K R E U VI
ZHVILLIMI I LËVIZJES KOMBËTARE
NË SHQIPËRI
NË VITET 1882 - 1895
1. KUSHTET E REJA POLITIKE
PAS SHTYPJES
SË LIDHJES SË PRIZRENIT
Gjendja politike pas Lidhjes së Prizrenit
Pas shtypjes së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit u krijua
një gjendje e rëndë politike për lëvizjen
kombëtare dhe për mbarë popullin shqiptar. Forcat
e shumta ushtarake osmane të komanduara nga Dervish Pasha,
pasi shpërndanë qeverinë e përkohshme shqiptare,
rivendosën administratën osmane në zonat ku kishte
vepruar kjo qeveri dhe u përpoqën të forconin kudo
autoritetin e Portës së Lartë.
Qeveria e Stambollit ishte tronditur thellë nga vrulli dhe
nga arritjet e Lidhjes së Prizrenit. Prandaj vendosi në
Shqipëri një regjim terrori politik, që ishte i lidhur
me emrin e sulltan Abdyl Hamitit II ose të “sulltanit
gjakatar”, siç e quanin rilindësit. Në Shqipëri,
veçanërisht në Kosovë, vepruan për një
kohë të gjatë shtetrrethimi dhe gjykatat ushtarake.
Qindra e mijëra atdhetarë shqiptarë u ndoqën,
u burgosën dhe u internuan. Qëllimi i këtyre masave
të ashpra ishte që të pengohej zhvillimi i mëtejshëm
i Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Porta e Lartë u dha kompetenca të veçanta organeve
të xhandarmërisë e të policisë, për
të cilat u përdor pjesa më e madhe e buxheteve lokale
të sanxhakëve dhe të vilajeteve shqiptare. Sipas
buxhetit të vitit 1889, për xhandarmërinë dhe
për policinë u caktuan në sanxhakun e Elbasanit 63%
të shpenzimeve lokale, në atë të Korçës
64% dhe në atë të Dibrës 70%, pa përfshirë
këtu garnizonet ushtarake, të cilat mbaheshin nga buxheti
perandorak. Në fund të kësaj periudhe (më 1898),
nga 982 857 groshë shpenzime të vilajetit të Kosovës,
për xhandarmërinë u përdorën 977 116 groshë.
Krahas dhunës politike, administrata sunduese osmane rëndoi
edhe shtypjen ekonomike, duke shtuar taksat e detyrimet e mëparshme
dhe duke vendosur të reja; ajo mori masa të rrepta për
nxjerrjen e tyre, duke përfshirë edhe ato të prapambeturat
nga vitet e Lidhjes. Si rrjedhim, u keqësua më shumë
gjendja ekonomike e popullsisë së fshatit dhe e qytetit.
Megjithëse vendi ishte i varfër e i prapambetur, miliona
groshë të nxjerrë nga popullsia shqiptare vazhdonin
të merrnin rrugën e Stambollit. Ndër të tjera
paguhej edhe për rrugët e për shkollat, por rrugë
e shkolla nuk ndërtoheshin. Në sanxhakun e Korçës,
ku grabitja fiskale osmane ishte më e theksuar, buxheti i vitit
1889 parashikonte të vilte nga taksat një shumë prej
9 671 mijë groshë, nga e cila, për të përballuar
shpenzimet administrative të vendit, do të përdoreshin
vetëm 1 795 mijë groshë, kurse pjesa tjetër,
rreth 81% e të ardhurave, do të dërgoheshin në
Stamboll.
Gjendjen ekonomike të popullsisë e keqësonin edhe
më shumë korrupsioni e abuzimet e nëpunësve
osmanë. Lidhur me këtë, konsulli austriak Shmuker
shkruante në gjysmën e dytë të vitit 1881, se
“korrupsioni dhe keqadministrimi i mëparshëm i nëpunësve
qeveritarë ka filluar përsëri..., lakmia e ditur
e tij (e Dervish Pashës - shën. i aut.) për të
holla shfaqet gjithmonë e më qartë në të
gjitha veprimet e tij”.
Po kështu plagë të rënda për popullsinë
ishin shërbimi i detyruar ushtarak, i cili kryhej për
vite me radhë dhe në vise të largëta të
Perandorisë, si edhe gjykatat osmane, të cilat i zgjatnin
së tepërmi proceset gjyqësore dhe nuk zgjidhin asnjë
çështje pa ryshfet. Krahas dhunës së drejtpërdrejtë,
Porta e Lartë përdori edhe mjete të tjera kundër
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Gjatë ekspeditave ushtarake
për shtypjen e Lidhjes dhe më vonë, duke shpërndarë
para, grada e dekorata, ajo arriti të tërhiqte në
anën e saj disa krerë feudalë e bajraktarë të
lëkundur e konservatorë. Porta e Lartë vuri në
poste të rëndësishme edhe disa krerë shqiptarë
që kishin marrë pjesë në Lidhjen e Prizrenit,
që kishin pranuar të bashkëpunonin me të dhe
që kishin ndikim në popull. Përveç kësaj,
ajo nxiste përçarjet fetare e krahinore për të
penguar bashkimin e shqiptarëve në luftën çlirimtare.
Çdo pakënaqësi kundër pushtetit osman paraqitej
si e nxitur nga jashtë, nga armiqtë e fesë islame
e të Perandorisë Osmane, kurse atdhetarët shqiptarë
etiketoheshin si agjentë të shteteve të huaja.
Si pasojë e të gjitha këtyre masave, Lëvizja
Kombëtare Shqiptare mori një goditje të rëndë.
Megjithatë qeveria e Stambollit, për shkak të qëndresës
së vazhdueshme të shqiptarëve, nuk arriti të
vendoste “rendin” e “qetësinë”
e dëshiruar. Masat e saj shtypëse, administrative, fiskale
e ushtarake, ndonëse të mbështetura nga bajonetat
e ushtrisë, arritën të zbatoheshin vetëm në
qytetet e në viset fushore, madje edhe atje në mënyrë
jo të plotë, kurse përpjekjet për të shtrirë
administratën e centralizuar osmane edhe në viset malore
nuk dhanë rezultat; atje vijuan të ruheshin venomet e
mëparshme.
Duke vlerësuar në mënyrë të saktë
pozitën e qeverisë osmane në Shqipëri pas Lidhjes
së Prizrenit, konsulli austriak i Korfuzit A. Varsberg (A.
Warsberg), i shkruante Vjenës në vitin 1884: “Pasi
e pashë gjendjen, ngul këmbë se do të ishte
gabim të mos shihej sundimi i tanishëm turk (në Shqipëri)
si një sundim krejt i kalbur, i dobët, i urryer dhe i
përbuzur prej të gjithëve”.
Politika e Fuqive të Mëdha dhe e shteteve ballkanike
ndaj Shqipërisë
Përveç shtypjes së gjithanshme osmane, vështirësi
jo të pakta iu krijuan Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
edhe nga politika që ndoqën Fuqitë e Mëdha pas
Kongresit të Berlinit, si edhe nga qëndrimi që mbajtën
shtetet fqinje ballkanike ndaj çështjes shqiptare.
Pas zgjidhjes së Krizës Lindore të viteve 70, në
Evropë u vendos një farë stabiliteti politik i përkohshëm.
Për shkak të interesave të tyre, Fuqitë e Mëdha
ishin të prirura të ruanin për një farë
kohe status quo-në e Perandorisë Osmane dhe hartën
politike të Ballkanit, që u vendos prej tyre në Kongresin
e Berlinit.
Dy nga Shtetet e Mëdha, Anglia e Franca, e përkrahën,
ashtu si më parë, ekzistencën e Perandorisë
Osmane në Ballkan për të ruajtur pozitat e tyre të
privilegjuara, që i kishin siguruar prej kohësh brenda
territoreve të saj dhe për të penguar daljen e Rusisë
në ngushticat e Bosforit e të Dardaneleve, si edhe të
Austro-Hungarisë në Selanik. Rusia e Austro-Hungaria,
nga ana e tyre, nuk e shikonin të mundshëm realizimin
e synimeve të tyre për të mbizotëruar në
këtë rajon pa u përgatitur politikisht e ushtarakisht
jo vetëm kundër njëra-tjetrës, por edhe kundër
fuqive të tjera të interesuara në Çështjen
Lindore. Prandaj, si Peterburgu, ashtu edhe Vjena, në pritje
të një kohe më të përshtatshme, nuk kishin
ndër mend të cenonin hartën e Gadishullit Ballkanik.
Edhe Italia, duke qenë e pazonja për të shmangur
kalimin e Ballkanit dhe në mënyrë të veçantë
të bregdetit shqiptar të Adriatikut në duart e Austro-Hungarisë
rivale, parapëlqente të ruhej sundimi osman në këtë
zonë. Në këtë periudhë Gjermania po rritej
me shpejtësi si një fuqi e madhe dhe po ushtronte presion
të fuqishëm. Kancelari gjerman Bismarku kërkonte
të pengonte një koalicion antigjerman ndërmjet Francës
e Rusisë së pakënaqur nga vendimet e Kongresit të
Berlinit, prandaj përpiqej të mbante në anën
e vet, krahas Austro-Hungarisë, edhe dy rivalet e Vjenës,
Peterburgun e Romën. Meqenëse fusha ku ndesheshin interesat
e kundërt austro-rusë dhe austro-italianë ishte kryesisht
trashëgimi osman në Ballkan, “zbutja” e këtyre
kontradiktave shihej vetëm nëpërmjet ruajtjes së
status quo-së në këtë zonë. Ky qëndrim
u sanksionua edhe në përtëritjen e “Aleancës
së tre perandorëve” më 18 qershor 1881 ndërmjet
sovranëve të Gjermanisë, të Rusisë e të
Austro-Hungarisë.
Por stabiliteti politik që u vendos në Evropë ishte
i përkohshëm. Secila fuqi e madhe përpiqej ta shfrytëzonte
këtë periudhë “qetësie” për
t’u përgatitur politikisht e ushtarakisht për arritjen
e synimeve të veta në rastin e një krize të
re politike. Në fushën diplomatike fuqitë evropiane
po vepronin me ngulm për krijimin e aleancave e të blloqeve
politiko-ushtarake. Më 20 maj 1882, ndërmjet Gjermanisë,
Austro-Hungarisë e Italisë u nënshkrua aleanca e
njohur në histori me emrin Lidhja Tripalëshe; më
1894 Rusia u afrua me Francën dhe lidhi me të Aleancën
Dypalëshe. Këto shënuan ndarjen e botës në
dy blloqe imperialiste.
Kështu, për shkak të raportit të forcave në
arenën ndërkombëtare dhe të kontradiktave që
kishin midis tyre, Fuqitë e Mëdha përkrahnin ekzistencën
e Perandorisë Osmane në Gadishullin Ballkanik e si rrjedhim
edhe sundimin mesjetar osman në Ballkan e në Shqipëri;
në këtë mënyrë frenonin luftërat çlirimtare
të popujve që ende vuanin nën robërinë
osmane. Në këto rrethana, asnjë nga Fuqitë e
Mëdha në atë kohë nuk kishte interes të
përkrahte idenë e krijimit të një shteti shqiptar
autonom ose të pavarur. Ato jo vetëm nuk e shikonin me
sy të mirë lëvizjen çlirimtare shqiptare,
por ishin të gatshme ta ndihmonin Perandorinë Osmane që
të shtypte çdo kryengritje të brendshme të
armatosur.
Një dëm të madh i shkaktoi luftës së popullit
shqiptar për çlirim kombëtar edhe qëndrimi
i shteteve fqinje ballkanike, të cilat, siç shkruante
gazeta “Shqipëtari” e Bukureshtit e vitit 1888,
“nuk u kënaqën me plagët që i bënë
(Shqipërisë - shën. i aut.) gati për vdekje
(gjatë Krizës së fundit Lindore të vitit 1878),
po bëheshin gati ta gllabëronin fare për të
forcuar trupin e tyre”.
Shtetet fqinje ballkanike u detyruan ta pranonin politikën
e status quo-së që diktuan Fuqitë e Mëdha. Por,
duke parashikuar se periudha e stabilitetit mund të merrte
fund në një të ardhme të afërt, ato shtuan
përpjekjet politiko-ushtarake e propagandistike për të
shtënë në dorë zotërimet osmane në
Ballkan. Pas ngjarjeve të Lidhjes së Prizrenit, për
shtetet fqinje (Serbinë, Greqinë, Malin e Zi e Bullgarinë)
ishte bërë edhe më e qartë se në përpjekjet
për sendërtimin e pretendimeve të tyre territoriale
ndaj trojeve shqiptare, ato do të ndesheshin me qëndresën
e shqiptarëve që ishin të vendosur të mbronin
tërësinë e atdheut. Prandaj, secila prej tyre u orvat
t’i tërhiqte shqiptarët pas vetes dhe forcën
e tyre luftarake ta vinte në shërbim të politikës
së saj pushtuese.
Këtij qëllimi i shërbenin nxitjet që monarkitë
ballkanike u bënë shqiptarëve gjatë gjithë
kësaj periudhe për t’i hedhur në kryengritje
të parakohshme, që do t’i lidhnin duart Perandorisë
Osmane, do të dobësonin forcën ushtarake të
shqiptarëve dhe do të lehtësonin plotësimin
e planeve të tyre aneksioniste ndaj Shqipërisë.
Nga ana tjetër, fuqitë ballkanike vijonin në mënyrë
të ethshme përpjekjet për asimilimin e shqiptarëve
me anën e kishës, të shkollës, të propagandës
etj. dhe mundoheshin me çdo mjet që në arenën
ndërkombëtare të mohonin qenien e kombit shqiptar.
Kjo veprimtari i krijoi vështirësi të shumta Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare, nxiti grindjen e përçarjen
midis popujve të Ballkanit, ndezi konflikte midis vetë
shteteve ballkanike, prapa të cilave qëndronin disa fuqi
të mëdha, e pengoi dhe e ndërlikoi procesin e çlirimit
përfundimtar të Gadishullit Ballkanik. Këtë
politikë të monarkive ballkanike e shfrytëzoi edhe
Porta e Lartë për të nxitur përçarjen
midis popujve të Ballkanit, për të larguar vëmendjen
e popullit shqiptar nga kontradikta e tij me sunduesin shekullor
osman dhe për ta drejtuar atë vetëm kundër rrezikut
të jashtëm. Por as politika përçarëse
e Portës së Lartë, as edhe qëndrimi shovinist
i shteteve ballkanike nuk i larguan shqiptarët nga lëvizja
për çlirimin kombëtar dhe nga kërkesat e tyre
të pavarura.
