| K R E U II
ZHVILLIMI EKONOMIK DHE SHOQËROR I SHQIPËRISË
GJATË SHEK. XIX - FILLIMI I SHEK. XX
1. TROJET SHQIPTARE
Shtrirja e trojeve shqiptare
Gjatë çerekut të dytë të shek. XIX, me
gjithë disfatat e shpeshta që kishte pësuar në
të kaluarën, Perandoria Osmane zotëronte ende territore
të gjera në Lindjen e Afërme, në Gadishullin
Arabik, në Afrikën Veriore dhe në Gadishullin Ballkanik.
Brenda këtyre territoreve banonin afërsisht 33 milionë
banorë. Në Evropën Juglindore Perandoria Osmane kishte
humbur territore të rëndësishme (Hungarinë,
Kroacinë, Besarabinë etj.). Veç kësaj, pak
kohë më parë Greqia kishte fituar pavarësinë
kombëtare në një pjesë të territoreve të
saj, ku banonin rreth 850 mijë frymë. Më 1840 në
viset ballkanike, të cilat ndodheshin ende nën kontrollin
e Perandorisë Osmane, banonin rreth 10,5 milionë frymë.
Prej tyre, Mali i Zi, Serbia, Vllahia e Moldavia, me gjithsej 4,8
milionë frymë, kishin fituar autonominë nën
suzerenitetin e sulltanit?. Viset e tjera (me gjithsej 5,8 milionë
banorë), përfshirë edhe trojet shqiptare, ndodheshin
nën sundimin e plotë të Perandorisë Osmane.
Si edhe më parë, popullsia e Perandorisë përbëhej
nga një mori kombësish, të cilat ndryshonin nga gjuha,
nga feja, nga zakonet dhe nga mënyra e jetesës. Shteti
osman vijonte të mos e pranonte konceptin e kombësisë.
Duke qëndruar e lidhur pas konceptit teokratik mesjetar, që
e identifikonte kombësinë me fenë, Porta e Lartë
vazhdoi t’i ndante shtetasit e vet, pavarësisht nga përkatësia
e tyre etnike, në “myslimanë”, në “rumë”
(ku përfshinte ortodoksët), në “latinë”
(ku përfshinte katolikët etj.) dhe në “jahudi”
(çifutë). Ajo nuk u kishte dhënë asnjëherë
rast atyre të deklaronin të paktën gjuhën e
tyre amtare, as kur bëhej regjistrimi i popullsisë. Për
këtë arsye qeveria turke nuk e shpalli ndonjëherë
numrin e popullsisë së saj sipas përbërjes kombëtare,
rrjedhimisht as numrin e banorëve të kombësisë
shqiptare.
Qysh në pjesën e parë të shek. XIX, me lindjen
e lëvizjeve kombëtare të popujve ballkanikë,
filloi interesimi i qarqeve të ndryshme evropiane për
strukturën etnike të Perandorisë Osmane. Por, nga
mungesa e të dhënave zyrtare të sakta, autorë
të ndryshëm shpallën njoftime që binin në
kundërshtim ndërmjet tyre, ndërsa qarqet politike
greke, serbe e bullgare, të cilat, për të përligjur
pretendimet e tyre ndaj territoreve shqiptare, filluan t’i
konsideronin shqiptarët ortodoksë në jug si grekë,
në veri si serbë, në lindje si bullgarë, kurse
shqiptarët myslimanë të këtyre viseve herë
si turq, herë si grekë, si serbë a si bullgarë
të islamizuar dhe pastaj të shqiptarizuar.
Megjithatë, një shumicë studiuesish dhe udhëtarësh
të huaj, të cilët gjatë shek. XIX e njohën
nga afër strukturën etnike të Gadishullit të
Ballkanit, vunë në dukje se, me gjithë sundimin katërshekullor
osman, popullsia shqiptare e ruante gjithnjë të paprekur
identitetin e kombësisë së vet. Këtë identitet
nuk e kishte cenuar as kthimi i shumicës së shqiptarëve
në fenë islame, as politika turke e diskriminimit fetar
kundrejt shqiptarëve të krishterë, as fryma e dasisë
fetare që qendrat e huaja kishtare kishin përhapur në
Shqipëri. Sikurse shënonte udhëtari anglez Xh. K.
Hobhauz (J. C. Hobhouse), i cili e vizitoi Shqipërinë
më 1809, shqiptarët e tri besimeve nuk e quanin veten,
siç ndodhte me popullsitë e tjera të Perandorisë,
as “myslimanë”, as të “krishterë”,
por në radhë të parë me emrin e tyre etnik “shqiptarë”.
Shqiptarët banonin në të njëjtat troje ku kishin
jetuar gjatë gjithë historisë së tyre, në
pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Në
mes të shek. XIX trojet e tyre mbulonin një sipërfaqe
prej rreth 75 mijë kilometra katrorë. Ato shtriheshin:
në veri deri në Tivar, në Podgoricë, në
Rozhaj e në Novi Pazar (Pazari i Ri), në verilindje deri
në Nish, në Leskovc e në Vranjë, në lindje
deri në Kumanovë, në Shkup e në Manastir, në
jug deri në Konicë, në Janinë e në Prevezë.
Brenda kësaj treve banonin 1 800 000-1 900 000 frymë.
Megjithatë, si pasojë e kushteve historike që njohu
Gadishulli Ballkanik gjatë sundimeve shekullore romake, bizantine,
bullgare, serbe dhe osmane, në disa vende të trojeve shqiptare,
kryesisht në ato periferike, kishin depërtuar si kolonistë
edhe pjesëtarë të kombësive të tjera. Prania
e këtyre kombësive nuk ishte e njëllojtë kudo.
Nga kjo pikëpamje treva shqiptare ndahej në dy zona të
mëdha: në trungun etnik, ku shqiptarët përbënin
shumicën absolute të popullsisë, dhe në brezin
anësor, ku shqiptarët përbënin pakicën
e saj, krahas popullsive të tjera. Me gjithë ngushtimin
që kishte pësuar gjatë shekujve mesjetarë, trungu
etnik përfshinte, në mesin e shek. XIX, viset e Gegërisë
(ku bënte pjesë edhe Kosova) dhe të Toskërisë
(ku përfshihej edhe Çamëria), me një sipërfaqe
prej rreth 52 mijë kilometra katrorë, me rreth 1 300 000
frymë, shumica e të cilëve qenë shqiptarë?.
Së bashku me banorët shqiptarë të brezit anësor,
numri i popullsisë shqiptare arrinte në atë periudhë
në rreth 1 500 000 frymë. Në brezin anësor,
me një sipërfaqe prej 23 mijë kilometra katrorë
dhe me një popullsi e cila sipas burimeve të ndryshme
arrinte në rreth 500 000-600 000 frymë, përveç
shqiptarëve, kishte popullsi malazeze në veriperëndim
(Podgoricë, Shpuzë, Zhabjak, Moraçë), boshnjake
në veri (Kolashin, Rozhaj, Novi Pazar), serbe në verilindje
(Vranjë, Leskovc, Nish), maqedone në lindje (Shkup, Perlep,
Manastir) dhe greke në jug (Artë, Prevezë, Janinë)??.
Në kushtet e lindjes së lëvizjeve kombëtare
ballkanike, kjo rrethanë u shfrytëzua nga qarqet nacionaliste
të vendeve të Ballkanit dhe nga Fuqitë e Mëdha,
që i përkrahnin ato për të realizuar lakmitë
e tyre shoviniste. Pasojat negative të kësaj politike,
e cila filloi të shfaqej qysh në vitet 40 të shek.
XIX, i ndjeu në radhë të parë popullsia shqiptare.
Struktura ekonomike dhe shoqërore e viseve shqiptare
në vitet 30-40
Në çerekun e dytë të shek. XIX viset shqiptare,
me gjithë përparimin që ishte dukur në zhvillimin
e ekonomisë në periudhën e mëparshme, karakterizoheshin
ende nga prapambetja e theksuar dhe ruanin gjithnjë tiparet
e një vendi agrar të prapambetur. Shumica dërrmuese
e popullsisë merrej, si edhe më parë, me bujqësi
e blegtori. Në fshat banonin, ku më shumë e ku më
pak, rreth 87% të banorëve të këtyre viseve.
Shqipëria ishte e begatë nga natyra, kishte mjaft toka
pjellore, siç ishin: fusha e Zadrimës, tokat e Rrafshit
të Dukagjinit, të Fushë-Kosovës, të Gjilanit,
trevat bregdetare fushore midis Shkodrës e Durrësit që
bashkëkohësit i quanin “të shkëlqyera,
të vaditura nga shumë rryma uji”, fushat midis Tiranës
dhe Elbasanit etj. Në juglindje shtrihej fusha pjellore e Korçës.
Toka pjellore gjendeshin edhe në pellgun Strugë-Ohër-Resnjë.
Për pjellorinë e tyre shquheshin edhe fushat e Delvinës,
të Pargës, të Paramithisë, të Margëllëçit,
të Filatit etj. Pjelloria e luginës së Dropullit
kishte tërhequr vëmendjen e agjentëve konsullorë
e ushtarakë anglezë, francezë dhe austriakë.
Në trevën e Çamërisë dhe në ndonjë
vend tjetër merreshin dy prodhime në vit. Toka të
përshtatshme për bujqësi kishte edhe në trevat
malore në Guci, në luginat e Mirditës, në Malin
e Sharrit, në viset kodrinore të Drenicës, të
Podgorit, të Pejës, në Lugun e Drinit në viset
malore midis Lezhës, Krujës, Durrësit dhe Elbasanit,
që në mjaft raste ishin punuar më mirë se në
viset fushore.
Megjithatë ekonomia bujqësore karakterizohej nga një
prapambetje e theksuar. Në viset e Shqipërisë së
Ulët Bregdetare sipërfaqe të mëdha tokash qëndronin
të përmbytura nga ujërat. Por edhe në fushat
jomoçalore sipërfaqe të mëdha të tokave
bujqësore, ndonëse mjaft pjellore, rrinin të papunuara,
pasi, për shkak të zotërimit të pronave të
mëdha çifligare, popullsia fshatare në këto
fusha ishte shumë e pakët. Përqindja më e madhe
e popullsisë fshatare ishte përqendruar në viset
e brendshme.
Kudo toka punohej kryesisht me parmendën e drunjtë të
pajisur me një plor hekuri dhe të tërhequr nga penda
e qeve ose e buajve. Parmenda me rrota përdorej aty-këtu
vetëm në zonën e Shkodrës. Si në Ballkan,
ashtu edhe në Shqipëri plehërimi sistematik i tokave
ende nuk njihej. Tokat plehëroheshin vetëm rastësisht
me pleh organik. Sipërfaqen më të madhe nën
kulturë për çdo ekonomi agrare e kishte Kosova.
Rendimentet në bujqësi ishin shumë të ulëta.
