K R E U XI
KRYENGRITJA E KOSOVËS E VITIT 1910
1. SHPËRTHIMI I KRYENGRITJES
(MARS - PRILL 1910)
Fillimi i kryengritjes. Kuvendi i Verrave të Llukës
Ekspeditat e Xhavit Pashës të vitit 1909, taksat dhe tatimet
e reja, rekrutimi i detyruar ushtarak, masat për çarmatimin
me dhunë të popullsisë, ndjekjet policore kundër
klubeve e atdhetarëve shqiptarë, si edhe reaksioni xhonturk
kundër shkollës e shkrimit shqip, i acaruan më tej
marrëdhëniet e shqiptarëve me qeveritarët xhonturq.
Përballë kësaj gjendjeje politike, rrethet atdhetare
shqiptare bënë përpjekje për bashkërendimin
e lëvizjes në shkallë kombëtare. Në fundin
e vitit 1909 u themelua në Stamboll Komiteti i fshehtë
shqiptar “Ja Vdekje, ja Liri!”, i cili bëri thirrje
për formimin e një qendre të vetme drejtuese dhe
për nxjerrjen e një organi qendror shtypi për të
gjitha organizatat e shoqëritë atdhetare brenda e jashtë
vendit. Komiteti u përpoq ta shtrinte veprimtarinë e tij
edhe në Shqipëri.
Dhuna e egër që xhonturqit ushtruan për mbledhjen
e taksave e të tatimeve, për grumbullimin e armëve
e të rekrutëve ishte më e fuqishme në Kosovë,
ku shpërtheu hapur pakënaqësia e shqiptarëve.
Qysh në pranverën e vitit 1910 qëndresa e shqiptarëve
të Kosovës merr gjithnjë e më shumë trajtën
e një lufte të armatosur. Të rinjtë, për
t’iu shmangur shërbimit ushtarak, dilnin në mal
dhe formonin çeta të armatosura. Ndërkohë
nisën përgatitjet për aksione të armatosura
në përmasa më të gjera. Pranvera e vitit 1910
i gjeti shqiptarët e Kosovës të organizuar në
grupe të armatosura e të përgatitura për luftë
kundër regjimit xhonturk.
Veprimet e para kundërqeveritare nisën në mars në
Gjakovë, por qendra e tyre u bë në fillim Juniku,
ku vepronin forcat e udhëhequra nga Halil Mehmeti.
Në muajin mars, me nismën dhe nën drejtimin e Idriz
Seferit, u mbajt në Gjilan një mbledhje e shqiptarëve
të këtij rrethi ku u diskutua rreth masave për organizimin
e kryengritjes së re.
Në fund të muajit mars grupe të armatosura fshatarësh
e malësorësh të anës së Mitrovicës,
të Vuçiternës dhe të Llapit marshuan në
drejtim të Prishtinës për të protestuar kundër
caktimit arbitrar të taksave. Ata ndërprenë rrugën
Prishtinë-Prepalac. Repartet e garnizonit të Prishtinës
më 5 prill u ndeshën me kryengritësit në Babin
Most. Pas përpjekjeve që u zhvilluan këtu dhe që
zgjatën dy ditë, kryengritësit rrethuan një
batalion të ushtrisë osmane dhe i detyruan forcat qeveritare
të tërhiqeshin në Prishtinë me humbje të
ndjeshme në njerëz dhe në armatime.
Fitorja e kryengritësve në Babin Most i vuri në një
gjendje të vështirë trupat qeveritare që mbronin
Prishtinën. Garnizoni i saj përbëhej prej një
regjimenti kavalerie dhe një batalioni këmbësorie,
të cilët nuk ishin në gjendje të mbanin qytetin
dhe as të ndërmerrnin veprime jashtë tij. Më
7 prill u dërgua nga Ferizaj në Prishtinë një
kolonë e përbërë prej 6-7 batalionesh. Me gjithë
përforcimet që i erdhën, garnizoni i Prishtinës
qe i detyruar të qëndronte në pozita mbrojtëse.
Pas fitoreve të para të forcave kryengritëse, gjendja
në vilajetin e Kosovës u bë e vështirë
për autoritetet xhonturke. Garnizonet ushtarake të vilajetit
ishin të pamjaftueshme për ta shtypur menjëherë
kryengritjen.
Kryengritja u shtri edhe në Rrafshin e Dukagjinit. Vrasja e
komandantit të ushtrisë në Pejë, e majorit Rushit
Beu, dhe plagosja e mytesarifit të atjeshëm, Haki Beu,
u pasua nga veprimet që çetat e Shalës dhe të
Berishës ndërmorën kundër një batalioni
ushtarësh.
Në të njëjtën kohë kryengritësit e
rrethinave të Prizrenit i detyruan repartet ushtarake osmane
të mbylleshin në qytet, ndërsa pjesën tjetër
të tërhiqej në drejtim të Fushë-Kosovës.
Në fillim të prillit kryengritësit kishin zënë
të gjitha pikat strategjike në afërsi të qyteteve
të Prishtinës, të Pejës e të Prizrenit.
E shqetësuar nga këto ngjarje, qeveria xhonturke, në
mbledhjen që mbajti më 7 prill, vendosi që të
merreshin masa të rrepta ushtarake kundër kryengritësve.
Në mesin e muajit prill në trevën verilindore të
Shqipërisë qenë përqendruar rreth 36-40 batalione
këmbësorie, që bënin pjesë në korpuset
I, II dhe III të ushtrisë osmane të vendosur në
pjesën evropiane të Perandorisë, si dhe gjashtë
bateri të artilerisë malore e gjashtë bateri të
artilerisë fushore me 50 gryka zjarri.
Përballë zhvillimit të shpejtë të ngjarjeve
në rrethet e Prishtinës, të Pejës e të
Prizrenit, qeveria xhonturke mori masa për të penguar
zgjerimin e kryengritjes. Me dekretin perandorak të sulltan
Mehmet Reshatit V u shpall në zonën e kryengritjes gjendja
e jashtëzakonshme; urdhërohej të shpërndaheshin
sa më shpejt forcat kryengritëse; të arrestoheshin
dhe të nxirreshin para gjykatës ushtarake organizatorët
e kryengritjes; të bëhej regjistrimi i popullsisë
dhe i pasurisë së patundshme; të zbatohej shërbimi
i detyrueshëm ushtarak; të mblidheshin me forcë taksat
etj. Porta e Lartë urdhëroi Ministrinë e Luftës
që të përgatiste sa më shpejt ekspeditën
ndëshkimore, në krye të së cilës do të
vihej Shefqet Turgut pasha, njëri nga gjeneralët më
të zotë të ushtrisë osmane aso kohe.