Pas qeverisë osmane ishte Greqia ajo që zhvilloi në
këto vite një veprimtari të madhe armiqësore
ndaj Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Kjo veprimtari u zhvillua
në dy rrugë të ndryshme, të cilat plotësonin
njëra-tjetrën. Qeveria e Athinës, e përkrahur
fuqimisht nga patrikana dhe nga gjithë rrjeti i dendur i shkollave,
i kishave që vareshin nga patrikana dhe i konsullatave greke
të vendosura në viset jugore e të mesme të Shqipërisë,
si edhe nga grekomanët vendas, e shumëfishoi veprimtarinë
e saj për helenizimin e shqiptarëve.
Në Shqipërinë e Jugut ishin çelur mjaft shkolla
greke. Për helenizimin e shqiptarëve punonte gjithashtu
Patrikana greke e Stambollit, që mbronte me ngulm interesat
e borgjezisë shoviniste greke, si edhe klerikët e lartë
ortodoksë, që emëroheshin prej saj e që ishin
kryesisht të huaj (grekë). Veprimtaria e klerikëve
grekë e grekomanë përqendrohej kryesisht në
luftën kundër shkollave shqipe. Përdorimi i shqipes
në ceremonitë fetare dhe në librat “e shenjta”
paraqitej si një veprim antifetar. Mallkimi, shkishërimi,
helmimi etj. binin mbi çdo shqiptar ortodoks që guxonte
të punonte për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare.
Krahas kësaj veprimtarie që zhvillohej lirisht dhe nën
mbrojtjen e ligjeve osmane, veprimtarët grekë e grekomanë,
klerikë e laikë, zhvilluan në mënyrë të
fshehtë edhe një veprimtari politike në të mirë
të Greqisë e gjoja edhe të të krishterëve
shqiptarë. Madje ata u përpoqën të shfrytëzonin
për këtë qëllim edhe prirjet antifeudale të
popullsisë vendase. Duke u kapur pas faktit se në lëvizjen
kombëtare ishin përfshirë edhe disa çifligarë
dhe për t’i larguar atdhetarët shqiptarë nga
kjo lëvizje, grekomanët në fushatën e tyre propagandistike
u përpoqën ta paraqitnin në mënyrë krejt
të shtrembër përmbajtjen kombëtare të lëvizjes
shqiptare, duke e quajtur atë një lëvizje të
maskuar të feudalëve myslimanë shqiptarë, me
fitoren e së cilës Shqipëria do të shkëputej
nga Perandoria Osmane dhe të krishterët ortodoksë
do të humbnin mbrojtjen e Patrikanës e do të hynin
në një zgjedhë të re më të rëndë.
Nga ana tjetër, qeveritarët e Athinës nuk mund t’i
varnin shpresat për arritjen e synimeve të tyre politike
ndaj Shqipërisë vetëm në një grusht elementësh
grekomanë vendas, aq më tepër kur në radhët
e shqiptarëve po rritej gjithnjë e më shumë
lëvizja kombëtare për një shtet shqiptar më
vete. Për të shfrytëzuar këtë lëvizje,
ata themeluan një varg komitetesh e shoqatash, duke aktivizuar
kryesisht arvanitët (arbëreshët) e helenizuar. Të
tilla ishin Komiteti politik i Korfuzit, i themeluar më 1883,
shoqata kulturore “Vllamët shqiptarë”, e themeluar
në Athinë më 1884, Komiteti i fshehtë greko-epiriot
i Korfuzit, rikrijuar në fillim të vitit 1885 etj. Agjentët
e këtyre komiteteve e shoqërive vepronin deri në
Mirditë, në Mat e në Dibër. Këtij qëllimi
i shërbenin edhe një varg organesh të shtypit, të
cilat, krahas atyre brenda Greqisë, dilnin edhe në Stamboll,
në Bukuresht, në Trieste etj.
Gjatë viteve 1883-1884 Komiteti i Korfuzit u përpoq t’i
nxiste shqiptarët të rrëmbenin armët kundër
Turqisë, duke hedhur përsëri parullën e vjetër
për formimin e një shteti të përbashkët
greko-shqiptar, nën kurorën e mbretit të Greqisë.
Për ta popullarizuar këtë ide u dërguan agjitatorë
si në Shqipëri, ashtu edhe në kolonitë shqiptare
të mërgimit.
Por këto orvatje nuk patën sukses. Rilindësit demaskuan
karakterin antishqiptar të idesë së formimit të
një shteti të përbashkët greko-shqiptar, që
synonte t’i hidhte shqiptarët në një aventurë
kundër Portës së Lartë, për të shtënë
në dorë pastaj me lehtësi territoret e tyre. Duke
iu përgjigjur disa personaliteteve evropiane, që nuk e
kuptonin synimin e vërtetë të propagandës së
Athinës, “Fiamuri i Arbërit” (Corigliano Calabro,
1883-1885) shkruante në shkurt 1886: “Disa zotërinj
të shquar na qortojnë përse ne e shkëputim fatin
e Shqipërisë nga ai i Greqisë, duke shkaktuar kështu
dobësimin e të dy vendeve. Ata nuk e kuptojnë se
sot ekzistenca jonë e veçuar bën që ne të
vazhdojmë të ekzistojmë dhe bashkimi do t’i
jepte fund ekzistencës sonë”.
Duke filluar nga viti 1884 qeveria e Athinës, tanimë jo
me anë të Komitetit të Korfuzit, por drejtpërdrejt,
disa herë me radhë u bëri thirrje shqiptarëve
të fillonin kryengritjen kundër Perandorisë Osmane
dhe të merrnin pjesë në të ashtuquajturën
Federatë të Shteteve Ballkanike, që përpiqej
të formonte kryeministri grek Trikupis. Qarqet drejtuese të
Athinës e shikonin Federatën si një mjet për
të ndarë ndërmjet shteteve ballkanike zotërimet
evropiane të Perandorisë Osmane pa e prishur ekuilibrin
e forcave në Ballkan. Por kryeministri grek nuk mori asnjë
zotim konkret ndaj shqiptarëve.
Rrethet atdhetare shqiptare iu përgjigjën propozimit të
Trikupisit me argumentin se Shqipëria nuk mund të fillonte
asnjë kryengritje kur askush, madje as vetë kryeministri
grek, nuk tregohej përkrahës i shtetit shqiptar. Në
atë kohë rilindësit mendonin se shqiptarët mund
ta shqyrtonin çështjen e pjesëmarrjes në një
federatë ballkanike vetëm pasi të viheshin në
kushte të barabarta me popujt e tjerë të Ballkanit
dhe pasi të kishin dhe ata shtetin e tyre kombëtar. Duke
iu përgjigjur propozimit të Trikupisit, “Fiamuri
i Arbërit” shkruante në mars të vitit 1884:
“Greqia, Rumania, Serbia, Bullgaria dhe Mali i Zi, të
cilat janë zonjat e vetvetes dhe i kanë duart të
lira, le të federohen. Edhe Anglia - ose kush të dojë,
le t’i përkrahë nëse Turqia ose ndonjë
tjetër ato i kundërshton. Dhe atëherë (pasi
të formohet federata) Shqipëria do të vendosë
vetë pasi të shohë diçka përpara syve
të saj. Përndryshe do të kërkojmë të
zbulojmë gjarprin e zi që e këshillon (Shqipërinë
- shën. i aut.) të ngrejë krye për diçka
që nuk ekziston dhe që ta fillojë ajo, e përçarë,
pa të holla, pa armë, pa taktikë ushtarake dhe me
krahë të pakët, luftën kundër Turqisë
që i ka të gjitha këto me shumicë dhe më
shumë aleatë që e ndihmojnë”.
Shqiptarët u nxitën për të rrëmbyer armët
kundër Stambollit edhe nga Mali i Zi, i cili gjatë këtyre
viteve bashkëpunonte për këtë çështje
me Greqinë. Ata ishin në dijeni të këtij bashkëpunimi
dhe të rolit të dyfishtë që luante Komiteti
i Korfuzit për t’i shërbyer jo vetëm Athinës,
por edhe Cetinës.
Te këto përpjekje, që zhvilloheshin pa kundërshtimin
e qeverisë së Stambollit, rilindësit shikonin një
rrezik serioz për Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Në
saje të veprimtarisë shekullore të Fanarit në
dobi të helenizimit të popullsive të krishtera jogreke
të Perandorisë Osmane, në një pjesë të
opinionit publik evropian dhe të literaturës politike
e shkencore të kohës ishte përhapur pikëpamja
e gabuar se ortodoksët shqiptarë ishin grekë. Veç
kësaj, pretendimet shoviniste të qarqeve politike të
Athinës ndaj trojeve shqiptare vazhdonin të gjenin përkrahje
në disa nga kancelaritë e Fuqive të Mëdha.
Për të gjitha këto arsye patriotët shqiptarë
shikonin në këto vite te Greqia dhe te aleatja e saj,
Patrikana e Stambollit, armiq po aq të rrezikshëm për
lëvizjen kombëtare, sa ishte edhe vetë Perandoria
Osmane.
Vija politike e rilindësve
Kushtet e reja të vështira të krijuara në Shqipëri
pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit, rreziku i copëtimit
të tokave shqiptare ndërmjet fqinjëve lakmitarë
dhe politika e ruajtjes së status quo-së e ndjekur nga
Fuqitë e Mëdha në këtë periudhë diktuan
nevojën e përpunimit të një taktike të
re të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare.
Ndonëse tani pa një organizatë qendrore kombëtare,
rilindësit, në saje të lidhjeve që kishin ndërmjet
tyre, mbajtën pak a shumë të njëjtin qëndrim
për problemet politike të lëvizjes. Pikëpamjet
e tyre të përbashkëta shërbyen si program në
këtë periudhë zbatice të lëvizjes së
armatosur.
Rilindësit e kuptuan se tani kishte marrë fund përkohësisht
periudha e sulmit të drejtpërdrejtë kundër sundimtarëve
osmanë dhe kishte filluar një periudhë e re e grumbullimit
të forcave. Ata me të drejtë e vlerësuan situatën
e re si të papërshtatshme për një kryengritje
të përgjithshme të armatosur, së cilës
do t’i kundërviheshin jo vetëm forcat ushtarake
osmane, por edhe ato të Fuqive të Mëdha që nuk
donin të cenohej status quo-ja në Turqinë Evropiane.
Si rrjedhim, rilindësit nuk shikonin ende kushtet e mundësitë
për të arritur në ato vite shkëputjen e Shqipërisë
nga Perandoria Osmane. Por ata këtë gjendje e shihnin
si të përkohshme, aq më tepër kur mendonin,
sikurse shkruante Sami Frashëri, se Perandoria Osmane nuk do
të jetonte gjatë në Ballkan.
Në këtë periudhë stabiliteti politik të
përkohshëm, rilindësit u kufizuan me disa kërkesa
të karakterit kulturor-arsimor dhe administrativ që nuk
preknin status quo-në e Perandorisë Osmane. Ata kërkuan
nga Porta e Lartë zbatimin e reformave të parashikuara
në artikullin 23 të Traktatit të Berlinit që
vetë Turqia e kishte pranuar nën trysninë e Fuqive
të Mëdha. U kërkua gjithashtu që të ktheheshin
nga viset e ndryshme të Perandorisë shqiptarët e
internuar gjatë shtypjes së Lidhjes së Prizrenit.
Por theksi kryesor gjatë kësaj periudhe u vu në zgjerimin
e lëvizjes kulturore kombëtare për përhapjen
e shkrimit shqip, të shkollës e të letërsisë
kombëtare, me qëllim që të ngrihej më tej
ndërgjegjja politike e popullit, të njihej kombësia
shqiptare në arenën ndërkombëtare dhe të
mbrohej nga orvatjet shkombëtarizuese të armiqve. Për
këtë arsye lufta për shkollën e për letërsinë
shqiptare mbeti edhe në këtë periudhë stabiliteti,
ashtu siç kishte qenë para Lidhjes së Prizrenit,
përmbajtja kryesore e lëvizjes kombëtare. Gjuha e
kultura kombëtare u bënë hallka të rëndësishme,
me anën e të cilave rilindësit punuan për të
bashkuar gjithë popullin shqiptar pavarësisht nga dallimet
fetare, krahinore e klasore.
Lëvizja kombëtare brenda vendit u zhvillua në kushtet
e një ilegaliteti të plotë. Për këtë
arsye një rëndësi të madhe morën kolonitë
shqiptare të mërgimit, sidomos ato të Rumanisë,
të Bullgarisë, të Egjiptit etj. Në to, pikërisht
në këtë periudhë, filloi jetën e vet shtypi
shqiptar, ku rilindësit patën mundësinë të
shprehnin hapur pikëpamjet e tyre. Më 20 korrik 1883 në
Kalabri doli numri i parë i organit mujor “Fiamuri i
Arbërit” në dy gjuhë, në të folmen
e arbëreshëve të Kalabrisë dhe në italisht,
nën drejtimin e Jeronim de Radës. Ai vazhdoi botimin deri
në vitin 1887 dhe dha një ndihmesë të shquar
për njohjen dhe për afirmimin e të drejtave të
popullit shqiptar në arenën ndërkombëtare.
Në vitin 1884 filloi të botohej në Stamboll revista
mujore me emrin “Drita” e më vonë “Dituria”
(1884-1885) dhe më 1888 botohet në Bukuresht gazeta “Shqipëtari”
(1887-1903).
Si në letërkëmbimin që patën rilindësit
ndërmjet tyre brenda e jashtë Shqipërisë, ashtu
edhe në organet e para të shtypit shqiptar, atdhetarët
theksonin veçanërisht nevojën e përhapjes
së arsimit e të kulturës shqiptare, si mjete që
do të futnin kombin shqiptar në rrugën e zhvillimit
e të përparimit, që do ta mbronin nga rreziku i shkombëtarizimit
dhe do ta radhitnin atë krahas kombeve të tjera të
përparuara të Ballkanit e të Evropës.
Patriotët i kushtuan rëndësi gjithashtu njohjes së
kombit shqiptar në qarqet politike e diplomatike evropiane
dhe mbrojtjes së të drejtave të tij legjitime.
