K R E U XII
KRYENGRITJA NË MALËSINË
E MBISHKODRËS
(1911)
1. SHPËRTHIMI I KRYENGRITJES
DHE VEPRIMET LUFTARAKE
(MARS – FILLIMI I QERSHORIT 1911)
Përgatitja e kryengritjes
Kryengritja e Kosovës tregoi edhe një herë nevojën
e bashkimit të të gjitha forcave të vendit në
luftën kundër sundimtarëve osmanë. Drejt këtij
bashkimi i shtynë shqiptarët edhe veprimet shtypëse
të qeverisë së Stambollit. Çarmatimi i përgjithshëm
ishte një nga masat më të rënda që morën
autoritetet xhonturke në vitin 1910 e që la mbresë
të thellë te shqiptarët, sepse u hoqi atyre mjetet
për të kundërshtuar politikën shtypëse
e arbitrare të qeveritarëve xhonturq dhe për të
mbrojtur vendin nga synimet grabitqare të shteteve fqinje.
Por edhe në këto rrethana shumë malësorë
nuk pranuan t’u nënshtroheshin urdhëresave qeveritare.
Grupe të shumta luftëtarësh vijuan qëndresën
edhe pas shtypjes së kryengritjes së vitit 1910. Megjithatë,
përballë forcave të mëdha osmane, një pjesë
e mirë e kryengritësve u detyrua të kalonte në
Mal të Zi. Midis tyre qenë edhe Ded Gjo Luli, Mehmet Shpendi,
Sulejman Batusha, Isa Boletini, Hasan Budakova, Mirash Ndou e të
tjerë. Sipas deklaratave të qeverisë malazeze, në
territorin e saj ndodheshin më 1910 rreth 800 familje shqiptare
të arratisura me afër 3 000 veta, ndërsa në
Serbi u strehuan vetëm disa prej tyre.
Qeveria malazeze, duke shprehur shqetësimin për mundësinë
e një sulmi të malësorëve kundër trupave
turke nga territori i Malit të Zi, i largoi refugjatët
shqiptarë në Nikshiq e në Danillovgrad.
Ndërkohë rrethet atdhetare, brenda e jashtë vendit,
bënë thirrje për një kryengritje të re,
gjatë së cilës do të kërkohej autonomia
e Shqipërisë. Ky program u shpalos sidomos në shtypin
e kolonive, në thirrjet e shoqërive dhe të komiteteve
shqiptare. Në të gjitha këto kërkohej amnistia
e përgjithshme për luftëtarët e vitit 1910,
liri e plotë për zhvillimin e gjuhës shqipe me alfabetin
latin, krijimi i një administrate me nëpunës shqiptarë
dhe përdorimi i një pjese të mirë të të
ardhurave të vendit për zhvillimin ekonomik e kulturor
të Shqipërisë.
Kryengritja e re filloi të përgatitej sipas këtij
progami të përbashkët autonomist. Një nga detyrat
kryesore, ashtu si më parë, ishte formimi brenda vendit
i një qendre të vetme drejtuese për gjithë lëvizjen
kombëtare. Një qendër e tillë e përbashkët
nuk ekzistonte as edhe jashtë vendit, ku kishte kushte më
të favorshme për organizimin e lëvizjes. Krijimi
i komiteteve jashtë Perandorisë ishte i dobishëm,
sepse do të tërhiqte vëmendjen e opinionit publik
dhe të qeverive të Fuqive të Mëdha rreth kërkesave
e aspiratave të popullit shqiptar, do t’u jepte mundësi
organizatave shqiptare të siguronin të holla për
të blerë armët e nevojshme. Vendet më të
përshtatshme për organizimin e rretheve atdhetare radikale
mund të ishin ato fqinje që ndodheshin më afër
Shqipërisë, siç qenë shtetet ballkanike dhe
Italia.
Në këto rrethana, me nismën e Nikollë Ivanajt,
u krijua në Bari një komitet i kryengritjes, i cili u
orvat të vendoste lidhje me kolonitë e mërgimit dhe
me komitetet e fshehta brenda vendit.
Gjatë dimrit të 1910-1911-s në Italinë fqinje,
me nxitjen e rretheve atdhetare shqiptare dhe arbëreshe, u
zgjerua lëvizja në të mirë të luftës
së popullit shqiptar. Në janar të vitit 1911 u formua
në Itali Komiteti “Pro Albania”, rreth të
cilit u bashkuan republikanë, socialistë, demokratë
dhe elementë të tjerë përparimtarë. Midis
tyre kishte edhe 60 deputetë. Komiteti filloi ta shtrijë
veprimtarinë e tij me anën e nënkomiteteve në
vise të ndryshme të Gadishullit Apenin, duke synuar të
mblidhte ndihma në të holla dhe të regjistronte vullnetarë
për kryengritjen shqiptare.
Çështja shqiptare u përkrah veçanërisht
nga kolonitë arbëreshe, që zhvilluan një veprimtari
të gjerë në të mirë të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare. Edhe mjaft të rinj italianë
e të vendeve të tjera, studentë e punëtorë,
shprehën gatishmërinë për të marrë
pjesë në ekspeditën e vullnetarëve, të
cilën mendohej se do ta drejtonte i biri i Xhuzepe Garibaldit,
Riçioti Garibaldi (Ricciotti Garibaldi).
Atdhetarët shqiptarë punonin për të siguruar
përkrahjen e qeverisë italiane. Por qarqet qeveritare
italiane mbajtën një qëndrim tjetër nga ai i
popullit italian. Italia po përgatitej atëherë për
luftën për të pushtuar Tripolin. Në këto
rrethana Roma nuk ishte e interesuar të ndërhynte në
Shqipëri, sepse kjo do të shkaktonte kundërveprimin
e rivales së saj, të Austro-Hungarisë. Në shkurt
të vitit 1911 qeveria italiane e ndaloi ekspeditën e vullnetarëve
dhe mori masa për të penguar çdo ndihmë, që
mund t’u jepej kryengritësve shqiptarë nga Italia.
Në këto rrethana Riçioti Garibaldi deklaroi se
hiqte dorë nga ekspedita e propaganduar me aq bujë, “meqë
(ajo - shën. i aut.) dëmton interesat diplomatikë
të Italisë”.
Qeveria austro-hungareze, e shqetësuar nga zhvillimi i ngjarjeve
në Shqipëri, vijonte të kërkonte nga Porta e
Lartë që të ndiqte një politikë të
urtë në Ballkan dhe t’u bënte lëshime
shqiptarëve. Në të njëjtën kohë Vjena
ushtronte trysni ndaj shqiptarëve që të mos hidheshin
në kryengritje.
Përgatitja e kryengritjes në Shqipërinë e Veriut
shqetësoi edhe shtetet ballkanike, sepse përmbushja e
kërkesave të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare binte
ndesh me synimet e tyre aneksioniste ndaj tokave shqiptare. Përveç
Malit të Zi, i cili ngutej të përfitonte nga kryengritja
për të shpërthyer luftën me Turqinë, shtetet
e tjera të Ballkanit, nuk e ndienin veten të përgatitur
për veprime të armatosura kundër Perandorisë
Osmane.
Në shkurt të vitit 1911 Mali i Zi iu drejtua Serbisë
për të përcaktuar qëndrimin e të dyja shteteve
ndaj një kryengritjeje të mundshme shqiptare. Por qeveria
serbe e quajti të parakohshëm një veprim të
tillë.
Komitetet e fshehta shqiptare mendonin ta fillonin kryengritjen
në pranverën e vitit 1911, pasi të bëheshin
të gjitha përgatitjet e nevojshme. Komiteti i Manastirit
udhëzonte atëherë komitetet e tjera që të
formonin çeta prej 50 vetash. Përpjekje të shumta
po bëheshin për të futur armë në Shqipëri.
Ndërkohë numri i refugjatëve në Mal të
Zi nga Kosova, nga Malësia e Mbishkodrës dhe nga vetë
qyteti i Shkodrës, sipas njoftimeve nga Cetina, arriti mbi
7 000 veta. Shumica e tyre qenë strehuar në Podgoricë,
në Ulqin, në Nikshiq e në vende të tjera. Midis
malësorëve të arratisur ishin rreth 400 veta nga
Kastrati, të prirë nga vojvoda Zenel Shabani, 400 të
tjerë nga Hoti me Dedë Gjo Lulin në krye, 800 nga
Shkreli të kryesuar nga vojvoda Prend Marashi, dhe 400 të
tjerë nga Gruda me bajraktarin Dedë Nikaj në krye.
Përveç këtyre ishin edhe 1 200 refugjatë nga
Kelmendi, nga Selca dhe nga Postriba.
Emigrantët e përqendruar në Mal të Zi organizuan
Komitetin e tyre në Podgoricë, i cili merrej me mbledhjen
e ndihmave, por edhe me organizimin e kryengritjes. Në fund
të muajit janar dhe në fillim të shkurtit 1911 Komiteti
organizoi një miting, në të cilin u shpreh vendosmëria
e shqiptarëve për vazhdimin e luftës kundër
sundimit osman dhe për përgatitjen e kryengritjes së
re në pranverë. Në rezolutën që u miratua
në këtë tubim, theksohej se refugjatët e strehuar
në Mal të Zi do të largoheshin prej andej vetëm
kur Porta e Lartë të plotësonte kërkesat e parashtruara
nga shqiptarët në Kongresin e Dytë të Manastirit,
kur t’u ktheheshin armët malësorëve, kur të
përjashtoheshin shqiptarët nga shërbimi ushtarak
dhe të liroheshin të burgosurit e dënuar për
faje politike.
