| K R E U III
LËVIZJA KOMBËTARE SHQIPTARE NË
VITET 30-70
TË SHEK. XIX
1. FILLIMET E LËVIZJES KOMBËTARE
Gjendja në Shqipëri pas reformave të para
centralizuese osmane
Zhvillimi i lëvizjes kombëtare në vitet 30-40 të
shek. XIX përkon me periudhën e reformave të para
centralizuese, që filluan të ndërmerreshin në
Perandorinë Osmane në vitet 30. Me këto reforma,
në mënyrë të veçantë me likuidimin
e sistemit të timareve, dhe me njohjen ligjërisht të
pronës private mbi tokën (më 1834), si edhe me masat
për riorganizimin e sitemit administrativ, ushtarak dhe të
taksave, Porta e Lartë synonte ta fuste vendin në rrugën
e evropianizimit, të forconte pushtetin qendror, të rimëkëmbte
fuqinë e Perandorisë, e cila ishte dobësuar së
tepërmi nga prapambetja ekonomiko-shoqërore, nga sistemi
shtetëror anakronik, thellësisht shtypës e parazitar,
dhe nga kryengritjet e vazhdueshme të popujve të shtypur.
Reformat filluan të zbatoheshin në Shqipëri qysh
në vitet 30. Ato i dhanë një goditje të rëndë
në radhë të parë shtresës së vjetër
feudale-ushtarake, e cila, si kudo edhe në Shqipëri, kishte
filluar të shthurej dhe ishte dobësuar shumë nga
ekspeditat osmane të viteve 1822-1831. Një pjesë
e krerëve feudalë që ishin aktivizuar në kryengritjet
u asgjësua, të tjerë u internuan dhe ata që
mundën të shpëtonin mërguan jashtë vendit,
ndërsa pronat e tyre u shpallën çifligje shtetërore.
Reforma agrare u dha mundësi të ngriheshin e të forcoheshin
çifligarëve të rinj, pronarë privatë
të tokave, të lidhur me Portën e me politikën
e saj centralizuese.
Dobësimi i klasës feudale shqiptare i dha mundësi
borgjezisë, të përfaqësuar nga tregtarët
dhe pronarët e punishteve zejtare e të manifakturave të
merrte pjesë më me gjallëri në jetën ekonomike
e politike të vendit.
Reformat e para centralizuese u quajtën të pamjaftueshme,
prandaj Mustafa Reshit pasha, pasi mori edhe pëlqimin e sulltanit
të ri, Abdyl Mexhitit, që sapo kishte hipur në fron,
përgatiti projektin e reformave, të njohura me emrin Tanzimat.
Ato u shpallën nga Mustafa Reshit pasha me dekretin perandorak
(Hati Humajun) të 3 nëntorit 1839, që mban emrin
“dekreti i Gjylhanesë”. Me këtë akt shpalleshin
këto reforma: garantohej paprekshmëria e jetës, e
nderit dhe e pasurisë për të gjithë shtetasit
osmanë, pa dallim feje; hiqej konfiskimi i pasurisë për
ata që paditeshin në gjykatë dhe fëmijët
e tyre nuk privoheshin nga e drejta e trashëgimisë së
pasurisë; vendosej ndarja dhe mbledhja e rregullt e taksave
dhe hiqej sistemi i sipërmarrjes së tyre (iltizami); futej
shërbimi i rregullt ushtarak dhe shkurtohej afati i tij; shërbimi
i regullt (nizami) do të zgjaste 4-5 vjet, ndërsa ai rezervist
(redifi) 7 vjet.
Po të vlerësohet në përgjithësi, Tanzimati
ishte një orvatje që ndërmorën qarqet qeveritare
osmane për ta shpëtuar Perandorinë e tyre nga humnera
ku po rrukullisej dhe për ta rimëkëmbur atë
mbi baza të reja, sipas shembullit të shteteve evropiane.
Prandaj Tanzimati është vlerësuar nga bashkëkohësit
dhe nga studiues të sotëm si një përçapje
që Perandoria Osmane po bënte për t’u shkëputur
nga e kaluara e saj mesjetare-feudale dhe për të hyrë
në rrugën e shndërrimit në një shtet modern.
Por gjithë këto masa ishin gjysmake dhe nuk mund të
ndodhte ndryshe në kushtet kur Perandoria Osmane nuk ndërmori
reforma rrënjësore për të ndryshuar sistemin
e saj ekonomik të prapambetur gjysmëfeudal dhe regjimin
politik mesjetar absolutist. Në të vërtetë reformat
u katandisën në disa arnime borgjeze, që nuk mund
ta ndryshonin gjendjen në Perandori. Megjithatë, nëse
edhe këto masa gjysmake ishin të dobishme për Perandorinë
Osmane, sepse mund të ndikonin në forcimin e sistemit
të saj të centralizuar, në aftësinë për
të përballuar lëvizjet çlirimtare dhe ndërhyrjet
e Fuqive të Mëdha, ato nuk qenë të mira për
Shqipërinë dhe shqiptarët, të cilët nuk
e gjykuan Tanzimatin me syrin e klikës sunduese sulltaniste,
por me logjikën e popullit të shtypur, jo nga pozitat
e Portës së Lartë, por nga interesat e kombit të
shtypur e të robëruar dhe të aspiratës së
tij për ta ndryshuar këtë gjendje. Shqiptarët
e vlerësuan Tanzimatin, jo në prizmin e fuqizimit të
Perandorisë, por në këndvështrimin e vetëqeverisjes
së Shqipërisë, jo sipas zhurmës së deklaratave
të bujshme, por nga rezultatet e tij praktike dhe nga rrjedhojat
që pati për popullin shqiptar.
Në të vërtetë Tanzimati nuk u dha shqiptarëve
asnjë të drejtë kombëtare, nuk i njohu as si
komb më vete, nuk dha asnjë mundësi për vetëqeverisje,
madje ua mohoi përsëri të drejtën më elementare
njerëzore për të shkruar dhe për të mësuar
në shkolla gjuhën amtare. Ai i detyroi shqiptarët
t’i nënshtroheshin administratës së huaj burokratike,
shërbimit të rëndë e të detyrueshëm
ushtarak, rriti më shumë peshën e taksave, që
edhe deri atëherë ishte e rënduar dhe përgjithësisht
çoi në keqësimin e gjendjes së tyre ekonomike
e politike, në forcimin e zgjedhës nacionale turke mbi
ta. Ato reforma, në dukje me karakter evropian, që u shpallën
edhe nën trysninë e Fuqive të Mëdha (si barazia
e gjithë shtetasve, gjithnjë si osmanllinj), nuk u vunë
asnjëherë në jetë dhe nuk mund të realizoheshin
pa ndryshime rrënjësore në sistemin ekonomik e politik
të Perandorisë Osmane, të cilat sulltanët osmanë
nuk ishin në gjendje t’i bënin.
Me zbatimin e reformës në fushën administrative,
pushteti civil u nda nga ai ushtarak dhe qeverisja e vendit, që
deri atëherë bëhej nga feudalët vendas, kaloi
në duart e një aparati burokratik të centralizuar.
Porta e Lartë nuk kishte më besim te funksionarët
shqiptarë. Përvoja e viteve të kaluara kishte treguar
se ata ishin të prirur drejt qeverisjes së krahinave në
mënyrë autonome e drejt shkëputjes së plotë
nga vartësia e Perandorisë Osmane. Prandaj ajo filloi
zëvendësimin e tyre shkallë-shkallë me nëpunës
të huaj. Në fillim u zëvendësuan qeveritarët
e sanxhakëve shqiptarë, kadinjtë, myftinjtë,
veçanërisht në ato krahina ku kishin shpërthyer
përsëri lëvizje kryengritëse, që sapo ishin
shtypur me armë. Kështu, në mjaft sanxhakë e
sidomos në Shqipërinë e Jugut pushteti kaloi nga
duart e qeveritarëve shqiptarë në ato të funksionarëve
turq.
Administrata e re përbëhej nga nëpunës të
huaj që nuk e dinin gjuhën e vendit dhe nuk i njihnin
zakonet e traditat e popullit shqiptar. Meqenëse do të
qëndronin në këto poste një periudhë të
caktuar dhe meqë një pjesë e nëpunësve
ose nuk paguheshin rregullisht ose duhej të siguronin rrogën
nga të ardhurat lokale, ata përpiqeshin të grabisnin
me të gjitha mënyrat popullsinë me anë taksash
e gjobash, pa u përmbajtur as në përdorimin e forcës.
Përveç kësaj, praktikohej gjerësisht ryshfeti,
pa të cilin nuk mund të kryhej asnjë punë. Ai
u jepej si nëpunësve të thjeshtë, ashtu edhe
funksionarëve të organeve më të larta të
Perandorisë Osmane. Edhe sistemi i mbledhjes së taksave
me anë të iltizamit (sipërmarrjes), megjithëse
u krijua një aparat i veçantë nëpunësish
të financave, në praktikë nuk u hoq, por mbeti në
fuqi për një kohë të gjatë, sepse u leverdiste
funksionarëve të lartë të shtetit, që përfitonin
e pasuroheshin me këto lloj spekulimesh.
Ndërsa në një varg qendrash administrative u grumbulluan
me shumicë nëpunësit e huaj turq, disa zona, si Tiranën,
Matin, Lezhën, Ulqinin, etj., Porta e Lartë i la, në
vitet 40, ende në duart e oxhakëve të vendit, të
cilët i paguanin arkës shtetërore në Stamboll
një shumë të përgjithshme vjetore, të nxjerrë
nga detyrimet në krahinat që administronin.
Krahas reformës administrative, Porta e Lartë mori masa
për të vënë në jetë reformën
ushtarake, e cila parashikonte çarmatimin e popullsisë
dhe krijimin e një ushtrie të rregullt. Në kuadrin
e krijimit të kësaj ushtrie, Veziri i Madh, Mehmed Reshid
pasha, që ishte ngarkuar me zbatimin e reformave në Shqipëri,
filloi të rekrutonte ushtarë të rregullt (nizamë)
nga mosha 15 deri në moshën 30-vjeçare. Të
rekrutuarit bënin jetë kazerme dhe stërviteshin sipas
rregullave të ushtrive evropiane. Ata e kryenin shërbimin
ushtarak larg vendit të vet në kushte shumë të
vështira. Vetëm një pjesë e tyre mund të
kthehej e gjallë dhe pa u gjymtuar nga shërbimi i gjatë
ushtarak në dhe të huaj. Më të shumtë ishin
ata që vdisnin nga abuzimet e intendentëve, nga mungesa
e ushqimit dhe e veshmbathjes dhe nga epidemitë, sesa ata që
vriteshin në luftë.
Shërbimi rezervist (redif) bëhej zakonisht në vendlindjen
e rezervistëve. Kjo u jepte atyre mundësi që në
një kohë të caktuar, krahas shërbimit ushtarak,
të merreshin edhe me bujqësi e me blegtori.