Rendimentet më të larta siguroheshin nga misri, i cili
zinte në gjithë Perandorinë Osmane vendin e parë
në kulturat bujqësore. Si drithëra buke pas misrit
vinin gruri, thekra dhe elbi. Orizi kultivohej në disa vise
të Shqipërisë së Ulët Bregdetare (në
fushat e Tiranës, të Ishmit, të Shkumbinit, të
Kavajës e të Shkodrës). Ndër bimët industriale
vendin e parë e zinte duhani, i cili kultivohej kudo; liri,
kërpi dhe meli mbilleshin në sasira të kufizuara;
pambuku kultivohej vetëm në trevën e Tiranës,
të Maliqit e të Devollit. Në Shqipërinë
Bregdetare kishte ullinj me shumicë, aq sa vaji së bashku
me duhanin zinin vendin e parë ndër artikujt bujqësorë
që eksportoheshin nga Shqipëria. Vreshtaria ishte mjaft
e përhapur si në fushë, ashtu dhe në malësi.
Në Shqipëri njiheshin në përgjithësi të
gjitha perimet që kultivoheshin në Perandorinë Osmane.
Më të përhapurat ishin fasulja, thierza, qepa, lakra,
preshi e kungulli. Fshatarët kudo merreshin me rritjen e bletëve,
në disa vise gjithashtu me kulturën e mëndafshit.
Krahas bujqësisë një vend të rëndësishëm
në ekonominë e vendit zinte, si edhe më parë,
blegtoria. Madje në disa vende ajo ishte dega kryesore e ekonomisë.
Blegtoria përbëhej kryesisht nga dhentë e dhitë
dhe më pak nga bagëtitë e trasha. Një pjesë
e mirë e fushave të Shqipërisë, si ajo e Ulqinit,
Zadrima dhe Bregu i Matit, shfrytëzoheshin më shumë
si kullota dimërore sesa si toka bujqësore. Bjeshkët
kryesore të Kosovës, si Podgori, Rugova, Juniku, Jezeri
e sidomos Sharri, të pasura me kullota e me lirishte pyjore,
ushqenin një numër të madh bagëtish të
imëta, kurse fushat e Kosovës e të Pollogut dalloheshin
për numrin e madh të tufave të bagëtive. Udhëtarëve
të huaj u kishte tërhequr vëmendjen pasuria e madhe
në bagëti të imëta e të trasha e fushës
së Myzeqesë. Treva midis Strugës, Pogradecit, Voskopojës,
Korçës, Kolonjës, Konicës, si edhe krahina
e Labërisë shquheshin gjithashtu për zhvillimin e
blegtorisë. Në Shqipëri ishte zhvilluar edhe rritja
e shpendëve, një pjesë e të cilëve eksportohej
në viset më të ngrohta; në vendet ku mbillej
mani rritej krimbi i mëndafshit.
Nuk kishte pothuajse asnjë ekonomi fshatare pa ekonominë
ndihmëse blegtore. Madje, në disa vise malore, mjaft familje
fshatare të ardhurat kryesore i siguronin nga blegtoria. Në
blegtori, ashtu si edhe në bujqësi përdoreshin mjete
e metoda të prapambetura.
Sikurse fshati, edhe qyteti nuk ishte shkëputur ende nga prapambetja
ekonomike. Përqindja e ulët e popullsisë qytetare
(rreth 13% e popullsisë së vendit) pasqyronte shthurjen
me ritme të ngadalshme të ekonomisë natyrore në
fshat dhe sundimin e plotë të prodhimit zejtar në
qytet. Në fund të viteve 30 qytetet më të rëndësishme
në trevën e katër vilajeteve? ishin Manastiri (35
000 banorë), Shkodra (25 000 banorë), Janina (25 000 banorë),
Prizreni (20 000 banorë) dhe Shkupi (15 000 banorë). Vinin
pastaj Gjirokastra (10 000 banorë), Peja (10 000 banorë),
Prishtina (10 000 banorë), Elbasani (8 000 banorë), Berati
(8 000 banorë), Ohri (8 000 banorë), Tirana (7 000 banorë),
Gjakova (7 000 banorë), Tetova (5 000 banorë), Korça
(5 000 banorë), Dibra (4 000 banorë), Kruja (4 000 banorë),
Preveza (4 000 banorë) etj. Në të gjitha qytetet
zotëronte ekonomia e vogël zejtare. Edhe tregtia zhvillohej
me vështirësi për shkak të rrjetit të prapambetur
të komunikacionit. Në këto vise edhe rrugët
e karrove e të qerreve nuk ishin të mjaftueshme. Transporti
i brendshëm kryhej kryesisht me kafshë barre. Në
Janinë, në Shkodër, në Prizren, në Manastir,
në Berat e gjetkë ishin shfaqur prej disa dhjetëvjeçarësh
më parë punishte të tipit manifakturor, por ato ende
nuk ishin çliruar nga normat tradicionale esnafore.
Edhe përsa i përket strukturës shoqërore të
popullsisë, viset shqiptare ruanin ende tiparet e shoqërisë
feudale, ndonëse tashmë në shthurje të shpejtë.
Grupimin kryesor shoqëror në ekonomi e formonin, si edhe
më parë, feudalët çifligarë së bashku
me funksionarët e lartë të aparatit burokratik dhe
shtresat e sipërme të klerit, të cilët përfaqësonin
rreth 0,2% të popullsisë së vendit. Veç kësaj,
edhe pse sistemi i timareve u hoq në fillim të viteve
30, një pjesë e feudalëve i ruante ende pozitat ekonomike
të mëparshme. Krahas bejlerëve çifligarë,
të cilët zotëronin sipërfaqe të mëdha
tokash të punueshme e të papunueshme, sundonin ende feudalët
derebej, spahinjtë e timareve dhe bajraktarët e malësive.
Në radhët e prodhuesve të fshatit zotëronin
gjithashtu shtresat e mëparshme - fshatarët pronarë,
të cilët formonin gjithnjë shumicën dërrmuese
të popullsisë agrare (84-86%). Por, sado që zyrtarisht
ishin çliruar nga sistemi i timareve, ata ndodheshin gjithnjë
nën varësinë e derebejve, të spahinjve ose të
bajraktarëve. Pjesën tjetër të popullsisë
agrare (14-16%) e përbënin fshatarët pa tokë,
bujq e argatë, të cilët vazhdonin të mbeteshin
nën varësinë ekonomike të bejlerëve çifligarë.
Në katet e larta të popullsisë qytetare qëndronin,
si edhe në shekullin e kaluar, krerët e esnafëve
dhe reshperët e mëdhenj së bashku me aparatin burokratik
dhe me ulematë. Pjesën dërrmuese (afërsisht
76-80%) të popullsisë qytetare e formonin zejtarët
e thjeshtë dhe tregtarët e vegjël. Pjesën tjetër
(afërsisht 20-24%) e përbënin shtresat e ulëta,
të zhveshura nga çdo lloj pasurie, të cilat formonin
vegjëlinë qytetare (kallfët, çirakët,
shegertët, muratorët, druvarët dhe punëtorët
e ndryshëm të krahut).
Politika obskurantiste që Perandoria Osmane kishte ndjekur
për katër shekuj me radhë, jo vetëm e kishte
lënë vendin me një rrjet arsimor shtetëror të
prapambetur, por kishte krijuar një situatë mbytëse
edhe për ngritjen e shkollave private të arsimit të
përgjithshëm. Porta e Lartë kishte nxitur vetëm
zhvillimin e arsimit fetar (islamik në turqisht, ortodoks në
greqisht dhe katolik në italisht). Megjithatë edhe numri
i shkollave fillore e fetare turke (mektebeve dhe medreseve) ishte
shumë i kufizuar, kurse ai i shkollave fetare të krishtera
edhe më i pakët. Brenda katër vilajeteve, ku bënin
pjesë viset shqiptare, kishte vetëm një shkollë
të mesme të arsimit të përgjithshëm - gjimnazi
greqisht “Zosimea” në Janinë. Si rrjedhim,
në vitet 40 gati 98% e popullsisë ishte analfabete. Madje
në shumicën dërrmuese të fshatrave nuk kishte
asnjë njeri të shkolluar, qoftë edhe me arsim të
ulët, fillor.
Shkaktare kryesore e kësaj prapambetjeje të përgjithshme
ishte vetë Perandoria Osmane, e cila me regjimin e saj feudal-ushtarak
kishte penguar për shekuj me radhë zhvillimin e lirë
ekonomik e kulturor të vendit. Ndonëse gjatë njëqind
vjetëve të fundit ekonomia natyrore kishte hyrë në
rrugën e shthurjes dhe vendin e saj po e zinte ekonomia e tregut,
qarqet sunduese osmane vazhdonin të ruanin regjimin e vjetruar
politik feudal, absolutizmin sulltanor me karakter teokratik mesjetar,
që nuk u përshtatej kushteve të reja historike. Jeta
politike në Shqipëri ndodhej ende nën zgjedhën
e derebejve, të funksionarëve parazitarë dhe të
ulemave fanatikë, të cilët, ndryshe nga feudalët
çifligarë, ishin të shkëputur nga sfera e
prodhimit dhe e shkëmbimit. Ata i nxirrnin të ardhurat
e tyre kryesisht duke grabitur popullsinë me anën e dhunës
ose arkën e shtetit me anën e posteve qeveritare. Si rrjedhim
i dhunës, i grabitjes, i arbitraritetit e i pasigurisë,
ekonomia e viseve shqiptare ndodhej në një amulli të
theksuar. Për këtë arsye, punishtet e para manifakturore
që kishin filluar të lindnin nëpër qytete qysh
në dhjetëvjeçarët e fundit të shek. XVIII
mbetën në hapat fillestarë nuk u kthyen në industri
të mirëfillta kapitaliste. Edhe pronësia tokësore
çifligare, e cila gjithashtu ishte rritur qysh në shek.
XVIII, në vend që të përvetësonte, siç
ishte e natyrshme, format e ekonomisë së tregut, ishte
gozhduar në qerthullin e marrëdhënieve feudale.
Ndryshimet administrative. Organizimi i vilajeteve
Pasi shtypi qëndresën e feudalëve separatistë
provincialë, Porta e Lartë nuk e rimëkëmbi më
sistemin e vjetër administrativ të ejaleteve, i cili ishte
përmbysur në viset shqiptare qysh në gjysmën
e dytë të shek. XVIII, pjesërisht nga anarkia feudale
që pushtoi këto vise dhe kryesisht nga ekzistenca relativisht
e gjatë e pashallëqeve të Shkodrës e të
Janinës. Vendin e ejaleteve e zunë pashallëqet, të
cilat u ndërtuan mbi parimet centraliste. Për të
mos u dhënë mundësi guvernatorëve provincialë
që të forcoheshin politikisht dhe ekonomikisht, njësitë
e reja administrative ishin shumë më të vogla se
ejaletet e dikurshme. Në krye të pashallëqeve tani
u emëruan si guvernatorë pashallarë të karrierës
ushtarake, të pajisur me grada sipas sistemit evropian.