Një punë të madhe bëri Komiteti për sigurimin
e armëve dhe të municioneve. Ai u bë qendër,
ku u grumbulluan gjatë kryengritjes atdhetarë nga viset
e ndryshme të Shqipërisë, si edhe nga kolonitë
e mërgimit. Komiteti u ndihmua edhe nga atdhetarët që
ndodheshin në Mal të Zi, si Risto Siliqi etj., si edhe
nga Nikollë Ivanaj, Hilë Mosi, Luigj Gurakuqi etj. që
shkuan më pas në Podgoricë.
Përfaqësues të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
bënë përpjekje për të siguruar përkrahjen
e qeverive të shteteve fqinje dhe sidomos të Serbisë
e të Bullgarisë. Por si Bullgaria, ashtu edhe Serbia,
nëpërmjet përfaqësuesve të vet diplomatikë
në Romë, u kumtuan përfaqësuesve të Lëvizjes
Kombëtare Shqiptare se, derisa nuk do të cenoheshin interesat
e tyre shtetërorë dhe kombëtarë, ato do të
vijonin t’i përmbaheshin neutralitetit të plotë.
Në këto rrethana Komiteti i Podgoricës u përpoq
të shfrytëzonte ndihmën e qeverisë malazeze,
por pa rënë në kurthin e politikës së saj
grabitqare ndaj tokave shqiptare. Por kjo nuk ishte e lehtë
të arrihej. Prandaj në krye të Komitetit, për
arsye taktike, ishte vënë atëherë Sokol Baci,
i njohur si njeri i krajl Nikollës.
Qeveria e Malit të Zi mori të gjitha masat që kryengritja
të mos fitonte karakter kombëtar, por të kufizohej
në caqet lokale. Kjo do t’i jepte mundësi krajl
Nikollës të ndërhynte më lehtë e ta përdorte
atë për interesat e vet. Përveç kësaj
ai punoi që kryengritja të fillonte para kohe. Në
shkurt qeveria e Malit të Zi njoftoi Portën e Lartë
dhe Fuqitë e Mëdha se nuk do t’i mbante malësorët
më gjatë se 28 marsi i vitit 1911.
Ndërkaq, Isa Boletini, në një takim që pati
me krajl Nikollën, hodhi poshtë propozimin e tij që
veprimet luftarake të malësorëve të mbështeteshin
nga trupat malazeze. Po kështu veproi dhe Dedë Gjo Luli.
Komiteti i Podgoricës, për shkak të pengesave që
i nxori qeveria e Malit të Zi, nuk arriti të bashkërendonte
veprimet e tij me krahinat e tjera të Shqipërisë.
Lidhje të tilla nuk arritën të vendoseshin as edhe
me qytetarët e Shkodrës, takimi me të cilët
ishte lënë të bëhej në Cetinë më
4 prill ku do të lidhej besa. Ndërkaq, Mali i Zi, duke
synuar t’i nënshtronte me anë të urisë,
më 14 mars ua preu ndihmat malësorëve. Në këto
rrethana malësorëve të arratisur iu desh ta fillonin
kryengritjen para se të lidhej besa me shkodranët, ndërsa
vendosja e bashkëpunimit me viset e tjera qe pothuajse e pamundur.
Shpërthimi i kryengritjes dhe veprimet luftarake
(mars – fillimi i qershorit 1911)
Kryengritja filloi më 24 mars të vitit 1911 kur malësorët
e Hotit, të udhëhequr nga Ded Gjo Luli, nga Gjek Marash
Gjeloshi e të tjerë, filluan veprimet e armatosura dhe
sulmuan fortifikatën kufitare të Rapshës. Lëvizja
u shtri shumë shpejt në Grudë, në Kelmend dhe
në Kastrat.
Shpërthimi i kryengritjes shkaktoi panik tek autoritetet xhonturke
në Shkodër. Autoritetet osmane menduan të përdornin
si mjet për ta penguar kryengritjen fanatizmin fetar, duke
synuar të nxisnin përçarjet e grindjet fetare ndërmjet
shqiptarëve myslimanë e katolikë. Në të
njëjtën kohë xhonturqit hapën fjalë në
të katër anët, se malësorët kryengritës
ishin veglat e krajlit të Malit të Zi, domethënë
të një shteti të krishterë. Për të
nxitur konfliktin ndërmjet shqiptarëve, autoritetet osmane
u shpërndanë myslimanëve të qytetit dhe të
rajoneve përreth 4 000 armë. Por popullsia myslimane e
priti me shpërfillje këtë propagandë. Vetëm
një pjesë e vogël e atyre që morën armë
luftuan kundër malësorëve. Edhe këta nuk i shqetësonte
përkatësia fetare e Malit të Zi, por synimet e tij
tashmë të njohura ndaj trevave shqiptare dhe vetë
qytetit të Shkodrës.
Kryengritja përfshiu menjëherë krahinat e Malësisë
së Madhe. Numri i kryengritësve arriti brenda pak ditësh
në 3 000 veta. Më 28 mars kryengritësit morën
qytezën e Tuzit. Garnizoni i vogël ushtarak dhe qeveritarët
u detyruan të mbylleshin në kalanë e quajtur Shipshanik,
që ndodhej në krye të saj. Më 30 mars 400 malësorë
sulmuan Koplikun, por u tërhoqën për mungesë
armësh e municionesh.
Më 30 mars u bë në Cetinë mbledhja e udhëheqësve
të kryengritjes, e cila miratoi një memorandum drejtuar
Fuqive të Mëdha. Në këtë dokument kërkohej
paprekshmëria e territoreve shqiptare; të njihej gjuha
shqipe si gjuhë zyrtare në të katër vilajetet,
në zyra e gjyqe dhe si gjuhë mësimi në shkolla;
të gjithë nëpunësit në Shqipëri të
ishin shqiptarë dhe të njihej zyrtarisht kombësia
shqiptare; të ardhurat buxhetore të shpenzoheshin në
dobi të vendit; ushtarët shqiptarë të mos shërbenin
jashtë trojeve shqiptare, me përjashtim të rasteve
të luftës. Memorandumi ishte nënshkruar nga Muharrem
Bushati, Isa Boletini, Sokol Baci, Ded Gjo Luli, Abdulla Aga, Preng
Kola dhe Mehmet Shpendi. Shtypi i kohës theksonte se, megjithëse
kryengritja zhvillohej në një trevë të ngushtë,
të banuar kryesisht nga katolikë, kryengritësit dolën
me kërkesa kombëtare. Ata në thelb kërkuan autonominë
e Shqipërisë.
Më 6 prill 1911 u zhvilluan përleshje të ashpra ndërmjet
malësorëve dhe forcave turke prej Tuzit deri në Kastrat.
Por luftimet më të rrepta u zhvilluan atë ditë
pranë Deçiqit, ku u asgjësuan 30 ushtarë,
ndërsa nga kryengritësit mbetën në fushën
e luftës shtatë veta, midis të cilëve ishte
edhe prijësi i tyre, Nish Gjelosh Luli.
Më 8 prill 200 malësorë u bënë ballë
në afërsi të Kastratit për gjashtë orë
rresht 1 200 forcave xhonturke, të cilat pas tërheqjes
së kryengritësve plaçkitën dhe dogjën
Bajzën e Kastratit.
Me qëllim që t’i fuste shqiptarët në mes
dy zjarresh, komanda e ushtrisë osmane dërgoi nga Gjakova
katër batalione nën drejtimin e Ethem Pashës. Kur
po vinte nga Gucia, natën e 16 prillit, ushtria osmane u sulmua
te Hani i Gropës nga banorët e Selcës. Ajo nuk arriti
të vazhdonte marshimin drejt teatrit kryesor të luftimeve
përreth Tuzit.
Për tri javë rresht xhonturqit nuk mundën jo vetëm
t’i nënshtronin malësorët, por as të lidheshin
me garnizonin e rrethuar të Tuzit dhe të përforcoheshin
në Deçiq.
Fillimi i parakohshëm i kryengritjes në Veri, që
ndodhi për shkak të presioneve të qeverisë malazeze,
pengoi përhapjen e saj të menjëhershme në viset
e tjera më të afërme. Kryengritja e malësorëve
i gjeti këto pjesë të vendit ende të papërgatitura
dhe të paorganizuara për veprime të armatosura të
përbashkëta. Trevat veriore të vendit, sidomos Kosova,
Mirdita e krahinat e tjera, ishin të çarmatosura nga
ekspedita e vitit 1910. Megjithatë, Isa Boletini dhe Sulejman
Batusha nuk hoqën dorë nga përpjekjet për zgjerimin
e kryengritjes në viset e Rrafshit të Dukagjinit.
Në këto rrethana kryengritësit e Veriut iu drejtuan
shqiptarëve të Jugut duke u bërë thirrje që
të bashkoheshin me ta. Më 15 prill 1911 përfaqësues
të Kosovës çuan në viset jugore thirrjen që
Isa Boletini e kishte lëshuar disa kohë më parë
(më 23 mars) nga malet e Shqipërisë, në të
cilën thuhej: “... Na i kemi marrë të gjitha
masat e nevojshme dhe nuk kemi frikë qoftë dhe sikur qeveria
të dërgonte të gjitha ushtritë e saj... Ju duhet
sa më shpejt që të jetë e mundun të dërgoni
njerëz dhe të përgatitni popullin ... Na nuk duhet
ta humbim rasën e favorshme që kemi sot”.