Pasi doli nga burgu i Prizrenit dhe nga internimi i Anadollit, Abdyl
Frashëri u drejtoi disa letra e memorandume personaliteteve
të Fuqive të Mëdha. Tri prej tyre ia dërgoi
Françesko Krispit, me origjinë nga arbëreshët
e Italisë dhe në atë kohë kryeministër
i Italisë. Letrën e parë ia çoi në nëntor
1887 dhe të dytën në shtator 1888, por këtë
e nënshkroi së bashku me Mehmet Ali Vrionin. Me anën
e saj ata i parashtronin F. Krispit “dëshirat dhe ndjenjat
e shqiptarëve”, theksonin se Shqipëria ndodhej “para
jetës ose vdekjes së saj, para ringjalljes ose copëtimit
të saj”. Pasi përmendnin qëndresën energjike
e të vazhdueshme të kombit shqiptar kundër pushtuesve
osmanë, shkruanin: “Si rrjedhim, Shqipëria meriton
pavarësinë më shumë se çdo komb tjetër
i Ballkanit. Ne shpresojmë se ajo do të tregohet më
e denja për përkrahjen e Evropës dhe më e afta
për të qeverisur vetveten”. Pavarësisht nga
taktika e re që u detyruan të ndiqnin rilindësit
në atë periudhë, letra e përmendur tregonte
qartë se, edhe në ato vite reaksioni të egër,
synimi kryesor i shqiptarëve dhe i lëvizjes së tyre
kombëtare mbetej i njëjtë: fitorja e pavarësisë
kombëtare të Shqipërisë dhe ruajtja e tërësisë
së saj territoriale.
Në letrën e tretë drejtuar Françesko Krispit,
Abdyl Frashëri i shprehte edhe një herë mendimin
e tij të njohur se “Çështja e Lindjes nuk
do të mund të zgjidhet kurrë në qoftë se
Evropa nuk merr parasysh fatin e Shqipërisë, e cila zë
një vend me shumë rëndësi në Gadishullin
Ballkanik”; ai shprehte gjithashtu bindjen se “Shqiptarët
janë të gatshëm më mirë të vdesin
të gjithë me armë në dorë sesa ta lënë
veten e tyre të copëtohen midis kombesh të tjera,
të cilat do t’ua shkatërronin gjuhën e karakterin
e tyre”; po aty i kërkonte që në interes të
paqes e të drejtësisë të plotësohej dëshira
legjitime e fisnike e kombit shqiptar, duke e njohur Shqipërinë
si një shtet autonom ose të pavarur, në kufijtë
e saj natyrorë dhe etnografikë.
Po kështu në vitin 1892 Nikolla Naçoja, kryetar
i Shoqërisë “Drita” të Bukureshtit, së
bashku me rregulloren e Shkollës Normale të çelur
prej tij në Bukuresht, u dërgoi letra e promemorje disa
personaliteteve politike e shkencore rumune dhe evropiane, si Dimitër
Butkuleskut, kryetar nderi i Shoqërisë “Drita”
dhe deputet në parlamentin rumun, kancelarit gjerman Bismark,
mbretit të Italisë, albanologut çek Jan Urban Jarnik,
profesor në Universitetin e Vjenës etj.
Në letrën dërguar Bismarkut, në korrik 1892,
në emër të Shoqërisë “Drita”
të Bukureshtit dhe të popullit shqiptar, Nikolla Naçoja
e vinte në dijeni për gjendjen jashtëzakonisht të
rëndë politike, kulturore dhe ekonomike të popullit
shqiptar, për rrezikun e shkombëtarizimit të tij
nga shkollat e huaja e nga propaganda pansllaviste dhe ajo e “Megali
Idesë” greke, të cilat përhapeshin duke shfrytëzuar
tolerancën dhe indiferencën ndaj tyre të Perandorisë
Osmane. Në të njëjtën kohë shprehte bindjen
se kancelari gjerman do t’i tërhiqte vërejtjen Perandorisë
Osmane për “të drejtat e shenjta” të
shqiptarëve, për krijimin e mundësive për zhvillimin
e tyre dhe për mbrojtjen nga rreziqet që u kanoseshin.
2. KRYENGRITJET SHQIPTARE
NË VITET 1883-1895
Kryengritjet kundërosmane në vitet 1883-1885
Megjithëse pas shtypjes së Lidhjes së Prizrenit rilindësit
e vlerësonin gjendjen politike të brendshme e të
jashtme të vendit si të papërshtatshme për një
kryengritje të përgjithshme, qëndresa e armatosur
e shqiptarëve kundër sundimit osman e masave të tij
shtypëse vijoi pa ndërprerje. Por tani ajo pati karakter
lokal dhe u zhvillua në përmasa më të kufizuara.
Vatra të pashuara kryengritjesh e konfliktesh të armatosura
mbetën malësitë shqiptare (të Kosovës,
të Shkodrës, të Lumës, të Mirditës,
të Himarës etj.). Por lufta e armatosur përfshiu
herë pas here edhe zonat fushore e qytetet (si Podrimën,
Rekën e Zadrimën dhe qytetet e Prizrenit, të Gjakovës,
të Pejës, të Shkodrës etj.).
Kryengritja e parë pas shtypjes së Lidhjes ishte ajo e
Malësisë së Mbishkodrës, ku pakënaqësia
kishte ardhur gjithnjë duke u rritur. Në vitin 1882 ajo
u shtua edhe më shumë për shkak të veprimeve
arbitrare dhe të krimeve të bylykbashit të krahinës.
Shaljanët dogjën shtëpitë e disa zaptijeve që
ishin të lidhura me bylykbashin dhe dërguan te qeveritari
i Shkodrës një përfaqësi të përbërë
prej 60 vetash të armatosur, e cila i njoftoi atij se kundërshtimi
ndaj qeverisë do të vazhdonte derisa të emërohej
një bylykbash i përshtatshëm për ta. Në
dhjetor të po atij viti u vra nga malësorët komisari
i policisë së bajraqeve malore, i cili kishte ngjallur
urrejtjen e gjithë Malësisë.
Situata u acarua edhe më shumë kur autoritetet qeveritare
osmane hynë në bisedime me Malin e Zi, lidhur me konfliktet
kufitare, për të siguruar asnjanësinë e tij
në rast se organizohej një ekspeditë ushtarake për
nënshtrimin e Malësisë së Mbishkodrës.
Për t’i dalë përpara situatës, më
26 prill 1883 përfaqësuesit e Malësisë organizuan
në Kastrat një mbledhje, në të cilën vendosën
të kundërshtonin shtimin e trupave ushtarake osmane në
Malësi dhe çdo lëshim të territorit të
tyre Malit të Zi. Në mbledhjen e Kastratit u vendos që
të formohej një lidhje mbrojtëse e malësisë,
e cila do të merrte masa si kundër Portës së
Lartë, ashtu edhe kundër Malit të Zi. Qeveritarët
osmanë nga ana e tyre po përgatisnin me shpejtësi
një ekspeditë ushtarake për nënshtrimin e Malësisë.
Më 2 qershor 1883 u vunë në lëvizje shtatë
batalione dhe një bateri malore, e komanduar nga gjenerali
Hafiz Pasha. Në ndihmë të tyre u vunë edhe dy
luftanije në liqenin e Shkodrës me dy kompani ushtarësh.
Me kastratasit u bashkuan forcat e Shalës, të Shkrelit,
pjesërisht të Hotit, të Grudës e të Kelmendit.
Përpara qëndresës këmbëngulëse të
kryengritësve Hafiz Pasha u detyrua të kërkonte ndërprerjen
e luftës, duke u premtuar “kushte të ndershme”:
do të respektoheshin privilegjet e tyre tradicionale dhe do
të gjendeshin “kompensime të tjera” për
lëshimet tokësore ndaj Malit të Zi.
Por luftimet vazhduan gjatë 15 ditëve. Forcat osmane morën
masa të egra terrori ndaj popullsisë. Me shtypjen e kryengritjes
turqit shpallën një falje gjysmake. Një numër
krerësh malësorë u hodhën në arrati për
të mos rënë në dorë të tyre.
Ngjarje të tjera ndodhën gjatë vitit 1883 në
Llap të Kosovës, ku u ngritën rreth 300 burra për
të kundërshtuar bylykbashin turk, i cili ishte dërguar
për të mbledhur taksat qeveritare. Po kështu, në
Dibër, nën trysninë e popullsisë së pakënaqur
të qytetit e të malësisë, u hoqën nga detyra
mytesarifi dhe kryetari i gjyqit ushtarak. Në këtë
rast dibranët u çliruan edhe nga puna angari në
rrugën ushtarake Ohër-Strugë-Dibër, ndërtimi
i së cilës u pezullua.
Vatër e qëndresës kundërosmane mbeti gjithnjë
Kosova. Megjithëse pesha kryesore e ekspeditës ushtarake
të komanduar nga Dervish Pasha kishte rënduar pikërisht
mbi të, Stambolli nuk arriti ta qetësonte këtë
krahinë veçse përkohësisht. Në gusht
e shtator të vitit 1884 popullsia e Prizrenit dhe e rretheve
të tij e kundërshtoi pagimin e taksës për kokë
që do të vilej me rastin e regjistrimit të popullsisë,
si edhe shtesën prej 25% të së dhjetës. Rreth
500 podrimas, fandas e lumjanë të armatosur hynë
në Prizren. Në këto rrethana autoritetet e vendit
premtuan se do të hiqnin dorë nga detyrimet e reja. Mirëpo,
kur nga mesi i shtatorit ato i kërkuan përsëri këto
detyrime, një numër edhe më i madh malësorësh
të armatosur hynë në Prizren dhe dëbuan prej
qytetit mytesarifin e drejtorin e financës.
Për të qetësuar gjendjen, Porta e Lartë i hoqi
nga Prizreni nëpunësit e dëbuar dhe premtoi edhe
njëherë anulimin e taksave e lirimin e atdhetarëve
të burgosur e të internuar gjatë ekspeditës
së komanduar nga Dervish Pasha. Por pas kësaj qeveria
osmane dërgoi përforcime ushtarake në Prizren dhe
arrestoi e internoi pjesëmarrësit e ngjarjeve të
shtatorit 1884. Reagimi i popullsisë ishte i menjëhershëm.
Në shkurt të vitit 1885 shpërtheu një kryengritje
e re. Këtë radhë, krahas uljes së taksave dhe
të drejtës për mbajtjen e armëve, kryengritësit
kërkuan edhe faljen e të burgosurve e të të
internuarve të shumtë, të cilët mbaheshin në
burgjet e në viset e Anadollit që nga koha e shtypjes
së Lidhjes së Prizrenit.
Lëvizja u shtri në rrethet e Prizrenit, të Ferizajt
dhe në krahinën e Lumës. Krerët e saj mbanin
lidhje edhe me organizatat atdhetare të mërgimit. Veprimet
luftarake vazhduan nga fundi i shkurtit deri në mesin e marsit.
Kryengritësit prenë linjat telegrafike, sulmuan e rrethuan
Prizrenin. Më 20 shkurt 1885 midis Prizrenit e Ferizajt u bë
ndeshja e parë e një pjese të kryengritësve
kosovarë me repartet osmane. Atë ditë kryengritësit,
të pakët në numër dhe të armatosur keq,
u tërhoqën përpara zjarrit të dendur të
topave dhe të mitralozave të armikut. Por shumë shpejt
e rifilluan kundërsulmin: “... më 1 mars, - thuhet
në letrën që një atdhetar prizrenas u dërgoi
disa ditë më vonë organizatave të mërgimit,
- kryengritësit ..., pasi u grumbulluan, sulmuan Prizrenin
nga të gjitha anët pasdite në orën 9 allaturka
dhe luftuan trimërisht deri në mëngjes... Dhe, me
gjithë mitralimin e tmerrshëm e të vazhdueshëm,
luftuan deri në shtëpitë e para të qytetit dhe
i pushtuan”.
Autoritetet osmane dërguan atëherë një ekspeditë
të madhe ushtarake me mareshalin Vesel Pasha në krye.
Kryengritësit, të ndodhur përballë forcave të
mëdha armike, u detyruan të hiqnin rrethimin e qytetit
e të tërhiqeshin, ndërsa udhëheqësit e
tyre qëndruan në arrati dhe u përpoqën të
mbanin gjallë kryengritjen. Vesel Pasha, krahas masave që
mori për të siguruar qetësinë në Prizren,
në gusht 1885 iu drejtua papritmas Gjakovës, ku, nën
drejtimin e Sulejman Vokshit, po bëheshin përgatitje për
të formuar një lidhje të re. Në fillim ai arrestoi
Sulejman Vokshin e bashkëpunëtorët e tij. Popullsia
e zemëruar, duke dashur të përsëriste ngjarjet
e zhvilluara tetë vjet më parë kundër mareshalit
Mehmet Ali pasha, sulmoi trupat osmane që kishin bllokuar qytetin.
Ndërmjet tyre u zhvilluan luftime të ashpra, por në
saje të përforcimeve ushtarake që erdhën nga
Prishtina, Vesel Pasha mundi t’i sprapste sulmet e shqiptarëve.
Kur në Gjakovë zhvilloheshin luftimet, në Rumelinë
Lindore shpërtheu kryengritja çlirimtare kundër
Stambollit dhe disa ditë më vonë u shpall bashkimi
i saj me Bullgarinë. Duke parashikuar keqësimin e mëtejshëm
të gjendjes në Ballkan, Porta e Lartë u detyrua të
ndryshonte qëndrimin e vet ndaj shqiptarëve. Ajo pezulloi
veprimet ushtarake, e anuloi edhe njëherë urdhrin për
zbatimin e reformave centralizuese, ua njohu malësorëve
të drejtën të mbanin armë, liroi nga burgu e
nga internimi shqiptarët e arrestuar, duke përfshirë
edhe udhëheqës të Lidhjes së Prizrenit, si Abdyl
Frashërin e Sulejman Vokshin dhe, më në fund, premtoi
se do të lejonte përdorimin e gjuhës shqipe në
shkollat e Shqipërisë.
Kryengritjet shqiptare të viteve 1887-1893
Meqenëse bashkimi i Rumelisë Lindore me Bullgarinë
(1885) cenonte status quo-në në Ballkan, u vunë në
lëvizje si Fuqitë e Mëdha, ashtu edhe monarkitë
ballkanike. Rusia dhe Austro-Hungaria e kundërshtuan këtë
veprim që “prishte” ekuilibrin politik të
Ballkanit. Por në Konferencën e Fuqive të Mëdha,
që u mblodh në Stamboll posaçërisht për
këtë çështje, fitoi teza e Anglisë, e
cila, duke e parë rritjen e Bullgarisë, që tani ishte
prishur me Peterburgun, si një pengesë për shtrirjen
ruse në Ballkan, kërkoi që bashkimi i Rumelisë
Lindore me Bullgarinë të njihej si fakt i kryer. Serbia
e Greqia, nga ana e tyre, nuk u pajtuan me këtë akt; ato
kërkuan shpërblime territoriale për të kundërbalancuar
zgjerimin e Bullgarisë dhe filluan përgatitjet ushtarake.
