltanit. Kërkesën e formimit
të një Shqipërie autonome nëpërmjet bashkimit
të vilajeteve të Kosovës, të Shkodrës,
të Manastririt e të Janinës, ia atribuon kryengritjes
shqiptare të vitit 1904 edhe autori serb Pavël Orloviç,
në punimin e tij “Serbia e Vjetër dhe shqiptarët”
(“Stara Serbija i arbanasi”, Beograd, 1904).
Në shkurt të vitit 1904 kryengritja përfshiu Gjakovën,
Pejën, Lumën, Rekën, rrethet e Mitrovicës dhe
qendra të tjera. Vatra kryesore e saj u bë Gjakova, në
rrethet e së cilës në fillim të shkurtit u grumbulluan
5 000-6 000 kryengritës, të drejtuar nga Sulejman Batusha,
që sulmuan garnizonin dhe u përpoqën të hynin
në qytet. Me kryengritësit gjakovarë u bashkua shumë
shpejt popullsia e Pejës, që lidhi besën me ta. Edhe
mirditorët u treguan të gatshëm të niseshin
për në Gjakovë e Pejë për të ndihmuar
bashkatdhetarët e tyre kosovarë.
Për të shtypur lëvizjen qeveria turke dërgoi
forca të mëdha ushtarake, të komanduara nga Shemsi
Pasha i njohur për egërsinë e tij kundër shqiptarëve.
Vetëm në Gjakovë u dërguan 10 batalione, me
artileri fushore e malore, të cilat më 12 shkurt u ndeshën
në veriperëndim të këtij qyteti, në katundin
Batushë, me 2 000 kryengritës, që i shkaktuan humbje
ushtrisë osmane të Shemsi Pashës dhe e gozhduan atë
në vend. Veprimet luftarake u shoqëruan me mbledhjen me
forcë të taksave nga popullsia dhe me shkatërrimin
e fshatrave të tëra të kësaj treve.
Më 21 shkurt u hodh në kryengritje popullsia e qytetit
të Pejës, që rrëmbeu armët dhe iu kundërvu
ushtrisë osmane, ndërsa orvatjet e bajraktarëve të
Rugovës për të bashkuar popullsinë e kësaj
zone me kryengritësit e Pejës u penguan për një
kohë nga komanda ushtarake osmane. Ndërkaq Porta e Lartë
hodhi kundër kryengritësve ushtri të tjera, gjithsej
25 batalione, që drejtoheshin nga vetë valiu i Kosovës,
Shaqir Pasha.
Në fillim të marsit kryengritja u shtri në sanxhakun
e Prizrenit dhe sidomos në kazanë e Lumës, ku në
krye të lëvizjes u vu Ramadan Zaskoku, ish-kapiten i xhandarmërisë.
Me disa ndërprerje kryengritja vazhdoi deri në vjeshtën
e vitit 1904.
Gjatë muajve mars-prill u përfshi në lëvizje
edhe Mitrovica me rrethina, që u bë qendër e mbledhjeve
të fshehta për organizimin e qëndresës kundër
reformave dhe kundër çarmatimit të shqiptarëve.
Përfaqësuesit e popullsisë së Mitrovicës
hynë në lidhje me shqiptarët e Prishtinës, të
Vuçiternës, të Gjilanit dhe të Pazarit të
Ri (Novi Pazarit) për të vendosur një qëndrim
të përbashkët lidhur me reformat.
Më 30 qershor u dërgua në Pejë valiu i Kosovës,
Shaqir Pasha. Gjatë bisedimeve që zhvilloi me përfaqësuesit
e 2 000 kryengritësve të mbledhur në këtë
qytet, krerët shqiptarë kërkuan, krahas lehtësirave
në vjeljen e taksave, edhe lirimin e gjithë të burgosurve
politikë, të arrestuar për shkak të pjesëmarrjes
në kryengritjen kundërosmane. Valiu u premtoi shqiptarëve
se do të plotësonte kërkesat e tyre.
Në gusht-shtator të vitit 1904, pas një rënieje
të përkohshme, u rigjallërua qëndresa e armatosur
në krahinat midis Pejës, Gjakovës e Prizrenit. Në
gusht lumjanët sulmuan Prizrenin dhe e shtinë në
dorë, ndërsa në shtator kryengritësit morën
Pejën. Për të shtypur kryengritjen shqiptare u dërguan
në rajonin e Prizrenit forca të reja ushtarake, rreth
5 batalione, por ato nuk qenë të mjaftueshme për
të vendosur qetësinë në këtë trevë.