Në kuadrin e kësaj reforme administrative, territoret
me popullsi shqiptare u ndanë, në fillim të viteve
30, midis 9 pashallëqeve (pashallëqet e Manastirit, të
Janinës, të Shkodrës, të Prizrenit, të
Pejës, të Prishtinës, të Shkupit, të Vranjës
e të Leskovcit). Kryengritjet që shpërthyen në
gjysmën e parë të viteve 30 e detyruan Portën
e Lartë t’i krijonte përsëri më 1836 njësitë
e mëdha administrative e sipas kësaj reforme, viset me
popullsi shqiptare u ndanë midis 3 ejaleteve: në ejaletin
e Manastirit, guvernatori i të cilit, me titullin “valiu
i Rumelisë”, tani kishte në administrim pashallëqet
e Manastirit, të Shkodrës, të Prizrenit dhe të
Pejës; në ejaletin e Sofjes, me në krye një
mareshal (myshir), nën vartësinë e të cilit
hynë gjithashtu pashallëqet e Prishtinës, të
Shkupit, të Vranjës, të Leskovcit e të Nishit;
në ejaletin e Janinës, me në krye një vezir,
në kufijtë e të cilit hyri, përveç trojeve
jugore shqiptare, edhe pashallëku i Thesalisë. Më
1846, pashallëku i Shkodrës dhe ai i Prizrenit u shkëputën
nga valiu i Rumelisë (nga ejaleti i Manastirit) dhe formuan
një njësi administrative më vete, me emrin ejaleti
i Shkodrës, i varur drejtpërdrejt nga Stambolli.
Me qëllim që ta forconte më tej pushtetin qendror
dhe të rriste kontrollin e vet në provinca, Porta e Lartë
ndërmori më 1864 një reformë tjetër administrative,
sipas së cilës vendin e ejaleteve e zunë vilajetet,
me në krye një vali (guvernator). Edhe vilajetet u ndanë
si dikur ejaletet në sanxhakë, në kaza e në
nahije. Vilajeti u pajis me një aparat burokratik të plotë.
Në mënyrë të veçantë ky aparat kishte
për detyrë të vilte taksat për shtetin, të
nxirrte rekrutët për ushtrinë dhe të suprimonte
venomet tradicionale. Sipas shembullit të shteteve evropiane,
nën urdhrat e valiut qëndronte Mexhlisi, d.m.th. këshilli
administrativ i vilajetit, nga i cili vareshin drejtoritë e
ngarkuara për sektorë të veçantë të
administratës (drejtoria e financës, e vakëfeve,
e ekonomisë, e arsimit etj.). Repartet ushtarake të vilajetit
me komandantin e tyre me gradë, sipas rastit, gjeneral divizioni
ose gjeneral armate, tani vareshin drejtpërdrejt nga sulltani
nëpërmjet shtatmadhorisë së përgjithshme
të ushtrisë osmane. Krahas tyre kishte një varg organesh
të tjera, siç ishin ato gjyqësore dhe zyrat e sheriatit,
të cilat në disa vise mbetën përsëri në
fuqi, ato të xhandarmërisë e të policisë,
të cilat vareshin drejtpërdrejt nga valiu.
Një strukturë administrative pak a shumë të
njëllojtë kishte edhe sanxhaku me kazanë.
Vilajetet nuk u krijuan menjëherë. Madje disa prej tyre
u suprimuan dhe u rikrijuan përsëri më vonë.
Veç kësaj, edhe kufijtë e tyre administrativë
nuk qenë të qëndrueshëm. Shpeshherë krahina
të tëra shkëputeshin nga një vilajet dhe futeshin
nën vartësinë e një vilajeti tjetër.
Trojet shqiptare u prekën pjesërisht nga reforma e re
administrative më 1867 me krijimin e vilajetit të Selanikut,
i cili përfshiu disa krahina të Shqipërisë Lindore
(rrethet e Matit, të Dibrës, të Strugës, të
Pogradecit e të Korçës). Dy vjet më vonë,
më 1869, u krijua vilajeti i Shkodrës, në kufijtë
e të cilit hynë, përveç viseve të Shqipërisë
Veriore, edhe krahinat e Matit, të Dibrës, të Prizrenit,
të Gjakovës etj. Më 1873 kufijtë e vilajetit
të Shkodrës u ngushtuan në favor të një
vilajeti të ri, të vilajetit të Prizrenit, i cili
përfshiu gjithë Kosovën së bashku me sanxhakët
e Dibrës, të Shkupit e të Nishit. Gjatë kësaj
kohe edhe ejaleti i Janinës u kthye në një vilajet.
Megjithatë, ndryshimet më të shpeshta dhe më
të thella harta e vilajeteve i pësoi gjatë viteve
të Krizës Lindore (1875-1878). Në mënyrë
të veçantë vilajeti i Kosovës, qendra e të
cilit kaloi nga Prizreni në Prishtinë, pësoi ndryshime
të rëndësishme në shtrirjen e vet territoriale
pothuajse çdo vit, në ndonjë rast edhe dy herë
në vit. Kështu, për shembull, më 1875 ai shtrihej
vetëm në viset e Kosovës, kurse dy vjet më vonë
nën juridiksionin e tij u përfshi një territor i
gjerë, që nga Dibra deri në Nish. Po ashtu ndodhi
edhe me vilajetin e Shkodrës, i cili, pasi u suprimua më
1875, u riorganizua më 1877 jo si vilajet, por si ejalet, me
një territor gati dy herë më të vogël se
ai që kishte katër vjet më parë. Në të
njëjtën kohë, vilajeti i Manastirit, i cili u krijua
për të parën herë më 1875, dy vjet më
vonë u suprimua duke hyrë në juridiksionin e vilajetit
të Selanikut.
Pavarësisht nga këto ndryshime të thella dhe të
shpeshta, trojet shqiptare mbetën më tepër të
ndara midis katër vilajeteve. Veç kësaj, në
secilin nga këto vilajete u përfshinë edhe kombësi
të tjera: në vilajetin e Kosovës popullsi shqiptare,
serbe e maqedone, në atë të Manastirit popullsi shqiptare,
maqedone e greke, në vilajetin e Janinës popullsi shqiptare,
greke dhe vllehe, kurse në atë të Shkodrës popullsi
shqiptare e malazeze. Megjithatë, shqiptarët përbënin
shumicën e popullsisë në çdonjërin prej
tyre dhe në të katër vilajetet të marra së
bashku. Më shumë se kurdoherë tani që në
Ballkan kishin marrë hov të madh lëvizjet për
çlirim kombëtar, qëllimi që ndiqte Porta e
Lartë me këtë politikë administrative ishte
t’i mbante të përçara popullsitë joturke
të Perandorisë, duke i vënë në grindje
kombësitë e ndryshme të një vilajeti dhe duke
penguar bashkimin politik të popullsisë së një
kombësie të vetme, që ishte e shpërndarë
në vilajete të ndryshme.
Harta administrative e Perandorisë Osmane në Gadishullin
Ballkanik u bë pak a shumë e qëndrueshme vetëm
pasi kaloi tallazi i Krizës Lindore. Por edhe tani trojet shqiptare
mbetën të copëtuara midis katër vilajeteve.
Madje, një pjesë e trungut etnik (krahina e Ulqinit) dhe
disa vise të brezit anësor (krahinat e Podgoricës,
të Shpuzës, të Vranjës, të Leskovcit e
të Nishit) tani mbetën jashtë Perandorisë Osmane,
pra jashtë katër vilajeteve, pasi u aneksuan nga Mali
i Zi dhe nga Serbia në vitet 1878-1880. Më 1888 ndarja
e katër vilajeteve në sanxhakë dhe e sanxhakëve
të tyre në kaza, ndarje e cila mbeti në fuqi deri
në fund të sundimit osman, ishte në këtë
mënyrë:
Vilajetet Sanxhakët dhe kazatë
vilajeti i
Shkodrës 1. Sanxhaku i Shkodrës (kazaja e Shkodrës,
e Tuzit, e Lezhës, e Pukës, e Mirditës, e Krujës)?.
2. Sanxhaku i Durrësit (kazaja e Durrësit, e Kavajës,
e Shijakut, e Tiranës).
vilajeti i Kosovës 1. Sanxhaku i Shkupit (kazaja e Shkupit,
e Kumanovës, e Kaçanikut, e Shtipit, e Radovishtës,
e Koçanës, e Kratovës, e Peçevës, e
Egri-Palankës).
2. Sanxhaku i Prizrenit (kazaja e Prizrenit, e Lumës, e Tetovës).
3. Sanxhaku i Pejës (kazaja e Pejës, e Gjakovës,
e Gucisë, e Beranës, e Tërgovishtës).
4. Sanxhaku i Prishtinës (kazaja e Prishtinës, e Mitrovicës,
e Vuçiternës (e Vushtrisë), e Gjilanit, e Preshevës).
5. Sanxhaku i Pazarit të Ri - Novi Pazari (kazaja e Pazarit
të Ri, e Senicës, e Kolashinit, e Akovës, e Novi
Varoshit, e Prepoljes).
vilajeti i Manastirit 1. Sanxhaku i Manastirit (kazaja e Manastirit,
e Ohrit, e Follorinës, e Kërçovës, e Përlepit).
2. Sanxhaku i Korçës (kazaja e Korçës, e
Starovës, e Bilishtit, e Oparit, e Kolonjës, e Kosturit,
e Hurupishtit).
3. Sanxhaku i Elbasanit (kazaja e Elbasanit, e Çermenikës,
e Peqinit, e Gramshit).
4. Sanxhaku i Dibrës (kazaja e Dibrës, e Radomirës,
e Matit, e Rekës).
5. Sanxhaku i Selfixhesë (kazaja e Selfixhesë, e Kozhanit,
e Naseliçit, e Lapsishtit, e Grebenesë, e Kajlarit,
e Elasonës).
vilajeti i Janinës 1. Sanxhaku i Janinës (kazaja e Janinës,
e Leskovikut, e Konicës, e Filatit, e Ajdonatit, e Mecovës).
2. Sanxhaku i Gjirokastrës (kazaja e Gjirokastrës, e Tepelenës,
e Përmetit, e Himarës, e Delvinës, e Pogonit).
3. Sanxhaku i Beratit (kazaja e Beratit, e Vlorës, e Myzeqesë,
e Mallakastrës, e Skraparit, e Tomorricës).
4. Sanxhaku i Prevezës (kazaja e Prevezës, e Margëllëçit,
e Paramithisë, e Lorosit).
Popullsia që banonte në territoret e 4 vilajeteve ishte
më 1850, afërsisht 1 700 000 banorë, kurse më
1912 rreth 2 354 000 banorë*. Kjo rritje shumë e ngadalshme
(40% brenda 60 vjetëve) përcaktohej nga niveli ekonomik
e shoqëror shumë i prapambetur i vendit, konkretisht nga
përqindja e lartë e vdekshmërisë së fëmijëve,
nga epidemitë e shpeshta që pllakosnin Turqinë, nga
mesatarja e ulët e moshës së popullsisë dhe
nga mërgimi i dendur që pushtoi këto vise pas mesit
të shek. XIX.