Me nxitjen edhe të Austro-Hungarisë, Serbia, në nëntor
1885, i shpalli luftë Bullgarisë që përfundoi
pas dhjetë ditësh me disfatën e serbëve. Greqia
hoqi dorë nga lufta kundër Bullgarisë, por u orvat
të siguronte shpërblime territoriale duke e kërcënuar
Turqinë me luftë. Porta e Lartë iu përgjigj
këtij kërcënimi, duke forcuar kufijtë turko-grekë.
Me këtë rast edhe në Shqipërinë e Poshtme,
në afërsi të kufirit grek, u përqendruan ushtri
të mëdha osmane. Edhe këtë radhë Stambolli
u bëri thirrje shqiptarëve të inkuadroheshin në
ushtrinë osmane për t’i bërë ballë
kërcënimit grek.
Në këto kushte, kur për shkak të masave ushtarake
të Athinës lindi përsëri rreziku i copëtimit
të vendit, jo vetëm ata krerë feudalë që
nuk donin të shkëputeshin nga Perandoria Osmane, por edhe
rilindësit që udhëhiqnin lëvizjen kombëtare,
nuk ndryshuan qëndrimin e tyre ndaj Perandorisë Osmane
dhe nuk shtruan si detyrë të ditës çështjen
e shkëputjes prej saj. Duke shprehur gatishmërinë
për të luftuar kundër rrezikut grek që kërcënonte
tokat shqiptare, rilindësit theksuan njëkohësisht
përballë opinionit publik evropian dhe qeverisë së
sulltanit, karakterin e veçantë kombëtar të
qëndresës shqiptare.
Por gjendja e jashtme politike e Perandorisë Osmane u përmirësua
shpejt. Fuqitë e Mëdha, konsekuente në politikën
e ruajtjes së status quo-së, formalisht nuk lejuan të
bëheshin ndryshime territoriale në Ballkan. Me traktatin
bullgaro-turk që u nënshkrua në mars të vitit
1886 në Bukuresht, ato e njohën bashkimin e Principatës
Bullgare me Rumelinë Lindore, por me kusht që të
ruhej në dukje gjendja e mëparshme. Fuqitë e Mëdha
e ndaluan edhe Greqinë të ndërmerrte veprime luftarake
kundër Turqisë dhe e detyruan me forcë të bënte
çmobilizimin.
Sapo u qetësua gjendja e saj e jashtme, Porta e Lartë
u kthye në qëndrimin e mëparshëm ndaj shqiptarëve,
duke shkaktuar kështu riacarimin e marrëdhënieve
shqiptaro-osmane. Abuzimet e nëpunësve turq dhe rritja
e papërmbajtur e taksave u bënë shkak për lëvizje
të reja protestash në krahina të ndryshme të
vendit. Gjatë viteve 1887-1892 protestuan e ngritën krye
popullsia e Mirditës, e Zadrimës, e Prishtinës, e
Drenicës, e Dibrës, e Himarës etj. Autoritetet osmane
arritën t’i shtypnin këto lëvizje me anën
e forcës ose t’i shpërndanin kryengritësit
duke u bërë premtime të rreme.
Për të qetësuar gjendjen në vilajetin e Kosovës,
Porta e Lartë përqendroi atje forca të mëdha
ushtarake. Megjithatë, lëvizja atdhetare e udhëhequr
nga Haxhi Zeka, Bajram Curri etj., po përhapej gjerësisht
në pranverën e vitit 1893. Në fund të majit
Haxhi Zeka i bëri thirrje popullit të Pejës e të
rrethinave të saj që të ngrihej në luftë
kundër pushtetit osman.
Pasi dështuan në orvatjet për t’i bindur kryengritësit
të shpërndaheshin, turqit dërguan në Pejë
forca nga Mitrovica, nga Berana e nga Shkupi. Haxhi Zeka ishte tërhequr
nga qyteti dhe ishte vendosur në fshatin Leshan, ku i shkuan
në ndihmë 2 000 malësorë të krahinës
së Gjakovës të udhëhequr nga Bajram Curri. Veprimet
luftarake filluan më 11 korrik, por nuk vijuan gjatë.
Turqit, duke përdorur forcën e premtimet, si edhe duke
pasur përkrahjen e disa çifligarëve vendas, e shtypën
kryengritjen, e cila, për mungesë organizimi, mbeti e
kufizuar vetëm në rrethet e Pejës e të Gjakovës.
Haxhi Zeka u arrestua në mënyrë të pabesë
dhe u mbajt në Stamboll për disa vjet.
Pa u shtypur mirë kjo kryengritje, në Lumë shpërtheu
një kryengritje e re. 3 000 lumjanë të armatosur
iu afruan Prizrenit dhe kërkuan dëbimin e mytesarifit
turk. “Tërë Luma është ngritur me armë
dhe kërkon përzënien e mytesarifit të Prizrenit
e të disa bejlerëve të atjeshëm”, shkruante
konsulli serb i Prishtinës. Valiu i Kosovës dhe Porta
e Lartë, për t’i prerë rrugën zgjerimit
të konfliktit, shkarkuan nga detyra mytesarifin e Prizrenit,
Salih Pashën.
Kryengritjet kundërosmane të këtyre viteve nuk ishin
të organizuara në shkallën e duhur dhe as të
lidhura ndërmjet tyre. Edhe kërkesat e paraqitura ishin
të kufizuara. Megjithatë, Abdyl Frashëri shihte tek
ato synimet e shqiptarëve për t’u çliruar
nga zgjedha osmane.“Shqiptarët, - shkruante Abdyli në
vitin 1888, - nuk kanë pushuar kurrë së shfaquri
pakënaqësinë e tyre kundrejt qeverisë osmane
dhe dëshirën e tyre për pavarësi”.
Ndonëse u shtypën, këto kryengritje patën disa
rezultate të pjesshme, siç ishin ulja e barrës
së taksave dhe lirimi i të burgosurve dhe i të internuarve
politikë.
3. PËRPJEKJET PËR
ZHVILLIMIN E ARSIMIT DHE TË KULTURËS KOMBËTARE.
KONTRIBUTI I DIASPORËS SHQIPTARE
Organizimi dhe veprimtaria e diasporës shqiptare
Për shkak të reaksionit të egër osman që
u vendos pas Lidhjes së Prizrenit dhe të keqësimit
të mëtejshëm të gjendjes ekonomike, mërgimi
jashtë vendit e sidomos jashtë kufijve të Perandorisë
Osmane mori përmasa gjithnjë e më të mëdha.
Qindra e mijëra shqiptarë u detyruan të lënë
vatrat e tyre dhe të mërgojnë në Rumani, në
Bullgari, në Egjipt etj. Të mërguarit forcuan kështu
kolonitë e vjetra shqiptare që ndodheshin në këto
vende. Në këto vite filluan gjithashtu mërgimet e
para të shqiptarëve në Rusi e në Shtetet e Bashkuara
të Amerikës.
Duke qenë se në atdheun e robëruar lëvizja kombëtare
zhvillohej në kushte ilegale dhe zbatimi i programit të
saj, qoftë edhe për arsimin e kulturën, ishte gati
i pamundur, një rëndësi gjithnjë e më të
madhe mori veprimtaria e diasporës shqiptare. Me gjithë
vështirësitë e shumëllojshme që duhej të
kapërcenin, shqiptarët e mërguar mbajtën lidhje
të vazhdueshme me atdheun dhe dhanë një kontribut
shumë të madh në lëvizjen kombëtare, veçanërisht
për zhvillimin e arsimit e të kulturës shqiptare.
Veprimtaria atdhetare e shqiptarëve të mërguar filloi
tani të organizohej e të udhëhiqej nga shoqëritë
që u krijuan gjatë kësaj periudhe. Këto shoqëri
atdhetare, të ngritura jashtë Perandorisë Osmane,
vepruan legalisht dhe në kushte më të mira politike.
Ndonëse kishin synime të qarta politike, për të
përgatitur çlirimin e atdheut nga robëria dhe mbrojtjen
e tij nga copëtimi, ato paraqiteshin si shoqëri kulturore,
gjë që pasqyrohej edhe në programet e statutet e
tyre. Kjo bëhej për të shfrytëzuar mjetet legale
në të mirë të lëvizjes shqiptare dhe për
të shmangur çdo pengesë që mund të nxirrej,
nën presionin e qeverisë osmane, nga organet qeveritare
të vendit ku vepronin. Bashkëkohësi dhe veprimtari
i këtyre shoqërive, Visar Dodoni, ka shkruar më vonë:
“Ahere fytyr’ e dëshirës së shqiptarëve
ishte përlindja e letraturës shqipe; po qëllimi që
mshifnin dëshirat ish liria kombiare...”.
Shoqëria e të Shtypurit Shkronja Shqip, e themeluar në
Stamboll në vitet e Lidhjes së Prizrenit, pati jetë
të shkurtër. Pas tronditjes që pësoi gjatë
reaksionit të vitit 1881 dhe pasi mbeti me pak anëtarë,
ajo nuk mundi ta vijonte veprimtarinë e saj në forma të
organizuara e legale si më parë. Disa nga anëtarët
e kësaj Shoqërie i larguan nga Stambolli, kurse disa të
tjerë hoqën dorë vetë prej saj. Megjithatë,
një bërthamë anëtarësh aktivë si dhe
kryetari i saj Sami Frashëri e vijuan veprimtarinë në
fushën kombëtare më shumë në forma individuale
dhe në kushte ilegaliteti.
Në këto rrethana, për t’iu përgjigjur
më mirë nevojave të lëvizjes kombëtare,
patriotët u detyruan ta kalonin një pjesë të
madhe të veprimtarisë jashtë Perandorisë Osmane,
por gjithnjë në afërsi të Shqipërisë,
në vende si Rumania e Bullgaria, të çliruara nga
zgjedha e huaj, ku kishte koloni shqiptare të mërgimit.
Shteti rumun, i formuar nga bashkimi i principatave të Vllahisë
e të Moldavisë (më 1859), sidomos pas sigurimit të
pavarësisë (më 1878), vijoi të jetë vendi
kryesor i strehimit të emigrantëve të krahinave të
ndryshme të Turqisë Evropiane, pra edhe të një
numri të madh shqiptarësh. Për shkak të lidhjeve
tradicionale ndërmjet dy popujve dhe të interesave të
përbashkët politikë në Ballkan, shteti rumun
e përkrahte luftën çlirimtare të shqiptarëve
dhe veprimtarinë e kolonisë shqiptare në Rumani.
Po kështu shteti i ri bullgar, i çliruar më 1878
dhe i bashkuar me Rumelinë Lindore më 1885, nuk e pengoi
organizimin dhe veprimtarinë e kolonisë shqiptare në
Sofje e në qendra të tjera të Bullgarisë.
Kolonitë shqiptare në Rumani e në Bullgari, duke
qenë numerikisht më të mëdha, materialisht më
të forta dhe në rrethana politike më të favorshme
morën përsipër një rol të veçantë
e me shumë rëndësi në lëvizjen kombëtare,
duke ndihmuar për ngritjen e shtypshkronjave, për botimin
e teksteve shkollore në gjuhën shqipe, për nxjerrjen
e gazetave shqiptare, për hapjen e shkollave kombëtare
etj.
Pikërisht kur po shtypej Lidhja e Prizrenit dhe kur ishin krijuar
kushte të vështira për veprimtarinë e Shoqërisë
së Stambollit, zuri fill Shoqëria e Bukureshtit, e cila
si nga numri i anëtarëve, ashtu edhe nga veprimtaria,
u bë shoqëria më e rëndësishme kulturore
e kësaj periudhe.
Kriza e fundit e Lindjes dhe lufta 3-vjeçare e popullit shqiptar
nën udhëheqjen e Lidhjes së Prizrenit ushtruan ndikimin
e tyre në gjallërimin e veprimtarisë atdhetare të
shqiptarëve të Rumanisë. Përveç kontakteve
që mbanin me Shqipërinë, ata filluan të lidheshin
edhe me shqiptarët e Stambollit e të Egjiptit, veçanërisht
me Sami Frashërin.
Në korrik të vitit 1881 u organizua në Bukuresht
një mbledhje e atdhetarëve shqiptarë të asaj
kolonie, të cilët formuan Shoqërinë “Deg’
e Shoqërisë së Stambollit”. Pas krijimit të
kësaj Shoqërie, shkuan në Bukuresht Jani Vretoja
e Pandeli Sotiri, të dërguar nga Shoqëria e Stambollit.
Vitin tjetër në Egjipt u themelua një degë tjetër
e Shoqërisë së Stambollit me të njëjtin
emër, por për shkak të vështirësive politike
kjo degë përkohësisht nuk mundi të zhvillohej.
Për disa kohë edhe “Deg’ e Shoqërisë
së Stambollit” në Bukuresht mbeti e dobët dhe
me veprimtari të kufizuar. Por me shtimin e numrit të
anëtarëve të saj dhe për të përballuar
më mirë nevojat që shtronte zhvillimi i mëtejshëm
i lëvizjes kombëtare, sidomos në fushën kulturore,
u bë një hap i ri përpara.
Në dhjetor të vitit 1884 u mblodh në Bukuresht një
kuvend i posaçëm, i cili themeloi një shoqëri
kulturore më vete me emrin “Drita”. Në dokumentet
e kësaj mbledhjeje dhe në statutin e shoqërisë
u përcaktua edhe programi. Mbledhja zgjodhi komitetin drejtues
me kryetar Anastas Avramidhi Laçke, një pasanik shqiptar
nga Korça, nga i cili shoqëria shpresonte të siguronte
shuma të rëndësishme për qëllimet e saj.
Qysh në këtë mbledhje u hartua një listë
ndihmash për blerjen e një shtypshkronje. Kryetari i Shoqërisë
“Drita” premtoi se do të jepte për këtë
qëllim 100 mijë franga dhe se do të linte me testament
në dobi të lëvizjes kulturore shqiptare gjithë
pasurinë e tij.