Për të përballuar ekspeditën e madhe ushtarake
që Porta po përgatiste kundër Kosovës, u pa
e nevojshme të merreshin masa organizative e ushtarake, të
cilat do të vendoseshin në tubimet e udhëheqësve
shqiptarë. Një tubim i tillë u mbajt në mesin
e prillit në vendin e quajtur Verrat e Llukës, në
afërsi të Deçanit. Autoritetet xhonturke, me gjithë
përpjekjet që bënë, nuk arritën ta pengonin
mbledhjen e këtij kuvendi. Agjentura e tyre, e kryesuar nga
disa bejlerë të Pejës, nuk arriti gjithashtu të
qetësonte dhe të shpërndante turmat e armatosura.
Tubimi u zhvillua nën drejtimin e Shaban Binakut, të Isa
Boletinit, të Sulejman Batushës dhe të krerëve
të tjerë.
Në Kuvend u vendos pajtimi i të gjitha gjaqeve deri në
Shën Mitër. Më pas pjesëmarrësit lidhën
besën e vendosën që të gjitha viset e përfaqësuara
prej tyre të bashkoheshin me kryengritjen. U përcaktuan
gjithashtu me hollësi masat organizative dhe ushtarake për
përballimin e ekspeditës së Shefqet Turgut pashës.
Kuvendi parashikonte edhe masa ndëshkuese për ata që
do t’i kundërviheshin besës së lidhur.
Kuvendi i Verrave të Llukës nuk mori vendime me karakter
politik, nuk doli me kërkesa në rrafsh kombëtar.
Me sa duket, organizatorët e tij mendonin se këto do të
ishin objekt i një mbledhjeje shumë më të gjerë
dhe me përfaqësues në shkallë kombëtare.
Megjithatë, tubimi pati rëndësi për zhvillimin
e mëtejshëm të kryengritjes, për organizimin
dhe për bashkërendimin e veprimeve të saj të
armatosura. Aty u hodhën themelet e bashkimit luftarak të
shumicës së krahinave të vilajetit të Kosovës,
kryesisht të pjesës perëndimore e qendrore.
Përkrahja e kryengritjes nga grupi parlamentar shqiptar
Sapo filloi kryengritja, grupi i deputetëve shqiptarë
në parlament u vu në mbrojtje të saj. Më 9 prill
1910, 13 prej tyre (nga gjithsej 26 që përfaqësonin
popullsinë shqiptare në atë organ) i paraqitën
parlamentit një relacion për gjendjen e vështirë
të krijuar në Shqipëri si rrjedhim i politikës
nacionaliste të Komitetit “Bashkim e Përparim”.
Në deklaratën që deputeti i Kosovës, Nexhip
Draga, bëri më 10 prill në emër të grupit
të deputetëve shqiptarë e quajti të padrejtë
dhe e dënoi vendimin e qeverisë për shpalljen e gjendjes
së jashtëzakonshme në vilajetin e Kosovës. Ismail
Qemali, Myfid Libohova dhe deputetë të tjerë shqiptarë
sollën prova që dëshmonin se ngjarjet e Prishtinës
ishin pasojë e administrimit të keq të vendit, e
sjelljeve arbitrare të nëpunësve vendorë, si
dhe e karakterit anakronik të mënyrës së qeverisjes
që zbatonin xhonturqit.
Deputetët shqiptarë folën posaçërisht
për arbitraritetin në vjeljen e detyrimeve shtetërore
nga autoritetet vendore. Në këtë ndikonte mungesa
e legjislacionit përkatës, si edhe formulimet e errëta
e të papërcaktuara mirë të ligjeve ekzistuese.
Në Shqipëri filluan të vileshin edhe tatime të
tilla, siç ishte ajo e oktrovës, një taksë
doganore, e cila nuk vilej ende as në rajonet më të
zhvilluara të Perandorisë, si në Stamboll, në
Izmir, në Selanik.
Deputetët shqiptarë deklaruan se do të ishte më
e udhës dhe më dobiprurëse që në Shqipëri
në vend të ekspeditave ushtarake të dërgohej
një komision parlamentar. Ata kërkuan që në
Shqipëri të sendërtoheshin hap pas hapi reforma rrënjësore,
të caktoheshin nëpunës të aftë e të
ndershëm, të cilët të njihnin ligjet dhe drejtësinë.
Hasan Prishtina nguli këmbë që ky komision të
hetonte në vend shkaqet e kryengritjes.
Duke iu përgjigjur deklaratave të deputetëve shqiptarë
në parlament, kryeministri turk u përpoq t’i përligjte
e t’i motivonte masat ushtarake të qeverisë në
Kosovë me pozitën e veçantë strategjike të
kësaj treve dhe të mbulonte shkaqet e vërteta të
lëvizjes kryengritëse në Shqipëri, të cilën
e quante vepër të disa “ngatërrestarëve”.
Ismail Qemali, nga ana e tij, kërkoi nga qeveria që të
nxirreshin në shesh shkaktarët e vërtetë të
gjendjes së krijuar në Shqipëri. Në një
takim të veçantë me ministrin e Luftës të
Perandorisë ai kërkoi që të ndërpriteshin
veprimet ushtarake kundër shqiptarëve. Por këto kërkesa
ranë në vesh të shurdhër. Qeveria pranoi se
ishin bërë disa gabime nga administrimi i keq prej disa
nëpunësve vendorë dhe premtoi se do të merrte
masa për riparimin e tyre. Në të njëjtën
kohë ajo siguroi miratimin nga parlamenti të kërkesës
së saj për dërgimin e trupave ushtarake plotësuese
në Kosovë.
Orvatjet e deputetëve shqiptarë për të penguar
dërgimin e ekspeditës ushtarake të komanduar nga
Shefqet Turgut pasha në Kosovë nuk dhanë fryt. Edhe
propozimet e tyre për të dërguar në Shqipëri
një komision parlamentar për hetimin e gjendjes në
terren dhe në mënyrë të veçantë
të shkaqeve të kryengritjes u hodhën poshtë.
Qeveria xhonturke ishte tashmë e vetëdijshme se ngjarjet
në Shqipëri ishin shenjë e një konflikti politik
shqiptaro-turk, pas të cilit fshiheshin aspiratat autonomiste
të shqiptarëve.
Këtë realitet u përpoq t’ua bënte të
qartë Ismail Qemali edhe diplomatëve të huaj në
Stamboll. Duke i përcjellë ambasadorit austro-hungarez,
Pallaviçinit, kërkesën që deputetët shqiptarë
parashtruan në parlamentin osman, ai theksoi se shqiptarët
kërkonin zbatimin e reformave, të cilat do t’u përshtateshin
rrethanave të veçanta të vendit dhe nevojave të
tij. Kundërshtimi i tyre, theksonte ai, do të çonte
në thellimin e mëtejshëm të kryengritjes popullore.