Për nga numri i banorëve katër vilajetet kishin dallime
të ndjeshme ndërmjet tyre. Gjatë dhjetëvjeçarëve
të fundit të sundimit osman, popullsinë më të
madhe e kishte vilajeti i Kosovës, i cili kishte në të
njëjtën kohë edhe numrin më të madh të
popullsisë shqiptare. Pastaj vinin me radhë vilajeti i
Manastirit, i Janinës dhe i Shkodrës. Sipas statistikave
zyrtare osmane të vitit 1912 popullsia e të katër
vilajeteve ishte afërsisht kjo:
Vilajetet Popullsia Popullsia shqiptare %
vilajeti i Kosovës 909 700 258 900 61,4 %
vilajeti i Manastirit 694 800 375 900 54,1 %
vilajeti i Janinës 559 700 330 800 59,1 %
vilajeti i Shkodrës 190 000 186 500 98,2 %
gjithsej 2 354 200 1 452 100 61,7 %
Sipas përllogaritjeve të përafërta, përbërja
etnike e popullsisë së katër vilajeteve të marra
bashkërisht (pa sanxhakun e Selfixhesë) ishte më
1912:
shqiptarë …………………..
maqedonë ………………….
grekë………………………..
serbë ……………………….
turq ………………………..
vllehë ………………………
të ndryshëm………………..
1 452 100 frymë
317 500 “
170 000 “
163 900 “
130 400 “
117 400 “
2 200 “ 61,7 %
13,5 %
7,3 %
6,9 %
5,5 %
5,4 %
0,1 %
2 354 200 frymë 100 %
Raporti i shqiptarëve kundrejt kombësive të tjera
ndryshonte nga njëri vilajet në tjetrin. Në vilajetin
e Shkodrës shqiptarët përfaqësonin 98,2 %, kurse
malazezët 0,6 %, të tjerët 2 %. Në vilajetin
e Janinës, kundrejt shqiptarëve që zinin 59,1 %,
grekët mbulonin 29,4 %, vllehët 10,4 %, të tjerët
1,1 %. Në vilajetin e Kosovës, ku qe përfshirë
edhe pjesa lindore e Maqedonisë, me shumë pak banorë
shqiptarë (kazatë e Shtipit, të Radovishtës,
të Koçanës, të Kratovës, të Peçevës,
të Kriva-Palankës), shqiptarët përfaqësonin
61,4 %, kurse serbët 16,2 %, maqedonët 13,3 %, turqit
9,1 % (pa sanxhakun e Shkupit, në vilajetin e Kosovës,
shqiptarët përfaqësonin 79,1 %. Në vilajetin
e Manastirit, pas shqiptarëve që zinin 54,1 %, vinin maqedonët
27,3 %, vllehët 7,4 %, turqit 5,8 %, serbët 2,1 %, të
tjerë 0,1 %.
Shpërndarja e popullsisë shqiptare nuk ishte e njëllojtë
as në 16 sanxhakët e katër vilajeteve. Në 11
sanxhakë shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese
të popullsisë, nga 62,2 % në atë të Prevezës
deri në 98 % në atë të Shkodrës. Këta
sanxhakë ishin: i Shkodrës, i Elbasanit, i Durrësit,
i Beratit, i Dibrës, i Pejës, i Prizrenit, i Prishtinës,
i Gjirokastrës, i Korçës dhe i Prevezës. Në
katër sanxhakët e tjerë, raporti i shqiptarëve
me popullsitë e tjera ishte i tillë: në atë
të Novi Pazarit shqiptarët përbënin gjysmën
e popullsisë; në atë të Shkupit shqiptarët
përbënin shumicën e popullsisë vetëm në
kazanë e Shkupit dhe në qytet; në sanxhakun e Manastirit
po ashtu shqiptarët kishin shumicën vetëm në
kazanë e qendrës dhe në qytetin e Manastirit; në
sanxhakun e Janinës shqiptarët përbënin shumicën
në pjesën perëndimore të tij; në sanxhakun
e Selfixhes shqiptarët nuk çonin peshë.
Me këtë strukturë etnike, katër vilajetet perëndimore
të Turqisë Evropiane merrnin kështu, si bashkërisht
ashtu dhe veçanërisht, karakterin e vilajeteve shqiptare.
Mbi këtë bazë lindi platforma e rilindësve,
të cilët kërkonin përfshirjen e tyre brenda
shtetit të ardhshëm shqiptar. Megjithatë, atdhetarët
përparimtarë, duke qenë më objektivë, pranonin
që brenda kufijve të Shqipërisë mund të
mos përfshiheshin kaza të veçanta pa popullsi shqiptare.
2. ZHVILLIMI I EKONOMISË
SË TREGUT NË QYTET
Ekonomia qytetare. Shthurja e esnafeve
Në çerekun e dytë të shek. XIX, në qytetet
shqiptare mbisundonte ende prodhimi i vogël i mallrave. Masën
dërrmuese të popullsisë qytetare (afërsisht
76-80%) e përbënin si dhe më parë zejtarët
dhe tregtarët e vegjël. Në shumicën e rasteve
zejtarët ua shisnin ende konsumatorëve prodhimet e tyre
pa ndërmjetësinë e tregtarëve. Çdo zejtar
kishte punishten e vet të vogël. Masën më të
madhe e përbënin zejtarët, të cilët kishin
të angazhuar në punishten e tyre një kallfë
dhe një çirak. Punishtet me dy a më tepër
kallfë ishin të pakta.
Në qytetet kryesore të vendit ekzistonin pak a shumë
po ato degë prodhimi që ishin zhvilluar gjatë shekujve
të kaluar dhe në mënyrë të veçantë
gjatë shek. XVIII. Të tilla ishin zejtaritë që
merreshim me përpunimin e metaleve (armëtarë, farkëtarë,
kovaçë, bakërxhinj, kazanxhinj, teneqexhinj etj.).
Shkodra, Prizreni, Elbasani dhe Peja ishin gjithnjë të
përmendura për prodhimin e stolive prej ari e argjendi.
Një masë e konsiderueshme e zejtarëve merrej me prodhimin
dhe zbukurimin e artikujve të veshmbathjes (tabakët, shajakxhinjtë,
rrobaqepësit, xhokaxhinjtë, opingarët etj.). Kishte
pastaj një numër të madh zejtarësh të degëve
të ndryshme, të cilët prodhonin artikuj ushqimorë
(furrxhinj, sheqerxhinj, gjellbërës, kafexhinj, vajxhinj)
ose merreshin me përpunimin e lëndës së drurit
(marangozë, tavanxhinj, sëndukxhinj, vozaxhinj, çibukxhinj,
drugdhendës, qerrexhinj etj.). Dyqanet ose punishtet e zejtarëve,
ishin gjithnjë të grumbulluara në një lagje
më vete - në çarshi a në pazar - të veçuara
nga lagjet e banuara të qytetarëve. Gjithashtu çarshitë
ose pazaret ruanin akoma tiparet e mëparshme. Brenda tyre,
dyqanet dhe punishtet zejtare të një dege prodhimi ishin
të rreshtuara në të njëjtën rrugë.
Në vitet 30-40 qëndronin gjithnjë në këmbë
organizatat esnafore të zejtarëve. Formalisht çdo
esnaf e ruante ende monopolin e prodhimit të vet. Askush nuk
kishte të drejtë të hapte një punishte të
re zejtare pa lejen e këshillit të esnafit. Në përgjithësi,
esnafët vazhdonin sipas traditës të caktonin çmimin
e shitjes së artikujve që prodhonin zejtarët e tyre.
Megjithatë disiplina e vjetër esnafore kishte filluar
prej kohësh të shkelej. Ku më shumë e ku më
pak, zejtarët nuk i respektonin më rregullat e dikurshme
në lidhje me sasinë, cilësinë dhe çmimin
e artikujve që prodhonin për treg. Monopoli esnafor i
prodhimit kishte pësuar një goditje të rëndë
dhe në një drejtim tjetër. Në disa lloje zejesh,
zejtarët kishin fituar të drejtën të shisnin
prodhimet e tyre edhe në viset e tjera. Madje, në disa
raste, nën presionin e zejtarëve, Porta e Lartë kishte
filluar ta hiqte krejtësisht monopolin esfanor për një
varg prodhimesh. Qysh në vitin 1841, sulltan Abdyl Mexhiti,
me një ferman perandorak drejtuar gjithë ejaleteve, hidhte
poshtë lutjen e esnafit të opingarëve të zonës
së Përmetit, të cilët kërkonin ta ruanin
më tej monopolin e prodhimit të tyre, mbasi ky pretendim,
siç thuhej në ferman, ishte në kundërshtim
me sistemin e Tanzimatit.
Pasojat e zhvillimit të ekonomisë monetare ishin ndier
në mënyrë të veçantë në radhët
e esnafëve, të tregtarëve apo të tyxharëve,
siç quheshin në atë kohë. Disiplina esnafore
në gjirin e tyre ishte shthurur qysh në shek. XVIII. Reshperët
e mëdhenj, të cilët kishin dalë nga radhët
e borgjezisë tregtare, ishin pasuruar sidomos me veprimtarinë
tregtare që zhvillonin me tregun e huaj. Rreth mesit të
shek. XIX, reshperët e mëdhenj, si pronarë të
kapitalit tregtar monetar, mund të mateshin, për nga fuqia
ekonomike, me çifligarët e vendit. Të tillë
reshperë kishte në të gjitha qytetet e rëndësishme,
por masa e tyre kryesore ishte përqendruar në Shkodër,
ku disa firma tregtare e vazhdonin veprimtarinë e tyre qysh
nga shekulli i kaluar. Firmat e mëdha shkodrane shquheshin
për rrezen e gjerë të veprimtarisë tregtare
në të cilën hynin jo vetëm Shqipëria Veriore,
Qendrore dhe Verilindore (Kosova), por edhe treva e Malit të
Zi, madje edhe pjesa veriore e Maqedonisë. Reshperët e
Shkodrës kishin agjenci tregtare në Durrës, Tiranë,
Prizren, Pejë, Ulqin, Tivar, Shkup, kurse rreth 60 firma shkodrane
kishin agjentë ose korrespondentë tregtarë në
Trieste, prej nga ata lidheshin me tregun evropian. Në radhë
të dytë vinin tregtarët e Beratit, të cilët
kishin agjensi ose korrespondentë të tyre në Durrës
e Vlorë, kurse jashtë vendit në Trieste, Korfuz e
Maltë. Reshperët ushtronin edhe veprimtarinë kamatare
dhe valutore (kambiste). Megjithatë, si kudo në Perandorinë
Osmane, edhe në viset shqiptare funksionin ekonomik kryesor
borgjezia reshpere e kryente si ndërmjetëse midis tregut
të brendshëm dhe tregut të jashtëm, duke u varur
kryesisht nga tregu i huaj.
Zhvillimi i pandërprerë i ekonomisë monetare, i cili
mori një hov të madh sidomos gjatë viteve 40 e 50,
e shpejtoi ritmin e shthurjes së esnafëve. Nën nxitjen
e kërkesave të qytetarëve e të fshatarëve
për prodhimin e qytetit, regjimi i vjetër esnafor mori
nga vetë zejtarët dhe tregtarët vendas goditjen përfundimtare.
