K R E U
I
SHQIPËRIA GJATË SHEKUJVE TË
MESJETËS
(SHEK. V - XIV)
SHQIPËRIA NË PERANDORINË
BIZANTINE
(SHEK. V - X)
1. SHQIPTARËT DHE NDRYSHIMET
ETNO-POLITIKE E SHOQËRORE-EKONOMIKE NË MESJETËN E
HERSHME
Shqipëria dhe Bizanti
Pas ndarjes së Perandorisë Romake në dy pjesë,
më 395, trevat iliro-shqiptare hynë në përbërje
të Perandorisë Bizantine, siç quhet zakonisht pas
kësaj date Perandoria Romake e Lindjes sipas emrit antik të
kryeqytetit të saj, Bizant, që për nder të Konstandinit
të Madh u quajt Konstandinopojë.
Ashtu siç i kishin dhënë në shek. III-IV Perandorisë
Romake një numër perandorësh e gjeneralësh të
shquar, po ashtu gjatë periudhës së hershme bizantine
(shek. V-IX), trevat iliro-shqiptare i dhanë Perandorisë
Bizantine disa perandorë, ndër të cilët shquhen
në mënyrë të veçantë Anastasi I
nga Durrësi (491-518) dhe Justiniani I nga Taurisium i Shkupit
(527-565). Me reformat dhe me masat e zbatuara në administratën
civile e ushtarake, këta dy perandorë përgatitën
kalimin nga antikiteti në mesjetë dhe hodhën bazat
e asaj që do të ishte perandoria më jetëgjatë
në historinë e qytetërimit mesdhetar.
Pozicioni skajor në kufi me Italinë, me të cilën
interesat e Bizantit mbetën deri në fund të lidhura
ngushtë, përcaktoi rolin e jashtëzakonshëm të
trevave iliro-shqiptare në kuadrin e Perandorisë Bizantine.
Ato u kthyen në një nyje komunikimi të Lindjes me
Perëndimin dhe anasjelltas. Një rol të tillë
e favorizonte ekzistenca e porteve të rëndësishme
gjatë bregdetit të Adriatikut e të Jonit ose e arterieve
rrugore që fillonin prej tyre dhe zgjateshin në thellësi
të Gadishullit duke lidhur bregdetin me qendra të tilla
të rëndësishme, si Nishin, Shkupin, Ohrin, Sofjen,
Kosturin, Selanikun, Adrianopojën e vetë Konstandinopojën.
Ashtu si në shekujt e lashtësisë, rruga Egnatia vazhdoi
ta luante rolin si vija kryesore e komunikimit midis provincave
të Perandorisë në rrafshin perëndim-lindje.
Përgjatë traktit perëndimor të rrugës Egnatia
(Durrës-Apoloni-Peqin-Ohër) janë zhvilluar disa nga
betejat më të përgjakshme të historisë
bizantine. Perandorët bizantinë i kushtuan vëmendje
të veçantë mbrojtjes strategjike të trevave
iliro-shqiptare. Perandori Justiniani, sipas biografit të tij,
Prokopit të Cezaresë, ndërtoi nga e para apo rimëkëmbi
168 kështjella në katër provincat ilire: të
Dardanisë, Prevalit dhe të dy Epirëve. Nga ana e
tij, Anastasi I e rrethoi qytetin e tij të lindjes, Durrësin
me mure madhështore që shihen ende sot. Veç Durrësit,
pikëmbështetje të pushtetit bizantin në Shqipëri
përbënin Tivari, Shkodra, Lezha, Kruja, Dibra, Prizreni,
Shkupi, Berati, Devolli, Kolonja, Adrianopoja etj. Mbrojtja e tyre
dhe e territorit në juridiksionin e tyre, u ishte besuar forcave
e komandantëve vendas. Trupa ushtarake iliro-shqiptare shërbenin
gjithashtu në vise të tjera të Perandorisë,
sa në Lindje aq edhe në Perëndim. Në kohën
e perandorit Justinian, ushtarë iliro-shqiptarë shërbenin
në ushtrinë bizantine me qëndrim në Itali. Në
një nga mbishkrimet e asaj kohe të gjetura në Itali,
bëhet fjalë për “numrin e madh të ilirëve”
(numerus felix Illyricianorum). Edhe në shekujt e mëvonshëm,
reparte nga trevat iliro-shqiptare shërbenin në provincat
bizantine të Italisë e në provinca të tjera
në Evropë e Azi.
Përhapja e krishterimit në Shqipëri
Shqipëria është përcaktuar si një nga vendet
mesdhetare, ku krishterimi depërtoi qysh në shekujt e
parë. Autori i shek. VI, Kosmas, i përfshin iliro-shqiptarët
në grupin e popujve që në kohën e tij kishin
përqafuar krishterimin. Durrësi, Nikopoja ishin qendrat
kryesore bregdetare, nga ku feja e re u përhap pastaj në
thellësi të katër provincave ilire: të Prevalit,
Dardanisë, Epirit të Ri dhe të Epirit të Vjetër.
Që në shekujt e parë të erës së re,
në qendrat urbane të këtyre trevave përmenden
bashkësitë e para të krishtera, si dhe ngrihen ndërtesat
e para të kultit të ri. Të tilla ndërtesa, bazilika
e pagëzimore (baptistere) të shek. IV-VI, ruhen edhe sot
pjesërisht në rrethet Durrës, Shkodër, Lezhë,
Mat, Apoloni, Elbasan, Dibër, Ohër, Tiranë, Vlorë,
Gjirokastër, Sarandë, Butrint e akoma më në
jug.
Hershmërinë e krishtërimit shqiptar e provojnë
gjithashtu një sërë emrash vendesh që u referohen
martirëve të parë të Lindjes, kulti i të
cilëve ka qenë i përhapur në shek. IV-VI. Të
tilla janë toponimet Shirgj (Shën Sergj), Shubak (Shën
Baku), Shëndekla (Shën Tekla), Shën Vlashi, që
ndeshen në Shkodër, Durrës, Himarë e deri poshtë
në Çamëri (Shën Vlash, Shën Tekla). Të
lidhur me kultin e martirëve në fjalë si dhe me historinë
e hershme të krishterimit, janë toponime të tilla
të huazuara nga vendet e Lindjes, si Rozafë (vend në
Siri, ku u varros Shën Baku e Shën Serxhi), Barbullush
(Barbalista, vend buzë Eufratit, ku u masakrua Shën Baku),
Sebaste, Jeriko.
Persekutimet e mëdha kundër të krishterëve regjistruan
edhe në Shqipëri martirë të shumtë, kulti
i të cilëve u ruajt në shekuj. Më të shquarit
ndër këta martirë janë Shën Asti, peshkop
i Durrësit, Shën Terini nga Butrinti, Shën Donati,
peshkop i Evrojës (Paramithi), Lauri dhe Flori nga Dardania
etj. Po në këtë kohë në toponomastikën
e vendit futen emra të krishterë të tipit Shëngjin,
Shën Gjergj, Shupal (Shën Pal), Shmil (Shën Mëhill),
Shën Koll apo Shën Nik (Shën Nikollë), Shëmri
(Shën Mëri), Shëndëlli (Shën Ilia), Shëngjergj,
Shtish - Shën Matish (Shën Matheu), Shingjon, Shëgjun
(Shën Gjon), Shën Ndreu etj., etj. Të gjithë
këta emra bëjnë pjesë në fondin e hershëm
të toponomastikës së krishterë (shek. I-VII).
Të tilla toponime, që në Ballkan në një
masë e në një shtrirje të tillë gjenden
vetëm në trevat shqiptare, lidhen gjithsesi me periudhën
para vendosjes së sllavëve në shek. VI-VII. Përhapja
e tyre sa në viset bregdetare, aq edhe në viset e thella
malore larg bregdetit, është një e dhënë
më shumë që provon se këto hapësira mbetën
në thelb të paprekura nga ngulimet e sllavëve paganë
dhe se edhe pas dyndjeve sllave të shek. VI-VII, popullsia
vendase autoktone u ruajt e paprekur në pjesën më
të madhe të Ilirisë së Jugut.
Pavarësisht nga përpjekjet për mbytjen e fesë
së re, krishterimi u afirmua në Shqipëri në
mënyrë përfundimtare. Pas persekutimeve të mëdha
të shek. IV, burimet historike flasin për një strukturë
kishtare mjaft të konsoliduar. Ajo ishte e organizuar mbi bazën
e provincave administrative të epokës së Dioklecianit.
Në qendrën e çdo province ndodhej kisha mitropolitane
dhe aty e kishte selinë kryepeshkopi. Nën juridiksionin
e këtij të fundit ndodheshin peshkopët e dioqezave
vartëse (sufragane). Kështu, në katër qendrat
kryesore kishtare në trevat shqiptare ishin kryepeshkopatat
e Shkodrës (Prevali), Justiniana Prima (Dardania), Durrësi
(Epiri i Ri), Nikopoja (Epiri i Vjetër). Kryepeshkopi i Shkodrës
kishte nën varësi 3 peshkopata vartëse (sufragane),
ai i Shkupit 5, i Durrësit 8 dhe i Nikopojës 9. Me përhapjen
e krishterimit në viset e brendshme, numri i peshkopatave sa
vinte e rritej. Kështu, në shek. X mitropolia e Durrësit
kishte tashmë 14 peshkopata vartëse (sufragane) mes të
cilave: Tivari, Licini (Ulqini), Shkodra, Drishti, Dioklea (Genta),
Pulti, Elisoni (Lezha), Kruja, Stefaniaka, Kunavia, Cërniku.
Siç shihet, në atë kohë juridiksioni i mitropolisë
së Durrësit ishte shtrirë drejt veriut duke përfshirë
brenda saj provincën e dikurshme të Prevalit. Siç
ndodhte shpesh, një përhapje e tillë e pushtetit
fetar kishte pasuar shtrirjen në atë drejtim të juridiksionit
politiko-administrativ të Durrësit (krijimi i temës
së Durrësit në shek. IX). Kryepeshkopët kishin
për detyrë të emëronin, të shkarkonin,
të transferonin e të shuguronin peshkopët e juridiksionit
të tyre. Për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që
kishin të bënin me administratën kishtare të
provincës së tij, kryepeshkopi thërriste periodikisht
sinodin provincial. Nga ana e tyre, kryepeshkopët, të
shoqëruar herë-herë edhe nga peshkopë të
dalluar, merrnin pjesë në koncilet ekumenike, ku mblidheshin
përfaqësuesit më të lartë të klerit
të botës së krishterë, për të diskutuar
mbi problemet e dogmës dhe të organizimit kishtar. Kështu,
në Koncilin e famshëm të Nikesë, më 431,
mitropoliti i Durrësit i shoqëruar nga sufraganët
e tij, nënshkroi aktin përfundimtar që dënonte
herezinë nestoriane. Në Koncilin tjetër të rëndësishëm,
në atë të Kalcedonisë të vitit 451, ku
u zgjidhën përfundimisht grindjet dogmatike mbi natyrën
e Krishtit, morën pjesë edhe Lluka, mitropolit i Durrësit,
Evandri, peshkop i Dioklesë dhe Euzebi, peshkop i Apolonisë.
Organizimi kishtar i trevave shqiptare
Në pikëpamje të organizimit të përgjithshëm
kishtar, kisha shqiptare ishte në varësi të Papës
së Romës. Ky i fundit ushtronte autoritetin e vet në
trevat shqiptare nëpërmjet mëkëmbësit (vikarit)
të tij të përgjithshëm, me seli në Selanik.
Por, duke filluar nga shek. V, Patriarkana e Konstandinopojës
u përpoq t’i vërë në varësinë
e vet peshkopatat shqiptare. Ballafaqimi midis Romës e Konstandinopojës
për hegjemoni kishtare në Shqipëri (në kishën
e Ilirikut) doli veçanërisht në pah gjatë
së ashtuquajturës “Kriza akaciane” (484-519).
Me atë rast, peshkopët iliro-shqiptarë konfirmuan
besnikërinë e tyre ndaj Romës. Veçanërisht
të vendosur në komunionin me Papën ishin kleri i
provincave të Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe
Prevalit. Kurse në provincën e Epirit të Ri qëndrimi
qe i pavendosur. Sipas raporteve të të dërguarit
të papës Hormisda, më 519, populli dhe kleri i Skampës
apo i Liknidit (Ohrit) ishin besnikë të vendosur të
Papatit, ndërkohë që peshkopë të tjerë
të provincës kishtare të Epirit të Ri, midis
tyre edhe kryepeshkopi i Durrësit, anonin nga Patriarkati i
Konstandinopojës. Perandori Anastasi I (491-518), me origjinë
nga Durrësi, ndikoi nga ana e tij për të forcuar
lidhjet e mitropolisë së Durrësit me Patriarkatin
e Konstandinopojës. Gjithsesi, perandori tjetër bizantin
me origjinë iliro-shqiptare, Justiniani I (527-565), e njohu
juridiksionin e Romës mbi kishën e Ilirikut, aq më
tepër që, nën sundimin e tij, Italia u bashkua me
Perandorinë Bizantine dhe kontrolli i Perandorit përfshiu
edhe territoret nën juridiksionin e Papës së Romës.