Ismail Qemali i bënte të ditur përfaqësuesit
të Vjenës në Stamboll, se me kërkesat e tyre
shqiptarët synonin të siguronin “një ndërtesë
më vete”, çka nënkuptonte autonominë
e Shqipërisë.
2. VEPRIMET LUFTARAKE
Sukseset e para të kryengritësve
Në mesin e prillit 1910 Turgut Pasha mbërriti në
krye të një ushtrie prej 16 mijë forcash në
kryeqendrën e vilajetit të Kosovës, në Shkup.
Në proklamatën që i drejtoi popullsisë së
Kosovës para se të fillonte operacionin ushtarak, Shefqet
Turgut pasha u orvat ta përligjte atë në sytë
e popullsisë së revoltuar dhe të bindte kosovarët
se qeveria ishte shtrënguar të dërgonte ushtrinë
në këtë vilajet. Ai theksonte se forcat ushtarake
të komanduara prej tij nuk qenë dërguar për
të shkaktuar gjakderdhje, por për të vendosur rregullin
e qetësinë dhe për të ndëshkuar të
gjithë ata që mbillnin përçarjen. Ai deklaronte
gjithashtu se qeveria dëshironte t’i siguronte popullit
shqiptar të mirat e rendit kushtetues, prandaj ishte në
interesin e tij dhe të shtetit që të gjithë
kryengritësit të dorëzoheshin.
I përforcuar me trupa të rinj, numri i forcave osmane
që u vunë përballë kryengritësve shqiptarë,
arriti në rreth 40 mijë veta. Me këtë ushtri
Shefqet Turgut pasha filloi në mesin e muajit prill 1910 sulmin
e përgjithshëm kundër forcave kryengritëse.
Ndërkohë kryengritësit vazhduan veprimet e tyre,
të cilat tani i zhvilluan në tri zona. Luftëtarët
e Shalës, të Llapit e të Drenicës, nën
komandën e Isa Boletinit, u përqendruan në Grykën
e Carralevës dhe vunë nën kontroll vijën Ferizaj-Shtimje-Prizren.
Hasan Hysen Budakova me forcat e tij u përqendrua në rajonin
malor në perëndim të Ferizajt deri në anën
jugore të Carralevës. Grupimi tjetër, i tretë,
i kryengritësve, që përbëhej nga luftëtarë
të Gjilanit e të Preshevës, nën komandën
e Idriz Seferit, mori përsipër të zotëronte
e të mbronte Grykën e Kaçanikut dhe rrugën
Tetovë-Shkup për të mos lejuar depërtimin e
ushtrisë osmane, që vinte nga qendra e vilajetit në
drejtim të pjesës së brendshme të Kosovës.
Emisarë të posaçëm u dërguan në
Shkodër, në Dibër e në Mat me thirrjen për
t’u bashkuar me kryengritjen, ndërsa agjitatorë
të tjerë filluan të vepronin në radhët
e reparteve turke për t’i bindur ushtarët shqiptarë
të dezertonin.
Në fazën e parë të operacioneve ushtria osmane
pësoi disfatë. Kolona verilindore e saj, e cila kishte
për detyrë të dilte në fshatin Pozharan dhe
me një veprim të shpejtë t’i rrethonte forcat
kryengritëse të grupuara në këtë rajon,
ndeshi në një qëndresë të ashpër dhe
e ndërpreu përkohësisht marshimin e mëtejshëm.
Luftime më të ashpra u zhvilluan në anën perëndimore
të zonës kryengritëse. Forcat osmane të përqendruara
këtu, më 21 prill, pas luftimesh të rrepta, arritën
t’i afroheshin Shtimjes që mbrohej nga kryengritësit.
U ndërpre lidhja telegrafike e kësaj qendre me Prizrenin.
Luftimet vijuan në Shtimje gjithë ditën, me humbje
të mëdha nga të dyja palët. Të nesërmen
ushtria osmane, e komanduar nga Osman Pasha, me gjithë mbështetjen
e zjarrit të artilerisë, nuk mundi ta merrte Grykën
e Shtimjes. Në pritje të përforcimeve të reja
nga Ferizaj, ushtria u detyrua të tërhiqej nën goditjet
e vazhdueshme të kryengritësve.
Lajmi rreth fillimit të luftimeve në Shtimje përshpejtoi
veprimet e kryengritësve të Gjilanit, të Preshevës
dhe të viseve përreth, që u hodhën drejt Kaçanikut.
Më 24 prill 3 000 kryengritës, nën udhëheqjen
e Idriz Seferit, shtinë në dorë Grykën e Kaçanikut
dhe dolën në shpinë të ushtrisë turke,
duke e vënë atë në një pozitë kritike.
Kryengritësit vunë nën kontroll të plotë
hekurudhën Shkup-Mitrovicë dhe ndërprenë lidhjen
hekurudhore me kryeqendrën e vilajetit, Shkupin. Si rrjedhim
i këtyre veprimeve, forcat ushtarake osmane, të vendosura
në Ferizaj, u vunë në një gjendje të vështirë.
Sukseset e kryengritësve në Grykën e Carralevës
dhe shtënia në dorë e Shkallës së Kaçanikut
përbënin një fitore ushtarake të rëndësishme,
e cila ndikoi në zhvillimin e mëtejshëm të kryengritjes
në Kosovë. Forcat kryengritëse zotëronin tani
një pjesë të mirë të territoreve të
vilajetit të Kosovës, si dhe disa pika strategjike që
u lejonin të kontrollonin vijat kryesore të komunikacionit.
Ata paralizuan pushtetin civil të administratës xhonturke.
Ndërkaq, ushtria osmane mbeti e bllokuar në qytetet kryesore
të Fushë-Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit.
E pafuqishme për të ndërmarrë ndonjë veprim
luftarak jashtë tyre, ushtria osmane priste ardhjen e forcave
të reja.
Beteja e Kaçanikut
Më 30 prill 1910 ushtria osmane, e komanduar nga Shefqet Turgut
pasha dhe e përbërë në fillim nga 9 000-10 000
veta, e përforcuar me reparte kalorësie dhe e mbështetur
nga zjarri i artilerisë, filloi mësymjen kundër 3
000-4 000 kryengritësve shqiptarë të përqendruar
në Shkallën e Kaçanikut të udhëhequr
nga Idriz Seferi. Para sulmit të përgjithshëm ushtria
osmane goditi me artileri fshatrat përreth. Masakrimi i grave,
i fëmijëve dhe i pleqve që kishin mbetur atje, nuk
solli, ashtu siç e kishte parashikuar Shefqet Turgut pasha,
shkurajimin e mbrojtësve shqiptarë të Grykës
së Kaçanikut. Përkundrazi, me gjithë epërsinë
e madhe numerike të forcave armike, kryengritësit i thyen
sulmet e tyre. Për dy ditë rresht (më 30 prill-1
maj) divizioni osman nuk mundi të mposhtte qëndresën
e kryengritësve shqiptarë, të cilët treguan
aftësi të veçanta luftarake.