Komisionet lokale, të cilat për hir të traditës
vazhdonin në çdo kaza të caktonin akoma çmimet
javore të prodhimeve qytetare e fshatare, u suprimuan përfundimisht
gjatë viteve 50. Më 1861 u hoq zyrtarish me dekret perandorak
edhe privilegji i fundit që u kishte mbetur organizatave esnafore,
e drejta e lejes për ushtrimin e zejeve, e cila tani kaloi
në kompetencë të organeve shtetërore lokale.
Organizatat esnafore vazhduan të ekzistonin edhe më vonë,
por tani ato nuk e kryenin më funksionin ekonomik që kishin
gëzuar, si institucione të rendit feudal, gjatë shekujve
të kaluar. Tani esnafët morën pamjen e organizatave
shoqërore dhe ndikimi tradicional, që ato ushtronin akoma
mbi zejtarët dhe tregtarët, erdhi përherë e
më tepër duke u dobësuar.
Si përfundim, qysh gjatë viteve 40 punishtet zejtare u
kthyen në njësi ekonomike në pronësi të
plotë të mjeshtrave zejtarë, të pavarura nga
disiplina esnafore. Me shthurjen dhe pastaj me heqjen e esnafeve
u hap përfundimisht rruga e konkurrencës së zejtarëve
dhe e tregtarëve në fushën e çmimeve. Më
parë në qytetet kryesore, dhe pastaj në tregjet e
vogla, filloi të vepronte lirisht ligji i vlerës, lëvizja
e çmimeve sipas ofertës dhe kërkesës, lufta
për të ulur koston dhe për të shtuar prodhimin.
Kështu në tregun shqiptar filluan dalngadalë të
vepronin ligjet e ekonomisë së tregut.
Zhvillimi i mëtejshëm i tregut të brendshëm
Mbisundimi për një kohë të gjatë i ekonomisë
natyrore dhe i regjimit të timareve që mbështetej
në të e kishte vonuar së tepërmi zhvillimin
e tregut të brendshëm shqiptar. Deri një shekull
më parë lidhjet e fshatit me qytetin ishin shumë
të dobëta. Në treg shkonin kryesisht prodhimet fshatare,
të grumbulluara në formën e rentës feudale nga
ana e spahinjve. Gjithashtu nevojat e fshatarëve për prodhimet
zejtare të qytetit ishin të pakëta, sepse këto
nevoja ata i plotësonin brenda ekonomisë së tyre
individuale. Veç kësaj, sa kohë sundonte regjimi
i timareve, nevojat, që u lindnin herë pas here fshatarëve
për tokë suplementare, ata i siguronin me anën e
tokave “vakante” që ndodheshin brenda timarit,
të cilat spahiu i dikurshëm ua jepte pa ndonjë vështirësi
me tapi, mbasi këto sillnin rritjen e të ardhurave edhe
për vetë spahiun.
Por qysh gjatë shek. XVIII, me shthurjen e vazhdueshme të
regjimit të timareve, mundësia për të zgjeruar
bashtinën individuale mori fund për fshatarët, sepse
tokat “vakante” filluan të binin në duart
e bejlerëve çifligarë. Fshatarët e vegjël,
që mbetën me toka të pakëta, u detyruan ose
të vendoseshin në çifligjet e bejlerëve feudalë,
ose të kërkonin burime jetese suplementare. Meqenëse
zgjedhja feudale në çifligje ishte shumë e rëndë,
fshatarët e varfër përpiqeshin me çdo kusht
t’i shmangeshin kthimit të tyre në bujq-çifçinj.
Por edhe nëpër qytete, fronti i punës ishte shumë
i kufizuar qoftë për nivelin jo aq të zhvilluar të
ekonomisë monetare, qoftë për pengesat që vinin
nga regjimi feudal esnafor. Për këto arsye, deri në
vitet 40, burimet suplementare të jetesës fshatarët
e vegjël i siguronin, në një masë të kufizuar,
me anën e mercenarizmit, kurse shumica e tyre dërrmuese
me anën e një veprimtarie të dytë ekonomike.
Këtë veprimtari suplementare ekonomike ata e zhvillonin
brenda ose jashtë fshatit, brenda ose jashtë sferës
bujqësore. Për fshatarët e vegjël që zotëronin
pak dynymë tokë shpeshherë të ardhurat nga veprimtaria
suplementare zinin vendin e parë në buxhetin e varfër
të familjes. Sipas veprimtarisë së dytë që
zhvillonin, fshatarët e varfër kishin fituar tiparet e
reja social-ekonomike. Një pjesë e tyre ishte kthyer në
paraqendarë - fshatarë, të cilët pjesën
e tokës që u nevojitej e merrnin me qira nga pronarët
çifligarë duke u kthyer kështu në gjysmëpronarë
dhe gjysmëbujq. Një pjesë tjetër qe kthyer në
argatë (fshatarë gjysmëpronarë e gjysmëpunëtorë),
të cilët largoheshin gjatë disa muajve të vitit
nga toka e tyre e pamjaftueshme dhe punonin me mëditje pranë
ekonomive të tjera bujqësore, si druvarë, shataxhinj,
lamaxhinj, kosaxhinj, belaxhinj, kazmaxhinj, sharrëxhinj etj.
Krahas tyre në fshatin shqiptar kishte edhe fshatarë-zejtarë,
të cilët pranë ekonomisë së vogël
bujqësore organizonin brenda në familje një punishte
të vogël zejtare për prodhime artikujsh të caktuar
të destinuar për treg?. Kishte më në fund edhe
një kategori tjetër banorësh të fshatit, fshatarët-kurbetlinj,
të cilët nevojat e tyre i plotësonin me të ardhurat
që një ose dy nga anëtarët e familjes u dërgonin
nga kurbeti qytetar, brenda ose jashtë vendit, ku ata qëndronin
për periudha të gjata dhe punonin si punëtorë,
si zejtarë ose si tregtarë.
Diferencimi i radhëve të fshatarësisë tregonte
se ekonomia natyrore, mbështetja e rendit feudal, tashmë
kishte hyrë në rrugën e shthurjes së shpejtë.
Masa të konsiderueshme fshatarësh kishin filluar të
shisnin në treg jo vetëm prodhimet e tyre bujqësore,
blegtorale, zejtare, por në mjaft raste, siç ndodhte
me argatët ose kurbetlinjtë, edhe fuqinë e tyre të
punës.
Heqja e regjimit feudal-ushtarak, sanksionimi i pronësisë
tokësore çifligare, lënia e lirë e çmimeve
të tregut, rritja e vazhdueshme e peshës së taksave
dhe vendosja e shërbimit të gjatë ushtarak e shpejtuan
më tej procesin e varfërimit të fshatarëve.
Ky varfërim e rriti numrin e prodhuesve të vegjël,
të cilët, për të siguruar burime të tjera
jetese, ishin gati të shisnin kudo fuqinë e tyre të
punës. Si rrjedhim, pas viteve 40, zhvillimi i tregut të
brendshëm të fuqisë punëtore u krye me ritme
më të shpejta.
Tani që mundësitë për të rritur tokën
pa blerje u prenë dhe kërkesat fiskale shtetërore
u shtuan, fshatarët u detyruan t’i kushtonin më
tepër kujdes edhe shfrytëzimit të ekonomisë
së tyre. Kjo solli rritjen, ndonëse me ritme të ngadalshme,
të prodhimit bujqësor dhe të kontaktit të fshatarëve
me tregun. Pas viteve 40 fshatarët filluan të vinin gjithnjë
e më shpesh në qytet për të shitur prodhimet
e tyre. Tani atyre u nevojiteshin të holla më tepër
se më parë për të paguar taksat shtetërore
që erdhën duke u shtuar, qoftë për të blerë
artikuj industrialë për të cilat tani kishin nevojë
më tepër se më parë.
Zgjerimi i lidhjeve të fshatit me qytetin i dha gjithashtu
hov prodhimit zejtar. Hov morën sidomos zejtaritë që
përpunonin prodhimet e fshatarëve (lëkurë, lesh,
li, pambuk, mëndafsh, ullinj, duhan), po edhe zejtaritë
që prodhonin artikuj për fshatin (vegla, enë, veshje,
mbathje, pajime të ndryshme). Kjo solli rritjen e numrit të
zejtarëve dhe të tregtarëve. Nga viti 1842 në
vitin 1888 numri i punishteve zejtare dhe i dyqaneve tregtare në
qytet u rrit: në Shkodër nga 2 600 në 3 500, në
Prizren nga 950 në 1 560, në Korçë nga 480
në 840, në Berat nga 680 në 820, në Elbasan
nga 580 në 730, në Tiranë nga 610 në 720, në
Tetovë nga 450 në 610, në Prishtinë nga 380
në 530 etj. Një rritje të tillë patën të
gjitha qytetet e vendit duke përfshirë këtu edhe
qytetet e vogla (për shembull, brenda të njëjtës
periudhë numri i dyqaneve u rrit në Përmet nga 84
në 188, në Gostivar nga 40 në 97, në Starovë
nga 45 në 85, në Peqin nga 48 në 96, në Tepelenë
nga 15 në 45 etj.). Veç kësaj, në çdo
krahinë fushore ose malore lindi tregu lokal ku fshatarët
vinin çdo javë, ditën e pazarit, për të
shitur prodhimet e tyre dhe për të blerë sendet e
nevojshme. Disa nga këto qendra të vogla, të cilat
në vitet 40 e ruanin akoma karakterin e fshatit, si Fieri,
Lushnja, Ballshi, Këlcyra, Frashëri, Kukësi, Shijaku,
tani kishin me dhjetëra dyqane zejtarie e tregtie.
Depërtimi me ritme më të shpejta i ekonomisë
monetare në fshat u pasqyrua gjithashtu me rritjen e marrëdhënieve
të shkëmbimit me vendet e huaja. Brenda 50 vjetëve
(që nga viti 1842 deri në vitin 1892) lëvizja tregtare
u rrit afërsisht katër herë. Si dhe më parë,
ajo filloi të zhvillohej kryesisht me anën e detit. Numri
i anijeve që preknin skelat shqiptare erdhi gjithnjë duke
u rritur. Nga rreth 160 ngarkesa e shkarkesa anijesh në vit
që kryheshin në mesin e shekullit, numri i tyre arriti,
në fund të shekullit, në rreth 400. Nga interesi
që paraqisnin tani viset shqiptare për tregun evropian,
anijet e shoqërive të mëdha të lundrimit të
Austrisë e të Italisë, siç ishin “Llojdi”,
“Pulia” (Puglia), “Adria” filluan të
frekuentonin rregullisht, një herë, pastaj dy herë
dhe më tutje tri herë në javë skelat e Shëngjinit,
të Durrësit, të Vlorës e të Sarandës.