Qysh në muajt e parë numri i anëtarëve të
shoqërisë arriti në 300 veta. Ndonëse ajo kishte
synime të qarta politike kombëtare, statuti e paraqiste
atë si një shoqëri kulturore-letrare. Në nenin
1 të tij thuhet se Shoqëria e shqiptarëve “Drita”
themelohej duke pasur si qëllim të vetëm zhvillimin
e përparimin e gjuhës shqipe. Në nenin 2 thuhej se
shoqëria nuk do të përzihej në çështje
politike dhe se për t’ia arritur qëllimit të
vet do të shtypte libra në gjuhën shqipe dhe do të
çelte shkolla shqipe në Shqipëri, të cilat
do të ndihmonin për ngritjen e vetëdijes kombëtare.
Në nenin 3 kërkohej që në shkollat shqipe gjuha
turke të ishte fakultative si gjuhë e Perandorisë,
kurse në nenin 4 përcaktohej që si alfabet i shqipes
të përdorej ai i Stambollit. Me 43 nenet e statutit rregullohej
tërë veprimtaria e Shoqërisë “Drita”,
si dhe marrëdhëniet me degët e saj.
Shoqëria “Drita” e Bukureshtit, duke ecur në
gjurmët e Shoqërisë së Stambollit, filloi të
punonte për përhapjen e mësimit të gjuhës
shqipe me anën e shkollave, të librave didaktike, të
gazetave etj. Mbështetur në programin e në statutin
e saj, shoqëria shtroi si detyrë kryesore blerjen e një
shtypshkronje për botimin e librave shqip. Për këtë
qëllim mblodhi si ndihmë 10 828 lej, përveç
shumës që kishte mbledhur më parë dhe, pas një
kohe, shtypshkronja e porositur në Vjenë u vendos në
Bukuresht. Ndërkohë Sami Frashëri, Naim Frashëri
dhe Jani Vretoja përgatitën tekstet e para mësimore
dhe ia dërguan Shoqërisë së Bukureshtit, e cila
në muajt e parë të vitit 1886 filloi t’i botonte
në shtypshkronjën e saj. Në vitin 1886 u botua nga
Naim Frashëri: “E këndimit të çunave
këndonjëtoreja”, “Dëshir’ e vërtetë
e shqipëtarëvet” (greqisht), “Istoria e përgjithshme”,
“Vjersha për mësonjëtoret e para”, “Bagëti
e bujqësija”; nga Sami Frashëri: “Abetare
e gjuhësë shqip” dhe “Shkronjëtorja e
gjuhësë shqip” (gramatika); nga Jani Vretoja: “Numërmësonjë”
dhe “Mirëvetija” (Mësime morali). Po kështu
Shoqëria “Drita” kërkoi nga qeveria osmane
që shkollat në gjuhë të huaj në Shqipëri
të shndërroheshin në shkolla shqipe ose që në
to të mësohej edhe gjuha shqipe.
Themelimi i kësaj shoqërie kulturore, pjesëmarrja
e qindra shqiptarëve ortodoksë, në mënyrë
të veçantë e korçarëve, që në
rini kishin ndjekur shkollën e kishën greke, i shqetësoi
kundërshtarët e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
dhe veçanërisht qarqet shoviniste greke, të cilat
kishin pretendime mbi Korçën dhe mbi tërë
Shqipërinë e Poshtme. Duke shprehur këtë shqetësim
gazeta e Athinës “Konfederata Lindore” shkruante
në janar të vitit 1885: “Morëm vesh me një
habi të dhimbshme se në Bukuresht u themelua një
silog (komitet) për lëvrimin e gjuhës shqipe ...
për ta përpunuar dhe bërë sa më të
kulluar ... Për ta shkëputur përgjithmonë Shqipërinë
nga Greqia, deshën të nxjerrin në dritë një
gjuhë shqipe. Sepse lindja e kësaj gjuhe nuk do të
thotë gjë tjetër veçse ndarje dhe shkëputje
e shqiptarëve prej nesh...”.
Në Bukuresht në atë kohë vepronin disa gazeta
e shoqëri greke të lidhura me Patrikanën e Stambollit
e me Athinën, të cilat ndiqnin hap pas hapi si shtypin,
ashtu edhe tërë lëvizjen kombëtare. Në
Bukuresht ishte gjithashtu filiali i Komitetit Pansllavist me ambasadorin
rus në krye, i cili mbante lidhje me konsujt e shteteve ballkanike
(grekë, serbë, bullgarë), si dhe me komitetet e tyre
që vepronin në Rumani. Silogu grek në Bukuresht u
angazhua për të penguar me çdo mënyrë
veprimtarinë e Shoqërisë “Drita”. Kundër
saj veproi edhe konsulli rus në Bukuresht, Hitrovo, i cili,
ashtu si konsulli i atjeshëm grek, nxiti përçarje
ndërmjet anëtarëve të kryesisë së
Shoqërisë “Drita” dhe së bashku u përpoqën
ta pengojnë e ta paralizojnë veprimtarinë e shoqërisë
shqiptare.
Disa nga drejtuesit e Shoqërisë “Drita” u
lëkundën përballë presionit grek. Madje, vetë
kryetari i saj Anastas Laçke, i mikluar nga ledhatimet e
lavdërimet e mbretit të Greqisë (që e dekoroi
për “besnikëri”), dhe i kërcënuar
në fshehtësi nga elementët grekomanë, hoqi dorë
nga veprimtaria e tij në dobi të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare dhe u bashkua me grekomanët.
Ndërhyrjet dhe intrigat e jashtme bënë që në
radhët e Shoqërisë së Bukureshtit të futej
fara e grindjes dhe e përçarjes dhe që veprimtaria
e saj të binte përkohësisht. Lëkundjet e grekomanëve
dhe mosmarrëveshjet ndërmjet dy grupimeve politike që
u formuan në gjirin e Shoqërisë, bënë që
kjo të shpërndahej në vitin 1886. Në vendin
e saj u krijuan dy shoqëri.
Grupi i kryesuar nga Nikolla Naço (1843-1913), në mbledhjen
që u mbajt në janar të vitit 1887, themeloi një
shoqëri më vete po me emrin “Drita”, në
të cilën morën pjesë përkrahësit e
tij. Pjesa tjetër e atdhetarëve shqiptarë formoi
nga mesi i vitit 1887 një shoqëri tjetër me emrin
“Dituria”, sipas emrit të dytë të revistës
shqipe të botuar në Stamboll.
Në themel të konfliktit ndërmjet dy shoqërive
qëndronin pikëpamjet e tyre të ndryshme për
një varg çështjesh të lëvizjes kombëtare.
Nikolla Naçoja vlerësoi drejt rrezikun që i kërcënohej
lëvizjes kombëtare nga politika e qarqeve drejtuese të
Greqisë, nga pansllavizmi dhe nga ndikimi i kishës e i
kulturës greke mbi shqiptarët. Por, në të njëjtën
kohë, ai mendonte se shqiptarët do të mund të
përballonin lakmitë aneksioniste të shteteve fqinje
nëpërmjet bashkëpunimit me vllehët e Shqipërisë,
të Maqedonisë e të Pindit dhe, nëpërmjet
tyre, me Rumaninë. Sipas tij, vetëm një bashkëpunim
i tillë do t’u jepte mundësinë të dy palëve,
shqiptarëve dhe vllehëve, që t’u bënin
ballë rreziqeve të përbashkëta që u vinin
nga shovinistët grekë, serbë e bullgarë.
Pikëpamjet e Nikolla Naços për t’u mbështetur
në ndihmën e një shteti të huaj, sikurse ishte
Rumania, nuk përputheshin me mendimin e forcave të tjera
politike të lëvizjes kombëtare, të cilat ishin
për një qëndrim më të ashpër kundër
sulltanit e Perandorisë Osmane dhe nuk ishin kundër bashkëpunimit
edhe me grekët e me rusët.
Shoqëritë e riformuara “Drita” e “Dituria”
e vijuan veprimtarinë e tyre në mënyrë të
pavarur. E para krijoi degët e saj në qytete të tjera
të Rumanisë, si në Brailë, në Fokshan,
në Kostancë, në Marashesht, në Krajovë,
në Ploesht etj., ku kishte mjaft shqiptarë të mërguar.
Këto degë krijuan fondet e tyre për përhapjen
e mësimit shqip e për botimin e librave dhe mbanin lidhje
me Shoqërinë “Drita” të Bukureshtit,
që ishte shoqëri qendrore. Kjo bëri disa botime të
tjera didaktike. Po kështu dega e Shoqërisë “Drita”
në Brailë (në maj 1887) nxori gazetën letrare-shkencore
“Drita” (rumanisht “Lumina”), e cila pati
gjithsej 11 numra. Në gusht të vitit 1888 doli numri i
parë i gazetës “Shqipëtari” (“Albanezul”),
organ i Shoqërisë “Drita”, gazetë javore
në gjuhën shqipe e rumune, e cila, me ndërprerje,
vijoi të dalë deri më 1903.
Në artikullin me titull “Çfarë kërkojmë”,
botuar në numrin e parë të gazetës “Shqipëtari”,
jepej në mënyrë të përmbledhur programi
i Shoqërisë “Drita”, në të cilin
kërkohej: “1) Përdorimi i gjuhës shqipe në
shkolla dhe në kisha; 2) Themelimi i degëve kulturore
dhe hapja e shkollave shqipe; 3) Zhvillimi i gjuhës, i historisë
dhe i letërsisë kombëtare; 4) Botimi i teksteve shkollore,
i revistave dhe i gazetave në gjuhën shqipe”. Në
vazhdim të programit gazeta shpallte gjithashtu një thirrje
në formë manifesti, drejtuar gjithë shqiptarëve,
me të cilën i grishte ata, kudo që jetonin e pa dallim
feje, të ngriheshin “si një trup i vetëm, për
të kontribuar me punën e tyre, me pasuri, me fjalë,
me mendje, me zemër dhe në rast nevoje edhe me jetën
për zhdukjen e robërisë së popullit shqiptar”.
Siç shihet, programi dhe thirrja nuk kanë vetëm
përmbajtje kulturore e arsimore, por edhe politike e atdhetare.
Megjithatë, veprimtaria e Shoqërisë “Drita”
zyrtarisht nuk drejtohej hapur kundër sulltanit dhe nuk kërkonte
drejtpërdrejt pavarësinë e Shqipërisë.
Kjo motivohej me rrezikun e madh që i kanosej popullit shqiptar
nga politika shoviniste e shteteve fqinje. Një qëndrim
i tillë taktik i Shoqërisë “Drita” shpjegohet
edhe me koniunkturën politike të kohës, me interesimin
e qeverisë rumune për të mos cenuar marrëdhëniet
e mira të Rumanisë me Portën e Lartë.
Një luftë të ashpër Shoqëria “Drita”
dhe gazeta “Shqipëtari” bënë kundër
politikës aneksioniste greke të “Megali Idesë”
dhe kundër grekomanizmit si pjellë e saj. Mirëpo
vetë përpjekjet për ngritjen kulturore kombëtare
ishin të gërshetuara me luftën politike për
lirinë kombëtare.
Shoqëria “Drita” dhe Nikolla Naçoja, që
ishte udhëheqësi kryesor i saj, u përpoqën të
tërhiqnin vëmendjen e opinionit publik evropian për
çështjen shqiptare, duke u dërguar thirrje e memorandume
personaliteteve politike të kohës, qeverisë osmane
etj. Shoqëria “Drita” ndihmoi gjithashtu për
mbajtjen e shkollave shqipe dhe për furnizimin e tyre me libra
shqip.
Shoqëria “Dituria”, me të cilën u bashkuan
shumica e shqiptarëve të Bukureshtit, me kryetar Kostaq
Duron, pasi miratoi programin, vijoi veprimtarinë e vet me
botimin e librave, të dorëshkrimeve që vinin kryesisht
nga Naimi e Samiu, të cilët jetonin në Stamboll.
Tani disa shqiptarë të pasur ishin larguar nga Shoqëria,
kurse disa të tjerë kishin kaluar në pasivitet. Në
fillim Shoqëria “Dituria” nuk mundi të krijojë
degët e saj dhe arkën e kishte pothuajse të zbrazur.
Në vitin 1888 ajo botoi tekstet “Dheshkronja” (Gjeografia)
të përgatitur nga Sami Frashëri dhe “Dituritë”
(Njohuri të shkencave shoqërore e natyrore) të Naim
Frashërit. Më vonë ajo botoi “Rradhuashkronjën”
e Jani Vretos, “Abetaren” e gjuhës shqipe në
gegërisht, veprat e Naim Frashërit “Lulet’
e verës”, “Mësime” etj. Për shkak
të censurës, Samiu dhe Naimi i nënshkruanin veprat
e tyre vetëm me inicialet, i pari S. F. dhe i dyti N. H. F.
Botimet e Bukureshtit u shpërndanë në Shqipëri
dhe në kolonitë shqiptare jashtë atdheut.
Një kthesë e rëndësishme në veprimtarinë
e Shoqërisë “Dituria” u shënua në
vitin 1896, kur në krye të saj u zgjodh Pandeli Evangjeli,
që ishte mjaft aktiv dhe me aftësi drejtuese e organizative.
Shoqëria “Dituria” dha ndihmesë të madhe
për hapjen e shkollave shqipe në atdhe, veçanërisht
në qarkun e Korçës. Ajo dërgoi pa pagesë
tekste shkollore dhe ndihmoi në mbajtjen e mësuesve të
shqipes.
Në vitet 90 të shek. XIX lëvizja kombëtare në
diasporë mori zgjerim më të madh. Ashtu si në
Rumani, mërgimtarë shqiptarë në Bullgari ishin
vendosur edhe më parë, por tani ky numër sa vinte
e shtohej. Shqiptarët e mërguar në Bullgari merreshin
me punë të ndryshme. Pjesa më e madhe e tyre bënte
punë krahu, si gurëgdhendës, punëtorë rrugësh,
hekurudhash e ndërtimesh, kopshtarë etj., por kishte edhe
zejtarë, si rrobaqepës, këpucarë, zdrukthëtarë
etj. Një pjesë tjetër merrej me tregti të vogël,
sidomos në qendër të Sofjes.
Me kohë lokalet e disave prej tyre u shndërruan në
qendra ku takoheshin atdhetarët shqiptarë që jetonin
në Sofje e në vise të tjera të Bullgarisë
ose ata që kalonin për në Rumani, në Turqi e
në Rusi.
