K R E U I I
SHTHURJA E BASHKËSISË PRIMITIVE
I L I R Ë T
(SHEK. XI - V P.E.SONË)
Burimet historike dëshmojnë se në epokën
e hekurit territori i Shqipërisë banohej nga ilirët,
një nga popullsitë e mëdha të Evropës së
atëhershme, që shtrihej në gjithë pjesën
perëndimore të Gadishullit Ballkanik. Rreth fundit të
shekullit XII ose fillimit të shekullit XI para erës sonë
në territorin e tyre shfaqen për të parën herë
objekte prej hekuri. Futja në përdorim e këtij materiali
të ri, që i dha emrin epokës shënon, edhe për
ilirët nismën e një periudhe të re historike.
Hekuri kishte cilësi të pakrahasueshme ndaj lëndëve
të para të njohura deri atëhere për përgatitjen
e veglave të punës dhe të armëve. Si i tillë,
ai çoi në rritjen e rendimentit në sfera të
ndryshme të ekonomisë, në zhvillimin e mëtejshëm
të këmbimit, në rritjen e pasurisë shoqërore,
në thellimin e diferencimit shoqëror, në formimin
e federatave fisnore si forma të organizimit politik. Në
tërë përmbajtjen e vet kjo periudhë e historisë
së ilirëve karakterizohet, kështu, nga shthurja e
plotë e organizimit fisnor dhe nga përgatitja e kushteve
për lindjen e skllavopronarisë dhe të shteteve skllavopronare
ilire.
Ky proces nuk u krye njëlloj në të gjithë territorin
e gjerë ilir. Më shpejt përparuan popullsitë
që banonin në ultësirën bregdetare dhe në
luginat e pllajat me kushte më të mira natyrore, ndërsa
më ngadalë ecnin fiset e zonave të thella e të
varfra malore.
Njohuritë tona për këtë periudhë mbështeten
kryesisht në të dhënat arkeologjike, por këtu
vijnë në ndihmë për herë të parë
edhe burimet e shkruara historike, të cilat u takojnë
kryesisht ilirëve të Jugut.
1. ORIGJINA DHE TRUALLI HISTORIK I ILIRËVE
Teoritë rreth origjinës
Problemi i prejardhjes dhe i rrugës së formimit të
trungut etnik ilir me veçoritë e tij gjuhësore
e kulturore, ka përbërë një nga synimet më
kryesore të ilirologjisë. Rreth tij janë shfaqur
pikëpamje të ndryshme, të cilat ndriçojnë
në mënyrë të mjaftueshme gjithë këtë
proces të ndërlikuar etnogjenetik. Kërkimet komplekse
arkeologjike, gjuhësore dhe historike të kohëve të
fundit e kanë vendosur atë mbi një bazë më
të shëndoshë dhe e kanë futur në një
rrugë më të drejtë zgjidhjeje.
Sado të ndryshme që mund të paraqiten nga forma teoritë
mbi prejardhjen e ilirëve, në përmbajtje ato shprehin
vetëm dy pikëpamje, njëra nga të cilat i quan
ilirët si të ardhur në Gadishullin Ballkanik, ndërsa
tjetra si popullsi autoktone të formuar në truallin historik
të Ilirisë.
Midis teorive që i quajnë ilirët të ardhur në
Gadishullin Ballkanik, ka mospërputhje si përsa i takon
vendit nga vijnë, ashtu edhe kohës së ardhjes së
tyre. Disa e lidhin përhapjen e tyre me kulturën e Halshtatit,
të tjerë me kulturën e Fushave me Urna, apo me kulturën
Luzhice. Sipas tyre, në kapërcyell të mijëvjeçarit
të dytë p.e.sonë ilirët morën pjesë
në lëvizjet e popujve që njihen me emrin dyndja dorike,
egjeane apo panono-ballkanike dhe duke zbritur nga Evropa Qendrore,
në fillim të epokës së hekurit, u ngulën
në Gadishullin Ballkanik në trojet e tyre historike.
Pikëpamje më e re është ajo që e konsideron
kulturën ilire si një dukuri të formuar historikisht
në vetë truallin ilir në bazë të një
procesi të gjatë dhe të pandërprerë të
saj gjatë gjithë epokës së bronzit dhe fillimit
të asaj të hekurit.
Kjo tezë e zhvillimit të pandërprerë të
kulturës, që jep mundësi të flitet edhe për
një zhvillim të pandërprerë etnik, gjen prova
të shumta në territorin historik të ilirëve,
sidomos me zbulimet e bëra në truallin e Shqipërisë
në vendbanimin e Maliqit dhe në varrezat tumulare të
Pazhokut, të Vajzës, të Matit etj., kurse jashtë
vendit tonë në varrezat tumulare të pllajës
së Glasinacit (Bosnjë) e gjetkë. Përballë
këtyre zbulimeve bëhet fare e paqëndrueshme teza
që e lidh etnogjenezën e ilirëve me kulturën
e Halshtatit apo me bartësit e kulturës së fushave
me urna. Trualli i kësaj kulture të fundit nuk mund të
lidhet kurrsesi etnikisht me ilirët. Duke krahasuar truallin
e kulturës së fushave me urna me atë të kulturës
së mirëfilltë ilire Mat-Glasinac në rajonin
qendror të Ilirisë, vihen re ndryshime thelbësore
si në kulturën materiale në qeramikë, në
objektet metalike etj., ashtu edhe në atë shpirtërore,
që ka një rëndësi të veçantë
në përcaktimin etnik të një popullsie. Trualli
i Panonisë ndjek mënyrën e varrimit me djegie duke
vendosur mbeturinat e saj në vazo të veçanta (urna),
ndërsa ai i Matit dhe i Glasinacit, varrimin në tuma e
kryesisht me vendosje kufome. Këto ndryshime në kulturë
i veçojnë panonët edhe si një grup etnik më
vete që dallohet nga ai i ilirëve. Përveç
kësaj të dhënat arkeologjike kanë treguar se
dyndjet panono-ballkanike, dorike a egjeane nuk e përfshinë
pjesën perëndimore të Gadishullit Ballkanik dhe si
pasojë nuk shpunë në ndryshime dhe zhvendosje të
theksuara të ilirëve. Kjo shihet qartë sidomos në
territorin e vendit tonë, ku materialet arkeologjike të
kësaj kohe, flasin jo për ndërprerje në zhvillimin
autokton të kulturës, por për një vazhdimësi
të saj që nga epoka e hershme e bronzit, pavarësisht
se disa shfaqje të reja në prodhimin metalurgjik, të
shek. XI-IX p.e.sonë, mund të lidhen me ndikimet kulturore
të ardhura përmes dyndjeve nga veriu. Ky zhvillim i pandërprerë
kulturor në vendin tonë shfaqet akoma më mirë
në qeramikë, e cila është një tregues i
rëndësishëm në përcaktimin etnik dhe kulturor
të bartësve të saj. Qeramika e kësaj kohe zhvillohet
në tërë truallin ilir mbi bazën e poçerisë
më të hershme të epokës së bronzit, pa
pasur ndonjë ndryshim në kohën e kalimit nga epoka
e bronzit në atë të hekurit, dhe duke e ruajtur këtë
traditë autoktone të paktën deri në shek. VI
p.e.sonë, kur historikisht dihet se këto krahina banoheshin
nga bashkësi të qëndrueshme fisnore ilire.
Të gjitha këto të dhëna arkeologjike të
grumbulluara në pesëdhjetë vjetët e fundit,
në territorin e Shqipërisë së bashku tregojnë
se etnogjeneza ilire nuk duhet parë kurrsesi në lidhje
me ardhjen e një popullsie nga veriu i Ballkanit, por si një
proces historik shumë i gjatë dhe i ndërlikuar autokton.
Ky proces fillon shumë kohë përpara këtyre dyndjeve
(dorike, egjeane a panono-ballkanike) dhe konkretisht me dyndjen
e madhe të periudhës kalimtare nga neoliti në epokën
e bronzit, që përfshin treva të gjera të Evropës
dhe të Azisë, duke sjellë me vete ndryshime të
dukshme etnike në Evropën neolitike.
Kjo dyndje e cilësuar indo-evropiane, që ndodhi në
kapërcyell të mijëvjeçarit të tretë,
u krye nga grupe të ndryshme popullsish baritore të ardhura
nga stepat e Lindjes. Është provuar arkeologjikisht se
ajo nuk u bë menjëherë, por valë-valë dhe
se krahinat perëndimore të Ballkanit, midis tyre dhe territori
i Shqipërisë u prekën prej saj më vonë
se sa ato lindore.
Gjatë kësaj dyndjeje grupe të ndryshme kulturore
të Evropës u zhdukën pa lënë gjurmë,
të tjera u përzien me popullsitë migratore, të
cilat u imponuan me këtë rast vendasve gjuhën, kulturën,
në një farë mase edhe zakonet e veta. Kështu
ndodhi, p.sh. me kulturat neolitike të Vinçes, të
Butmirit, të Lisiçi-Hvarit në territorin e Jugosllavisë,
të cilat qenë zëvendësuar me kulturat e reja
Kostalace, Vuçedole etj.; e njëjta gjë ndodhi edhe
me kulturën neolitike të Maliqit, e cila qe zëvendësuar
nga një kulturë më e ulët e karakterizuar me
qeramikën e saj trashanike, që i atribuohet pikërisht
kësaj dyndjeje.
Në procesin e shtjellimit të këtyre ngjarjeve dhe
të përzierjeve etnike dhe kulturore të popullsive
neolitike vendase, paraindoevropiane ose sipas disa studiuesve,
indoevropiane të hershme, me ardhësit e rinj indoevropianë
të stepave u formua edhe baza mbi të cilën nisën
të zhvillohen në kushte të veçanta edhe proceset
etnogjenetike të popullsive të vjetra historike të
Ballkanit Perëndimor, rrjedhimisht dhe procesi i formimit historik
të trungut etnik ilir me tipare të përbashkëta
kulturore, të dallueshme prej bashkësive të tjera
fqinje jo ilire. Në këtë proces, i cili u zhvillua
gjatë gjithë mijëvjeçarit të dytë
p.e.sonë, diferencimi dhe asimilimi i popullsive, ashtu sikurse
dhe lidhjet ekonomike e kulturore, luajtën një rol të
rëndësishëm. Në qoftë se në periudhën
e hershme të epokës së bronzit, kultura e krahinave
ballkano-perëndimore, ishte shumë larg për t’i
dhënë asaj karakter të përcaktuar ilir, të
dallueshëm prej atyre të territoreve të tjera, ky
diferencim i tipareve kulturore vjen e bëhet gjithnjë
më i theksuar në periudhën e mesme e sidomos në
atë të fundit të epokës së bronzit. Në
rrugën e këtij zhvillimi të brendshëm krahinat
jugore të kësaj treve ishin të kthyera më tepër
me fytyrë drejt jugut, nga bota e përparuar e Egjeut,
me të cilën qenë në marrëdhënie të
ngushta ekonomike e kulturore. Veriu, përkundrazi, shfaq prirje
drejt Evropës Qendrore, por me lidhje më të dobëta
me të. Këto lidhje ndikuan sadopak në formimin dhe
në diferencimin në fund të bronzit e në fillim
të hekurit të dy grupeve të mëdha kulturore
ilire, atij jugor dhe verior.