Madje qysh në vitet 50 e 60 edhe familjet reshpere shkodrane
Daragjati, Bianki dhe Muzhani blenë me fondet e tyre anije
me avull, me të cilat kryenin lundrime tregtare të rregullta
midis skelave shqiptare dhe skelave të Adriatikut. Një
zhvillim relativisht të madh mori gjatë kësaj periudhe
edhe lëvizja tregtare me viset e brendshme të Gadishullit
Ballkanik, e cila, edhe pse kryhej gjithnjë me karvane kuajsh,
kishte përsëri leverdi për tregun e brendshëm
shqiptar. Lidhjet gjithnjë e më të shpeshta të
fshatit me tregun i tregon sidomos rritja e vëllimit të
artikujve bujqësorë e blegtoralë, nga rreth 6 milionë
franga ari më 1850 në afërsisht 12 milionë franga
ari më 1898, që eksportoheshin nga skelat shqiptare në
tregjet evropiane. Atë e tregon gjithashtu lista gjithnjë
në rritje e artikujve që importoheshin nga tregjet e huaja,
të cilat vinin nga jashtë ose në gjendje të
gatshme (vajguri, sheqer, kafe, pëlhura, vegla, armë,
llamba, sapunë, kinkaleri etj.) ose si lëndë e parë
dhe përpunoheshin nga zejtarët vendas (hekur, çelik,
plumb, kallaj, zink, lëkurë, stofë etj).
Zhvillimi i tregut të brendshëm solli si kudo edhe në
Shqipëri nevojën e veprimeve më të lehta financiare
dhe të lëvizjes më të shpejtë të mallrave.
Nën ndikimin e këtyre nevojave, filluan të ngrihen
dhoma e tregtisë, gjykata tregtare, zyra postare dhe agjenci
lundrimi. Qysh në vitet 80, Banka Perandorake Osmane çeli
degë të saj në qendrat e katër vilajeteve, të
cilat nga ana e tyre krijuan korrespondentë bankarë në
qytetet e tjera të vendit. Në të njëjtën
kohë u ngritën në të gjitha qendrat e sanxhakëve
dhe të kazave degë ose arka të Bankës Bujqësore
osmane (Ziraat Bankasi), të cilat kryenin edhe veprime krediti.
Gjithashtu krijuan agjenci në Shkodër, në Durrës
e në Vlorë edhe disa nga shoqëritë e mëdha
të sigurimeve të Triestes e të Venedikut. Nga 2 shtete
të huaja që kishin më 1840 konsullata në viset
shqiptare (Franca, Anglia), në fund të shek. XIX kishin
konsullatat e tyre në këto vise 9 shtete (Franca, Anglia,
Austria, Italia, Rusia, Greqia, Serbia, Rumania, Mali i Zi). Që
nga pjesa e fundit e shek. XIX, nën presionin e kërkesave
të reshperëve shqiptarë, u dukën edhe hapat
e parë në ndërtimin e rrugëve të komunikacionit,
nga të cilat patën një farë interesi rrugët
e qerreve që lidhën Shkodrën me Lezhën e Shëngjinin,
Tiranën me Durrësin e Kavajën, Sarandën dhe
Gjirokastrën me Janinën, Manastirin me Korçën
dhe Janinën, Elbasanin me Kavajën e Durrësin. Gjatë
viteve 70 u ndërtua gjithashtu hekurudha Selanik-Shkup-Mitrovicë,
e cila kalonte përmes viseve të Kosovës.
Shthurjen gjatë kësaj periudhe me ritme më të
shpejta të ekonomisë natyrore dhe zhvillimin e mëtejshëm
të tregut të brendshëm e tregon më në fund
ngritja e dyqaneve tregtare dhe e punishteve zejtare nëpër
fshatrat e vendit. Në vitet 40 të tilla dyqane jashtë
qyteteve ishin shumë të rralla, gjë që ndodhte
pjesërisht edhe nga pasiguria që sundonte në këto
vise. Gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX,
edhe pse pasiguria nuk u likuidua plotësisht, numri i tyre
erdhi vazhdimisht duke u rritur, në mënyrë të
veçantë në ato krahina të Shqipërisë
së Jugut ku ekonomia monetare kishte depërtuar me ritme
më të shpejta se gjetkë. Sipas njoftimeve zyrtare
turke, në vitet 80 kishte jashtë qyteteve: në kazanë
e Korçës me 168 fshatra 1 175 dyqane, në atë
të Beratit me 175 fshatra 360 dyqane, në kazanë e
Përmetit me 140 fshatra 340 dyqane, në atë të
Gjirokastrës me 62 fshatra 240 dyqane, në atë të
Delvinës me 130 fshatra 140 dyqane, në kazanë e Vlorës
me 64 fshatra 45 dyqane, në atë të Tepelenës
me 61 fshatra 35 dyqane. Rrjeti i dyqaneve u ngrit, ndonëse
me përpjestime më të vogla, edhe në vise të
tjera të vendit. Për shembull, po atë vit kishte:
në kazanë e Peqinit me 97 fshatra 80 dyqane, në atë
të Dibrës së Epërme me 142 fshatra 76 dyqane,
në kazanë e Dibrës së Poshtme me 38 fshatra
25 dyqane, në kazanë e Elbasanit me 97 fshatra 20 dyqane,
në atë të Matit me 33 fshatra 15 dyqane, në
atë të Gramshit me 66 fshatra 5 dyqane etj.
Shtrirja e rrjetit të tregtisë në fshat i dha një
shtytje të madhe forcimit të lidhjeve ekonomike midis
tregjeve lokale dhe qyteteve kryesore, njëkohësisht edhe
midis vetë qyteteve kryesore të vendit. Me gjithë
pengesat që vinin nga vështirësitë e komunikacionit
dhe nga pasiguria e qarkullimit, qendrat kryesore ekonomike të
vendit tashmë u lidhën me njëra-tjetrën ose
drejtpërdrejt, ose tërthorazi, duke u kthyer në hallka
të veçanta të tregut të brendshëm kombëtar.
Si rezultat i këtij zhvillimi, gjatë kësaj periudhe
u formua bashkësia e jetesës ekonomike në viset shqiptare.
Punishtet manifakturore dhe fabrikat e para
Zhvillimi i ekonomisë monetare dhe shthurja e disiplinës
esnafore i dhanë një shtytje shtimit të prodhimit
të punishteve zejtare. Ky proces pushtoi sidomos punishtet
zejtare të këpucëve, të opingave, të lëkurëve,
të shajakëve, të qilimave, të armëve, të
argjendarisë, të qëndistarisë etj. Rreth mesit
të shek. XIX në Shkodër, Prizren, Berat, Elbasan,
Korçë e gjetkë kishte mjaft punishte ku punonin
5 deri 10 krahë pune, madje në disa prej tyre deri në
15 krahë pune. Në këto punishte procesi i prodhimit
vijoi të kryhej, si edhe më parë, me po ato vegla
dore, por tani mori një përmbajtje të re social-ekonomike.
Si trajtimi i krahëve të punës, ashtu dhe shitja
e prodhimeve të tyre, nuk vareshin më nga disiplina esnafore,
por nga ligjet e tregut të lirë. Kallfa dhe çiraku
i djeshëm u kthyen në një shitës të “lirë”
të krahut të tyre të punës, kurse mjeshtri zejtar
në një pronar i plotë i mjeteve të prodhimit.
Si rrjedhim, pas viteve 40 në gjirin e punishteve të mëdha
zejtare filluan të lindnin, ku më parë e ku më
pas, elementet e para të marrëdhënieve të ekonomisë
së tregut.
Por në punishtet e mëdha zejtare të kësaj periudhe
mbeti për disa kohë në fuqi ndarja e mëparshme
e punës. Procesi i kooperimit të thjeshtë hyri me
vështirësi në gjirin e tyre. Megjithatë, nën
nxitjen e konkurrencës së lirë, që u zhvillua
gjatë gjysmës së dytë të shek. XIX, qoftë
midis prodhimeve të zejtarëve lokalë, qoftë
midis tyre dhe prodhimeve evropiane, nga radhët e borgjezisë
tregtare dolën nisma për të ngritur punishte manifakturore
me një bazë teknike më të përparuar se
ajo e punishteve zejtare. Filluan të duken makineritë
e para të sjella nga jashtë për punimin e lëndës
së parë vendase. Nga vitet 70 të shek. XIX lindën
elementet e para të industrisë me motor, u ngritën
ndërmarrjet industriale të mekanizuara (fabrikat), që
punonin me fuqi motorike. Por këto ndërmarrje kishin më
shumë pamjen e punishteve të zgjeruara me disa makina.
Të tilla qenë për shembull flandrat për përpunimin
dhe endjen e mëndafshit, që tregtari shkodran Filip Parruca
solli qysh në vitin 1860 nga Italia, filatura mekanike me avull
që sollën nga jashtë afërsisht në atë
kohë vëllezërit Bianki në Shkodër, makinat
e dorës për përpunimin e gajtanëve ose çarqet
për prodhimin e shiritave, që disa pronarë punishtesh
sollën gjithashtu nga jashtë pak vite më vonë.
Por ndërmarrjet më të rëndësishme të
industrisë në Shkodër ishin fabrika e sapunit (e
ndërtuar nga Stefan Bianki dhe Engjëll Çoba, e
cila prodhonte afër 180 tonë sapun në vit), fabrika
e makaronave, ajo e brezave, e tisazhit, e cigareve (ku punonin
mbi 100 punëtore), fabrika e tullave, mullinjtë e blojes
me fuqi motorike, shtypshkronja, fabrika e uthullës dhe e verës,
një kantier i vogël për ndërtimin e riparimin
e barkave, furra moderne Hofman etj. Në Ulqin ishin ngritur
kantieret e ndërtimit të anijeve, në njërin
prej të cilëve punonin deri në 50 punëtorë.
Në qendrat e tjera të vendit lindën gjithashtu ndërmarrjet
e para industriale për përpunimin e artikujve të
konsumit, si fabrika mielli, vaji, sapuni, të pëlhurave,
të cigareve, të lëkurës, të tisazhit etj.
Më 1870 u ndërtuan në Korçë dy furra
moderne për prodhimin e gëlqeres, një mulli drithi
me kapacitet bluarjeje 150 kv në 24 orë, një fabrikë
miellit etj. Në fundin e shek. XIX u ndërtuan në
Prishtinë dy fabrika mielli dhe disa mullinj me motorë,
ndërsa në viset e tjera të vilajetit të Kosovës
u ngritën një fabrikë sapuni, një sharrë
mekanike për përpunimin e drurit (me kapital shqiptaro-gjerman),
fabrika e birrës, e miellit, e tullave dhe e tjegullave; në
Tetovë ishte ngritur fabrika e gajtanit, 15 punishte për
prodhimin e pëlhurave dhe fabrika e miellit (e ndërtuar
nga një firmë hungareze); në Prizren dhe në
Plevlje kishte dy fabrika të tjera gajtani. Në Durrës
ishte ngritur një sharrë mekanike (që i përkiste
një shoqërie franceze) dhe disa mullinj me fuqi motorike;
në Vlorë ishte ngritur industria nxjerrëse e bitumit
të Selenicës, kriporja, një poçeri (ku punonin
më shumë se 100 punëtorë), disa fabrika të
kohës për prodhimin e vajit; në Elbasan ishin ndërtuar
dy presa moderne dhe një makinë hidraulike për prodhimin
e vajit, një fabrikë sapuni, fabrika e duhanit dhe ajo
e miellit; në Gjirokastër ishte ngritur fabrika e përpunimit
të lëkurës; në Kavajë kishte kripore, punishte
të qeramikës, dy mullinj me fuqi motorike; në Prevezë
u ngrit një fabrikë sapuni etj.