Kryengritja e Veriut vuri në lëvizje edhe përkrahësit
e veprimeve të armatosura në jug të vendit. U krijuan
komitete të reja, si “Shoqëria e Zezë për
Shpëtim”, që dërguan përfaqësuesit
e tyre në Kosovë. Në Kolonjë u mbajt një
mbledhje e udhëheqësve të lëvizjes, ku morën
pjesë edhe emisarët kosovarë që sollën
letrën e Isa Boletinit. Këtu u vendos të shpejtohej
organizimi i çetave dhe në fillim të qershorit
të niste kryengritja edhe në jug të vendit.
Përkrahësit e veprimeve kryengritëse iu drejtuan
popullit me këto fjalë: “Vëllezërit tanë,
gegët, po na ftojnë ne të bijt e Pirros, që
t’u vijmë në ndihmë, e prandaj çdo shqiptar
e ka detyrë të marrë hutën në krah e të
bashkohet me kryengritësit e të mos lëmë të
na turpërohet “Baba Tomori” i shenjtëruar
që po buçet. Duam, pra, lirinë dhe vetëqeverisjen
e Shqipërisë, duam të drejtat tona dhe do t’i
kërkojmë gjersa të shuhemi të gjithë”.
Në vilajetin e Janinës, në rajonet e Korçës,
të Elbasanit, të Dibrës dhe të Ohrit komitetet
e fshehta filluan të shpërndanin armë dhe të
organizonin çeta. Më 16 prill u organizua në Manastirin
e Cepos një mbledhje me krerët e kryengritësve të
Gjirokastrës, të Delvinës dhe të viseve të
tjera të Shqipërisë së Jugut, të cilët
u betuan për t’u ngritur në luftë të armatosur
kundër Perandorisë Osmane.
Mirëpo, për shkak të qëndrimit pritës të
elementëve të moderuar e të lëkundshëm
dhe të trysnisë së faktorëve të jashtëm,
Komiteti i Manastirit i shtyti përgatitjet për kryengritje
në një kohë të pacaktuar, por gjithnjë
brenda vitit 1911.
Më 17 prill zbarkoi në Shëngjin gjenerali turk Shefqet
Turgut pasha me tetë batalione, 5 000 ushtarë, dy bateri
malore, një divizion mitralier, 800 kuaj, 10 000 pushkë
dhe materiale të shumta luftarake. Në të njëjtën
kohë 20 000 ushtarë të tjerë po mobilizoheshin
në Anadoll, përveç batalioneve të rezervistëve
që do të rekrutoheshin në Rumeli, në Turqinë
Evropiane. Me Shefqet Turgut pashën erdhi edhe Preng Bibë
Doda, i thirrur nga Vjena prej xhonturqve për të qetësuar
Mirditën dhe për të penguar bashkimin e saj me kryengritjen.
Ushtritë osmane me rrugë detare erdhën e zbarkuan
në Shkodër më 18 prill. Mbërritja e forcave
të reja osmane nuk i ndali sulmet e kryengritësve, në
radhët e të cilëve luftonin edhe atdhetarë të
tillë, si Luigj Gurakuqi, Hil Mosi e të tjerë. Më
22 prill dështoi kundërsulmi që forcat xhonturke
ndërmorën nga ana e Shipshanikut dhe e Deçiqit.
Në proklamatën e publikuar më 1 maj 1911, të
shkruar në shqip, frëngjisht, gjermanisht e italisht,
kryengritësit parashtruan edhe njëherë programin
e tyre autonomist. Pasi flitej për vendosjen pas Revolucionit
të regjimit xhonturk, të cilin e përkrahën edhe
shqiptarët, në proklamatë shpalleshin këto kërkesa
të kryengritësve: 1) Shqipëria të bëhej
vetëqeverimtare me sigurim të qeverive të mëdha
nën hije të Turqisë; 2) Shkollat shqipe të mbaheshin
prej qeverisë; 3) Ushtarët shqiptarë të mos
dilnin jashtë kufijve të Shqipërisë, përveç
se në rast lufte.
Ndërkaq, përpjekjet luftarake u bënë më
të shpeshta dhe më të rrepta. Më 3 maj u zhvillua
një nga përleshjet më të mëdha të
kryengritësve me forcat osmane, pas së cilës u hap
rruga për në qendrën e vilajetit, në Shkodër.
Luigj Gurakuqi shkruante ato ditë se “do të kishim
marrë Shkodrën, po të kishim pasë armë”.
Ngjarjet e Kryengritjes shqiptare të vitit 1911 patën
jehonë brenda dhe jashtë vendit. Me kryengritësit
u bashkuan, sado të paktë, edhe vullnetarë nga Italia
e Bullgaria. Shtypi i huaj shkruante për trimërinë
e grave shqiptare, për “amazonat shqiptare”, të
cilat, krahas burrave, prindërve dhe vëllezërve të
tyre, luftonin kundër pushtuesve osmanë.
Një veprimtari të gjerë në të mirë
të kryengritjes zhvilloi brenda vendit “Shoqëria
e Zezë për Shpëtim”. Ajo punoi për mbledhjen
e ndihmave për kryengritësit e Veriut në emër
të Lidhjes “Për Liri o për Vdekje”.
Në kolonitë e mërgimit në Amerikë, në
Bullgari, në Rumani, në Egjipt (Misir) etj., mbaheshin
konferenca për Shqipërinë dhe për luftën
e shqiptarëve kundër sunduesve osmanë. Shqiptarët
e Amerikës mblodhën për kryengritësit një
shumë të madhe të hollash. U vendos që 30 vullnetarë
të shkonin nga Amerika në Shqipërinë e Jugut
(Toskëri) për të shtrirë edhe atje kryengritjen.
Fan S. Noli dhe atdhetarë të tjerë u përpoqën
të siguronin përkrahjen e Greqisë, por Athina përsëri,
ashtu si më parë, këmbënguli që kryengritja
shqiptare të zhvillohej vetëm në veri të lumit
Shkumbin.
Gjatë muajit maj patriotët shqiptarë të grumbulluar
në Korfuz, si Nikollë Ivanaj, Themistokli Gërmenji,
Ismail Qemali, Pandeli Cale, Stefan Kondillari, Spiro Bellkameni
e të tjerë, krijuan një degë të komitetit
shqiptar të Barit. Ndërkaq u shtuan përpjekjet për
organizimin e kryengritjes në Shqipërinë e Jugut,
ku po punohej për sigurimin e armëve.
Më 9 maj Shefqet Turgut pasha në përgjigje të
proklamatës së kryengritësve të datës 1
maj 1911, publikoi shpalljen, ku thuhej se udhëheqësit
e kryengritjes do t’i jepeshin gjyqit ushtarak, ndërsa
ata që do të dorëzoheshin brenda pesë ditëve,
duke dhënë armët e duke iu nënshtruar ligjeve
e urdhrave të qeverisë, do të përfitonin nga
mëshira e saj. Në shpallje thuhej se, po të qëllohej
kundër ushtarëve, do të dënohej së bashku
me fajtorin edhe pleqësia e katundit. Urdhërohej që
frëngjitë e kullave të malësorëve të
hapeshin një kut të gjëra e të gjata ose të
mbylleshin krejt.
Shpallja ra në duart e kryengritësve më 11 maj, ditën
e vendosjes së shtetrrethimit dhe të krijimit të
gjykatës ushtarake në Shkodër. Shefqet Turgut pasha
kishte kohë që po merrte masat shtypëse, internonte
familjet e pjesëmarrësve të kryengritjes dhe të
atyre që dyshoheshin se kishin ndihmuar kryengritjen (pika
8 e shpalljes).
Kryengritësit iu përgjigjën thirrjes së Shefqet
Turgut pashës me një deklaratë që u miratua
në mbledhjen e mbajtur në Pikalë, të nënshkruar
nga 60 udhëheqës të tyre, e cila iu dorëzua
konsujve të huaj në Cetinë. Në këtë
dokument thuhej se qysh nga dita kur ushtritë osmane kanë
rrënuar e djegur shtëpitë e malësorëve
shqiptarë, kanë dhunuar nderin e shqiptarit dhe kanë
mbytur fëmijët, ata vendosën “me qëndrue
derisa t’u jesi ma e mbramja pikë e gjakut ndër
dej” dhe e “grishnin” gjeneralin turk “me
dalë në lamë të luftës”.
Pa pritur të mbaronte ende afati i armëpushimit të
caktuar në shpalljen e tij, Shefqet Turgut pasha më 14
maj goditi befasisht malësorët. Ushtria osmane prej 6
000 vetash, e pajisur me artileri e mitraloza, u hodh sërish
mbi Deçiq. “Forcat morën këto pozita, - shkruante
konsulli austriak në Shkodër, - duke i dëbuar rrebelët
pllambë për pllambë”.
Pas këtij operacioni turqit mundën të forcoheshin
në vijën Tuz-Deçiq-Kastrat, ku vendosën 6
000 ushtarë në drejtim të Shipshanikut dhe 5 000
të tjerë nga ana e Koplikut. Nga ana e Gucisë vijonte
të ushtronte presion mbi kryengritësit në drejtim
të Selcës një forcë e komanduar nga Ethem Pasha,
e cila kishte arritur në 8 batalione. Ajo i mbajti të
ngujuara forcat kryengritëse të Kelmendit pa arritur të
bëjë asnjë hap përpara u detyrua të kthehej
në Guci.