Reforma ushtarake u shoqërua edhe me tatime e taksa të
reja “të jashtëzakonshme”, që shërbenin
për ushqimin dhe për veshjen e ushtarëve nizamë.
Por edhe kjo reformë nuk u zbatua kudo dhe menjëherë.
Ushtria e rregullt u vendos në qytete, ku mbaheshin garnizone
ushtarake. Në Manastir dhe në Janinë u grumbulluan
forca të mëdha, me anë të të cilave Porta
ushtronte një trysni të vazhdueshme mbi trevat shqiptare.
Ndërsa nga njëra anë Stambolli organizonte ushtrinë
e rregullt, nga ana tjetër vazhdonte të përdorte
repartet e parregullta, të rekrutuara nga krerë feudalë
e bajraktarë midis malësorëve për t’i
dërguar në frontet e luftës me shtete të tjera
ose për të shtypur kryengritjet brenda e jashtë Shqipërisë.
Në këto raste Porta e Lartë synonte jo vetëm
të përfitonte nga ndihma e tyre ushtarake, por edhe t’i
largonte nga Shqipëria ku zienin kryengritjet e t’i neutralizonte
këto forca të rrezikshme për të.
Me reformat e periudhës së Tanzimatit Porta e Lartë
u kishte njohur kombësive të Perandorisë Osmane të
drejtën të merrnin arsim në gjuhën amtare në
shkollat publike. Por ajo vijonte të barazonte kombësinë
me fenë. Kështu, myslimanët e Perandorisë, midis
të cilëve edhe shqiptarët, ajo vazhdoi edhe pas kësaj
t’i quante “turq”, ndërsa ortodoksët,
qofshin këta shqiptarë, bullgarë, serbë a vllehë,
i quante “grekë” ose “rumë” dhe
i kishte lënë nën administrimin fetar e kulturor
të Patrikanës greke të Stambollit. Si kombësi
më vete quheshin edhe katolikët ose “latinët”
e Perandorisë.
Shqiptarëve të ndarë në myslimanë, ortodoksë
e katolikë, duke mos bërë pjesë në një
bashkësi të vetme fetare dhe duke mos u njohur kështu
si një kombësi më vete, nuk u jepej mundësia
të lëvronin lirisht gjuhën e tyre amtare. Ata detyroheshin
të kishin arsimin sipas fesë së tyre turqisht, greqisht
ose italisht. Në përputhje me këtë politikë,
pas shpalljes së dekreteve të Tanzimatit në Shqipëri
u rrit numri i shkollave në gjuhë të huaj. Shkolla
shtetërore fillore dhe qytetëse (ruzhdie) në gjuhën
turke u hapën në krahina të ndryshme të vendit;
në Shqipërinë e Jugut u rrit edhe numri i shkollave
laike në gjuhën greke për popullsinë ortodokse,
të cilat ishin nën mbikqyrjen e peshkopëve grekë,
ndërsa në veri, ndonëse më pak, u rrit numri
i shkollave katolike që drejtoheshin nga kleri ose nga disa
mësues privatë në Shkodër. Megjithëse përhapnin
njohuri të dobishme dhe ndihmonin në arsimimin e një
pjese të fëmijëve, këto shkolla, përveç
atyre që drejtoheshin nga mësues privatë, përshkoheshin
nga një frymë fanatizmi dhe intolerance fetare, nuk shërbenin
për afirmimin kombëtar të shqiptarëve të
feve të ndryshme, por nxisnin dasinë fetare dhe u shërbenin
politikës së shteteve që i mbanin ato dhe synimeve
të tyre për asimilimin e shqiptarëve.
Reformat, formalisht, parashikonin barazinë e shtetasve pavarësisht
nga feja e tyre. Por në të vërtetë paria sunduese
feudale osmane vijoi ta ruante pozitën e saj të privilegjuar
kundrejt popullsisë së krishterë. Pabarazia juridike
e popullsisë së krishterë shprehej, përveç
të tjerave, në pagimin e një takse të veçantë
për gjithë meshkujt e krishterë mbi 12 vjeç
(xhizje).
Vetë sulltani e rrethi i tij familjar, si edhe përfaqësuesit
e tjerë të klasës feudale osmane, nxirrnin përfitime
duke shkelur parimet e shpallura nga reformat dhe duke ruajtur praktikën
e vjetër të abuzimeve, siç ishte veçanërisht
shitja e posteve qeveritare. Sulltani e familja e tij ruajtën
në Shqipëri për një kohë të gjatë
një varg privilegjesh feudale. Kështu, një pjesë
e mirë e të ardhurave të sanxhakut të Ohrit,
ku përfshiheshin krahina të tëra shqiptare, vijuan
t’i shkonin si të ardhura private sulltanes-nënë,
kurse sulltanit i shkonin të ardhurat nga qiraja e Bezistenit?
në pazarin e Shkodrës dhe nga shitja e së drejtës
së peshkimit po në këtë qytet. Madje, gabelët
(arixhinjtë) e Myzeqesë edhe pas shpalljes së reformave
vazhduan të quheshin të gjithë skllevër të
sulltanit dhe shërbimet e tyre u shiteshin për vit (nga
ana e tij) të interesuarve kundrejt një shume të
caktuar.
Fillimet e ideologjisë e të kulturës kombëtare
Reformat shtuan pakënaqësinë e shtresave më
të ndryshme të popullsisë ndaj sundimtarëve
osmanë dhe acaruan më tej kontradiktat kombëtare
dhe ekonomiko-shoqërore me ta.
Këtë gjendje shpirtërore të popullsisë
dhe aspiratat e saj i shprehën në dokumente të rëndësishme
e në vepra shkencore e artistike ideologët dhe shkrimtarët
e parë të Rilindjes, si Naum Veqilharxhi (1797-1854),
Jeronim de Rada (1814-1903) etj. Kjo veprimtari synonte, me anën
e përhapjes së ideve e të kulturës kombëtare,
të forconte ndërgjegjen kombëtare të popullit
shqiptar dhe bashkimin e tij mbi ndarjet fetare e krahinore në
luftë për lirinë, për tërësinë
territoriale dhe për zhvillimin demokratik të shoqërisë
shqiptare.
Prapambetja e përgjithshme e Shqipërisë dhe shtypja
ekonomike e politike osmane bënë që ideologjia e
kultura kombëtare të zhvilloheshin me vështirësi
e në përmasa të kufizuara brenda vendit. Ato gjetën
kushte më të përshtatshme zhvillimi jashtë atdheut,
në kryeqytetin e Perandorisë, në Stamboll, në
Itali, në shtetet ballkanike etj. Në këto vende kishin
filluar të përhapeshin idetë e Revolucionit francez
(1789-1794), i cili, si një revolucion i fuqishëm demokratik,
i kishte dhënë një goditje të rëndë
regjimit feudal absolutist e ideologjisë së tij në
Evropë dhe kishte shpallur e kishte përhapur idetë
e mëdha të lirisë e të kombësisë.
Këto ide kishin gjetur mishërimin e tyre edhe në
revolucionet çlirimtare në Serbi, në Greqi e në
Rumani. Idetë e reja kishin ndikuar mbi intelektualë dhe
tregtarë shqiptarë që u njohën me to në
qytete të ndryshme të Evropës dhe filluan luftën
kundër ideologjisë mesjetare-klerikale të Perandorisë
teokratike të sulltanëve-kalifë e të Patrikanës
ortodokse të Stambollit, si dhe kundër zgjedhës kombëtare
të sundimtarëve osmanë.
Idetë kombëtare u bënë jehonë kryengritjeve
popullore kundër Tanzimatit, por nuk arritën ende në
këtë periudhë të formuloheshin në mënyrë
të plotë në një program tërësor politik
të lëvizjes kombëtare. Ato u shprehën jo aq
në traktate politike, në memorandume ose nëpërmjet
shtypit, sesa në vepra letrare e në studime për popullin
shqiptar, për historinë, gjuhën e kulturën e
tij. Me shkrimet e tyre rilindësit e parë luftuan për
të shtuar dashurinë për vendin, për të
ngritur më tej ndërgjegjen kombëtare të popullit,
duke lartësuar traditat e mëdha patriotike të së
kaluarës e sidomos të epokës së Skënderbeut
dhe kulturën e pasur popullore; ata i kushtuan një kujdes
të veçantë gjuhës amtare e shkollës shqipe
si mjete jo vetëm për të nxjerrë vendin nga
errësira mesjetare, por edhe për të afirmuar individualitetin
e vetëqenien kombëtare të shqiptarëve.
Naum Veqilharxhi formuloi idetë e para për rrugët
e çlirimit të kombit shqiptar. Si iluminist e atdhetar
i shquar punoi për të përhapur diturinë e shkollën
kombëtare në Shqipëri, të cilat i quante mjete
të rëndësishme për emancipimin dhe bashkimin
kombëtar të shqiptarëve. Jeronim de Rada, nga arbëreshët
e Italisë, e ripunoi “Milosaon” i ndikuar drejtpërdrejt
nga lëvizjet kryengritëse të viteve 30. Ai dalloi
tek ato etapën e re që shënuan për lëvizjen
çlirimtare të popullit shqiptar dhe nxori prej tyre
përfundimin se tanimë “erdhi dita e Arbrit”,
që tingëllonte si një thirrje për t’i
nxitur shqiptarët të vijonin luftën kundër sundimtarëve
të huaj.
Kthesa që shënuan kryengritjet e viteve 30-40 në
lëvizjen çlirimtare shqiptare gjeti pasqyrim edhe në
krijimtarinë e shkrimtarit arbëresh Vinçenc Dorsa,
i cili shkruante, më 1847, se Shqipëria kishte hyrë
tanimë në epokën e Rilindjes dhe se ajo besonte që
do të çlirohej së shpejti.
Duke e kuptuar rolin e madh të përdorimit të gjuhës
amtare për zhvillimin e vendit, rilindësit i dhanë
rëndësi mësimit e shkrimit të saj dhe përhapjes
së arsimit shqip me një alfabet të përbashkët.
Duke u nisur nga mendimi shkencor se gjuha është e para
ndër shenjat themelore dalluese të kombit, me njësimin
e alfabetit ata synonin njësimin e gjuhës, që do
të çonte në forcimin e njësisë kombëtare.
Prandaj rilindësit e parë, si dhe të tjerët
që i pasuan, ishin ideologë të çlirimit kombëtar
e mësues dhe hartuan vepra shkencore e letrare si edhe tekste
shkollore.
Tiparet e reja të lëvizjeve çlirimtare
kundërosmane
Me zbatimin e Tanzimatit u vendos mbi popullin shqiptar shtypja
e drejtpërdrejtë dhe e egër e sundimtarëve osmanë.
Administrata burokratike e përbërë nga nëpunës
me kombësi të huaj, grabitqarë e të pangopur,
detyrimet e rënda fiskale, shërbimi i rregullt dhe i zgjatur
ushtarak, gjyqet e korruptuara etj., e rëndonin zgjedhën
kombëtare dhe e shtonin shtypjen ekonomike e politike mbi pjesën
më të madhe të popullsisë.
