| K R E U V
LIDHJA SHQIPTARE E PRIZRENIT
(1878 - 1881)
1. KRIZA LINDORE DHE LËVIZJA
SHQIPTARE
Gjatë viteve 70 të shek. XIX u duk qartë se politika
40-vjeçare tanzimatiste e qarqeve sunduese osmane nuk arriti
të ndalte procesin e shthurjes së mëtejshme të
perandorisë së sulltanëve. Plogështia e strukturës
shtetërore, arbitrariteti i hallkave administrative dhe korrupsioni
i aparatit burokratik, që Perandoria Osmane kishte trashëguar
nga sistemi i mëparshëm feudal-ushtarak, u shtuan më
shumë. Në vitet 70 ekonomia e saj ndodhej në një
amulli të përgjithshme. Gjatë dy dekadave të
fundit vërshimi i mallrave të industrisë evropiane
ishte trefishuar. Më 1875 niveli i eksportit përfaqësonte
çerekun e importit. Kriza e saj financiare ishte acaruar
në kulm. Porta e Lartë ishte e detyruar të merrte
çdo vit nga jashtë borxhe të reja, pasi me të
ardhurat buxhetore nuk përballonte dot as gjysmën e shpenzimeve
të veta. Më 1875 të ardhurat ishin 800 milionë
franga ari, kurse borxhet e saj të jashtme kapnin 5,3 miliardë
franga ari. Perandoria Osmane nuk ishte në gjendje të
shlyente jo vetëm këstet e kredive, por as kamatën
e tyre të përvitshme.
Me gjithë përpjekjet e tyre gjysmëshekullore, qarqet
sunduese osmane nuk i siguruan dot Perandorisë së tyre
as qetësinë e brendshme politike. Kryengritjet e masave
popullore kundër shtypjes feudale dhe ato të kombësive
joturke kundër zgjedhës osmane, vazhduan të shpërthenin
në të katër anët e Perandorisë. Për
më tepër, tani kishte dalë në skenë, si
forcë e re kundërshtare, edhe lëvizja liberale demokratike
turke, e përfaqësuar nga organizata e “Osmanëve
të Rinj”, e cila synonte të zhdukte despotizmin
feudal teokratik të sulltanëve.
Edhe gjendja ndërkombëtare po zhvillohej në dëm
të saj. Gjatë viteve 70 kishte dalë në skenë
Perandoria Gjermane, e cila kishte filluar të trondiste pozitat
ndërkombëtare të dy perandorive koloniale, të
Anglisë dhe të Francës. Disfata që pësoi
Franca nga Prusia (1871), i dha rast Rusisë cariste të
hidhte poshtë nenet e Traktatit të Parisit (1856), që
e pengonin të armatosej në Detin e Zi kundër Perandorisë
Osmane. Po ashtu, Austro-Hungaria, pas disfatës që kishte
pësuar politika e zgjerimit të saj në Gjermani e
në Itali, kishte filluar të aktivizohej në drejtim
të Gadishullit Ballkanik dhe të detit Egje. Gjatë
kësaj kohe edhe Italia, e cila kishte përfunduar bashkimin
e saj politik dhe kishte hyrë në radhët e Fuqive
të Mëdha, ndonëse ishte ende e dobët, aspironte
të vinte një këmbë në bregdetin lindor
të Adriatikut.
Si pasojë e këtyre ndryshimeve, përballë Anglisë
e Francës, të cilat përpiqeshin si edhe më parë
ta mbanin në këmbë Perandorinë Osmane, tani,
gjatë viteve 70, qëndronin dy fuqi të tjera të
mëdha që dëshironin shembjen e saj të shpejtë
- Rusia cariste dhe Austro-Hungaria. Për të vënë
në jetë planin e saj ekspansionist, Rusia filloi të
nxiste popullsitë e shtypura të Turqisë Evropiane
për kryengritje kundër Portës së Lartë
dhe sidomos shtetet sllave ballkanike për luftë kundër
Perandorisë Osmane. Për këtë qëllim ajo
doli me flamurin e “pansllavizmit”, i cili në të
vërtetë çonte në nënshtrimin e kombësive
sllave dhe josllave ndaj politikës cariste.
Në këto rrethana shpërtheu në korrik të
vitit 1875 kryengritja çlirimtare kundërosmane në
Hercegovinë. Muajin tjetër ajo u shtri në Bosnjë.
Në kryengritjet e të dy vendeve morën pjesë
vetëm popullsitë sllave të krishtere. Banorët
sllavë myslimanë, të cilët në Bosnjë
përfaqësonin shumicën e popullsisë, qëndruan
jashtë kryengritjes, madje pjesërisht anuan kundër
saj. Me gjithë ndihmën që patën nga Serbia e
Mali i Zi, kryengritësit nuk i bënë dot ballë
kundërveprimit ushtarak osman. Në vjeshtë e në
dimër, hovi i kryengritjeve ra, por në pranverën
e vitit 1876 ato u gjallëruan përsëri. Për më
tepër, në prill 1876 shpërtheu kryengritja çlirimtare
në Bullgari. Megjithatë Porta e Lartë mundi përsëri
t’i shtypte kryengritjet bullgare, boshnjake dhe hercegovinase.
Sapo shpërtheu kryengritja në Hercegovinë e në
Bosnjë, Serbia e Mali i Zi u përpoqën ta shtrinin
zjarrin e saj edhe në popullsitë e tjera të shtypura
të Turqisë Evropiane. Ato i nxitën për kryengritje
kundërosmane edhe shqiptarët, por këta nuk lëvizën,
sepse panë që Beogradi dhe Cetina kishin qëllime
aneksioniste ndaj trojeve të tyre. Në qershor 1876, kur
u pa se plani i shpërthimit të kryengritjes së përgjithshme
të popujve të shtypur të Ballkanit kishte dështuar,
Beogradi e Cetina kaluan në aksion të hapur. Serbia më
30 qershor dhe Mali i Zi më 1 korrik 1876 i shpallën luftë
Perandorisë Osmane. Serbia e Mali i Zi patën përkrahjen
e Perandorisë Ruse, e cila u dërgoi armatimet e nevojshme
dhe, së bashku me to, edhe 30 mijë “vullnetarë”
rusë për të luftuar për çlirimin e “vëllezërve”
sllavë nga zgjedha osmane.
Por lufta e dy monarkive ballkanike kundër Turqisë krijoi
një situatë tepër të ndërlikuar në
arenën ndërkombëtare. Cilido që të ishte
përfundimi i saj, ajo do të tërhiqte ndërhyrjen
e Fuqive të Mëdha për të rregulluar, secila
sipas interesave të vetë, hartën politike të
Evropës Juglindore. Në të vërtetë, një
javë pas fillimit të luftës, më 8 korrik 1876,
Rusia dhe Austro-Hungaria bënë me anën e dy notave
të veçuara një marrëveshje të fshehtë
në Rajhshtat (Reichsttadt) të Bohemisë për ta
rregulluar Gadishullin Ballkanik sipas interesave të tyre ekspansionistë.
Vjena e Peterburgu vendosën të mos ndërhynin ushtarakisht
në konfliktin e Serbisë e të Malit të Zi me
Turqinë. Por të dyja palët ranë në ujdi
që, po ta fitonte luftën Perandoria Osmane, nuk do të
bëhej asnjë ndryshim në hartën politike të
Gadishullit Ballkanik. Megjithatë, në këtë rast
do ta detyronin Portën e Lartë të zbatonte në
favor të popullsisë sllave disa reforma si ato që
iu dhanë Kretës më 1886, ndërsa po ta fitonte
luftën pala tjetër (Serbia e Mali i Zi), Bosnja do të
kalonte nën zotërimin kryesisht të Austro-Hungarisë
dhe pjesërisht të Serbisë, e cila do të merrte
gjithashtu një pjesë të Kosovës, kurse Mali
i Zi një pjesë të Hercegovinës. Bullgaria do
të bëhej një shtet autonom dhe Rumelia një vilajet
autonom. Në këtë rast Vjena vuri conditio sine qua
non që të mos krijohej një shtet i madh sllav në
Gadishullin Ballkanik. Kjo do të thoshte që as Serbia
nuk duhej të shtrihej deri në Adriatik, as Bullgaria nuk
duhej të përfshinte Maqedoninë, sepse, si njëra,
si tjetra, do ta pengonin ekspansionin e Austro-Hungarisë drejt
Egjeut. Në notën austro-hungareze parashihej krijimi i
një shteti autonom shqiptar, kurse nota ruse nuk e përfillte
fare fatin e Shqipërisë. Në Rajshtat çështja
shqiptare hyri për të parën herë në qerthullin
e diplomacisë evropiane si çështje politike. Megjithëse
aty nuk u mor asnjë vendim, qysh në hapin e parë
u shfaqën dy qëndrime të kundërta, që do
ta karakterizojnë, tani e tutje, trajtimin e çështjes
shqiptare nga kancelaritë e mëdha: njëri i Rusisë,
që mohonte krejtësisht të drejtat kombëtare
të shqiptarëve, tjetri i Austro-Hungarisë, që
kërkonte, veçse pjesërisht, respektimin e tyre.
Edhe ideja e Vjenës për krijimin e një formacioni
politik shqiptar, ishte e kushtëzuar me futjen e këtij
shteti nën protektoratin e saj.
Si pasojë e këtyre tre faktorëve - e kalbëzimit
të Perandorisë Osmane, e rritjes së lëvizjes
çlirimtare dhe e ndërhyrjes së Fuqive të Mëdha
- lindi përsëri në mesin e viteve 70, por me një
mprehtësi më të madhe se në të kaluarën,
e ashtuquajtura Krizë Lindore. Thelbin e saj e përbënte,
si edhe më parë, jo vetëm çështja e çlirimit
kombëtar të popujve të robëruar të Perandorisë
Osmane, por edhe çështja e ndarjes së zotërimeve
të Perandorisë Osmane, në të cilën përfshihej
edhe copëtimi i trojeve shqiptare.
Shqipëria në fillim të Krizës Lindore
(1875-1876)
Fillimi i Krizës Lindore i gjeti shqiptarët në marrëdhënie
të acaruara me Perandorinë Osmane. Asnjë nga kërkesat
e ngritura prej tyre gjatë dhjetëvjeçarëve
të mëparshëm nuk ishte pranuar nga Porta e Lartë.
Shqipëria nuk gëzonte asnjë të drejtë kombëtare.
Në viset e saj, administrata e vilajeteve ndodhej gjithnjë
në duart e nëpunësve turq. Në krahinat malore
vazhdonte presioni i pushtetit qendror për t’ua hequr
malësorëve venomet tradicionale dhe për t’i
futur nën zgjedhën e administratës burokratike centraliste.