Nën sundimin e tij u krijua edhe një vikariat i dytë
në Justiniana Prima (Shkup), që mori nën juridiksion
provincat kishtare të Dardanisë dhe të Prevalit.
Epiri i Ri dhe Epiri i Vjetër vazhduan të varen nga vikariati
i Selanikut. Ndryshe nga bashkëpatrioti i tij nga Durrësi,
perandori Anastas, që u përpoq t’i shkëpuste
lidhjet e episkopatit të Ilirikut me Romën dhe ta vendoste
atë nën juridiksionin e Konstandinopojës, Justiniani
rikonfirmoi lidhjet e peshkopatave të Ilirikut me Papën
e Romës, duke u vënë fre ambicieve të Patriarkut
të Konstandinopojës për t’i shtënë
ato në dorë.
Ndryshimet politike që ndodhën në trevat shqiptare
dhe në krejt rajonin në shek. VI-X, u shoqëruan me
ndryshime të rëndësishme edhe në kuadrin e organizimit
kishtar. Në përfundim të dyndjeve të popujve,
një sërë qendrash peshkopate u rrënuan dhe nuk
përmenden më; të tilla qenë: Onkezmi, Skampa,
Amantia, ndërkohë që të tjera seli peshkopate
shfaqen për herë të parë: Cerniku, Deja, Kruja,
Himara, Devolli, Kolonja, Dibra etj.
Në kohën e sundimit bullgar (shek. IX-X), selia mitropolitane
e Nikopojës (Epiri i Vjetër) u zhvendos më në
jug, në Naupakt, ajo e Dardanisë nga Shkupi kaloi në
Ohër, kurse mitropolia e Prevalit nga Shkodra kaloi në
Tivar.
Por ngjarja më e madhe në kuadrin e organizimit kishtar
të trevave shqiptare ishte vendimi i vitit 732 i perandorit
bizantin ikonoklast, Leoni III, për t’i hequr peshkopatat
shqiptare nga varësia e Papës së Romës dhe për
t’i kaluar ato nën juridiksionin e Patriarkut të
Konstandinopojës. Tashmë një pjesë e mirë
e Italisë bashkë me Romën ndodhej nën sundimin
e frankëve, rivalë të rreptë të bizantinëve,
kështu që pushoi së vepruari edhe ndikimi i perandorit
bizantin mbi Papën e Romës.
Gjithsesi, edhe pas kësaj date vazhdoi ndikimi i Romës
në një varg dioqezash të Shqipërisë së
Epërme, në Preval e Dardani në mënyrë të
veçantë. Në këtë drejtim luajtën
rol lidhjet gjithnjë të gjalla ekonomike, tregtare e kulturore
midis dy brigjeve të Adriatikut (atë kohë Italia
e Jugut ishte gjithmonë provincë bizantine). Por një
rol të veçantë në ruajtjen e lidhjeve kishtare
me Romën luajtën manastiret e mëdha të urdhrit
të Shën Benediktit, që shfaqen në trevat shqiptare
që prej shek. VI dhe që vazhduan të mbijetojnë
përgjatë gjithë mesjetës.
Dyndjet e popujve, ngulimet sllave në Ballkan
Nën sundimin e Dioklecianit e më tej të Konstandinit,
Perandoria Romake iu përshtat një organizimi të ri
administrativ. Njësia më e madhe administrative u bë
prefektura, që përmbante disa dioqeza, të cilat nga
ana e tyre ishin të ndara në një numër edhe
më të madh provincash. Prefektura e Ilirikut (praefectura
praetorio per Illyricum), përfshinte dioqezat e Dakisë
e të Maqedonisë.
Në këtë të fundit bënin pjesë pronvincat
e Prevalit, Dardanisë, Epirit të Vjetër dhe Epirit
të Ri, që përfaqësonin hapësirën gjeografike
të banuar nga pasardhësit e ilirëve, shqiptarët,
përgjatë gjithë mesjetës e deri në kohët
e reja. Funksionari më i lartë i prefekturës së
Ilirikut, prefekti i pretorit për Ilirikun, e kishte selinë
e vet në Selanik. Po këtu ndodhej edhe selia e kryetarit
të kishës së kësaj prefekture.
Ndonëse nuk ndodhej në kushtet e dëshpëruara
ku e kishte zhytur kriza e thellë ekonomike, shoqërore
e politike pjesën perëndimore të Perandorisë
Romake, edhe Perandoria Romake e Lindjes po i vuante pasojat e krizës
së kapërcimit të dy epokave. Brishtësia e strukturave
të saj shtetërore e ushtarake doli në pah gjatë
ballafaqimit me dyndjet e popujve gjatë shek. IV-VII.
Megjithëse nuk përkonin me drejtimin kryesor të dyndjes
së popujve, trevat shqiptare nuk mbetën tërësisht
jashtë tyre. Inkursionet e gotëve, gotëve të
lindjes (ostrogotëve) dhe atyre të perëndimit (vizigotëve)
aty nga fundi i shek. IV prekën edhe trevat iliro-shqiptare.
Popujt që u dyndën dhe invaduan Ballkanin shkaktuan dëme
e rrënime të mëdha në të cilat u futën.
Për periudhën e “dyndjes së popujve”
burimet e shkruara janë mjaft të rralla dhe përbëhen
nga kronikat bizantine. Historianët që janë marrë
me këtë periudhë e kanë shpeshherë të
vështirë t’i akordojnë këto burime midis
tyre. Edhe materiali tjetër burimor, arkeologjik është
i pamjaftueshëm.
Sipas burimeve tashmë të njohura vizigotët, pas betejës
së Adrianopojës të vitit 378, arritën deri në
brigjet e Adriatikut. Në marrëveshje me perandorin Theodhosi
I, e me kusht që të kryenin shërbimin ushtarak, ata
u lejuan të vendoseshin në pjesën veriore e perëndimore
të Gadishullit Ballkanik, dhe ndërprenë për
një kohë sulmet e tyre. Dyndjet e “barbarëve”
vazhduan edhe pas ndarjes së Perandorisë Romake në
dy pjesë të veçanta, në atë të lindjes
dhe në atë të perëndimit (395).
Të dyja pjesët e perandorisë u detyruan për
një kohë të gjatë t’u bënin ballë
sulmeve e invazionit të “barbarëve”. Për
pjesën lindore të Perandorisë, atë Bizantine,
një rrezik të madh përbënin asokohe gotët
e perëndimit që ishin vendosur në Gadishullin Ballkanik.
Prijësat e tyre kishin arritur të zinin poste të
larta si komandantë të besëlidhur - foederati, sikurse
u quajtën “barbarët”. Këta të fundit
ishin të pakënaqur nga marrëdhëniet me perandorinë.
I pari u ngrit Alariku, prijësi i vizigotëve, me pretekstin
se nuk u ishin paguar rrogat e premtuara si të besëlidhur.
Me forcat e Alarikut u bashkuan edhe gotë të tjerë
të vendosur në krahina të ndryshme të Ballkanit;
kryengritësit filluan plaçkitjen e Greqisë dhe
të trevave iliro-shqiptare. Perandoria Bizantine mundi të
dalë nga kjo gjendje, pas paqes që bëri me Alarikun
në vitin 398, duke lejuar vendosjen e ushtrive gote në
krahinat jugperëndimore të Gadishullit si të besëlidhur
dhe duke e emëruar prijësin e tyre si kryekomandant të
ushtrive bizantine në Ilirik. Pas 10 vjetëve Alariku me
vizigotët u largua për në Itali, ku në vitin
410 pushtoi Romën.
Sulmet e gotëve shkaktuan një rënie të mëtejshme
të ekonomisë fshatare e qytetare, shkretimin e shumë
krahinave. Ja si e ka përshkruar gjendjen Hieronimi nga Stridoni
i Dalmacisë: “Më vjen të rrënqethët
kur mendoj të tregoj shkatërrimet në kohën tonë,
ka më tepër se 12 vjet që gjaku shkon rrëke.
Gotët, sarmatët, alanët, markomanët shkretojnë,
shkatërrojnë dhe plaçkitin Trakinë, Maqedoninë,
Thesalinë, Dakinë, Akajen, Epirin dhe gjithë Panoninë.
Kudo dhunë, kudo psherëtima, kudo fytyra e tmerrshme e
vdekjes; për këtë dëshmitare është
Iliria, dëshmitare është Trakia, dëshmitar është
edhe vendi ku kam lerë, ku çdo gjë u shkatërrua,
përveç qiellit e tokës, ferrave dhe pyjeve të
dendura”.
Afërsisht, në mesin e shek. V Gadishullin Ballkanik e
sulmuan hunët të komanduar nga Atila, duke shfrytëzuar
rastin që ushtria bizantine ishte e zënë në
luftë me vandalët. Brenda pak vjetëve ai pushtoi
e grabiti shumë qytete të trevave iliro-shqiptare, në
mënyrë të veçantë, Dardaninë. Burimet
bashkëkohëse e përshkruajnë Dardaninë si
një vend të shkretuar. Me vdekjen e Atilës federata
hune u prish dhe kështu pushuan sulmet e tyre kundër Perandorisë
Bizantine.
Në vitin 479, trevat iliro-shqiptare të përfshira
në provincën e Epirit të Ri, u goditën nga sulmi
më i rëndë i ostrogotëve të udhëhequr
nga Teodoriku. Ostrogotët, rreth 50 mijë veta, ndër
të cilët 10 mijë luftëtarë, u lëshuan
nga vendbanimet e tyre provizore në Traki dhe nëpërmjet
rrugës Egnatia depërtuan deri në viset bregdetare
pranë Durrësit. Vetë kjo qendër e rëndësishme
ra në duar të ostrogotëve. Perandoria Bizantine bëri
ç'qe e mundur për t'i larguar të porsaardhurit
nga ato treva, që ishin të një rëndësie
strategjike të jashtëzakonshme për perandorinë.
Në fakt ostrogotët shumë shpejt u detyruan të
tërhiqeshin prej andej.
Në periudhën midis viteve 500-517 hordhi hunësh të
nisura nga rrjedha e poshtme e Danubit, përshkuan viset ballkanike
deri në Epir e Thesali, duke shkretuar gjithë vendin.
Bregdeti i Shqipërisë vuajti në atë kohë
edhe nga sulme të ostrogotëve të organizuara nga
Italia, ku ky popull ishte vendosur qysh prej fundit të shek.
V.
Gjithsesi, pas kalimit të ostrogotëve në perëndim
(488), në pjesën lindore të Perandorisë intensiteti
i sulmeve të “barbarëve” u ul ndjeshëm.
Kjo gjendje qetësie relative do të zgjaste deri në
dhjetëvjeçarët e parë të shek.VI, kur
në kufijtë veriorë u shfaqën popuj të rinj:
bullgarët, avarët, antët, gepidët, e mbi të
gjitha sllavët. Inkursionet e tyre u intensifikuan qysh në
kohën e sundimit të perandorit Justinian. Rreth vitit
548 një turmë e madhe sllavësh plaçkiti e
shkretoi disa provinca, duke depërtuar deri në afërsi
të Durrësit. Komandantët ushtarakë të Justinianit
nuk guxuan t'i futnin trupat e tyre në luftim dhe u mjaftuan
t'i ndiqnin nga larg veprimet e sllavëve. Inkursionet sllave
u përsëritën thuajse rregullisht edhe në vitet
pasardhëse.
Me qëllim që të frenonte zbritjet e “barbarëve”
nga kufijtë veriorë, perandori Justinian me origjinë
nga Taurisium i Dardanisë, më i madhi i perandorëve
të periudhës së hershme bizantine, i kushtoi vëmendje
ngritjes së një sistemi fortifikatash në disa breza,
që fillonte nga vija kufitare e Danubit, në veri, dhe
zhvillohej valë-valë duke zbritur në drejtim të
jugut. Sipas Prokopit të Cezaresë, historian i oborrit
të Justinianit, vetëm në atdheun e tij, në Dardani,
perandori bizantin meremetoi 61 kështjella dhe ndërtoi
nga themelet 8 kështjella të tjera. Një ndër
këto kështjella, e quajtur për nder të tij Justiniana
Prima (Shkupi), u ngrit në vendlindjen e perandorit, Taurisium.
Numri i kështjellave të ndërtuara në të
katër provincat e Ilirisë së Jugut arriti në
168.
Por këto masa mundën t'i frenojnë vetëm përkohësisht
sulmet e popujve “barbarë”. Këto u bënë
edhe më kërcënuese, kur me sllavët u bashkuan
edhe avarët, një popull luftarak nomad. Pas vdekjes së
Justinianit (565), hordhitë sllave shpeshherë së
bashku me avarët ose të prira prej tyre, u lëshuan
në drejtim të jugut. Rrugët e rrahura prej tyre zbrisnin
nga rrjedha e Danubit në drejtim të jugut e juglindjes,
ku synonin të godisnin qendra të tilla, si Selanikun,
Adrianopojën e vetë Konstandinopojën. Më 586
Selaniku u rrethua nga sllavët, të cilët e vazhduan
marshimin e tyre në jug, deri në Peloponez.