Kështu duke zënë fill në kapërcyell të
epokës së bronzit, procesi i formimit të etnosit
ilir përshkon në mijëvjeçarin e dytë
rrugën e gjatë të diferencimit nga masa e pasigurt
etnike që u formua pas shkatërrimit të botës
neolitike dhe përfundon nga fundi i këtij mijëvjeçari.
Si e tillë, kjo epokë krijon në pjesën perëndimore
të Ballkanit atë substrat etno-kulturor, mbi bazën
e të cilit formohet më vonë etnosi dhe kultura ilire.
Bartësit e këtij substrati mund të identifikohen
me atë popullsi parailire, që në burimet historike
njihet si pellazge.
Pavarësisht nga kjo hipotezë për parailirët,
thelbësor është fakti se në fund të epokës
së bronzit, në pjesën perëndimore të Ballkanit
ishte formuar një bashkësi e gjerë kulturore dhe
etnike, e cila në epokën e hekurit në bazë të
zhvillimit të brendshëm ekonomiko-shoqëror, do të
vazhdonte të zhvillonte më tej kulturën e vet duke
i dhënë asaj një fytyrë gjithnjë më
të përcaktuar etnike. Kjo është dhe periudha
e formimit të plotë të bashkësisë së
madhe ilire dhe të grupeve të veçanta etnokulturore,
ashtu siç përmenden tek autorët më të
hershëm antikë.
include ("../reklama460.php");
?>
Trualli historik i ilirëve
Sipas burimeve historike, nocioni ilir - Iliri, ka pasur gjatë
historisë së vet një kuptim disi të ndryshëm
gjeografiko-historik.
Me emrin ilir në fillim njiheshin vetëm krahinat jugore
të ilirëve. Këtu banonin sipas burimeve më të
vona letrare edhe ilirët e mirëfilltë, siç
i quan ata historiani romak, Plini Plak. Ky emër u shtri gradualisht
prej grekëve edhe në vise të tjera të njohura
më vonë prej tyre, popullsitë e të cilave, pavarësisht
nga veçoritë e zhvillimit të tyre lokal, paraqitnin
elemente të një trungu të përbashkët etno-kulturor.
Në kohën e historianit grek Herodotit (shek. V p.e.sonë),
emri ilir shtrihej mbi një territor mjaft të gjerë,
i cili arrinte në lindje deri tek rrjedhja e lumit Moravë.
Një shekull më vonë, sipas Pseudo-Skylaksit, ky emërtim
do të përfshinte territore akoma më të gjera
në veriperëndim të Ballkanit. Sipas tij ilirët
shtriheshin përgjatë Adriatikut duke filluar që nga
liburnët në veri e deri tek kufijtë e Kaonisë
në jug. Përhapjen më të madhe dhe përfundimtare
të emrit dhe të territorit ilir, na e jep Apiani i Aleksandrisë,
i cili duke përmbledhur gjithë sa ishte thënë
përpara tij mbi topografinë e ilirëve, shkruante:
“grekërit quanin ilirë ata që banonin mbi Maqedoninë
dhe Trakinë, që nga kaonët dhe thesprotët deri
tek lumi Istër. Dhe kjo është gjatësia e vendit,
ndërsa gjerësia prej maqedonëve dhe thrakëve
malorë tek paionët deri në Jon dhe në rrëzë
të Alpeve”.
Nga studimet më të reja të mbështetura jo vetëm
në burimet e shkruara historike, por edhe në të dhënat
arkeologjike si dhe në ato gjuhësore, rezulton se trualli
historik i ilirëve përfshinte tërë pjesën
perëndimore të Gadishullit Ballkanik, që nga rrjedhja
e lumenjve Moravë e Vardar në lindje, e deri në brigjet
e Adriatikut e detit Jon në perëndim, që nga lumi
Savë në veri, e deri tek gjiri i Ambrakisë në
jug, pra deri në kufijtë e Helladës së vjetër.
Burimet historike dhe ato arkeologjike e gjuhësore dëshmojnë
për praninë e ilirëve edhe jashtë trevës
historike të tyre. Grupe të tëra ilirësh, midis
tyre dhe mesapët dhe japigët u vendosën në Itali
gjatë bregut të Adriatikut dhe në krahinat jugore
të saj.
Në Azi të Vogël u shpërngulën grupe popullsish
dardane, paione, të cilat do të përmenden edhe në
eposin homerik si pjesëmarrës, përkrah trojanëve
në luftën e tyre kundër grekëve. Prania e elementit
etnik ilir është vërtetuar arkeologjikisht nga burimet
e shkruara edhe në rajonet veriore të Maqedonisë
e të Greqisë, si në Akarnani e në Etoli. Të
gjitha këto lëvizje grupesh etnike ilire përtej trevës
historike të tyre ndodhën, siç mund të provohet
dhe arkeologjikisht, kryesisht gjatë dyndjes së madhe
panono-ballkanike, e cila siç dihet fillon të vërshojë
në drejtim të jugut që në fund të shek.
XIII-XII p.e.sonë. Meqenëse fatet e tyre historike, në
trojet e reja ku ato u vendosën, janë thuajse krejt të
ndara nga bota e mirëfilltë ilire-ballkanike, këto
grupe të emigruara nuk do të përfshihen në shqyrtimin
e mëtejshëm të historisë ilire.
Topografia e fiseve më të rëndësishme
ilire
Në shekujt e parë të mijëvjeçarit të
fundit para erës sonë ishin formuar tanimë bashkësitë
fisnore ilire dhe në përgjithësi ata kishin zënë
vend në trojet e tyre historike. Ndër fiset më të
hershme ilire që luajtën dhe një rol ku më shumë
e ku më pak të rëndësishëm në ngjarjet
historike të mëvonshme, për t’u përmendur
janë: thesprotët, të cilët zinin ultësirën
bregdetare që nga gjiri i Ambrakisë e deri tek lumi i
Thiamit (Kalama), në veri të tyre vinin kaonët, vendbanimet
e të cilëve arrinin deri tek malet e Llogarasë dhe
gryka e lumit Drinos. Molosët banonin në pllajën
pjellore të Janinës. Gjatë luginës së Vjosës
në të majtë banonin amantët, ndërsa në
të djathtë bylinët, kurse në rrjedhjen e sipërme
të Vjosës banonin parauejtë. Në lindje të
bylinëve shtrihej territori i atintanëve. Taulantët
shtriheshin në zonën bregdetare nga Vjosa e deri tek lumi
i Matit dhe në veri të tij, përgjatë brigjeve
të Adriatikut të Mesëm, fisi i ardianëve. Në
viset e Ballkanit Qendror dy ishin fiset më të mëdha
dhe më të rëndësishme ilire: paionët në
luginën e mesme të Vardarit, dhe dardanët që
banonin në rrafshin e Kosovës, të cilët shtriheshin
në veri në tokat midis degëve jugore e perëndimore
të Moravës deri aty ku këto bashkohen për të
formuar Moravën e Madhe.
Midis fiseve të hershme të Ballkanit Veriperëndimor
ndër më të fuqishmit ishin liburnët, të
cilët banonin në bregdet dhe në ishujt deri tek lumi
Krka, në jug të tyre vinin dalmatët, kurse në
viset e Bosnjës së brendshme, autariatët.
Përveç këtyre fiseve, në territorin e gjerë
të Ilirisë do të shfaqen më vonë, në
rrethana krejt të reja historike e politike, edhe një
numër i madh bashkësish të tjera ilire, midis të
cilave edhe bashkësi të tilla që do të kenë
një peshë të madhe në zhvillimin e ngjarjeve
politike të shtetit ilir, si enkelejtë, dasaretët
etj.
Përhapja e fiseve më të rëndësishme e të
hershme ilire dëshmohet në burimet e autorëve antikë,
të cilat në mjaft raste janë, megjithatë, të
fragmentuara, madje dhe kontradiktore. Rrjedhimisht në përcaktimin
e topografisë së fiseve ilire ka edhe raste të diskutueshme.
include ("../reklama460.php");
?>
2. GJENDJA EKONOMIKO - SHOQËRORE
E ILIRËVE
(SHEK. XI-V P.E.SONË)
Vendbanimet
Ilirët e kohës së hekurit jetonin në fshatra
dhe në vendbanime të fortifikuara. Të parët
nuk njihen dhe aq mirë për arsye se nuk janë gjurmuar
në mënyrë të mjaftueshme. Në burimet e
shkruara ato dokumentohen nga fundi i kësaj periudhe, në
fiset më jugore ilire, nëpërmjet Pseudo-Skylaksit,
i cili thotë se kaonët, thesprotët dhe molosët
banonin në fshatra. Ky njoftim i shkurtër, që me
sa duket i referohet një burimi më të hershëm,
nuk ndihmon shumë për të krijuar një ide të
qartë mbi karakterin e këtyre vendbanimeve.
Me sa mund të gjykohet nga të dhënat arkeologjike,
vendbanimet fshatare ilire të kësaj kohe formoheshin nga
grupe shtëpish të grumbulluara sipas njësive shoqërore
që përfaqësonin, d.m.th. mbi bazën e një
familjeje të madhe patriarkale ose të një grupi familjesh
të tilla, që i përkisnin një vëllazërie.
Një mendim të tillë e sugjerojnë, të paktën
për vendbanimet respektive të tyre, nekropolet tumulare
të Matit, të cilat përbëhen nga grupe të
vogla tumash, të vendosura në tarraca, në luadhe
e në toka buke gjatë luginës së lumit. Po kjo
gjë përsëritet në tumat e Kukësit, ato
të pellgut të Korçës, të luginës
së Drinos e gjetkë. Edhe vendbanimet fshatare të
gjurmuara në luginën e Vjosës japin të njëjtën
tablo. Në të gjitha rastet ato paraqiten si vendbanime
të vogla e të shpërndara pranë tokave bujqësore.
Burimet e shek. V p.e.sonë dëshmojnë se vendbanimet
e hapura fshatare të këtij lloji kanë qenë tipike
jo vetëm për Ilirinë, por edhe për krahinat
fqinje të Maqedonisë në lindje dhe të Akarnanisë
e Etolisë në jug.