Vendi nuk ishte lehtësuar as nga pesha e rëndë e
taksave, as nga shërbimi i gjatë i nizamit. Me masat centraliste
që Porta kishte ndërmarrë pasi shpalli dekretin e
dytë të Tanzimatit (Hatt-i Humayun i vitit 1856), gjendja
e Shqipërisë u keqësua më shumë. Kudo mbretëronte
varfëria ekonomike, administrata shtetërore e shthurur,
korrupsioni pa skrupull i qeveritarëve dhe krimet e pandëshkuara
të hajdutëve. Banorët e Shqipërisë ndodheshin,
sipas shprehjes së një dëshmitari të huaj, në
“kulmin e varfërisë”. Gjykatat burokratike
perandorake, të urryera nga shqiptarët, vinin duke u forcuar
vazhdimisht. Po aq e rëndë ishte edhe gjendja politike
dhe ajo e arsimit në Shqipëri. Porta e Lartë vazhdonte
t’i diskriminonte shqiptarët, të mos i njihte si
komb më vete dhe shqiptarët e tri besimeve si elementë
të të njëjtit komb. Ngritja e shkollave shqipe vijonte
të ishte e ndaluar, në një kohë kur rrjeti i
shkollave të huaja po zgjerohej nga viti në vit. Trojet
shqiptare qëndronin të copëtuara ndërmjet vilajeteve
të ndryshme. Me këtë copëtim, Porta e Lartë
vijonte t’ua mohonte atyre karakterin etnik shqiptar.
Megjithatë, regjimi policor e teokratik nuk kishte mundur ta
asgjësonte idenë e çlirimit të Shqipërisë
nga zgjedha shekullore osmane. Ndikimi i ideve çlirimtare
e patriotike ishte shtrirë në të katër anët
e atdheut. Malësorët qëndronin të gatshëm
për të mbrojtur autonominë e tyre lokale nga çdo
ekspeditë e befasishme osmane. Shqiptarët kishin filluar
të bindeshin se shpëtimi i vendit mund të arrihej
vetëm me një kryengritje të përgjithshme çlirimtare
dhe me formimin e një shteti kombëtar e të veçantë
shqiptar ose, siç shprehej një vëzhgues i huaj,
të një principate të lirë shqiptare.
Me qëllim që të largonte rrezikun e shpërthimit
të kryengritjes çlirimtare në Shqipëri, Porta
e Lartë shpalli në verën e vitit 1875 se tani e tutje
nuk do t’i përsëriste më ekspeditat ushtarake
për vendosjen e pushtetit të saj centralist në krahinat
e panënshtruara. Por ky vendim, me të cilin Perandoria
Osmane vuloste fundin e periudhës së Tanzimatit në
trojet shqiptare, nuk e ndryshoi gjendjen e brendshme të Shqipërisë.
Orvatjet e saj për t’i mobilizuar shqiptarët në
masë kundër kryengritësve hercegovinas e boshnjakë
dështuan. Thirrjes së saj iu përgjigjën vetëm
pak feudalë derebej, të cilët për më tepër
qëndruan pasivë në prapavijat e frontit.
Në fillim të Krizës Lindore, Shqipëria kishte,
pra, forca të gatshme për të shpërthyer një
kryengritje çlirimtare kundërosmane. Megjithatë,
qarqet politike shqiptare nuk u treguan të prirura për
shpërthimin e saj. Në ngurrimin e tyre ndikoi jo aq mungesa
e një organizate kombëtare që t’i grumbullonte
rrëketë krahinore në lumin e kryengritjes së
përgjithshme çlirimtare, sesa koniunktura negative për
çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare.
Kriza Lindore e viteve 70 i gjeti shqiptarët të rrethuar
nga mospërfillja e Fuqive të Mëdha, asnjëra
prej të cilave nuk ishte shprehur publikisht për njohjen
e të drejtave të tyre kombëtare.
Në radhë të parë ishte rreziku që kryengritja
shqiptare të shkaktonte ndërhyrjen në favor të
Portës së Lartë të Fuqive të Mëdha,
të cilat nuk dëshironin që të prishej status
quo-ja në Gadishullin Ballkanik. Por edhe sikur kjo të
prishej, qarqet patriotike shqiptare ishin të bindura se Fuqitë
e Mëdha, meqenëse nuk e përkrahnin, qoftë edhe
në parim, idenë e pavarësisë politike të
Shqipërisë, madje as atë të autonomisë
së saj administrative, do të shfrytëzonin rastin
ose për ta okupuar atë ushtarakisht (Austro-Hungaria dhe
Italia), ose për ta copëtuar atë midis shteteve fqinje
(Rusia, Anglia, Franca). Gjendjen ndërkombëtare të
çështjes shqiptare e ndërlikonte sidomos politika
e tri monarkive fqinje ballkanike. Krahas mobilizimit ushtarak për
luftën kundër Perandorisë Osmane, Serbia, Greqia
e Mali i Zi po zhvillonin një veprimtari të dendur diplomatike
e propagandistike, për të siguruar nga ana e Fuqive të
Mëdha miratimin e aspiratave të tyre mbi trojet shqiptare.
Kriza Lindore krijoi kështu një situatë mbytëse,
madje të rrezikshme për kryengritjen çlirimtare
kundërosmane në Shqipëri. Ajo e ktheu mundësinë
e copëtimit të Shqipërisë nga një rrezik
potencial në një rrezik real. Në këto rrethana
qarqet politike shqiptare nuk e shtruan çështjen e kryengritjes
së armatosur për pavarësinë e Shqipërisë.
Derisa të krijohej gjendja e favorshme ndërkombëtare,
ato i vunë vetes si qëllim të vijonin përpjekjet
për të arritur bashkimin e trojeve shqiptare në një
vilajet autonom në kuadrin e Perandorisë Osmane, zgjidhje
kjo që nuk e cenonte politikisht status quo-në në
Evropën Juglindore dhe që do të krijonte kushtet
për sigurimin e tërësisë e të paprekshmërisë
së territoreve shqiptare.
Krijimi i një vilajeti autonom shqiptar u bë kështu,
në fillim të Krizës Lindore, program i përbashkët
politik si për atdhetarët më radikalë rilindës,
ashtu dhe për qarqet atdhetare të moderuara. Megjithatë,
ndërmjet programit autonomist të të dyja rrymave
kishte ndryshime në këto drejtime: të parët
e vlerësonin autonominë administrative si një etapë
drejt pavarësisë kombëtare të Shqipërisë;
të dytët e shikonin si qëllim në vetvete, si
program maksimal të aspiratave të tyre politike; të
parët mendonin ta realizonin vilajetin autonom me rrugën
e kryengritjes; të dytët, që kishin besim në
dashamirësinë e sulltanit, shpresonin ta arrinin me anën
e reformave që do të bënte Porta e Lartë.
Me platformën për krijimin e vilajetit autonom shqiptar
nuk u bashkuan vetëm bajraktarët e disa krahinave malore
të veriut dhe, në mënyrë të veçantë,
kapedani i Mirditës, Preng Bibë Doda, biri i Bibë
Dodë pashës. Në të vërtetë, qysh nga
vdekja e të atit (1868), Prenga, ende i ri, mbahej i internuar
në Stamboll me pretekst se ishte duke vijuar shkollën.
Por, me këmbënguljen e vazhdueshme të mirditorëve,
Porta e Lartë u detyrua, në fund të korrikut 1876,
ta kthente Preng Bibë Dodën në Shkodër, duke
i dhënë titullin pashë dhe duke e emëruar kajmekam
të Mirditës. Prenga, tani 17-vjeçar, ishte si dhe
i ati, një prijës partikularist. Gjatë qëndrimit
të tij në Stamboll ai u kishte parashtruar ambasadorëve
të Rusisë, të Francës dhe të Austro-Hungarisë
ambicjen e vet për t’u bërë princ i Mirditës
autonome. Parisi e Vjena nuk e përkrahën projektin e tij,
pasi nuk donin t’i shkaktonin në këto çaste
Perandorisë Osmane shqetësime në Shqipërinë
Veriore. Përkundrazi, Rusia e Italia e miratuan, por i vunë
si kusht që ai të lidhte aleancë ushtarake me Cetinën
dhe të sulmonte me mirditorët ushtritë osmane, të
cilat tani ishin të zëna me luftën në kufirin
malazez.
Në këto rrethana Preng Bibë Doda ngriti në Orosh
flamurin e luftës për autonominë e Mirditës.
Në të njëjtën kohë filloi bisedimet e fshehta
me qeveritarët serbë e malazezë për të
hyrë në luftë krahas tyre kundër Turqisë.
Këto traktativa nuk u pritën mirë nga bashkatdhetarët
e vet dhe e diskredituan atë në sytë e tyre. Projekti
i Preng Bibë Dodës gjeti përkrahje vetëm në
disa qarqe reshpere katolike të Shkodrës, veçse,
në vend të një principate të mbyllur brenda
kufijve të ngushtë të Mirditës, ato kërkonin
një formacion politik më të gjerë, - një
principatë autonome, ku të hynin të gjitha krahinat
malore të Shqipërisë së Veriut. Këtë
platformë politike e përqafuan edhe disa intelektualë,
si Zef Jubani, Preng Doçi, Pjetër Gurakuqi, të
cilët mendonin se krahina autonome e Mirditës do të
shërbente si pikënisje për formimin më vonë
të një shteti kombëtar shqiptar.
Qarqet patriotike shqiptare nuk u solidarizuan as me projektin e
Preng Bibë Dodës, as me idenë e reshperëve katolikë
shkodranë, pasi të dyja kishin karakter partikularist
dhe nuk pajtoheshin me platformën më të përparuar
rilindëse. Mirdita e vogël dhe e izoluar, patriarkale
dhe e varfër, pa qytete e pa bujqësi të zhvilluar,
nuk mund të jetonte e pavarur dhe nuk mund të bëhej
bërthama e shtetit të ardhshëm kombëtar shqiptar.
Përkundrazi, kthimi i Mirditës katolike, qoftë edhe
së bashku me fqinjët e saj, në një principatë
autonome, me një prijës partikularist në krye siç
ishte Preng Bibë Doda, do të bëhej faktor i përçarjes
fetare e krahinore të vendit dhe do t’u jepte rast tri
monarkive fqinje, të përmbushnin aspiratat e tyre pushtuese
ndaj trojeve shqiptare veriore, lindore e jugore.
Marrëveshja e Budapestit dhe lufta ruso-turke e viteve
1877-1878
Me gjithë nxitjet politike që pati nga Rusia, nga Serbia
dhe nga Mali i Zi, Preng Bibë Doda ngurroi të fillonte
veprimet luftarake kundër Turqisë, derisa Rusia nuk i
kishte shpallur luftë asaj. Ndërkaq, Serbia e Mali i Zi,
me gjithë ndihmën e madhe që patën nga Rusia,
nuk qenë në gjendje ta mundnin Perandorinë Osmane,
së cilës i kishin shpallur luftë në fillim të
verës 1876. Disfatat që pësuan ushtritë serbe
lanë përshtypjen se Rusia nuk do të pajtohej me situatën
e krijuar në Ballkan në dëm të saj dhe se së
shpejti ajo do të hynte vetë në luftë kundër
Perandorisë Osmane. Nën ndikimin e diplomatëve caristë,
që e shfrytëzuan këtë rrethanë, kapedani
mirditor filloi në fund të vitit 1876 përgatitjet
për aksionin luftarak kundërosman. Në janar 1877
mirditorët bllokuan rrugën Shkodër-Prizren, kurse
në shkurt arrestuan disa funksionarë të administratës
perandorake.