Por sulmi më i fuqishëm avaro-sllav në Ilirik qe
ai i vitit 609. Hordhitë sllave shkretuan vise të tëra
në Maqedoni, Thesali, Beoci e deri në Peloponez, prej
nga arritën me anije edhe në ishujt e Egjeut e deri në
Azinë e Vogël. Nga kjo valë u prekën edhe provincat
e Dardanisë e të Epirit të Vjetër. Atë
kohë Selaniku pësoi rrethimin më të gjatë
të tij. Në qytet erdhën dhe u strehuan edhe të
ikur nga viset më veriore, ndër të cilët edhe
nga Nishi.
Megjithëse drejtimi kryesor i dyndjeve avaro-sllave ishin viset
jugore të Ballkanit dhe qendrat e mëdha si Selaniku e
vetë Konstandinopoja, inkursionet shkatërruese nuk kursyen
edhe brezin perëndimor të trevave iliro-shqiptare. Në
radhë të parë prej tyre vuajtën viset dalmatine
dhe provinca e Prevalit. Në vitin 592 një pararojë
avaro-sllave arriti të shtyhej deri në qytetin e Lezhës.
Disa vjet më vonë prej sllavëve u pushtua dhe u shkretua
përfundimisht Salona. Banorët e qytetit dalmatin gjetën
shpëtim në ishujt pranë e në Split. Në
provincën e Prevalit, u rrënua qyteti i Dioklesë,
banorët e të cilit kaluan në Tivar. Qendrat e tjera,
si Budua, Ulqini, Shkodra, Lezha, rezistuan dhe patën vazhdimësi
jete edhe në shekujt e ardhshëm.
Ndryshe nga popujt e tjerë, dyndjet e sllavëve në
Ballkan u shoqëruan me një dukuri të re, atë
të ngulimeve. Në vendet e shkelura prej tyre, sllavët
u ngulën duke formuar të ashtuquajturat "Sklavini"
(vende të sllavëve). Në fund të shek.VI e fillim
të shek. VII, Sklavini të tilla ishin formuar në
Maqedoni, Traki, Thesali, Beoti e, në një numër mjaft
të madh, në Peloponez. Prej Maqedonie, grupe të veçanta
sllavësh arritën të depërtojnë dhe të
vendosen në lartësitë përgjatë luginës
së lumit Devoll e Osum, por pa formuar bashkësi kompakte.
Në bregdetin dalmat, duke filluar nga gryka e Kotorrit e sipër,
u vendosën tributë sllave të trebinjëve, kanavlitëve,
zaklumëve, narentanëve. Konstandin Porfirogjeneti, perandor
e historian bizantin i shek. X, i numëron këto bashkësi
si fise sllave. Por diokleasit, që banonin më poshtë
grykës së Kotorrit, ai nuk i përfshin ndër popujt
sllavë. Në fillim të shek.VII, perandor Herakli lejoi
vendosjen e dy fiseve të mëdha sllave, të kroatëve
dhe të serbëve. Këta të fundit zunë vendet
e përshkuara nga lumenjtë Lim e Drina e sipërme bashkë
me Pivën e Tarën, luginën e Ibrit dhe rrjedhën
e sipërme të Moravës perëndimore. Në jug
dhe në perëndim serbët kufizoheshin me diokletë
si dhe me trebinjët e zaklumët sllavë, që ndonjëherë
njësohen me serbët. Bërthamën e vendeve serbe
e përbënte krahina e Rashës, që e merrte emrin
nga kështjella me të njëjtin emër, në veri
të Novi-Pazarit të sotëm. Në jug vendet e serbëve
arrinin deri në burimet e lumit Lim.
Në përfundim të dyndjeve të popujve gjatë
shek. IV-VI e sidomos të kolonizimit sllav të shek. VI-VII,
përbërja etnike e trevave ballkanike, pësoi modifikime
të ndjeshme. Në viset danubiane, në ato të Istries,
të Dalmacisë e të rajoneve të brendshme u vendosën
në mënyrë mjaft intensive popullsitë e reja
sllave: trebinjatët, kanavlitët, paganët, serbët,
kroatët. Masa sllavësh u vendosën në zonën
e Nishit dhe përgjatë luginës së Vardarit, e
deri në Selanik. Prej këndej, grupe të veçuara
depërtuan nëpër luginat e Devollit e Vjosës,
duke zënë kryesisht lartësitë përgjatë
tyre. Ngulime sllave pati edhe në malësitë midis
Thesalisë dhe Epirit (malet e Pindit). Vendosje masive të
bashkësive sllave pati në Traki e Greqi, veçanërisht
në Gadishullin e Peloponezit. Historiani bizantin i shek. X,
Konstandin Porfirogjeneti, thotë se në atë kohë
Peloponezi "ishte sllavizuar plotësisht". Gjithsesi,
burimet historike, të dhënat arkeologjike e ato gjuhësore,
i kanë shtyrë studiuesit të dalin në përfundimin
se brezi perëndimor i Ballkanit që përfshihej në
provincat diokleciane të Prevalit, Epirit të Ri dhe të
Epirit të Vjetër, me një shtyrje ku më shumë
e ku më pak të thellë drejt brendësisë,
është ndër rajonet më pak të prekur nga
kolonizimi sllav. Përkundrazi, popullsia e hershme autoktone
iliro-shqiptare u përforcua në këtë gjerësi
gjeografike me grupe të tjera iliro-shqiptare të ardhura
nga viset e brendshme, ku invazioni sllav kishte qenë masiv.
Një zhvendosje e tillë e popullsisë autoktone iliro-shqiptare
drejt zonave më të sigurta jugore dëshmohet pas rënies
së Nishit, të Dardanisë e të Salonës në
bregdetin dalmat pas vitit 612.
Gjithsesi, burimet historike të mesjetës së hershme,
ndërsa flasin për krijimin e zonave kompakte të sllavizuara
(sklavini) në viset fqinje të Dalmacisë, Rashës,
Maqedonisë, Peloponezit etj., nuk përmendin ekzistencën
e të tillave në katër provincat e Ilirikut Perëndimor.
Mbijetesa, historikisht e dokumentuar, në këto treva të
qyteteve antike, e qendrave dhe e strukturave kishtare, si dhe prania
ndonëse e dobësuar e pushtetit bizantin flasin përgjithësisht
për ekzistencën këtu të kushteve pak a shumë
normale të jetës në shekujt e errët të
mesjetës.
Grupet e izoluara sllave që kishin arritur të depërtonin
drejt luginave të Devollit e Osumit, nuk arritën të
organizoheshin në bashkësi kompakte. Për më
tepër, duke filluar me Justinianin II, me qëllim që
të siguronte ndërlidhjet jetike me bregdetin adriatik
në boshtin e rrugës Egnatia, Perandoria Bizantine shpërnguli
popullsi të tëra sllave nga viset që ishin në
rrezen e saj duke i çuar në Azinë e Vogël.
Fuqizimi i shtetit bullgar, sidomos gjatë sundimit të
carëve Simeon e Samuel, në shek. IX - X, u shoqërua
me depërtime grupesh sllave, përkatësisht bullgare,
që u vendosën kryesisht në vendet e prekura që
më parë nga kolonizimi sllav. Por, me rënien e Perandorisë
Bullgare dhe me rivendosjen e pushtetit bizantin në këto
treva, bashkësi të tëra sllave u shpërngulën
nga perandorët bizantinë dhe u vendosën në Traki
e në Azinë e Vogël. Kjo vlen në radhë të
parë për zona me rëndësi strategjike, siç
qe Shqipëria. Grupe të tjera, në marrëdhënie
me popullsinë vendase erdhën vazhdimisht duke u tretur
e duke u asimiluar.
Përvijimi i hapësirës shqiptare në mesjetë
Që në shek. VII-VIII situata etnike në Ballkan u
stabilizua dhe nuk përmenden më dyndje popujsh. Kjo gjendje
etnike e shekujve të hershëm të mesjetës, në
atë që u konstitua si atdheu mesjetar i shqiptarëve
(Albania-Arbëria), mbeti në thelb e pandryshuar edhe në
shekujt e mëvonshëm, kur nuk ka njoftime për dyndje
të reja popujsh, nëse përjashtohen në shek.
VIII-IX inkursionet episodike në brigjet shqiptare të
arabëve të Sicilisë, të cilët gjithsesi
nuk u vendosën në këto anë. Kronikat e vjetra
serbe që përshkruajnë ekspansionin e shtetit serb
të Rashës në Kosovë e në Diokle (Gentë)
në shek. XII, bëjnë të njohur se serbët
gjetën në ato treva një popullsi që ato e quajnë
të huaj (barbare), ndërkohë që burime të
tjera qoftë serbe, raguzane ose perëndimore, flasin në
mënyrë më eksplicite për shqiptarë (Arbanasi,
Arbanenses) në ato treva. Karvanet e tregtarëve që
në shek. XIII-XV niseshin nga Raguza (Dubrovniku) e nëpërmjet
Breskovës e Rudnikut (Sanxhak) mbërrinin në Trepçë
e në Novobërdë, kalonin nëpër vende të
banuara nga shqiptarë e ku flitej gjuha shqipe (lingua albanesca).
Shtrirja në këto treva e shtetit serb të Stefan Nemanjës,
në çerekun e fundit të shek. XII, solli aty elementë
sllavë, që erdhën dhe iu shtuan grupeve të tjera
sllave të kohëve të kolonizimit të parë
sllav (shek. VI-VII). Në Diokle, krahas popullsive shqiptare
edhe atyre sllave, në disa nga qytetet e bregdetit mbijetonin
edhe grupe të vogla popullsish të romanizuara, të
përmendura edhe nga historiani-perandor Konstandin Porfirogjeneti
(shek. X). Për rrjedhojë, në shek. XIV Dioklea-Genta
(Zeta), veçanërisht ana e sipërme e saj, u shfaqej
të huajve si një vend "me popuj e fe të ndryshme".
Gjithsesi, gjatë gjithë mesjetës krahina e bashkësi
të tëra, si Kuçi, Markajt (Markoviçët),
Pastroviçët, Piprët, Gjurashët (Cërnojeviçët)
etj., njihen si shqiptare.
Marrëdhëniet e diokleasve me popullsitë tashmë
sllave në veri të tyre, me trivunët dhe kanalitët,
u shprehën edhe në ndikime politike të ndërsjella.
Kështu, aty nga mesi i shek. XI Dioklea kishte një sundimtar,
Stefan Vojisllavin, që pas çdo gjase ishte sllav. Në
fakt, historiani bashkëkohës bizantin, Kekaumenos, e cilëson
atë “trivunas serb”, duke dëshmuar faktin
se ai ishte i huaj në Diokle.
Në drejtim të jugut popullsitë shqiptare shtriheshin
në Epirin e Vjetër (tema e Nikopojës). Kjo trevë
i përjetoi më butë tronditjet etnike të fillimeve
të mesjetës. Burimet vërtet të rralla greko-bizantine
të shek. VII-XII vazhdojnë traditën e kohëve
antike, duke i cilësuar banorët e Epirit si "ilirë"
ose "barbarofonë", pra, që flasin gjuhë
të huaj. Nga ai moment edhe këtu filloi të përdoret
termi "arbëreshë" (arbanenses, arbanitai) me
të cilin tashmë thirreshin pasardhësit e ilirëve
të lashtë. Burime bizantine të shek XIV, si "Panegjiriku
i Manuel Paleologut" apo historiani Joan Kantakuzeni, ndërsa
e cilësojnë si shqiptare popullsinë e Epirit, nuk
mungojnë të saktësojnë se shqiptarët epiriotë
të kohëve të tyre janë pasardhësit e fiseve
të dikurshme të tesprotëve, kaonëve e molosëve.
Trevat e Epirit ishin ato nga ku më së shumti e pati prejardhjen
vala e madhe e shtegtimeve shqiptare e shek. XIV-XV drejt Greqisë.
Megjithatë, edhe pas kësaj hemorragjie të madhe,
regjistrimet osmane të shek. XV-XVI konfirmojnë praninë
e një popullsie të madhe e kompakte shqiptare në
gjithë shtrirjen e Epirit.
Në kuadrin e trevave shqiptare, Arbri (Arbanon-Arbanum-Raban)
zinte në mesjetë një vend të veçantë.
I vendosur në qendër të tyre, në hapësirën
e përfshirë mes Lezhës-Dibrës-Ohrit-Vlorës,
dhe i përshkruar mes për mes nga boshti i rrugës
strategjike Egnatia, Arbri u bë bërthama e trojeve shqiptare
në të cilën në mënyrë më konsekuente
e intensive u zhvilluan proceset ekonomike, politike, kulturore
e psikologjike, që plazmuan qenien historike të kombit
shqiptar. Me të drejtë, studiues si M. Shuflai, K. Jireçek,
G. Prinzig, M. Angold, e kanë vlerësuar këtë
territor si "bërthamën e trojeve shqiptare".