Forcat osmane të përfshira drejtpërsëdrejti
në luftime kundër kryengritësve në Kosovë
arritën në afro 30 000 veta. Një pjesë e madhe
e tyre u angazhuan në betejën e Kaçanikut. Megjithëse
ushtria turke kishte epërsi të ndjeshme mbi forcat kryengritëse,
këto i përballuan sulmet e tyre për shtatë orë
rresht, duke kaluar edhe në luftime trup me trup. Udhëheqësit
e kryengritjes treguan aftësi drejtuese si në sulm, ashtu
edhe në mbrojtje e në tërheqje. Ata mundën të
dilnin nga rrethimi në mënyrë të organizuar
dhe, duke u tërhequr në drejtim të Gjilanit, vijuan
ta godisnin armikun.
Në betejën e Kaçanikut ushtria osmane pësoi
humbje të mëdha. Sipas të dhënave të ndryshme
u vranë disa mijëra ushtarë dhe 90 oficerë osmanë.
Shefqet Turgut pasha humbi në Kaçanik më shumë
se një të katërtën e forcave, që kishte
nën komandën e tij; u shpartalluan rreth 20 batalione.
Pas kësaj ushtria filloi të hakmerrej mbi popullsinë
e pambrojtur. Njësi të posaçme të ushtrisë
turke dogjën fshatrat që nuk kishte arritur t’i
rrafshonte artileria. Gjyqi i jashtëzakonshëm ushtarak
dënoi kryengritësit e zënë robër dhe përkrahësit
e tyre. Ekzekutimi i të dënuarve me vdekje bëhej
para popullsisë vendase të grumbulluar me forcë dhe
nën gjëmimet e daulleve e të marsheve të bandës
ushtarake.
Luftimet që kryengritësit shqiptarë zhvilluan në
Kaçanik, patën jehonë brenda dhe jashtë vendit.
Ato u përjetësuan në epikën popullore.
Pasi mori Grykën e Kaçanikut, Shefqet Turgut pasha,
në ditët e para të majit, i përforcuar edhe
me trupa të tjera që i erdhën nga Selaniku, filloi
mësymjen në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Një
kolonë e forcave osmane, e nisur nga Shkupi, gjatë marshimit
të saj nëpër Kumanovë, përgjatë hekurudhës,
ndeshi në të hyrë të Grykës së Konçullit,
në mes të Bujanovcit dhe Gjilanit, në qëndresën
e forcave kryengritëse të komanduara nga Idriz Seferi.
Luftëtarët shqiptarë të kësaj ane u rezistuan
për disa ditë forcave osmane, derisa atyre u erdhi në
ndihmë një kolonë tjetër. Megjithatë, qëndresa
e kryengritësve vijoi edhe më pas, por në grupe më
të vogla, të përbëra nga 150-200 veta. Edhe
në këto vise ushtria, në shenjë hakmarrjeje,
u vuri zjarrin fshatrave të tëra.
Në fillim të muajit maj forcat osmane kaluan në mësymje
në drejtimin Ferizaj-Carralevë. Këtu u ndeshën
me forcat kryengritëse që vepronin në zonën
Shtimje-Carralevë, të komanduara nga Isa Boletini?, numri
i të cilave nuk i kalonte 4 000 vetat. Për dy ditë
dhe dy netë rresht u zhvilluan atje luftime të ashpra.
Megjithëse nisi nga Ferizaj reparte të garnizoneve të
Prizrenit dhe të Mitrovicës, që vepronin anës
Grykës së Carralevës, komanda osmane nuk arriti t’i
rrethonte kryengritësit. Forcat ushtarake të Ferizajt
u bllokuan midis Shtimjes e Carralevës dhe u detyruan të
kthehen mbrapsht. Pjesa tjetër nuk ia arriti të depërtonte
në drejtimin Jezercë-Budakovë për t’u
rënë prapa krahëve kryengritësve.
Taktika që përdorën udhëheqësit e kryengritësve,
sidomos shfrytëzimi i terrenit, ndihmoi për një kohë
për të përballuar epërsinë e armikut në
njerëz dhe në armatime. Gjendja e krijuar në Kosovë
e detyroi ministrin e Luftës, Mahmut Shefqet pashën, që
të vihej vetë në krye të fushatës ushtarake
në Shqipëri.
Mbrojtja e Carralevës (8-10 maj)
Pas pushtimit të Grykës së Kaçanikut, Mahmut
Shefqet pasha, duke u vënë në krye të operacioneve,
urdhëroi të marshohej në drejtimin Shtimje-Carralevë.
Ai ndau ushtrinë në tri kolona, të mbështetura
nga artileria malore.
Grykën e Carralevës e mbronin tre mijë kryengritës,
që treguan guxim dhe aftësi luftarake. Por pozita e tyre
u vështirësua kur u dolën në shpinë forca
osmane të prira nga udhërrëfyes serbë dhe nga
ndonjë turkoman prej parisë shqiptare. Me porosinë
e konsullatës serbe në Prishtinë, mësues, klerikë
dhe banorë serbë qenë vënë në shërbim
të ushtrisë turke.
Mësymjes së forcave osmane kundër kryengritësve
u parapriu edhe këtu në Carralevë, sikurse në
Kaçanik, goditja me artileri jo vetëm e pozicioneve
të luftëtarëve shqiptarë, por edhe e fshatrave
të pambrojtura.
Më 7 maj 1910 u zhvilluan pranë Jezercës luftime
të përgjakshme. Forcat osmane mundën të çanin
përpara vetëm pasi u erdhën përforcime të
tjera.
Me gjithë trysninë e sulmeve të pareshtura të
ushtrisë osmane dhe të goditjeve të zjarrit të
fortë të artilerisë, mbrojtësit e Grykës
së Carralevës qëndruan me trimëri. Edhe pse
u gjendën përballë një armiku që kishte
epërsi në njerëz e në armatime, shqiptarët
vijuan qëndresën në këtë pikë disa
ditë me radhë. Por mungesa e municionit dhe e ndihmave
që priteshin nga çasti në çast, e bënë
të pamundur përballimin e mëtejshëm të
sulmeve të forcave osmane. Më 10 maj, pas një lufte
që zgjati gjithë ditën, kryengritësit, duke
përfituar nga errësira e mbrëmjes, çanë
rrethimin; gjatë tërheqjes mundën të marrin
me vete shokët e plagosur, midis të cilëve edhe komandantin
e tyre, Isa Boletinin, që u dallua në këto luftime
si udhëheqës e komandant i aftë dhe i talentuar ushtarak.