Gjatë kohës së hekurit vazhdojnë të mbijetojnë
edhe palafitet si vendbanime të trashëguara nga epokat
e mëparshme. Herodoti në “Historitë”
e tij përshkruan me shumë hollësi një vendbanim
të tillë buzë liqenit Prasaida të Panonisë.
Arkeologjikisht ato janë vërtetuar gjithashtu në
fshatin Knetë të Kukësit dhe jashtë territorit
shqiptar, në Donja-Dolina e Ripaç të Bosnjës
dhe në Otok afër Sinjit në Dalmaci.
Krahas vendbanimeve fshatare të pambrojtura në kohën
e hekurit përhapen gjerësisht vendbanimet e fortifikuara
me mure. Të njohura që nga koha e bronzit të vonë,
ato evoluojnë dhe bëhen një nga elementet më
karakteristike për epokën e hekurit. Në gjuhën
e popullit këto vendbanime njihen me emrat qytezë, kala
ose gradina.
Për Ilirinë e Jugut janë karakteristike qytezat apo
kalatë e fortifikuara me mure gurësh. Ato janë të
ngritura mbi kodra të mbrojtura dhe me pozitë mbizotëruese
e horizont të gjerë shikimi. Kufijtë e vendbanimit
i përcaktonin muret rrethuese. Linja e murit ndjek relievin
e terrenit duke shfrytëzuar aftësitë mbrojtëse
të tij dhe ndërpritet aty ku mbrojtja nuk është
e nevojshme. Muret ndërtoheshin me gurë të mëdhenj
e mesatarë të palatuar, formuar nga dy këmisha anësore
dhe bërthama e mesit që mbushej me gurë të vegjël.
Trashësia e tyre luhatet nga 3,10-3,50 m. Mungojnë në
këtë sistem të hershëm fortifikimi kullat, kurse
portat janë në përgjithësi të vogla. Në
ndonjë rast ato janë pajisur me një korridor që
ndihmonte mbrojtjen. Lartësia e këtyre mureve, e ruajtur
deri në ditët tona arrin 2,50-3 m, por trashësia
e tyre tregon se kanë pasur një ngritje të madhe.
Megjithatë duhet menduar se mbi këtë nivel, fortifikimi
do të ketë qenë plotësuar me gardhe hunjsh.
Madhësitë e këtyre vendbanimeve ndryshojnë nga
një rast në tjetrin. Më të voglat kanë
një shtrirje prej 1-2 ha, kurse të tjera si Gajtani arrinin
deri 4-5 ha. Zgjerimet e mëvonshme kanë bërë
që brenda mureve rrethuese të përfshihen sipërfaqe
më të gjera, siç është rasti i kalasë
së Trajanit (Korçë), i kalasë së Lleshanit
(Elbasan), i kalasë së Karosit (Himarë), që
zënë 15-20 ha. Në këto raste vendbanimet paraqiten
me 2-3 e më shumë radhë muresh.
Shumë të pakta janë dijet për ndërtimet
e brendshme të këtyre vendbanimeve. Gjurmët e ruajtura
në sipërfaqe dëshmojnë se për ndërtimin
e banesave është përdorur gjerësisht sistemi
i tarracave, që përcaktohej nga terreni i thyer i faqeve
të kodrave mbi të cilat shtriheshin vendbanimet. Si lëndë
për ndërtimin e banesave është përdorur
kryesisht druri e shumë më pak guri.
Ndryshe nga territori i Ilirisë Jugore, në krahinat lindore
ilire ishin vendbanimet e mbrojtura me ledhe, të njohura me
emrin “gradina”. Ato ndeshen me shumicë në
tokat e banuara nga dardanët, si në rrafshin e Glasinacit
e gjetkë. I vetmi vendbanim i këtij lloji në Shqipëri
është ai i zbuluar në Shuec të Bilishtit. Gradinat
janë të vendosura mbi kodra mbizotëruese. Ledhet
mbrojtëse të tyre formoheshin nga masa dheu apo gurësh,
që arrinin 7-15 m gjerësi. Sistemi i mbrojtjes plotësohej
me sa duket nga një gardh hunjsh, që ngrihej mbi ledhin
dhe në disa raste nga një hendek që rrethonte vendbanimin.
Vendbanimet e fortifikuara i gjejmë të vendosura në
një mjedis të pasur me toka buke e kullota, që formonin
bazën e ekonomisë së tyre. Në disa raste, siç
tregojnë të dhënat arkeologjike, në to zhvillohej
edhe një veprimtari e kufizuar zejtare. Rreth tyre gjendeshin
vendbanimet e hapura fshatare, me të cilat formonin së
bashku njësi të caktuara ekonomiko-shoqërore.
Vendbanimet e mbrojtura me ledhe, të krahinave të brendshme
e veriore ilire, janë zakonisht më të vogla se vendbanimet
e fortifikuara të Ilirisë Jugore. Në shumicën
e rasteve ato gjenden në një mjedis kullotash alpine,
si në Glasinac apo në tokat e brendshme dalmate dhe ishin
qendra grupesh të vogla fisnore të një popullsie
baritore.
Në të dyja rastet lindën në këtë kohë
edhe kryeqendra të këtyre vendbanimeve, që dallohen
nga të tjerat prej madhësisë dhe pozitës gjeografiko-ekonomike
qendrore. Si të tilla, me sa duket ato janë edhe qendra
të një fisi të madh ose të një bashkimi
të gjerë fisnor. Aty nga fundi i kohës së hekurit
(shek.VII-V p.e.sonë), disa prej tyre marrin pamjen e qendrave
protourbane.
Zhvillimi i bujqësisë, i blegtorisë, i zejtarisë
dhe i këmbimeve
Burimet e shkruara dhe ato arkeologjike dëshmojnë se,
gjatë kësaj periudhe, ilirët merreshin si dhe më
parë kryesisht me bujqësi dhe me blegtori. Bujqësia
u zhvillua sidomos në zonat fushore dhe në përgjithësi
në krahinat pjellore të vendit. Ilirët kultivonin
në këtë kohë të gjitha llojet e drithërave.
Jo rastësisht, krahina të veçanta ilire, si Paionia
dhe Thesprotia, përmenden që në eposin homerik si
vende frytdhënëse dhe pjellore, d.m.th. të përshtatshme
për kulturat bujqësore. Hesiodi, shkrimtar grek i shek.
VIII-VII p.e.sonë, do ta cilësojë gjithashtu si shumë
pjellore fushën e Helopisë, ndërsa sipas historianit
grek Hekateut (fundi i shek. VI-V p.e.sonë), në Iliri
kishte krahina që prodhonin deri dy herë në vit.
Më vonë Skymni, duke përsëritur në vargjet
e tij Hekateun, shton se popullsia ilire që banonte në
viset e brendshme merrej me lërimin e tokës.
Krahas bujqësisë, në Iliri, veçanërisht
në zonat bregdetare të saj dhe në krahinat e ulëta
kodrinore me klimë të butë, qenë kultivuar dhe
rrushi e ulliri. “I ngrohtë dhe frytdhënës
ka qenë ky vend, shkruan historiani dhe gjeografi grek Straboni
në veprën e tij “Gjeografia” (shek. I e.sonë);
ai është plot me ullishta dhe vreshta”, vijon ky
autor, përveç disa krahinave të pakta ku toka është
fare e ashpër. Që ilirët merreshin me vreshtari,
këtë e dëshmojnë farërat e rrushit të
zbuluara në disa nga vendbanimet e kohës. Kushtet e përshtatshme
tokësore dhe klimatike ndihmuan jo më pak edhe për
kultivimin e perimeve, si të bishtajës, të bathës,
të bizeles, etj., si dhe të kulturave frutore, si p.sh.
të mollës, të dardhës, të qershisë
etj., të gjitha këto janë të dëshmuara
nga farërat e gjetura gjatë gërmimeve arkeologjike.
Ilirët shfrytëzonin në këtë periudhë
edhe bletët, prej të cilave ata siguronin mjaltin dhe
dyllin. Sipas Aristotelit, taulantët e përdornin mjaltin
edhe për të bërë një lloj pijeje të
ngjashme me atë të verës së ëmbël
dhe të fortë.
Tek ilirët ishte e zhvilluar edhe blegtoria, madje në
krahinat e brendshme malore ajo përbënte bazën kryesore
të ekonomisë së tyre. Hesiodi duke e cilësuar
Helopinë si një fushë shumë pjellore dhe me
livadhe të gjera, shton se ajo është e pasur me tufa
delesh dhe me qé këmbëharkuar, ndërsa Pindari,
do ta vlerësonte, në shek. V p.e.sonë, këtë
krahinë si ushqyese të shkëlqyeshme të gjedhit.
Hekateu gjithashtu bën fjalë për kullota të
pasura të Adrias (krahinë bregdetare e Ilirisë),
dhe për bagëtinë e saj me pjellshmëri të
lartë. Si te ky autor i hershëm, ashtu dhe tek të
tjerët, që përsërisnin më vonë këto
njoftime, ato shpesh paraqiten të veshura me hollësira
fantastike. Por duke lënë mënjanë teprimet e
tyre, këto burime, sidoqoftë, flasin për një
blegtori të zhvilluar tek ilirët.
Kujdesi që tregonin ilirët për mbarështimin
e bagëtisë vihet re edhe nga tregimi i Aristotelit për
kriporet e autariatëve dhe ardianëve. Konfliktet e shpeshta
midis këtyre dy fiseve për këtë kripore, shprehin
shqetësimet e blegtorëve ilirë lidhur me këtë
produkt shumë të vlefshëm për jetën e gjësë
së gjallë. “Kripa, - thotë Aristoteli, - u
duhet atyre për kafshët, të cilave ua japin dy herë
në vit, përndryshe shumica u ngordh”.
Midis kafshëve shtëpiake më të parapëlqyera
ishin qetë, delet, derrat, qentë etj., për të
cilat flasin si burimet historike, ashtu edhe vetë materiali
kockor i zbuluar dendur në vendbanimet e ndryshme të kësaj
periudhe. Ilirët shquheshin edhe si rritës të mirë
të kuajve. Këta të fundit ishin të shpejtë
në vrapime dhe të qëndrueshëm në punë,
siç na thonë burimet e mëvonshme.