Fshatarësia dhe vegjëlia e qyteteve duhej të përballonin
detyrime e taksa të rënda që vendoste administrata
e re, abuzimet e nëpunësve osmanë, si dhe mashtrimet
e spekulimet e sipërmarrësve të të ardhurave
shtetërore, në një kohë kur ekonominë e
popullsisë myslimane e dëmtonte edhe shërbimi shumëvjeçar
ushtarak, që i rrëmbente krahët më të aftë
për punë.
Me administratën e re u ndesh edhe fshatarësia e disa
zonave malore, që gëzonte të drejta vetëqeverisjeje
të fituara me luftë. Mosnjohja e këtyre të drejtave
dhe orvatjet për të zbatuar sistemin tatimor e rekrutimin
e detyruar ushtarak u sillnin këtyre krahinave një shtypje
e shfrytëzim ekonomik që nuk e kishin njohur më parë.
Nga reforma prekeshin edhe shtresa të tjera të popullsisë:
spahinjtë e dikurshëm dhe krerët e esnafëve,
të cilët kishin humbur të drejtat e privilegjet që
u siguronte sistemi i mëparshëm feudal-ushtarak; një
pjesë e bajraktarëve, e kapedanëve dhe e bylykbashëve,
të cilët nuk e gëzonin më të drejtën
e rekrutimit të ushtarëve me rrogë që u sillte
fitime; çifligarët e goditur nga Porta si dhe ata që
ishin lidhur me tregun kërkonin zhvillimin e tij dhe ishin
të pakënaqur nga pengesat burokratike të administratës
së re; pjesa më e madhe e borgjezisë, që u zhgënjye
shumë shpejt nga reformat të cilat, jo vetëm nuk
vendosën rregullin e qetësinë e dëshiruar dhe
nuk zhdukën pengesat e brendshme për zhvillimin e lirë
të tregtisë e të industrisë së tregut kombëtar,
por edhe e bënë atë objekt të abuzimeve grabitqare
të administratës së re.
Si pasojë, pakënaqësia ndaj reformave përfshiu
shtresat më të ndryshme shoqërore, pjesën më
të madhe të popullsisë. Kjo pakënaqësi
erdhi duke u rritur shkallë-shkallë me orvatjet që
bëri Porta e Lartë për të zbatuar reformat në
Shqipëri dhe u shndërrua në kryengritje të armatosura
që vijuan njëra pas tjetrës për disa dhjetëra
vjet. Në këto kryengritje morën pjesë pothuajse
të gjitha forcat e grupet shoqërore të popullsisë.
Lufta mori karakter ballor, që dëshmonte për ndryshime
në përmasat e në organizimin e saj. U krijua kështu
një front i gjerë kundërosman, i cili përbënte
tiparin kryesor të kthesës që ishte bërë
në luftën çlirimtare të popullit shqiptar.
Pas goditjeve ekonomike e politike që krerët feudalë
shqiptarë pësuan në vitet 1822-1831, ata nuk qenë
më në gjendje as të organizonin dhe as të udhëhiqnin
kryengritjet kundër sundimit osman. Në udhëheqje
të lëvizjes kryengritëse, gjatë viteve 30-40,
krahas krerëve çifligarë dolën përfaqësues
të borgjezisë qytetare e të fshatarësisë.
Ky ishte një tipar tjetër i ri që dëshmonte
për ndryshimet cilësore të ndodhura në zhvillimin
e luftës së armatosur.
Ndryshime thelbësore ndodhën edhe në përmbajtjen
e në karakterin e kërkesave të kryengritjeve të
fillimeve të Rilindjes Kombëtare, të viteve 30-40
të shek. XIX. Lufta për të përjashtuar nga zbatimi
i politikës së centralizmit burokratik viset shqiptare
shprehte në fakt kërkesën për njohjen e kombësisë
shqiptare si kombësi më vete, për trajtimin e veçantë
të Shqipërisë në kuadrin e Perandorisë
dhe për administrimin e saj nga njerëzit e vendit, që
nënkuptonte synimin për vetëqeverisje në shkallë
kombëtare e jo më lokale-krahinore. Kurse në rastet,
qoftë edhe të veçanta, siç ishte ai i Kryengritjes
së Dervish Carës të viteve 1843-1844 e ndonjë
tjetër, kur kryengritësit i referoheshin shembullit të
organizimit të shteteve fqinje, shpreheshin haptazi pretendimet
për autonominë e vendit të tyre.
Forcat e shtresat e ndryshme shoqërore u jepnin këtyre
kërkesave përmbajtje të ndryshme. Në lëvizje
u aktivizuan edhe ato shtresa, të cilat kishin humbur privilegjet
e pozitat që gëzonin në sistemin feudal-ushtarak
e që synonin t’i rifitonin ato. Lëvizja e tyre kishte
karakter të kufizuar e konservator, sepse synonte ta kthente
vendin prapa, në të kaluarën. Por pjesa më e
madhe e popullsisë që mori pjesë në kryengritjet
përbëhej nga masat qytetare e fshatare, të cilat
në administrimin e vendit nga shqiptarët shihnin çlirimin
e tyre nga zgjedha e rëndë kombëtare e administratës
së huaj burokratike osmane dhe nga shtypja e egër e saj.
Këto kërkesa nuk arritën, në ato vite, të
formuloheshin në mënyrë të përcaktuar,
në formën e një programi të vetëm dhe të
paraqiteshin në emër të të gjithë popullit
shqiptar, sepse mungonte një udhëheqje e formuar politikisht
dhe një organizatë a një qendër e vetme drejtuese,
që të bashkërendonte lëvizjet e veçanta,
t’i shkrinte ato në një lëvizje të përgjithshme
e t’i jepte asaj një program të përbashkët
kombëtar. Megjithatë, siç është pranuar
me të drejtë nga historiografia e sotme shqiptare, kërkesa
më e shpeshtë e këtyre kryengritjeve për një
status të veçantë të trojeve shqiptare, duke
i dalluar e duke i veçuar nga territoret e tjera të
Perandorisë Osmane, përmbante në “embrion”,
në formulimin e saj fillestar, kërkesën e administrimit
autonom të Shqipërisë, të autonomisë territoriale-administrative
të saj, duke ua lënë atë në dorë “krerëve”
të vendit.
Kryengritjet kundër shtypjes kombëtare patën në
fillim karakter lokal, por, meqenëse shpërthyen pothuajse
në të njëjtën kohë e për të njëjtat
shkaqe, drejtoheshin kundër një armiku të përbashkët
dhe kishin kërkesa të njëllojta. Ato u shndërruan
dora-dorës në kryengritje të gjera të fuqishme
duke përfshirë krahina të tëra të vendit.
Për herë të parë u bënë përpjekje
për kapërcimin e kornizave lokale dhe për organizimin
e një kryengritjeje të përgjithshme (më 1834),
që shprehte prirjen e popullit shqiptar drejt bashkimit. Gatishmëria
e bashkëpunimi ndërmjet vatrave të veçanta
të kryengritjeve dhe solidariteti ndërmjet popullsisë
së trevave të ndryshme, tregonin se procesi i bashkimit
të popullit shqiptar kishte hedhur rrënjë të
qëndrueshme.
Ndryshime u vunë re edhe në aspektin organizativ të
kësaj lufte. Dolën në skenë forma organizative
demokratike dhe më të kohës. Me zgjerimin e luftës,
për të përballuar forcat e mëdha armike dhe
për të bashkërenduar veprimet luftarake u organizuan
kuvende, besëlidhje, pleqësi dhe këshilla të
kryengritësve, disa nga të cilat, ndonëse kishin
qenë edhe më parë, morën përmbajtje të
re. Krahas përfaqësuesve të parisë çifligare,
në to merrnin pjesë tani edhe përfaqësues të
shtresave më të gjera të popullsisë, të
vegjëlisë qytetare e fshatare, të pronarëve
të vegjël të tokave, kryepleq e nëpunës
të vegjël, shumica e të cilëve ishin pak të
njohur. Përveç kësaj, besëlidhjet e kapërcyen
karakterin e ngushtë lokal dhe në disa raste morën
karakter ndërkrahinor, siç ishin Besëlidhja e nëntë
krahinave të Shqipërisë së Jugut e viteve 1833-1834,
Këshilli i Përkohshëm në Shkodër (1833-1835),
Kuvendi i Madh Ndërkrahinor i Mesaplikut (1847), i cili, duke
krijuar Lidhjen Kombëtare Shqiptare dhe organin e saj Komitetin
Kombëtar, mund të shihet si një organizëm që
synonte të merrte karakterin e një forumi me përmasa
kombëtare.
Një rol gjithnjë e më të dukshëm filluan
të luanin në këto kryengritje qytetet e sidomos ato
kryesore, si Shkodra, Berati, Prizreni, Gjakova, Shkupi e Elbasani,
të cilat u bënë qendra të rëndësishme
të këtyre lëvizjeve. Kjo dëshmonte për
peshën gjithnjë e më të madhe që filluan
të kishin qytetet në jetën ekonomike e politike të
vendit.
Të zhvilluara në kohën, kur te shqiptarët ishte
formuar tanimë një vetëdije politike e kombëtare,
kryengritjet e viteve 30 e 40 nuk mund të mos merrnin tipare
të reja, nacionalçlirimtare. Dëshmi e kësaj
vetëdijeje të shqiptarëve ishte edhe përkrahja
që ata u dhanë revolucioneve nacionale në Principatat
Rumune dhe në Greqi, në vitet 20, në të cilat
dhanë një kontribut të çmuar. Mjaft e gjerë
ishte pjesëmarrja e shqiptarëve të kolonisë
së Rumanisë dhe jo vetëm e atyre, por edhe e të
tjerëve të ardhur nga Shqipëria, e veçanërisht
nga trevat e saj jugore, në kryengritjen që shpërtheu
në Principatat Rumune në vitin 1821. Disa prej tyre kishin
marrë pjesë edhe në Revolucionin serb të vitit
1815. Është një fakt i njohur, tanimë, se Naum
Veqilharxhi, një nga personalitetet më të shquara
të Rilindjes Shqiptare, mori pjesë në kryengritjen
e vitit 1821 në Vllahi dhe në Moldavi qysh në fillim
të saj, ndihmoi në organizimin e revoltës dhe ishte
i pranishëm, si komandant ushtarak, gjatë disa veprimeve
luftarake që u zhvilluan kundër forcave osmane. Rol të
veçantë, si organizator dhe komandant ushtarak, në
kryengritjen e vitit 1821 në Principatat Rumune luajti iluministi
tjetër i njohur shqiptar, Konstandin Duka.