Por ngjarjet ndërkombëtare u zhvilluan në dëm
të Preng Bibë Dodës. Rusia nuk hyri menjëherë
në luftë, siç parashihej. Madje, me propozimin
e Anglisë, Fuqitë e Mëdha pranuan që çështjet
e ngritura nga Rusia në kurriz të Perandorisë Osmane
të shqyrtoheshin nga një Konferencë Ndërkombëtare,
e cila do të zhvillohej me pjesëmarrjen e ambasadorëve
të tyre të akredituar në Stamboll.
Konferenca Ndërkombëtare i filloi punimet në Stamboll,
buzë Bosforit, më 24 dhjetor 1876. Por ajo ndeshi qysh
në fillim në pengesa të organizuara nga vetë
nismëtarja e saj, Anglia. Me përkrahjen e fshehtë
të Londrës, ditën që u hap Konferenca sulltan
Abdyl Hamiti shpalli kushtetutën e përgatitur nga Mithat
Pasha, i cili u deklaroi ambasadorëve të Fuqive të
Mëdha se në kuadrin e saj do të zgjidheshin të
gjitha problemet që shqetësonin kombësitë e
Perandorisë, prandaj e quante Konferencën Ndërkombëtare
të panevojshme. Por manovra e Portës së Lartë
nuk pati rezultat. Me përkrahjen që gjeti këmbëngulja
e Rusisë, Konferenca Ndërkombëtare i vijoi punimet
në Londër.
Qeveria ruse, e cila nuk kishte asnjë besim në Konferencën
Ndërkombëtare, i vazhdoi përgatitjet për luftë
kundër Perandorisë Osmane. Në këtë drejtim
ajo kishte edhe nxitjen e Gjermanisë, e cila megjithatë
e kushtëzonte përkrahjen e saj me pëlqimin që
duhej të jepte për këtë luftë edhe Austro-Hungaria.
Rusia u detyrua të bënte lëshime, të cilat u
fiksuan në marrëveshjen e fshehtë që ajo lidhi
me Austro-Hungarinë në Budapest, më 15 janar 1877.
Marrëveshja e Budapestit u hartua mbi platformën e miratuar
gjashtë muaj më parë në Rajhshtat dhe u plotësua
me një marrëveshje shtojcë që u nënshkrua
më 18 mars 1877. Sipas tyre, Austro-Hungaria do të qëndronte
asnjanëse në luftën ruso-turke. Si shpërblim
ajo fitonte të drejtën të pushtonte ushtarakisht
Bosnjën dhe Hercegovinën, kurse fati i sanxhakut të
Novi Pazarit (Pazarit të Ri) do të caktohej me një
marrëveshje të veçantë që do të
lidhnin Peterburgun me Vjenën. Perandoria dualiste zotohej
të mos i prekte Rumaninë, Serbinë, Bullgarinë
dhe Malin e Zi, të cilat Rusia i mbante si territore të
zonës së saj të ndikimit. Perandoria Ruse do të
kënaqej me aneksimin e Besarabisë në Ballkan dhe
të Batumit në Kaukaz. Por, në rast se Perandoria
Osmane do të shembej krejtësisht, Bullgaria, Rumania dhe
Shqipëria do të bëheshin shtete autonome; Kreta,
Thesalia dhe Epiri do të aneksoheshin nga Greqia, kurse Stambolli
me rrethinën e tij do të shpallej qytet i lirë.
Marrëveshja e Budapestit, sado që në parim pranonte
idenë e një shteti autonom shqiptar, e linte të papërcaktuar
si hapësirën territoriale, ashtu edhe statusin e tij.
Kjo rrethanë krijonte mundësinë për të
cenuar rëndë tërësinë tokësore të
Shqipërisë, i hapte rrugën Serbisë që të
aneksonte krahinën e Kosovës, Malit të Zi viset e
Shqipërisë Veriore, Greqisë trojet e Shqipërisë
Jugore, të cilat përfshiheshin nën emërtimin
Epir, kurse krahinat e Shqipërisë Lindore ishin në
rrezik të përfshiheshin brenda kufijve të shtetit
autonom sllav, që do të krijohej me emrin Rumeli. Veç
kësaj, me marrëveshjen e Budapestit Rusia cariste e detyronte
Austro-Hungarinë të mos i prekte Rumaninë, Serbinë,
Bullgarinë dhe Malin e Zi, por jo Shqipërinë. Kjo
do të thoshte se Vjena, e cila e kishte ngritur çështjen
e shtetit autonom shqiptar, kishte liri veprimi ta përfshinte
atë në suazën e politikës së saj ekspansioniste.
Si rrjedhim, me shembjen e Perandorisë Osmane, më shumë
se gjysma e trojeve shqiptare do të copëtohej ndërmjet
fqinjëve ballkanikë, kurse pjesa tjetër, edhe në
qoftë se bashkohej në një shtet të veçantë
autonom shqiptar, do të hynte nën kontrollin e Perandorisë
dualiste. Megjithatë, duhet pranuar se marrëveshja e Budapestit,
pavarësisht nga këto aspekte negative, ishte akti i parë
diplomatik ndërkombëtar që pranoi në parim idenë
e krijimit të një shteti shqiptar. Kjo ide ishte e Austro-Hungarisë,
e cila u nis nga interesi për të krijuar në Ballkanin
Perëndimor një barrierë kundër ekspansionit
serb drejt Adriatikut e Maqedonisë.
Po aq negative për çështjen shqiptare qenë
edhe vendimet që morën Fuqitë e Mëdha në
Konferencën Ndërkombëtare të Londrës, e
cila i mbylli punimet e saj me nënshkrimin e një protokolli
në mars të vitit 1877. Konferenca nuk e mori fare në
shqyrtim çështjen shqiptare. Protokolli i Londrës
e njohu parimin e autonomisë për kombësitë e
Perandorisë Osmane, por edhe nga ky parim shqiptarët u
përjashtuan, pasi nuk u panë si një komb i veçantë.
Protokolli e detyronte Portën e Lartë të pranonte
formimin e një province autonome në Bosnjë-Hercegovinë
dhe të dy provincave autonome të Bullgarisë dhe të
Rumelisë Lindore. Madje njëra prej tyre, vilajeti perëndimor
(Bullgaria) me qendër në Sofje, do të përfshinte
në kufijtë e vet edhe disa vise të banuara nga popullsi
shqiptare, siç ishin krahinat e Kaçanikut, të
Tetovës, të Gostivarit, të Kërçovës
e të Dibrës deri në rrjedhën e lumit Drin. Protokolli
e detyronte gjithashtu Perandorinë Osmane që t’i
jepte Malit të Zi, përveç të tjerave, tre
ishuj në liqenin e Shkodrës dhe t’i njihte atij
të drejtën e lundrimit të lirë në këtë
liqen dhe në lumin Bunë. Çështjen e principatës
autonome të Mirditës, me gjithë premtimet që
i kishte bërë Preng Bibë Dodës, Rusia nuk e
shtroi fare për diskutim në këtë Konferencë.
Pas nënshkrimit të paqes ndërmjet Turqisë e
Serbisë në mars 1877, Mirdita kryengritëse, e braktisur
nga Rusia, Serbia e Mali i Zi, mbeti vetëm përballë
Portës së Lartë.
Perandoria Ruse mbeti e pakënaqur nga Protokolli i Londrës.
Rreziku i një lufte ruso-turke nuk u largua. Për të
siguruar prapavijat e saj, Porta e Lartë vendosi atëherë
ta shtypte me të shpejtë rebelimin e Mirditës, ndonëse
Preng Bibë Doda qëndronte në pasivitet. Kapedani
mirditor u orvat ta shmangte operacionin ushtarak osman duke bërë
lëshime, por Porta e Lartë, e cila donte ta zhdukte me
këtë rast vetëqeverisjen e Mirditës dhe venomet
e saj, kërkoi dorëzimin e tij pa kushte. Kështu,
pas një sërë ultimatumesh të përsëritura,
më 8 prill 1877, filluan operacionet e vërteta ushtarake
osmane kundër Mirditës.
Tri kolona të ushtrisë së rregullt osmane marshuan
kundër Mirditës nga Lezha, nga Prizreni dhe nga Mati.
Ndonëse me huta të vjetra, mirditorët trima e ndalën
për një javë marshimin e tyre. Por javën e dytë
kolona osmane, që marshonte nga Mati, duke përfituar nga
pakujdesia që kishte treguar Preng Bibë Doda në këtë
anë, përparoi me lehtësi në brendi të Mirditës
dhe u mori krahët mirditorëve që luftonin në
sektorin perëndimor e verior. Preng Pasha, i pushtuar nga paniku,
braktisi më 15 prill Mirditën dhe u fsheh në Lurë.
Pas tij krerët e tjerë u arratisën ose u dorëzuan
te turqit. Malësorët e thjeshtë e vazhduan edhe disa
ditë qëndresën derisa ajo u shtyp. Kështu, për
të parën herë në historinë e sundimit shekullor
osman në Shqipëri, më 22 prill 1877, ushtritë
turke hynë në kryeqendrën e Mirditës, në
Orosh, të cilin e plaçkitën dhe e dogjën.
Dy ditë më vonë, më 24 prill 1877, Perandoria
Ruse i shpalli luftë Turqisë. Serbia, e cila ndërkohë
kishte nënshkruar paqen me Stambollin, qëndroi mënjanë.
Përkundrazi, Mali i Zi, i cili nuk kishte pranuar as të
nënshkruante paqen, as të përsëriste armëpushimin,
u bashkua me Rusinë në luftën kundër Perandorisë
Osmane.
Sapo filloi lufta, rusët e malazezët u bënë
thirrje përsëri shqiptarëve dhe në mënyrë
të veçantë mirditorëve që të bashkoheshin
me ta kundër Perandorisë Osmane. Por tashmë, edhe
mirditorët kishin nxjerrë mësime. As malësorët,
as krerët e tyre nuk kishin më besim në politikën
e Rusisë e të Malit të Zi. Nën presionin e tyre
kapedani i Mirditës u detyrua të mos i dëgjonte më
nxitjet ruse e malazeze. Ndërkohë edhe Porta e Lartë,
e cila tani nuk donte të kishte telashe me mirditorët,
pasi mori garanci se Preng Pasha kishte hequr dorë nga ideja
e kryengritjes së armatosur, shpalli faljen e tij dhe e pezulloi
përsëri vendosjen e administratës së saj centraliste
në Mirditë. Mirditorët u kthyen në shtëpitë
e tyre të djegura, por armët nuk i dorëzuan.