Më 8 shtator shkoi në Prizren valiu Shaqir Pasha, i cili
u premtoi shqiptarëve se do të plotësonte kërkesën
për të liruar kryengritësit e arrestuar, do t´u
jepte krerëve grada e pensione, por nuk pranoi të anulonte
reformat në gjykata, në xhandarmëri dhe në polici.
Pas kësaj, në fund të shtatorit, kryengritësit
u tërhoqën nga Prizreni e Peja dhe u shpërndanë.
Megjithëse u shtypën, kryengritjet shqiptare të viteve
1903-1904 i detyruan Fuqitë e Mëdha të bënin
ndryshime në caktimin e zonave ku do të zbatoheshin reformat.
Qysh në janar të vitit 1904 Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar,
i ngarkuar për të caktuar territoret ku do të zbatoheshin
reformat, shqyrtoi çështjen e organizimit të një
sanxhaku shqiptar në vilajetin e Kosovës, i cili do të
përjashtohej nga zona e reformave dhe do të përbëhej
nga rrethet ku shqiptarët përbënin shumicën
dërrmuese të popullsisë, do të shtrihej nga
Kaçaniku në jug e deri në Kollashin në veri,
duke përfshirë edhe Pazarin e Ri e Plevlën. Formimi
i një sanxhaku të tillë shqiptar do të sillte
njohjen zyrtare nga Fuqitë e Mëdha të përkatësisë
etnike shqiptare të shumicës së territoreve të
vilajetit të Kosovës, që binte ndesh me pretendimet
e Beogradit për “Kosovën si tokë serbe”.
Pas protestave që Serbia dhe posaçërisht N. Pashiçi
bëri pranë Peterburgut, përfaqësuesi i Rusisë
në Komisionin e reformave, i përkrahur edhe nga ai i Italisë,
arritën të mënjanonin organizimin e sanxhakut shqiptar
të Kosovës.
Pas kësaj Austro-Hungaria kërkoi që nga reformat
të përjashtoheshin jo vetëm vilajeti i Shkodrës
dhe ai i Janinës, por edhe tokat shqiptare të vilajeteve
të Kosovës e të Manastirit. Ky propozim u bë
si rrjedhim i qëndresës së shqiptarëve, por
edhe për shkak të synimeve të Vjenës për
të parandaluar ndërhyrjen e partnerëve të saj
(sidomos të Italisë) në këto territore të
Shqipërisë. Si pasojë, Komisioni Ushtarak Ndërkombëtar
vendosi, në shkurt të vitit 1904, të përjashtoheshin
përkohësisht nga reformat krahinat perëndimore të
vilajeteve të Manastirit e të Kosovës, në të
cilat shqiptarët përbënin shumicën e popullsisë;
bëhej fjalë pikërisht për sanxhakun e Korçës
(me përjashtim të kazasë së Kosturit), për
sanxhakun e Elbasanit, për pjesën perëndimore të
kazasë së Ohrit, për gjithë sanxhakun e Dibrës,
për atë të Prizrenit, për pjesën jugore
e perëndimore të sanxhakut të Pejës dhe për
kazatë e Plevlies e të Senicës në sanxhakun
e Pazarit të Ri. Gjatë zbatimit të reformave u la
jashtë tyre dhe nuk u përfshi në asnjërën
prej zonave të Fuqive të Mëdha edhe sanxhaku i Prishtinës,
një nga më të mëdhenjtë e vilajetit të
Kosovës, ku shumica dërrmuese e popullsisë ishte
gjithashtu shqiptare. Ky ishte në të vërtetë
një pranim (ndonëse jo i drejtpërdrejtë) nga
Fuqitë e Mëdha i karakterit etnik shqiptar të të
gjitha këtyre territoreve, (domethënë të vilajetit
të Kosovës dhe të krahinave perëndimore të
vilajetit të Manastirit) që shënoi njëherazi
një fitore të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
2. KOMITETET “PËR
LIRINË E SHQIPËRISË”.
LUFTA E ARMATOSUR E ÇETAVE
(1905-1908)
Themelimi i komiteteve “Për lirinë e Shqipërisë”
dhe programi i tyre (1905)
Në vitin 1905 lëvizja kombëtare filloi të merrte
forma të reja organizimi, që u përcaktuan si nga
nevojat e brendshme të zhvillimit të saj, ashtu edhe nga
rrethanat e jashtme të krijuara në Ballkan e në mënyrë
të veçantë në Turqinë evropiane pas marrëveshjes
së Myrcshtegut.