Emri i vendit, Arbër, dhe i banorëve të tij, arbëreshë,
trashëgohej nga kohët antike. Në fakt, në shek.
II të erës sonë, gjeografi aleksandrin Ptolemeu,
njoftonte praninë në këto territore të një
fisi me emrin albanoi dhe të kryeqendrës së tyre,
Albanopolis. Këta etnonimë iu trashëguan vendit dhe
banorëve të tij edhe në mesjetë. Dhe falë
rolit qendror që Arbri dhe arbrit luajtën në fatet
historike të universit shqiptar, këta emra etnikë
u shtrinë dora-dorës edhe në viset e tjera në
veri, në jug e në lindje të tyre, ku banonte e njëjta
popullsi.
Tashmë në shek. XIII, Shqipëri (Albania) dhe shqiptarë
(Albanenses) quheshin trevat dhe popullsitë nga kufijtë
e Dioklesë (Gentës) e deri në gjirin e Prevezës.
Udhëtarët e huaj dallojnë në të gjithë
këtë shtrirje një popullsi me tipare etno-kulturore
unitare.
Shqiptarët e hershëm dhe “Kultura e Komanit”
Në vitin 1898 u ra në gjurmë të një varreze
të madhe, pranë Kalasë së Dalmaces, në
fshatin Koman të Pukës. Në vazhdim u zbulua një
numër i madh varrezash të ngjashme, rreth 30, të
përhapura kryesisht në Shqipërinë e Veriut e
në atë të Mesme. Shpërndarja gjeografike, tipologjia,
inventari dhe kronologjia e njëjtë e këtyre varrezave
i ka shtyrë studiuesit të identifikojnë në to
kulturën e hershme mesjetare shqiptare, të quajtur "Kultura
e Komanit" (shek. VI-VIII). Në vitet e fundit zbulime
të "Kulturës së Komanit" janë bërë
edhe në Shqipërinë e Jugut si dhe përtej kufijve
shtetërorë, në Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni
e në Greqi.
"Kultura e Komanit" është kultura e një
populli që në shek. VI-VIII ishte në kapërcyell
të dy epokave, nga ajo e vonë antike, në periudhën
e hershme mesjetare. Tipologjia e varreve, orientimi i tyre, inventari
i armëve, i veglave të punës dhe i stolive, me praninë
e elementëve të shumtë të simbolikës ilire,
e lidhin "Kulturën e Komanit" me të kaluarën
ilire të këtyre trojeve dhe me banorët e lashtë
të tyre, ilirët.
Por, përveç elementëve të vazhdimësisë
ilire, "Kultura e Komanit" përmban edhe elementë
të rinj, që lidhen me periudhën e hershme bizantine.
Durrësi, baza më e rëndësishme e Perandorisë
Bizantine në perëndim, ishte qendra nga ku në thellësi
të trevave shqiptare mbërrinin importet dhe, në përgjithësi,
ndikimet bizantine. Këto të fundit shquhen qartë
në disa grupe stolish, si tokëza rripi, brosha të
praruara, vathë etj. Por, mbi të gjitha, ndikimi bizantin
materializohet në elementë të artit, pra dhe të
besimit kristian. Të tillë janë vathët me motive
palloi, skena të Eukarestisë ose unaza me formula e lutje
të krishtera.
Ndërkohë që në shumë nga stolitë e
gjetura në varrezat e "Kulturës së Komanit"
dallohet qartë mbijetesa e motiveve pagane (p.sh. disku diellor),
prania edhe e motiveve kristiane dëshmon se bartësit e
"Kulturës së Komanit" kishin përqafuar,
ose ishin duke përqafuar, besimin e krishterë. Në
këtë kohë, pra në shek. VI-VIII, krishterimi,
i përhapur nga qendrat urbane, si Durrësi, Shkodra, Ohri
etj., kishte mundur të depërtonte edhe në zonat e
brendshme rurale, ku dëshmohet "Kultura e Komanit".
"Kultura e Komanit", qoftë në trashëgiminë
e saj të kulturës së lashtë ilire, qoftë
me elementet e reja të periudhës së hershme bizantine
e, në fund, me shenjat e qarta të besimit të krishterë,
është specifike për hapësirën ku dëshmohen
shqiptarët në mesjetë. Ajo i dallon në mënyrë
të qartë, bartësit e saj, shqiptarët, nga fqinjët
e tyre të rinj e të vjetër, sllavët e grekët.
2. RURALIZIMI I JETËS NË MESJETËN E HERSHME
Kushtet natyrore
Tabloja mjaft e larmishme e kushteve natyrore përcaktoi në
një shkallë të madhe ndarjen e trevave shqiptare
në disa rajone bujqësore me drejtime e karakteristika
të ndryshme të prodhimit.
Dallohej pa dyshim në këtë drejtim ajo që historiania
bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, e quan "fusha ilirike"
dhe që njësohej me ultësirën perëndimore
shqiptare, ku ndodheshin rajonet bujqësore dhe qytetet ndër
më të begatat e Shqipërisë mesjetare. Këto
vise ofronin kushte të përshtatshme për zhvillimin
e një bujqësie intensive dhe për zbatimin e një
agroteknike të përparuar. I tillë ishte rajoni i
Shkodrës, ai i Durrësit (fusha e Skurrisë etj.),
zona e Karavastasë si pjesë e fushës së Myzeqesë
(Myzakia=vendi i Muzakëve) dhe treva tejet e begatë e
Vagenetisë (Çamërisë) në skajin jugor.
I gjithë ky rajon karakterizohej nga një pjellori relativisht
e lartë e tokës dhe që deri në shek. XIV nuk
ishte prekur ende nga dukuria e moçalizimit, që erdhi
si rezultat i shpyllëzimeve masive dhe i braktisjes së
tokave në prag të pushtimit osman. Drithërat (gruri,
elbi, meli) përbënin produktin kryesor të këtyre
zonave. Por po aq të dëgjuara ishin prodhimet e kopshtarisë,
vreshtarisë e të blegtorisë. Kultura e ullirit kishte
përhapje mjaft të gjerë, duke u shtrirë në
veri deri në rrethinat e Ulqinit, të Shkodrës e të
Drishtit, ndërsa kultura e mëndafshit (serikultura) qe
e përqendruar në zonën e Shkodrës, Vlorës,
Beratit e të Këlcyrës.
Në të gjithë ultësirën perëndimore
shqiptare, ku dikur kishin lulëzuar latifondet e mëdha,
edhe në kushtet e reja prona e madhe tokësore vazhdoi
të ekzistonte në zotërim të personave laikë
apo të institucioneve fetare. Këto të fundit dalin
që herët si grumbulluese fondesh të mëdha tokësore.
Që në shek. VI bëhet fjalë për prona të
mëdha të kishës (patrimonia) në zonën e
Shkodrës (të Prevalitanisë). Një pjesë
e mirë e këtyre, bashkë me toka të tjera, figurojnë
më vonë si pronë e manastireve të mëdha,
katolike e ortodokse, të atij rajoni. Njëlloj të
pasura me toka ishin edhe manastiret dhe peshkopatat e zonës
së Durrësit, ato të Beratit apo të Vagenetisë
në jug.
Njëkohësisht me institucionet fetare, fonde të mëdha
tokash figurojnë në pronësi të personave laikë,
që i përkisnin aristokracisë vendase por që,
në ndonjë rast, ishin edhe fisnikë të huaj.
Prania e këtyre të fundit, dhe në përgjithësi
kontaktet që bregdeti i Adriatikut dhe ai i Jonit patën
me Italinë, bënë që marrëdhëniet agrare
të ndikoheshin aty nga modeli perëndimor i feudalizmit.
Në dokumentet e shek. XIII-XV, që kanë të bëjnë
me këto treva, ndeshet vazhdimisht një terminologji që
flet për praninë aty të institucioneve feudale, tipike
perëndimore, siç qe feudi (feudum), vasaliteti (vassallagium),
betimi (juramentum), mbrojtja feudale (protectio), imuniteti (immunitas)
etj.
Rajone të zhvilluara dhe dendësisht të banuara qenë
edhe ato të rrafshnaltave ose luginave të brendshme të
Kosovës, Dibrës, Ohrit, Korçës, Devollit,
Matit, Këlcyrës, Drinit etj. Këto përshkoheshin
nga një rrjetë e dendur rrugësh komunikimi dhe nuk
përbënin kurrsesi enklava të izoluara. Edhe këtu,
ashtu si në ultësirën bregdetare perëndimore,
procesi i përqendrimit të tokave në pak duar ndodhi
shpejt dhe pjesa më e madhe e fondit tokësor ndahej mes
një grupi pronarësh të mëdhenj ose institucioneve
fetare. Këto treva qenë në Shqipëri trevat ku
gjeti përhapjen klasike feudalizmi i tipit bizantin, i mishëruar
në institucionin e pronies.
Së fundi, rajoni i tretë ishte ai i malësive dhe
i zonave të thella, që zinte një pjesë të
mirë të territorit. Këtu peshën kryesore në
veprimtarinë ekonomike e zinte blegtoria, kurse kultivimi i
arave kufizohej në lugina e në ngastra të ngushta
të hapura me mund në sipërfaqet e pjerrëta apo
në pyjet. Karakteristikë e këtyre zonave ishte mobiliteti
(lëvizshmëria) periodike e një pjese të popullsisë
të lidhur kryekëput me ekonominë blegtorale dhe që
përcaktohej nga ndërrimi i kullotave, nga mali në
verë, në fushat bregdetare gjatë stinës së
dimrit (tranzumanca). Ndonëse banesa e qëndrueshme e blegtorëve
ndodhej në katundin malor, ndodhte shpesh që, gjatë
shtegtimit me bagëtitë e tyre drejt fushave bregdetare,
në dimër, ata të merrnin me vete edhe familjet, me
të cilat sistemoheshin përkohësisht në kasolle
të ngritura kryesisht me dru e kashtë. Jo rrallë
kjo popullsi blegtorale, e vendosur përkohësisht gjatë
muajve të dimrit në zonat fushore bregdetare, ngulej aty
në mënyrë të qëndrueshme, duke sjellë
ndryshime të rëndësishme në strukturën
dhe shpërndarjen e popullsisë. Nga ana tjetër, me
zhvendosjet e saj të pandërprera nga fusha në mal
e anasjelltas, kjo popullsi blegtore bëhej një faktor
ndërlidhës midis sektorëve të ndryshëm
të popullsisë shqiptare duke kontribuar në homogjenizimin
e saj. Kështu, norma, doke dhe institucione të kahershme
shqiptare, të ruajtura në malësi në format e
tyre të pastra, me kohë zbritën dhe depërtuan
edhe në shoqërinë shqiptare të zonave fushore
bregdetare dhe të qyteteve, ndërkohë që praktika
dhe institucione të shoqërisë "së qytetëruar"
arritën deri në viset më të largëta malore,
duke ndikuar në zhvillimet ekonomike, shoqërore, politike
e kulturore të tyre.
Marrëdhëniet e pronës në fshatin shqiptar
në shek. VIII-X.
Bashkësia fshatare dhe ngastrat ushtarake
Kalimi në periudhën e mesjetës edhe në Shqipëri
e zhvendosi qendrën e gravitetit ekonomik në fshat, ku
qe përqendruar edhe masa dërrmuese e popullsisë.
Funksioni ekonomik i qyteteve u rrudh dhe këto, duke përjashtuar
Durrësin edhe ndonjë tjetër, përgjithësisht
mbijetuan si qendra administrativo-ushtarake e peshkopale. Disa
syresh, si Skampa, Apolonia, Bylis, Amantia, Onkezmi, Euroia etj.,
pushuan së ekzistuari si qendra të banuara që në
të dalë të periudhës antike.
Qeliza jetësore e shoqërisë shqiptare u bë bashkësia
fshatare, një grupim njerëzish i organizuar mbi bazën
e një territori të përbashkët dhe të interesave
të përbashkët. Lidhjet e gjakut te bashkësia
fshatare ruajnë deri diku rëndësinë e tyre,
por ato nuk janë më kryesore, si dikur në bashkësinë
fisnore. Organizimi në bashkësi e kapërcente në
ndonjë rast kuadrin e një vendbanimi fshatar, duke përfshirë
disa të tilla. Kështu lindën bashkimet krahinore,
që u njohën si të tilla edhe në kuadrin e organizimit
administrativ e kishtar bizantin. Duke filluar nga shek. VIII, të
tilla në trevat shqiptare përmënden: Kunavia, Stefaniaka,
Pulti, Devolli, Kolonja, Himara, Vagenetia.
Organizimi dhe funksionimi i bashkësive fshatare në Perandorinë
Bizantine në fazën e hershme (shek. VII-VIII) pasqyrohet
në një dokument juridik të kohës, në të
ashtuquajturin "Ligji bujqësor" (nomos georgikos).