Përballë këtyre forcave osmane, pa llogaritur trupat
e shumta të dislokuara në Fushë të Shtojit pranë
Shkodrës, qëndronin vetëm 2 000 kryengritës
shqiptarë, të përqendruar në mes të Dinoshës
dhe Tuzit.
Shefqet Turgut pasha, duke përdorur artilerinë, shkatërroi
të gjitha katundet që bënë qëndresë.
Ushtria osmane nuk kurseu as malësorët myslimanë.
Për t’u shpëtuar mizorive xhonturke, shumë
familje malësore, gra, fëmijë e pleq, vazhdonin të
kalonin në Mal të Zi.
Ndërkaq zhvilloheshin luftimet në Shqipërinë
e Veriut. Më 3 qershor 350 malësorë sulmuan Lezhën
dhe e detyruan garnizonin osman të mbyllej në Atik-Kala.
Midis mirditasve, që morën pjesë në këtë
sulm, kishte edhe shqiptarë myslimanë nga Mati, nga Luma,
nga Dibra, madje edhe nga Kosova. Kryengritësit prenë
komunikimet tokësore e telegrafike midis Lezhës, Shkodrës
dhe Shëngjinit.
Por pas ndihmave që ushtrisë osmane filluan t’i
vinin nga Shëngjini, kryengritësit u detyruan të
tërhiqeshin nga Lezha.
Zgjerimi i kryengritjes shkaktoi reagimin e qarqeve politike të
Shteteve të Mëdha. Synimi i qeverisë malazeze për
t’u përfshirë drejtpërsëdrejti në
aksionet luftarake të malësorëve kryengritës
nuk gjeti miratimin jo vetëm në Serbi, por as në
Rusi. Qeveria cariste e kërcënoi Cetinën se do t’i
ndërpriste subvencionet që i jepte Malit të Zi, në
rast se ndihmonte kryengritjen.
Qeveria austro-hungareze, e shqetësuar nga mundësia e
një ndërhyrjeje të Malit të Zi në konfliktin
shqiptaro-osman, ushtroi trysni mbi Cetinën duke kërkuar
që ajo të qëndronte asnjanëse. Vjena bëri
të gjitha përpjekjet që kryengritja të mos përhapej
në viset e tjera.
Për të penguar sadopak zgjerimin e kryengritjes së
malësorëve në krahina të tjera të Shqipërisë,
Komiteti “Ittihad ve Terekki” (“Bashkim e Përparim”)
organizoi udhëtimin e sulltanit plak, Mehmet Reshati V, në
Kosovë. Mendohej se ky udhëtim i sulltanit do ta lehtësonte
“kthimin në vathë” të atyre, që
ishin larguar nga “vëllazërimi osman”.
Udhëtimi u organizua në formën e pelegrinazhit në
varrin e sulltan Muratit I, të vrarë në Fushë
të Kosovës. Sulltani udhëtoi vetëm në krahinën
e Kosovës për ta veçuar këtë trevë
nga kryengritja shqiptare në Malësi të Mbishkodrës.
Më 15 qershor ai mbërriti në Prishtinë, ku u
organizua një paradë e madhe ushtarake, por nuk u mblodhën
aq njerëz sa pritnin xhonturqit. Nga frika se ceremonia në
Gazimestan (në tyrben e sulltan Muratit) mund të kthehej
në një manifestim kundërosman, ajo u mbyll shpejt
me largimin prej andej të sulltanit dhe të personaliteteve
që e shoqëronin. Kjo ndërmarrje e xhonturqve, siç
pohojnë bashkëkohësit, s’qe veçse një
komedi e inskenuar keq.
Ndërkohë lëvizja kryengritëse filloi të
zgjerohej edhe në jug të vendit. Në qershor doli
në mal çeta e Korçës (me dr. Haki Mborjen
në krye) dhe filluan të veprojnë edhe çeta
të tjera. Shtrirja e lëvizjes së armatosur në
jug e shqetësoi Athinën. Gazeta ruse “Ruskoje sllovo”,
në një korrespondencë nga Athina shkruante: “Shtypi
grek, i cili gjer më dje dëftente simpathi për kryengritjen
shqiptare, sot nga që u hap kryengritja dhe në Epir, e
quan veprimin e komitetit të shqiptarëve dinak, se kërkon
mjeshtërisht ta quaj atë provincë, që është
fjeshtë greke, të shqiptarizuar”.
Më 17 qershor Shefqet Turgut pasha në emër të
sulltanit shpalli edhe një herë amnistinë për
kryengritësit që duhej të dorëzoheshin brenda
10 ditëve, duke premtuar gjithashtu 10 000 lira për shtëpitë
e djegura. Në shpalljen që nxori me këtë rast
thuhej se qeveria turke do të kujdesej për nevojat e vendit,
për të shlyer dëmet që u ishin bërë
kohët e fundit shqiptarëve, si edhe për të siguruar
të mirën e qetësinë e popullit. Por në
shpallje nuk bëhej fjalë për asnjë nga të
drejtat kombëtare të shqiptarëve.
Pas shpalljes së 17 qershorit xhonturqit disa herë u përpoqën
të hynin në bisedime me kryengritësit, por dështuan,
sepse ndeshën në vendosmërinë e tyre për
të luftuar deri në fund për të drejtat e tyre
kombëtare.
Duke pasur parasysh që pjesa më e madhe e kryengritësve
të Malësisë së Mbishkodrës ishin katolikë,
Stambolli mendoi se njerëz më të përshtatshëm
për të hyrë në bisedime me malësorët
do të ishin klerikët katolikë. Për këtë
Porta e Lartë kërkoi edhe ndihmën e protektores së
kultit të Austro-Hungarisë. Arkipeshkvi i Shkodrës,
Jak Serreqi, që u ngarkua me detyrën e vështirë
të ndërmjetësit në mes shqiptarëve kryengritës
dhe Portës, e mori përsipër këtë rol, por
me disa kushte. Autoritetet ushtarake e civile turke formuluan programin
prej 8 pikash, me të cilin do të hyhej në bisedime
me malësorët. Këto ishin shumë larg kërkesave
të kryengritësve, të kërkesës së autonomisë
së shpallur nga krerët e tyre qysh në muajin mars.
Prandaj pikat e propozuara nuk u përfillën nga krerët
e kryengritjes. Në këto rrethana misioni i klerikëve,
të kryesuar prej Jak Serreqit, që u dërgua pranë
malësorëve kryengritës, dështoi.
2. KUVENDI I GREÇËS
(23 QERSHOR 1911)
Memorandumi i Greçës
Mbërritjen e komisionit të klerikëve në Mal
të Zi dhe përpjekjet e xhonturqve për t’u marrë
vesh me ta, kryengritësit e shfrytëzuan për të
dalë para qeverisë osmane dhe Fuqive të Mëdha
sërish me kërkesën e autonomisë së Shqipërisë.
Me nismën e Komitetit të kryengritjes (të Podgoricës),
u mblodh në pllajën e Greçës, në perëndim
të Selcës, në Malësinë e Madhe Kuvendi
i Përgjithshëm i krerëve shqiptarë, i cili më
23 qershor miratoi dokumentin më të rëndësishëm
të kryengritjes, të njohur me emrin “Memorandumi
i Greçës”, i hartuar nga Ismail Qemali e Luigj
Gurakuqi. Këtë dokument, i njohur si “Libri i Kuq”
(për shkak të ngjyrës së ballinës së
broshurës në të cilën u shtyp) ia paraqiti Kuvendit
të krerëve të kryengritjes Luigj Gurakuqi.
Me këtë akt kryengritja e armatosur e shqiptarëve
të veriut kishte tani një program kombëtar në
të cilin aderuan tashmë të gjithë shqiptarët.
Në hyrje të memorandumit (“Librit të Kuq”)
flitet për ndihmën që dhanë shqiptarët
për të sjellë xhonturqit në fuqi. Disa privilegje
që u kishte njohur deri atëherë sulltani autokrat
krahinave malore, theksohet në këtë dokument, nuk
i penguan shqiptarët të ngriheshin e të kërkonin
kushtetutën për të gjithë popujt e shtypur.
Por shpresat e tyre te regjimi kushtetues nuk u përligjën.
Madje ishin xhonturqit ata që me politikën e tyre i shtynë
shqiptarët të rrëmbenin armët e të luftonin
për të drejtat e tyre. Shqiptarët, aleatë të
xhonturqve, u bënë më e para viktimë e politikës
së egër nacionaliste e xhonturqve. Mbi shqiptarët
u turrën taborret e Xhavit Pashës dhe të Shefqet
Turgut pashës. Por edhe pasi shqiptarët i dhanë armët,
theksohej në hyrjen e “Librit të Kuq”, turqit
e rinj nuk mendonin aspak t’i zbatonin reformat e premtuara.
