K R E U
VII
QËNDRESA E ILIRËVE KUNDËR
PUSHTUESVE ROMAKË
Luftërat e gjata të shtetit ilir dhe atij maqedon ishin
bërë pengesa më e fuqishme kundër pushtuesve
romakë. Thyerja e këtyre dy fuqive më të rëndësishme
në Ballkan i kishte hapur Romës rrugën për të
vazhduar më tej politikën e saj ekspansioniste në
këtë gadishull dhe më tej në Lindje. Në
shekullin II p.e.sonë dhe në shekujt që pasuan, Roma
i shtriu luftërat e saj pushtuese edhe mbi krahinat e tjera
të Ilirisë së brendshme dhe të asaj veriore.
Objekt i synimeve të Romës u bënë, në radhë
të parë Mbretëria Dardane dhe federata e dalmatëve,
dy formacione shtetërore ilire, të cilat dolën në
skenën politike më vonë. Mbretëria Dardane,
siç u pa në kreun e mëparshëm, përmendet
në burimet e shkruara edhe para këtyre luftërave
dhe del si kundërshtare e fortë e ekspansionit maqedon
në Ilirinë Verilindore, duke arritur zhvillimin e saj
më të madh në pjesën e dytë të shek.
III dhe gjatë shek. II p.e.sonë. Në këtë
shekull të fundit dardanët u bënë gjithashtu
edhe kundërshtarët më të fortë të
pushtuesve romakë.
Flamurin e luftës e morën dalmatët dhe fiset e tjera
të veriut, që u bënë simbol i qëndresës
kundër romakëve për një shekull e gjysmë.
Kryengritjet e njëpasnjëshme të ilirëve morën
karakter të gjerë duke përfshirë thuaj gjithë
trevën ilire nga Danubi në veri deri në skajet jugore
të Ilirisë.
Në prag të erës sonë shpërtheu kryengritja
e madhe e ilirëve, e quajtur kryengritja e Batos, e cila qe
kurorëzim i të gjitha kryengritjeve të mëparshme
dhe i solli dëme të ndjeshme Perandorisë Romake duke
e detyruar të hiqte dorë nga politika e saj agresive në
Evropën Qendrore.
1. FEDERATA E DALMATËVE
Në veri të shtetit ilir dhe të Mbretërisë
Dardane banonin popullsi të ndryshme ilire, të cilat me
përjashtim të ilirëve të bregdetit të Adriatikut.
dalin vonë në burimet e shkruara antike. Midis tyre ata
që përmenden më herët janë “liburnët”
të njohur si një nga popullsitë ilire që zhvilluan
detarinë. Por nga ilirët veriorë, të cilët
njihen më mirë dhe që zënë një vend
të rëndësishëm në ngjarjet e shekujve II-I
p.e.sonë e në qëndresën kundër pushtuesve
romakë, kanë qenë dalmatët.
Kjo gjendje e trashëguar nga përshkrimet e autorëve
antikë për ilirët e veriut është pasqyruar
në një farë mënyre edhe në historiografinë
e sotme. Nuk mund të thuhet se mungojnë studimet për
ilirët e veriut, por këto studime lidhen më tepër
me popullsi të veçanta, me shtrirjen e tyre gjeografike
dhe nuk ka një trajtim të përgjithshëm të
historisë së tyre. Këto studime mbështeten pak
nga të dhënat e arkeologjisë, edhe pse këto
janë të pasura në krahinat veriore ilire për
periudhat prehistorike e protohistorike dhe për periudhën
e pushtimit romak.
Federata e dalmatëve dhe luftërat kundër
pushtuesve romakë
Në shek. II p.e.sonë, dalmatët shfaqen në Ilirinë
e Veriut si një fuqi politike aktive. Tokat e banuara prej
tyre deri në atë kohë ndodheshin në krahinën
e brendshme, në jug të Alpeve Dinarike, ku gjendej edhe
kryeqendra politike e tyre, kështjella e Delminit. Në
këtë krahinë dalmatët krijuan një federatë
të fuqishme, e cila erdhi duke u shtrirë në drejtim
të bregdetit. Në federatën e dalmatëve u përfshinë
edhe disa popullsi fqinje. Gjatë shek. II p.e.sonë territori
i saj u zgjerua mjaft, në këtë territor qenë
përfshirë jo vetëm tokat e brendshme, por edhe ato
bregdetare. Në veri treva e federatës arriti deri te lumi
Titius (Krka e sotme), duke pasur si fqinjë liburnët.