Ligji në fjalë kishte vlerë për të gjitha
territoret ballkanike të Perandorisë Bizantine dhe, në
këtë kuadër, edhe për trojet shqiptare. Mjaft
norma dhe institucione, që gjejnë pasqyrim në "Ligjin
bujqësor", u futën në të drejtën dokesore
dhe si të tilla mbijetuan deri në kohët e reja në
fshatin shqiptar.
Është e qartë që "Ligji bujqësor"
pasqyron gjendjen e bashkësive fshatare në fazën
e shpërbërjes, kur prona private po karakterizonte gjithnjë
e më shumë marrëdhëniet e pronës.
Fshatarët, të cilët jo rastësisht quhen aty
"zot" (kyrios), kishin tokën e tyre arë, vreshtat,
kopshtet, që, së bashku me shtëpinë dhe me bagëtitë,
përbënin pasurinë kryesore vetjake të familjes
fshatare. Mullinjtë, dhe shpeshherë edhe pyjet, ishin
pronë e individëve të veçantë. Si pronë
vetjake, arat, vreshtat, kopshtet, bagëtia etj., mund të
trashëgoheshin, të shkëmbeheshin, të ndaheshin,
të jepeshin me qira, të liheshin peng, madje më vonë
edhe të shiteshin, veç brendapërbrenda bashkësisë.
Pra, siç shihet, që në kohën e "Ligjit
bujqësor" ekzistonin premisat ligjore për polarizimin
shoqëror në gjirin e bashkësisë, nëpërmjet
grumbullimit të mjeteve e pasurive në pak duar.
Dhunimi çfarëdo i pronës individuale ndëshkohej
me masa që shkonin nga zhdëmtimi e deri në dënime
të ashpra trupore, si me rrahje, damkosje me hekur të
nxehtë, me verbim apo me prerjen e dorës. S'ka dyshim
që ndëshkime të tilla të vrazhda pasqyrojnë
ndikimin që ushtroi mbi të drejtën bizantine e drejta
dokesore e popujve barbarë, që erdhën e u vendosën
në territorin bizantin në shek. V-VII.
Me gjithë konsolidimin e pronës individuale, dispozitat
e "Ligjit bujqësor" tregojnë se, në kohën
e veprimit të tij, pronësia e përbashkët nuk
ishte zhdukur përfundimisht. Kullotat, pyjet, ujërat,
tokat djerrë, vazhdonin të ishin pronë e bashkësisë
dhe të administroheshin nga kjo. Bashkësia kishte një
fond tokash të lira e të papunuara, që herë
pas here ua ndante sipas nevojave anëtarëve të bashkësisë
duke zbatuar sistemin e shortit (kleros). Një mbeturinë
e kohëve, kur tokat ishin pasuri e përbashkët, ishte
edhe sistemi i "arave të hapura", sipas të cilit,
me përfundimin e korrjeve, bagëtitë mund të
kullosnin lirisht në ngastrat e njërit apo tjetrit. Po
ashtu, arat e braktisura, pas një afati të caktuar, i
ktheheshin përsëri bashkësisë. Kjo mund t`i
përdorte për të kompensuar anëtarët e bashkësisë
që kishin nevojë për ngastra të reja shtesë
ose që dëshironin të ndërronin tokën e
mëparshme. Bashkësia, gjithashtu, kujdesej për veprimtari
me interes të përbashkët, për shfrytëzimin
e ujrave, për pajtimin e barinjve që kullotnin tufat e
fshatit dhe që i shoqëronin ato në shtegtimet nga
kullotat verore në ato dimërore, për pajtimin e mjeshtërve
zejtarë që kryenin punime për nevoja të bashkësisë
dhe të anëtarëve të veçantë të
saj.
Njësi bazë shoqërore e bashkësisë ishte
familja e madhe patriarkale, që bashkonte disa breza dhe që
drejtohej nga më plaku. Të parët e familjeve, pjesëtarë
të bashkësisë, formonin "këshillin e pleqve",
i cili trajtonte dhe zgjidhte në bazë të dokeve,
të gjitha problemet që kishin të bënin me marrëdhëniet
e brendshme të bashkësisë, si dhe me marrëdhëniet
e saj me bashkësitë fqinje dhe me pushtetin qendror.
Gjithsesi, bashkësia fshatare pasqyron periudhën e pasigurisë,
që karakterizoi kalimin nga koha e vjetër në kohën
e mesme, të shoqëruar me përmbysje të mëdha
ekonomike, shoqërore, etnike e kulturore. Duke u ofruar mbrojtje
dhe solidaritet antarëve të saj, bashkësia fshatare
përfaqësonte një zgjidhje të përshtatshme
për përballimin e kushteve të reja.
Por ajo, siç lënë të kuptohet edhe vetë
nenet e "Ligjit bujqësor", mbetej një formë
organizimi shoqëror kalimtare drejt shoqërisë feudale.
Farët e diferencimit shoqëror janë të dukshme
në të. Dokumente të shek. VIII-X provojnë se
në gjirin e bashkësive qe diferencuar shtresa e "të
fuqishmëve" (dynatoi) apo e "të mëdhenjve"
(megistanes). Inventari arkeologjik i varrezave të ndryshme
të gjetura në vendin tonë, dhe që i përkasin
kësaj periudhe të vënies në lëvizje të
procesit të feudalizimit, ofron nga ana e tij prova të
prekshme, materiale, të diferencimit shoqëror që
po përvijohej në shoqërinë shqiptare.
Krahas varreve me objekte të çmuara, si unaza floriri,
monedha e pajisje luftarake, gjenden më së shumti edhe
varre me inventar të varfër, ku qenë varrosur ata
që në "Ligjin bujqësor" quhen "të
skamurit" (aporoi). Këta punonin ngastrat e të tjerëve
dhe jepnin për këta të dhjetën e prodhimit ose
punonin si rrogtarë të thjeshtë (mistotë).
Përveç faktorëve të brendshëm, në
diferencimin shoqëror në gjirin e bashkësive ndikoi
dhe shteti. Duke e konsideruar bashkësinë një njësi
fiskale, përveçse njësi administrative, shteti
mblidhte prej tyre rregullisht detyrime, të cilat rëndonin
jo njëlloj mbi anëtarët e bashkësisë. Për
t`u shpëtuar tatimeve, të varfërit e gjenin shpesh
herë rrugëzgjidhjen në shitjen apo braktisjen e ngastrave
të tyre.
Megjithatë, një gjë e tillë nuk sillte zvogëlimin
e sasisë së rentës, që i jepej shtetit nga bashkësia,
sepse ky zbatonte sistemin e garancisë kolektive (alelengyon),
sipas të cilit bashkësia paguante edhe për ata anëtarë
që nuk qenë në gjendje të paguanin ose që
kishin braktisur ngastrat e tyre ose ua kishin shitur të tjerëve.
Në këtë rast të fundit, me qëllim që
të mos prishej homogjeniteti i bashkësisë, ligji
përcaktonte se të drejtën për blerjen e një
ngastre të një anëtari të bashkësisë
e kishte së pari fqinji i tij e pastaj një pjesëtar
çfarëdo i saj. Kjo normë, që synonte të
pengonte depërtimin e pronarëve të huaj në bashkësi,
quhej e drejta e parablerjes (protimesis).
Në kohën ku në Bizant sunduan perandorët e "dinastisë
maqedone", shek. IX-XI, njohën një përhapje
të gjerë të ashtuquajturat "ngastra ushtarake"
(stratiotika ktemata). Këto shteti bizantin ua shpërndante
bujqve me kusht që këta të kryenin shërbimin
ushtarak. Sistemi i "pronave ushtarake" njohu përhapje
të gjerë në kohën e riorganizimit politiko-administrativ
të Perandorisë Bizantine dhe të ndarjes së territorit
të saj në provinca ushtarake (tema). Sistemi i temave,
themeli ekonomik e shoqëror i të cilit ishte prona e vogël
e bujkut-ushtar (stratiotit), u bë shtylla kurrizore e shtetit
dhe e ushtrisë bizantine. Ndaj perandorët bizantinë
bënë të pamundurën për t`i ruajtur të
paprekura "ngastrat ushtarake" nga sulmi i pronarëve
të mëdhenj. Por nëse për një farë
kohë ata ia arritën këtij qëllimi, duke nxjerrë
edhe legjislacion të posaçëm në mbrojtje të
pronës së vogël, me kalimin e kohës u pa qartë
se procesi i gllabërimit të ngastrave të vogla ishte
i pandalshëm. Rrënimi i këtyre të fundit, qofshin
ato prona të stratiotëve apo të anëtarëve
të bashkësive fshatare, shkaktoi fillimin e një krize
të gjatë e të pandalshme ekonomike, financiare e
ushtarake që përfundoi në fund të fundit me
vetë shembjen e Perandorisë Bizantine.
3. ORGANIZIMI SHTETËROR DHE JETA POLITIKE
Regjimi i Temave në Shqipëri.
Tema e Durrësit
Ndonëse mbetej gjithnjë provincë bizantine, Shqipëria
i humbi lidhjet e drejtpërdrejta me Perandorinë pas dyndjes
e kolonizimit sllav në Ballkan. Strukturat shtetërore-administrative
nuk funksiononin më, ndërkohë që në qytete
apo jashtë tyre po zhvilloheshin struktura autonome të
qeverisjes. Në qendrat e mëdha, si p.sh. në Durrës,
fillon e bëhet fjalë për njerëz me ndikim e
pushtet, përfaqësues të aristokracisë vendase
(arkondët), të cilët luajnë rol gjithnjë
e më të dukshëm në zhvillimet politike të
vendit. Vetë pushteti bizantin, duke mos qenë në
gjendje të vendoste një kontroll të fortë në
provincat e tij të skajshme perëndimore, u detyrua të
zbatonte këtu forma specifike organizimi e marrëdhëniesh,
forma në të cilat elementët lokalë ishin shumë
të rëndësishëm. Shembull tipik të këtyre
marrëdhënieve të reja përbën në këtë
kohë Durrësi dhe treva e tij (Epiri i Ri). Në shek.
VII-VIII treva e Durrësit përfaqësonte një arkondat,
ku pushteti dhe autoriteti ushtrohej nga arkondët vendas. Këta
ishin bartës të autonomisë lokale dhe të vetëqeverisjes.
Deri në fillim të shek. IX, Durrësi dhe gjithë
prapatoka e tij kaluan një fazë vetëqeverisjeje dhe
autonomie. Arkondë të tillë, me atribute pushteti,
ndeshen në të njëjtën kohë edhe gjetkë,
si në Vageneti (Çamëri), në Kolonjë etj.
Zbehja e rrezikut arab, në lindje, dhe keqësimi i situatës
në zotërimet bizantine në Ballkanin Perëndimor
dhe në Italinë e Jugut, si rezultat i sulmeve të
sllavëve e të frankëve, e shtyu Perandorinë
Bizantine të kalojë në një organizim të
ri administrativ në këto treva, në atë të
temave.
Dihet se regjimi i temave, ose i provincave ushtarake, filloi të
zbatohej që nga shek. VII në viset me emergjencë
ushtarake. Ai bazohej në thelb në rekrutimin e një
ushtrie vendase në radhët e fshatarësisë së
lirë, e cila në këmbim të tokës, ofronte
shërbimin ushtarak. Në krye të temës qëndronte
strategu i emëruar drejtpërdrejt nga perandori bizantin,
i cili përqendronte në duart e tij si pushtetin ushtarak,
ashtu edhe atë civil. Pas tij vinin funksionarë vartës,
si pretori, nënstrategët, kartularët, klisarkët
etj.
Ndër këto ofiqe, pretori dhe kartulari kishin karakter
civil: pretori merrej me shqyrtimin e çështjeve gjyqësore
dhe dërgohej nga pushteti qendror, kurse kartulari kryente
detyrat e sekretarit të strategut. Ndër detyrat e tij
kryesore ishte ndjekja e procesit të rekrutimit të trupave
ushtarake, ajo e problemeve financiare të kancelarisë
etj. Nënstrategët e klisarkët, që dëshmohen
si pjesëtarë të hierarkisë drejtuese në
Temën e Durrësit, kryenin detyra kryekëput ushtarake
në njësitë përbërëse të Temës
apo në sektorët me rëndësi të posaçme
strategjike, siç qenë klisurat (ngushticat) që
kontrollonin lëvizjet në rrugëkalimet kryesore.
Në shek. X në krye të Temës së Durrësit
gjejmë një katepan që kishte në juridiksion
edhe zotërimet bizantine të Puljes (Itali). Në shek.
XI komandanti i Temës së Durrësit thirret tashmë
me titullin dukë.
Organizimi i ri i temave synonte të konsolidonte forcën
ushtarake bizantine nëpërmjet krijimit të një
ushtrie që rekrutohej në vend nga radhët e stratiotëve
ose bujqve ushtarë, që kishin të drejtën e shfrytëzimit
të një parcele toke kundrejt kryerjes së shërbimit
ushtarak. Mjaft të dhëna historike provojnë se, në
fakt, forcat ushtarake të strategut të Durrësit përfaqësoheshin
nga rekrutët vendas (enkoroi dynameis).