Komiteti i Janinës dhe projekti i kryengritjes çlirimtare
kundërosmane (1877)
Lufta ruso-turke krijoi një gjendje të re për të
gjitha kombet e shtypura nga Perandoria Osmane dhe për të
gjitha monarkitë e Gadishullit Ballkanik. Kudo sundonte bindja
se kjo luftë do të përfundonte me disfatën e
Portës së Lartë. Të gjitha shtetet ballkanike
u vunë në lëvizje për të plotësuar
në përfundim të kësaj lufte bashkimin e tyre
kombëtar dhe, ca më shumë, për të përmbushur
aspiratat e tyre aneksioniste në dëm të kombeve të
tjera të gadishullit.
Për çështjen shqiptare fillimi i luftës ruso-turke
krijoi një gjendje më të ndërlikuar se ajo që
ishte më parë. Qarqet politike shqiptare, edhe pse nuk
e dinin marrëveshjen e fshehtë të Budapestit, nuk
kishin asnjë dyshim për katastrofën që e priste
Shqipërinë, në rast se luftën do ta fitonte
Rusia dhe në rast se pas luftës do të triumfonte
diktati i saj. Në këtë rast Shqipërinë
e priste copëtimi i saj territorial dhe, për pasojë,
vdekja e saj politike. Dëshmia e fundit për këtë
ishte proklamata që lëshoi cari rus më 24 prill 1877,
me të cilën ai ftonte të gjitha kombësitë
e krishtera të Gadishullit Ballkanik të rrëmbenin
armët krahas ushtrive ruse, pasi për ta tashmë kishte
ardhur dita e çlirimit nga shtypësi mysliman osman.
Theksi i saj fetar tregonte se Rusia nuk kishte hequr dorë
nga platforma e panortodoksisë dhe se në projektin e saj
për rregullimin e ardhshëm të Ballkanit nuk kishte
vend për shqiptarët myslimanë si subjekt i të
drejtave kombëtare. Por qarqet atdhetare shqiptare e shihnin
me shqetësim edhe fitoren e Perandorisë Osmane, sepse
kjo do të sillte forcimin e zgjedhës shekullore të
sulltanit mbi atdheun e tyre.
Mendimi i përgjithshëm që pushtoi opinionin publik
të vendit në atë kohë ishte që Shqipëria
të ngrinte sa më parë zërin për të
drejtat e saj, përndryshe, po të qëndronte pasive
dhe, ca më keq, po të rreshtohej prapa Stambollit, do
të identifikohej me Perandorinë Osmane dhe do të
quhej si një zotërim turk, si një pre në duart
e fitimtarit.
Në këto rrethana qarqet atdhetare përparimtare e
radikale shqiptare vendosën ta kërkonin shpëtimin
e tërësisë territoriale të atdheut jo te lufta
kundër shovinistëve ballkanikë, as te qëndrimi
pritës, por tek organizimi i kryengritjes së armatosur
çlirimtare kundërosmane që do të çonte
në shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.
Me këtë veprim edhe diplomacia evropiane do të vihej
para një fakti të kryer.
Ideja e kryengritjes çlirimtare kishte, si edhe më parë,
mbështetje në gatishmërinë e masave popullore.
Ajo gjeti gjithashtu miratimin e forcave atdhetare të moderuara,
të cilat tani u bindën se Perandoria Osmane nuk ishte
më në gjendje t’i mbronte trojet shqiptare nga invazioni
sllav. Por shpërthimi i kryengritjes çlirimtare dhe
shpallja e pavarësisë sipas platformës së patriotëve
më të përparuar ose e autonomisë, sipas asaj,
të qarqeve të moderuara kërkonte paraprakisht zgjidhjen
e disa problemeve themelore, siç ishin: formimi i një
qendre të vetme drejtuese, përgatitja politiko-ushtarake
dhe sigurimi i përkrahjes në arenën ndërkombëtare.
Nismën për ta vënë në jetë idenë
e kryengritjes çlirimtare kundërosmane e mori Komiteti
Shqiptar, që u formua në Janinë në maj të
vitit 1877, në krye të të cilit u vu Abdyl Frashëri,
një nga ideologët, diplomatët dhe organizatorët
më të shquar të Rilindjes Kombëtare Shqiptare.
Në këtë Komitet bënin pjesë personalitete,
që përfaqësonin pothuajse të gjitha krahinat
e vilajetit të Janinës, si Mehmet Ali Vrioni (Berat),
Mustafa Nuri Vlora (Vlorë), Sulejman Tahiri (Tepelenë),
Myslim Vasjari (Kurvelesh), Sabri Gjirokastra (Gjirokastër),
Mihal Harito (Zagori), Mehmet Goroshiani (Përmet), Vesel Dino
(Prevezë) etj.
Komiteti i Janinës vendosi lidhje edhe me qarqet politike që
vepronin në viset e tjera të atdheut, me të cilat
shqyrtoi çështjen e përgatitjes së kryengritjes
së armatosur. Në të njëjtën kohë ai
ra në kontakt me oficerët shqiptarë që shërbenin
në garnizonet osmane të vendit dhe që treguan gatishmëri
për të marrë pjesë në kryengritjen e armatosur.
Pas kësaj, shqetësimi kryesor i Komitetit u përqendrua
në aspektin diplomatik të çështjes shqiptare.
Udhëheqësit e Komitetit të Janinës mendonin
se tani që Perandoria Osmane ishte në rrezik të shembej
plotësisht nga armatat ruse, fuqitë perëndimore nuk
do ta linin Perandorinë Ruse që ta ndryshonte hartën
politike të Gadishullit Ballkanik sipas planeve të saj
ekspansioniste. Duke u kapur pas zërave që qarkullonin
në shtypin ndërkombëtar, se fuqitë perëndimore
do ta zmadhonin territorin e Greqisë për ta përdorur
si barrierë kundër ortekut rus, ata shpresonin se po ato
fuqi, për interesat e politikës së ekuilibrit në
Evropën Juglindore, do të merrnin në konsideratë
edhe idenë e një shteti shqiptar të pavarur. Sikurse
shkruante disa muaj më vonë Abdyl Frashëri, Evropa
do të bindej se qytetërimin e saj në Gadishullin
Ballkanik nuk mund ta mbronte nga rreziku rus vetëm diga greke,
por, së bashku me të, edhe diga shqiptare. Udhëheqësit
e Komitetit të Janinës mendonin se në këto rrethana
Shqipëria duhej të lidhte me Greqinë një aleancë
politike e ushtarake për të hyrë bashkërisht
në luftë kundër Perandorisë Osmane përpara
se armatat ruse të zbritnin në jug të Gadishullit
Ballkanik. Por ata kërkonin si kusht që Athina ta mbështeste
idenë e pavarësisë së Shqipërisë dhe
ta miratonte tërësinë e saj tokësore. Në
rast se Athina do ta nënshkruante mbi këtë parim
aleancën dypalëshe, do të konsiderohej e kapërcyer
për çështjen shqiptare pengesa kryesore në
plan ndërkombëtar.
Udhëheqësit e Komitetit të Janinës ishin të
ndërgjegjshëm se qeveria greke nuk do të hiqte dorë
aq lehtë nga qëndrimi i saj i vjetër, nuk ishte e
prirur që të pranonte kërkesën e shqiptarëve
për të përfshirë në shtetin e tyre krejt
Shqipërinë e Jugut deri në Prevezë, sepse ishte
pushtuar nga lakmia për të aneksuar krejt vilajetin e
Janinës, deri te lumi Seman. Megjithatë ata shpresonin
se përballë gjendjes kritike që ishte krijuar për
Greqinë nga përparimi i ushtrive ruse, Athina mund të
hiqte dorë nga platforma që kishte parashtruar vitin e
kaluar dhe do ta shikonte me një sy realist propozimin e shqiptarëve.
Në të vërtetë opinioni publik grek ishte i tronditur
nga politika ruse. Greqia, e cila priste prej kohësh shembjen
e Perandorisë Osmane që të sendërtonte aspiratat
e saj territoriale, tani e ndiente veten krejtësisht të
braktisur. Për shkak të lidhjeve të Athinës
me Anglinë e Francën, Rusia cariste nuk po i përfillte
fare aspiratat e saj nacionaliste, ndërsa Anglia me Francën
po e shtrëngonin Athinën që të qëndronte
asnjanëse. Opinioni publik grek po bindej gjithnjë e më
shumë se me qëndrimin asnjanës të Greqisë,
Trakia dhe Maqedonia ishin në rrezik të përfshiheshin
në kufijtë e Bullgarisë dhe të Rumelisë
që do të krijoheshin sipas planit carist, kurse Thesalia
dhe Epiri mund të mbeteshin përsëri brenda kufijve
të Perandorisë Osmane, të cilën Anglia me Francën
përpiqeshin ta shpëtonin nga katastrofa e plotë.
Brenda në Greqi organizatat irredentiste helenike kërkonin
me këmbëngulje të ndërmerreshin veprime energjike
për të mos e humbur rastin e favorshëm që po
krijohej nga shembja e Perandorisë Osmane. Por Mbretëria
Helenike me rreth një milion banorë, me financa krejtësisht
të rrënuara dhe me forca ushtarake të dobëta,
nuk e ndiente veten në gjendje të ndërmerrte me sukses
veprime të armatosura kundër Perandorisë Osmane.
Në këto rrethana propozimi i Komitetit të Janinës
për një aleancë shqiptaro-greke gjeti një pritje
pozitive në qarqet qeveritare të Athinës. Qeveria
greke pranoi të hynte në bisedime me shqiptarët.
Bisedimet u zhvilluan në mënyrë të fshehtë
në Janinë gjatë gjysmës së dytë të
korrikut 1877, ndërmjet Abdyl Frashërit, i cili shoqërohej
nga Mehmet Ali Vrioni, dhe Epaminonda Mavromatis, një funksionar
i Ministrisë së Jashtme greke. Qysh në fillim u duk
se të dyja palët erdhën në takim me pikëpamje
të papajtueshme. Abdyl Frashëri, që si nismëtar
i takimit e nisi i pari bisedën, pasi argumentoi interesat
jetikë të të dyja palëve për një luftë
të përbashkët kundër Perandorisë Osmane
e pansllavizmit carist, parashtroi zotimet dhe kushtet e palës
shqiptare për lidhjen e aleancës politike e ushtarake.
Shqiptarët zotoheshin që ta fillonin të parët
luftën kundërosmane me anën e kryengritjes çlirimtare,
e cila do të shpërthente në Shqipëri sapo të
nënshkruhej aleanca. Ata merrnin kështu përsipër
që pushtetin turk në Shqipëri ta asgjësonin
me forcat e tyre të brendshme. Menjëherë pasi të
shpërthente kryengritja e armatosur, deklaroi Abdyl Frashëri,
do të shpallej pavarësia kombëtare e Shqipërisë.