Në memorandum parashtroheshin këto kërkesa: t’u
jepej garanci se nuk do të përsëriteshin veprimet
antikushtetuese nga qeveria qendrore dhe nga autoritetet lokale
në të gjithë Shqipërinë dhe se do të
respektoheshin fetë e zakonet e vendit; të njihej kombi
shqiptar me po ato të drejta që kishin kombet e tjera
të Perandorisë Osmane; të kishte liri të plotë
për zgjedhjen e deputetëve shqiptarë, numri i të
cilëve të ishte në përpjesëtim me popullsinë;
të kishte liri për përhapjen e gjuhës shqipe
dhe të shkollave shqipe; të bëhej bashkimi i vilajeteve,
ku jetojnë shqiptarët, sipas decentralizimit administrativ,
dhe të harmonizoheshin ligjet turke me të drejtat zakonore
të vendit; nëpunësit e lartë të dinin gjuhën
e zakonet e vendit; të gjithë nëpunësit civilë
dhe financiarë të ishin shqiptarë, ndërsa gjyqtarët,
xhandarët e policët të ishin gjithashtu vendas; të
caktohej një guvernator i përgjithshëm nga sulltani
për një periudhë të caktuar; të përdorej
gjuha shqipe në administratë, në gjyqe e kuvende,
përkrah turqishtes, që mbetej gjuhë zyrtare e qeverisë
qendrore; shërbimi ushtarak i detyrueshëm për të
gjithë në kohë paqeje të kryhej në vend,
ndërsa për banorët e zonave kufitare të organizohej
një shërbim i veçantë ushtarak, që do
të kryhej në krahinat e tyre, për të ruajtur
kufijtë; të përdoreshin në vend, për ndërtime
rrugësh, hekurudhash, shkollash e të tjera, të ardhurat
fiskale me përjashtim të atyre të doganës, të
postës, të telegrafës, të duhanit, të alkoolit
dhe të pullave, të cilat ishin monopole të shtetit
ose u ishin dhënë të huajve sipas kapitulacioneve;
t’u njihej fshatarëve e drejta për prerjen e pyjeve
sipas një takse; këshillat e përgjithshme të
kishin të drejtë të jepnin vendime për buxhetin
e vilajeteve dhe të kontrollonin shpenzimet; të jepeshin
fonde të nevojshme për rregullimin e shtëpive e të
dëmeve të tjera të shkaktuara nga operacionet e ushtrive
osmane dhe t’u ktheheshin shqiptarëve armët që
u ishin marrë.
Memorandumi i Greçës parashtronte një program të
plotë të autonomisë së Shqipërisë,
ashtu siç ishte konceptuar ajo në platformën e
Lëvizjes Kombëtare Shqiptare qysh nga koha e Lidhjes së
Prizrenit. Ky memorandum kishte një rëndësi të
veçantë, sepse dilte nga gjiri i kryengritjes dhe në
formulimin tij morën pjesë veprimtarët atdhetarë
të krahinave të ndryshme të vendit e të kolonive
shqiptare të mërgimit. Përmbajtja kombëtare
e këtij memorandumi ishte një argument i fuqishëm
për të kundërshtuar trillimet e qeverisë turke
dhe të propagandës së shteteve fqinje që mohonin
karakterin e vërtetë kombëtar të lëvizjes
shqiptare dhe e paraqisnin kryengritjen e malësorëve si
kryengritje fetare për ruajtjen e venomeve të vjetra lokale.
Pranimi i kërkesave të Greçës, siç
pohonte Ismail Qemali, do të ishte një fitore e nacionalizmit
shqiptar. Këto kërkesa drejtoheshin njëherazi kundër
politikës së qeverisë malazeze, e cila orvatej me
anën e agjentëve të saj t’i bindte malësorët
të viheshin nën mbrojtjen e Malit të Zi.
Memorandumi ushtroi ndikim të fuqishëm edhe në pjesët
e tjera të Shqipërisë dhe nxiti përpjekjet që
u bënë për kthimin e kryengritjes së Veriut
në një kryengritje të përgjithshme.
“Libri i Kuq” iu dorëzua nga përfaqësuesit
e kryengritësve ambasadorit turk në Mal të Zi, Sadredin
Beut, që e pranoi atë pa dhënë ndonjë përgjigje.
Për të pasur garancinë e Fuqive të Mëdha
për plotësimin e kërkesave të tyre, një
delegacion i kryengritësve, i përbërë nga Luigj
Gurakuqi, Dedë Gjo Luli, Sokol Baci etj., ua dorëzoi Memorandumin
e Greçës përfaqësuesve të Fuqive të
Mëdha në Cetinë.
Ndërkaq Shefqet Turgut pasha shpalli një proklamatë
të dytë, me të cilën shtyhej afati i dorëzimit
të kryengritësve edhe 15 ditë të tjera, duke
filluar nga 27 qershori. Malësorët lajmëroheshin
gjithashtu se Porta kishte dërguar një vali dhe një
kajmekam, që dinin gjuhën shqipe. Por më 9 korrik
Stambolli u detyrua t’a shtynte për të tretën
herë afatin e dorëzimit të kryengritësve edhe
për 20 ditë të tjera.
Me gjithë kërkesat këmbëngulëse të
kryengritësve, qeveria osmane nuk kishte ndërmend t’i
jepte autonominë Shqipërisë. Ajo e quante këtë
të papranueshme, si një akt që do të sillte
me vete shkatërrimin e Perandorisë Osmane.
Stambolli vijoi të përdorte kundër malësorëve
50 batalione të komanduara nga Shefqet Turgut pasha, me 70
000 ushtarë e 60 gryka artilerie me qitje të shpejtë.
Për të përligjur luftën e gjatë me malësorët
dhe këtë përqendrim të forcave të shumta
në Shqipëri kundër një grushti malësorësh,
propaganda zyrtare turke shpalli se në kryengritje ishin çuar
20 000 malësorë. Në të vërtetë, gjithë
familjet e kryengritësve, që ishin mbartur në Mal
të Zi për t’i shpëtuar terrorit xhonturk, arrinin
në rreth 15 000 veta, ndërsa në radhët e luftëtarëve
ishin vetëm 4 000 kryengritës.
Megjithatë, në përpjekjet me kryengritësit,
Shefqet Turgut pasha la qindra të vrarë. Ai u detyrua
të pranonte, se “... çdo ditë janë bërë
përpjekje të ashpra e të vazhdueshme, kryengritësit
i kanë dalë zot çdo shkëmbi, çdo shtëpie
dhe e kanë lënë vendin vetëm duke dhënë
jetën”. Përkrah burrave luftuan edhe gratë
malësore, ndër të cilat u dalluan Tringë Smajlja
e Norë Kolja. Në luftë merrnin pjesë gjithashtu
të rinj 16 vjeçarë dhe pleq deri në 70 vjeç.
Vetë udhëheqësi i kryengritësve Dedë Gjo
Luli ishte 71 vjeç.
Malësorëve u dha dorë taktika e luftimit në
grupe të vogla kundër armikut shumë të madh
në numër dhe njohja e terrenit. Ata zinin shtigjet e qafat
e pakalueshme. Sulmonin armikun aty ku ai nuk e priste dhe tërhiqeshin
në rregull, pa dëme.
Por lufta e kryengritësve vështirësohej nga mungesa
e armëve, e municioneve dhe e ushqimeve. Lufëtarët
ishin gjysmë të uritur. Ndihmat që vinin nga kolonitë
dhe nga vendet e tjera nuk mjaftonin për t’i mbajtur
ata dhe refugjatët e shumtë, që qenë mbledhur
në Mal të Zi.
Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës dhe kërkesat
e saj tërhoqën vëmendjen e diplomacisë britanike.
Përfaqësues të kryengritësve siç ishte
Mark Kakarriqi iu drejtuan asaj në mënyrë të
posaçme. Duke përfituar nga memorandumi, që kryengritësit
shqiptarë ua drejtuan Fuqive të Mëdha, E. Grej, ministri
i Jashtëm britanik, qysh më 26 qershor kërkoi të
ndërhyhej kolektivisht pranë Portës në përkrahje
të shqiptarëve, për të kënaqur kërkesat
e tyre për gjuhën, shkollën, ndërtimin e rrugëve
dhe për amnistinë e përgjithshme.
Por ky propozim nuk gjeti përkrahje te Shtetet e tjera të
Mëdha. Gjermania e kundërshtoi një hap të tillë,
duke deklaruar se kjo do të merrej nga Stambolli si ndërhyrje
në punët e brendshme të Turqisë. Vjena iu përmbajt
po atij qëndrimi të mëparshëm, të mosndërhyrjes.
Franca gjithashtu nuk u tregua e gatshme të bashkohej me nismën
e Anglisë, kurse qeveria ruse shprehu dyshimin nëse shqiptarët
do të kënaqeshin me lëshimet e propozuara nga Grej,
kur dihej se ata kërkonin autonominë.
Nga ana tjetër, edhe shqiptarët, duke parë interesimin
e Forein Ofisit, në një memorandum të veçantë
që i drejtuan qeverisë angleze, posaçërisht
E. Grejit, më 12 korrik kërkuan edhe një herë
autonominë e Shqipërisë. Në memorandum thuhej:
“... na po bajmë fli për arsye të nalta politike
dëshirat e pavarësisë që frymëzojnë
popullin shqiptar tash pesë shekuj, e lypim vetëm autonomi
të gjanë...”.
Në memorandum bëhej fjalë gjithashtu për terrorin
që ushtria osmane po ushtronte në fshatrat e Malësisë,
ku plaçkiste, digjte e rrënonte çdo gjë.