Themelimi i Temës së Durrësit bie me siguri në
dhjetëvjeçarët e parë të shek. IX. Si
terminus ante quem mund të konsiderohet një letër
e vitit 826 e patrikut të Konstandinopojës, Teodor Studiti,
për kryepeshkopin e Durrësit, Antonin, ku bëhet fjalë
pikërisht edhe për një funksionar laik, Thomanë,
në atë kohë me detyrën e hipatit e të kartularit
në Durrës.
Juridiksioni i Temës së Durrësit shtrihej prej Tivari
në veri, në Gjirin e Vlorës në jug e në
një thellësi drejt lindjes, që kapte rrjedhën
e lumit Drin. Territoret e tjera shqiptare, që dilnin jashtë
kuadrit të Temës së Durrësit, u përfshinë
në temat fqinje të Nikopojës, që shtrihej në
kufijtë e provincës së dikurshme të Epirit të
Vjetër, të Selanikut, e cila kishte nën juridiksionin
edhe viset e Kosovës e të Maqedonisë Perëndimore,
dhe të Dalmacisë. Të gjitha këto tema u krijuan
gjatë shek. IX. Vonë, në vitet e para të shek.
XI, në viset e Maqedonisë Perëndimore u krijua një
temë e re, qendra e së cilës ishte Shkupi.
Tema e Durrësit ishte në qendër të sistemit
mbrojtës bizantin në zotërimet e perëndimit.
Kjo është arsyeja që, në raste të veçanta,
nën urdhrat e strategut të Durrësit viheshin edhe
forcat ushtarake të temave fqinje, përfshirë ato
të Italisë bizantine. Si rregull, veprimtaria e ushtrisë
së temës përmblidhej brenda kufijve të temës
përkatëse. Por, në raste të veçanta,
ushtria apo reparte të veçanta të ushtrisë
së temës dërgoheshin të vepronin edhe në
fronte të tjera, siç ndodhte, p.sh. me luftëtarë
nga Tema e Durrësit që dërgoheshin të luftonin
në Italinë e Jugut.
Një karakteristikë dalluese për temën e Durrësit
ishte roli i madh që elementi vendës shqiptar luante në
strukturat administrative e ushtarake të saj. Ushtria e temës
bazohej në rekrutët vendas. Nga ana tjetër, edhe
elementë të aristokracisë vendase luanin një
rol të rëndësishëm duke u integruar në
sistemin e temës e duke luajtur shpeshherë një rol
parësor në drejtimin e saj. Një rol të tillë
ka luajtur p.sh. gjatë shek. X-XI familja e Krisilëve
nga Durrësi. Pinjollë të saj u nderuan deri me titujt
e lartë proteuon apo patric nga pushteti bizantin. Në
vitet e fundit të shek. X e në fillimet e shek. XI, fati
i vetë qytetit të Durrësit e rrethinës së
tij ishte në duart e fisnikut Gjon Krisili, i cili ia dorëzoi
një herë qytetin carit Samuel e ca vjet më vonë
ia kaloi atë perandorit bizantin Bazili II. Aty nga viti 1040
i biri i Gjonit arriti të emërohej nga perandori bizantin
komandant i ushtrisë së Temës së Durrësit
dhe i forcave lokale që do të shkonin të shtronin
Dioklenë, që kishte ngritur krye kundër sundimit
bizantin. Pinjollë nga familje fisnike shqiptare të Temës
së Durrësit, si Skurra, Vrana, Arianiti, Muzaka etj.,
arritën të zinin poste të rëndësishme në
administratën e Temës. Madje, ndonjë syresh ngjiti
shkallët e karrierës edhe në administratën qendrore.
Duke lënë mënjanë brezin bregdetar të Adriatikut,
bërthamën e Temës së Durrësit e përbënte
vendi i Arbrit (greq. Al(r) banon, lat. Al (r) banum, sllav. Raban),
me një fjalë treva e përfshirë midis Lezhës,
Vlorës, Ohrit e Dibrës. Vendi i Arbrit përfaqësonte
mbështetjen kryesore të Temës së Durrësit.
Prej andej vinin kontingjentet kryesore ushtarake të Temës.
Rëndësia e Arbrit ishte e tillë që, në
një moment të caktuar, tema e Durrësit filloi të
quhej "Tema e Durrësit dhe e Arbrit". Një emërtim
i tillë veç rëndësisë shprehte edhe individualitetin
dhe pavarësinë e kësaj krahine brenda kuadrit të
temës së Durrësit. Në fakt, Arbri ishte treva
ku më tepër se në çdo trevë tjetër
shqiptare, proceset politike kishin çuar që herët
në krijimin e një autonomie relative ndaj pushtetit bizantin.
Autori bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, e ka fjalën pikërisht
për trevën e Arbrit kur thotë se marrëdhëniet
e shqiptarëve (Albanoi) me pushtetin bizantin ishin ndërtuar
mbi bazën e sistemit të izopolitisë. Por nuk përjashtohet
që pohimi i tij të vlejë, ku më shumë e
ku më pak, edhe për treva të tjera shqiptare. Sistemi
i izopolitisë ishte një sistem i privilegjuar marrëdhëniesh
të një komuniteti të caktuar me pushtetin bizantin.
Në thelb ai përfaqësonte një lloj statusi federimi,
që Perandoria Bizantine u akordonte popujve dhe bashkësive
të tjera, me të cilat i lidhte feja dhe përbashkësia
e interesave. Statusi i izopolitisë iu akordua nga Bizanti
për ca kohë edhe Venedikut. Izopolitia nënkuptonte
njohjen e një autonomie të gjerë, përjashtimin
nga taksat e detyrimet kryesore, si dhe privilegje të tjera.
Detyrimi kryesor i parashikuar nga një sistem i tillë
kishte të bënte me furnizimin me trupa ushtarake, të
drejtuara nga komandantë vendas, që viheshin në dispozicion
të strategut bizantin (në rastin tonë të strategut
të Durrësit) në rast fushatash ushtarake.
Të përfshira në ushtrinë bizantine, trupat e
Arbrit vepronin jo vetëm në Temën e Durrësit,
por edhe jashtë saj, si edhe në vende të tjera, Maqedoni,
Greqi, Itali etj. Gjithsesi ato përbënin një strukturë
të veçantë, që dallohej nga masa tjetër
e ushtrisë bizantine. Forca ushtarake, që treva e Arbrit
arrinte të nxirrte në shekujt e mesjetës së
hershme, përbënte edhe bazën e statusit të veçantë
autonom që ai gëzoi në marrëdhëniet me
Perandorinë Bizantine.
Lufta kundër ikonave dhe efektet e saj në Shqipëri
Në kohën e sundimit të Leonit III (717-741), Perandoria
Bizantine u përfshi nga një konflikt i ashpër i brendshëm
fetar. Në thelb të tij qëndronte interpretimi i ndryshëm
që i bëhej rolit që kishin imazhet e shenjta (ikonat)
kishin në besimin e krishterë. Duke filluar nga koha e
Justinianit kulti i ikonave të shenjtorëve (ikonolatria)
njohu një përhapje aq të gjerë në kishën
bizantine, saqë u kthye në një nga format kryesore
të shprehjes së ndjenjës fetare. Kishat e manastiret
u mbushën aso kohe me ikona shenjtorësh të çmuara
e të kushtueshme, duke u bërë njëherësh
tregues i luksit dhe i pasurisë në të cilin notonin
kleri dhe institucionet fetare. Një gjë e tillë ushqente
pakënaqësi në një masë të gjerë
njerëzish të çdo niveli shoqëror, të
cilët mendonin se kisha duhej të ishte si në kohën
e apostujve, e varfër dhe e virtytshme. Nga ana tjetër,
nuk mungonin edhe në vetë gjirin e kishës prirje
kundër kultit të ikonave, sipas të cilave një
kult i tillë s’kishte asgjë të përbashkët
me krishterimin, si fe krejtësisht shpirtërore. Këto
prirje ishin më të forta në provincat lindore të
Bizantit, tokë gjithnjë pjellore për lëvizje
fetare, ku vazhdonin të mbijetonin mbeturina të monofizizmit
dhe ku atë kohë po forcohej dhe po shtrihej sekti i pavlikanëve,
që luftonte kundër çdo forme kulti fetar.
Më në fund, lufta kundër kultit të ikonave ishte
rezultat i ndikimit që ushtronin mbi krishterimin bizantin
feja islame dhe ajo hebraike, me të cilat Bizanti ishte në
kontakt të vazhdueshëm. Të dyja këto fe janë
prerazi kundër çdo forme të riprodhimit në
figurë të shenjtorëve të vet. Në këtë
mënyrë, lufta kundër kultit të ikonave (ikonoklastia)
kishte rrënjë të thella fetare, kulturore e shoqërore.
Perandor Leoni III, duke ndërmarrë hapur betejën
kundër kultit të ikonave, synonte në radhë të
parë të afirmonte fuqinë e pushtetit qendror mbi
pushtetin e pakufizuar të institucioneve fetare si dhe mbi
provincat, veçanërisht ato periferike, që jo rastësisht
u rreshtuan në krahun e adhuruesve të ikonave. Ikonoklastia
ndeshi në kundërshtim të ashpër në provincat
bizantine të Italisë e të Ilirikut, që ishin
nën juridiksionin kishtar të Papës së Romës.
Megjithatë edhe këtu ikonoklastia nuk mungoi të bëjë
për vete përkrahësit e vet. Kështu, nga dy letra
që teologu i njohur bizantin, Teodor Studiti, i dërgoi
në vitet 820, kryepeshkopit të Durrësit, Antonit,
dhe një murgu tjetër po nga Durrësi, Dionisit, mësohet
se ikonoklastia ishte përqafuar në atë dioqezë
edhe nga përfaqësues të klerit rregullar (murgjit),
të cilët përgjithësisht qenë kundërshtarët
më të rreptë të saj.
Nuk ka prova se lufta e ikonave do të ketë marrë
në trevat shqiptare format e ashpra që pati në pjesë
të tjera të Perandorisë Bizantine. Megjithatë,
në kuadrin e saj ndodhi një ngjarje me rëndësi
të madhe për zhvillimet jo vetëm kishtare, por edhe
për ato politike në trevat shqiptare. Perandori ikonoklast
Leoni III i shkëputi ato nga juridiksioni i Papës së
Romës dhe i vuri nën varësinë e drejtpërdrejtë
të Patriarkatit të Konstandinopojës (732). Ky hap,
i shoqëruar edhe me krijimin, në fillim të shek.
IX, të temës bizantine të Durrësit e asaj të
Nikopojës, ndikoi së tepërmi në forcimin e kontrollit
të pushtetit qendror në këto provinca perëndimore
të Perandorisë.
Trevat shqiptare dhe Mbretëria Bullgare (shek. IX-X)
Një ndër arsyet kryesore të krijimit të Temës
së Durrësit në gjysmën e parë të shek.
IX kishte qenë përballimi i presionit sllav, përkatësisht
i atij bullgar. Që nga fundi i shek. VII, nga shkrirja e fiseve
sllave dhe atyre bullgare (me origjinë turke), u krijua midis
Danubit e maleve Ballkan shteti i parë ballkanik sllav, Mbretëria
Bullgare, e cila shumë shpejt u bë një rrezik i madh
për Perandorinë Bizantine. Aty nga mesi i shek. IX shteti
bullgar i kishte shtrirë kufijtë e tij në Maqedoni
dhe, nën mbretin Boris (852-879), përfshiu edhe brezin
midis lumit Devoll e Vjosë. Kështjellat e Devollit dhe
e Pulkeropolit (Beratit) u bënë baza të pushtetit
bullgar në këto anë. Në vitin 864 Borisi përqafoi
së bashku me popullin e vet, fenë e krishterë, duke
marrë emrin Mihal. Feja e re i dha kohezionin e duhur shtetit
sllavo-bullgar dhe i lejoi atij shtrirjen e mëtejshme në
territoret bizantine. Në kohën e Simeonit (894-927), Bullgaria
arriti shtrirjen e saj më të gjerë. Me përjashtim
të Durrësit e të Shkodrës, Simeoni pushtoi krejt
viset në Shqipërinë Qendrore e të Poshtme. Në
jug ai mori Vlorën e një pjesë të mirë
të Temës së Nikopojës. Në vitin 913 perandori
bizantin Konstandini VII u detyrua t'i njihte Simeonit titullin
“Perandor i Bullgarisë” dhe të martohej me
një vajzë të carit bullgar. Ndërkohë prej
vitesh Perandoria Bizantine ishte e detyruar t'u paguante bullgarëve
një haraç të përvitshëm.
Por paqja bullgaro-bizantine nuk vazhdoi gjatë. Në vitet
që ndoqën ushtritë e Simeonit sulmuan Durrësin
dhe shkretuan rrethinat e tij. Më 918 bullgarët u shtynë
në jug nëpër Temën e Nikopojës dhe mbërritën
në Gjirin e Korintit.