Pas rënies së Grykës së Carralevës, ushtria
osmane marshoi në pjesën perëndimore e qendrore të
vilajetit të Kosovës. Pas luftimesh të rrepta, të
mbështetura nga artileria, që nuk kursente as fshatrat
e pambrojtura, valiu i Kosovës e pas tij edhe Mahmut Shefqet
pasha, i shoqëruar nga Shefqet Turgut pasha dhe shtabi kryesor
i forcave osmane, hynë në qytetin e Prizrenit. Më
1 qershor ato u futën në Pejë dhe në Gjakovë.
Ministri i Luftës u detyrua të pranonte para parisë
së Prizrenit se, ndryshe nga kryengritjet e mëparshme,
kryengritja e tanishme ishte e përgjithshme edhe më e
organizuar. Ai deklaroi gjithashtu se tani kishte nën komandë
një forcë të përbërë prej 50 mijë
ushtarësh dhe 70 baterish artilerie, e gatshme të vijonte
operacionet ushtarake për nënshtrimin e plotë të
shqiptarëve. Ai ndërmori masa terrori në Prizren
dhe në rrethinat e tij. Gjyqet ushtarake dënuan me vdekje
disa dhjetëra kryengritës. Autoritetet ushtarake xhonturke
nuk kursyen as edhe shqiptarët që i kishin bërë
ndonjë shërbim komandës osmane. Shtypi socialdemokrat
serb shkruante ato ditë se krimet dhe barbarizmat që po
kryente regjimi xhonturk në Kosovë, që ishte bërë
“Vendi i litarit”, ishin aq të mëdha, sa nuk
mund të përfytyroheshin nga opinioni publik evropian.
Qëndresa e kryengritësve në Qafë-Morinë
dhe në Qafën e Agrit
Në qershor ushtria osmane vijoi veprimet luftarake në
zonën e Drenicës dhe përreth saj. Por paqësimi
i Kosovës nuk qe i lehtë e u shoqërua me humbje të
mëdha. Për këto humbje dëshmon edhe mbajtja
e qindra ushtarëve të plagosur nëpër hekurudhën
Mitrovicë-Selanik. Marshimi i forcave qeveritare në Kosovë,
nën drejtimin e ministrit të Luftës, u shoqërua
me terrorizimin e me poshtërimin publik të kryengritësve
që nuk iu bindën autoriteteve osmane. Sheshet e qyteteve
Prizren, Rahovec, Gjakovë, Pejë e të tjera u kthyen
në arena të keqtrajtimeve të banorëve të
Kosovës.
Bastisja e shtëpive dhe arrestimet në masë u bënë
në bazë të urdhrit për dorëzimin e armëve
brenda 12 orëve. Burgjet u mbushën me të burgosur,
që u nënshtroheshin torturave. Edhe krerët, si Shaban
Binaku, që do t’i besonin faljes së shpallur nga
autoritetet xhonturke, u ekzekutuan me varje.
Për të nënshtruar përfundimisht Lëvizjen
Kombëtare Shqiptare dhe sidomos qëndresën e armatosur
të shqiptarëve, repartet osmane, të riorganizuara
në dy divizione, vijuan, gjatë muajve qershor-korrik 1910,
operacionet edhe në zona të tjera, në perëndim
të Rrafshit të Dukagjinit për t’u hedhur më
pas në Shkodër dhe drejt Lumës dhe Dibrës. Këto
forca dolën nga Rugova në Plavë, bllokuan të
gjitha shtigjet e kufirit malazez, për të penguar kalimin
e kryengritësve në Mal të Zi. Nëntë batalione
ushtarësh, pasi kaluan Qafën e Prushit, u hodhën
në zonën e Hasit.
Një divizion tjetër Shefqet Turgut pasha e nisi në
drejtim të Malësisë së Gjakovës, ku ndeshi
në qëndresën e kryengritësve të kësaj
treve. Malësorët e Gashit dhe të Krasniqes, me rreth
2 000 forca, të komanduara nga Bajram Curri, Abdulllah Hoxha,
Zeqir Halili e Shaban Binaku, zunë pritë në Qafë
të Morinës për të ndalur depërtimin e ushtrisë
në Malësi. Ata i bënë ballë një divizioni
të tërë (prej 15-18 batalionesh këmbësorie,
disa skuadrash kalorësie dhe 5 baterish artilerie), duke i
shkaktuar atij humbje të rënda. Kryengritësit e lëshuan
Qafën e Morinës për t’i shpëtuar rrethimit
dhe asgjësimit.
Kryengritësit u bënë pritë gjithashtu forcave
osmane që vepronin në Rrafshin e Dukagjinit, në Qafë
të Kolçit, ku 200 malësorë u përleshën
me to duke u shkaktuar humbje të mëdha. Malësorët
kryengritës, të komanduar nga Prel Tuli, Mehmet Shpendi
e Marash Delia, u qëndruan ushtrive armike shtatë ditë
e shtatë netë. Ata zunë qafat e shtigjet për
të mos lejuar depërtimin e forcave turke në Dukagjin,
në luginën e Shalës dhe të Thethit.
E pakalueshme për Shefqet Turgut pashën u bë Qafa
e Agrit, ku ushtria e tij u bllokua për disa ditë me radhë,
u thye dhe u detyrua të tërhiqej. Megjithatë, Shefqet
Turgut pasha nuk arriti të futej në Shkodër, siç
kishte parashikuar, përmes Dukagjinit. Ai hyri në Shkodër
përmes Pukës më 24 korrik 1910.
Edhe në Lumë e në Dibër trupat turke hynë
pasi thyen qëndresën e popullsisë vendase, që
ishte më e fuqishme sidomos në rrethinat e Dibrës
së Madhe.
Kudo që kalonte, ushtria osmane rrafshonte fshatrat ku gjente
një qëndresë sado të vogël, ndiqte e terrorizonte
familjet që kishin mbështetur e kishin përkrahur
kryengritësit. Ndërkohë, gjyqet e jashtëzakonshme
vepronin kudo. Reparte të veçanta të specializuara
të ushtrisë qenë ngarkuar për çarmatimin
e popullsisë. Këto reparte siguronin gjithashtu veprimtarinë
e komisioneve qeveritare për regjistrimin e popullsisë
dhe të pasurisë, të shtëpive, të tokave,
të bagëtisë etj. Sipas këtij regjistrimi, mblidheshin
detyrimet tatimore, duke përfshirë edhe ato të prapambetura,
dhe bëhej rekrutimi i të gjithë meshkujve që
i përfshinte detyrimi ushtarak.