Krahas blegtorisë, ilirët merreshin edhe me gjueti, megjithëse
kjo veprimtari nuk luante ndonjë rol aq të rëndësishëm
në jetën ekonomike të tyre. Të përmendur
ishin në atë kohë qentë e gjahut të Mollosisë,
por akoma më të shquar ata që ruanin kopetë
e bagëtive. Këta të fundit sipas burimeve të
shkruara, ua kalonin qenve të tjerë për trupin e
tyre të lartë dhe guximin e madh në kacafytje me
bisha të egra. Skenat e gjuetisë së ilirëve
na janë pasqyruar edhe në artin figurativ ilir të
kësaj kohe. Për t’u përmendur në këtë
drejtim janë ato që zbukurojnë vazot me fund të
ngushtë (situlat) prej bronzi të zbuluara në krahinat
veriore të Ilirisë. Nga kafshët e egra më tepër
çmoheshin derri, dreri etj. Ky i fundit u jepte gjahtarëve
ilirë jo vetëm mishin dhe lëkurën, por edhe
brirët prej të cilëve ata punonin vegla të ndryshme
dhe zbukurime. Të tilla vegla ndeshen shpesh nëpër
vendbanimet ilire të periudhës së hekurit.
Deti, liqenet si dhe lumenjtë, që e përshkonin Ilirinë
në drejtime të ndryshme, u dhanë mundësi banorëve
pranë tyre të merreshin që herët edhe me peshkim.
Këto burime ujore përmbanin sasi të shumta peshku.
Kështu, p.sh. ilirët që jetonin pranë liqenit
Prasiada të Peonisë, zinin, sipas Herodotit, shumë
peshk.
Përparime të dukshme vihen re edhe në metalurgji.
Kjo duket si në intensifikimin e nxjerrjes së mineraleve,
ashtu dhe në zgjerimin e madh të prodhimit të objekteve
metalike. Nëpër vendbanimet dhe në varrezat ilire
të kësaj kohe gjejmë sasira të konsiderueshme
armësh dhe veglash prej hekuri dhe bronzi, orendi të ndryshme
shtëpiake dhe një mori të madhe shumë të
larmishme stolish, të cilat tregojnë pa dyshim për
një konsum të madh të lëndës së parë
minerare, sidomos të bakrit dhe të hekurit, me të
cilët ishte i pasur territori i Ilirisë.
Në shek. XI-IX p.e.sonë ilirët nuk e zotëronin
ende mirë mjeshtërinë e përpunimit të hekurit
dhe nuk është aspak e rastit që në varret e
kësaj periudhe, objektet prej hekuri janë shfaqje tepër
të rralla, ndërsa ato prej bronzi, të cilat në
shumë pikëpamje zhvillojnë më tej traditën
e kohës së bronzit, janë të shumta.
Vetëm në shek. VIII-VII p.e.sonë prodhimi metalurgjik
i hekurit arrin zhvillimin e tij të plotë tek ilirët.
Ky metal e zëvendëson në një masë të
ndjeshme bronzin, në prodhimin e armëve dhe të veglave
të punës, të cilat tani bëhen më të
forta dhe më me rendiment në punimet e ndryshme bujqësore
dhe zejtare. Ky përmirësim i veglave të punës
çoi për pasojë edhe në zgjerimin e mëtejshëm
të prodhimit të shoqërisë ilire të kësaj
kohe.
Sendet metalike të kësaj faze të zhvilluar të
epokës së hekurit, tregojnë se sa përpara kishte
shkuar teknika e punimit të tij. Për këtë dëshmojnë
format e bukura dhe nganjëherë shumë të përsosura
të armëve dhe sidomos të stolive, të cilat nënkuptojnë
dhe procese pune mjaft të ndërlikuara, si edhe vetë
zbukurimi i pasur gjeometrik i këtyre objekteve të punuara
me mjeshtëri dhe me një radhitje simetrike të motiveve.
Kjo pasqyrohet më në fund edhe në vetë trajtimin
plastik të figurave prej bronzi në trajta njerëzish,
kafshësh e zogjsh.
Përpunimi i metaleve ishte përqendruar kryesisht në
qendrat metalurgjike të Ilirisë. Të tilla ishin në
vendin tonë, p.sh. zona e Mirditës dhe e Matit, ku janë
përcaktuar edhe vendet e shkrirjes së bakrit, si zona
e Kukësit, ajo e Korçës, e njohur për punimin
e metaleve që në kohën e bakrit dhe të bronzit
etj.
Prania e qendrave të ndryshme për punimin e metaleve në
Iliri duket edhe në vetë karakterin e diferencuar tipologjik
të prodhimeve të këtyre qendrave. Në to prodhohej
jo vetëm për të plotësuar nevojat e brendshme
të fisit ose të një krahine më të madhe,
por edhe për t’u përdorur si mall këmbimi.
Përparime të dukshme vihen re në këtë kohë
edhe në poçeri, e cila qëndron nga pikëpamja
e teknikës, e formave dhe e trajtimit të dekorit të
saj, më lart se poçeria e epokës pararendëse
të bronzit. Duke filluar nga shek.VI p.e.sonë, mbase edhe
pak më parë, në krahinat jugore të Ilirisë,
kalohet gradualisht nga punimi me dorë të lirë i
enëve prej balte, në prodhimin e tyre me çark.
Prodhimet e para i kemi nga vendbanimi i Trenit (shek.VII). Një
pjesë e madhe e poçerisë vendore të kohës
arkaike e zbuluar në varrezat tumulare të Kuçit
të Zi të Korçës, del e punuar me çark.
Një dukuri e tillë vihet re edhe në zonën e
Matit e të Kukësit. Futja e teknikës së re në
prodhimin e enëve, bëri që poçeria të
shndërrohet në një degë të veçantë
zejtarie, me të cilën merreshin mjeshtra të specializuar
në këtë fushë të prodhimit.
Zhvillimi i madh i degëve të ndryshme të prodhimit
bujqësor dhe zejtar, bëri që të zgjeroheshin
në këtë kohë edhe më tepër marrëdhëniet
ekonomike ndërfisnore, si edhe midis popullsisë ilire
dhe atyre të vendeve fqinje ose më të largëta.
Në këtë drejtim ndihmoi shumë dhe pozita e favorshme
gjeografike e territorit të Ilirisë, e ndodhur midis botës
mesdhetare dhe Evropës Qendrore, si edhe rrugët e tij
të hapura të komunikimit natyror, tokësor dhe detar.
Këto marrëdhënie pasqyrohen qartë në prodhimet
e ndryshme të zejtarisë greke apo në imitacionet
lokale të modeleve të tyre, në stolitë e tipave
italikë ose në qelibarin me prejardhje nga Baltiku. Nga
ana tjetër, stolitë dhe armët tipike ilire që
gjenden në Traki, Maqedoni, Itali ose në Greqi janë
dëshmi tjetër e gjallë e këtyre lidhjeve reciproke
tregtare që ekzistonin midis ilirëve dhe vendeve të
tjera përreth. Një zhvillim të madh morën veçanërisht
shkëmbimet tradicionale me Greqinë sidomos pas shek. VIII
p.e.sonë, me themelimin e kolonive helene në brigjet e
Ilirisë.
Shtrirja e territorit të Ilirisë gjatë brigjeve të
Adriatikut dhe të Jonit krijonte mundësinë për
një hov të madh të lundrimit. Në fillim të
epokës së hekurit ilirët përshkonin me anijet
e tyre të shpejta ujërat e këtyre deteve duke kaluar
deri në brigjet perëndimore të Greqisë dhe në
ato jugore të Italisë. Disa prej fiseve ilire, si mesapët
dhe japigët, u vendosën përgjithmonë në
brigjet e Italisë së Jugut. Shumë aktivë në
këtë veprimtari të hershme lundruese u treguan sidomos
liburnët, të cilët themeluan edhe vendbanime të
veçanta në ishullin e Korkyrës, si dhe në
brigjet e Gadishullit Apenin.
include ("../reklama460.php");
?>
Lindja e pronës private dhe diferencimi shoqëror
Përparimet që u bënë në degët e ndryshme
të ekonomisë gjatë epokës së hekurit sollën
ndryshime edhe në vetë strukturën e shoqërisë
ilire. Baza e këtyre ndryshimeve u bë prona private, e
cila filloi të shfaqet tek fiset ekonomikisht më të
zhvilluara, në fillim në blegtori e zejtari e më
pas edhe mbi tokën. Hesiodi, duke folur për kopetë
e mëdha në Helopi, shënon se ato ishin pronë
e njerëzve të veçantë. Karakteri dhe shkalla
e zhvillimit të zejtarisë dëshmon gjithashtu për
praninë në këtë fushë të pronësisë
private. Dukurinë e pronësisë për tokën
e kemi të dëshmuar më vonë dhe duket se ajo
ndjek një rrugë më të ngadaltë. Zakoni
i ndarjes së tokës çdo tetë vjet, që
na kumtohet nga Straboni për dalmatët, është
një dëshmi që tregon se zotërimi periodik i
saj ishte një hallkë e ndërmjetme në procesin
e formimit të pronës private.
Forcat kryesore të prodhimit të shoqërisë ilire
në këtë kohë ishin bujqit dhe blegtorët
e lirë, anëtarë të thjeshtë të fisit.
Këtyre u shtohet edhe një shtresë e re, më e
kufizuar, ajo e zejtarëve. Nga ana tjetër, nga masa e
gjerë e popullsisë, fillon të veçohet si një
shtresë më vete aristokracia fisnore, e cila, duke u shkëputur
nga prodhimi dhe nëpërmjet përvetësimit të
pasurisë së përbashkët, vihet në një
pozitë të privilegjuar derisa bëhet dalëngadalë
zotëruese e pronave të mëdha tokësore dhe blegtorale.
Ajo gradualisht mënjanon organet demokratike të fisit
dhe uzurpon pushtetin.
Nga burimet e shkruara më të hershme, siç është
eposi homerik, shihet se në disa nga fiset ilire ekzistonte,
tanimë, diferencimi shoqëror, të paktën në
shekujt VIII-VII p.e.re kur u krijuan “Iliada” e “Odisea”.
Duke folur për pjesëmarrjen e ilirëve paionë
në luftën e Trojës kundër ahejve, Homeri i barazon
prijësit e tyre ushtarakë, që vinin nga “Paionia
pjellore” me prijësit e ahejve dhe të trojanëve.
Kjo pa dyshim flet për një gjendje sociale pak a shumë
të ngjashme me atë të fiseve fqinje të Greqisë.
Në një vend të poemës “Odisea” flitet
për Feidonin, prijësin me origjinë fisnike të
thesprotëve, i cili pasi strehoi dhe mirëpriti në
pallatin e vet Odisenë, gjatë kthimit për në
atdhe, përgatiti një nga anijet e tij të shpejta
për ta dërguar atë në Itakë. Sipas këtij
tregimi mitik, Feidoni përfaqëson këtu njërin
nga krerët që jetonte në një nga pallatet më
të pasura të thesprotëve. Këta kishin anijet
e veta e njerëz që u shërbenin.