Shqiptarët përbënin një forcë të rëndësishme
luftarake në trupat e eteristëve*, të komanduar nga
princi grek Aleksandër Ipsilanti, si edhe në ato të
rumunit Tudor Vladimiresku që luftuan trimërisht në
radhët e kryengritësve të drejtuar nga komandantët
shqiptarë, Haxhi Prodani e kapiten Mihallaqi. Të shumtë
ishin shqiptarët që u vranë në betejat që
u zhvilluan gjatë kësaj kryengritjeje e sidomos në
atë të Skulenit, pas së cilës trupat e tyre
u hodhën në lumin Pruth. Edhe masakra që ushtria
osmane ndërmori në Bukuresht ndaj forcave kryengritëse,
në gusht të vitit 1821, ishte drejtuar kundër shqiptarëve
që morën pjesë në revoltën kundërosmane.
Shqiptarët u bashkuan me kryengritjen e Principatave Rumune
jo si mercenarë, por si luftëtarë që ishin të
ndërgjegjshëm se, duke kontribuar në çlirimin
e popullit rumun nga sundimtarët osmanë, të cilët
mbanin të robëruar gjithë popujt e Ballkanit, do
të jepnin ndihmesën e tyre edhe në çështjen
e çlirimit kombëtar të popullit shqiptar. Pikërisht
pse vepruan si një forcë e ndërgjegjshme politikisht
në aktet e kryengritjes së Principatave Rumune, shqiptarët
përmenden krahas grupeve të tjera etnike që morën
pjesë në lëvizje. Edhe frymëzuesit e lëvizjes,
eteristët, në thirrjen që u drejtuan shqiptarëve,
grekëve, vllahomoldavëve, bullgarëve, serbëve,
maqedonëve etj. qysh në fillim të kryengritjes u
kujtonin atyre se kjo luftë bëhej për çlirimin
e gjithë popujve të Ballkanit dhe njëherazi të
atdheut të tyre, se është atdheu i tyre i robëruar
ai që u bën thirrje të ngrihen kundër sundimtarëve
të huaj osmanë.
Shqiptarët ishin, gjithashtu, një forcë aktive me
rol të veçantë si në përgatitjen e kryengritjes
greke të vitit 1821, ashtu edhe në zhvillimin e revolucionit
në përgjithësi. Nëse Ali pashë Tepelena
me veprimet e tij ushtarake kundër ushtrive osmane u dha dorë
eteristëve të shpërthenin kryengritjen në mars
të vitit 1821, shqiptarët (arvanitët), krahas grekëve,
ishin nismëtarë të kësaj kryengritjeje. Qysh
në mars të vitit 1821 u bashkuan me Revolucionin grek
fshatra të tëra shqiptare (arvanite) të Atikës.
Kryengritësit shqiptarë, të udhëhequr nga fshatari
i thjeshtë Melet Vasili nga Atika (i quajtur Haxhimeleti),
marshuan në fundin e marsit drejt Athinës, e detyruan
garnizonin osman të mbyllet në Akropol dhe çliruan
Athinën. Përgjithësisht gjatë fazës së
parë të Revolucionit grek arvanitët, dhe jo vetëm
ata, por edhe shqiptarët e trevave të Shqipërisë,
duke përfshirë edhe ata myslimanë, u bënë
figura qendrore e ngjarjeve dhe e veprimeve luftarake të kryengritësve.
Kryengritësit e Peloponezit, grekë e shqiptarë (arvanitë),
të komanduar nga Kolokotroni, arritën të merrnin
qytetin e Tripolicës, për çlirimin e të cilit
patën luftuar pesë muaj me radhë, vetëm pasi
shqiptarët myslimanë hynë në marrëveshje
me ta dhe dezertuan në masë nga ushtria osmane. Pati edhe
mjaft shqiptarë myslimanë, ndërmjet të cilëve
njihen Mustafa Gega, Bajram Lapi, Avdi Gega etj., të cilët
jo vetëm dezertuan nga ushtria osmane, por morën pjesë
në veprimet luftarake të Revolucionit grek. Është
i njohur gjithashtu kontributi i luftëtarëve suliotë,
të udhëhequr nga Marko Boçari, të cilët
gjatë periudhës së parë të Revolucionit
grek mbajtën barrën kryesore të luftës në
Greqinë kontinentale. Edhe sundimtari i pashallëkut të
Shkodrës, Mustafa pashë Bushatlliu, duke kundërshtuar
urdhrin e sulltanit, braktisi, në vitin 1823, luftimet në
Misolongjin e rrethuar, nuk pranoi të marshonte drejt Athinës
për të shtypur kryengritjen dhe u kthye me ushtrinë
e tij në Shkodër. Shpërthimi i rrethimit të
Misolongjit nga grekët më 1823 u arrit, krahas të
tjerave, edhe nga ndihmesa e shqiptarëve që dezertuan
në masë nga ushtria osmane. Këto dezertime të
shqiptarëve myslimanë nga ushtria do të përsëriteshin
edhe në rrethimin e dytë të Misolongjit, në
vitin 1825.
Po kështu, pjesa më e madhe e feudalëve shqiptarë
të Toskërisë nuk pranoi të bashkëpunonte
me Portën e Lartë në shtypjen e kryengritjes greke.
Ata i kumtuan të dërguarve të Stambollit se do të
hynin në ushtrinë osmane vetëm në qoftë
se do të rrezikoheshin territoret e Shqipërisë Jugore.
Për shkak të këtij qëndrimi të shqiptarëve
dështoi fushata ushtarake osmane kundër Revolucionit grek
në shkurt-qershor të vitit 1821. Dështuan gjithashtu
përpjekjet që Hurshid Pasha bëri në vitin 1822,
pas vrasjes së Ali pashë Tepelenës, për të
mobilizuar shqiptarët në ushtrinë osmane dhe për
t’i hedhur ata kundër Revolucionit grek. Dezertimi i
ushtarëve shqiptarë vazhdoi edhe gjatë fushatës
së Ibrahim Pashës së Egjiptit kundër Revolucionit
grek në vitin 1827. Megjithatë, qysh në periudhën
e Revolucionit grek, shqiptarët u ndeshën me qëndrimet
shoviniste të udhëheqësve grekë ndaj tyre dhe
territoreve të Shqipërisë. Ndërsa popullsia
myslimane shqiptare iu nënshtrua atëherë masakrave
nga forcat ushtarake të Revolucionit grek.
Pjesëmarrja e shqiptarëve në revolucionet në
Principatat Rumune e në Greqi dhe kontributi që dhanë
ato në luftën për çlirimin e popujve rumun
e grekë ishin dëshmi jo vetëm e ndjenjave miqësore
ndaj popujve fqinjë, por edhe dëshmi e aspiratave të
tyre liridashëse. Këto aspirata dëshmojnë njëherazi
se shqiptarët, si popull, po hynin në epokën e re
të Rilindjes me një vetëdije të përcaktuar
politike, me ideale kombëtare e çlirimtare, të
cilat nuk mund të mos shfaqeshin edhe në kërkesat,
në synimet, në shkallën e organizimit dhe përgjithësisht
në karakterin e kryengritjeve të viteve 30-40 të
shek. XIX.
2. KRYENGRITJET KUNDËROSMANE
NË VITET 30-40
Kryengritjet e vitit 1833
Reformat centralizuese të qeverisë osmane, që filluan
të zbatoheshin në Shqipëri me dërgimin e nëpunësve
civilë dhe ushtarakë turq, hasën në qëndresën
e popullsisë shqiptare që nisi me moszbatimin e urdhrave
për t’u shndërruar më pas në kryengritje
të armatosur.
Pas dy kryengritjeve lokale, që shpërthyen në fillim
të vitit 1833 në Kolonjë e në Dibër dhe
që u shtypën nga qeveria turke, kryengritja mori një
shtrirje të gjerë të panjohur në periudhat e
mëparshme në zonën Berat-Vlorë-Delvinë-Çamëri.
Qeverisja arbitrare e Emin Pashës, i biri i Mehmet Reshit pashës,
e mbështetur në një terror, si dhe orvatjet për
zbatimin e reformës ushtarake ishin shkaqet e drejtpërdrejta
që e kthyen pakënaqësinë e popullsisë në
një kryengritje që u shtri në krejt Shqipërinë
e Jugut. Në fillim të korrikut 1833 ngritën krye
banorët e Tepelenës, të cilët shtinë në
dorë qytetin. Kryengritja, që udhëhiqej nga Balil
Nesho, u shtri në krahinat e Gjirokastrës e të Delvinës.
Për shtypjen e saj Stambolli dërgoi forca të shumta
osmane, të komanduara nga Emin Pasha. Shumica e kryengritësve
u vendos në Qafën e Peshkëpisë, ndërsa
pjesa tjetër, e organizuar në çeta të vogla,
u vendos gjatë rrugës për në Peshkëpi.
Goditjet që këto çeta u dhanë forcave osmane
dhe dezertimi i shumë ushtarëve shqiptarë, të
rekrutuar me forcë, e vështirësuan gjendjen e qeveritarit
osman. Por këtij i erdhi në ndihmë peshkopi ortodoks
i Drinopojës (i Gjirokastrës), i cili, duke njohur mirë
pozicionet e kryengritësve, i kaloi forcat osmane nëpër
një grykë tjetër. Të papërgatitur për
sulmin e befasishëm, kryengritësit luftuan me trimëri
dhe, pasi lanë shumë të vrarë, u tërhoqën
në fshatin Luzat, ku i shkaktuan Emin Pashës një
shpartallim të plotë.
Të nxitur nga kjo fitore, u hodhën në kryengritje
edhe banorët e qyteteve të Beratit e të Vlorës.
Duke nisur si një kryengritje fshatare, ajo brenda një
kohe të shkurtër u kthye në një lëvizje
të të gjithë popullsisë, gjeti mbështetje
të fortë në banorët e Beratit, të cilët
rrethuan kështjellën. Kryengritja përfshiu gjithashtu
krahinat e Tomoricës, të Skraparit e të Kurveleshit.
Një pjesë e kryengritësve shkuan në ndihmë
të forcave që kishin rrethuar kështjellën e
Beratit, kurse pjesa tjetër zuri grykat e rrugët nga pritej
të vinte ushtria osmane. Rrezja e kryengritjes u përhap
në krahinat e Delvinës e të Çamërisë.
Jehona e saj u ndje edhe në Shqipërinë e Mesme. Me
kërkesën e banorëve të Elbasanit një pjesë
e kryengritësve u hodh nga Berati në atë krahinë
për t’i ndihmuar ata në luftën kundër
administratës osmane.
Në këto rrethana Porta e Lartë, me shpresë se
kryengritësit do të shpërndaheshin, e largoi Emin
Pashën nga Shqipëria e Jugut. Por në mesin e shtatorit
të 1833-it, nën goditjet e fuqishme të kryengritësve,
ra kështjella e Beratit. Në qytetin e çliruar të
Beratit, kuvendi i përfaqësuesve të të gjitha
krahinave kryengritëse miratoi dy kërkesa themelore: t’u
ngarkohej shqiptarëve drejtimi i krahinave kryengritëse
dhe të uleshin detyrimet ndaj shtetit, duke zbritur në
atë masë që paguhej në kohën kur pashallëku
i Beratit qeverisej nga feudali shqiptar, Ahmet Kurt pasha.