Gjatë kësaj periudhe u dukën edhe investimet e huaja,
të cilat u kufizuan vetëm në sferën e shfrytëzimit
të minierave dhe të pyjeve. Qysh më 1875 Shoqëria
angleze “Mejers” (Mayers) mori për shfrytëzim
minierat e serës në Selenicë; më pas (më
1891) këtë koncesion e mori nga Shoqëria “Mejers”,
një shoqëri frënge, e formuar në Paris posaçërisht
për shfrytëzimin e kësaj miniere (Société
des bitumes de Selenitza). Më 1904 Shoqëria italiane “Firpo
e Berberis” mori për shfrytëzim pyjet e Thumanës
afër Durrësit dhe solli këtu sharra mekanike moderne.
Më 1910 Shoqëria tjetër italiane “Vismara”
filloi, gjithashtu, me anën e sharrave moderne shfrytëzimin
e pyjeve të Mirditës. Në vitet e fundit të sundimit
osman u ngritën nga investitorë të huaj një
fabrikë makaronash në Shkodër, një fabrikë
vaji në Vlorë etj.
Ngritja e fabrikave, sado që u krye me ritme të ngadalshme,
tregonte se Shqipëria kishte hyrë në rrugën
e lindjes së ndërmarrjeve kapitaliste. Megjithëse
me një teknikë më të përparuar, të
gjitha këto fabrika kishin pa përjashtim një kapacitet
të vogël prodhimi dhe secila kishte një numër
të kufizuar punëtorësh, madje disa prej tyre më
pak se punishtet e mëdha zejtare. Pesha e prodhimit të
tyre industrial, së bashku me atë të punishteve manifakturore,
zinte një vend fare të parëndësishëm kundrejt
prodhimit që dilte nga duart e zejtarëve të vegjël,
të cilët mbushnin si edhe më parë tregjet lokale
të vendit. Veç kësaj, megjithëse borgjezia
reshpere zotëronte fonde monetare të mëdha dhe ndonëse
kishte një treg të lirë krahësh pune, as fabrikat
e reja, as punishtet manifakturore nuk e rritën më tej
prodhimin dhe nuk u kthyen në industri moderne. Për më
tepër, disa prej tyre e pushuan pas disa kohësh veprimtarinë
ekonomike. Arsyeja kryesore e zhvillimit shumë të ulët
të prodhimit industrial kapitalist në Shqipëri qe
varfërimi me ritme shumë të shpejta që i shkaktuan
tregut të brendshëm, nga njëra anë sistemi fiskal
parazitar i sunduesit osman, nga ana tjetër vërshimi i
pandalshëm i mallrave të huaja të vendeve të
zhvilluara të Evropës.
Çdo vit me miliona groshë mblidheshin në formë
taksash nga Shqipëria dhe merrnin rrugën e Stambollit,
ndërsa në vend shpenzoheshin shuma tepër të
pakëta vetëm për mbajtjen e administratës shtetërore.
Kështu, për shembull, në vitin 1888, sipas të
dhënave të salnamesë osmane për vilajetin e
Manastirit, nga tre sanxhakët shqiptarë të këtij
vilajeti (sanxhakët e Korçës, të Elbasanit
dhe të Dibrës) shuma e taksave të vjela ishte 13,8
milionë groshë, kurse pjesa e shpenzuar në vend vetëm
3,7 milionë groshë. Po kështu ndodhte edhe në
viset e tjera. Sipas salnamesë turke për vilajetin e Janinës,
në vitin 1900 në sanxhakët e Gjirokastrës, të
Beratit e të Prevezës u grumbulluan atë vit 16,4
milionë groshë dhe u shpenzuan në vend vetëm
2,7 milionë groshë. Kjo grabitje e vazhdueshme, e cila
bëhej në kurriz të shtresave të gjera të
popullsisë, që ishin pothuajse të vetmit kontribuesë
të buxhetit turk dhe konsumatorë kryesorë të
prodhimeve industriale, solli si pasojë dobësimin e vazhdueshëm
të tregut të brendshëm shqiptar.
Faktori tjetër që shpuri në dobësimin e tregut
të brendshëm shqiptar ishte konkurrenca e mallrave evropiane,
të cilat në bazë të kapitulacioneve hynin në
Shqipëri me një tagër tepër të ulët
doganor. Si rrjedhim i këtyre faktorëve, prodhimi i punishteve
zejtare e manifakturore lokale, duke mos qenë në gjendje
t’i bënte ballë konkurrencës së prodhimeve
industriale të huaja, hyri në një krizë të
rëndë, e cila e çoi në një rënie
të vazhdueshme. Goditjen e parë e pësuan prodhimet
e tekstileve, siç qenë tekstilet e linjta, të leshta
dhe të mëndafshta. Me vërshimin e mallrave të
huaja, eksportimi i këtyre prodhimeve nga Shqipëria u
ndërpre, madje këto prodhime filluan të mos gjenin
treg as brenda vendit. Si pasojë, filandrat dhe makineritë,
që u sollën në vitet 60-80 në Shkodër,
në Korçë e në Berat për prodhimin e tekstileve
të leshta e të mëndafshta filluan të mbylleshin
njëra pas tjetrës. Në fillim të shek. XX jetonte
ende prodhimi i vogël i grave shtëpiake (shajaku në
Korçë e në Berat, mëndafshi në Tiranë
e në Shkodër), por edhe këtu ky prodhim ishte në
rënie të plotë. Për të njëjtat arsye,
rënia që ishte shfaqur qysh më parë në
prodhimin e armëve të zjarrit (pushkë, kobure, fishekë)
tani u thellua më tej. Pas mesit të shek. XIX zejtarët
armëtarë, që mbushnin ende pazaret e Shkodrës,
të Prizrenit dhe të Elbasanit nuk i prodhonin më
të gjitha pjesët e armëve. Disa prej tyre, siç
qenë për shembull tytat e pushkëve e të kobureve,
filluan t’i sillnin nga jashtë. Por edhe kjo nuk vijoi
gjatë. Me vërshimin në Shqipëri të armëve
martina, më të lira dhe më moderne, prodhimi vendas
i pushkëve e i kobureve, me gjithë traditat e lashta,
ra përfundimisht, derisa u zhduk fare gjatë çerekut
të fundit të shek. XIX. Gjatë kësaj periudhe
filloi të binte edhe zejtaria e tabakëve, e cila gjithashtu
nuk qe më në gjendje t’i konkurronte nga çmimi
lëkurët e regjura në fabrikat moderne evropiane.
Këtë fat pësuan edhe degë të tjera, siç
qenë zejtaritë e argjendarëve, të remtarëve,
të drugdhendësve etj.
Nga ana tjetër, me vërshimin e mallrave të huaja
dhe me rrënimin e punishteve të vendit, u përmbys
raporti që ekzistonte më parë në bilancin e
tregtisë së jashtme të viseve shqiptare. Gjatë
gjysmës së dytë të shek. XIX vëllimi i
mallrave të importuara nga tregjet evropiane erdhi duke u rritur.
Në listat e tyre tani bënin pjesë edhe artikuj të
cilët më parë prodhoheshin nga zejtarët shqiptarë,
madje edhe artikuj të cilët më parë figuronin
në listat e mallrave që eksportonte Shqipëria (fije
mëndafshi, fije pambuku, stofra të leshta, pëlhura
mëndafshi, enë shtëpiake, lëkurë të
punuara, shuall e këpucë, armë e barut, brava e gozhdë,
feste e breza, kazma e lopata etj.). Për më tepër,
në listën e mallrave që tani eksportoheshin nuk figuronin
më si dikur artikuj të përpunuar dhe aq më pak
mallra të gatshme, por vetëm bagëti të imëta
e të trasha, shumë pak prodhime bujqësore dhe kryesisht
lëndë të para në gjendje natyrore (lesh, lëkurë,
duhan, ullinj, dyllë i papunuar etj.). Diferenca midis importimeve
dhe eksportimeve erdhi kështu vazhdimisht duke u rritur. Në
fund të shek. XIX vlefta e mallrave të importuara nga
skelat bregdetare ishte tri herë më e madhe se ajo e mallrave
të eksportuara (më 1898 nga skelat e Shqipërisë
u importuan mallra me një vleftë prej 34 milionë
franga ari, kurse vlefta e mallrave të eksportuara ishte rreth
12 milionë franga ari). Ky deficit i theksuar që vazhdoi
me dhjetëra vjet e varfëroi edhe më shumë pasurinë
monetare të vendit. Shterrimin e plotë të kësaj
pasurie e frenuan deri në një farë shkalle vetëm
dërgesat periodike valutore të kurbetlinjve (emigrantëve)
shqiptarë, që punonin në vise të huaja dhe që
i kishin lënë familjet në Shqipëri.
Karakteri parazitar i administratës osmane dhe konkurrenca
tregtare e shteteve evropiane, duke varfëruar sistematikisht
pasurinë monetare vendase, e dobësuan thellësisht
fuqinë blerëse të masave popullore dhe krijuan kështu
një situatë mbytëse për zhvillimin e industrisë
kombëtare shqiptare. Për këtë arsye trojet shqiptare
mbetën deri në fund të sundimit osman pa asnjë
industri të zhvilluar.
Më 1912 në trojet e trungut etnik shqiptar kishte, përveç
punishteve manifakturore, shumë pak fabrika të vogla me
motorë:
Mullinj drithi …………………….
26 njësi
Fabrika vaji ……………………...
4 “
Fabrika sapuni …………………..
2 “
Fabrika lëkurësh ………………...
2 “
Fabrikë tisazhi …………………..
1 “
Fabrika cigaresh ………………... 2
“
Fabrikë makaronash ……………. 1 “
Shtypshkronja …………………...
5 “
Sharra mekanike ………………... 7
“
50 “
Të gjitha këto fabrika kishin pa përjashtim një
kapacitet shumë të kufizuar prodhimi. Numri i punëtorëve
të këtyre njësive ishte gjithashtu fare i vogël.
Në secilën prej tyre punonin 3-15 punëtorë dhe
fare rrallë mbi 16 punëtorë, kurse numri i tyre i
përgjithshëm llogaritej në disa qindra punëtorë.
Si përfundim, marrëdhëniet karakteristike për
ekonominë e tregut në u dukën Shqipëri jo aq
në rritjen e ndërmarrjeve moderne kapitaliste, por kryesisht
në veprimin e ligjeve të ekonomisë së tregut.