Ai kërkoi që, sapo të fitonte kryengritja në
Shqipëri, Greqia t’i shpallte luftë Perandorisë
Osmane. Shqiptarët zotoheshin gjithashtu ta ndihmonin ushtrinë
greke që t’i pushtonte pa vështirësi Thesalinë
e Maqedoninë, pasi oficerët dhe ushtarët shqiptarë,
që shërbenin në garnizohet osmane të këtyre
viseve, ishin në lidhje me Komitetin e Janinës, pra të
gatshëm që, me urdhrin e tij, t’i dorëzonin
qytetet pa gjakderdhje. Kundrejt këtyre detyrimeve pala shqiptare
kërkonte si kusht nga qeveria e Athinës që ajo ta
njihte zyrtarisht formimin e principatës së pavarur shqiptare
në kufijtë etnikë të Shqipërisë, duke
përfshirë Kosovën në veri, deri në Vranjë,
dhe Çamërinë në jug, deri në Prevezë.
Pala greke nuk pranoi asnjë nga kushtet e parashtruara nga
Komiteti i Janinës. Para së gjithash ajo e kundërshtoi
krejtësisht idenë e një principate shqiptare të
pavarur dhe ca më shumë përfshirjen në kufijtë
e saj, qoftë edhe të një pjese të vogël
të të ashtuquajturit Epir. Sipas tezës së saj,
krejt Epiri, që nga lumi Seman deri te gjiri i Prevezës,
ishte tokë greke. Si rrjedhim ajo nguli këmbë që
Shqipëria e Jugut të rrëmbente armët nën
flamurin grek dhe të kërkonte bashkimin e saj me Greqinë.
Athina pranoi që kryengritja çlirimtare të kishte
karakter shqiptar vetëm në veri të lumit Seman, por
vuri si kusht që edhe këto vise të kërkonin
bashkimin e tyre me Greqinë për të formuar një
shtet dualist greko-shqiptar nën sovranitetin e mbretit të
Greqisë.
Abdyl Frashëri u përpoq ta bindte qeverinë e Athinës
për absurditetin e pikëpamjeve të saj. Populli shqiptar,
deklaroi ai, po ndërmerr revolucionin çlirimtar për
të formuar shtetin e vet të pavarur dhe jo për ta
zëvendësuar zgjedhën osmane me robërinë
greke, për të ruajtur tërësinë e vet territoriale
dhe jo për ta ndarë atë në tokë greke dhe
në tokë shqiptare. Në bazë të udhëzimeve
që mori nga Athina, Epaminonda Mavromatis nuk bëri asnjë
tërheqje, madje mbajti gjatë takimeve një qëndrim
arrogant dhe fyes ndaj shqiptarëve.
Ndërkaq, gjatë kohës që zhvilloheshin bisedimet
e fshehta në Janinë, ngjarjet në frontin ruso-turk
morën tjetër rrugë. Sado që Perandoria Osmane
ishte shumë e dobët, invazioni carist ngjalli në
popullsinë turke ndjenjën e atdhetarisë dhe rriti
frymën e qëndresës së saj ushtarake. Si rrjedhim,
pas sukseseve të shpejta që korrën gjatë dy
muajve të parë të luftës, në fillim të
korrikut ushtritë ruse u gozhduan në Plevnë të
Bullgarisë. Qëndresa e Plevnës, e cila tregonte se
Perandoria Osmane nuk ishte aq e dobët sa pandehej, e qetësoi
deri diku qeverinë greke dhe e çliroi përkohësisht
nga ngutja që kishte për të hyrë në luftë.
Nga ana tjetër, Athina u bind se aspiratat e saj pushtuese
ndaj Shqipërisë nuk mund t’i plotësonte me
anën e Komitetit të Janinës. Shpresat për të
aneksuar krejt vilajetin e Janinës ajo tani i vari te Komiteti
Epirot, që ishte formuar në Korfuz nga disa emigrantë
grekë, të cilët kërkonin bashkimin e vilajetit
të Janinës (të Shqipërisë së Jugut)
me Mbretërinë Greke. Këta morën përsipër
detyrën që të organizonin në këto vise
një kryengritje filoheleniste. Nën ndikimin e këtyre
faktorëve në fund të korrikut bisedimet greko-shqiptare
u ndërprenë.
Komiteti i Stambollit dhe platforma e tij politike
Qëndresa osmane e Plevnës vazhdoi pesë muaj. Ndërkohë
patriotët shqiptarë, edhe pse bisedimet e Janinës
u ndërprenë, nuk hoqën dorë nga ideja e kryengritjes
çlirimtare kundërosmane. Ata i vazhduan përpjekjet
për t’i shkrirë komitetet shqiptare lokale në
një komitet kombëtar, për formimin e komitetit qendror
kombëtar dhe për përgatitjen e kryengritjes së
armatosur. Por, ndërsa në malet Ballkan dhe në sektorin
e Kaukazit ushtritë osmane ndalën përparimin e ushtrisë
ruse, në frontin malazez, në Shqipërinë e Veriut
në gusht 1877, mbrojtja turke u thye dhe ushtria osmane filloi
të tërhiqej drejt jugut. Kjo ngjarje tronditi opinionin
publik në Shqipërinë e Veriut. Në këto
rrethana u formua në Shkodër një komitet shqiptar
i përbashkët për qytetarët myslimanë e
katolikë, i kryesuar nga Pjetër Gurakuqi. Në memorandumin
e këtij komiteti kërkohej të formohej një shtet
kombëtar më vete nën vasalitetin e sulltanit, siç
ishin në atë kohë Serbia dhe Rumania. Por gjendja
në frontin me Malin e Zi u stabilizua shpejt. Përparimi
i ushtrisë malazeze u ndal.
Gjatë vjeshtës së vitit 1877 patriotët shqiptarë
i kushtuan kujdes edhe fushatës së zgjedhjeve për
parlamentin e dytë osman. Megjithëse zgjedhjet qenë
indirekte dhe u zhvilluan nën diktatin e valinjve, nën
trysninë që vinte nga poshtë dolën deputetë
edhe disa personalitete atdhetare, ndër të cilat ishte
edhe Abdyl Frashëri.
Çeljen e parlamentit në dhjetor të atij viti patriotët
shqiptarë, sidomos antarët e Komitetit të Janinës,
e shfrytëzuan për të organizuar në kryeqytetin
perandorak një takim në shkallë kombëtare. Për
këtë qëllim, përveç deputetëve të
parlamentit, u thirrën në Stamboll edhe personalitete
të njohura shqiptare që përfaqësonin pothuajse
të gjitha krahinat e Shqipërisë. Në mbledhjen
e parë, që u mbajt më 18 dhjetor 1877, u miratua
forumi i organizatës atdhetare revolucionare me emrin Komiteti
Qendror për Mbrojtjen e të Drejtave të Kombësisë
Shqiptare, ose siç u quajt shkurt Komiteti i Stambollit.
Kryetari i Komitetit u zgjodh Abdyl Frashëri. Megjithëse
nuk dihet ende përbërja e plotë e këtij Komiteti,
janë njohur tanimë si anëtarë të tij Pashko
Vasa, Jani Vreto, Ymer Prizreni, Zija Prishtina, Sami Frashëri,
Ahmet Koronica, Mihal Harito, Iljaz Dibra, Mehmet Ali Vrioni, Seid
Toptani, Mustafa Nuri Vlora, Mane Tahiri etj.
Në programin politik të Komitetit të Stambollit përfshihej
teza mbi organizimin me ngutësi të kryengritjes së
armatosur kundërosmane dhe krijimin e shtetit kombëtar
shqiptar. Komiteti vendosi gjithashtu që të zhvilloheshin
bisedime me Greqinë për të arritur një aleancë
shqiptaro-greke sipas platformës së parashtruar nga Abdyl
Frashëri.
Ndërkohë ngjarjet në front pësuan një kthesë
rrënjësore. Më 10 dhjetor 1877 qëndresa e Plevnës
u thye. Ushtritë ruse filluan të përparonin përmes
maleve Ballkan. Serbia e Mali i Zi morën zemër nga përparimi
rus dhe rifilluan veprimet luftarake kundër Turqisë. Perandoria
Osmane tani dukej se ishte në pragun e katastrofës së
plotë. Në këto rrethana qeveria e Athinës e
pranoi propozimin e ri të paraqitur nga patriotët shqiptarë
për të rifilluar bisedimet dypalëshe që ishin
ndërprerë në fund të korrikut.
Turi i dytë i bisedimeve shqiptaro-greke u zhvillua në
Stamboll gjatë gjysmës së dytë të muajit
dhjetor 1877. Këtë radhë qeverinë greke e përfaqësonte
Stefanos Skuludhi, deputet në parlamentin e Greqisë. Abdyl
Frashëri, i cili kryesonte përsëri delegacionin shqiptar,
tani nuk përfaqësonte Komitetin Ndërkrahinor të
Janinës, por Komitetin Kombëtar të Stambollit. Abdyli
i parashtroi Stefanos Skuludhit planin e hollësishëm të
shpërthimit të kryengritjes shqiptare, e cila do të
fillonte në Shqipërinë e Jugut. Menjëherë
pas saj do të formohej qeveria e përkohshme e Shqipërisë,
që do të njihej nga Greqia, e cila do të hynte gjithashtu
në luftë kundër Perandorisë Osmane në Thesali.
Kryengritja do të shtrihej në Gegëri e në Kosovë.
Greqia do t’i ndihmonte shqiptarët me armatime. Projekti
i Abdyl Frashërit ishte i leverdishëm për të
dyja palët. Shqipëria siguronte tërësinë
territoriale, duke përfshirë në kufijtë e saj
edhe vilajetin e Janinës (Epirin), ndërsa Greqia hiqte
dorë nga Epiri, por do të aneksonte pa luftë Thesalinë,
me ndihmën e oficerëve shqiptarë që komandonin
ushtrinë osmane. Abdyli u përpoq edhe një herë
ta bindte qeverinë e Athinës, se ishte në interes
të Greqisë që ajo të kishte si aleate, kundër
Perandorisë Osmane e kundër rrezikut rus, një Shqipëri
të fortë, prandaj nguli këmbë që aleanca
dypalëshe të ndërtohej sipas parimit të njohjes
së një principate të pavarur shqiptare në kufijtë
e saj etnikë, në krye të së cilës mund
të vihej edhe një princ me origjinë nga dinastia
që mbretëronte në Greqi. Por pala greke nuk hoqi
dorë as këtë radhë nga pretendimet ndaj Shqipërisë.
Si rrjedhim, në ditët e fundit të dhjetorit, me urdhrin
telegrafik të ardhur nga Athina, bisedimet shqiptaro-greke
u ndërprenë përsëri.