Shtrirja e gjerë e kryengritjes, që fillonte nga Skrapari
e Kurveleshi, në Myzeqe e në Vlorë e deri në
Çamëri, e detyruan Portën e Lartë të
hiqte dorë përkohësisht nga rekrutimi i ushtarëve
nizamë, të shpallte amnistinë dhe të lejonte
vendosjen e disa shqiptarëve si qeveritarë në kazatë
e Beratit, të Vlorës, të Tepelenës, të
Gjirokastrës e të Përmetit dhe emërimin e të
tjerëve si komandantë në garnizonet e kështjellave
të Beratit, të Gjirokastrës etj. Kjo ishte një
fitore e rëndësishme e kryengritjes, por jo e plotë.
Të paformuara politikisht dhe me një udhëheqje pa
përvojë, forcat kryengritëse u shpërndanë,
duke besuar se do të plotësoheshin të gjitha kërkesat
e tyre.
Po në vitin 1833 lëvizja kryengritëse përfshiu
edhe Shqipërinë e Veriut. Vatra kryesore e saj u bë
Shkodra, qyteti më i zhvilluar i vendit. Zbatimi i reformës
ushtarake, abuzimet dhe grabitjet e administratës së re
shkaktuan pakënaqësi te popullsia qytetare. Por shtresat
e pasura të krishtera të qytetit, sipas porosisë
së dhënë nga emisarët austriakë, që
u kërkonin të mos bashkoheshin me popullsinë myslimane,
nuk u përfshinë në lëvizje. Më 10 prill
të vitit 1833 u dha kushtrimi për mbylljen e dyqaneve
në tregun e Shkodrës. Rreth 4 000 veta të armatosur
nga popullsia e qytetit dhe nga malësorët përreth
zunë sheshin e qytetit. Në emër të kryengritësve
një delegacion i dërguar nga ata kërkoi që veziri
Ali Namik pasha të hiqte dorë nga zbatimi i reformave,
nga dhuna e grabitjet dhe të vendoseshin rregullat që
kishin qenë në fuqi në kohën e qeverisjes së
vendit nga Mustafa pashë Bushatlliu. Por thelbin e këtyre
kërkesave e përbënte synimi për një qeverisje
autonome të krahinës së Shkodrës. Duke parë
fuqinë e revoltës dhe për të fituar kohë,
qeveritari, Ali Namik pasha, premtoi se do të merrte parasysh
kërkesat e të revoltuarve. Ndërkohë ai mori
masa për shtypjen e saj. Më 7 gusht të vitit 1833
ai dërgoi një repart ushtarësh në tregun e qytetit
për ta shtënë në dorë. Ky veprim çoi
në përleshje të ashpra midis forcave osmane dhe njësive
kryengritëse. Pabesia e qeveritarit e shtyti edhe popullsinë
katolike të bashkohej me myslimanët. Pas kësaj lëvizja
mori formën e një kryengritjeje. Më 8 gusht u organizua
një kuvend, ku morën pjesë përfaqësues
të lagjeve të qytetit. Kuvendi zgjodhi një Këshill
të Përkohshëm, që riorganizoi forcat vullnetare
dhe caktoi një delegacion që do të shkonte në
Stamboll për t’u ankuar në emër të popullsisë
së Shkodrës kundër qeveritarit të sanxhakut.
Kryengritja udhëhiqej nga një Këshill përfaqësues.
Kjo ishte një formë e re organizimi që ndeshej për
herë të parë në lëvizjen shqiptare. Këshilli
përbëhej nga përfaqësues të parisë,
të krerëve që ishin pasardhës të Bushatllinjve
dhe të borgjezisë zejtare-tregtare të qytetit.
Ndërsa pritej përgjigjja nga Stambolli, Ali Namik pasha,
duke thirrur në ndihmë edhe trupat që kishte mbledhur
i biri në Ohër e në Elbasan, u orvat të shtypte
me forcën e armëve kryengritjen qytetare. Mirëpo
këto orvatje dështuan para qëndresës së
forcave kryengritëse. Forcat osmane u thyen dhe u tërhoqën
me disfatë para se të mbërrinin në Shkodër.
Kryengritja nuk gjeti ndonjë mbështetje te Fuqitë
e Mëdha. Edhe qeveria austriake, ndonëse kishte marrë
përsipër mbrojtjen e katolikëve, urdhëroi emisarin
e saj në Shkodër që të mos pranonte asnjë
kërkesë të kryengritësve. Vonesa e përgjigjes
së Portës së Lartë u tregoi qartë kryengritësve
se kërkesat e tyre mund të përmbusheshin vetëm
me luftë e në bashkëpunim me krahinat e tjera të
vendit. Përveç lidhjeve që ishin vendosur me malësorët
e me krahinat përreth qytetit të Shkodrës, u bënë
përçapje për të hyrë në bashkëpunim
me viset e tjera shqiptare, në Shqipërinë e Mesme
e të Jugut. Një delegacion u dërgua në Elbasan,
ku banorët e qytetit, të ndihmuar edhe nga vullnetarët
e ardhur nga Berati, mbanin të bllokuar qeveritarin e huaj.
E ndodhur para një lëvizjeje kryengritëse, që
kishte përfshirë tokat shqiptare nga Shkodra deri në
Çamëri dhe që krijonte përshtypjen e një
kryengritjeje të përgjithshme, Porta e Lartë u detyrua
të pushonte nga detyra Ali Namik pashën, të pezullonte
përkohësisht zbatimin e reformave dhe të premtonte
se do të paguante dëmet që u ishin shkaktuar shqiptarëve
gjatë luftimeve. Më 2 dhjetor 1833 Ali Namik pasha, pas
tre muajsh rrethimi, u detyrua ta lërë Shkodrën.
Në vendin e tij u dërgua Hafëz Pasha. Ndërkaq,
pasi zgjidhi konfliktin me Mehmet Aliun e Egjiptit, Porta e Lartë
rifilloi orvatjet për të zbatuar me forcë reformat.
Kjo u bë shkak për rigjallërimin e lëvizjes
kryengritëse. I shoqëruar nga tetë regjimente të
rregullta, Hafëz Pasha filloi të shkarkonte elementët
kundërshtarë dhe t’i zëvendësonte me nëpunës
të huaj, rriti taksat doganore për mallrat e importuara
nga 2% në 5% dhe u orvat të zbatonte reformën ushtarake.
Ndërkohë, edhe qeveritari i Shqipërisë së
Jugut, Mehmet Hamdi pasha, kishte marrë urdhër të
zbatonte reformën ushtarake në këto treva.
Përpjekjet për organizimin e një kryengritjeje
të përgjithshme (1834-1835)
Kryengritjet në jug e në veri, me gjithë shtrirjen
e gjerë, nuk arritën të vendosnin lidhje midis tyre
dhe të siguronin qeverisjen e tokave shqiptare nga nëpunësit
vendas. Ndërkohë Porta e Lartë, pasi zgjidhi konfliktin
me Egjiptin, u orvat përsëri të zbatonte me forcë
reformat. Kjo i dha shkak rifillimit të lëvizjes kryengritëse
në Shqipëri.
Përvoja luftarake e vitit 1833 u tregoi udhëheqësve
të kryengritjeve të veçanta në Toskëri
dhe në Gegëri se rezultatet do të arriheshin në
rast se do të organizohej një kryengritje e përgjithshme
me një udhëheqje të vetme. Gjatë verës
së vitit 1834 u shkëmbyen mendime ndërmjet përfaqësuesve
të krahinave të ndryshme të vendit, pas të cilave
u vendos të organizohej një kryengritje e tillë e
përgjithshme dhe u hartua për këtë një
plan i përgjithshëm operativ. Sipas këtij plani do
të sulmohej në fillim kështjella e Beratit dhe, me
të rënë ajo në duart e kryengritësve, gjysma
e tyre, së bashku me forcat kryengritëse të Kavajës,
të Tiranës e të Mirditës dhe me popullsinë
e Shkodrës, do të sulmonin trupat e qeveritarit të
Shkodrës, kurse gjysma tjetër, së bashku me kryengritësit
e sanxhakut të Delvinës, do të sulmonin forcat e
Mahmut Pashës, që kishte zëvendësuar Emin Pashën
në Janinë. Ky ishte plani i parë operativ për
një kryengritje të përgjithshme dhe përbënte
një hap të rëndësishëm në luftën
çlirimtare. Me këtë plan krerët e Shqipërisë
bashkoheshin në një lidhje ushtarake mbarëshqiptare
dhe merrnin në duart e tyre nismën për të vepruar
bashkërisht.
Kryengritjen, ashtu siç ishte parashikuar, e filloi në
vjeshtën e vitit 1834 popullsia e qytetit të Beratit,
e cila rrëmbeu armët për të mbrojtur disa ushtarë
që kishin ardhur me leje nga Stambolli e nuk dëshironin
të ktheheshin në shërbimin ushtarak. Kryengritësit
mbyllën qeveritarët në kështjellë dhe ftuan
udhëheqësin e njohur të kryengritjeve të mëparshme,
Tafil Buzin, për të drejtuar veprimet ushtarake. Ai sapo
kishte dështuar përpara Tepelenës, së bashku
me Shahin bej Delvinën, kur zbarkoi këtu nga Kreta për
të organizuar një kryengritje dhe kishte pranuar amnistinë.
Megjithatë, ai erdhi nga fshati i vet në Berat. Brenda
një kohe të shkurtër rreth tij u grumbulluan 10 000
vullnetarë. Kryengritësit shtinë në dorë
magazinat shtetërore të drithit, të cilin ia shpërndanë
popullsisë.
Kryengritja u përhap shumë shpejt në krahinat e Vlorës,
të Tepelenës, të Skraparit, të Tomoricës,
të Mallakastrës, të Përmetit e të Beratit,
në atë rreze si një vit më parë. Kjo dëshmonte
për lidhje të forta ndihme e bashkëpunimi ndërmjet
këtyre krahinave dhe për një ngritje të ndërgjegjes
politike. Përfaqësuesit e shtatë krahinave u mblodhën
në një kuvend në Berat, ku vendosën të
formonin një Besëlidhje politike. Atë e drejtonte
një pleqësi, e cila si një organ drejtues kolegjial
bëri një ndarje pune ndërmjet anëtarëve
të saj. Kryetar u zgjodh Abaz bej Lushnja nga familja e Ngurzajve.
Tafil Buzi u ngarkua me drejtimin e veprimeve luftarake dhe për
lidhjet me botën e jashtme, veçanërisht me Mehmet
Aliun e Egjiptit. Ky i fundit interesohej gjallërisht për
kryengritjet në Shqipëri, sepse i shihte si një faktor
të rëndësishëm për dobësimin e fuqisë
së Perandorisë Osmane, me të cilën prej kohësh
ishte në konflikt. Besëlidhja nuk kishte vetëm karakter
ushtarak e ndërkrahinor, por ishte edhe një organ qeverisës,
i dalë nga lufta për të zëvendësuar administratën
osmane. Udhëheqja e Besëlidhjes përbëhej nga
krerë feudalë, përfaqësues të zejtarëve
e të tregtarëve, të klerit e të fshatarësisë.