Në jug, në fillim ishte lumi Tilur (Cetina), por më
vonë kufiri arriti deri te rrjedhja e poshtme e Naronës
(lumi i sotëm Neretva), në brigjet jugore të së
cilës banonin daorsët. Më i vështirë është
përcaktimi i kufirit lindor, pasi kemi të bëjmë
me një krahinë malore, por ka shumë të ngjarë
që ai të arrinte deri tek viset e banuara nga desidiatët,
në Bosnjë. Pjesa më e madhe e trevës së
federatës së dalmatëve, brenda këtyre kufijve
dhe detit Adriatik ishte thuajse tërësisht malore, por
nuk mungonin edhe disa pllaja të mëdha. Kjo veçori
e relievit të viseve dalmate dhe kullotat e pasura të
rrafshnaltave favorizonin zhvillimin e blegtorisë, kanë
bërë që blegtoria të ishte baza kryesore e ekonomisë
dhe që vetë dalmatët të njihen më tepër
si blegtorë. Bujqësia vinte në rend të dytë,
kurse xehtaria ka qenë më pak e zhvilluar.
Të dhënat e arkeologjisë tregojnë se edhe te
dalmatët sikurse tek ilirët e tjerë, në periudhën
e parë të hekurit kishte filluar shthurja e bashkësisë
primitive dhe diferencimi ekonomik e shoqëror. Në gjirin
e shoqërisë së dalmatëve ishte krijuar një
shtresë e veçantë që zotëronte kope të
mëdha bagëtish të imta, nga e cila doli paria fisnore,
që u vu në krye të federatës dhe e udhëhoqi
në luftërat e ndryshme. Kësaj kohe i përkasin
edhe një tok qendërbanimesh të fortifikuara, të
quajtura zakonisht “gradina” të ngritura përreth
pllajave të brendshme, rrënojat e të cilave janë
ruajtur deri në ditët tona. Këto qendërbanime
të fortifikuara apo kështjella ngriheshin në majat
e sheshuara të disa kodrave të ulta dhe janë të
njëkohshme. Ato përveç mbrojtjes natyrore ishin
të fortifikuara me ledhe gurësh që dalmatët
bënë kundër pushtuesve romakë. Ndryshonte prej
tyre Delmini, kryeqendra e dalmatëve, të cilën Straboni
e ka quajtur një qytet të madh; sikurse del nga përshkrimet
e disa autorëve të tjerë antikë, ai ka qenë
shumë i fortifikuar, i rrethuar me mure të larta dhe i
vështirë për t’u pushtuar. Për të
njohur natyrën e qendërbanimeve të fortifikuara të
dalmatëve mund të ndihmonte arkeologjia; por ato qendërbanime
kanë mbetur ende të pastudiuara mirë. Sidoqoftë
ato nuk u zhvilluan si qendra qytetare, veçse me ndonjë
përjashtim të rrallë, por i shërbyen kryesisht
popullsisë blegtorale. Duke qenë blegtoria degë kryesore
e ekonomisë së viseve të brendshme dalmate, në
këto vise u zhvilluan ato zeje që lidhen me blegtorinë.
Kështu pasuria e madhe me dhen i dha shkas punimit të
leshit dhe krijimit të punishteve të tekstilit. Në
popullsinë blegtorale të dalmatëve pati një
zhvillim edhe punimi i drurit, i ndihmuar nga pyjet e pasura të
viseve të tyre.
Të dhënat burimore të shkruara dhe arkeologjike,
tregojnë se te dalmatët e viseve të brendshme u ruajt
më gjatë organizimi fisnor; për marrëdhëniet
ekonomike e shoqërore të ruajtura te dalmatët e brendshëm
bën fjalë Straboni kur shkruan se, ende në kohën
e tij, dalmatët e ndanin tokën çdo tetë vjet
dhe se ndryshe nga banorët e bregdetit, përdornin monedhat.
Nga kjo e dhënë e Strabonit kuptohet se nuk ishte fjala
për tokat e kulturave bujqësore, ku ekzistonte prona private,
por për kullotat, pyjet etj., të cilat vazhdonin, si edhe
tek ilirë të tjerë, të ishin prona të përbashkëta.