Për të përforcuar pushtetin e tyre në vilajetin
e Kosovës, autoritetet xhonturke, krahas të ashtuquajturave
reforma, siç u quajtën masat ndëshkuese, vendosën
të bënin këtu edhe disa ndryshime administrative.
Kështu, u shndërrua në nënprefekturë (kaza)
krahina (nahija) e Ferizajt dhe u krijuan disa krahina (nahije)
të reja, si në Drenicë, në Llap, në Malësi,
në Rekë, në Podgor, në Moravë të Epërme
dhe të Poshtme etj.
Shtrirja e terrorit xhonturk në viset e tjera
Pas shtypjes së kryengritjes së Kosovës ekspedita
ushtarake e komanduar nga Shefqet Turgut pasha u shtri edhe në
Shqipërinë e Veriut dhe të Mesme.
Synimi i qeverisë xhonturke dhe i qarqeve ushtarake më
të larta të Perandorisë ishte të shtypte jo
vetëm qëndresën e armatosur të shqiptarëve,
por edhe vatrat e organizmat e lëvizjes kombëtare. Klubet
e organizatat e tjera kombëtare shqiptare u fajësuan si
nxitëse të lëvizjes së armatosur. Anëtarët
e klubeve, mësuesit e gjuhës shqipe, madje edhe ata që
ndiqnin kurset e gjuhës shqipe, u bënë objekt i një
terrori të paparë, njëlloj si pjesëmarrësit
e kryengritjes së armatosur të Kosovës.
Përgjithësisht terrorit iu nënshtruan gjithë
veprimtarët e lëvizjes kulturore e arsimore kombëtare,
edhe pse kjo ishte një veprimtari e ligjshme.
Pre e terrorit xhonturk u bënë edhe qytetet, si Shkodra,
Tirana, Elbasani e vise të tjera, që nuk qenë përfshirë
në kryengritje. Edhe në këto treva u arrestuan, u
burgosën dhe u internuan nga gjyqet speciale qindra atdhetarë.
Për t’i poshtëruar në sytë e popullit
dhe për ta frikësuar atë, këta në fillim
i rrihnin publikisht nën tingujt e bandës ushtarake. U
gjykuan dhe u dënuan në mungesë shumë atdhetarë
të arratisur, të akuzuar për veprimtari antishtetërore.
Me vendim të qeverisë u mbyllën të gjitha shkollat
shqipe, u ndalua nxjerrja e gazetave dhe botimi i librave në
gjuhën shqipe. U pushuan nga puna mësuesit e gjuhës
shqipe të shkollave shtetërore, si dhe nëpunësit
shqiptarë që kishin marrë pjesë në lëvizjen
kulturore e arsimore kombëtare. Ndjekjeve iu nënshtruan
edhe elementët e moderuar. Deputetët shqiptarë u
akuzuan si përkrahës të kryengritjes dhe për
lidhje të fshehta me kryengritësit.
Veprimtaria e çetave të armatosura vijoi edhe pas kalimit
të forcave osmane, të komanduara nga Shefqet Turgut pasha,
nga Kosova në Shqipërinë e Veriut e të Mesme,
madje edhe kur në Kosovë u vendosën përsëri
forca të shumta ushtarake. U bënë të shpeshta
përleshjet ndërmjet çetave shqiptare dhe ushtrisë
osmane. Përleshje të tilla të armatosura ndodhën
më 15 shtator 1910 afër Mitrovicës dhe më 28
shtator afër Pejës. Më 15 tetor valiu i Manastirit
njoftonte Stambollin për përpjekjet e ushtrisë me
çetat kryengritëse të Dibrës. Po në tetor
valiu i Shkodrës njoftonte qeverinë se ushtria ishte demoralizuar
krejtësisht dhe se kishte rrezik të bashkohej me kryengritësit.
Më 9 nëntor valiu i Kosovës informonte qeverinë
për sulmet e shqiptarëve kundër postkomandave ushtarake
në nahijen e Beranës.
Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ushtroi ndikim të fuqishëm
në zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare
Shqiptare. Jehona e saj u ndje edhe në lëvizjet çlirimtare
të popujve të tjerë, të Maqedonisë dhe
të Arabisë.
3. QËNDRIMI I FAKTORIT
NDËRKOMBËTAR
NDAJ KRYENGRITJES SHQIPTARE
Qëndrimi i shteteve ballkanike
Duke qenë se nuk mundën të gjenin aleatë të
jashtëm në luftën e tyre kundër Perandorisë
Osmane, krerët e kryengritjes së Kosovës u përpoqën
të siguronin të paktën krahët nga sulmet e pritshme
të armiqve të jashtëm. Për ta nuk qenë
të panjohura synimet shoviniste të qarqeve politike të
shteteve fqinje, që mund të shfrytëzonin luftën
shqiptaro-osmane për plotësimin e qëllimeve të
tyre. Megjithatë, krerët e kryengritjes u kërkuan
autoriteteve shtetërore të vendeve fqinje ndihmë
ushtarake, madje u bënë edhe propozime për aleancë.
Kështu, krerët e qëndresës së armatosur
në Llap e në Shalë, sapo nisi kryengritja në
muajin prill, kërkuan të mësonin nga konsulli i Serbisë
në Prishtinë nëse Beogradi ishte i gatshëm t’i
ndihmonte me armatime e municione dhe t’i strehonte në
rast se do të ishin të detyruar të tërhiqeshin
nga lufta kundër forcave osmane. Në përputhje me
udhëzimet që kishte marrë nga ministri i Jashtëm
Millovanoviç, konsulli Rakiq u tha shqiptarëve se në
rast nevoje mund të gjenin strehim në Serbi, ndërsa
kërkesën e tyre për armatime e kundërshtoi në
mënyrë të prerë, me pretekstin se shqiptarët
e kishin mbajtur të fshehtë nga Serbia përgatititjen
e kryengritjes.
Qëndrimi negativ i qeverisë serbe ndaj kërkesave
të shqiptarëve për ndihmë diktohej nga marrëdhëniet
e mira që Serbia kishte në atë kohë me Turqinë,
të cilat kushtëzoheshin nga interesat ekonomikë,
politikë dhe ushtarakë të çastit. Kryengritja
kundërosmane në Kosovë filloi në kohën
kur mbreti Pjetër I, N. Pashiqi dhe Millovanoviçi, pas
vizitës së tyre në Petrograd, shkuan edhe në
Stamboll. Qeveritarët serbë shpresonin atëherë
se do të mund të siguronin koncesionin e hekurudhës
së Adriatikut.