Gjithsesi ëndrra e car Simeonit, për të krijuar një
perandori bullgare në vend të asaj bizantine, përfundoi
me vdekjen e papritur të tij më 27 maj 927. Trashëgimtarët
e tij, Pjetri e Borisi, nuk ishin në lartësinë e
Simeonit dhe u detyruan të njihnin, kush më shumë
e kush më pak, sovranitetin bizantin.
Pushtimi bullgar la shenja të dukshme edhe në trevat shqiptare,
sidomos në korridorin që zgjatej nëpër luginën
e lumit Devoll e deri në bregdet, ku ai vazhdoi të ruhet
deri në fillimet e shek. XI. Në krye të krahinave
të veçanta këtu u vunë bujarë bullgarë,
të cilët shpeshherë sollën me vete njerëzit
e tyre, përfshirë edhe klerikë bullgarë, që
ndihmuan për depërtimin e një kulture sllavo-bizantine
në këto treva. Në gjysmën e dytë të
shek. IX në zonën e Ohrit, Korçës, Devollit,
Beratit zhvilloi aktivitetin e tij misionar Klementi i Ohrit, dishepull
i Cirilit e Metodit, i cili punoi për vite me radhë për
hapjen e shkollave e të kishave sllave. Nga kjo kohë trevat
midis rrjedhës së Devollit e të Vjosës u përfshinë
në ndikimin kishtar e kulturor të Ohrit, të cilin
bullgarët e kthyen në qendër të Patriarkatit
të pavarur bullgar. Me pushtimin bullgar të shek. IX-X
lidhet edhe lulëzimi i disa qendrave të rëndësishme
ushtarako-administrative e kishtare, siç ishin Devolli, Glavinica
(Ballshi) etj. Në bazilikën madhështore të Ballshit
u gjet në fillimet e shek. XX edhe një mbishkrim i gdhendur,
që kujtonte kthimin e Boris-Mihalit dhe të popullit bullgar
në fenë e krishterë më 864.
Pas disa dekadash nënshtrimi ndaj Perandorisë Bizantine,
si rezultat i një kryengritjeje antibizantine që pati
për epiqendër Maqedoninë, në fronin bullgar
erdhi car Samueli (976-1014). Nën sundimin e tij, qendra e
shtetit bullgar u zhvendos nga lindja, Preslavi, në Prespë
e në Ohër. Në këtë kuadër trevat shqiptare
morën një rëndësi të dorës së
parë dhe u përfshinë për së afërmi
në konfliktin e gjatë midis Samuelit dhe Perandorisë
Bizantine. Car Samueli bashkoi nën sundimin e tij krejt Maqedoninë
deri në Selanik, trevën e vjetër bullgare midis Danubit
dhe vargmaleve Ballkan, si dhe Thesalinë, Temat e Nikopojës
e të Durrësit, si dhe Dioklenë e Rashën në
Veri. Nën sundimin e tij u rimëkëmb Patriarkati i
pavarur bullgar, i cili vendosi përfundimisht selinë në
Ohër, kryeqendra e Samuelit.
Dëshmitë historike tregojnë se car Samueli nuk synoi
të sjellë një përmbysje në strukturat administrativo-ushtarake
të trevave shqiptare të pushtuara prej tij. Kështu,
në Diokle, ai la në pushtet princin Gjon Vladimir, të
cilit për më tepër i ofroi dorën e vajzës
së tij, Kozarës. Në Durrës, pas vitit 997, Samueli
nuk i preku privilegjet dhe pushtetin e parisë së qytetit,
që përfaqësohej nga familja e fuqishme e Krisilëve.
Gjon Krisili, proteuon i qytetit, e kishte favorizuar kalimin e
qytetit në duart e Samuelit. Aleanca e carit bullgar me Krisilët
e parinë durrsake u vulos edhe me martesën e tij me të
bijën e Gjon Krisilit. Në trevën e Vlorës e
të Beratit, Samueli ia besoi komandën pinjollit të
një familjeje fisnike vendase, Elinagër Frëngut.
Po kështu veproi në Devoll, Kolonjë, Vageneti e gjetkë.
Shtrirja e pushtetit të Samuelit në këto vende u
lehtësua edhe për faktin se ai zbatoi një sistem
të ri detyrimesh ndaj fshatarësisë, i cili mbështetej
mbi kontributet në natyrë e në lehtësira të
tjera.
Kundërshtar i car Samuelit, që në fillim të
sundimit të tij, ishte perandori i ri bizantin, Bazili II,
i mbiquajtur "Bullgarovrasësi", (976-1025). Përpjekja
e parë serioze e tij për të goditur perandorinë
e Samuelit përfundoi me disfatë më 986 në afërsi
të Sofjes (Serdika). Pas kësaj, perandor Bazili II kërkoi
të gjejë aleatë në vetë trevat e pushtuara
nga cari bullgar. Në vitin 1001 shpërtheu kundërofensiva
e madhe bizantine e Bazilit II.
Në vitin 1004 Shkupi u kthye në duart e bizantinëve
e pas një viti, si rezultat i një marrëveshjeje të
fshehtë me proteuonin Gjon Krisili, edhe Durrësi iu dorëzua
perandorit Bazili II. Qeveritari i vënë aty nga Samueli,
Torona, dhëndër i carit bullgar, u arratis në oborrin
bizantin. Me anë premtimesh e të marrëveshjeve paraprake,
Bazili II arriti të bëjë për vete edhe qeveritarë
e fisnikë të tjerë lokalë në Berat e në
Devoll. Pak nga pak rrethi u shtrëngua rrotull Ohrit, kryeqendrës
së Samuelit. Në qershor 1014, Bazili II i shkaktoi një
disfatë të rëndë ushtrisë bullgare në
ngushticat e malit Belashik, në rrjedhën e sipërme
të Strumës. Rreth 15 000 luftëtarë të Samuelit
u zunë robë. Vetë Samueli i shpëtoi me vështirësi
kapjes dhe u strehua në kështjellën e Përlepit.
Bazili II urdhëroi të verbohen robërit bullgarë
dhe t'i dërgoheshin carit të tyre në Përlep.
Pamja makabër e kësaj ushtrie të verbër e tmerroi
Samuelin që vdiq në vend (6 tetor 1014).
Vdekja e Samuelit shoqëroi edhe shpërbërjen e perandorisë
ballkanike të tij. Ivan Vladislavi (1015-1018) u përpoq
të vendoste përsëri hegjemoninë bullgare në
provincat perëndimore të Dioklesë, Durrësit
e të Nikopojës. Por, në shkurt të vitit 1018,
gjatë një sulmi mbi Durrës, cari i fundit i Perandorisë
Bullgare mbeti i vrarë. Pas kësaj, Bazili hyri triumfues
në Ohër, ndërkohë që ushtria e tij i shuajti
vatrat e fundit të qëndresës bullgare në lartësitë
e Tomorrit, në Vlorë e në Thesali.
Pavarësisht nga egërsia me të cilën Bazili II
asgjësoi Perandorinë Bullgare ndaj vendeve e popullsive,
që futi përsëri nën sundimin bizantin, ai ndoqi
një politikë të matur. Kështu, ai la këtu
në fuqi edhe paskëtaj sistemin e detyrimeve në natyrë,
të vendosur gjatë sundimit bullgar. Bujqit edhe paskëtaj
i detyroheshin shtetit një mod grurë, një mod miell
dhe një shtambë verë. Patriarkati i Ohrit vërtet
u ul prej tij në shkallën e kryepeshkopatës, por
edhe kështu Bazili II i njohu kësaj një sërë
privilegjesh që kisha e Ohrit i kishte fituar në kohën
e sundimit bullgar. Po kështu nuk u prek juridiksioni i kryepeshkopatës
së Ohrit, e cila me gjithë protestat e kryepeshkopatave
fqinje, veçanërisht asaj të Durrësit, vazhdoi
të ketë në varësi mjaft peshkopata që s'kishin
qenë sufragane të sajat dhe që ishin bërë
të tilla nën sundimin bullgar. Këto të fundit
perandori Bazili II i pajisi me toka e bujq me anë diplomash
të veçanta. Me toka, privilegje, tituj dhe me ofiqe
Bazili II pajisi edhe ata krerë shqiptarë, që gjatë
luftërave me Samuelin kishin qëndruar në krah të
tij. Njërit prej tyre, patricit David Arianiti, që llogaritej
ndër komandatët më të shquar të tij në
betejat me bullgarët, perandori i besoi postin e rëndësishëm
e delikat të strategut të Temës së porsakrijuar
të Shkupit. Kjo Temë së bashku me Temën tjetër
të Paradunavit (Bullgari) kishin për detyrë të
kontrollonin territoret e mbretërisë së dikurshme
bullgare dhe të shtypnin që në embrion çdo
përpjekje të re për shkëputje nga Bizanti.
Në krye të Temës së Durrësit, pikëmbështetja
kryesore e bizantinëve në bregdetin Adriatik, u vu një
dukë, njëlloj si në Temën e Selanikut, gjë
që nënvizonte rëndësinë e veçantë
të saj. Po kështu u veprua më vonë edhe me Temën
e Shkupit.
Kriza e regjimit të temave dhe revoltat e dukëve bizantinë
të Durrësit në gjysmën e dytë të shek.
XI
Kryengritja e madhe panballkanike e viteve 1040-1041, si dhe ajo
e vitit 1073, që patën jehonë të thellë
edhe në trevat shqiptare, paralajmëruan një periudhë
të tërë trazirash e revoltash, që tronditën
nga themelet Perandorinë Bizantine. Krahas lëvizjeve masive
fshatare, periudhën 1040-1081 e karakterizojnë edhe një
varg rebelimesh ushtarake të nxitura dhe të drejtuara
nga komandantët (strategët) e temave të veçanta.
Shqipëria e posaçërisht Tema e Durrësit u
bë në ato vite një nga pikat më të nxehta
të Perandorisë Bizantine.
Revoltat ushtarake të gjysmës së dytë të
shek. XI, mes të cilave edhe revoltat e strategëve (dukëve)
të Durrësit, qe një pasqyrim i drejtpërdrejtë
i ndryshimeve të brendshme që po pësonte në
atë kohë Perandoria Bizantine dhe që lidhen kryesisht
me zhvillimin e marrëdhënieve feudale. Pas vdekjes së
Perandorit Bazili II dhe fundit të dinastisë maqedone
me Konstandinin IX Monomahos (1042-1055), mori fund edhe epoka e
karakterizuar nga prona e vogël e lirë e bujkut-ushtar
(stratiotit). Deri në atë kohë, e mbrojtur me fanatizëm
prej perandorëve bizantinë, që hartuan për këtë
qëllim edhe një legjislacion të posaçëm,
prona e vogël u la paskëtaj në mëshirën
e pronarëve të mëdhenj, që në kurriz të
saj filluan të zgjerojnë zotërimet e tyre. Një
proces i tillë i gllabërimit të pronës së
vogël të lirë dhe i ekspansionit të pronës
së madhe feudale, kërcënonte me rrënim klasën
e madhe të ushtarëve-bujq, të cilët për
më se një shekull kishin qenë shtylla kurrizore e
shtetit bizantin, përsa kohë bujqit shqiptarë qenë
furnizuesit kryesorë të financave dhe të ushtrisë
bizantine. Por bashkë me rënien e klasës së
bujqve-ushtarë binte roli edhe i kastës së krerëve
ushtarakë, strategëve, ndërkohë që rritej
pesha e pronarëve të mëdhenj të tokave dhe e
aristokracisë burokratike të kryeqytetit bizantin, Konstandinopojës.
Këto zhvillime të reja në gjirin e perandorisë
Bizantine prekën nga afër Shqipërinë, që
ishte vendi klasik i fshatarësisë së lirë dhe
i stratiotëve. Ndaj, disa nga kryengritjet ushtarake më
të fuqishme të shek. XI patën si teatër kryesor
pikërisht trojet shqiptare.
Në vitin 1043 ngriti krye kundër pushtetit qendror Georg
Maniaku, komandat bizantin i shquar nga luftimet kundër arabëve
dhe normanëve në Sicili dhe Italinë e Jugut. Rritja
e autoritetit të Maniakut nuk shihej me sy të mirë
nga strategu i ri bizantin i Italisë, Mihal Dokianos, dhe nga
vetë perandor Konstantini IX, i cili e shkarkoi atë nga
detyra. I mbështetur nga repartet e tij besnike, midis të
cilave shquheshin kontingjentet e ardhura nga Arbri, Maniaku dha
sinjalin e kryengritjes në Sicili, ku trupat e tij e shpallën
perandor. Në krye të tyre ai zbarkoi në Durrës
dhe i përkrahur nga vendasit, që iu bashkëngjitën
ushtrisë së tij bizantino-shqiptare, iu drejtua Selanikut
nëpër Rrugën Mbretërore (Egnacia). Ushtria e
kryengritësve përparoi në Maqedoni pa hasur pengesa,
derisa në vendin e quajtur Ostrov u ndesh me ushtrinë
perandorake. Vrasja aksidentale e Georg Maniakut, në kohën
kur fitorja për kryengritësit ishte e sigurt, solli shuarjen
e lëvizjes.