Por, në të njëjtin vend Straboni shkruan se Salona
ishte një skelë e dalmatëve dhe se në viset
e tyre ka pasur qendërbanime të shumta (sipas tij numri
arrinte në 50); qytete të rëndësishme, përveç
Salonës e Delminit, kanë qenë Propona, Ninia, Andetri
etj. Është e qartë se njoftimi i parë i Strabonit
u përket viseve të brendshme, kurse në krahinën
bregdetare gjendja ishte krejt ndryshe. Në ishujt fqinjë
dhe në bregdet ndodheshin kolonitë greke të Farit
e të Isës dhe qytetet Tragur e Epeti, të varura prej
kësaj të fundit. Në krahinën bregdetare ku ndodheshin
të gjitha qendrat qytetare që u përmendën më
sipër, janë gjetur materiale arkeologjike e monedha, midis
të cilave edhe monedha të Dyrrahut e të Apolonisë,
tregues të një zhvillimi ekonomik e shoqëror të
përparuar. Në këtë krahinë të gjerë
të federatës së dalmatëve organizimi fisnor
po ia lëshonte vendin shoqërisë skllavopronare. Ka
qenë ky zhvillim që pati treva e federatës së
dalmatëve, i cili e bëri këtë të fundit
një fuqi politike të rëndësishme në brigjet
e Adriatikut Verior në shek. II-I p.e.sonë.
Në fillim të shek. II p.e. sonë, gjatë sundimit
të Pleuratit dalmatët qenë në vartësinë
e shtetit ilir, por për një kohë të shkurtër.
Me vdekjen e Pleuratit dhe me ardhjen e Gentit në krye të
shtetit ilir në vitin 181 p.e.sonë ata u bënë
përsëri të pavarur. Pas shkëputjes nga shteti
ilir federata e dalmatëve u forcua shumë. Në këtë
kohë dalmatët bashkuan rreth vetes edhe popullsi të
tjera ilire, të cilat qenë detyruar t’i jepnin federatës
si tribut, bagëti dhe grurë. Në viset bregdetare
adriatikase, Traguri e Epeti, dy qytete që ishin nën varësinë
e kolonisë sirakuziane, Isës, dhe që ndodheshin pranë
Salonës, qenë detyruar t’i jepnin gjithashtu një
tribut federatës së dalmatëve. Dalmatët u përpoqën
njëkohësisht të nënshtronin daorsët, të
cilët zotëronin vetëm krahinat pas bregut të
majtë të rrjedhjes së poshtme të lumit Naretva.
Daorsët para vitit 168 p.e.sonë bënin pjesë
në shtetin ilir dhe me rënien e këtij të fundit
kishin hyrë nën protektoratin e Romës.
Forcimi i federatës së dalmatëve sidomos në
viset bregdetare jugore, nuk mund të mos ngjallte shqetësime
në shtetin romak, që ndiqte një politikë pushtuese
në viset veriore ilire. Këtë politikë pushtuese
shteti romak e justifikonte, gjoja për të mbrojtur kufijtë
lindorë të Italisë. Kështu pati vepruar që
në kohën e luftërave iliro-romake, ndërsa në
vitin 178 p.e.sonë ushtria romake, pasi kishte thyer qëndresën
e istrëve, kishte pushtuar gjithë gadishullin e banuar
prej tyre. Duke zbatuar më tej politikën pushtuese Roma
sulmoi edhe federatën e dalmatëve. Për luftën
kundër dalmatëve romakët përdorën si pretekst
ankesat e daorsëve e të Isës, të cilët
ishin nën tutelën e Romës, dhe sjelljet e këqija
të dalmatëve kundër delegatëve të tyre.
Vepra e Polibit, që është burimi kryesor për
këto ngjarje, tregon se nuk qenë veprimet e dalmatëve
shkaku i luftës, por plani i Romës, i përgatitur
me kohë për të pushtuar trevën veriore ilire.