Në fillim të vitit 1878 situata në front u përmbys
plotësisht. Pasi kaluan malet Ballkan, ushtritë ruse filluan
të përparonin me shpejtësi në drejtim të
jugut, pa ndeshur ndonjë rezistencë serioze nga ana e
ushtrive osmane. Më 4 janar 1878 ato pushtuan Sofjen, më
18 janar Edrenenë dhe më 28 janar arritën në
fshatin Shën-Stefan, në periferi të Stambollit. Nga
paniku që pushtoi Perandorinë Osmane përfituan ushtritë
serbe, të cilat marshuan pa vështirësi drejt vilajetit
të Kosovës dhe, pasi morën Pirotin, Nishin, Kurshunlinë
dhe Vranjën, në fund të janarit arritën në
Gjilan. Po ashtu, ushtritë malazeze pushtuan më 10 janar
Tivarin, më 19 janar Ulqinin dhe një javë më
vonë dolën në brigjet e liqenit të Shkodrës
e të lumit të Bunës.
Disfata e plotë e ushtrive osmane i shqetësoi të
gjitha Fuqitë e Mëdha. Në mënyrë të
veçantë ajo tronditi Britaninë e Madhe, e cila,
për të penguar hyrjen e ushtrive ruse në Stamboll,
dërgoi flotën e saj luftarake në detin Marmara. Në
të njëjtën kohë, me nxitjen e saj, Porta e Lartë
i kërkoi komandës ruse armëpushim. Duke parë
se Anglia ishte e vendosur të mbronte me çdo kusht kryeqytetin
osman, Rusia nënshkroi në Edrene, më 31 janar 1878,
armëpushimin me Perandorinë Osmane dhe filloi bisedimet
për të përfunduar Traktatin e Paqes me të.
Situata e re ndërkombëtare, që u krijua pas disfatës
së plotë turke, e detyroi Komitetin e Stambollit ta rishikonte
programin e vet. Sipas tij, shpërthimi në këto rrethana
i kryengritjes kundërosmane në Shqipëri do të
ishte një hap i dëmshëm, që do ta lehtësonte
përparimin e ushtrive serbe, malazeze e greke në brendi
të trojeve shqiptare dhe do t’u jepte rast monarkive
fqinje që ta sanksiononin me anën e fitores ushtarake
aneksimin e viseve të pushtuara prej tyre. Për këtë
arsye Komiteti hoqi dorë përkohësisht nga projekti
i kryengritjes së armatosur dhe hartoi një program të
ri politik për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Programi i ri, i cili u përpunua në ditët e para
të vitit 1878, përmbante ndryshime taktike e jo strategjike.
Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit nuk hoqën
dorë nga synimi i tyre i mëparshëm, nga formimi i
shtetit kombëtar shqiptar. Por tani para Shqipërisë
qëndronte si detyrë e ngutshme ruajtja e tërësisë
së saj tokësore. Përveç kësaj, ata mendonin
se në kushtet e reja pavarësia kombëtare e Shqipërisë
ishte e parealizueshme, pasi ajo nuk gëzonte asnjë mbështetje
në arenën ndërkombëtare. Për më tepër,
tani që kishte filluar pushtimi i trojeve shqiptare nga ushtritë
fqinje, rreziku i copëtimit të Shqipërisë ishte
bërë shumë serioz. Në këtë gjendje
të re shqiptarët u kthyen përsëri në programin
e mëparshëm. Në vend të pavarësisë
së plotë kombëtare, ata vendosën të kërkonin
bashkimin e trojeve të tyre amtare në një vilajet
autonom shqiptar në kuadrin e Perandorisë Osmane. Udhëheqësit
e Komitetit të Stambollit shpresonin se krijimi i një
vilajeti të tillë do të gjente përkrahës
në arenën ndërkombëtare, të paktën
mbështetjen e atyre Fuqive të Mëdha që nuk e
dëshironin shpartallimin e plotë të Perandorisë
Osmane. Veç kësaj, për të mbrojtur tërësinë
territoriale, shqiptarët do të luftonin të veçuar
nga Perandoria Osmane, do të hynin në betejë kundër
rrezikut sllav, grek, austriak ose italian në emër të
interesave kombëtarë të Shqipërisë. Ata
ishin të bindur se një luftë e tillë, si edhe
formimi i vilajetit autonom shqiptar, do ta sanksiononte në
plan ndërkombëtar ekzistencën e shqiptarëve
si komb dhe tërësinë territoriale të Shqipërisë.
Këto fitore do të shërbenin si bazë për
ta kthyer vilajetin autonom shqiptar, në rrethana koniunkturale
më të favorshme, në një shtet të pavarur
shqiptar. Për të arritur bashkimin politik dhe organizativ
të mbarë vendit rreth kësaj platforme, udhëheqësit
e Komitetit të Stambollit vendosën të formonin një
lidhje shqiptare me karakter kombëtar, ku të përfaqësoheshin
të gjitha shtresat shoqërore dhe të gjitha krahinat
shqiptare që bënin pjesë në të katër
vilajetet perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Projektin
për formimin e saj e përgatiti qysh në fillim të
vitit 1878, Pashko Vasa, që në atë kohë ishte
këshilltar i valiut të Kosovës.
Udhëheqësit e Komitetit të Stambollit shpresonin
se me programin e tyre të ri, i cili e përjashtonte përkohësisht
konfliktin e armatosur shqiptaro-turk, Porta e Lartë nuk do
ta pengonte formimin e Lidhjes Shqiptare. Kjo liri veprimi kishte
rëndësi të veçantë për ta, pasi
u jepte atyre mundësi që ta shpejtonin formimin e lidhjes
kombëtare dhe organizimin e forcave të saj të armatosura.
Për këtë qëllim Komiteti i Stambollit ngarkoi
një komision të posaçëm, të kryesuar
nga Pashko Vasa, për të nxjerrë lejen përkatëse
nga Porta e Lartë. Për një kohë të gjatë
Stambolli nuk dha asnjë përgjigje.
Gjatë muajit shkurt 1878 tensionin politik të shqiptarëve
e rriti edhe më shumë ekspedita që organizoi qeveria
greke kundër trojeve kombëtare të Shqipërisë.
Që ta vinte Rusinë para faktit të kryer dhe të
merrte parasysh aspiratat e saj territoriale, qeveria e Athinës
e detyroi Komitetin e Korfuzit që, para se të nënshkruhej
Traktati i Paqes me Turqinë, të provokonte në Shqipërinë
e Jugut një kryengritje të armatosur kundërosmane
dhe të nxiste kryengritësit vendas që të kërkonin
bashkimin e krahinave të tyre me Mbretërinë e Greqisë.
Sipas planit të saj të përgatitur me kujdes, më
12 shkurt 1878 një bandë e madhe greke me rreth 600 “vullnetarë”
të ashtuquajtur epirotë, të rekrutuar në Greqi,
midis të cilëve kishte edhe disa mercenarë të
huaj, të pajisur me armë e topa të ushtrisë
helenike dhe të komanduar nga oficerë grekë, zbarkuan
nga ishulli i Korfuzit në fshatin Lëkurës, në
afërsitë e Sarandës. Pasi ngritën këtu
flamurin e Greqisë, shpallën fillimin e kryengritjes “greke”
në viset e Epirit. Të nesërmen, më 13 shkurt,
internacionalistët grekë pushtuan Sarandën; pastaj
një pjesë e tyre u drejtua për në fshatin Çukë,
pjesa tjetër për në fshatin Gjashtë, duke shpresuar
se aksioni i tyre do të ishte sinjali për shpërthimin
e kryengritjes së përgjithshme nga ana e popullsisë
vendase.
Ndërkaq popullsia shqiptare vendase jo vetëm nuk u bashkua
me bandën greke, por, përkundrazi, u ngrit në këmbë
kundër saj. Nën thirrjen e krerëve lokalë, me
mijëra vullnetarë shqiptarë rrëmbyen armët
për mbrojtjen e vendit. Përparimi i forcave greke u ndal
në kodrat e Gjashtës. Më 17 shkurt vullnetarët
shqiptarë, së bashku me forcat turke që erdhën
nga Janina, u shkaktuan atyre dy disfata të rënda, njërën
në Karalibej, tjetrën në Gjashtë, dhe i detyruan
të tërhiqeshin me humbje të mëdha në Lëkurës.
Pas një luftimi tjetër, që u zhvillua më 23
shkurt 1878 në Lëkurës, banda u shpartallua plotësisht.
Komandanti i tyre mundi të shpëtonte së bashku me
110 veta, duke u tërhequr gjatë bregdetit, derisa u hodh
në Korfuz. Të tjerët u vranë ose u zunë
robër gjatë luftimeve.
2. THEMELIMI I LIDHJES SHQIPTARE
TË PRIZRENIT
Shqipëria dhe Traktati i Shën-Stefanit (3 mars
1878)
Një muaj pas armëpushimit të Edrenesë u nënshkrua
në Shën-Stefan, më 3 mars 1878, Traktati i Paqes
ndërmjet Perandorisë Ruse dhe Perandorisë Osmane.
Traktati i Shën-Stefanit i shkëpuste Perandorisë
Osmane rreth 80 për qind të zotërimeve të saj
në Gadishullin Ballkanik. Me shpresë se do të shmangte
kundërshtimin e fuqive të tjera të mëdha, Rusia
nuk mori për vete asgjë nga këto territore. Ajo u
kufizua vetëm duke i shkëputur Rumanisë, të
cilën e kishte aleate në luftën që fitoi, krahinën
e Besarabisë në veri të lumit Pruth dhe duke aneksuar
disa krahina që zotëronte Perandoria Osmane, në jug
të Kaukazit (Kars, Ardahan, Bajazid e Batum). Synimet e saj
hegjemoniste në Evropën Juglindore Rusia cariste do t’i
siguronte kryesisht nëpërmjet Bullgarisë së
madhe autonome që u krijua me Traktatin e Shën-Stefanit.
Bullgaria do të ishte një principatë autonome me
qeverinë e saj, tributare ndaj sulltanit. Formimi i saj ishte
në vetvete një hap pozitiv, pasi e çlironte popullin
bullgar nga zgjedha shekullore osmane. Por, Rusia krijoi një
Bullgari të madhe, të cilën ajo do ta kishte si një
satelite të saj me qëllim që të vendoste nëpërmjet
saj zotërimin e vet në Gadishullin Ballkanik. Në
kufijtë e saj do të përfshihej shumica dërrmuese
e tokave që i shkëputeshin Perandorisë Osmane. Kjo
do të shtrihej në lindje deri në Detin e Zi, në
jug deri në detin Egje, në veri deri në Danub dhe
në perëndim deri në malet e Voskopojës. Sado
që Bullgaria e madhe do të mbetej nën sovranitetin
e sulltanit turk, Porta e Lartë nuk do të kishte të
drejtë të vendoste brenda kufijve të saj asnjë
garnizon ushtarak osman. Pjesa tjetër e territoreve perandorake
do t’i jepej Rumanisë, Serbisë dhe Malit të
Zi, që ktheheshin nga principata autonome në shtete të
pavarura. Greqia nuk përfitonte asgjë. Ajo do të
mbetej ashtu siç ishte, një shtet i pavarur brenda kufijve
të saj të paraluftës.