Në Bullgari një rol të rëndësishëm
në përhapjen e ideve kombëtare dhe të shkrimit
shqip midis shqiptarëve të mërguar luajti Dhimitër
Mole, i cili shkoi atje nga Bukureshti qysh në fillim të
vitit 1886. Me punën e tij këmbëngulëse Dhimitër
Mole grumbulloi rreth vetes një numër të madh shqiptarësh
që jetonin në Sofje. Në vitin 1889 atje u themelua
bërthama e parë e Shoqërisë për Arsim në
Shqipëri. Me zgjerimin e numrit të shqiptarëve që
interesoheshin për fatin e atdheut të robëruar, në
janar të vitit 1893 u formua në Sofje Shoqëria shqiptare
me emrin “Dëshira”, me statutin dhe me fondin e
saj. Programi i kësaj shoqërie ishte i njëjtë
me atë të shoqërive të Stambollit e të
Bukureshtit. Shoqëria do të përpiqej “për
të lartësuar frymën e shqiptarizmit” dhe “për
skoli në Shqipëri”. Kryetari i komitetit të
zgjedhur nga shoqëria ishte Ligor P. Marko dhe sekretar Dhimitër
Mole. Në nenin 2 të statutit të saj thuhet: “Qëllimi
i Shoqërisë “Dëshira” është
për të përhapur dituri e mësimin e gjuhës,
si edhe për të përhapur mësonjëtore në
gjuhën shqipe në Shqipëri”. Meqenëse në
fillim në Shoqërinë “Dëshira” mbizotëronin
punëtorët e zejtarët, u ndje nevoja e bashkëpunimit
me intelektualë shqiptarë. Prandaj shpejt shoqëria
e re hyri në marrëdhënie me atdhetarët dhe me
shoqëritë e tjera shqiptare jashtë Bullgarisë,
si me Sami Frashërin e Naim Frashërin në Stamboll,
me Shoqërinë “Drita” në Bukuresht; ajo
pati lidhje edhe me atdhetarë brenda Shqipërisë.
Shoqëria krijoi degët e saj në qytetet ku kishte
më shumë mërgimtarë shqiptarë, si në
Varnë e Plovdiv, por shqiptarë kishte edhe në Plevën,
në Rila, në Samakov etj. Aktivitetet e ndryshme artistike
e argëtuese, si edhe përhapja e mësimit shqip, ndihmuan
si për bashkimin e shqiptarëve, ashtu edhe për ngritjen
e tyre politike e kulturore. Veprimtaria e Shoqërisë “Drita”
u zgjerua më shumë në vitet e fundit të shek.
XIX, kur në Sofje u ngrit shtypshkronja me emrin simbolik “Mbrothësia”
(Përparimi), në të cilën u botuan shumë
libra e gazeta në gjuhën shqipe.
Një qendër tjetër e rëndësishme e lëvizjes
shqiptare gjatë kësaj periudhe ishte Egjipti. Nismat e
para të Thimi Mitkos e të Jani Vretos për të
formuar këtu një shoqëri kulturore nuk patën
sukses. Megjithatë, Thimi Mitkoja, Spiro Dineja, Grigor Nukoja
etj. e vijuan vetë veprimtarinë atdhetare. Krahas kësaj,
Thimi Mitkoja u përpoq disa herë të organizonte një
shoqëri me shqiptarët e Egjiptit, por vetëm në
vitin 1894 u arrit që ata të formonin një shoqëri
me emrin “Vëllazëria e Shqiptarëve”.
Një rol të rëndësishëm në dobi të
lëvizjes kombëtare vijuan të luanin në këtë
periudhë edhe arbëreshët e Italisë. Megjithëse
i moshuar, në krye të lëvizjes arbëreshe qëndronte
gjithnjë shkrimtari dhe atdhetari i shquar Jeronim de Rada.
Arbëreshët mbanin lidhje me qendrat e tjera të shqiptarëve
të mërguar dhe me atdhetarët shqiptarë brenda
Shqipërisë, si edhe me personalitete politike përparimtare
italiane e evropiane. Me anën e letërkëmbimeve, të
artikujve në shtypin e kohës dhe sidomos me organin “Fiamuri
i Arbërit” (Corigliano Calabro, 1883-1885), arbëreshët
e Italisë bënin të njohura e mbronin të drejtat
kombëtare të popullit shqiptar. Intelektualët arbëreshë
punuan me zell në fushën e studimit të gjuhës
e të kulturës shqiptare. Në tetor të vitit 1895
ata organizuan në Koriliano Kalabro (Corigliano Calabro) një
kongres gjuhësor, në të cilin u vendos të formohej
edhe një shoqëri, që mori emrin Shoqëria Kombëtare
Shqiptare, e cila krijoi degë në të gjitha kolonitë
arbëreshe.
Veprimtaria e arbëreshëve në dobi të lëvizjes
kombëtare u zhvillua në kushte më të favorshme
se ajo e kolonive të tjera; qeveria italiane, për shkak
të interesave të saj ekonomikë e politikë, në
dukje pajtohej me parimin e ndjekur nga arbëreshët “Shqipëria
për shqiptarët”. Me këtë ajo synonte të
ndalte si shtrirjen e Austro-Hungarisë e të shteteve sllave
drejt Jugut e Perëndimit të Ballkanit, ashtu edhe zgjerimin
e Greqisë drejt Veriut. Por, krahas kësaj, qarqet politike
italiane kishin filluar të bënin përpjekje për
ta vënë lëvizjen arbëreshe në shërbim
të interesave politikë të Romës në Shqipëri.
Përhapja e mësimit shqip dhe e shkollave kombëtare
Në vitet e reaksionit osman që shpërtheu pas shtypjes
së Lidhjes së Prizrenit, veprimtarët e lëvizjes
kombëtare i dhanë rëndësi të veçantë
zbatimit të programit të tyre kulturor, i cili ishte pjesë
përbërëse e programit kombëtar të Rilindjes.
Mirëpo detyrat e rëndësishme me karakter politik,
kulturor e ekonomik, që shtronte zhvillimi i vendit dhe periudha
historike në fushën e arsimit, nuk mund të zgjidheshin
me sistemin arsimor që ishte atëherë në Shqipëri,
sepse ai përbëhej nga një numër jo i madh shkollash
të një niveli të ulët, në gjuhë të
huaja (turke, greke, italiane etj.), me përmbajtjen përgjithësisht
skolastike, me frekuentim të pakët dhe me cikle jo të
plota. Shkollat ishin të ndara veç për popullsinë
myslimane dhe veç për atë të krishtere. Ato
administroheshin, si rregull, nga institucionet fetare islamike,
ortodokse e katolike. Përveç kësaj, ky sistem arsimor
ishte shndërruar në një mjet të fuqishëm
ndikimi politik e kulturor si të sunduesit osman, ashtu edhe
të shteteve të tjera. Ndërkaq kërkesat e zhvillimit
të vendit, por sidomos rreziku i asimilimit të kombit
shqiptar, diktonin si një nevojë të ngutshme përhapjen
e arsimit e të kulturës kombëtare, e bënë
atë një domosdoshmëri historike, me të cilën
ishte e lidhur qenia dhe e ardhmja e Shqipërisë. Duke
shprehur këtë nevojë të madhe të kohës,
Kostandin Kristoforidhi shkruante më 1888: “Ndë
mos u shkroftë gjuha e shqipes edhe sot mbë këtë
ditë nuk do të shkojnë shumë vjet dhe nuk do
të ketë më Shqipëri ndë faqe të dheut
dhe as nuk do të shënohet më emri i Shqipërisë
ndë hartë të botës”.
Megjithëse ishte bërë detyrë e rëndësishme
dhe e ngutshme, në kushtet e atëhershme të Shqipërisë
përhapja e arsimit kombëtar ndeshte në vështirësi
e në pengesa të shumta. Pengesat kryesore i nxirrte Perandoria
Osmane, e cila ishte përpjekur gjithnjë t’i mbante
shqiptarët në errësirë e në padituri. Megjithëse
me reformat e Tanzimatit ishte shpallur se të gjitha kombësitë
e Perandorisë do të lejoheshin të ushtronin lirisht
gjuhët e tyre në institucionet arsimore e fetare, Porta
e Lartë i përjashtoi shqiptarët nga kjo e drejtë
kombëtare. Duke u mbështetur në parimin mesjetar
absurd të identifikimit të kombësisë me fenë,
Porta e Lartë, edhe pas reformës arsimore turke të
vitit 1844, nuk ua njohu shqiptarëve të drejtën e
shkollimit në gjuhën amtare, por vijoi t’i quante
ata sipas besimit fetar “turq”, “grekë”
e “latinë”.
Në përputhje me parimin teokratik islam, pas reformës
arsimore Porta e Lartë krijoi për shqiptarët myslimanë
një rresht të ri shkollash shtetërore fillore (iptidajie),
qytetëse (ruzhdije) dhe pastaj gjimnaze (idadije). Ashtu si
në shkollat e mëparshme fetare, edhe në shkollat
shtetërore osmane mësimet zhvilloheshin vetëm në
gjuhën turke dhe, megjithëse quheshin laike , në
planet e tyre mësimore bënin pjesë edhe lëndë
fetare islamike. Sipas statistikave të viteve të fundit
të shek. XIX, në të katër vilajetet e atëhershme
(të Shkodrës, të Kosovës, të Manastirit
e të Janinës), në të cilat shqiptarët përbënin
një tërësi kompakte e shumicën e popullsisë,
kishte 1 187 shkolla turke nga të cilat 1 125 shkolla fillore,
57 shkolla qytetëse (ruzhdije) e 5 shkolla të mesme (idadije).
Ndërkaq sunduesit osmanë, për shkak të presionit
të huaj, u lanë pak a shumë dorë të lirë
shteteve ballkanike dhe evropiane, veçanërisht institucioneve
të tyre fetare të krishtera, për të vepruar
në Shqipëri si në fushën fetare, ashtu edhe
në atë arsimore. Shtetet që në projektet e tyre
parashikonin përfshirjen ose copëtimin e trojeve shqiptare,
në gjysmën e dytë të shek. XIX, e rritën
më tej veprimtarinë në fushën arsimore e fetare,
duke shtuar numrin e shkollave në gjuhë të huaj,
duke i krijuar vështirësi shkollës e kulturës
shqiptare. Ato nuk ngurronin në këtë rast të
përpiqeshin për t’i paraqitur shqiptarët si
një popull “të egër”, “pa kulturë”
e me zakone “të rënda”, kurse veten e tyre
si “shpëtimtarë”, si “përhapës
të arsimit e të kulturës” etj.
Përhapje të madhe mori, veçanërisht në
Shqipërinë e Poshtme, shkolla në gjuhën greke.
Me gjithë programin e tyre laik, shkollat greke ishin nën
mbikqyrjen e peshkopëve grekë dhe përshkoheshin nga
një frymë intolerance fetare. Shkollat greke arritën
të përhapeshin deri në Durrës e në Tiranë.
Sipas të dhënave të konsullatës franceze të
Janinës, në vitin 1882 vetëm në vilajetin e
Janinës, që përfshinte gjithë Shqipërinë
e Poshtme (duke përjashtuar rrethet e Kolonjës, të
Korçës e të Pogradecit) dhe që shumicën
dërrmuese të popullsisë e kishte shqiptare, kishte
643 shkolla greke për djem e mikse me 736 mësues dhe 22
shkolla për vajza me 40 mësuese. Në vitin 1894 në
sanxhakun e atëhershëm të Gjirokastrës kishte
84 shkolla fillore greke e po kaq edhe në krahinën e Beratit.
Organizimi e plani mësimor i shkollave në gjuhën
greke në Shqipëri ishin të njëjtë me ato
të shkollave në Greqi. Hapja e këtyre shkollave bëhej
nga mitropolitë ortodokse greke, të cilat, në marrëveshje
me konsujt grekë, emëronin drejtorët e shkollave
dhe personelin mësimor. Mjetet kryesore financiare për
mbajtjen e këtyre shkollave siguroheshin nga qeveria e Athinës,
nëpërmjet silogut që ishte krijuar aty për përhapjen
e gjuhës e të kulturës greke. Me anën e këtyre
shkollave e të propagandës qarqet politike të Athinës
përpiqeshin t’i paraqisnin shqiptarët ortodoksë
si grekë dhe me kohë t’i asimilonin ata. Në
fundin e shek. XIX në Shqipëri kishte më shumë
se 1 000 shkolla greke.
Përveç shkollave turke e greke, në trojet shqiptare
ishin çelur edhe shkolla serbe, bullgare, vllahe etj. Sipas
statistikave të asaj kohe kishte mbi 300 shkolla serbe, bullgare
e vllahe, pa përmendur shkollat në gjuhën italiane,
të cilat ishin nën administrimin e Austro-Hungarisë
e të Italisë.
Shkollat e huaja, me gjithë kufizimet e mangësitë
e programeve, ndihmonin në pajisjen me dije të fëmijëve,
por ato, padyshim, shërbenin si mjedise të propagandave
të shteteve të huaja për asimilimin e shqiptarëve
dhe si të tilla nuk mund t’i shërbenin as përparimit
kulturor kombëtar të shqiptarëve, as emancipimit
të tyre politik e kombëtar. Prandaj rilindësit i
trajtonin ato si një pengesë në lëvizjen për
çlirimin kombëtar të popullit shqiptar dhe kërkonin
mbylljen ose kthimin e tyre në shkolla shqipe.
Në këto rrethana, patriotët e Rilindjes punuan me
përkushtim për zhvillimin e arsimit kombëtar. Rilindësit
tanë iu drejtuan në radhë të parë gjuhës
amtare, që kishte luajtur një rol të rëndësishëm
në jetën e popullit shqiptar dhe që u kishte bërë
ballë me sukses trysnive shekullore asimiluese të pushtuesve
të huaj. Te rilindësit në përgjithësi ishte
formuar bindja se tani vetëm duke e shkruar mund të ruhej
gjuha shqipe, se vetëm me gjuhën amtare mund të zhvillohej
arsimi e kultura kombëtare, mund të shkolloheshin të
gjithë shqiptarët, pavarësisht nga gjendja ekonomike,
mund të edukohej atdhetarizmi dhe mund të mbrohej kombi
nga asimilimi. Pikërisht në atë periudhë Kostandin
Kristoforidhi shkruante: “Shqipëria nuk mësonet
dot, as nuk ndritet sot, as nuk qytetëronet dot me gjuhë
të huaj, përveç me gjuhën e mëmës
... Edhe ndë u shkroftë gjuha e shqipes në këtë
kohë që gjendemi sot, edhe ndë futet ndëpër
skolirat e Shqipërisë, kemi shpresë se do të
na njohën për komp e për vendarë ndë dhe
t’onë, edhe do të kemi pjesë e vent ndë
rretht e ndë shoqërit të kombevet tjerë që
gjenden në Evropë...”. Të njëjtën
ide mbronte Sami Frashëri kur disa vjet më vonë shkruante:
“S’mund të ketë Shqipëri pa shqiptarë,
s’mund të ketë shqiptarë pa gjuhë shqip,
s’mund të ketë gjuhë shqipe pa shkolla në
të cilat do të mësohet shqipja”.