“Duke ndërmarrë një fushatë kundër
dalmatëve, shkruan Polibi, në njërën anë
do të nxitnin, do të ngrinin shpirtin luftarak të
popullit të tyre dhe, në anën tjetër, do t’u
jepnin një mësim ilirëve dhe do t’i detyronin
t’i nënshtroheshin sundimit të Romës. Për
këto arsye romakët u shpallën luftë dalmatëve,
por përpara popujve të tjerë hiqeshin se e bënë
këtë për shkak të sjelljes së keqe të
dalmatëve ndaj përfaqësuesve të tyre”.
Në vitin 156 p.e.sonë ushtria romake duke pasur si bazë
rrjedhjen e poshtme të lumit Naretva filloi sulmin kundër
dalmatëve. Përpjekja e parë e ushtrisë romake
për t’u futur në viset e dalmatëve përfundoi
keq dhe ajo u detyrua të kthehej përsëri në
bazën e nisjes. Konsulli romak G. Mark Figuli, duke shpresuar
se do t’i zinte dalmatët në befasi, i sulmoi përsëri
ata në fillim të dimrit. Dalmatët e përballuan
me sukses sulmin që ushtria romake i bëri kryeqendrës
së tyre Delminit, por një vit më vonë, pas përgatitjesh
të mëdha, romakët duke përdorur të gjitha
mjetet mundën të pushtojnë Delminin. Burimet e shkruara
nuk bëjnë fjalë për gjendjen që u krijua
pas luftës. Ngjarjet e mëpastajme tregojnë se lufta
vërtet përfundoi keq me pushtimin e Delminit, por jo me
nënshtrimin e dalmatëve. Pas kësaj lufte romakët
e zgjeruan agresionin e tyre në Ilirinë e Veriut duke
sulmuar japodët e panonët. Kësaj radhe sulmet e romakëve
patën si pikënisje kufirin verilindor të Gadishullit
Italik dhe si bazë për fushatat e tyre kundër ilirëve
shërbeu qyteti Akuilea, në Gadishullin e Istrisë,
ku shteti romak kishte vendosur një koloni me qytetarë
romakë. Japodët e panonët, ashtu si dalmatët
i vazhduan për një kohë të gjatë luftërat
kundër pushtuesve romakë. Me qëndresën që
i bënë shtetit romak për më se njëqind
vjet - nga gjysma e dytë e shek. II deri në gjysmën
e dytë të shek. I p.e.sonë - popullsitë ilire
të veriut, e detyruan atë të dërgonte në
viset e tyre ushtri të reja, por pa arritur rezultate të
dukshme. Në krye të popullsive veriore ilire, në
luftën kundër romakëve, qëndronin dalmatët,
të cilët për shumë vjet me radhë mbetën
kundërshtarët më të fortë të Romës.
Në gjysmën e dytë të shek. II p.e.sonë
kundër pushtuesve romakë luftuan edhe ardianët. Ardianët
ishin një nga popullsitë e mëdha ilire që jetonte
në brigjet e Adriatikut të Mesëm deri në afërsi
të liqenit të Shkodrës. Viset e tyre, që bënin
pjesë në shtetin ilir, pas vitit 168 p.e.sonë, ishin
futur në njërën nga krahinat pseudoautonome të
krijuara nga shteti romak. Nën ndikimin e luftës dhe të
qëndresës së federatës së dalmatëve
kundër Romës, ardianët e ndryshuan statusin e vendosur
në vitin 168 dhe u bënë të pavarur. Në
përpjekjet për të forcuar pozitën e tyre në
një krahinë të varur politikisht nga shteti romak,
ata u ndeshën së pari me “aleatët” e
këtij shteti. Sipas Tit Livit ardianët e pleurejtë
“shkretonin Ilirinë që ishte nën romakët”.
Përpjekjet e ardianëve e të pleurejve për të
forcuar pavarësinë e tyre, në një kohë
kur edhe fise të tjera ilire luftonin kundër pushtuesve
romakë, krijuan për Romën një situatë të
vështirë, të rënduar edhe nga kryengritja e
skllevërve në Sicili. Për të dalë nga kjo
situatë shteti romak dërgoi në viset e ardianëve
e të pleurejve një ushtri relativisht të madhe, të
përbërë nga 10 mijë këmbësorë
e 600 kalorës. Mënyra se si u zhvilluan luftimet tregon
se sulmi romak i gjeti ardianët e pleurejtë të papërgatitur
për një luftë e qëndresë të gjatë.