Në emër të kryengritësve, Pleqësia i paraqiti
qeveritarit osman, Hamdi Pashës, kërkesat për të
përjashtuar krahinat kryengritëse nga zbatimi i reformave
centralizuese dhe për t’u njohur atyre një qeverisje
autonome nga vetë shqiptarët. Kërkesat e Pleqësisë
nuk u morën parasysh nga Porta e Lartë. Kjo i dha hov
më të madh kryengritjes. Me nismën e Tafil Buzit,
në Besëlidhje hynë edhe krahina e Sulovës dhe
e Vërçës. Nga mesi i dhjetorit, pas 2 muaj lufte,
kështjella e Beratit iu dorëzua kryengritësve. Aty
u vendos një garnizon i ri i përbërë nga 100
ushtarë. Ata përfaqësonin në mënyrë
të barabartë të nëntë krahinat e Besëlidhjes.
Komandantët e forcave ushtarake të qytetit u zëvendësuan
me kryengritës të dalluar për trimëri. U bë
hapi i parë për sigurimin e vetëqeverisjes. Por plani
i përgjithshëm operativ i kryengritjes së përgjithshme
nuk u zbatua më tej. Porta e Lartë kishte marrë ndërkohë
një varg masash për ta penguar realizimin e tij. Ajo u
kishte premtuar krerëve dhe udhëheqësve të esnafëve
se do të plotësonte kërkesat e tyre. Nga ana tjetër,
Hafëz Pasha kishte përforcuar garnizonet e Durrësit
e të Kavajës me një sasi të madhe topash e municionesh.
Ai thirri në Shkodër mjaft pashallarë e bejlerë
që kishin marrë pjesë në hartimin e planit operativ
të kryengritjes dhe u premtoi se do të hiqte dorë
nga zbatimi i reformave centralizuese. Këto masa shkaktuan
lëkundje e përçarje në udhëheqjen e kryengritjes.
Në këto kushte, forcat kryengritëse, pasi morën
kështjellën e Beratit, nuk u nisën kundër qeveritarit
të Shkodrës, ndërsa popullsia e këtij qyteti
nuk u ngrit kundër sundimtarit osman. Në ditët e
para të janarit 1835 Pleqësia e Beratit, duke u besuar
premtimeve të Hamdi Pashës, që miratoi ndryshimet
e bëra në administratën lokale, nënshkroi me
të një marrëveshje për shpërndarjen e forcave
kryengritëse. Kjo shënoi një fitore të Besëlidhjes
së nëntë krahinave kryengritëse të Shqipërisë
së Jugut pasi u ndërprenë përsëri reformat
centralizuese.
Në shkurt 1835 Hamdi Pasha, që tani ishte ngritur në
postin e valiut të Rumelisë, ftoi mjaft krerë shqiptarë
në Manastir, disa prej të cilëve i nisi në Stamboll,
kurse të tjerët i shpërbleu. Vetëm Tafil Buzi
nuk u paraqit dhe, kur qeveritari osman filloi të shkelte marrëveshjen,
nisi përsëri kryengritjen. Rreth 6 000-8 000 kryengritës
nën drejtimin e tij vunë nën kontroll zonën
Vlorë-Berat. Këtë herë kryengritja nuk pati
shtrirjen e mëparshme. Pasi dështoi në Berat e në
Elbasan, ai iu drejtua Janinës në krye të disa qindra
kryengritësve. Në afërsi të saj Tafil Buzi shpërndau
një shpallje, me të cilën u bënte thirrje shqiptarëve
të ngjeshnin armët për çlirimin e atdheut
të tyre. Kërkesat kryesore ishin dy: dëbimi i nëpunësve
dhe i ushtarëve turq nga territoret shqiptare dhe zbritja e
taksave në masën e kohërave të mëparshme.
Shpallja e Tafil Buzit ishte një nga proklamatat e para ku
bëhej thirrje për çlirimin e atdheut. Këtu
për herë të parë flitej në emër të
të gjithë vendit dhe jo vetëm të krahinave kryengritëse.
Në emër të kryengritësve ai i dërgoi një
mesazh Mehmet Aliut të Egjiptit, me të cilin kërkonte
përkrahjen e tij.
Jehona që gjeti shpallja brenda në vend dhe kërkesa
e ndihmës së Mehmet Aliut, e shqetësuan qeverinë
osmane. Me masa diplomatike ajo e detyroi Mehmet Aliun të mos
i përgjigjej ftesës për ndihmë, ndërsa,
nga ana tjetër, dërgoi kundër kryengritësve
forca të shumta ushtarake. Pas një qëndrese të
ashpër e të gjatë kryengritësit nuk ishin në
gjendje t’i bënin ballë armikut. Më 2 maj 1835
Tafil Buzi u detyrua të pranonte amnistinë që i propozoi
valiu i Rumelisë dhe të hiqte dorë nga lufta.
Po në maj 1835 shpërtheu një kryengritje e re në
krahinën e Myzeqesë. Qindra fshatarë, nën drejtimin
e Alush bej Frakullës, vunë dorë mbi çifligjet
shtetërore dhe i shpallën pronë të tyre. Kryengritja
u përhap nga Myzeqeja në krahinat e Vlorës, të
Mallakastrës e të Tepelenës. Numri i kryengritësve
arriti në 7 000 veta. Me kryepleqtë e krahinave kryengritëse
u organizua një kuvend në fshatin Portëzë të
Fierit, ku u formua një Besëlidhje e re. Ajo do të
kishte një ushtri të përhershme me rrogë për
mbrojtjen e krahinave të çliruara. Shpenzimet për
mbajtjen e saj do të përballoheshin prej të ardhurave
të çifligjeve shtetërore. Krahinat e besëlidhura
do të drejtoheshin prej kryepleqve vendas dhe vetëm këta
do të kishin të bënin, në emër të
Besëlidhjes, me pushtetin qendor për të dorëzuar
detyrimet ndaj shtetit. Me këto vendime të kuvendit synohej
të realizohej një autonomi ndërkrahinore.
Mirëpo, kryengritja e Myzeqesë nuk pati sukses për
shkak të dëmeve që i solli veprimtaria përçarëse
e qeveritarëve osmanë e sidomos të paqëndrueshmërisë
së agallarëve e të bejlerëve vendas, të
cilët, kur Porta e Lartë u premtoi se nuk do t’i
prekte interesat e tyre, lidhën me të një marrëveshje
bindjeje dhe nënshtrimi.
Rënia e përkohshme e lëvizjes kryengritëse në
Shqipërinë e Jugut dhe trysnia që ushtroi Stambolli,
e shtynë qeveritarin e Shkodrës, Hafëz Pasha të
rifillonte zbatimin e reformave centralizuese dhe të shkelte
premtimet e dhëna. Ai hoqi nga aparati administrativ e ushtarak
vendasit e padëshiruar, ngriti taksat doganore nga 2-5 për
qind, vendosi taksa të reja “të jashtëzakonshme”
dhe u orvat të zbatonte reformën ushtarake. Për të
zbutur këto masa qeveria osmane i dërgoi në ndihmë
një ushtri prej 10 000 vetash. Popullsia e Shkodrës nuk
iu bind urdhrave të tij dhe kundërshtoi të gjitha
orvatjet për të zbatuar reformat. Kështu filloi një
kryengritje e re shumë më e madhe se simotrat e saj me
qendër në Shkodër. Më 18 maj 1835 qeveritari
osman zuri tregun, kurse regjimentet e ushtrisë së rregullt
morën kodrat rreth qytetit. Po atë ditë ai urdhëroi
të arrestohej Hamza Kazazi, ish-komandant i rojës së
qytetit, i hequr nga detyra prej Hafëz Pashës. Krisma
e pushkës së Hamza Kazazit ngriti në këmbë
gjithë qytetin. Luftimet zgjatën atë ditë gjashtë
orë dhe përfunduan me tërheqjen e forcave qeveritare,
që lanë shumë të vrarë e të plagosur.
Qëndresën e qytetit e udhëhiqte Këshilli i Ri
i Përkohshëm, ku bënin pjesë përfaqësues
të borgjezisë tregtare (Haxhi Abdurrahmani e Kasem Hoxha),
të mjeshtërve zejtarë (Hamza Kazazi e Dasho Shkreli),
të çifligarëve (Hysen bej Bushati, Ali bej Bajrami
dhe Jusuf Beu) dhe një përfaqësues i klerit të
ulët islam (Haxhi Idrizi). Hamza Kazazi u ngarkua me drejtimin
e veprimeve ushtarake. Këshilli i Përkohshëm njihet
në literaturë edhe si qeveri provizore. Si në asnjë
kryengritje tjetër, këtë herë u hartua një
strategji e taktikë e qartë. Forcat kryengritëse
u organizuan në bazë lagjesh dhe gjithmonë ishin
në pozita sulmi. Me qytetarët shkodranë u bashkuan
vullnetarë nga Postriba, Gjakova, Peja, nga Malësia e
Mbishkodrës, Ulqini, Podgorica, nga krahinat e Mirditës,
të Matit e të Dibrës. Qindra kryengritës nga
Dibra e Mati iu përgjigjën planit operativ të kryengritjes
së përgjithshme dhe zbritën në drejtim të
Elbasanit. Kështu, kryengritja përfshiu gati gjithë
Shqipërinë e Veriut. Gjenerali francez Kybjer, komandant
i forcave të Mesdheut, e quante kryengritjen një revolucion,
duke i dhënë kuptimin e një lëvizjeje me një
shtrirje të gjerë dhe me synimin për të flakur
zgjedhën osmane.
Në pamundësi për ta shtypur me forca ushtarake, Hafëz
Pasha kërkoi të dinte kërkesat e kryengritësve,
të cilat ia paraqiti një delegacion i dërguar prej
tyre. Kryengritësit kërkuan largimin e Hafëz Pashës
nga Shkodra, dorëzimin e kështjellës një shqiptari
dhe anulimin e taksave të vendosura gjatë reformave centralizuese.
Një nga emisarët francezë në Prevezë shkruante
në ato ditë se kryengritësit pretendonin një
pavarësi të plotë ose të formonin një shtet
të ngjashëm me Serbinë.
Hafëz Pasha nuk mund të pranonte kërkesa të
tilla, prandaj kërkoi ndihmën e Portës së Lartë.
Kryengritësit thyen forcat osmane në përleshjet që
u bënë më 23-24 maj, më 2 qershor, më 9
qershor, më 24 qershor dhe më 6 korrik 1835. Më 14
korrik kryengritësit thyen në Lezhë forcat e valiut
të Rumelisë, me të cilin qenë bashkuar edhe
disa pashallarë shqiptarë. Pas kësaj fitoreje kryengritja
u shtri në të gjithë Shqipërinë e Veriut.