Nga ana tjetër, Bullgaria bënte përpjekje të
lidhej me qarqet politike shqiptare për ta përdorur luftën
e tyre në të mirë të synimeve të veta.
Për këtë qëllim qeveria bullgare dhe vetë
mbreti Ferdinand mbanin lidhje me organizatat shqiptare dhe me disa
nga krerët shqiptarë. Ndërkaq qarqet politike dhe
shtypi i Sofjes ndiqnin me interesim kryengritjen shqiptare. Disa
prej tyre i shikonin ngjarjet në Kosovë si fillim i fundit
të sundimit osman dhe kërkonin të përfitohej
nga gjendja e krijuar për të ndërhyrë në
Maqedoni. Grupe të tjera politike bullgare, duke i vlerësuar
ngjarjet në Shqipëri si kalimtare, kërkonin që
Bullgaria të mbante qëndrim korrekt kundrejt Perandorisë
Osmane. Megjithëkëtë, si qarqet oborrtare të
Sofjes të kryesuara nga princi Ferdinand, ashtu edhe qeveria
bullgare, duke menduar se kryengritja shqiptare do t’i jepte
një goditje të fortë regjimit xhonturk, parashikonin
të nxirrnin përfitime prej saj. Shtypi zyrtar bullgar
shkruante pas fillimit të kryengritjes, se Bullgaria, si fqinjë
e mirë e Turqisë, dëshironte që qeveria osmane
të vendoste qetësinë e rregullin në viset e
përfshira nga kryengritja, por në rast se kjo kryengritje
merrte përmasa të mëdha dhe shndërrohej në
një të keqe që mund të cenonte paqen në
Ballkan e të sillte pasoja të rënda për bullgarët
e Maqedonisë, atëherë qeveria bullgare nuk mund të
rrinte duarkryq.
Përfaqësuesi diplomatik serb në Sofje u përpoq
të bindte kreun e qeverisë bullgare, se ishte në
interesin e shteteve ballkanike t’i liheshin Turqisë
duart të lira për të shtypur kryengritjen shqiptare.
Shqetësimi se kryengritja shqiptare mund të shfrytëzohej
nga Vjena, si pretekst për ndërhyrje në Ballkan,
përbënte një arsye më shumë që Serbia
të tregohej e rezervuar ndaj lëvizjes së armatosur
në Kosovë. Këto zhvillime rrezikonin planet e saj
të kahershme për ekspansionin drejt territoreve shqiptare.
Synimet autonomiste të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare
e shtynin edhe më shumë qeverinë serbe që të
kërkonte shtypjen e kryengritjes së Kosovës. Sendërtimi
i tyre vlerësohej në Beograd si një pengesë
shumë më e madhe për projektet e Serbisë, sesa
pushteti i Perandorisë Osmane mbi trevat shqiptare. Fati i
kësaj Perandorie tashmë ishte përcaktuar. Ajo po
i afrohej me shpejtësi fundit të saj.
Millovanoviçi shprehu mendimin se ishte në interesin
e Serbisë dhe të vendeve të tjera ballkanike që
konflikti i armatosur i shqiptarëve me xhonturqit të ishte
sa më i përgjakshëm, në mënyrë që
të dyja palët të dobësoheshin sa më shumë.
Sipas parashikimeve të tij, kështu do të arrihej
qëllimi i dyfishtë: nga njëra anë, dobësimi
i Perandorisë Osmane do ta lehtësonte luftën e ardhshme
të Serbisë e të Bullgarisë kundër saj;
nga ana tjetër, shqiptarët e mposhtur nga ushtria osmane
do të arrinin në një gjendje të tillë sa
të pranonin të viheshin nën Serbinë.
Diplomatët serbë ndiqnin me kënaqësi çarmatimin
e shqiptarëve nga autoritetet ushtarake osmane. Përfaqësuesi
i Beogradit në Stamboll e siguronte ministrin e Jashtëm
të Perandorisë Osmane, se Serbia ishte e gatshme t’i
bënte Turqisë shërbimet e nevojshme për t’ia
lehtësuar mposhtjen e kryengritjes. Edhe Porta e Lartë
e priti me kënaqësi gatishmërinë e Beogradit
për të ndihmuar në qetësimin e Kosovës.
Pas rënies së Grykës së Kaçanikut, kur
ushtria osmane filloi marshimin në drejtim të Carralevës,
konsulli serb në Prishtinë mori udhëzime për
t’i dhënë ekspeditës turke çdo përkrahje.
Me porosinë e tij fshatarët e mësuesit serbë
u vunë në shërbim të Turgut Pashës. Sipas
udhëzimeve që morën nga oficerët e shtabit turk
në Ferizaj, ata mblidhnin të dhëna për gjendjen,
organizimin e vendndodhjen e forcave kryengritëse dhe përhapnin
lajme të rreme rreth marshimit të forcave të mëdha
osmane për të shkurajuar shqiptarët.
Në kundërshtim me premtimin që u kishte bërë
shqiptarëve në fillim të kryengritjes, Serbia nuk
pranoi t’i strehonte kryengritësit. Beogradi pranoi të
strehonte në Serbi vetëm disa prej krerëve, si Hasan
Hysen Budakovën, Zejnel Beun nga Gjilani, Shaqir Çavdarbashën
nga Peja dhe bajraktarin e Ostrozubit, duke shpresuar se mund t’i
përdorte në shërbim të politikës serbe.
Qeveria serbe i ofroi strehim edhe Idriz Seferit, por ky nuk e pranoi
dhe qëndroi në malet e krahinës së vet, në
Karadak.
Ndryshe nga Serbia, Mali Zi, edhe pse nuk e përkrahu kryengritjen
shqiptare, nuk mbajti qëndrim armiqësor kundrejt saj dhe
u dha strehim kryengritësve.
Kryengritësit e anës veriperëndimore të Kosovës
në fillim u vendosën në Bjeshkët e Namuna. Por
mungesa e ushqimeve dhe fillimi i të ftohtit e bëri të
pamundur qëndrimin e tyre të mëtejshëm në
ato anë. Në këto rrethana, Isa Boletini, në
emër të të gjithë krerëve të kryengritjes,
kërkoi nga Cetina që t’i strehonte në Mal të
Zi. Kjo kërkesë u pranua nga qeveria e Malit të Zi,
e cila formoi një komision të posaçëm për
strehimin e emigrantëve. Ata u vendosën në Cetinë,
në Podgoricë, në Shpuzë, në Nikshiq dhe
në Ulqin.
Por pas deklaratave të princ Nikollës për motivet
humanitare që e shtynë të mbante këtë qëndrim,
fshihej synimi i tij për të bërë për vete
krerët shqiptarë, duke shpresuar se me ndihmën e
tyre do të kënaqte lakmitë territoriale ndaj tokave
shqiptare që shkonin deri në Mat e më gjerë,
ndërsa populli malalez i priti miqësisht refugjatët
e ardhur nga territoret shqiptare.