Burimet japin njoftime vetëm për një betejë
që u bë në vitin 135 p.e.sonë, ku romakët
i thyen ardianët e pleurejtë. Pas kësaj lufte shteti
romak, për të shmangur një kryengritje e re, i shpërnguli
me forcë ardianët nga bregdeti në viset e brendshme
malore të Hercegovinës së sotme.
include ("../reklama460.php");
?>
2. KRYENGRITJET E ILIRËVE
Kryengritjet e ilirëve në mesin e shek. I p.e.sonë
Megjithëse popullsitë e ndryshme ilire ishin mundur në
beteja të veçanta nga ushtria romake, kjo e fundit nuk
e kishte thyer përfundimisht qëndresën e tyre. Pas
luftërave mbrojtëse filluan kryengritjet. Mizoritë
e ushtrive romake, veprimet arbitrare të komandantëve
e të qeveritarëve romakë, taksat e rënda, plaçkitjet
e grabitjet e pushtuesve i shtynë në kryengritje ilirët
e veriut dhe të jugut. Pushtimi romak bëhej përherë
e më i rëndë; në krahinat e pushtuara nuk ishin
të siguruara as gjëja, as nderi dhe as jeta e ilirëve.
Kjo bëri që në gjysmën e dytë të shek.
I p.e.sonë, gjatë krizës politike që kaloi Republika
Romake për shkak të luftës civile, lufta çlirimtare
e ilirëve të zgjerohej edhe më shumë. Në
krahina të ndryshme të Ilirisë, sidomos në ato
bregdetare u krijua një situatë e favorshme, e cila u
dha shkas përpjekjeve për çlirim. Duke pasur synime
të qarta politike, ilirët u përpoqën të
përfitonin nga konfliktet që lindën në gjirin
e klasës sunduese romake. Kështu në vitet 50 të
shek. I p.e.sonë një pjesë e qyteteve (ku ishin vendosur
qytetarë italikë) që kishin filluar të zhvilloheshin
ekonomikisht, morën anën e Cezarit; paria ilire, e nisur
nga interesat e saj jetësore, përkrahu kundërshtarin
e tij, Pompeun.
Të parët që morën armët dhe u ngritën
kundër romakëve qenë pirustët; në vitin
50 p.e.sonë ata sulmuan krahinat jugore të vëna nën
administrimin e Cezarit. Shteti romak mori masa mbrojtjeje kundër
pirustëve kryengritës, dërgoi forca të reja
ushtarake dhe fortifikoi qytetet. Ne kemi dëshminë e tri
mbishkrimeve latine të gjetura në Lezhë dhe të
vetë Cezarit për rindërtimin e fortifikimeve të
Lisit, që duhet të ketë qenë një nga qytetet
e para të sulmuara nga pirustët.
Atë që nuk mundën ta bënin pirustët, dëbimin
e pushtuesve romakë nga vendi i tyre, e bënë dalmatët.
Në vitet 50 të shek. I p.e.sonë dalmatët rimëkëmbën
federatën e tyre. Në kufirin verior me liburnët ata
çliruan qytetin Promona dhe thyen ushtrinë e fortë
romake të dërguar kundër tyre nga Cezari. Në
vitet 47-48 në një betejë të madhe ata shkatërruan
tërësisht ushtrinë romake të përbërë
nga 15 kohorta këmbësorësh e 3 000 kalorës.
Më shumë se 2 000 ushtarë, 30 centurionë e 4
tribunë romakë u vranë në këtë betejë.
Me disfatë përfunduan edhe operacionet e tjera të
ushtrisë romake, e cila u thye, duke humbur edhe flamujt. Sipas
Apianit, dalmatët pas këtyre betejave “nga plaçka
e shumtë që zunë jo vetëm u pasuruan në
të holla, por rritën fuqinë e tyre ushtarake”.
Dalmatët mbetën të pavarur dhe të fuqishëm
edhe pas vdekjes së Cezarit.