Shumë kuptimplotë në këtë drejtim është
dhe një tregim i Herodotit, sipas të cilit, Klistheni,
kur ftoi në Sikione (rreth vitit 570 p.e.sonë) të
gjithë burrat që do ta ndienin veten të denjë
për të pasur për grua të bijën e tij Agaristën,
midis atyre që u paraqitën tek tirani qe edhe një
farë Alkoni nga Molosia. Sipas këtij tregimi, ky molosas
duhet të ketë qenë nga një familje princore
ose shumë e pasur, që të pretendonte për të
lidhur krushqi me një skllavopronar të madh të Greqisë
së asaj kohe, siç ishte Klistheni.
Të dhënat arkeologjike nga varrezat tumulare të luginës
së Drinos, pellgut të Korçës dhe Ohrit (Trebenisht),
zonës qendrore ilire të Glasinacit etj., dëshmojnë
gjithashtu se në shek. VIII-V p.e.sonë, diferencimi shoqëror
në gjirin e shoqërisë ilire ishte bërë
mjaft i theksuar dhe kishte prekur edhe krahinat e thella të
Ilirisë Qendrore e Veriore. Në këto varreza ndeshen,
krahas varreve me inventar të varfër, edhe varre ku të
vdekurin e shoqëronin armë të kushtueshme, sende
luksi prej ari e argjendi dhe objekte të tjera të importuara
nga viset përreth, që i takonin shtresës së
pasur të aristokracisë fisnore.
Federatat fisnore
Zhvillimi i pronës private, që çoi në thellimin
e diferencimit social, u bë burim konfliktesh në shoqërinë
ilire të shek. VIII-V p.e.sonë. Në këtë
kohë morën përpjesëtime të mëdha luftërat
ndërfisnore dhe inkursionet plaçkitëse për
det e tokë, që arrinin deri në Greqi dhe në
brigjet e përtejme të Adriatikut. Të tillë kanë
qenë inkursioni i enkelejve për plaçkitjen e thesarit
të Delfit ose ato të detarëve liburnë, të
cilët me anijet e tyre të lehta dhe të shpejta zotëruan
për një kohë brigjet e Adriatikut, që nga Korfuzi
deri në brigjet italike.
Gjendja e krijuar nga këto luftëra dhe inkursione, që
i sillnin aristokracisë fisnore ilire të ardhura të
mëdha, gjen shprehjen e vet në veprimtarinë e gjerë
të ndërtimit të vendbanimeve të fortifikuara
dhe në zhvillimin e armatimeve, sidomos të armëve
të reja, siç ishin shpatat, hanxharët dhe heshtat
prej hekuri që janë gjetje të rëndomta në
varret e luftëtarëve ilirë dhe të mburojave
të paionëve, të përkrenareve e frerëve
të kuajve që përbënin pajisjet e veçanta
të aristokracisë luftarake.
Në procesin e këtyre konflikteve, fiset e vogla ilire
filluan të lidhen dhe të formojnë gjatë veprimeve
të tyre të përbashkëta në luftërat
agresive ose mbrojtëse, aty nga fundi i shek.VII p.e.sonë,
federatat e para. Një federatë e tillë ishte ajo
e taulantëve, që nën mbretin Galaur dhe më pas,
gjatë shek. VII-VI p.e.sonë invadoi disa herë Maqedoninë
duke i shkaktuar asaj dëme të rënda dhe sakrifica
të mëdha në njerëz. Gjatë shek. VI-V p.e.sonë
federata të tilla formuan edhe disa fise të tjera, si
molosët, thesprotët, kaonët, parauejtë, orestët,
lynkestët, paionët, dardanët etj.
Në krye të federatës qëndronte mbreti, i cili
në burimet quhet basileus. Në disa raste si tek kaonët
e thesprotët vendin e tij e zinte një njeri i zgjedhur
çdo vit nga gjiri i fisit sundues të federatës.
Në burimet e fundit të shek.V vihet re se funksioni i
basileut nuk i takonte më prijësit më të aftë
ushtarak, por ishte bërë i trashëgueshëm dhe
pushteti e autoriteti i tij ishte rritur mjaft si brenda fisit e
lidhjes fisnore, ashtu dhe jashtë tij. Në bazë të
këtij fuqizimi të prijësve ushtarakë dhe të
basilejve qëndronte gjithnjë pasuria që vinte duke
u shtuar përherë e më shumë në sajë
të luftërave. Ata vinin nga shtresa e pasuruar e shoqërisë
fisnore ilire, e cila dallohej nga pjesa tjetër e popullsisë
së thjeshtë. Ajo e konsideronte si një gjë të
turpshme të merrej me punimin e tokës, me mbarështimin
e bagëtisë, me prodhimin zejtar etj. Në këto
punë ishin të angazhuar vetëm prodhuesit e vegjël,
masa e gjerë e fshatarëve të lirë ose gjysmë
të lirë. Zanati më i nderuar për ta ishin lufta,
gjuetia, garat sportive etj., skenat e të cilave na janë
transmetuar përmes gjuhës së gjallë artistike
në objektet e bronzta të zbuluara në krahinat veriore
ilire apo në kallcat e Glasinacit.
Në gjysmën e dytë të shek. V p.e.sonë disa
nga federatat ilire kishin arritur një stad mjaft të përparuar
në zhvillimin e tyre politik. Taulantët, fiset ilire,
fqinje të Maqedonisë dhe ato më jugore: kaonët,
thesprotët e molosët merrnin pjesë në ngjarje
të tilla politike të historisë së botës
së Mesdheut siç ishte lufta e Peloponezit.
Taulantët ndërhyjnë me këtë rast në
luftën civile që shpërtheu në Epidamn në
vitin 436 p.e.sonë. Në këtë luftë ata morën
nën mbrojtje oligarkët e dëbuar nga demosi i qytetit
dhe qenë një nga ato forca që në aleancë
me Athinën, kundër lidhjes së Peloponezit, ndihmuan
aristokracinë epidamnase të rikthehet në pushtet.
Kjo ngjarje shënoi një kthesë të rëndësishme
në historinë e kësaj kolonie greke, sepse fatet e
saj do të lidhen paskësaj gjithnjë e më shumë
me botën ilire.
Dy njoftime të tjera kanë të bëjnë me ngjarjet
e vitit 423. I pari bën fjalë për kaonët, thesprotët,
molosët dhe disa fise të tjera më të vogla fqinje
të molosëve, që marrin pjesë nga ana e lakedemonëve
në fushatën për të nënshtruar Akarnaninë
dhe për ta shkëputur atë nga aleanca me Athinën,
fushatë që përfundoi pa sukses.
Njoftimi i dytë lidhet me luftën që zhvilluan ilirët
e krahinave juglindore kundër maqedonëve. Fisi ilir i
lynkestëve ishte prej kohësh në konflikt me sundimtarët
maqedonë, të cilët synonin ta nënshtronin. Gjatë
luftës greko-persiane mbreti maqedon i ndihmuar nga persët
kishte mundur t’u impononte lynkestëve sovranitetin e
tij. Në kushtet e reja të luftës së Peloponezit,
kur shteti maqedon ishte ende i pakonsoliduar dhe sundimtari i tij
Perdika II përplasej sa në njërën anë në
tjetrën, duke u lidhur herë me Athinën e herë
me Spartën, mbreti i lynkestëve, Arrabeu, shfrytëzoi
këtë situatë për t’u shkëputur nga
varësia maqedone. Në përpjekjet e tij për të
rivendosur gjendjen e mëparshme, Perdika kërkoi ndihmën
e aleatit të vet, komandantit të forcave lakedemone, Brasidës,
të cilit i kishte besuar luftën kundër Athinës
në teatrin halkidik të veprimeve ushtarake. Një ekspeditë
e fuqishme e përbërë nga forcat e Perdikës dhe
të Brasidës provoi të thyente Arrabeun me anën
e bisedimeve dhe të bëhej aleat i lakedemonëve. Por
përpjekjet dështuan dhe bashkë me to dështoi
edhe ekspedita kundër lynkestëve. Në kundërshtim
me vullnetin e Perdikës, Brasida nuk guxoi të sulmonte
dhe vendosi t’i tërhiqte forcat.
Pak kohë më vonë Perdika e bindi përsëri
Brasidën për një fushatë të re kundër
lynkestëve; forcat maqedone e ato lakedemone të përbëra
prej 3 000 hoplitësh, 1 000 kalorësish dhe një numër
barbarësh sulmuan Arrabeun. Por këtë radhë lynkestët
kishin siguruar ndihmën e vëllezërve të tyre
ilirë. Forcat e bashkuara të ilirëve dhe lynkestëve
e shpartalluan veçmas mbretin maqedon dhe e detyruan të
largohej në pështjellim të plotë, duke braktisur
aleatin e tij. Kështu Brasida u gjend i rrethuar keq dhe vetëm
me përpjekje të mëdha mundi t’i shpëtojë
forcat e veta nga asgjësimi i plotë. Kjo luftë ndryshoi
krejt drejtimin që kishin marrë ngjarjet në frontin
halkidik. “I detyruar nga rrethanat e rënda,- shkruan
Tukididi, - Perdika u përpoq të hynte sa më parë
në marrëveshje me athinasit dhe t’i hiqte qafe peloponezasit”.
Duke i përshkruar këto ngjarje të shek. V, Tukididi
na ka lënë edhe një shënim me mjaft interes
për vlerësimin e jetës social-politike të ilirëve.
Prej fjalimit, që sipas tij Brasida u mbajti ushtarëve
të tij para tërheqjes, ne mësojmë se shoqëria
ilire ruan ende në fundin e shek.V mbeturina të theksuara
të rendit fisnor. Por midis njoftimeve të autorëve
që bëjnë fjalë vetëm për inkursionet
e ilirëve dhe atyre të Tukididit, që i përmend
ata si një forcë aktive, pjesëmarrëse në
ngjarjet më të rëndësishme të kohës,
ku luajti ndonjëherë një rol jo pa rëndësi,
ka një ndryshim të dukshëm. E re në njoftimet
e Tukididit është se lufta e federatave ilire si në
rastin e ndërhyrjes në luftën civile të Epidamnit,
ashtu dhe në luftën kundër maqedonëve dhe aleatëve
të tyre peloponezas, nuk kishte më karakterin e një
inkursioni grabitqar, por synime politike të caktuara dhe kjo
nënkupton një stad mjaft të avancuar të organizimit
të tyre politik qoftë edhe në kuadrin e një
federate fisnore.