Megjithatë, ecuria e kryengritjes së Georg Maniakut tregoi
qartë se Shqipëria, e veçanërisht Tema e Durrësit
në vendin e Arbrit (Arbanon) ishin kthyer tashmë në
një terren pjellor për ngjarje të tilla. Historiani
bizantin i shek. XI, Mihal Ataliati, shprehet se në atë
kohë shqiptarët, dikur aleatë të Perandorisë
Bizantine (symmachioi), u bënë "papritur" kundërshtarë
të saj (polemioi). Një zhvillim i tillë në marrëdhëniet
e shqiptarëve me Bizantin, posaçërisht i atyre
të trevës së Arbrit, nuk vonoi të pasqyrohej
edhe në vetë marrëdhëniet e Temës së
Durrësit me pushtetin qendror. Me pakënaqësitë
e popullsisë shqiptare bashkoheshin shpeshherë edhe vetë
dukët e Temës së Durrësit. Këta po shqetësoheshin
gjithnjë e më shumë nga rrudhja e vazhdueshme e kompetencave
sa në fushën ushtarake aq edhe në atë civile.
Në fakt, pas vdekjes së Bazilit II, ushtria bizantine
filloi të mbështetej gjithnjë e më shumë
në angazhimin e trupave mercenare të dërguara nga
qendra, gjë që e dobësonte rolin e ushtrisë
së Temës të rekrutuar tek elementi vendas dhe të
drejtuar nga strategu i Temës. Nga ana tjetër, edhe kompetencat
e strategut të Temës në lëmin e pushtetit civil
u rrudhën në favor të nëpunësve, siç
ishte gjykatësi i Temës (krites apo pretor), që varej
drejtpërsëdrejti nga qendra dhe që tani trajtonte
çështjet e administratës civile. Tronditjet e mëdha
shoqërore të atij shekulli, si dhe vështirësitë
e jashtme në lindje të Perandorisë Bizantine në
marrëdhëniet me Perëndimin dhe me turqit selxhukë,
kontribuan për të krijuar terrenin e përshtatshëm
për kryengritjet e mëdha të strategëve ushtarakë
të Durrësit të gjysmës së dytë të
shek. XI. Tema e Durrësit u bë në atë kohë
njëra nga vatrat kryesore të kryengritjeve ndaj pushtetit
qendror bizantin. I pari ndër strategët e Durrësit,
që ngriti krye kundër Konstandinopojës, ishte proedri
Niqifor Brieni. Ky kishte qenë më përpara strateg
i Temës së Shkupit, ku kishte shtypur kryengritjen e vitit
1073. I transferuar në Temën e Durrësit nga mesi
i viteve 70, Brieni ishte dalluar në mbrojtjen e kufijve veriorë
në luftë me sllavët kroatë si dhe me diokleasit.
Njëherësh ai u ballafaqua edhe me sulmet pirateske të
anijeve të normanëve të Italisë, të cilët
tashmë synonin të shtriheshin drejt Lindjes, në territoret
e Perandorisë Bizantine.
Në tetor të vitit 1077, strategu Niqifor Brieni dha sinjalin
e kryengritjes kundër perandorit Mihal VII Dukas. Kronistët
bizantinë të kohës pohojnë njëzëri
se me kryengritësin Niqifor u bashkua popullsia vendase e Temës
së Durrësit si dhe mjaft fisnikë vendas, në
mes të të cilëve Bazil Kurtiqi nga Arbri. Niqifori
e deklaroi të rrëzuar perandorin Mihal dhe, pasi e shpalli
veten perandor, iu drejtua Konstandinopojës me një ushtri
që rrugës vinte e zmadhohej me vullnetarë të
rinj. Në Adrianopojë Brienin e prisnin kryengritës
të tjerë të organizuar nga i vëllai, Johani.
Por në të dalë të qytetit forcat kryengritëse
u ndeshën me ushtrinë perandorake, të cilën
tashmë e komandonte Aleks Komneni, një ndër gjeneralët
bizantinë më të shquar të të gjitha kohërave.
Ushtria kryengritëse u thye dhe mbeturinat e saj u shpërndanë.
Ndërkohë që Brieni me kryengritësit e tij ishin
nisur në drejtim të Konstandinopojës, në Durrës
kishte hyrë Niqifor Baziliaku, i emëruar dukë i Durrësit
pas rebelimit të të parit. Por edhe duka i ri i Durrësit
nuk vonoi dhe, vetëm pak muaj pas Brienit, u vetëshpall
perandor dhe ngriti krye kundër qendrës.
I mbështetur nga paria dhe kleri vendas, ku u shqua peshkopi
i Devollit, Teodori, ai grumbulloi forca të shumta shqiptaro-bizantine,
ku nuk mungonin edhe mercenarë nga perëndimi. Në
krye të tyre ai u nis nga Durrësi, kaloi Ohrin dhe iu
drejtua qytetit të dytë të Perandorisë, Selanikut.
Fillimisht perandori Niqifor III Botoniati u përpoq ta bindte
kryengritësin të hiqte dorë nga marshimi mbi kryeqytet,
duke i premtuar falje e tituj të rinj finikërie. Baziliaku
e refuzoi ofertën dhe kështu u arrit në një
betejë të përgjakshme me forcat qeveritare, të
cilat i komandonte përsëri Aleks Komneni. Kryengritësit
u shpartalluan dhe vetë Baziliaku u çua në pranga
në Konstandinopojë.
Kryengritjet e mëdha antibizantine të shek. XI
Bazili II ishte perandori i fundit i dinastisë maqedone që
mundi të ruajë ekuilibrin e brendshëm shoqëror
e politik midis interesave të shtetit, atyre të aristokracisë
feudale dhe të fshatarësisë së lirë, si
dhe të stratiotëve që përbënin shtyllën
kurrizore të shtetit bizantin. Me vdekjen e tij (1018) ky ekuilibër
u prish: aristokracia feudale, civile apo ushtarake filloi t'i rrisë
në mënyrë të pakontrolluar pronat e veta duke
gllabëruar pronën e vogël. Pronarët e vegjël
e humbën pak nga pak statusin e mëparshëm të
lirisë dhe u kthyen në fshatarë të varur. Për
një kohë të gjatë shteti bizantin, e në
radhë të parë perandorët e dinastisë maqedone
(shek. IX-XI) ishin përpjekur t'i vinin fre procesit të
krijimit të pronës së madhe dhe të zhdukjes
së pronës së vogël të fshatarit. Fshatari
i lirë si dhe stratioti, që merrte nga shteti një
parcelë toke kundrejt përmbushjes së detyrimit fiskal
e atij ushtarak, kishin përfaqësuar për shumë
kohë burimin kryesor të të ardhurave të arkës
perandorake dhe njëherësh elementin bazë të
ushtrisë bizantine. Por në kushtet e reja që u krijuan
pas vdekjes së Bazilit II, pronarët e vegjël u gjendën
përballë një sulmi të dyfishtë: të
aristokracisë feudale të tokës, nga njëra anë,
dhe të shtetit bizantin që rëndoi në mënyrë
galopante barrën e taksave në dëm të tyre. Për
rrjedhojë u krijua një gjendje shpërthyese, e cila
jo rastësisht arriti kulmet e saj në territoret ballkanike
të goditura rëndë nga luftërat e fundit bullgaro-bizantine.
Në vitin 1040 shpërtheu këtu një kryengritje
e fuqishme kundër pushtetit qendror e udhëhequr nga Pjetër
Deljani, një bujar bullgar që e mbante veten për
nip të car Samuelit dhe që e shpalli sakaq veten car.
Kryengritja prej Beogradit u përhap me shpejtësi drejt
Nishit e Shkupit. Strategu bizantin i Durrësit, Bazil Sinadeni,
mblodhi ushtarakë të temës së tij dhe shpejtoi
t'u zërë rrugën kryengritësve të Pjetër
Deljanit "përpara se e keqja të përhapej",
siç shprehet kronisti Johan Skilice që përshkruan
këtë ngjarje. Por revolta preku edhe vetë radhët
e ushtrisë së Temës së Durrësit dhe një
ushtarak me emrin Tihomir ngriti flamurin e kryengritjes në
zonën e Dibrës, ku ishin dislokuar forcat e strategut
të Durrësit. Këtu kryengritësit i arriti Pjetër
Deljani me të vetët. Forcat e kryengritësve u bashkuan
nën drejtimin e Pjetër Deljanit, që ndërkohë
kishte hequr qafe Tihomirin. Paskëtaj forcat kryengritëse
iu drejtuan Durrësit, të cilin e morën, dhe më
tej morën Selanikun. Flakët e kryengritjes përfshinë
sakaq edhe temën e Nikopojës, popullsia e së cilës
ishte tejet e pakënaqur nga arbitrariteti i nëpunësve
perandorakë. Bizantinët mundën të mbanin këtu
vetëm kështjellën e Naupaktit mbi Gjirin e Korintit.
Megjithatë, si rezultat i kontradiktave që vazhduan të
ekzistojnë në gjirin e drejtuesve të kryengritjes
edhe pas vrasjes së Tihomirit, lëvizja u shua më
shpejt nga çka pritej po të kihen parasysh përmasat
e saj. Këtu luajti rolin e vet edhe një djalë i carit
bullgar Ivan Vladisllav, Alusiani, që u arratis nga Konstandinopoja
ku mbahej rob dhe u bashkua me kryengritësit. Pasi eliminoi
Pjetër Dejlanin, Alusiani u vu në krye të kryengritësve.
Por pas një beteje të pasuksesshme me trupat perandorake,
Alusiani iu dorëzua perandorit bizantin duke shpejtuar kështu
edhe fundin e kryengritjes. Megjithatë kryengritja e madhe
e vitit 1040-1041 ishte sinjali i parë i fuqishëm i tensioneve
shoqërore që do të mbërthenin Perandorinë
Bizantine. Në të njëjtën kohë, ajo qe një
tregues i hendekut të madh që ishte krijuar ndërkohë
midis pushtetit qendror bizantin dhe provincave perëndimore
të tij, ku bënin pjesë edhe trevat shqiptare.
Rreth 30 vjet pas kryengritjes së Pjetër Dejlanit, një
tjetër lëvizje shpërtheu në Kosovë, nga
ku u hap me shpejtësi në viset fqinje. Kryengritësit
kërkuan t'i printe princi i Dioklesë, Mihali, i cili dërgoi
për këtë qëllim të birin, Konstandin Bodinin.
Në Prizren kryengritësit e shpallën Bodinin mbret
të tyre. Me Bodinin u bashkua edhe paria e Shkupit me kreun
e saj, Gjergj Vojtehu, i cili erdhi vetë në Prizren. Në
Prizren kryengritësit thyen keqas edhe forcat e dukës
bizantin të Shkupit, që u dërguan kundër tyre.
Pas kësaj kryengritësit morën Nishin, Ohrin, Devollin
dhe vetëm në Kostur forcat e riorganizuara bizantine mundën
të thyenin grupin kryesor të kryengritësve. Pjesa
tjetër e kryengritësve, me "mbretin" Bodin,
ishte përqendruar në Nish. Në përpjekje për
të sulmuar e për të pushtuar Shkupin, forcat e Bodinit
u thyen keq nga ushtria bizantine e dërguar me ngut nga perandori
bizantin "për të shuar flakën, përpara
se ajo të merrte dhenë", siç është
shprehur një kronist bizantin, dëshmitar i ngjarjes.
Gjatë betejës Bodini u zu rob dhe u dërgua në
Konstandinopojë ku u mbyll në manastirin e Serxhit e të
Bakut derisa i ati i tij, Mihali i Dioklesë, organizoi arratisjen
e kthimin e tij në atdhe.
Marrëdhëniet e Perandorisë Bizantine me Bodinin e
Dioklesë vazhduan edhe më tej të tensionuara. Pas
betejës së vitit 1082 në rrethinat e Durrësit,
kur Bodini nuk u erdhi në ndihmë ushtrive bizantine të
angazhuara në një betejë vendimtare me normanët
e Robert Guiskardit, princi i Dioklesë i shfaqi hapur ambicjet
për ta shtrirë sundimin e vet sa në viset e Dalmacisë,
në veri, aq edhe në territoret e Temës së Durrësit,
në jug. Madje, sipas Kronikës së Priftit të
Dioklesë, për një periudhë të shkurtër
Bodini mundi të pushtojë dhe të mbajë temën
në fjalë, së bashku me kryeqendrën e saj, Durrësin
(tulit atque obtinuit totam terram Duracinorum et ipsam civitatem
Durachium). Perandori bizantin, Aleksi I Komneni, dërgoi atëherë
si strateg të Durrësit një kunatin e tij, Johan Duka,
i cili rifitoi kontrollin mbi Temën e Durrësit dhe e mbajti
Bodinin larg territoreve të saj.
|