Traktati i Shën-Stefanit nuk e zinte fare në gojë
Shqipërinë, e cila për Rusinë nuk ekzistonte
si subjekt të drejtash politike. Sipas Traktatit të Shën-Stefanit,
gati gjysma e trojeve shqiptare u jepej shteteve sllave ballkanike.
Bullgaria do të merrte, përveç të tjerave,
krahinat shqiptare të Korçës, të Bilishtit,
të Pogradecit, të Strugës, të Dibrës, të
Kërçovës, të Gostivarit, të Tetovës,
të Shkupit, të Kaçanikut etj. Serbia, e cila do
të shtrihej kryesisht drejt jugperëndimit, do të
aneksonte edhe viset veriore e verilindore të Kosovës,
deri në afërsi të Mitrovicës. Mali i Zi, sipërfaqja
e të cilit do të rritej më tepër se tri herë,
do të përfshinte brenda kufijve të tij gjithashtu
një varg krahinash shqiptare, si atë të Ulqinit,
të Krajës, të Anamalit, të Hotit, të Grudës,
të Tuzit, të Kelmendit, të Plavës, të Gucisë
dhe të Rugovës. Pjesa tjetër e Shqipërisë
do të mbetej nën sundimin e Perandorisë Osmane. Si
rrjedhim, me Traktatin e Shën-Stefanit trojet shqiptare do
të copëtoheshin ndërmjet katër shteteve të
huaja. Perandoria Ruse e gjymtonte kështu rëndë tërësinë
tokësore të Shqipërisë dhe e vështirësonte
në kulm luftën e popullit shqiptar për krijimin e
shtetit kombëtar.
Zemërimin e thellë që shkaktoi në Shqipëri
Traktati i Shën-Stefanit e rriti më tej terrori i ushtrive
serbo-malazeze mbi shqiptarët e viseve të pushtuara prej
tyre dhe shpërngulja me dhunë nga këto krahina e
dhjetëra mijë familjeve shqiptare, të cilat vërshuan
si muhaxhirë në krahinat e papushtuara nga ushtritë
ballkanike. Vetëm në vilajetin e Kosovës endeshin
rreth 100 mijë burra, gra e fëmijë, të shpërngulur
nga zona e pushtimit serb. Gati 38 mijë veta të dëbuar
nga ushtritë ruse e bullgare qenë shpërndarë,
sipas konsullit anglez Blunt, në viset e vilajetit të
Manastirit. Sipas të dhënave të konsullit austro-hungarez
Lipih (Lipich), mbi 26 mijë shqiptarë, të dëbuar
nga zona e pushtimit malazez, ishin vendosur në vilajetin e
Shkodrës. Por numri i shqiptarëve të shpërngulur
ishte më i madh, po të kemi parasysh se jo pak prej tyre
mërguan në vilajetet e Selanikut, të Stambollit,
të Izmirit, të Adanasë e të Sirisë.
Zemërimi kundër Traktatit të Shën-Stefanit përfshiu
të gjitha shtresat e popullsisë shqiptare, që nga
fshatarët e zejtarët e deri te qarqet çifligare
e tregtare. Ky zemërim i shqiptarëve nuk drejtohej vetëm
kundër Perandorisë Ruse dhe aleatëve të saj
ballkanikë, por edhe kundër Perandorisë Osmane, e
cila kishte nënshkruar një akt të tillë, që
e dënonte me vdekje atdheun e tyre. Fakti se asnjë nga
fuqitë e tjera të mëdha nuk e ngriti zërin për
të drejtat kombëtare të Shqipërisë, i bindi
përfundimisht shqiptarët se ata tashmë ishin krejtësisht
vetëm.
Gjendja e re që u krijua nga vendimet e Shën-Stefanit
dhe nga ngjarjet që rrodhën më pas, në mars-prill
1878, kur u duk qartë se Fuqitë e Mëdha perëndimore
ishin të vendosura të mbronin me çdo kusht sundimin
e Perandorisë Osmane në Ballkan dhe si rrjedhim nuk ishin
të prirura të merrnin parasysh të drejtat kombëtare
të shqiptarëve, Komiteti Qendror i Stambollit arriti në
përfundimin se si kryengritja e armatosur kundërosmane,
ashtu edhe kërkesa për pavarësinë e Shqipërisë
nuk mund të qëndronin më si pika kryesore të
programit të tij politik. Tani që copëtimi i trojeve
shqiptare filloi të vihej në jetë dhe doli në
plan të parë detyra e mbrojtjes së tërësisë
tokësore të Shqipërisë, kryengritja e armatosur
kundër Perandorisë Osmane jo vetëm që nuk e
zgjidhte çështjen shqiptare, por e ndërlikonte
edhe më keq atë e fatin e atdheut. Në rrethana të
tilla ndërkombëtare, Komiteti Shqiptar i Stambollit adaptoi,
për aq kohë sa do të vijonte kjo gjendje e ndërlikuar,
një platformë të re politike, e cila kërkonte
mobilizimin e mbarë vendit për plotësimin e dy detyrave
kryesore: për të kundërshtuar me luftë të
armatosur, në emër të kombësisë shqiptare,
çdo vendim që do të merrnin Fuqitë e Mëdha,
qoftë edhe me pëlqimin e Perandorisë Osmane, në
dëm të tërësisë territoriale të Shqipërisë
dhe, në të njëjtën kohë, për të
arritur bashkimin e të gjitha trojeve të atdheut në
një vilajet të vetëm shqiptar, të pajisur me
disa të drejta autonomiste, që mund të realizoheshin
pa hyrë në konflikt me Portën e Lartë.
Përmbushja e këtyre objektivave bënte të nevojshëm
formimin e një fronti të vetëm politik mbarëshqiptar
dhe pranimin nga ana e këtij fronti të platformës
politike të përpunuar nga Komiteti Kombëtar i Stambollit.
Për krijimin e frontit të bashkuar politik, që do
të kishte formën e një lidhjeje kombëtare shqiptare,
kishte tashmë në Shqipëri një truall deri diku
të përgatitur edhe nga pikëpamja organizative. Qysh
në dhjetor të vitit 1877, në krahinat periferike
të Shqipërisë, kur ato filluan të kërcënoheshin
nga pushtimi serb e malazez, ishin organizuar besëlidhje shqiptare
krahinore ose, siç quheshin në disa vise, komisione
lokale të vetëmbrojtjes, të cilat u përpoqën
të mobilizonin shqiptarët për të hyrë në
veprim sapo të lëshohej kushtrimi. Traktati i Shën-Stefanit
i dha një nxitje të fuqishme krijimit të besëlidhjeve
të reja. Por me evolucionin ekonomik, shoqëror, politik
e kulturor që kishte pësuar Shqipëria, gjatë
dekadave të fundit, ndryshe nga periudhat e mëparshme,
ndërgjegjja e bashkësisë krahinore ishte tejkaluar
tanimë te shqiptarët. Çdo krahinë kishte filluar
ta ndiente veten si gjymtyrë e një trupi të vetëm,
si pjesë e një atdheu të përbashkët. Ky
evolucion në ndërgjegjen kombëtare të shqiptarëve
ishte një faktor i favorshëm për veprimtarinë
e Komitetit Kombëtar të Stambollit, të cilit tani
i takonte detyra t’i bashkonte besëlidhjet krahinore
në një trup të vetëm organizativ dhe me një
platformë të vetme politike.
Derisa të shkriheshin në një organizatë kombëtare,
përballë besëlidhjeve krahinore qëndronin tri
detyra themelore: të mobilizonin shtresat e gjera popullore
në lëvizjen e madhe të protestës kundër
vendimeve të padrejta të Traktatit të Shën-Stefanit;
të përgatiteshin ushtarakisht për të kundërshtuar
me armë copëtimin e trojeve shqiptare, në rast se
vendimet e Traktatit do të mbeteshin në fuqi; të
kujdeseshin për të ndihmuar dhe për të sistemuar
rreth 150 mijë muhaxhirët shqiptarë, të grumbulluar
në vilajetet e Kosovës, të Shkodrës e të
Manastirit, të cilët kishin mbetur pa bukë e pa strehë.
Ndërkaq, në prill të vitit 1878, opinioni publik
shqiptar u informua nga shtypi ndërkombëtar për kundërshtimin
që kishte gjetur Traktati i Shën-Stefanit në fuqitë
e tjera të mëdha. Në të vërtetë, kundërshtimin
më të rreptë ai e pati nga Anglia dhe nga Austro-Hungaria,
të cilat u shqetësuan së tepërmi nga rritja
e shpejtë e ndikimit të Rusisë në Gadishullin
Ballkanik nëpërmjet Bullgarisë së Madhe. Për
këtë arsye, me këmbënguljen e tyre, u vendos
që kushtet e përcaktuara në Traktatin e Shën-Stefanit
të rishikoheshin nga një kongres i posaçëm
i Fuqive të Mëdha, i cili, sipas vendimit që u mor
më vonë, do të mblidhej në Berlin më 13
qershor 1878.
Shqiptarët ishin të bindur se Fuqitë e Mëdha,
ndonëse e kundërshtuan Traktatin e Shën-Stefanit,
përsëri nuk ishin të prirura që t’i merrnin
parasysh interesat kombëtarë të Shqipërisë.
Megjithatë, pezullimi i tij deri në thirrjen e kongresit
të Berlinit u jepte në dorë patriotëve shqiptarë
një kohë të çmueshme për ta organizuar
më mirë qëndresën politike e ushtarake. Por,
nga ana tjetër, leja që kishte kërkuar Komiteti i
Stambollit për të formuar një lidhje shqiptare, ndeshi
më në fund në kundërshtimin e Portës së
Lartë. Në parim qeveria osmane nuk e shihte me sy të
keq lëvizjen e protestës së popullsive të saj
kundër Traktatit të Shën-Stefanit, por ajo nuk e
pranonte në asnjë mënyrë që kjo lëvizje
të zhvillohej e të organizohej ashtu siç e kuptonte
Komiteti i Stambollit, si një lëvizje kombëtare shqiptare.
Porta e Lartë kërkonte që shqiptarët të
protestonin kundër Traktatit të Shën-Stefanit si
nënshtetas myslimanë, që nuk donin të shkëputeshin
nga Perandoria Osmane dhe nga sulltani i saj halif. Patriotët
shqiptarë, të cilët nuk mund të pajtoheshin
me këto kushte, vendosën që ta formonin lidhjen shqiptare
duke u mbështetur në lëvizjen popullore dhe në
besëlidhjet lokale.