Porta e Lartë u detyrua të dërgojë një
ushtri të rregullt prej 30 000 vetash, një nga më
të mëdhatë e asaj kohe, që u vu nën komandën
e sekretarit të sulltanit, Vasaf Efendiut.
Në pritje të këtyre forcave, valiu i Rumelisë
hyri në bisedime me kryengritësit për të mënjanuar
ndeshjet e armatosura. Ai u dorëzoi atyre një dokument
(ferman) të rremë, me të cilin sulltani gjoja pranonte
kërkesat e tyre.
Por lufta e gjatë kishte dëmtuar shumë zejtarët
e tregtarët shkodranë, që qenë gati të
largoheshin prej saj. Pjesa më e vendosur e udhëheqjes
së kryengritësve, si Haxhi Idris Boksi, Dasho Shkreli
etj., e kuptuan kurthin dhe e vijuan luftën. Por në ndeshjen
me ushtrinë osmane më 1 shtator 1835, në afërsi
të Lezhës, kryengritësit u thyen dhe u detyruan të
tërhiqen drejt Shkodrës. Nga kjo gjendje e vështirë
ata nuk mundën t’i nxirrnin as kryengritësit dibranë
e matjanë që godisnin nga prapa krahëve ushtrinë
osmane, as thirrja e Tafil Buzit drejtuar popullit shqiptar për
të mos furnizuar me ushqime ushtrinë osmane. Më 18
shtator 1835 ushtria osmane, që ishte nisur nga Lezha e Ulqini,
hyri në qytetin e Shkodrës. Pjesa më e vendosur e
kryengritësve u largua drejt zonave malore.
Për të mos e acaruar më tej gjendjen, Porta e Lartë
bëri disa lëshime, e largoi Hafëz Pashën nga
Shkodra dhe e zëvendësoi shërbimin e rregullt ushtarak
me një taksë në të holla, ndërsa sanxhaku
i Shkodrës u përjashtua nga zbatimi i reformave centralizuese
deri në vitet 50. Por këto ishin vetëm disa fitore
të pjesshme të kryengritësve, të cilët
synonin vendosjen e një qeverisjeje autonome të vendit.
Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 përfshinë një
pjesë të mirë të trevave shqiptare, ato nuk
arritën të shndërroheshin në një kryengritje
të përgjithshme, me një udhëheqje të vetme
dhe me veprime të bashkërenduara. Arsyet duhen kërkuar
jo vetëm në epërsinë ushtarake osmane, por edhe
në papjekurinë politike të kryengritësve dhe
sidomos në lëkundjet e mjaft prej krerëve feudalë
e të bajraktarëve, që braktisnin luftën sa herë
që Porta bënte disa lëshime ose premtonte të
kënaqte interesat e tyre partikulariste.
Kryengritjet shqiptare të viteve 1836-1839
Edhe pse kryengritjet e viteve 1834-1835 u shtypën, gjendja
në Shqipëri nuk u qetësua. Porta e Lartë ishte
e vendosur të zbatonte reformat dhe priste rastin e volitshëm
për të shkelur premtimet që u kishte bërë
shqiptarëve. Por edhe shtresat e gjera të popullsisë
shqiptare ishin të vendosura të mos i pranonin ato dhe
barrën e rëndë që sillte zbatimi i këtyre
reformave. Ndërkaq, përballë qëndresës
së përgjithshne të shqiptarëve, Porta e Lartë
u detyrua të ndërrojë taktikë, hoqi dorë
nga zbatimi i menjëhershëm i reformave në të
gjitha tokat shqiptare, duke i vënë në jetë
pjesë-pjesë. Në të njëjtën kohë,
para zbatimit të tyre, bëri për vete mjaft krerë
feudalë të lëkundur. Në këto rrethana kryengritjet,
edhe pse vazhduan pareshtur, nuk arritën të merrnin një
shtrirje të gjerë, në rrafsh kombëtar, por mbetën
të kufizuara në caqet lokale ose krahinore, që i
dha mundësi Stambollit t’i shtypte më lehtë.
Në verën e vitit 1836 shpërtheu kryengritja në
krahinën e Vlorës, e udhëhequr përsëri
nga Tafil Buzi, por ajo nuk zgjati shumë. Pas një viti
rifilloi në përmasa më të gjera në Myzeqe.
Qëndresa e armatosur u shtri edhe në trevat veriore të
vendit, në Rrafshin e Dukagjinit, në Kosovë dhe në
krahinën e Dibrës. Në vjeshtën e vitit 1836
popullsia shqiptare e krahinave të Bihorit e të Tërgovishtës
nuk pranoi të regjistroheshin ushtarët rezervistë.
Në fillim të vitit 1837 u ngrit popullsia e Matit, dëboi
qeveritarin e huaj dhe e detyroi valiun e Rumelisë të
risjellë atje Haxhi pashë Matin, të shkarkuar pas
kryengritjes së Shkodrës.
Në qershor të vitit 1837 kryengritja e drejtuar nga Alush
bej Frakulla përfshiu krahinën e Myzeqesë. Në
ditët e para të qershorit 1837 kryengritësit u ndeshën
me forcat osmane përpara qytetit të Beratit dhe i thyen
ato. Kundër tyre u hodh Emin Pasha, me një ushtri prej
5 000 vetash, që mbërriti në fillim në Berat
për të kaluar më pas në Myzeqe. Në një
përleshje të pabarabartë në fshatin Frakull
kryengritësit u mundën. Alush Frakulla me 150 veta u kapën
dhe u dënuan me punë të detyruar. Megjithëse
kryengritja u shtyp, Emin Pasha nuk guxoi të zbatonte reformën
ushtarake.
Po në verën e vitit 1837 lëvizja kryengritëse
u shtri në krahinat e Gjakovës, të Pejës, të
Plavës e të Gucisë, ku shpërtheu qëndresa
e armatosur kundër rekrutimit të ushtarëve nizamë
e kundër taksave që shoqëronin reformat. Kryengritësit
gjakovarë shpartalluan forcat qeveritare, shtinë në
dorë qytetin e Gjakovës dhe shpallën vetëqeverisjen
e krahinave të tyre. Kjo ishte një fitore e rëndësishme
e kryengritësve, por në një zonë relativisht
të kufizuar. Kjo u dha mundësi forcave osmane, të
përkrahuara edhe nga krerë vendas, ta shtypnin lëvizjen
brenda një kohe të shkurtër.
Më ndryshe u zhvilluan ngjarjet në krahinën e Dibrës
e në atë të Prizrenit. Në vjeshtën e vitit
1837 rreth 8 000 kryengritës nga Dibra e Sipërme dhe e
Poshtme iu kundërvunë përpjekjeve të Portës
së Lartë për kufizimin e vetëqeverisjes lokale
të kësaj krahine. Kryengritësit rrethuan qytetin
e Dibrës së Madhe dhe mblodhën në katundin Krifcë
Kuvendin e tyre, i cili kërkoi nga të dërguarit e
valiut të Rumelisë zëvendësimin e një nëpunësi
të huaj, të caktuar prej tij me një shqiptar si edhe
garancinë për të mos dënuar asnjë kryengritës.
Vendosmëria e kryengritësve e detyroi Portën e Lartë
të pranonte kërkesat e tyre. Kështu në krahinën
e Dibrave u ruajt tradita e qeverisjes prej nëpunësve
vendas.
Në ditët e para të muajit gusht të vitit 1839
kryengritja përfshiu qytetin e Beratit, që varej atëherë
nga sanxhaku i Vlorës. Qindra qytetarë sulmuan selinë
e qeveritarit të Beratit, i cili mundi të shpëtojë
duke u mbyllur në kala. Kryengritja u shtri në tërë
krahinat e sanxhakut të Vlorës. Në Kuvendin që
u mbajt në qytetin e Beratit përfaqësuesit e kryengritësve
i paraqitën sulltanit të ri, Abdyl Mexhitit, në emër
të të gjithë Shqipërisë së Jugut,
kërkesën për vendosjen e një administrate civile
e ushtarake shqiptare në të gjitha hallkat shtetërore.
Si qeveritar i përgjithshëm i saj u propozua Ismail Pasha,
nipi i Ali pashë Tepelenës dhe djali i Veli Beut. Kryengritësit
mendonin se emri i mirë i kësaj shtëpie do të
ndikonte në bashkimin e shqiptarëve dhe të tokave
të tyre. Në shtator 1839 kryengritësit shtinë
në dorë kështjellën. Në këto rrethana
Porta e Lartë u detyrua të pezullojë përkohësisht
reformat centralizuese.
Në mesin e shtatorit të vitit 1839 lëvizja kryengritëse
u shtri në Prizren, banorët e të cilit rrëmbyen
armët dhe e detyruan qeveritarin osman, Ismet Pashën,
të largohej nga qyteti. Një delegacion i kryengritësve
i kërkoi Portës së Lartë që të hiqte
taksat e reja, t’u jepej fund grabitjeve, t’i njihej
sanxhakut të Prizrenit një qeverisje autonome, duke e
shkëputur njëkohësisht nga varësia e drejtpërdrejtë
ushtarake nga qeveritari (myshiri-mareshali) i Rumelisë. Ky
u orvat të përdorte mirditasit dhe kapedanin e tyre për
të shtypur kryengritjen. Por mirditorët, tek të cilët
ishte forcuar tanimë vetëdija politike, nuk pranuan të
luftonin kundër vëllezërve të tyre. Porta e
Lartë u detyrua që edhe në këtë sanxhak
të ndërpriste zbatimin e reformave centralizuese.
Si rrjedhojë e kryengritjeve shqiptare të viteve 30 reformat
centralizuese nuk u çuan deri në fund, mbetën në
gjysmën e rrugës. Porta nuk arriti të zëvendësonte,
në gjithë administratën lokale, nëpunësit
vendas me turq. Krahina e Shkodrës u përjashtua nga reformat
dhe mbeti kështu deri në mesin e atij shekulli. Reformën
ushtarake Stambolli u orvat ta vinte në jetë në Shqipëri
nëpërmjet ekspeditave të njëpasnjëshme
ushtarake, që mobilizonin me forcë ushtarët nizamë
e rezervistë, ndërsa reforma gjyqësore nuk arriti
të zbatohej.
Kryengritja e Dervish Carës (1843-1844).
Qëndresa kundërosmane në Shqipërinë e Veriut
Në vitet 1843-1844 Kosova dhe trevat lindore shqiptare u bënë
vatër e njërës prej kryengritjeve më të
fuqishme kundërosmane të gjysmës së parë
të shek. XIX, e cila, sipas emrit të udhëheqësit
të saj, është quajtur Kryengritja e Dervish Carës.