I gjithë ky zhvillim social-politik, që vihet re, veçanërisht
tek fiset ilire të jugut në fund të shek.V p.e.sonë,
pasqyron qartë një shoqëri, që jetonte etapën
e fundit të organizimit fisnor, atë kalimtare për
në rendin skllavopronar. Mbi bazën e kësaj shoqërie
do të lindin në fundin e shek. V - fillimin e shek. IV
p.e.sonë formacionet e para shtetërore ilire.
include ("../reklama460.php");
?>
3. KULTURA ILIRE
Njësia dhe veçantitë kulturore lokale
Kultura ilire u formua me tiparet e saj karakteristike që
e dallojnë nga kulturat e popujve fqinjë në periudhën
e zhvilluar të epokës së hekurit. Ajo ishte një
kulturë autoktone që u krijua në truallin historik
të ilirëve, në procesin e formimit të vetë
etnosit ilir, mbi bazën e zhvillimit të brendshëm
social-ekonomik të shoqërisë ilire dhe pa dyshim
edhe të marrëdhënieve me popujt fqinjë. Tiparet
themelore të saj janë shprehur në arritjet më
të rëndësishme të ilirëve në fushën
e zhvillimit të tyre ekonomik e shoqëror, në mënyrën
e të jetuarit dhe të kuptuarit të botës që
i rrethonte, në mënyrën e të pasqyruarit të
kësaj bote në artin e botëkuptimin e tyre.
Krahas tipareve themelore të përbashkëta të
kësaj kulture, që janë karakteristike për gjithë
truallin ilir, vihen re edhe veçanti lokale. Në kushtet
e një territori të gjerë, me larmi të theksuara
fiziko-gjeografike, siç ishte pjesa perëndimore e Gadishullit
të Ballkanit, me lidhje fqinjësie e marrëdhënie
me krahina që i karakterizonte një zhvillim i ndryshëm
social-kulturor, sidomos i theksuar midis veriut të prapambetur
qendërevropian dhe jugut më të përparuar egjeo-mesdhetar,
këto ndryshime lokale në kulturë janë po aq
të kuptueshme sa edhe zhvillimi jo i njëjtë social-ekonomik
që njohën ilirët e kësaj kohe. Të dhënat
arkeologjike dëshmojnë për ndryshime lokale edhe
në aspekte të veçanta të jetës dhe të
krijimtarisë së ilirëve, ndryshime të cilat
janë thjesht të karakterit etnografik.
Sipas të dhënave arkeologjike, në truallin ilir dallohen
në epokën e hekurit disa grupe kulturore: grupi jonik
ose epirot, që përfshin krahinën e banuar nga kaonët,
thesprotët, molosët dhe fiset e tjera më të
vogla të viseve më jugore; grupi adriatik-jugor ose taulanto-ardian,
që shtrihet në gjithë ultësirën bregdetare
nga Vjosa në Naretva dhe që banohej nga këto dy fise
të mëdha si dhe fise të tjera më të vogla
rreth tyre; grupi devollit ose dasaret në krahinën juglindore
të Shqipërisë me qendër pellgun e Korçës;
grupi pelagon në Maqedoninë Perëndimore dhe ai paion
në atë lindore, grupi i Matit ose pirust, që përfshin
krahinat e brendshme të Shqipërisë Verilindore (Mat,
Dibër Kukës) dhe ai dardan në Kosovë; grupi
i Glasinacit me qendër rrafshnaltën me të njëjtin
emër në lindje të Sarajevës dhe rreth saj, që
i përgjigjet krahinës së banuar nga autariatët;
grupi dalmatin, që përfshin krahinën midis lumenjve
Naretva e Krka; grupi japod në territorin e sotëm të
Likës dhe grupi verior-adriatik ose liburn, që shtrihej
në territorin midis lumenjve Krka e Zrmanje.
Çdo njeri nga këto grupe kulturore i përgjigjet
kryesisht territoreve të banuara nga fiset ose bashkimet e
mëdha fisnore ilire. Sa më të afërta gjeografikisht
ishin këto grupe, aq më të mëdha ishin ngjashmëritë
kulturore midis tyre. Kështu, p.sh., grupi japod paraqet mjaft
paralele me atë fqinjë liburn. Në Ilirinë Qendrore
grupi i Matit lidhet aq ngushtë me atë të Glasinacit
dhe atë dardan saqë inkuadrohen me një kompleks të
gjerë kulturor Mat-Glasinac; ndërsa në Ilirinë
e Jugut grupi devollit afron në shumë aspekte me atë
pelagon dhe epirot.
Këto ndryshime dhe ngjashmëri lokale, që burojnë
nga baza e përbashkët etnike, kushtet herë të
përafërta e herë të ndryshme të zhvillimit
social-ekonomik dhe marrëdhëniet ndërkrahinore, shkrihen
në tërësinë e bashkësisë kulturore
ilire, të cilën e vërejmë si në gjuhë,
ashtu dhe në kulturën materiale (vendbanimet, veglat e
punës, armët, qeramikën, stolitë etj.) e atë
shpirtërore (artin e botëkuptimin) të saj, pa kërkuar
një unitet të plotë për këtë shkallë
të zhvillimit të ilirëve. Veçoritë lokale
etnografike në kulturë, ashtu sikurse dhe ato dialektore
në gjuhë, nuk cenojnë unitetin e kulturës ilire
dhe të bartësve të saj, ato janë shprehje e
larmisë dhe e ndryshimeve brenda së njëjtës
kulturë.
Gjuha
Ilirët flisnin një gjuhë që dallohej nga gjuhët
e popujve të tjerë të kohës së lashtë
të Ballkanit. Ajo ishte një gjuhë e veçantë
indoevropiane, që kishte lidhje afërie ku më të
largët e ku më të afërt me gjuhë të
tjera të gadishullit dhe jashtë tij. Janë konstatuar
elemente të përbashkëta sidomos me trakishten. Lidhur
me vendin e ilirishtes në mes të gjuhëve indoevropiane
është diskutuar mjaft dhe janë dhënë mendime
të ndryshme.
Një varg dijetarësh të shquar historianë, arkeologë
e gjuhëtarë, kanë sjellë një sërë
argumentesh historike dhe gjuhësore për origjinën
e shqiptarëve dhe të gjuhës së tyre. Sintezën
më të plotë, të shoqëruar me vështrimin
kritik të mendimeve për origjinën e gjuhës shqipe,
e ka dhënë gjuhëtari i shquar prof. Eqrem Çabej,
i cili ka sjellë dhe argumentet e tij shkencore, në mbështetje
të tezës ilire. Disa nga argumentet e parashtruara prej
tij janë këto:
Shqiptarët banojnë sot në një pjesë të
trojeve, ku në periudhën antike kanë banuar popullsi
ilire; nga ana tjetër, në burimet historike nuk njihet
ndonjë emigrim i shqiptarëve nga vise të tjera në
trojet e sotme; një pjesë e elementeve gjuhësore:
emra vendesh, fisesh, emra njerëzish, glosa, etj., që
janë njohur si ilire, gjejnë shpjegim me anë të
gjuhës shqipe. Format e toponimeve të lashta të trojeve
ilire shqiptare, të krahasuara me format përgjegjëse
të sotme, provojnë se ato janë zhvilluar sipas rregullave
të fonetikës historike të shqipes, d.m.th. kanë
kaluar pa ndërprerje nëpër gojën e një
popullsie shqipfolëse; marrëdhëniet e shqipes me
greqishten e vjetër dhe me latinishten, tregojnë se shqipja
është formuar dhe është zhvilluar në fqinjësi
me këto dy gjuhë këtu në brigjet e Adriatikut
dhe të Jonit; të dhënat arkeologjike dhe ato të
kulturës materiale e shpirtërore, dëshmojnë
se ka vijimësi kulturore nga ilirët antikë te shqiptarët
e sotëm.
Nga të gjitha këto argumente, del si përfundim se
teza e origjinës ilire të gjuhës shqipe, është
teza më e mbështetur nga ana historike dhe gjuhësore.
Nga ilirishtja e Ballkanit gjer tani nuk është gjetur
gjë e shkruar dhe është menduar se nuk ka qenë
e shkruar. Dëshmohet e shkruar mesapishtja e Italisë Jugore,
që është mbajtur e mbahet përgjithësisht
si një degë e ilirishtes, në njëfarë mase
si një dialekt i saj i zhvilluar më tej në kushtet
e një veçimi prej disa shekujsh nga trungu i saj gjuhësor
kryesor. Prej saj kemi rreth 2 000 mbishkrime të shkruara në
një alfabet grek (dorik) me disa ndryshime për të
riprodhuar disa tinguj të posaçëm të gjuhës
së tyre. Një mbishkrim i Kalasë së Dalmaces
afër Pukës, që për dekada të tëra
qe mbajtur si i vetmi mbishkrim ilir, u provua nga gjuhësia
e re shqiptare se nuk ishte tjetër veçse një mbishkrim
greqisht i shek. VI-VII. Nëse do të kurorëzohen me
sukses përpjekjet që po bëhen për leximin e
një mbishkrimi të Muzeut të Shkodrës me prejardhje
nga Dobraçi, shkruar me një alfabet të panjohur
dhe të një mbishkrimi të gjetur në Bugojë
të Bosnjës Perëndimore, mund të sillen të
dhëna të reja e të hapen perspektiva. Zbulimet e
mëtejshme arkeologjike mund të japin ndonjë tekst
ilir të shkruar me alfabet të veçantë ose
me alfabet grek a latin. Gjuhët greke dhe latine që hynë
më parë në Iliri si gjuhë kulture, tregtare
ose si gjuhë zyrtare administrative, nuk u bënë kurrë
gjuhë të të gjithë popullit, i cili vazhdoi
të ruajë në jetën e tij të përditshme
të folmen amtare. Njoftimi i historianit grek të shek.
II p.e.sonë, Polibit, për bisedimet e mbretit Gent me
delegatët maqedonas përmes përkthyesit që njihte
ilirishten, dëshmon se kjo gjuhë u praktikua edhe si gjuhë
zyrtare deri në fund të jetës së pavarur politike
të ilirëve.
Nga gjuha e ilirëve kanë mbetur disa materiale, por që
nuk janë të mjaftueshme: elemente leksikore shumë
të pakta të së folmes së përditshme përbërë
nga disa glosa ilire, dhe sidomos një numër i madh (rreth
1 000) emrash të përveçëm, emra personash,
perëndish, fisesh, vendesh dhe disa emra lumenjsh e malesh.
Fjalët ilire i kemi në formën që na janë
dhënë prej autorëve grekë e latinë, jo
në formën autentike të tyre. Ndër ato fjalë
mund të përmenden rhinos = mjegull, sabaia = birrë
meli etj. Emrat e përveçëm ilirë që na
janë transmetuar në burimet e shkruara antike (autorë
grekë e latinë, mbishkrime greke e latine, monedha të
territorit ilir) përbëjnë materialin kryesor që
kemi prej ilirishtes së Ballkanit. Ato lejojnë që
të nxirren disa elemente të fjalëformimit emëror
të ilirishtes e ndonjë tipar fonetik i saj, ndonjë
element i leksikut të saj dhe material krahasimi me gjuhët
e tjera indoevropiane, po nuk japin mundësi të njihen
gramatika dhe leksiku i saj.