Rrymat politike dhe protestat shqiptare
Gjatë pranverës së vitit 1878, krahas hovit që
mori lëvizja e protestës kundër Traktatit të
Shën-Stefanit, ngadhënjeu edhe ideja për të
kundërshtuar me armë vendimet që mund të merreshin
në Kongresin e Berlinit në dëm të tërësisë
tokësore të atdheut. Në këto rrethana, kërkesa
për të formuar një lidhje të përgjithshme
u bë mjaft popullore. Megjithatë forcat e ndryshme atdhetare
të lëvizjes kombëtare nuk e konceptonin njësoj
karakterin dhe programin që duhej të kishte kjo lidhje
e përgjithshme. Qarqet atdhetare shqiptare, të përfaqësuara,
në përgjithësi, nga Komiteti Kombëtar i Stambollit,
që formuan grupimin ose, siç u quajt nga vëzhguesit
e huaj të kohës, rrymën radikale, synonin të
themelonin një lidhje shqiptare, e cila duhej të mobilizonte
popullsinë e vendit në emër të të drejtave
kombëtare të Shqipërisë dhe ta drejtonte atë
në luftë për ruajtjen e tërësisë tokësore
të atdheut, duke kërkuar në të njëjtën
kohë krijimin e një vilajeti autonom shqiptar ose, po
ta lejonin rrethanat ndërkombëtare, të një shteti
shqiptar autonom. Sipas udhëheqësve të kësaj
rryme, lidhja shqiptare duhej përgatitur për të luftuar,
në përshtatje me rrethanat që do të krijoheshin,
jo vetëm kundër shteteve shoviniste fqinje, por edhe kundër
Perandorisë Osmane. Një grupim ose rrymë e dytë
në lëvizjen kombëtare ishte ai i të moderuarve,
siç u cilësua po nga bashkëkohësit, që
përfaqësohej nga personalitete të njohura atdhetare,
si Ali bej Gucia, Iljaz pashë Dibra, Abedin pashë Dinoja,
Mahmud pashë Biçaku, Omer pashë Vrioni etj. Ashtu
si radikalët, edhe të moderuarit kërkonin që
lidhja e përgjithshme të kishte karakter kombëtar.
Ata e pranonin në parim edhe idenë e një vilajeti
të bashkuar autonom shqiptar, të pajisur me një autonomi
administrative e kulturore. Por, ndryshe nga elementët radikalë
të Komitetit të Stambollit, këta nuk e shikonin vilajetin
e bashkuar shqiptar si një hallkë, si një shkallë
për të shkuar më tej drejt një shteti të
bashkuar e të pavarur shqiptar. Përveç kësaj,
të moderuarit nuk ishin gjithashtu të prirur për
t’iu kundërvënë Portës së Lartë.
Ata shpresonin se vilajeti shqiptar mund të krijohej me pëlqimin
e vetë sulltanit, të cilin, besonin se do ta bindnin,
pasi, sipas tyre, krijimi i këtij vilajeti ishte në interesin
e vetë Perandorisë Osmane.
Përgjithësisht qarqet e moderuara, duke pasur parasysh
rrezikun e jashtëm, prireshin ta kufizonin lëvizjen vetëm
me mbrojtjen e territoreve të kërcënuara, vetëm
me luftën kundër copëtimit të vendit. Si rrjedhim,
ata e përfytyronin besëlidhjen shqiptare jo si një
front politik kombëtar të veshur me atribute shtetërore,
por si një federim ose aleancë krahinash të krijuar
vetëm për të luftuar bashkërisht kundër
shovinistëve fqinjë.
Megjithatë, ndërmjet platformës së qarqeve radikale
dhe platformës së të moderuarve kishte mjaft pika
takimi, siç qe ajo e karakterit kombëtar shqiptar të
lidhjes së përgjithshme dhe pranimi në parim i formimit
të një vilajeti autonom shqiptar. Në situatën
dramatike, që u krijua në pranverën e vitit 1878,
këto pika të përbashkëta merrnin rëndësi
të dorës së parë përballë pikëpamjeve
të ndryshme që kishin ato për kohën e mënyrën
se kur dhe si duhej të sendërtohej ky vilajet, të
cilat mund të zgjidheshin pas formimit të lidhjes shqiptare.
Në këto rrethana, u arrit bashkëpunimi i të
dy rreshtimeve politike për formimin e një lidhjeje shqiptare
me karakter kombëtar, që do të udhëhiqte luftën
e popullit shqiptar kundër copëtimit territorial të
atdheut dhe do të parashtronte nevojën e bashkimit administrativ
të mbarë viseve shqiptare në një vilajet autonom
shqiptar.
Jashtë këtyre dy grupimeve atdhetare, që përfaqësonin
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare, në jetën politike
të Shqipërisë vepronte edhe një rreshtim i tretë
sulltanist, i udhëhequr nga nëpunësit turkomanë
të administratës së vilajeteve, nga elementë
feudalë e klerikë turkomanë, të cilët e
identifikonin veten me qarqet sunduese perandorake, anonin plotësisht
nga vija politike e Portës së Lartë dhe i shërbenin
asaj. Të interesuar për të kundërshtuar vendimet
e Traktatit të Shën-Stefanit, edhe pasuesit e këtij
grupimi u bashkuan me lëvizjen për organizimin e qëndresës
së armatosur nëpërmjet “lidhjes” së
përgjithshme, e cila duhej të vepronte sipas orientimeve
të sulltanit. Ata nuk ishin për një lidhje shqiptare,
por për një lidhje islamike, ku të merrnin pjesë
të gjitha popullsitë myslimane të Gadishullit Ballkanik,
pavarësisht nga kombësia e tyre, nga e cila, logjikisht,
do të përjashtoheshin shqiptarët e krishterë,
si ortodoksë, edhe katolikë. Veç kësaj, sulltanistët,
siç u quajtën në atë kohë, nuk e pranonin
as në parim idenë e një vilajeti shqiptar, sepse
ky vilajet, sipas tyre, do t’i ndante shqiptarët myslimanë
nga “vëllezërit” myslimanë të Gadishullit
Ballkanik dhe të Perandorisë Osmane.
Këto qëndrime u kundërshtuan nga atdhetarët
shqiptarë, radikalë e të moderuar, që nuk mund
të pajtoheshin me platformën e qarqeve sulltaniste dhe
në mënyrë të veçantë me idenë
konservatore të një lidhjeje islamike, e cila po të
krijohej do ta shuante emrin e Shqipërisë. Në të
vërtetë, qarqet sulltaniste nuk kishin ndonjë mbështetje
në shtresat e gjera të popullsisë shqiptare. Veprimtarinë
e tyre e udhëhiqnin valinjtë e katër vilajeteve shqiptare,
që zbatonin me besnikëri udhëzimet e Portës
së Lartë. Megjithatë, ato luanin ende një rol
të rëndësishëm në jetën politike të
vendit, pasi kishin në dorë aparatin shtetëror -
administratën, ushtrinë, xhandarmërinë, financat
dhe mjetet e telekomunikacionit që lidhnin krahinat me njëra-tjetrën.
E vetmja pikë që dukej sikur i afronte sulltanistët
me qarqet atdhetare, ishte gatishmëria e tyre për të
luftuar me rrugë jashtëqeveritare, kundër shkëputjes
së zotërimeve perandorake në Ballkan, pra edhe kundër
shkëputjes së trojeve shqiptare, ndonëse këtë
luftë ata kërkonin ta zhvillonin nën flamurin islamik.
Për të mos shkaktuar në atë çast kritik
përçarjen e forcave politike të vendit, Komiteti
i Stambollit dhe rrethet e tjera atdhetare të vendit iu shmangën
përkohësisht luftës së hapur kundër qarqeve
sulltaniste. Madje, duke u kapur pas gatishmërisë që
tregonin këto qarqe për të luftuar kundër Traktatit
të Shën-Stefanit, udhëheqësit atdhetarë
mendonin se, me një punë të mëtejshme sqaruese,
do ta tërhiqnin masën e tyre në platformën e
lidhjes shqiptare.
Platformën e vet politike Komiteti i Stambollit e ngriti gjatë
pranverës edhe në arenën ndërkombëtare.
Qysh në muajin mars, kur përmbajtja e Traktatit të
Shën-Stefanit ende nuk ishte shpallur, Pashko Vasa i paraqiti
ambasadorit britanik në Stamboll një promemorje në
emër të popullit shqiptar, në të cilën
lufta kundër copëtimit territorial të Shqipërisë
lidhej organikisht me kërkesën për autonominë
e saj administrative. Shqiptarët, shkruante ai, nuk mund të
kënaqen me administratën e kalbur osmane. Ata janë
të bindur se Porta e Lartë, as nuk dëshiron dhe as
nuk është në gjendje t’u japë atyre një
administratë më të mirë se atë që
u ka dhënë deri sot. Shqiptarët, theksonte patrioti
rilindës, janë të vendosur t’i këputin
të gjitha lidhjet që i bashkojnë me Turqinë
dhe nuk duhet të përjashtohen nga ajo e drejtë që
kanë popujt sllavë të Ballkanit për të
formuar shtete të pavarura ose autonome. Megjithatë, përfundonte
Pashko Vasa, shqiptarët kërkojnë një administratë
autonome që t’u përgjigjet më shumë nevojave
dhe traditave të tyre.
Një vend të veçantë në veprimtarinë
politike që zhvilloi Komiteti i Stambollit gjatë pranverës
së vitit 1878 zënë shkrimet e Abdyl Frashërit,
të cilat ai i botoi në shtypin e huaj, brenda dhe jashtë
Perandorisë Osmane. Në një artikull të botuar
në muajin prill në gazetën turke “Basiret”
(Stamboll), ai i tërhiqte tërthorazi vëmendjen Portës
së Lartë që të mos pranonte asnjë lëshim
në kurriz të trojeve të Shqipërisë dhe
t’u njihte shqiptarëve të drejtat e tyre kombëtare.
Askush, pra, as Perandoria Osmane, shkruante kryetari i Komitetit
të Stambollit, nuk ka të drejtë t’u japë
të tjerëve tokat që u takojnë shqiptarëve.
Duke evokuar luftën që zhvilluan shqiptarët në
shek. XV kundër Perandorisë Osmane, Abdyl Frashëri
u linte të nënkuptonin qeveritarëve të Stambollit
se Shqipëria ishte gati të përsëriste epopenë
e Skënderbeut, në rast se nuk do t’i njiheshin të
drejtat e saj kombëtare.
Në një seri artikujsh të botuar gjatë prillit
e majit në organin austriak “Messager de Vienne”
(“Mesazher dë Vjenë”), Abdyl Frashëri
argumentonte para opinionit publik evropian të drejtat politike
që i takonin popullit shqiptar, si një nga kombet më
të lashta të Evropës, me gjuhë, me territor,
me kulturë, |