Rilindësit bënë përpjekje të shumta për
të nxjerrë nga Porta e Lartë lejen e përdorimit
të gjuhës amtare në shkollat e vendit, për botimin
e librave shqip, për shpërndarjen e tyre në Shqipëri
dhe për nxjerrjen e një organi periodik shqip, qoftë
edhe me përmbajtje krejtësisht kulturore.
Për disa kohë këto kërkesa ndeshën në
kundërshtimin e vendosur të qeverisë osmane. Por
në verën e vitit 1884, e shqetësuar nga përpjekjet
e Greqisë për t’i nxitur shqiptarët të
hidheshin në kryengritje kundër Stambollit, si dhe nga
themelimi në Athinë i shoqatës kulturore “Vllamët
Shqiptarë”, Porta e Lartë dha lejen për botimin
e një organi kulturor shqip. Megjithatë, edhe në
këtë rast ajo u qëndroi besnike parimeve të
veta, sepse ajo lejen nuk ua dha shqiptarëve myslimanë,
të cilët vijonte t’i quante turq, por vetëm
shqiptarëve ortodoksë, me qëllim që t’i
largonte nga mundësia e bashkëpunimit me grekët.
Leja për botimin e një reviste shqipe u dha nga Ministria
turke e Arsimit në emrin e Petro Pogës. Pas kësaj,
më 10 gusht 1884 doli në Stamboll numri i parë i
revistës “Drita”. Për shkak të censurës,
lënda e revistës u kufizua në shkrime letrare e arsimore.
Meqenëse Porta e Lartë ua ndalonte shqiptarëve myslimanë
shkrimin e shqipes, Sami Frashëri e Naim Frashëri, nga
penda e të cilëve u përgatit shumica e lëndës,
nënshkruanin me pseudonime, i pari me tre yje, kurse i dyti
me shkronjën “D”. Në revistën “Drita”
botuan shkrimet e tyre edhe Jani Vretoja, Pandeli Sotiri, Koto Hoxhi
etj.
Qëllimi i kësaj reviste ishte përhapja e diturisë,
zhvillimi i arsimit dhe ngritja e vetëdijes kombëtare.
Revista kryente njëherësh edhe misionin e mësuesit
për përhapjen e ideve iluministe të rilindësve.
“Drita” u botua me alfabetin e Stambollit dhe në
këtë mënyrë ndikoi në përhapjen e
këtij alfabeti te lexuesit e saj shqiptarë.
Ndonëse përmbante vetëm shkrime me karakter arsimor-kulturor,
botimi i revistës “Drita” shkaktoi shqetësimin
e qarqeve klerikale e politike greke, të cilat ushtruan trysni
të fortë ndaj Petro Pogës dhe e detyruan të
hiqte dorë nga revista, pas botimit të numrit të
saj të tretë. Por atdhetarët shqiptarë të
Stambollit nxorën në emrin e Pandeli Sotirit një
leje të dytë për një revistë të re
me emrin “Dituria”, e cila u bë vazhdim i “Dritës”.
Duke bërë fjalë për misionin e revistës
“Dituria”, Sami Frashëri shkruante në një
artikull të numrit të parë të saj: “Dituria
është ajo që e bëri njeriun të quhet njeri”.
Artikujt me karakter shkencor e pedagogjik që u botuan në
“Drita” dhe në “Dituria” shërbyen
si bazë për hartimin e teksteve shkollore shqipe. Revista
“Dituria” u mbyll në numrin 12 të saj, në
korrik të vitit 1885.
Edhe përhapja e shkrimit dhe e shkollës shqipe ndeshte
gjithnjë në pengesa të shumta. Në kohën
kur në Shqipëri po shtohej numri i shkollave greke, serbe
e bullgare, Porta e Lartë ndalonte hapjen e shkollave shqipe.
Madje Ministria turke e Arsimit tërhoqi edhe lejen që
kishte dhënë për botimin e fjalorit të Kostandin
Kristoforidhit. Përhapja e shkrimit dhe e shkollës shqipe
pengohej edhe nga fanatizmi fetar e nga konservatorizmi të
kultivuar prej shekujsh, sikundër edhe më fort nga kundërshtimet
e turkomanëve e të grekomanëve.
Megjithëse në kushte shumë të vështira,
shkrimi i gjuhës shqipe vijoi të mësohej fshehurazi
në vise të ndryshme të Shqipërisë. Nën
shembullin e mësuesit të tij Koto Hoxhi, Petro Nini Luarasi,
ndonëse ishte fare i ri në moshë dhe punonte si mësues
i greqishtes në shkollat e fshatrave Bezhan, Katund e Luaras,
gjatë viteve 1882-1887 u bë një përhapës
i flaktë i shkrimit të gjuhës shqipe dhe i ndjenjave
kombëtare. Po kështu Kostandin Kristoforidhi, me t’u
kthyer në atdhe në vitin 1884, hyri si mësues i greqishtes
në shkollën e Elbasanit dhe, ashtu siç kishte bërë
dikur në Tiranë, filloi t’u mësonte nxënësve
fshehurazi gjuhën shqipe. Në Shkodër mësimi
i gjuhës shqipe kishte krijuar tashmë një farë
tradite dhe vijonte të mësohej në disa shkolla private
për djem e për vajza. Po ashtu, në vitin 1885, Gjerasim
Qiriazi kishte hapur në Manastir një shkollë private
shqipe për djem e për vajza.
Rilindësit shfrytëzuan në të mirë të
lëvizjes kombëtare edhe gjendjen e vështirë,
në të cilën u ndodh Perandoria Osmane në fund
të vitit 1885 e në fillim të 1886 si pasojë
e bashkimit të Rumelisë Lindore me Bullgarinë, si
edhe gjendjen e acaruar të marrëdhënieve turko-greke.
Meqenëse qeveria osmane kundërshtonte formimin e organizatave
politike, rilindësit kërkuan të themelonin brenda
në Shqipëri një shoqëri kulturore. Ndërkaq
qeveria turke premtoi se do të lejonte futjen e mësimit
të shqipes në shkollat shtetërore.
Në fund të vitit 1885 atdhetarët shqiptarë zgjodhën
si vend më të përshtatshëm për formimin
e një shoqërie të tillë qytetin e Korçës.
Në këtë mënyrë do t’i jepej një
goditje edhe propagandës helenizuese të qarqeve shoviniste
të Athinës dhe klerikëve grekomanë ortodoksë
që u shërbenin atyre. Për të ndihmuar atdhetarët
brenda vendit Shoqëria “Drita” e Bukureshtit dërgoi
në Korçë Thimi Markon, një nga anëtarët
më aktivë të kryesisë së saj. Sipas udhëzimeve
të Shoqërisë, ai i paraqiti pleqësisë së
Mitropolisë, si dhe vetë mitropolitit grek të Korçës,
Filotheu, kërkesën e shqiptarëve të mërguar
të Bukureshtit për të vënë “gjuhën
shqipe nëpër gjithë mësonjëtoret”
e qytetit që administroheshin nga silogu grekoman i Korçës.
Por shumica e anëtarëve të pleqësisë dhe
të silogut të qytetit, të cilët ndodheshin nën
ndikimin e mitropolitit grek, e hodhën poshtë këtë
kërkesë. Me gjithë kundërshtimin e tyre kërkesa
gjeti mjaft përkrahës në radhët e qytetarëve;
ajo u mbështet edhe nga disa anëtarë të dhimogjerondisë?
së komunitetit të krishterë të qytetit, ndër
të cilët më aktiv u tregua Jovan Cico Kosturi.
Në lëvizjen për përhapjen e gjuhës shqipe
u përfshinë jo vetëm qytetarët ortodoksë
të Korçës, por edhe ata myslimanë. Për
të drejtuar këtë lëvizje, u krijua brenda në
Korçë në muajt e parë të vitit 1886 një
Komitet Kombëtar i fshehtë, i përbërë nga
Jovan C. Kosturi, Orhan Ç. Pojani e Thimi Markoja.
Në fund të vitit 1886, me përmirësimin e gjendjes
së jashtme politike të Perandorisë Osmane, u duk
qartë se Porta e Lartë nuk kishte ndër mend ta mbante
premtimin e dhënë për të futur mësimin
e shqipes në shkollat shtetërore dhe as të lejonte
krijimin e organizatave kulturore shqiptare. Nga ana tjetër,
për t’i vënë njëfarë gardhi politikës
antiturke, që zhvillonin me anën e mësimit agjentët
grekë, qeveria e Stambollit dha të kuptohej se ajo nuk
do t’i pengonte shqiptarët ortodoksë të futnin
në shkollat e komuniteteve të tyre mësimin e gjuhës
amtare dhe të kishin klubet kulturore shqiptare, duke përjashtuar
gjithnjë nga kjo e drejtë shqiptarët myslimanë.
Duke e parë të pamundur futjen e gjuhës shqipe në
shkollat e huaja, Komiteti Kombëtar i Korçës në
fillim të vitit 1887 vendosi të ngrinte shkolla shqipe
të veçanta, të pavarura nga shkollat që administroheshin
nga silogu grekoman. Ndërsa atdhetarët e Korçës
e të Bukureshtit po përpiqeshin të siguronin pajisjet,
librat mësimorë dhe lokalin për shkollën, Sami
Frashëri e Naim Frashëri, sipas kërkesave të
reja që i paraqitën qeverisë së Stambollit,
shkëputën prej saj lejen në emrin e Pandeli Sotirit
për çeljen e një shkolle private shqipe në
Korçë.
Pas një lufte këmbëngulëse gati dyvjeçare,
më 7 mars 1887 u çel shkolla e parë shqipe e Korçës,
drejtor i së cilës ishte Pandeli Sotiri. Si lokal për
shkollën shërbeu shtëpia e dhuruar nga atdhetari
i mërguar korçar Mandi Tërpo.
Çelja e shkollës shqipe të Korçës ishte
një ngjarje e shënuar dhe një fitore për gjithë
Lëvizjen Kombëtare Shqiptare. Ajo ishte kurorëzimi
i përpjekjeve të përbashkëta të organizatave
atdhetare të të mërguarve shqiptarë dhe të
atdhetarëve brenda vendit. Mësonjëtorja shqipe e
Korçës nuk varej e nuk financohej prej asnjë shteti
a shoqërie të huaj. Ajo u hap, u financua e u mbrojt nga
populli dhe nga shoqëritë shqiptare të mërgimit.
Dita e përurimit të saj u kthye në një ditë
feste. Të nesërmen e kësaj ngjarjeje, më 8 mars
1887, Thimi Markoja i shkruante Visar Dodanit në Bukuresht:
“... dëshira tonë u mbarua, shkolla shqipe u hap.
druri që vumë në dhet këtu e dy vjet sot lulëzoi
dhe dha pemë të ëmbla... Mendimet tona dhe të
luftuarit e faqezinjve grekomanë gjersa mbaruam këtë
të shënjtëruarë punë janë aqë
shumë sa nuk mund t’ua shkruaj ndë kartë”.
Qysh ditën e parë në këtë shkollë
u regjistruan 35 nxënës. Numri i tyre erdhi duke u rritur
dhe në vitin e dytë arriti në 200. Ajo ishte një
shkollë fillore laike me fizionomi të plotë kombëtare,
ku gjithë mësimet jepeshin shqip. Turqishtja mësohej
si gjuhë e huaj, më vonë u fut edhe frëngjishtja.
Si tekste mësimore përdoreshin ato që ishin përgatitur
nga Naim Frashëri, Sami Frashëri etj., dhe që qenë
shtypur e ishin dërguar pa shpërblim nga kolonia shqiptare
e Bukureshtit. Mësonjëtorja e Korçës u bë
qendër e përhapjes së shkrimit e të këndimit
të gjuhës shqipe edhe për të rriturit. Ajo ishte
gjithashtu qendër e përhapjes së ideve kombëtare
shqiptare. Duke qenë shkollë e përbashkët për
fëmijët e besimeve të ndryshme, ajo ndihmonte bashkimin
e shqiptarëve pavarësisht nga feja dhe ngrinte tek ata
ndërgjegjen kombëtare. Përveç Pandeli Sotirit,
që qe drejtori i parë i kësaj shkolle, në të
punuan si drejtorë e mësues edhe atdhetarë të
tjerë të shquar, si Thanas Sina, Petro Nini Luarasi, Nuçi
Naçi etj.
Çelja e shkollës kombëtare të Korçës
ngjalli entuziazëm te patriotët brenda e jashtë atdheut.
Poeti i shquar i Rilindjes, Naim Frashëri, duke përshëndetur
Mësonjëtoren e çelur në Korçë,
shkruante plot frymëzim: “Hapu, hapu errësirë,
/ Pa jakë tëhu o dritë! / Se arriti koh’ e
mirë, / U gdhi nata u bë ditë... / Lumja ti, moj
Korç’ o lule! / Q’i le pas shoqet e tua / Si
trimi në ball’ u sule, / Ta paçim për jetë
hua!”.
Hapja e Mësonjëtores së Korçës u bë
nxitje edhe për çeljen e shkollave të tjera në
krahina të ndryshme të Shqipërisë. Disa javë
më vonë u çelën shkolla shqipe në Pogradec,
me mësues Koço Sotirin (vëllai i Pandeli Sotirit),
në Rekë e në Ohër dhe u bënë përgatitje
për të tilla shkolla në Elbasan, në Leskovik,
në Ersekë etj. Filloi të mësohej shkrimi shqip
edhe në mjaft fshatra.