Ndërsa shqiptarët i lironin ushtarët osmanë
që zinin rob, thuhej në këtë dokument, turqit
hakmerreshin edhe mbi popullsinë e paarmatosur, mbi pleqtë,
mbi gratë e fëmijët. Në të flitej edhe
për rastet kur njerëzit digjeshin të gjallë
nga ushtarët.
Jehona e Memorandumit të Greçës.
Zgjerimi i lëvizjes në jug (korrik-gusht 1911)
Kur u duk se edhe nisma e qeverisë angleze nuk gjeti përkrahjen
e fuqive të tjera, shqiptarët filluan të punonin
për ta shtrirë kryengritjen në të gjithë
vendin, për ta kthyer atë në një kryengritje
të përgjithshme.
Ndërkohë, për ta detyruar Portën e Lartë
të pranonte Memorandumin e Greçës si një program
që shprehte aspiratat mbarëshqiptare dhe jo vetëm
të një krahine a vilajeti, atdhetarët më të
vendosur u përpoqën të organizonin qëndresën
e armatosur edhe në Shqipërinë e Jugut.
Kjo ishte e domosdoshme të bëhej edhe për shkak se
Porta e Lartë vijonte ta trajtonte Kryengritjen e Malësisë
së Mbishkodrës dhe Memorandumin e Greçës si
një lëvizje lokale me kërkesa që i takonin vetëm
një krahine, asaj të Mbishkodrës.
Në këto rrethana atdhetarët më radikalë
të Shqipërisë së Jugut, duke përfituar
nga kryengritja e malësorëve, bënë përpjekje
për të tërhequr në lëvizje edhe elementët
e moderuar.
Memorandumi i Greçës i dha fund qëndrimit pritës
që kishin mbajtur deri atëherë disa komitete në
krahinat e tjera të vendit. Anëtarët e Komitetit
të Korfuzit menduan të arrinin paraprakisht një marrëveshje
me qeverinë greke për të siguruar edhe ndihmën
e saj. Për këtë, tre anëtarë të këtij
komiteti shkuan në Athinë, ku u takuan me Venizellosin.
Qeveria greke u rekomandoi të merreshin vesh me “Shoqërinë
kombëtare”, e cila u bëri të ditur se u vinte
në dispozicion shqiptarëve, për nevojat e kryengritjes,
ishullin e Korfuzit dhe se do t’u jepte ndihma në të
holla e të tjera, por me kusht që kryengritja të
zhvillohej në veri të lumit Shkumbin.
Për shkak të këtij qëndrimi të qeverisë
greke, një pjesë e anëtarëve të Komitetit
të Korfuzit, duke mos i ndier shpatullat të sigurta, u
tërhoq. Kështu u pengua organizimi i kryengritjes në
jug në një kohë mjaft të favorshme për
të. Shtrirja e kryengritjes në jug të vendit do të
lehtësonte atëherë edhe gjendjen e kryengritësve
të Malësisë së Mbishkodrës.
Përpjekjet për organizimin e kryengritjes në jug
të vendit u drejtuan nga komitetet “Shoqëria e Zezë
për Shpëtim”. Në krye të çetave
që vepronin në jug ishin Namik Delvina, Muharrem Rushiti,
Musa Demi, Spiro Bellkameni, Qamil Panariti, etj. “Shoqëria
e Zezë për Shpëtim” mendonte se mjeti më
i mirë për ta detyruar Turqinë të njihte Memorandumin
e Greçës ishin veprimet sulmuese të armatosura,
të cilat filluan të kryheshin nga çetat. Kryengritësit
zhvillonin njëkohësisht një agjitacion të dendur
për autonominë e Shqipërisë midis masave fshatare.
Lidhje të fshehta u vendosën me repartet shqiptare të
redifëve që ndodheshin në qytete të ndryshme
të vendit.
Më 17 korrik komitetet e jugut kishin vendosur që çetat
e armatosura të sulmonin Vlorën. Por ky plan dështoi,
sepse në çastin vendimtar, kur çetat i qenë
afruar qytetit, oficerët turq zbuluan planin e veprimit të
ushtarëve redifë që ishin lidhur me to. Megjithatë
lëvizja e çetave në jug po zgjerohej. Përleshjet
e tyre me ushtrinë osmane u bënë më të
shpeshta. Në korrik çeta e Çamërisë
u ndesh me ta në Smartë, në një luftim që
zgjati 6 orë. Në Gjirokastër kryengritësit i
bënë atentat prefektit të vendit.
Më 21 korrik u mbajt në Manastirin e Cepos, në Malin
e Gjerë, Kuvendi i përfaqësuesve të popullsisë
së Çamërisë e të Labërisë dhe
të të gjitha kazave të vilajetit të Janinës,
ku morën pjesë rreth 800 veta, midis të cilëve
edhe përfaqësues të çetave të armatosura
të Shqipërisë së Jugut. Këtu u diskutua
për qëndrimin që do të mbahej kundrejt regjimit
xhonturk në kushtet e shpërthimit të kryengritjes
së Malësisë së Mbishkodrës dhe për
përkrahjen e saj nga popullsia e Shqipërisë së
Jugut. Kuvendi miratoi një memorandum, i cili, duke pasur 43
nënshkrime të pjesëmarrësve, iu dërgua
qeverisë xhonturke. Memorandumi u nënshkrua nga përfaqësues
të popullsisë së Gjirokastrës, të Delvinës,
të Kurveleshit, të Himarës, të Filatit etj.
Në memorandum përkrahej Kryengritja e Malësisë
së Mbishkodrës dhe programi i saj i autonomisë së
Shqipërisë. Kërkohej që qeveria osmane të
zbatonte një administrim të njëllojtë si në
veri, dhe në jug, duke e parë Shqipërinë dhe
kombin shqiptar një e të pandarë. Reformat që
do të zbatoheshin në Malësinë e Mbishkodrës
të shtriheshin njëlloj në të katër vilajetet
shqiptare, të Shkodrës, të Kosovës, të
Manastirit dhe të Janinës.
Me këtë kërkesë atdhetarët mendonin të
shmangnin rrezikun që vinte nga trajtimi i Kryengritjes së
Malësisë së Mbishkodrës si një ngjarje
lokale dhe t’i tregonin Stambollit se e gjithë Shqipëria
ishte bashkuar me kërkesat e saj. Prandaj kryengritësit
e Shqipërisë së Jugut kërkuan që, gjithë
ato të drejta që do t’u jepeshin malësorëve,
ku përfshihej edhe autonomia politiko-administrative e parashtruar
në Greçë, t’i jepeshin edhe Shqipërisë
së Jugut, pra gjithë Shqipërisë. Kërkohej
gjithashtu amnisti e përgjithshme për pjesëmarrësit
e kryengritjes, liria e mësimit të gjuhës shqipe
në shkollat fillore dhe zhvillimi në të gjithë
vendin i reformave administrative. Mendohej se sendërtimi i
të gjitha këtyre kërkesave do t’i hapte rrugën
autonomisë së plotë të vendit.
Meqë xhonturqit synonin të merreshin vesh vetëm me
malësorët dhe t’i ngushtonin kërkesat e tyre
autonomiste, komiteti i fshehtë i Janinës udhëzoi
të organizoheshin mitingje të armatosura në qytetet
e Shqipërisë së Jugut, në të cilat të
mbështeteshin kërkesat autonomiste të parashtruara
nga kryengritësit e Malësisë së Mbishkodrës.
U vendos që një miting i tillë të mbahej më
23 korrik, ditën e përvjetorit të Revolucionit xhonturk.
Shumë nga pjesëtarët e çetave i quanin këto
veprime si zanafillë për të kaluar në luftime
të drejtpërdrejta kundër ushtrisë osmane. Mitingjet
e armatosura do të mbështeteshin edhe nga ana e çetave,
që u ishin afruar qyteteve. Por mitingu i parashikuar për
në 23 korrik u pengua nga kundërshtarët e lëvizjes
së armatosur. Kjo ngjarje, si edhe mungesa e iniciativës
në gjirin e udhëheqësve të komitetit të
fshehtë të Janinës, çorientuan kryengritësit
e atdhetarët e Shqipërisë së Jugut dhe ngjallën,
siç thuhet në dokumentet e kohës, frymën e
mosbesimit ndaj tyre.
Në fundin e korrikut çetat e komanduara nga Qamil Panariti
e nga Spiro Bellkameni, të përbëra prej 18 vetash,
u mblodhën në arat në mes të Orman-Çifligut
(afër Korçës) dhe të Setajt për të
sulmuar depot e armëve në Korçë. Por xhonturqit
dërguan kundër këtyre çetave 300 ushtarë
e 100 xhandarë. Gjatë përleshjes që u bë
në Orman-Çiflig, natën e 29-30 korrikut çetat
luftuan për pesë orë rresht duke lënë 6
të vrarë. Nga forcat qeveritare mbetën të vrarë
dy oficerë dhe 13 ushtarë. Pas ngjarjes në Orman-Çiflig
xhonturqit ngritën në Korçë gjyqin ushtarak
që filloi dënimet e atdhetarëve.
Në fundin e korrikut një çetë prej 100 vetash
vepronte rreth Beratit e në rrethe të afërta, mblidhte
nënshkrime për një memorandum me kërkesa politike,
i cili do t’u dorëzohej përfaqësuesve të
shteteve të huaja dhe autoriteteve osmane në Vlorë.