Struktura shoqërore e qyteteve
Ekonomia e re e tregut, që lindi në Shqipëri gjatë
shek. XIX solli ndryshime në strukturën shoqërore
të qyteteve. Por për shkak të ruajtjes së strukturës
shtetërore feudale të Perandorisë Osmane, e cila
qëndronte në fuqi vetëm në saje të dhunës,
qytetet shqiptare nuk u çliruan dot nga zgjedha e shtresës
së vjetër feudale sunduese. Përfaqësuesit kryesorë
të saj, funksionarët e lartë të administratës
shtetërore, shtresat e sipërme të klerit islamik
dhe feudalët e fuqishëm derebej, të shkëputur
si edhe më parë nga sfera e prodhimit, vijuan të
grabisnin popullsinë dhe arkën e shtetit me anën
e dhunës, të arbitraritetit, të mashtrimit dhe të
spekulimeve. Për këtë arsye ata nuk ishin aspak të
interesuar për ta ndryshuar strukturën ekonomike, shoqërore
e politike të Perandorisë Osmane. Në kushtet e reja
të krijuara nga veprimi i ligjeve ekonomike kapitaliste, karakteri
parazitar i tyre u bë më i theksuar. Nga pjesëtarët
e klasës së vjetër sunduese qenë prekur vetëm
krerët e feudalizuar të esnafeve, të cilët,
me heqjen e monopolit esnafor, humbën bazën e tyre ekonomike,
si rrjedhim burimin e pushtetit të tyre të dikurshëm.
Deri në vitet 60 ata vazhduan të bënin pjesë
në shtresat e larta të popullsisë qytetare, vetëm
për hir të traditës shekullore ose përkrahjes
politike që Porta e Lartë u detyrua t’u jepte për
të shuar trazirat e shkaktuara prej tyre.
Borgjezia tregtare, sidomos reshperët e mëdhenj, me rritjen
e mëtejshme të tregtisë grosiste, u fuqizuan më
shumë. Me krizën që shkaktoi ndër prodhuesit
shqiptarë vërshimi i mallrave të huaja, edhe burimi
tjetër i fitimit të tyre, fajdeja, erdhi gjithashtu duke
u rritur (në vitet 80 në tregun e Shkodrës fajdeja
kapte normalisht 50-60%). Në qytetet e pajisura me garnizone
ushtarake reshperët nxorën fitime të mëdha edhe
nga kontratat për furnizimin e ushtrisë me ushqime, veshmbathje
e pajime të ndryshme. Në tregjet kryesore të vendit
ata futën nën varësinë e tyre shumë nga
zejtarët e vegjël dhe nga gratë shtëpiake, të
cilat tani përpunonin lëndën e parë vendase
të grumbulluar prej reshperëve dhe të destinuar për
eksport (lesh, lëkurë, mëndafsh, bimë, fruta
etj.). Reshperët u pajisën me anije lundrimi (12 anije
deri më 1912) dhe përqendruan në duart e tyre kapitale
tregtare e monetare të mëdha. Por kjo pjesë e borgjezisë,
në kushtet e arbitraritetit të administratës osmane
dhe të zhvillimit të dobët të tregtisë,
nuk arriti të kalonte kapitalet e saj nga sfera e qarkullimit
në atë të prodhimit, mbeti e lidhur deri në
fund të sundimit osman me veprimtarinë tregtare e kamatare,
duke i akorduar kredi edhe vetë financës shtetërore
lokale. Veç kësaj, me hyrjen gjithnjë e më
shumë të tokës në sferën e qarkullimit
të mallrave, një pjesë e tregtarëve u bënë
njëkohësisht pronarë çifligjesh, duke u kthyer
kështu në një borgjezi reshpero-çifligare.
Forca e re shoqërore që lindi në këtë kohë,
borgjezia industriale, për shkak të klimës mbytëse
që sundoi për zhvillimin e ekonomisë së tregut,
sidomos pas viteve 70, pati deri në fund të sundimit osman
një peshë të parëndësishme.
Me zhvillimin e ekonomisë së tregut filloi të shfaqej
në viset shqiptare edhe një shtresë tjetër shoqërore,
punëtorët, bërthamën e së cilës e
përbënin mëditësit e thjeshtë që punonin
në fabrikat, minierat, kriporet, anijet, sharrat dhe punishtet
e ndryshme. Por në radhët e kësaj shtrese shoqërore
hynin edhe prodhuesit e tjerë të qytetit, siç ishin
kallfët, çirakët, shegertët, muratorët,
qiraxhinjtë, hamejtë, druvarët, prodhuesit e vegjël
të pazarit e të shtëpisë që punonin për
reshperët e mëdhenj dhe, së bashku me ta, shtresa
e të papunëve. Punëtorët e të gjitha kategorive
punonin pa përjashtim deri 14 orë në ditë dhe
merrnin një pagë shumë të ulët, që
shpesh jepej në formën e qesimit. Deri në fund të
sundimit osman nuk doli asnjë legjislacion që të
mbronte të drejtat më elementare të punëtorëve.
Me gjithë pasojat që pati për prodhimim e vogël
vërshimi i mallrave të huaja, masën dërrmuese
të popullsisë së qyteteve e formonin, si edhe më
parë, zejtarët e tregtarët e vegjël. Edhe pse
disa nga zejtaritë e vjetra u zhdukën nga pazaret e qyteteve
ose ishin në rënie të plotë, forcimi i vazhdueshëm
i lidhjeve të fshatit me qytetin u dha mundësi zejtarëve
që merreshin me veshmbathjet fshatare t’i shpëtonin
rrënimit ekonomik (zejtarët që prodhonin tirqe, shallvare,
poture, kallca, opinga, breza, qeleshe etj.). Veç kësaj,
në disa degë të prodhimit zejtar artikujt evropianë
nuk arritën ta konkurronin prodhimin vendas, i cili shitej
më lirë se prodhimi i huaj (prodhimet e remtarëve,
të farkëtarëve, të poçarëve, të
saraçëve, të këpucëtarëve etj.).
Më në fund, rritja e kërkesave të vetë
popullsisë qytetare solli në disa fusha shtimin e numrit
të zejtarëve (rrobaqepës, marangozë, furrxhinj,
sheqerxhinj, sahatçinj etj.). Zhvillimi i tregut të
brendshëm, vërshimi i mallrave të huaja dhe zhvillimi
i jetës qytetare sollën nga ana e tyre rritjen e mëtejshme
të dyqaneve të tregtarëve të vegjël dhe
të lokaleve të shërbimit social (hotele, hane, restorante,
pijetore etj.). Por rritja e numrit të zejtarëve të
vegjël nuk tregonte aspak lulëzimin e tyre ekonomik. Sikurse
shënonte një udhëtar i huaj, që kaloi në
Shqipëri më 1910, shumica e zejtarëve ishte e zhytur
në varfëri të thellë dhe qëndronte në
dyqanet e veta vetëm sepse nuk gjente punë tjetër.
Megjithëse ekonomia feudale ishte shthurur, sundimtari osman
vijonte ta ruante të paprekur sistemin politik e shtetëror
feudal. Ndërsa zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit
kërkonte shkëputjen e viseve shqiptare nga grabitja sistematike
e huaj, sundimtari osman përpiqej ta forconte më tej shtypjen
e vet shekullore në Shqipëri.
3. DEPËRTIMI I EKONOMISË
SË TREGUT NË FSHAT
Rritja dhe copëzimi i pronës çifligare
Në fillim të viteve 40 timari feudal turk zyrtarisht nuk
ekzistonte më në Perandorinë Osmane. Ai ishte suprimuar
me ligj nga Porta e Lartë qysh në vitin 1834. Në
të vërtetë, timari ishte zhdukur nga tokat më
pjellore të viseve shqiptare, të cilat kishin hyrë
në sistemin e çifligut, përpara se të hiqej
zyrtarisht. Timari qëndronte ende vetëm në fshatrat
me toka buke të pakëta, por edhe këtu zotëruesit
e tyre, spahinjtë, në shumicën e rasteve ishin kthyer
prej kohësh në feudalë-derebej. Si të tillë
ata i ruanin pozitat sunduese vetëm në saje të përkrahjes
që u detyrua t’u jepte sulltani me anën e sistemit
të “harxheve”. Sipas këtij sistemi, feudalët
spahinj gëzonin të drejtën në kohë lufte
të rekrutonin kundrejt “harxheve” (shpërblimeve)
mercenarë për në luftë dhe në kohë
paqeje të vilnin, kundrejt një shume të caktuar,
taksat shtetërore brenda timarit të tyre.
Megjithatë, pas vitit 1834 spahinjtë nuk u ngjanin atyre
të shekujve të kaluar, pasi tani nuk e gëzonin tesarrufin
(zotërimin) mbi tokat e fshatarit. Si rrjedhim ata e kishin
humbur zotërimin feudal mbi tokën. Por edhe pse e humbën
tesarrufin, spahinjtë derebej, duke u mbështetur në
forcat e tyre të armatosura dhe në përkrahjen e Portës
së Lartë, vijuan të ushtronin pushtet mbi fshatarët
e zonës së tyre.
Për të njëjtat arsye Porta e Lartë nuk preku
as bajraktarët e krahinave malore të veriut. Ata vijuan
të gëzonin si në kohë lufte, ashtu edhe në
kohë paqeje po ato detyra dhe po ato të drejta që
kishin pasur gjatë shekullit të kaluar. Megjithatë,
në viset malore të Veriut, për shkak të mbeturinave
ende të gjalla të normave fisnore, dhuna dhe arbitrariteti
i bajraktarëve nuk morën përpjesëtime aq të
mëdha, sa ato të derebejve në viset e tjera të
vendit.
Me heqjen e sistemit të timarit dhe me njohjen zyrtarisht të
pronësisë private mbi tokën, pronësia çifligare
u njoh ligjërisht nga shteti osman. Bejlerët çifligarë
fituan të drejtën jo vetëm ta administronin, por
edhe ta zgjeronin lirisht pronën e tyre, e cila për më
tepër hyri nën mbrojtjen e dretpërdrejtë të
Perandorisë Osmane. Madje Porta e Lartë, shumicën
e çifligjeve që ua kishte konfiskuar dikur feudalëve
të dënuar si kryengritës, në radhë të
parë Ali pashë Tepelenës, Ibrahim pashë Vërlacit,
Ibrahim bej Alltunit, Osman bej Kryekuqit, i shpalli pronësi
private shtetërore, duke e kthyer kështu vetë Perandorinë
Osmane në një pronare të madhe çifligare.
Të drejtën e pronësisë e fituan edhe institucionet
fetare islamike e të krishtera. Si rrjedhim, me likuidimin
e pronësisë feudale-ushtarake, ajo feudale-çifligare
u bë forma kryesore e pronësisë tokësore, mbi
të cilën tani mbështetej shteti feudal turk.
Në vitet 40 çifligjet kapnin në viset e katër
vilajeteve rreth 700 mijë hektarë ose rreth 55 për
qind të tokave të punueshme. Por shpërndarja e tyre
nuk ishte e njëjtë kudo. Në krahinat e vilajetit
të Janinës çifligjet zinin rreth 70 për qind
të tokave të punueshme, në viset e vilajetit të
Shkodrës rreth 60 për qind, në të Manastirit
rreth 52 për qind dhe në viset e Kosovës rreth 40
për qind.
Pronësia çifligare nuk ishte rritur njësoj as brenda
secilit vilajet. Ajo ishte shtrirë kryesisht në viset
fushore, aty ku ndodhej pjesa më e madhe e tokave të punueshme.
Nga të dhënat për ejaletin e Janinës del, se
më 1850 në rrethet e sotme të Fierit dhe të
Lushnjës të gjitha fshatra |