Kundër pushtuesve romakë u ngritën edhe parthinët,
tokat e të cilëve gjatë luftërave u bënë
shesh lufte. Me pasoja për ta qe lufta midis Cezarit e Pompeut
që shkatërroi ekonominë e tyre. Gjatë kësaj
lufte ushtritë romake grabitën popullsinë parthine
dhe krijuan aty një gjendje pasigurie. Për herë të
parë parthinët ngritën krye në vitin 48 p.e.sonë,
por kryengritja më e madhe e tyre ka qenë ajo e vitit
39, gjatë së cilës u shkaktuan pushtuesve romakë
humbje të mëdha. Por në luftimet u vranë rreth
5 000 kryengritës. Sipas tregimit të Apianit, edhe pasi
ishte shtypur kryengritja, njëri prej komandantëve romakë,
Mark Antoni, do të ndihmonte ushtrinë që kishte në
tokat ilire dhe me qëllim që ta bënte të pasur
dhe njëkohësisht ta stërviste, e hodhi këtë
ushtri kundër parthinëve.
Gjatë gjysmës së dytë të shek. I fise të
tjera kryengritëse ilire të veriut vazhduan të luftojnë
kundër pushtuesve romakë. Oktaviani, që ishte bërë
në vitet 40 sundimtar i vetëm i shtetit romak, u detyrua
të vinte vetë në viset ilire të çliruara
në krye të një ushtrie prej 8-10 legjionesh (pothuaj
1/5 e ushtrisë së tij). Me këtë fushatë
të madhe ushtarake Oktaviani kërkonte të forconte
njëkohësisht edhe pozitën e tij në Itali. Në
vitin 35 p.e.sonë ushtria i sulmoi nga toka dhe nga deti liburnët,
kaonët dhe japodët. Këta të fundit u bënë
legjioneve pushtuese një qëndresë të madhe.
Në qëndresën ilire të kësaj kohe mbetet
si një shembull i madh lufta për mbrojtjen e Metulit,
qytetit kryesor të japodëve. Romakët mundën
të pushtonin këtë qytet vetëm kur ai u shkatërrua
i tëri dhe kur ishin vrarë mbrojtësit e tij. Për
të mos rënë në duart e armikut, gratë metulase
me fëmijët e tyre u hodhën në zjarrin që
përfshiu qytetin. Shteti romak sulmoi pastaj edhe fise të
tjera ilire si panonët, dalmatët e dardanët.
Pas kësaj fushate të përgjakshme që u kushtoi
rëndë romakëve, këta të fundit arritën
deri në Danub, duke hapur edhe rrugën tokësore që
lidhte krahinat danubiane me detin Egje. Ilirët kryengritës,
që luftonin jo të bashkuar u mundën nga ushtria e
madhe romake e armatosur dhe e organizuar mirë. Por popullsitë
ilire nuk iu nënshtruan pushtuesit as pas fushatës së
viteve 30, me gjithë masat e marra nga shteti romak, largimin
me forcë prej vendit të tyre të shumë kryengritësve
dhe kthimin në skllevër të robërve të zënë
gjatë luftërave pushtuese.
Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të erës
sonë
Kryengritja më e madhe ilire kundër pushtuesve romakë
ka qenë ajo e viteve 6-9 të e.sonë. Ajo dallohet
nga kryengritjet e tjera për shtrirjen e gjerë të
saj, pjesëmarrjen e popullsive të tëra ilire, për
luftën e paepur të kryengritësve dhe për gjendjen
e vështirë që krijoi për shtetin romak. Kryengritja
filloi në një kohë kur Perandoria Romake, duke vazhduar
politikën pushtuese të saj, po përgatitej për
luftën kundër markomanëve gjermanikë, të
cilët kishin krijuar në tokat e Çekisë së
sotme një federatë fisnore të fuqishme. Shteti skllavopronar
romak kishte ngarkuar me tribute popujt e pushtuar dhe i kishte
detyruar të jepnin rekrutë për luftërat e reja
pushtuese. Për luftën kundër markomanëve ishte
përgatitur një ushtri e madhe prej 12 legjionesh, e cila
do të plotësohej me reparte ndihmëse. Ushtarët
e këtyre reparteve do të rekrutoheshin kryesisht tek fiset
e mëdha të veriut: dalmatët, desidiatët, panonët
etj. Rekrutimi i bërë me forcë i shtyti përsëri