Komiteti Shqiptar i Vlorës dhe atdhetarë të tjerë
organizuan më 31 korrik, tek Ura e Drashovicës, një
mbledhje ku morën pjesë 3 000 veta, të cilët
shprehën solidaritetin e tyre me kryengritësit e Shqipërisë
së Veriut dhe kërkuan autonominë e Shqipërisë.
Shumica e pjesëmarrësve të mbledhjes tek Ura e Drashovicës,
gjatë rrugës për në Qafë të Sinjës,
ku do të takoheshin me çetat e rrethit të Beratit,
ranë në përpjekje me trupat osmane afër Cakranit,
ku u ndihmuan nga oficeri shqiptar i ushtrisë turke Ismail
Haki Libohova. Për këtë veprim ai u nxor para gjykatës
ushtarake të Janinës. Më 1 gusht u mbajt në
Qafë të Sinjës (Berat) një mbledhje tjetër
e përfaqësuesve të kryengritësve të rrethit
të Beratit e të Vlorës, që përkrahën
tërësisht Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës
dhe u zotuan të luftonin për zbatimin e 12 kërkesave
të Memorandumit të Greçës, domethënë
të autonomisë territoriale-administrative të Shqipërisë.
Megjithatë edhe këto veprime të atdhetarëve
të Shqipërisë së Jugut, që përkrahën
programin autonomist të Greçës, nuk arritën
ta çonin vendin në një kryengritje të përgjithshme.
Ndërkohë përfundoi pa sukses edhe veprimtaria e komisionit
të Jak Serreqit pranë kryengritësve të Shqipërisë
së Veriut. Ai nuk arriti t’i bindte malësorët
që të hiqnin dorë nga kërkesat për autonomi.
Më 22 korrik, një ditë para nisjes për në
Shkodër, përfaqësuesit e kryengritjes i dorëzuan
një notë prelatit të lartë, me të cilën
i kumtuan se nuk do t’i vazhdonin më tej bisedimet, sepse
ato nuk po zhvilloheshin mbi bazën e Memorandumit të Greçës.
Malësorët kryengritës qëndruan të patundur
në kërkesën e tyre për autonomi. Por gjendja
e 15 000 shqiptarëve të grumbulluar në Mal të
Zi po keqësohej vazhdimisht. Ajo u rëndua edhe më
shumë për shkak të vendimit që mori Mali i Zi,
më 15 korrik, për të mos u lejuar shqiptarëve
të kalonin kufirin.
Ndërkohë edhe qeveria xhonturke filloi të manovronte.
Meqë Shefqet Turgut pasha kishte fituar në mes të
shqiptarëve një emër të keq për shkak të
dy fushatave në Shqipëri, Porta e Lartë, me qëllim
që të lehtësoheshin bisedimet me malësorët
kryengritës, vendosi ta zëvendësonte atë me
një komandant tjetër, me Abdullah Pashën.
3. MARRËVESHJET ME QEVERINË
XHONTURKE
Bisedimet e Podgoricës
Në verën e vitit 1911, gjendja e kryengritësve po
keqësohej. Atyre u mungonin armët e municionet, në
kohën kur gjendeshin përballë një ushtrie të
shumtë armike. Si luftëtarët, ashtu edhe familjet
e tyre vuanin për bukë.
Gjendjen e malësorëve e rëndonte edhe më shumë
qëndrimi i qeverisë malazeze, që u bë më
armiqësor kur kryengritësit nuk pranuan të vinin
luftën e tyre në shërbim të politikës së
Cetinës. Meqë edhe Rusia nuk i lejoi Malit të Zi
ta përdorte kryengritjen shqiptare, si pretekst, për të
nisur luftën kundër Perandorisë Osmane, qeveria e
Cetinës u mundua të nxirrte ndonjë përfitim
nga vetë Turqia. Stambolli ishte i interesuar të merrej
vesh sa më shpejt me Malin e Zi, për shkak të gjendjes
që ishte krijuar në gjithë Shqipërinë.
Mali i Zi shpresonte, siç theksohet në dokumentet diplomatike
të kohës, të siguronte ndonjë “kompensim
për shpenzimet e bëra për ushqimin e malësorëve
gjatë kryengritjes, i cili do të kishte formën e
një rishikimi të kufirit në dobi të Malit të
Zi”. Në këto kushte, me ndërhyrjen e Rusisë
cariste dhe të monarkisë Habsburge, u arrit më 28
korrik marrëveshja ndërmjet Turqisë e Malit të
Zi për rregullimin e konfliktit kufitar dhe të çështjes
së të arratisurve shqiptarë.
Në po këtë kohë Abdullah Pasha, komandanti i
ri i trupave osmane, shpalli një amnisti të re, por vetëm
për malësorët. Ai u njihte atyre disa privilegje,
që nuk ishin të pranueshme për kryengritësit.
Prandaj, siç dëshmon mikja e shqiptarëve E. Durham,
shqiptarët nuk e pushuan qëndresën.
Me 30 korrik 1911 ambasadori turk në Cetinë, Sadredin
Beu, shpalli në Podgoricë përgjigjen me kundërpropozimet
e qeverisë turke ndaj kërkesave të kryengritësve.
Ato ishin shumë larg autonomisë, që shqiptarët
kërkuan në Memorandumin e Greçës dhe kufizoheshin
vetëm me zonën e kryengritjes. Me këtë dokument
qeveria xhonturke shpallte amnistinë e plotë për
të gjithë pjesëmarrësit e kryengritjes pa i
dorëzuar armët. Shërbimi ushtarak do të kryhej
brenda vilajetit të Shkodrës dhe vetëm një vit
në Stamboll. Si drejtorë dhe anëtarë të
këshillave administrativë do të emëroheshin
edhe bajraktarët. Xhelepi do të caktohej duke marrë
parasysh gjendjen ekonomike të popullsisë. Taksat do të
mblidheshin kur shqiptarët të ishin në gjendje të
paguanin. Armët do të mbaheshin me leje të posaçme.
Do të ndërtoheshin në malësi, me mjetet shtetërore,
dy shkolla fillore ku do të mësohej gjuha shqipe. Do të
ndërtoheshin rrugë, ura etj.
Po më 31 korrik qeveria shpalli në Tepelenë edhe
koncesionet për kryengritësit e Shqipërisë së
Jugut: faljen e kryengritësve, hapjen e shkollave shqipe, ndërtimin
e rrugëve, të urave etj.
Propozimet zyrtare turke nuk u pranuan nga shumica e kryengritësve
në veri dhe në jug të vendit.
Kryengritësit e Shqipërisë së Veriut u shtrënguan,
më në fund, të ulen e të bisedojnë me përfaqësuesit
e qeverisë, megjithëse ajo nuk donte t’i përfillte
kërkesat e shqiptarëve për autonomi. Malësorët
ngulën këmbë në 12 kërkesat e Greçës,
që përmbanin autonominë e Shqipërisë. Por
qeveria malazeze ua kishte prerë furnizimin me bukë dhe
po ushtronte presion mbi malësorët, që të pranonin
propozimet xhonturke.
Në këto rrethana malësorët pranuan të bisedonin
sipas propozimeve xhonturke, por ata përsëri, duke e parë
kombin shqiptar si një të tërë, kërkuan
që të drejtat, që do t’u jepeshin malësorëve,
t’u njiheshin të gjithë shqiptarëve.
Meqë, me gjithë përpjekjet që u bënë,
nuk u arrit që kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës
të shndërrohej në një kryengritje të përgjithshme,
që të përfshinte gjithë Shqipërinë
e Veriut dhe atë Jugut, autoritetet osmane arritën të
merren vesh veç me malësorët dhe veç me
shqiptarët në jug.
Më 2 gusht në përfaqësinë e Perandorisë
Osmane në Podgoricë u nënshkrua, sipas propozimeve
turke, marrëveshja e malësorëve me përfaqësuesit
e qeverisë xhonturke.
Pas 5 gushtit malësorët filluan të kthehen në
grupe. Dedë Gjo Luli e disa të tjerë nuk pranuan
të ktheheshin dhe vazhduan të ngulnin këmbë
për njohjen e autonomisë. Dedë Gjo Luli nuk pranoi
as shpërblimet dhe as postet, që i dhanë xhonturqit.
Malësorët që nuk pranuan të ktheheshin, qeveria
malazeze i internoi përtej Moraçës.
Nënshkrimi i marrëveshjes dhe njohja e disa kërkesave
të pjesshme të malësorëve i shtyu edhe krahinat
e tjera të Shqipërisë të kërkonin t’u
jepeshin po ato të drejta që u ishin dhënë malësorëve
të Shqipërisë së Veriut.
Marrëveshja me kryengritësit e Shqipërisë
së Jugut
Në ditët e para të gushtit qeveria e Stambollit iu
drejtua me një thirrje banorëve të Beratit, të
Vlorës, të Tepelenës, të Fierit, të Gjirokastrës,
të Delvinës etj., në të cilën shpallte
faljen e kryengritësve që ktheheshin në shtëpitë
e tyre pa armë, dhe premtonte hapjen e shkollave shqipe, përdorimin
e alfabetit latin, përmirësimin e gjendjes ekonomike etj.
Por edhe kjo thirrje nuk i bindi kryengritësit, që nuk
pranuan të dorëzonin armët.