Në Shqipërinë e Veriut reformat e Tanzimatit u shpallën
zyrtarisht në vitin 1843. Shpallja e tyre shkaktoi një
valë të re kryengritjesh që morën shtrirje të
gjerë ndërkrahinore. Qendra kryesore të tyre mbetën
qytetet. Zëvendësimi i funksionarëve shqiptarë
me nëpunës të huaj dhe urdhri për rekrutimin
e ushtarëve nizamë ishin dy shkaqet e drejtpërdrejta
të shpërthimit të kryengritjeve në këtë
zonë. Në verën e vitit 1843 ngritën krye banorët
e Prizrenit, që dëbuan nëpunësit e rinj turq.
Këtë ngjarje e ndoqën kryengritjet në Prishtinë
e në Gjakovë. Ushtria osmane e përforcuar kundërveproi
menjëherë dhe nuk e pati të vështirë t’i
shtypte këto lëvizje lokale. Veprimet e ushtrisë
u shoqëruan me terror e grabitje.
Kryengritja e Dervish Carës filloi në Shkup më 21
korrik dhe u zgjerua më shumë në gusht të vitit
1843, kur, me ardhjen e forcave osmane nën drejtimin e Hajredin
Pashës, u shtuan përpjekjet për rekrutimin e ushtarëve
të rinj. Kryengritësit hynë në konflikt të
armatosur me ushtrinë osmane. Në nëntor kryengritësit
çliruan Gostivarin, ndërsa në fillim të janarit
1844, pas luftimeve të ashpra, çliruan Tetovën.
Këtu, si në Gostivar, u vendos pushteti i kryengritësve
dhe shtabi i saj, me Dervish Carën në krye. Kryengritja,
përveç Dervish Carës, udhëhiqej edhe nga komandantë
të tillë, si Emin Xhambazi, Sulejman Toli (Tërnova),
Selman Rogoçica, Emin Bojana, Ymer Presheva, Baba Feka, Sejdi
Mexha, Bajram Vaksinca etj.
Në shkurt 10 000 kryengritës të armatosur hynë
në Shkup, e çliruan atë, formuan këtu një
Këshill të kryengritjes dhe përqendruan pushtetin
në duart e veta.
Agjitatorë në vise të ndryshme të Kosovës,
si në Vranjë e Leskovc, i bënin thirrje popullsisë
të hidhej në luftë kundër pushtetit osman. Të
tjerë ishin dërguar në krahinat fqinje për të
siguruar mbështetjen e popullsisë së tyre. Udhëheqësit
e kryengritjes u bënë thirrje që të ngriheshin
kundër sundimtarëve osmanë edhe banorëve të
krahinave të tjera të Shqipërisë, duke theksuar
me këtë rast se ata duhej të bashkoheshin me kosovarët,
sepse ishin vëllezërit e tyre.
Në fillim të shkurtit u çlirua Kumanova, ku me
kryengritësit u bashkua edhe popullsia maqedone. Pas Kumanovës
u çliruan Presheva, Bujanovci, Vranja, Gryka e Kaçanikut,
Leskovci e viset e tjera veriore të Kosovës. Në muajt
e parë të vitit 1844 kryengritja u përhap në
Pejë, në Gjakovë, në Prizren e deri në
Shkodër, ndërsa në pranverën e vitit 1844 kryengritja
kishte përfshirë të gjitha trevat shqiptare, nga
Manastiri e Ohri në jug deri në skajet veriore e verilindore
të Kosovës, në të cilat shqiptarët vendosën
pushtetin e tyre. Garnizonet ushtarake turke u detyruan të
mbylleshin në kështjellat e qyteteve.
Shtrirja e kryengritjes dhe fitoret e saj në Kosovë e
në Fushën e Pollogut ngjallën shpresa edhe në
popullsinë e krahinave të tjera të vendit. Qeveria
osmane i trëmbej përhapjes së saj të mëtejshme
dhe shndërrimit në një kryengritje të përgjithshme
shqiptare. Prandaj autoritetet osmane hynë në bisedime
me udhëheqësit e kryengritjes. Gjatë bisedimeve kryengritësit
i kërkuan Stambollit të anulonte ligjin për shërbimin
e detyrueshëm ushtarak, të zëvendësonte funksionarët
osmanë të pushtetit lokal, që nuk dinin gjuhën
shqipe, me nëpunës shqiptarë dhe të njihte autonominë
e Shqipërisë, në suazat e Perandorisë Osmane,
ashtu siç ishte njohur autonomia e Serbisë më 1830.
Këto kërkesa nuk u pranuan nga Stambolli, prandaj bisedimet
dështuan. Ndërkaq, Porta e Lartë, krahas përgatitjeve
ushtarake për shtypjen e kryengritjes, shpalli edhe një
amnisti për ata që do të dorëzonin armët
dhe premtoi se nuk do të përdorej forca për rekrutimin
e ushtarëve të rregullt. Me këto masa ajo synonte
të ngjallte lëkundje në radhët e kryengritësve.
Porta e Lartë, nga njëra anë, premtoi se do të
hiqte dorë nga nizamët e tatimet e reja, ndërsa,
nga ana tjetër, filloi të sjellë forca të shumta
që i përqendroi në Manastir. Për të shmangur
kthimin e saj në një kryengritje të përgjithshme,
me përmasa mbarëshqiptare, Porta e Lartë përqendroi
në Manastir 32 000 ushtarë, të komanduar nga Omer
Pasha, që më 18 maj kaluan në mësymje kundër
kryengritësve dhe i detyruan ata të tërhiqeshin drejt
Shkupit, Tetovës, Kumanovës e Karadakut (Malit të
Zi) të Shkupit. Luftime të ashpra u zhvilluan në
Grykën e Katllanovës nga 13-17 maj 1844. Përleshja
më e përgjakshme ishte ajo që u bë më 18
maj në afërsi të Banjës së Katllanovës,
në të cilën u vendos fati i kryengritjes në
Fushën e Shkupit. Pas një qëndrese të fuqishme
kryengritësit, të ndodhur përballë një
ushtrie që kishte epërsi teknike, që përdori
gjerësisht artilerinë, u detyruan të tërhiqeshin.
Pas luftimesh të ashpra që vijuan edhe pas kësaj
beteje, më 21 maj ushtria osmane, që kishte epërsi
mbi kryengritësit, arriti të merrte Shkupin, ku bëri
arrestime të shumta të pjesëmarrësve të
kryengritjes, një pjesë e të cilëve u dërgua
për t’u gjykuar në Stamboll.
Në maj-qershor ushtritë osmane të Omer Pashës,
pas luftimesh të rrepta me kryengritësit, pushtuan Tetovën,
Gostivarin, Kumanovën, Preshevën, Bujanovcin dhe Vranjën,
ndërsa në mesin e korrikut morën të gjitha qendrat
nga Kaçaniku deri në Prishtinë. Prej andej u hodhën
për të shtypur qëndresën e kryengritësve
në Prizren, në Pejë, në Gjakovë e në
Shkodër, ku bënë arrestime të shumta. Kryengritësit
kudo u bënë ushtrive osmane një qëndresë
të ashpër, e cila qe më e fuqishme në Kërçovë,
në Tetovë e në Gostivar. Me rivendosjen e pushtetit
osman në këto qytete u arrestuan shumë udhëheqës
të kryengritjes. Pas shtypjes së kryengritjes, në
korrik 1844, Shqipëria, sipas dëshmive të bashkëkohësve,
trajtohej më shumë si vend i pushtuar sesa si provincë
e Perandorisë Osmane.
Pas përfundimit të kryengritjes në Kosovë e
në Pollog, ushtria osmane, në vjeshtën e vitit 1844,
u përqendrua në sanxhakun e Dibrës, popullsia e të
cilit ishte hedhur në kryengritje kundër zbatimit të
reformës ushtarake dhe anulimit të vetëqeverisjes
lokale të krahinës. Por forcat e komanduara nga Rexhep
pashë Tetova u thyen nga kryengritësit në fushën
e Mavrovës. Pas këtyre ngjarjeve Stambolli hodhi në
këtë krahinë ushtri të shumta, të komanduara
nga Hajredin Pasha.
Përfaqësuesit e kryengritësve thirrën në
nëntor 1844 kuvendin e tyre në Fushën e Gjoricës,
që u drejtua nga Sheh Mustafa Zerqani. Në kuvend u vendos
të mbroheshin të drejtat e autonomisë lokale, që
popullsia gëzonte prej kohësh. Kuvendi i bëri thirrje
për t’u bashkuar me kryengritësit dibranë edhe
popullsisë së krahinave të Kosovës, të
Mirditës, të Elbasanit e të Gjakovës, ku Porta
po mblidhte forca për t’i hedhur kundër tyre. Gjatë
muajit nëntor 1844 kryengritësit dibranë e matjanë,
të komanduar nga Cen Leka, u zunë rrugën ushtrive
osmane të komanduara nga Hajredin Pasha. Por përballë
forcave numerikisht të shumta turke dhe të pajisura me
artileri kryengritësit u tërhoqën në luginën
e lumit Drin. Ndërkohë, Hajredin Pasha, për t’i
përçarë shqiptarët, shpalli se të gjithë
ata që do të dorëzonin armët, do të liheshin
të lirë dhe se nuk do të rekrutonte nizamë.
Ky premtim zuri vend te një pjesë e krerëve, por
shumica e tyre e vazhdoi qëndresën. Luftime të ashpra,
që zgjatën 5 ditë të tëra, u zhvilluan
në nëntor në fshatin Gjoricë, ku krahas burrave
luftuan edhe gratë e fëmijët. Ato përfunduan
me humbje të mëdha për të dyja palët e
sidomos për ushtrinë osmane. Megjithatë, falë
epërsisë numerike e teknike, ushtria osmane, pas luftimesh
të përgjakshme, i detyroi kryengritësit të tërhiqeshin
nga pozitat e tyre. Për t’u hakmarrë forcat osmane
dogjën fshatra të tëra, të braktisura nga fshatarësia,
e cila largohej për t’i shpëtuar terrorit të
egër të ekspeditës osmane.
Ndonëse kryengritja e sanxhakut të Dibrës u shtyp,
Porta e Lartë u detyrua ta përjashtojë këtë
krahinë nga reforma ushtarake deri në vitet 50 të
shek. XIX, po ashtu si trevën e Shkodrës.
Lufta e vendosur e dibranëve pati jehonë në viset
e tjera shqiptare. Në mesin e majit të vitit 1845 rreth
2 000 malësorë të krahinës së Gjakovës
u ngritën kundër qeveritarit të saj dhe e detyruan
atë të largohej nga qyteti për në Prizren. Kryengritja
u përhap në viset malore të Rekës, të Bytyçit,
të Gashit, të Tropojës dhe të Krasniqit, që
u ngritën nën udhëheqjen e Binak Alisë dhe të
Sokol Aramit. Rreth 8 000 kryengritës sulmuan në maj të
atij viti qytetin e Gjakovës dhe e çliruan atë.
Por valiu i Rumelisë hodhi kundër tyre ushtri të
shumta dhe mjaft mercenarë, të rekrutuar nga viset malore
të Shqipërisë së Veriut. Pas luftimesh të
përgjakshme, që vazhduan mbi një muaj, kryengritja
u shtyp. Mehmet R |