Studiues të ndryshëm kanë përcaktuar si ilire
edhe një numër fjalësh të ndeshura në gjuhët
e tjera të lashta ose në gjuhët e sotme të Evropës,
duke i marrë ato si huazime nga ilirishtja ose si të trashëguara
prej saj. Shumica e tyre janë të diskutueshme, po disa
kanë gjasa vërtetësie. Ndër to përmendim:
lat. mannus = kalë i vogël, krhs. shqipen maz/mëz;
gr. balios = i bardhë, me pulla të bardha, krhs. shqipen
balë; gr. kalibe = kasollë; disa fjalë pararomane
etj.
Material më të pasur jep mesapishtja e Italisë Jugore.
Prej saj kanë ardhur një numër mbishkrimesh zakonisht
të shkurtra e shpesh fragmentare të shek. VI-I p.e.sonë,
që japin edhe fjalë, trajta e ndonjë frazë,
përveç emrave të përveçëm që
përmenden në to, por që janë kuptuar dhe shpjeguar
deri më sot në një masë të vogël.
Kemi disa glosa si brendon = bri, bilia = bilë, bijë etj.,
dhe shumë emra të përveçëm njerëzish,
fisesh e vendesh.
Janë vënë re gjithashtu edhe bashkëpërkime
të rëndësishme midis mesapishtes dhe shqipes në
sistemin fonetik dhe gramatikor, si p.sh. reflektimi i |o|-së
së shkurtër indoevropiane në |a|, evolucioni ?|-m|>|-n|
i mbaresës së rasës kallëzore njëjës
të emrave në të dyja këto gjuhë etj.
Arti dhe botëkuptimi
Arti ilir në periudhën e hershme të hekurit karakterizohet
me stilin e tij dekorativ të theksuar të epokës së
bronzit, por lulëzimin e arrin në fillim të epokës
së plotë të hekurit, d.m.th. rreth shek. VIII-VII
p.e.sonë në kushtet e zhvillimit të mëtejshëm
ekonomiko-shoqëror të ilirëve. Kjo vihet re qartë
sidomos në grupin e kulturës së Devollit, në
atë të Mat-Glasinacit etj. Ky stil zbukurimi, i aplikuar
jo vetëm në objektet e veçanta metalike, kryesisht
prej bronzi dhe në qeramikë, por edhe në materialet
që nuk i rezistuan kohës si në dru, kockë etj.,
përfaqësohet nga një gamë e pasur figurash gjeometrike,
si rrathë të veçantë e bashkëqendrorë,
rombe e trekëndësha me fusha të zbrazura ose të
mbushura me vija paralele etj., të kompozuara me një fantazi
të zhvilluar dhe në një sistem rigorozisht simetrik.
Ky stil do të jetojë në të gjitha periudhat
e veçanta të zhvillimit dhe të dobësimit të
tij, deri në fund të periudhës së hershme të
hekurit, duke përbërë kështu bazën kryesore
dhe më të qëndrueshme të koncepteve estetike
të ilirëve në përgjithësi. Arti figurativ
në Iliri u zhvillua më vonë; atë e shohim të
përfaqësuar në figura njerëzish dhe kafshësh
të trajtuara skematikisht ose në mënyrë të
stilizuar si dhe në objekte të tjera, si art dekorativ
i ndërthurur me motive gjeometrike.
Nga shek.VI p.e.sonë tek fiset e Ilirisë së Veriut
nën ndikimin e fuqishëm të kulturave mesdhetare dhe
në kornizën e lidhjeve të shumëfishta të
popullsive përreth Adriatikut Verior, lindi një art i
pasur figurativ, shprehjen më të lartë të të
cilit e gjejmë tek situlat liburne e tek urnat japode. Në
një stil të pjekur arkaik të kohës janë
paraqitur në këto monumente pamje nga jeta e përditshme
e ilirëve, në mënyrë të veçantë
e shtresave të pasura të shoqërisë së tyre,
midis të cilave skena argëtimesh, siç është
rasti i një valleje grash lidhur dorë për dore, apo
i një procesioni funeral, ku përcjellja është
dhënë nëpërmjet një vargu të gjatë
kurorash luftarake dhe kalorësish që marrin pjesë
në ceremoninë solemne. Në raste të tjera paraqiten
skena luftimesh, gjuetie, mundjeje etj. Këto manifestime artistike,
megjithëse të ndikuara nga pikëpamja e stilit dhe
e karakterit tregimtar të ornamentit prej artit arkaik grek
dhe ai etniko-italik përsa i përket paraqitjes së
figurave, motiveve reale dhe përmbajtjes së tregimit,
kanë mjaft elemente vendëse, që tregojnë për
natyrën vendore të prodhimit të shumë prej tyre.
Në këtë drejtim përveç vlerave artistike,
këto monumente përbëjnë edhe një burim
historik të dorës së parë për njohjen e
jetës dhe të koncepteve të shoqërisë ilire
në shek. VI-V p.e.sonë.
Përsa u përket besimeve të ilirëve të epokës
së hekurit, ato nuk ndryshonin prej atyre të epokës
së bronzit. Një rol të madh vazhdon të luajë
kulti i tokës mëmë i lidhur me pjellorinë e
saj dhe me zhvillimin e bujqësisë në përgjithësi.
Shumë e përhapur tek ilirët ishte heliolatria (adhurimi
i diellit). Gjurmët e shumta të saj shprehen përmes
motiveve të ndryshme, që zbukuronin objektet e veçanta
dhe që në mënyrë grafike simbolizonin diellin.
Të tilla ishin, p.sh.: rrathët bashkëqendrorë,
svastikat, spiralja etj. Ky kult diellor tek ilirët shprehej
dhe përmes varëseve të ndryshme në formë
kali, kaprolli, zogu etj.
Një kult tjetër shumë i zhvilluar tek ilirët,
sidomos tek ata të krahinave jugore, ishte dhe gjarpri si simbol
i pjellorisë si totem, si qenie mbrojtëse nga syri i keq
(apotropeike) etj.
Vendosja e varreve në tuma përreth një varri më
të hershëm të pasur dhe qendror, si dhe shoqërimi
i të vdekurit në varr me objekte të ndryshme, tregon
se tek ilirët e periudhës së hershme të hekurit
ishte i zhvilluar dhe kulti i të parëve, si edhe besimi
mbi jetën e përtej varrit.
Ilirët besonin edhe në ekzistencën e fuqive mistike,
që rronin midis tyre dhe u shkaktonin njerëzve sëmundjet
dhe fatkeqësitë e tjera shoqërore. Për t’i
larguar këto të këqija, ilirët sajuan forma
të ndryshme varësesh (amuleta), me karakter apotropeik
etj.
4. KOLONITË HELENE TË BREGDETIT ILIR
Themelimi i kolonive helene dhe marrëdhëniet
me botën ilire
Vendosja e kolonive helene në bregdetin ilir është
pjesë e drejtimit të lëvizjes kolonizuese helene,
në të cilën më aktiv u tregua Korinthi. Kjo
dukuri u zhvillua, nga njëra anë, me shtytjen e faktorëve
ekonomikë e shoqërorë të metropoleve dhe, nga
ana tjetër, qe një hap i mëtejshëm në përfshirjen
e zonave ilire në sferën e ekonomisë së Mesdheut.
Kolonitë më të hershme u vendosën në tokat
e Ilirisë së Jugut. Këto zona të banuara nga
ilirët kishin marrëdhënie tregtare me vendet e Greqisë
që nga epoka kreto-mikene. Kjo tregti fitoi një bazë
më të gjerë në kushtet e shthurjes së rendit
fisnor tek ilirët. Vendosja dhe zhvillimi i mëtejshëm
i kolonive ka qenë pasojë e këtij procesi. Në
fillim u vendosën pranë vendbanimeve ilire pikat tregtare,
të cilat me zhvillimin e mëtejshëm të marrëdhënieve
me brendatokën ilire u populluan nga grupe kolonistësh
helenë dhe u kthyen në qendra të shpërngulurish
(apoike) të metropoleve greke.
Kolonia më e hershme u vendos në vitin 737 në ishullin
e Korkyrës, që banohej atëhere nga liburnët.
Nga këtej një valë kolonistësh u vendosën
në Dyrrah (627 p.e.sonë, ka shumë gjasë edhe
më herët). Apolonia, e cila u themelua në vitin 588,
ngjan të ketë qenë populluar nga kolonistë të
ardhur nga Dyrrahu. Për gjithë kohën antike midis
dy qyteteve u mbajtën lidhje të ngushta ekonomike dhe
politike, që janë karakteristike për marrëdhëniet
midis metropoleve dhe apoikeve. Në të njëjtën
kohë me Apoloninë u formua nga banorët të ardhur
nga Eubea edhe kolonia helene në Orik, e cila për vetë
mundësitë e kufizuara të kontakteve me prapatokën
ilire nuk arriti kurrë rëndësinë ekonomike,
as edhe famën e dy kolonive të tjera. Kaluan edhe dy shekuj
të tjerë derisa kolonistët helenë të ardhur
nga Parosi, Sirakuza e Sicilisë dhe Knidi të vendoseshin
në ishujt e Ilirisë së Veriut, ku themeluan Faron
(sot Hvar), Isën (sot Vish) dhe Korkyrën e Zezë (sot
Korculla).
Në fillimet e veprimtarisë së kolonive peshën
kryesore në ekonomi e zinte tregtia tranzite. Nga tokat ilire
merreshin prodhime bujqësore, lëndë druri dhe minerale
për nevojat e metropoleve, kundrejt shkëmbimit mall me
mall me prodhime të zejtarisë.
Por në shek.V p.e.sonë kolonitë e bregdetit ilir
nuk janë më shtojca të ekonomisë e furnizuese
të thjeshta lëndësh të para të qyteteve
mëma. Prodhimi lokal, i mbështetur kryesisht në shfrytëzimin
e punës së skllevërve, arrin në këtë
periudhë një shkallë të tillë zhvillimi
saqë ishte në gjendje të mbulonte jo vetëm kërkesat
e popullsisë së këtyre qyteteve, por edhe të
botës ilire përreth, gjallëruese dhe nxitëse
e drejtpërdrejtë e këtij zhvillimi. Importimet nga
qytetet mëma dhe Greqia u kufizuan kryesisht në sendet
e luksit dhe në veprat e artit. Dyrrahu dhe Apolonia vepronin
tani si njësi ekonomike krejt të pavarura, duke e shprehur
këtë edhe në prerjen e monedhave të tyre të
veçanta.