në kryengritje ilirët, që ishin rënduar edhe
nga pagesa e taksave. Dalmatët edhe para kësaj kryengritjeje
kishin qëndruar të qetë. Të parët u ngritën
desidiatët dhe shumë shpejt kryengritja u përhap
edhe tek popullsitë e tjera ilire, nga lumenjtë Sava e
Dava në veri, deri tek lumi Mat në jug, ku u ngritën
pirustët. Kjo ka qenë kryengritja më e madhe ku,
për të parën herë, një tërësi
popullsish ilire rrokën armët së toku dhe u hodhën
në luftë kundër pushtuesve romakë. Ushtria kryengritëse
ilire përbëhej nga 200 mijë këmbësorë
e 9 000 kalorës dhe udhëhiqej nga tre komandantë:
nga Bato Desidiati dhe nga një tjetër Bato e Pini nga
fisi i breukëve panonë. Duke bashkërenditur veprimet
e tyre, kryengritësit ilirë filluan operacionet në
tri drejtime: 1) Një grup kryengritësish u drejtuan nga
krahinat bregdetare adriatikase dhe, duke çliruar mjaft qytete
e kështjella, zbritën në jug deri në afërsi
të qytetit të Apolonisë, në provincën e
Maqedonisë. 2) Një grup tjetër kryengritësish
u drejtua nga veriperëndimi, për të çliruar
krahinat ilire në kufi me Italinë dhe për të
forcuar mbrojtjen në këto vise. 3) Një pjesë
tjetër e kryengritësve qëndroi në brendësi
të viseve dalmate, duke pasur si detyrë jo vetëm
çlirimin e plotë të vendit, por edhe organizimin
e mbrojtjes.
Lufta çlirimtare e ilirëve dhe fitoret e para të
tyre u bënë shqetësuese për romakët, të
cilët po humbnin kështu tokat e pushtuara në pjesën
veriore të Ballkanit. Vrulli i kësaj lufte e tronditi
shumë pushtetin qendror romak. Në Romë u shpall mobilizimi
i përgjithshëm. Vetë perandori Oktavian lëshoi
kushtrimin në senat, se “në dhjetë ditë,
po të mos merren masa mbrojtjeje, armiku mund të hyjë
brenda në Romë”. Perandori kërkoi që për
nevojat e ushtrisë shtresat e pasura të jepnin një
pjesë të pasurisë së tyre. U thirrën nën
armë veteranët e luftërave të mëparshme
dhe u pranuan në ushtri edhe skllevërit e liruar. Me markomanët
shteti romak bëri një marrëveshje, e cila u lehtësua
edhe nga fakti që nuk kishin filluar veprimet e luftës.
Legjionet romake, të dërguara kundër markomanëve
dhe të vëna nën komandën e Tiberit, morën
urdhër të drejtohen për në Iliri, ku ziente
kryengritja.
Me gjithë masat e forta që mori Perandoria Romake, gjatë
dy viteve të para të luftimeve me legjionet romake, iniciativa
ishte në duart e kryengritësve, të cilët duke
vepruar me shpejtësi dhe shkathtësi e goditnin ushtrinë
romake në befasi dhe në disa drejtime në një
kohë, sulmonin kolonat e furnizimit etj. Në luftë
kundër kryengritësve ilirë, shteti romak solli nga
Siria dy legjione nga më të fortat, kërkoi ndihmën
e aleatit të tij Remetalkut, mbretit të Trakëve dhe
dërgoi në Ilirik komandantët më të mirë
ushtarakë. Ushtria romake gjatë operacioneve në viset
ilire përdori të gjitha mjetet për të mposhtur
qëndresën e ilirëve, forcën e armëve, djegien
e qendërbanimeve të ilirëve kryengritës, shkatërrimin
e arave, të kopshteve e të pyjeve, vrasjen e kthimin e
popullsisë ilire në skllevër. Në vitin e tretë
të kryengritjes duke shfrytëzuar gjendjen e vështirë
të krijuar pas dimrit të fortë në vitet 7/8,
duke përdorur intrigat dhe përçarjet, romakët
mundën me anë premtimesh të bënin për vete
Baton, njërin prej prijësve breukë. Megjithëse
Batoja i breukëve u kap shpejt nga kryengritësit dhe u
dënua si tradhtar, kryengritësit panonë ishin përçarë
dhe ushtria romake mundi ta shtypte qëndresën e fiseve
kryengritëse të Panonisë.