Komitetit Kombëtar të Korçës filluan t’i
vinin nga krahina të ndryshme të Shqipërisë,
bashkë me përgëzimet, edhe kërkesa të shumta
për t’u dërguar tekste shkollore që të
përhapnin mësimin e shqipes qoftë në shkollë,
qoftë jashtë saj. Në një letër të
Thimi Markos, dërguar nga Korça në Bukuresht më
1887 thuhej: “Sot nuk ka vend të Shqipërisë
që të mos ndodhen burra shqiptarë, në fyejt
e të cilëve të mos lëvrinjë gjak shqiptari
dhe të cilët të mos përpiqen për këtë
të shenjtëruar punë. Nga të gjitha anët
e Shqipërisë marrim karta hiri dhe gëzimi për
shkollën që hapmë... Megjithëqë na dërguat
afro 600 copë vivlla, u lutemi të na dërgoni edhe
të tjera”.
Këto suksese e lejuan Komitetin të bënte një
hap tjetër: ai formoi në Korçë një shoqëri
shqiptare, që u quajt Shoqëria e Mësimit Shqip. Në
krye të kësaj Shoqërie u vu Alo Dishnica. Shoqëria
kishte si detyrë kryesore të organizonte e të drejtonte
veprimtarinë e atdhetarëve shqiptarë në krahina
të ndryshme të vendit për mbajtjen e shkollave të
çelura, për hapjen e shkollave të reja shqipe,
për grumbullimin e fondeve të nevojshme dhe shtypjen e
teksteve shkollore a të ndonjë organi periodik.
Në vitin 1889 në Prizren ishte çelur një shkollë
shqipe nën kujdesin e Austro-Hungarisë. Për vite
me radhë punoi në këtë shkollë, si mësues
i gjuhës shqipe, atdhetari Mati Logoreci, i cili shfrytëzoi
të gjitha mundësitë për të përhapur
mësimin e gjuhës shqipe te nxënësit dhe në
popullsinë shqiptare të Prizrenit. Futja e shqipes si
gjuhë mësimi dhe veprimtaria e mësuesit Mati Logoreci
bënë që shkollën e Prizrenit, me gjithë
kërcënimet e autoriteteve osmane, ta ndiqnin edhe nxënës
myslimanë. Kur u shtua numri i nxënësve, pranë
Mati Logorecit filloi të punonte si mësues edhe Lazër
Lumezi. Po kështu, Austro-Hungaria gjatë dhjetëvjeçarit
të fundit të shek. XIX futi gjuhën shqipe si gjuhë
mësimi edhe në 24 shkolla fillore, të administruara
prej saj, në qytetet e në fshatrat e Shqipërisë
së Sipërme dhe të asaj Qendrore.
Përveç shkollave të përmendura, në shumë
vise të Shqipërisë, si në Elbasan, në Dibër,
në Krujë, në Korçë, në Berat, në
Gjirokastër, në Kolonjë, në Pogradec, në
Vlorë, në Përmet, në Skrapar, në Çamëri
etj., u çelën dhe funksiononin pranë shtëpive
private ose pranë dyqaneve kurse e shkolla të fshehta
shqipe, në të cilat mësuesit atdhetarë u mësonin
fëmijëve dhe të rriturve abetaren e gjuhës shqipe.
Në këto qendra dhe në qytete të tjera të
vilajeteve shqiptare, si në Durrës, në Tiranë,
në Prizren, në Prishtinë, në Shkup, në
Manastir etj., mësuesit shqiptarë atdhedashës, që
punonin në shkollat turke, greke etj. të Shqipërisë,
u mësonin fshehurazi nxënësve shkrimin shqip.
Por përpjekjet për hapjen e shkollave shqipe ndeshën
në vështirësi të shumta. Valë të furishme
kundërshtimi shpërthyen kundër Shoqërisë
së Mësimit Shqip dhe Mësonjëtores së Korçës
që në ditët e para të themelimit të tyre.
Nën nxitjen e mitropolitit të Korçës dhe të
Patrikanës së Stambollit, autoritetet osmane filluan të
pengonin zgjerimin dhe madje vetë ekzistencën e shkollave
shqipe, si dhe veprimtarinë e Shoqërisë së Mësimit
Shqip. Propaganda fetare, shpifjet, presionet, frikësimet e
shtrëngimet e tjera kundër mësuesve, nxënësve,
prindërve dhe përkrahësve të shkollës,
qenë mjetet e zakonshme që autoritetet osmane dhe agjentët
grekë përdorën në luftën kundër tyre.
Në vitin 1890 autoritetet qeveritare ndaluan fëmijët
myslimanë që të ndiqnin shkollën shqipe.
Nën këtë trysni të dyfishtë përpjekjet
për të hapur shkolla të tjera shqipe nuk patën
sukses. Për më tepër edhe shkollat e hapura gjatë
vitit 1887-1888 u mbyllën njëra pas tjetrës me përjashtim
të shkollës së Korçës, e cila me sakrifica
të mëdha e në luftë të vazhdueshme me autoritetet
klerikale greke dhe me administratën osmane e vijoi veprimtarinë
e vet, ndonëse me një numër të kufizuar nxënësish.
Viktimë e këtij reaksioni antishqiptar ra edhe vetë
drejtori i shkollës së Korçës, Pandeli Sotiri,
i cili u vra rreth vitit 1891 në Stamboll nga agjentët
grekomanë. Atdhetarë të tjerë shqiptarë,
si Jovan Cico Kosturi, Thimi Marko etj., iu nënshtruan ndjekjeve
të pashembullta. Një luftë e ashpër e në
forma të ndryshme u bë kundër Alo Dishnicës,
i cili qëndronte në krye të Shoqërisë së
Mësimit Shqip. Pasi dështuan orvatjet për ta tërhequr
në anën e tyre me dekorata e me mjete të tjera, agjentët
e Patrikanës bënë kundër tij një varg shpifjesh
e ankesash që ua dërguan autoriteteve lokale. Por të
gjitha këto nuk dhanë rezultat.
Edhe shkolla shqipe e Prizrenit ndeshi në pengesa të shumta
dhe në qëndrimin armiqësor të autoriteteve osmane.
Përparimin e saj e shihnin me sy të keq edhe shovinistët
serbë, sepse ajo vepronte në kundërshtim me planet
e tyre për shkombëtarizimin e popullsisë shqiptare
të Kosovës nëpërmjet kishës e shkollës
serbe. Nën këto trysni edhe vetë konsullata austro-hungareze
ndërmori masa të ndryshme kundër saj.
Një ndihmesë tjetër të çmuar për
shkollën shqipe dha familja e Qirjazëve dhe veçanërisht
Gjerasim D. Qiriazi. Bir i një tregtari shqiptar të vendosur
në Manastir, qysh i vogël u edukua prej të atit me
dashurinë për atdheun dhe për gjuhën amtare.
Duke qenë në shërbim të Shoqërisë
Biblike Angleze, në vend të Kostandin Kristoforidhit,
ai i kushtoi një vëmendje të veçantë
përhapjes së shkrimit të gjuhës shqipe dhe të
ndjenjës kombëtare. Qysh në vitin 1888, kur u vendos
në Korçë, ai bëri përgatitjet e nevojshme
për të çelur një shkollë shqipe për
vajza. Këtu erdhi, pasi mbaroi kolegjin në Stamboll, edhe
e motra e tij, Sevasti Qiriazi, që, së bashku me të
vëllanë, Gjerasimin, iu vunë punës për
çeljen e kësaj shkolle. Në këtë vepër
ata u ndihmuan edhe nga Naim Frashëri, i cili ndërhyri
që t’u jepej iradeja (urdhri) nga qeveria osmane.
Më 23 tetor 1891 u çel në Korçë shkolla
e parë shqipe për vajza. Në kushtet e ndjekjeve nga
qeveria osmane, hapja e saj u bë në saje të pasaportës
së huaj që mbante themeluesi i saj Gjerasim Qiriazi. Qysh
në vitin e parë numri i nxënëseve u rrit në
27. Më vonë shkolla kishte çdo vit 30-50 nxënëse.
Edhe në këtë shkollë mësuan vajza të
besimeve të ndryshme. Mësueset e para të saj ishin
Sevasti Qiriazi, Fanka Efthimi, më vonë edhe Polikseni
Luarasi e Parashqevi Qiriazi.
Gjerasim Qiriazi kishte lidhje me Komitetin Kombëtar të
Korçës dhe me kolonitë shqiptare jashtë atdheut.
Ai u ndihmua veçanërisht nga Shoqëria “Drita”
e Bukureshtit. Me gjithë pengesat e shumta të armiqve,
shkolla e vajzave mbeti e hapur edhe pas vdekjes së parakohshme
të Gjerasim Qiriazit dhe u bë vatër e rëndësishme
për përhapjen e arsimit, të kulturës dhe të
ndërgjegjes kombëtare.
Krahas Korçës, krahinat e Kolonjës e të Vakëfeve
u bënë vatra të rëndësishme të përhapjes
së arsimit kombëtar. Vepra e nisur nga mësuesi atdhetar
Petro Nini Luarasi u zgjerua edhe më shumë në fillim
të viteve 90. I ndihmuar nga ish-nxënësit e tij,
nga kolonitë e mërgimit, në mënyrë të
veçantë nga shoqëria “Drita”, si dhe
me përkrahjen e mbrojtjen e popullsisë së këtyre
zonave, ai çeli gjashtë shkolla të reja shqipe,
në fshatrat Luaras, Gostivisht, Rehovë, Vodicë, Selenicë
e Pishës dhe në Treskë, të cilat filluan të
funksiononin që në vjeshtën e vitit 1892. Midis mësuesve
të këtyre zonave ishin dhe Nuçi Naçi, Kristo
Luarasi, Vasil Thanasi e Balil Tahiri.
Lajmi për hapjen e këtyre shkollave të reja shqipe
shkaktoi një kundërveprim të ri të klerikëve
të lartë ortodoksë grekë dhe të autoriteteve
osmane. Mitropoliti i Kosturit, Fillareti, në bashkëpunim
me atë të Korçës, lëshoi kundër
Petro Nini Luarasit mallkimin. “Me pikëllim të madh,
- thuhet në aktin e mallkimit, - pamë syfaqeza dhe dëgjuam
në udhëtimin tënë që bëmë në
ato vise se i mallëkuari dhe i çvetëmuari prej
Perëndisë, Petro Luarasi ... erdhi rreth e përqark
në katundet e ndryshme të kazasë së Kolonjës,
duke u zotuar të emërojë mësonjës shqiptarë,
gjoja për të mësuar gjuhën shqipe, e cila nuk
ekziston...Për këto shkaqe pra... ju porositim të
gjithë ju, të vegjël e të mëdhenj, të
vobegtë e begatorë, burra e gra, që të mos u
jepni besë fjalëve dhe zotimeve të këtyre të
mallkuarve femohues, që t’i mbyllni veshët tuaj
kundër blasfemivet të tyre...”.
Atdhetarët nuk u sprapsën as nga mallkimet dhe as nga
shkishërimet e mitropolitit grek. Por në ndihmë të
tij vajtën autoritetet osmane të vilajetit të Manastirit,
të cilët dërguan në vend shefin e policisë
së vilajetit. Në këto rrethana, shkollat shqipe të
Kolonjës u mbyllën njëra pas tjetrës. E fundit
u mbyll shkolla e Luarasit, në vitin 1896. Megjithëkëtë,
Petro Nini Luarasi dhe shokët e tij e vijuan veprimtarinë
e tyre për të përhapur shkrimin shqip në forma
ilegale.
Duke vlerësuar nevojën e madhe për përgatitjen
e mësuesve për shkollat shqipe që po hapeshin në
atdhe, Shoqëria “Drita” e Bukureshtit filloi përgatitjet
për të çelur në Bukuresht një shkollë
normale. Sipas vendimit të Komitetit drejtues të kësaj
shoqërie Shkolla Normale Shqipe e Bukureshtit u çel
më 10 maj 1892. Drejtor i kësaj shkolle ishte Nikolla
Naço, kryetar i Shoqërisë “Drita”.
Shkolla pati edhe konviktin e saj për nxënësit që
do të vinin nga Shqipëria. Në nenin 2 të rregullores
së Shkollës thuhej se ajo fillimisht do të kishte
“të paktën 15 nxënës”, të cilët
do të ushqehen dhe do të vishen me të prishurat e
Shoqërisë “Drita”. Në nenin 4 parashikohej
që “Në këtë mësonjëtore të
përgatiten mësonjëtorë shqiptarë”,
pa dallim feje, kurse neni 5 përmbante planin mësimor
të shkollës, që përfshinte 11 lëndë,
si gjuhën shqipe, turke e rumune, histori e gjeografi të
përgjithshme, veçanërisht të Perandorisë
Osmane, pedagogji, matematikë, dituri natyre, muzikë,
gjimnastikë, mësim feje, një gjuhë të huaj,
e cila të ishte më e folur e më e njohur në
botë etj. Meqenëse Shkolla Normale kishte edhe konvikt,
ishin vënë në dijeni të gjitha qendrat ku jetonin
shqiptarë, veçanërisht ato të trojeve shqiptare,
si dhe të diasporës, prej nga mund të vinin nxënës
për të ndjekur këtë shkollë. Në rregullore
ishte parashikuar që mësuesit e përgatitur në
këtë shkollë të dërgoheshin për të
hapur shkolla shqipe kudo ku kishte shqiptarë. Shoqëria
“Drita” kishte detyrë t’i mbronte ata si
gjënë “më të shtrenjtë të kombit,
nga çdo e keqe” dhe t’i mbante me shpenzimet
e saj. Në rast se mësuesve u ndodhte ndonjë rrezik,
Shoqëria merrte përsipër të ndihmonte familjet
e tyre “sa të rrojnë”. Mësuesit kishin
si detyrë të punonin ku t’i dërgonte Shoqëria,
për të forcuar te nxënësit “shpirtin e
mendjen me mësime e të tjera”.
Fondet për Shkollën Normale të Bukureshtit siguroheshin
nga ndihma që jepnin anëtarët e Shoqërisë
“Drita”, nga disa punë publike që ndërmerrte
Shoqëria dhe vetë Nikolla Naçoja, nga organizimi
i llotarive, i koncerteve muzikore dhe i fondeve të tjera.
Po kështu një ndihmë për këtë shkollë
u sigurua edhe nga Ministria rumune e Kulturës. Në këtë
shkollë mësuan një numër të rinjsh shqiptarë,
si Kristo Luarasi, Jashar Erebara, Mihal Grameno, Asdreni etj. Por,
në përgjithësi kjo shkollë pati një veprimtari
të kufizuar. Sapo mësuan për çeljen e saj,
autoritetet osmane morën masa për të penguar ardhjen
e nxënësve shqiptarë në këtë shkollë.
Pas disa vjetësh Shkolla Normale e Bukureshtit u mbyll.
|