Zejtaria u orientua nga prodhimi i sendeve të konsumit të
gjerë: qeramika, veglat e punës, armët që hidheshin
në tregun e brendshëm dhe në atë të prapatokës.
Punishtet e prodhimit të gjerë të enëve prej
balte, të tjegullave e të tullave, të punimit të
gurit etj., ishin prona të skllavopronarëve dhe kishin
karakterin e ergasterive antike.
Në marrëdhëniet tregtare me botën ilire, veç
prodhimeve bujqësore e blegtorale, lëndës së
drurit për ndërtimin e anijeve dhe skllevërve, për
të cilat tregu grek kishte mungesë, vëmendja e kolonistëve
u përqendrua në pasuritë minerale të Ilirisë
së Jugut. Në shkrirjen dhe në përpunimin e hekurit,
të bakrit dhe të argjendit, ilirët kishin një
përvojë shekullore, nga e cila përfituan edhe kolonistët.
Veçanërisht eksportimi i argjendit që nxirrej nga
minierat e pirustëve dhe të Dardanisë, u bë
një nga burimet kryesore të pasurimit e të lulëzimit
të dy kolonive të mëdha, Dyrrahut dhe Apolonisë.
Ai eksportohej kryesisht në formën e monedhave, të
cilat gjetën një përkrahje të gjerë në
krahinat e afërta dhe të largëta ilire.
Për të nxjerrë fitime sa më të mëdha
nga marrëdhëniet tregtare me ilirët, sidomos nga
tregtia me shumicë e lëndëve të para, e gjithë
kjo veprimtari kryhej nëpërmjet një përfaqësuesi
të veçantë të kolonive, të quajtur poleti.
Duke qenë se Dyrrahu dhe Apolonia ishin qendra zejtare e tregtare,
bujqësia e blegtoria zinte në to një vend të
dorës së dytë. Në rrethet e afërta të
qytetit pronarët e pasur kishin tokat e kullotat e tyre me
sipërfaqe e prodhim të kufizuar, sepse kufiri me ilirët
nuk shtrihej shumë larg mureve të qytetit.
Rendi shoqëror dhe organizimi politik
Që në fillim në kolonitë helene të bregdetit
ilir u vendos mënyra antike e prodhimit. Në ndarjen e
shoqërisë në kolonitë rol të veçantë
luante prejardhja shoqërore dhe etnike e njerëzve. Në
kushte më të privilegjuara ishte shtresa me prejardhje
aristokrate, që kishte qenë shpesh përkrahëse
e themelimit të kolonive. Përbërja shoqërore
e shtresave të lira ishte e larmishme. Krahas të mërguarve,
për arsye politike gjatë luftërave të demosit
me aristokracinë në metropole, kishte fisnikë të
varfëruar, zejtarë të zhveshur nga mjetet e prodhimit,
fshatarë të shpronësuar, tregtarë e detarë.
Kjo masë e popullsisë shtohej vazhdimisht si rrjedhim
i dyndjeve të herëpashershme nga metropolet. Në Dyrrah
një kontingjent i madh njerëzish të tillë erdhi
në gjysmën e dytë të shek.V.
Në Dyrrah e në Apoloni shtresa e skllevërve përbënte
forcën kryesore të fuqisë punëtore. Ajo ndahej
në tri kategori: në skllevër të qytet-shtetit
skllavopronar, të cilët punonin në punishtet e tjegullave
dhe të tullave, në thyerjen, transportimin dhe në
skalitjen e gurëve, në përpunimin e metaleve e në
prerjen e monedhave, pra në punët më të rënda.
Të shumtë ishin edhe skllevërit privatë që
përbënin kategorinë e dytë, të cilët
përveç ergasterive shërbenin edhe në ekonomitë
shtëpiake.
Një pjesë të popullsisë, gjithmonë në
rritje, e përbënin “të huajt”, kategoria
e tretë ose banorët me origjinë ilire. Këta
në dhjetëvjeçarët e parë ishin të
privuar nga të drejtat shoqërore dhe politike.
Në përputhje me këtë përbërje shoqërore
të popullsisë, rendi politik në Apoloni e Dyrrah
kishte në fillim karakter oligarkik. Pushteti i takonte një
pakice me prejardhje aristokrate. Shumica dërrmuese e popullsisë,
ashtu edhe ilirët, duke mos bërë fjalë për
skllevërit, nuk gëzonte të drejta në qeverisjen
e qytetit.
Zhvillimi i vrullshëm ekonomik i Dyrrahut dhe i Apolonisë
në shek.VI-V shoqërohet me ndryshime në rendin shoqëror
e politik të dy kolonive, si rrjedhim i një lufte të
ashpër sociale e politike. Me zgjerimin e prodhimit zejtar
dhe të shkëmbimit të mallrave me ilirët dhe
me Greqinë, u pasuruan dhe u forcuan ekonomikisht shtresat
tregtare e zejtare të kolonive. Këto shtresa dolën
tani si forca të pavarura në arenën politike kundër
grupit oligarkik, me synimin për të marrë pushtetin
dhe për ta përdorur atë në dobi të interesave
të tyre. Si rrjedhim i kësaj, në vitin 437 shpërtheu
në Dyrrah një kryengritje e demosit, e njohur në
historinë antike për rolin që luajti në prag
të luftës së Peloponezit. Në arenën e kësaj
lufte përveç forcave të demosit dhe aristokracisë,
u duk edhe ndeshja e interesave të Korkyrës, prapa së
cilës qëndronte Athina dhe Korinthi. Të dyja fuqitë
synonin të përfitonin mundësi më të gjera
në tregun ilir. Gjithashtu në këtë ndeshje morën
pjesë aktive edhe ilirët fqinjë, të cilët
duke ndihmuar aristokratët e dëbuar nga qyteti, u radhitën
me forcat që përkahnin Athinën në luftën
kundër lidhjes së Peloponezit.
Rrjedhimi kryesor i luftës civile në Dyrrah ishte triumfi
i plotë i parimit të ndarjes klasore të shoqërisë,
forcimi i polisit skllavopronar. Pushteti tani kalon nga rrethi
i kufizuar i aristokracisë skllavopronare në duart e gjithë
skllavopronarëve si klasë. Baza shoqërore e tij u
zgjerua me pjesëmarrjen e shtresave më të gjera skllavopronare,
të pronarëve të punishteve, të tregtarëve
etj., duke bërë kështu më të theksuar mënyrën
antike të prodhimit. Që nga kjo kohë u forcua edhe
pozita shoqërore e ilirëve që banonin në qytet.
Një dukuri e tillë e ngjashme u zhvillua edhe në
Apoloni.
Këto ndryshime u pasqyruan edhe në përbërjen
dhe në funksionet shtetërore. Vendin e krerëve (fylarkëve)
aristokratë, në duart e të cilëve qe përqendruar
pushteti gjatë regjimit oligarkik, e zuri tani një organ
kolegjial, buleja (këshilli). Anëtarët e saj mund
të ishin jo vetëm nga fisnikët, por edhe nga shtresat
e tjera të skllavopronarëve. U krijua edhe organi i mbledhjes
së përgjithshme të popullit, helieja. Detyrat kryesore
të saj ishin miratimi i ligjeve, marrja e vendimeve me rëndësi
dhe zgjedhja e kontrollimi i veprimtarisë së organeve
ekzekutive të qytetit. Me gjithë pjesëmarrjen e popullit
të lirë, edhe ky organ ishte në duart e skllavopronarëve,
pa praninë e të cilëve helieja nuk kishte të
drejtë të zgjidhte organet e larta ekzekutive të
qytetit. Nga anëtarët e bulesë në krye të
çdo viti zgjidhej prytani, i cili ishte funksionari më
i lartë civil i qytetit. Me emrin e tij lidheshin të gjitha
ligjet, dekretet e vendimet me rëndësi të shpallura
gjatë vitit. Me çështjet që kishin të
bënin me mbrojtjen ushtarake dhe me luftën merrej toksarku,
që ishte komandanti i shigjetarëve. Sekretarit i binte
për detyrë kryesore të kujdesej për ngulitjen
mbi gur ose mbi tabela bakri të ligjeve, të dekreteve
e vendimeve të marra nga helieja apo organet e larta ekzekutive
dhe t’i shpallte ato publikisht. Të tre hieramnamonët,
merreshin jo vetëm me çështjet e kultit, me organizimin
e lojërave e të festave, por me sa duket edhe me çështjet
financiare të qytetit. Veç këtyre kishte edhe nëpunës
të tjerë, të një rangu më të ulët,
por që në të vërtetë luanin një rol
me rëndësi në jetën ekonomike. I tillë
ishte nëpunësi i ngarkuar me prerjen e monedhave, i cili
kishte për detyrë të kujdesej si për sigurimin
e lëndës së parë, ashtu edhe për prerjen
dhe shpërndarjen e monedhave. Mbi drahmet e argjendta emri
i tij vendosej krahas atij të prytanit. Një funksionar
tjetër ishte poleti që merrej me rregullimin e tregtisë
me ilirët.
Kulti fetar ishte në harmoni me institucionet shoqërore
e politike të qytetit. Kjo duket edhe nga shkrirja e funksioneve
fetare me ato shtetërore (hieramnamonët). Hyjnitë
më të adhuruara në Apoloni ishin Apoloni, që
i dha emrin qytetit, hyjnesha ilire e brigjeve u unjisua nga kolonistët
me Artemisin; Dionizi ishte hyu i vreshtave etj. Perënditë
kryesore, të cilëve u faleshin më shumë dyrrahasit,
ishin Zeusi, Dielli dhe bashkëthemeluesi legjendar i qytetit
Herakliu.
Kolonitë helene u vendosën në Iliri në rrethanat
e marrëdhënieve të ngushta ekonomike me ilirët,
që kushtëzoheshin nga interesat reciproke. Fuqizimi i
mëtejshëm i kolonive përkon me lindjen e qyteteve
ilire dhe me formimin e shtetit ilir. Tek këta kolonitë
do të gjejnë një bazë për t’u mbështetur
në synimet e tyre për çlirimin e plotë ekonomik
dhe politik nga metropolet. Nuk kanë munguar edhe konfliktet
midis ilirëve dhe kolonive, me sa duket, si rrjedhim i shpërdorimeve
të kolonistëve në marrëdhëniet me ilirët
dhe për kufijtë midis tyre. Këto morën forma
të armatosura në luftën e Apolonisë me qytetin
ilir Thronion rreth mesit të shek.V dhe në luftën
e ilirëve kundër Isës më 385 p.e.sonë.
Që nga gjysma e dytë e shek. IV p.e.sonë historia
e kolonive helene të bregdetit të Ilirisë zhvillohet
në marrëdhënie të ngushta me historinë
politike të shtetit ilir dhe në kornizën e saj.
include ("../reklama460.php");
?>
|