Në vitin 9 vatra kryesore të kryengritjes mbetën
krahinat dalmate. Shteti romak, në luftën kundër
kryengritësve ilirë angazhoi të gjitha forcat ushtarake
të grumbulluara. Kryengritësit ilirë, ndër të
cilët forcën kryesore e përbënin dalmatët,
qenë të detyruar t’u bënin ballë sulmeve
të një ushtrie armike disa herë më të madhe
dhe që zotëronte mjete të shumta lufte. Kryengritësit
dalmatë treguan në luftimet kundër legjioneve romake
një trimëri e vendosmëri të madhe dhe u shkaktuan
dëme të shumta armiqve. Nën muret e kështjellës
së Andetrit, në Dalmati romakët nga rrethues u shndërruan
në të rrethuar dhe shpëtuan nga një katastrofë
e madhe, të ndihmuar përsëri nga tradhtia e disa
përfaqësuesve të parisë vendase. Në mbrojtje
të një kështjelle tjetër, Arbudës, me kryengritësit
u bashkuan edhe gratë, të cilat për të mos rënë
në duart e armiqve u hodhën me fëmijët e tyre
në zjarrin që kishte përfshirë kështjellën
dhe në humnerat poshtë saj. Kështjellat dalmate,
të mbrojtura nga kryengritësit ranë në duart
e pushtuesve romakë si gërmadha dhe pa banorë. Popullsi
të veçanta ilire e vazhduan qëndresën edhe
pas rënies së kështjellave dalmate. Të fundit
që u mposhtën qenë desidiatët e pirustët,
të cilët sikurse shkruan historishkruesi romak Velei Paterkuli,
pjesëmarrës në luftën kundër kryengritësve
ilirë, “ishin pothuaj të pathyeshëm në
sajë të pozitës së vendeve dhe të maleve,
të natyrës së tyre të egër, të zotësisë
së tyre të çuditshme për të luftuar...”.
Kryengritja e ilirëve e viteve 6-9 të e.sonë, sipas
historishkruesit romak Suetonit, “ishte më e tmerrshme
nga të gjitha luftërat e jashtme pas luftës punike”.
Gjatë luftës për mposhtjen e kryengritjes shkruan
një tjetër historianshkrues antik, “shumë njerëz
humbën dhe u shpenzua një sasi e madhe të hollash.
Sepse gjatë kësaj lufte u desh të mblidhej shumë
ushtri, ndërsa plaçka e luftës ka qenë shumë
e paktë”. Pasojat e kryengritjes së madhe ilire,
dobësimi i fuqisë ushtarake të Perandorisë Romake,
që nuk dispononte mjete të mjaftueshme për një
luftë të re, u dukën shumë qartë në
disfatën e në humbjen e tri legjioneve në pyllin
e Teutiburgut në viset gjermane. Kryengritja e madhe e ilirëve
e viteve 6-9 krijoi në Perandori një situatë të
nderë e të vështirë. Ajo i dha fund periudhës
agresive të politikës së jashtme të Oktavianit.
Shteti romak u detyrua të hiqte dorë nga politika e tij
pushtuese kundër markomanëve gjermanikë dhe Evropës
Qendrore.
Raprezaljet që bënë romakët në viset ku
shpërtheu kryengritja qenë të tmerrshme. Kryengritësve
iu mor toka dhe çdo gjë që kishin; disave u prenë
duart, kurse shumë të tjerë u shitën si skllevër.
Vetëm pas më shumë se një shekulli e gjysmë
luftimesh pushtuesit romakë mundën të mposhtnin qëndresën
e armatosur të ilirëve dhe t’i nënshtronin
“në një farë mënyre”. Straboni shkruante
asokohe se shkretimi i Ilirisë “ka filluar prej shumë
kohësh dhe në disa vise nuk ka pushuar as sot e kësaj
dite për shkak të kryengritjeve...”. “Romakët
po ngrehin lëmet në shtëpitë e tyre”.
Pas kryengritjes së madhe të viteve 6-9 të e.sonë
ndonëse nuk pati lëvizje të mëdha të organizuara
të ilirëve kundër romakëve, qëndresa e
ilirëve ndaj pushtuesve, e sidomos kundër romanizimit
e asimilimit vazhdoi gjatë.
include ("../reklama460.php");
?>
|