Kryengritja e Kosovës dhe Fuqitë e Mëdha
Fuqitë e Mëdha, duke respektuar politikën e ruajtjes
së status quo-së në Turqinë Evropiane dhe në
gjithë Perandorinë Osmane, nuk e përkrahën kryengritjen
shqiptare të Kosovës. Ata i trajtuan ngjarjet në
Shqipëri si një çështje thjesht e brendshme
e Perandorisë Osmane dhe i lanë dorë të lirë
Stambollit për shtypjen e kryengritjes.
Por qëndrimi i Fuqive të Mëdha kundrejt lëvizjes
çlirimtare të shqiptarëve e sidomos ndaj metodave
të dhunës e të terrorit që përdori ushtria
turke për paqtimin e territoreve shqiptare, nuk ishte i njëjtë.
Ndërsa Rusia këmbëngulte pranë Portës së
Lartë për ta çuar deri në fund ekspeditën
ushtarake në Shqipëri, ministri i Punëve të
Jashtme të Austro-Hungarisë e këshillonte Stambollin
që të mos shkonte shumë larg në masat e dhunës
ndaj shqiptarëve.
Të njëjtin qëndrim mbajti në përgjithësi
diplomacia gjermane. Nëpërmjet përpjekjeve diplomatike
që bënë pranë qeverisë xhonturke, Vjena
e Berlini i tërhoqën vërejtjen asaj për masat
e tepruara shtypëse. Ato i bënë të ditur Stambollit
se ndjekja e këshillave ruse për ashpërsimin deri
në skaj të konfliktit me shqiptarët, do të sillte
dobësimin e të dyja palëve dhe do t’ua lehtësonte
shteteve ballkanike plotësimin e pretendimeve territoriale
ndaj trojeve shqiptare, gjë që nuk e dëshironin as
Berlini, as Vjena.
Po kështu ministri i Jashtëm i Italisë, San Xhuliano,
nëpërmjet ambasadorit të tij në Stamboll, ndonëse
në mënyrë të kujdesshme e të matur, i bënte
të qartë Portës së Lartë se edhe Italia
nuk e miratonte aksionin energjik dhe masat e egra të ushtrisë
turke në Shqipëri; ndërsa opinioni publik e shtypi
italian shprehën simpatinë për kryengritjen shqiptare
dhe dënuan politikën e egër të qeverisë
xhonturke kundrejt shqiptarëve. Në këto qëndrime
të dukshme proshqiptare ushtronte ndikimin e vet edhe mjedisi
arbëresh.
Në pjesën tjetër të kontinentit evropian e të
atij amerikan u ndje ndikimi i mitingjeve të protestës,
i agjitacionit dhe i propagandës që kolonitë shqiptare
të mërgimit, shoqatat dhe komitetet bënë në
të mirë të kryengritjes shqiptare. Një vend
të veçantë zë këtu mitingu i organizuar
në Boston.
*
* *
Kryengritja e Kosovës e vitit 1910 ishte e para lëvizje
e armatosur aq e gjerë e popullit shqiptar në fillim të
shek. XX, por që mbeti në kufijtë e një vilajeti
të vetëm. Veprimet e suksesshme luftarake të kryengritësve
në skajin verilindor të vilajetit të Shkodrës
nuk ndikuan në zgjerimin e përmasave të saj.
Lufta e armatosur e popullit shqiptar kundër sundimit osman
nuk arriti të shtrihej në një hapësirë
të gjerë kombëtare as në rrafshin organizativ,
as në atë politik e ushtarak. Madje edhe në kufijtë
e vilajetit të Kosovës nuk u arrit një bashkërendim
i veprimeve luftarake. Ndonëse luftuan për të përballuar
marshimin e ushtrisë së komanduar nga Shefqet Turgut pasha,
kryengritësit nuk arritën të organizonin një
qëndresë të përgjithshme në gjithë
vilajetin. Vatrat e qëndresës së shqiptarëve,
siç qenë ato të Kaçanikut, të Carralevës
etj., mbetën të shkëputura nga njëra-tjetra.
Në këto dobësi ndikoi edhe mungesa e një qendre
të vetme drejtuese politike e ushtarake në shkallë
kombëtare ose të paktën ndërkrahinore. Përveç
kësaj, pjesa më e madhe e vendit qëndroi mënjanë
ngjarjeve të Kryengritjes së vitit 1910 dhe nuk u përfshi
në luftën e armatosur kundër regjimit xhonturk. Shumica
e veprimtarëve të klubeve atdhetare në vilajetet
e Shkodrës, të Janinës dhe të Manastirit nuk
ishte ende e bindur për domosdoshmërinë e luftës
së armatosur. Edhe deputetët shqiptarë, duke përfshirë
edhe ata më radikalët (me ndonjë përjashtim),
nuk qenë të prirur në këtë kohë për
të dalë nga kuadri i luftës parlamentare, ndërsa
komitetet e fshehta në Jug të vendit, ndonëse ishin
përkrahës të kryengritjes së armatosur, nuk
ishin të përgatitur për të mbështetur me
veprime të armatosura kryengritjen e Kosovës.
Kryengritja u shtyp edhe për shkak se shqiptarët u ndodhën
përballë një ushtrie të madhe në numër,
në armatime e në pajisje luftarake dhe e drejtuar nga
oficerë të zgjedhur, të stërvitur nga instruktorë
të huaj.
Kryengritja nuk pati përkrahjen e qarqeve politike të
shteteve fqinje dhe të Fuqive të Mëdha që vijuan
t’i përmbaheshin politikës, tashmë tradicionale,
të ruajtjes së status quo-së.
Megjithëse Kryengritja e armatosur e vitit 1910 u shtyp, qeveria
turke u detyrua të bëjë ndonjë lëshim.
Në vjeshtën e vitit 1910 ajo hoqi ligjin për bandat,
lejoi hapjen e ndonjë shkolle shqipe, pa hequr dorë nga
përpjekjet për t’i detyruar shqiptarët që
të përdornin alfabetin arab, ndërpreu zbatimin e
masave për çarmatimin, për rekrutimin ushtarak
e për mbledhjen e taksave dhe premtoi se do të përdorte
një fond të posaçëm për ndërtimin
e shtëpive të djegura e të rënuara gjatë
fushatave ushtarake të vitit 1910. Për të penguar
një shpërthim të ri të kryengritjes në
Kosovë, Porta e Lartë dërgoi atje disa komisione
që u ngarkuan të qetësonin vendin duke u marrë
vesh me krerët shqiptarë.
|