Edhe në këtë kohë kryengritësit e Shqipërisë
së Jugut, ashtu siç bënë në kërkesat
e parashtruara në Manastirin e Cepos, synonin të fitonin
të paktën të njëjtat lëshime që iu
bënë edhe malësorëve të Shqipërisë
së Veriut. Kjo kërkesë për privilegje të
njëjta për të gjithë shqiptarët, nënkuptonte
njohjen e shqiptarëve si një komb i bashkuar. Një
kërkesë e tillë përfshinte edhe çështjen,
sa të mprehtë po aq dhe delikate, siç ishte përcaktimi
i kufijve, i territoreve ku do të zbatoheshin dhe do të
shtriheshin këto privilegje. Kjo do të ishte një
nga mënyrat për të veçuar kombësinë
shqiptare nga fqinjët, për t’u prerë rrugën
pretendimeve shoviniste të shteteve ballkanike mbi trojet shqiptare.
Kjo shihej nga shqiptarët e Jugut si një masë, e
cila mund të largonte sado pak rrezikun e copëtimit të
vendit.
Këtë kërkesë e përkrahën edhe shqiptarët
e mërguar, shoqëritë dhe shtypi i tyre, që kërkuan
nga qeveria xhonturke “t’u zbatojë të tanë
shqiptarëvet venomet që iu dhanë malësorëvet”.
Por pas përfundimit të kryengritjes në Veri, Porta
e Lartë hodhi trupa të shumta ushtarake në Shqipërinë
e Jugut. Në këto rrethana edhe kryengritësve të
Shqipërisë së Jugut nuk u mbeti rrugë tjetër
veçse të pranonin marrëveshjen me qeverinë
xhonturke. Më 18 gusht 1911 u mbajt në Tepelenë mbledhja
e përfaqësuesve të parisë dhe e komandantëve
të çetave të kësaj treve. Në mbledhje
morën pjesë, si të dërguar të qeverisë,
edhe Abdyl Ypi e Fejzi Alizoti, të cilët u përpoqën
t’i bindnin kryengritësit “për rrezikun”
që do t’i vinte vendit “nga kërkesat e tyre
të pamenduara mirë”.
Shqiptarët në jug të vendit u detyruan të pranonin
propozimet e qeverisë: amnisti e përgjithshme; mësimi
i gjuhës shqipe në shkollat shtetërore (me alfabetin
latin); subvencionimi nga ana e shtetit i shkollave shqipe; caktimi
i nëpunësve, që njohin gjuhën shqipe dhe zakonet
e vendit; kryerja e shërbimit ushtarak në kohë paqeje
në vend; caktimi i taksave të popullsisë, sipas mundësive
të vendit; rindërtimi i disa urave; mbajtja e armëve
me leje të posaçme; rihapja e Shkollës Normale
të Elbasanit dhe caktimi i fondit për mbajtjen e saj.
Me mbledhjen e Tepelenës dhe me dorëzimin e shumicës
së kryengritësve iu dha fund përkohësisht kryengritjes
edhe në Shqipërinë e Jugut. Por edhe këtu, pati
shumë kryengritës, që nuk e pranuan marrëveshjen
me qeverinë.
Përfundime
Kryengritja shqiptare e vitit 1911 përfundoi me një marrëveshje
gjysmake për shkak se nuk arriti të shndërrohej në
një kryengritje të përgjithshme. Ajo nuk arriti ta
detyronte qeverinë xhonturke të pranonte kërkesat
autonomiste të Memorandumit të Greçës. Megjithatë
u arrit të vendosen kontakte midis kryengritësve të
Shqipërisë së Veriut e asaj të Jugut si dhe
me kolonitë. Atdhetarë të njohur nga krahina të
ndryshme të Shqipërisë, si Ismail Qemali, Pandeli
Cale, Salih Hoxha etj., u gjendën ato ditë në Mal
të Zi, pranë malësorëve. Nikollë Ivanaj,
Themistokli Gërmenji e Ismail Qemali shkuan gjithashtu në
kolonitë për të siguruar ndihmën dhe përkrahjen
e tyre. Luigj Gurakuqi, Nikollë Ivanaj, Fadil Toptani e Themistokli
Gërmenji vajtën edhe në Korfuz për të punuar
që andej për zgjerimin e kryengritjes në jug të
vendit.
Por, në kohën kur kryengritja e Malësisë së
Mbishkodrës ishte në kulmin e saj, krahinat e tjera ngurruan
të ngriheshin. Kosova, e cila nuk kishte kapërcyer pasojat
rrënuese të ekspeditës së Shefqet Turgut pashës
të vitit 1910, e pati të vështirë të hidhej
në kryengritje, kurse Mirdita, nën ndikimin e Preng Bib
Dodës dhe e çoroditur nga aksioni i Terenc Toçit,
mbajti përgjithësisht qëndrim pritës. Komitetet
e Jugut, të shqetësuar nga qëndrimi armiqësor
i qeverisë greke, ngurruan të fillonin kryengritjen qysh
në periudhën e parë, në maj - fillimi i qershorit,
kur situata ishte më e volitshme për shpërthimin
e saj. Lëvizja kryengritëse në Shqipërinë
e Jugut shpërtheu nisi në korrik-gusht të vitit 1911,
kur kryengritja e malësorëve të Shqipërisë
së Veriut kishte filluar të binte e të dobësohej.
Kryengritja u zhvillua në kushte të vështira brenda
vendit dhe në rrethana jo të favorshme ndërkombëtare.
Shtetet ballkanike, duke e vlerësuar autonominë e Shqipërisë
si një pengesë për plotësimin e synimeve të
tyre pushtuese ndaj tokave shqiptare, vunë të gjitha forcat
për ta penguar Kryengritjen e Malësisë së Mbishkodrës
dhe për të mos lejuar që ajo të kthehej në
kryengritje të përgjithshme.
Kryengritja e malësorëve ndeshi edhe në kundërshtimin
e shteteve evropiane, sidomos të Rusisë e të Austro-Hungarisë,
të cilat nuk donin turbullira në Ballkan. Në mënyrë
të veçantë, u aktivizua monarkia Habsburge, e cila
pengoi shtrirjen e kryengritjes në të gjithë vendin
dhe u përpoq ta mbante lëvizjen shqiptare brenda kuadrit
të kërkesave kulturore. Të njëjtin qëndrim
mbajti edhe Italia.
Megjithëse Kryengritja e vitit 1911 nuk arriti të sendërtojë
objektivat themelorë të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare,
ajo zë një vend të rëndësishëm në
historinë e popullit shqiptar. Ajo shënoi një hap
cilësor përpara në organizimin e lëvizjes kombëtare
dhe ngriti në një shkallë më të lartë
ndërgjegjen politike të shqiptarëve.
Kryengritja e Malësisë së Mbishkodrës, si nga
ana organizative, ashtu edhe nga ajo ideore, shënoi një
hap të madh përpara në krahasim me kryengritjen e
vitit 1910. Ajo u zhvillua nën udhëheqjen e një qendre
të vetme, të Komitetit të Podgoricës. Kulmin
e saj kryengritja e arriti në qershor, kur duke miratuar (më
23 qershor) Memorandumin e Greçës, shpalli kërkesën
e autonomisë së Shqipërisë, si program të
mbarë lëvizjes kombëtare. Megjithatë, udhëheqja
e saj, pavarësisht nga përpjekjet që bëri, nuk
mundi të tërhiqte në kryengritjen e Shqipërisë
së Veriut, krahinat e tjera të vendit dhe ta kthente atë
në një kryengritje të përgjithshme.
Kryengritja e vitit 1911 i detyroi pushtuesit osmanë të
hynin në bisedime me shqiptarët dhe t’u bënin
atyre disa lëshime. Megjithëse këto lëshime
ishin larg kërkesave kombëtare të shqiptarëve,
përbënin ndërkaq një mbështetje për
kërkesa më të përparuara në të ardhmen.
Kryengritja nxori në pah çështjen shqiptare si
një problem ndërkombëtar. Për këtë
dëshmon, krahas të tjerave, edhe interesimi i diplomacisë
angleze për kryengritjen dhe sidomos përkrahja prej Londrës
e kërkesave kombëtare të shqiptarëve.
Kryengritja e vitit 1911 mund të mbahet si prologu i Kryengritjes
së Përgjithshme shqiptare të vitit 1912.
Qeveria xhonturke edhe pas kësaj kryengritjeje vijoi politikën
e saj shtypëse në Shqipëri. Ajo nuk u dha shqiptarëve
as koncesionet që u bëri gjatë marrëveshjeve
me kryengritësit. Sapo kryengritësit u kthyen në
shtëpitë e tyre dhe u qetësua disi gjendja, ajo rifilloi
politikën e mëparshme. Megjithëse kërkesat për
t’u dhënë të drejta të njëllojta
si të malësorëve edhe krahinave të tjera të
vendit, u parashtruan në çdo anë të Shqipërisë,
autoritetet zyrtare në qendër e në provinca u përpoqën
ta ngushtonin hapësirën e zbatimit të marrëveshjes
me kryengritësit shqiptarë. Në fillim qeveria ia
njohu këto koncesione vetëm sanxhakut të Shkodrës,
pastaj vetëm zonës së kryengritjes dhe, së fundi,
malësorëve të riatdhesuar nga Mali i Zi, por jo gjithë
Shqipërisë.
Ndërsa për shqiptarët marrëveshjet me xhonturqit
qenë vetëm një armëpushim i përkohshëm
i nevojshëm për të mbledhur forcat e për t’i
dhënë goditjen përfundimtare sundimit osman në
Shqipëri.
|