Vendimet e Myrcshtegut nuk arritën të mënjanonin
përfundimisht kundërthëniet ndërmjet shteteve
evropiane për ndikimin në Ballkan, sidomos rivalitetin
italo-austriak në Shqipëri. Roma nuk mund të pajtohej
me epërsinë që Vjena siguroi, së bashku me Rusinë,
në aksionin e reformave në Maqedoni. Në takimet e
ministrave të Jashtëm të të dy vendeve (në
Abacie të Italisë në prill 1904 dhe në Venecie
në prill 1905), Vjena e Roma ripohuan se do të ruanin
status quo-në në Ballkan. Lidhur me çështjen
shqiptare, në takimin e Venecies të dyja palët arritën
në përfundimin që, në rast se zhvillimi i ngjarjeve
do ta bënte të pamundur ruajtjen e status quo-së
dhe do të vendosej një organizim i ri në Maqedoni
(me të cilën nënkuptonin vilajetet e Selanikut, të
Manastirit e të Kosovës), viset e banuara nga popullsia
shqiptare (që u përjashtuan në vitin 1904 nga reformat)
do të veçoheshin prej saj dhe do të bashkoheshin
me vilajetet e Shkodrës e të Janinës për të
formuar një njësi të vetme (territoriale) me to.
Ky orientim i Italisë dhe i Austro-Hungarisë shkaktoi
shqetësime në qarqet politike drejtuese të Beogradit
e të Sofjes. Në prill të vitit 1904 u lidh Traktati
i Aleancës ndërmjet Serbisë e Bullgarisë për
ndarjen e territoreve shqiptare e maqedone të Turqisë
Evropiane, që do të kryhej me arbitrazhin e Rusisë.
Shtetet ballkanike u nxitën për të ndërhyrë
në Turqinë Evropiane edhe nga nyja 3 e marrëveshjes
së Myrcshtegut, sipas së cilës Turqisë i kërkohej
që, pasi të qetësohej gjendja në këtë
zonë, të bënte ndryshime në kufijtë territorialë
të njësive administrative për të siguruar “një
grupim më të mirë dhe më të rregullt të
kombësive të ndryshme”. Kjo kërkesë, e
cila në parim ishte e drejtë, u bë burim konfliktesh
të reja ndërmjet qeverive ballkanike dhe forcave politike
të kombësive të krishtere në Turqinë Evropiane.
Serbia, Bullgaria e Greqia filluan të botonin statistika të
tilla për përbërjen etnike të popullsisë
së të ashtuquajturave vilajete maqedone, të cilat
e shtrembëronin gjendjen reale dhe mund të shërbenin
si mbështetje për pretendimet e tyre territoriale. Krejt
të pavërteta e tendencioze paraqiteshin të dhënat
për popullsinë e vilajeteve shqiptare të Kosovës,
të Manastirit dhe të Janinës, në të cilat
secili prej shteteve fqinje pretendonte se kishte shumicën
e banorëve. U shtua veprimtaria e komiteteve dhe e bandave
të hedhura nga Bullgaria, nga Serbia e nga Greqia në Turqinë
Evropiane, që rifilluan përleshjet e përgjakshme
ndërmjet tyre dhe ushtruan trysni mbi popullsitë e kësaj
treve për të ndërruar me forcë karakterin e
tyre etnik dhe për të zgjeruar hapësirën territoriale
të kombësive serbe, bullgare e greke; ato synonin të
siguronin në këtë mënyrë, kur të zbatohej
nyja 3 e vendimeve të Myrcshtegut, sanksionimin e këtyre
ndryshimeve nga ana e Fuqive të Mëdha.
Bandat vepronin sidomos në vilajetin e Selanikut, në sanxhakun
e Shkupit të vilajetit të Kosovës, në sanxhakun
e Manastirit, në sanxhakun e Korçës dhe në
pjesën jugore të vilajetit të Janinës, në
kufi me Greqinë. Sipas të dhënave zyrtare osmane,
gjatë viteve 1905-1907 bandat vrisnin çdo vit në
këta sanxhakë më shumë se 1 800 veta, një
pjesë e mirë e të cilëve ishin banorë të
pafajshëm të atyre trevave. Në këto territore
i takonte mesatarisht një i vrarë në 1 500 frymë.
Një kërcënim të drejtpërdrejtë për
shqiptarët përbënin bandat greke, që filluan
të vepronin në shkallë më të gjerë
|