| K R E U
V
SHTETI ILIR - FUQI MESDHETARE.
LUFTËRAT KUNDËR ROMËS
(231 - 168)
Në historiografinë moderne është bërë
zakon që shtetin ilir të mesit të shek. III ta quajnë
shteti ardian. Studiuesit që e pagëzuan me këtë
emër ia atribuojnë formimin e këtij shteti fisit
të ardianëve. Sipas tyre, ky fis, i shtyrë nga keltët
që vinin nga veriu u bart gjatë shek. IV në bregun
e djathtë të Naronës, përballë ishullit
Far, në jug të dalmatëve; pa i braktisur këto
krahina, aty nga mesi i shek. III p.e.sonë në kohën
e sundimit të Pleuratit, atit të Agronit, ardianët
zbritën gjatë bregdetit deri thellë në jug.
Nën goditjet e ardianëve, sipas këtyre studiuesve,
ranë mbretëritë e vjetra të enkelejve dhe të
taulantëve dhe ardianët u imponuan pushtetin e tyre gjithë
fiseve të Ilirisë së Jugut; u krijua kështu
një mbretëri e re, shumë më e gjerë sesa
të parat, që shtrihej nga kufijtë e Epirit deri përtej
Naronës në veri.
Kjo tezë, ndonëse përfaqësonte mendimin më
të përhapur, nuk mbeti pa u kundërshtuar. Studiues
të tjerë vunë në dyshim rolin e ardianëve
në formimin e shtetit dhe u përpoqën që t’i
zëvendësonin ata me labeatët, të cilët
kishin një pozitë qendrore në mbretëri ndaj
asaj periferike të ardianëve. Nuk u pranua gjithashtu
origjina ardiane e dinastisë themeluese të Agronit, e
cila u kërkua përsëri te labeatët; u vu në
dukje me të drejtë, se Agroni njihej si mbret i ardianëve,
vetëm te historiani Dion Kasi, një burim i vonë i
shekullit II të erës sonë, kurse autorë të
tjerë, më të hershëm e më të besueshëm,
e përmendin si një mbret të ilirëve. Më
në fund u përjashtua mundësia e lindjes së këtij
shteti, si rrjedhojë e pushtimeve të një fisi dhe
u paraqit si krijesë e një grupi sundimtarësh, të
cilët bashkuan fise që kishin interesa të përbashkëta
dhe lidhje afërie me dinastinë pushtuese.
Me gjithë ndryshimet që paraqesin pikëpamjet e shqyrtuara,
ato bashkohen në vështrimin që i bëjnë
thelbit të çështjes: formacioni politik për
të cilin bëhet fjalë paraqitet si një shtet
fisnor dhe si një vepër personale e një sundimtari,
qoftë ky Pleurati apo i biri i tij, Agroni.
Teza mbi zhdukjen pas vitit 270 të mbretërisë së
enkelejve dhe të taulantëve dhe formimi rreth mesit të
shek. III p.e.sonë i një mbretërie ardiane shumë
më të gjerë e më të fuqishme se të
parat paraqitet sot si një trajtesë mekanike. Me të
drejtë është vënë në dukje se kësaj
teze i mungon argumentimi historik dhe se e ashtuquajtura mbretëri
e enkelejve është një krijesë e historiografisë
moderne.
Nga ana tjetër, shteti ilir i mesit të shek. III shihet
si një dukuri krejt e re në botën ilire. Sipas autorëve
të kësaj pikëpamjeje ilirët nuk njihnin më
parë veçse një rend fisnor dhe vetëm pas mesit
të shek. III u krijua ky “entitet politik krejtësisht
i ri”. Analiza objektive e burimeve tregon se mbretëria
e Agronit është trashëgimtare e drejtpërdrejtë
e shtetit të mëparshëm ilir, pa asnjë ndërprerje
në traditën e vet politike. Qendra e këtij shteti
ka qenë më në jug se sa pranohet dhe bërthamën
e tij kryesore e përbënin tokat e shtetit të vjetër
ilir, të cilat gjatë konfliktit me Romën u bënë
teatri i veprimeve më të rëndësishme ushtarake.
Ardianët banonin gjithashtu më në jug; sipas autorëve
antikë ata nuk janë veçse një nga popullsitë
e rëndësishme që bënin pjesë në shtetin
ilir dhe nuk u njihet ndonjë rol i veçantë në
formimin e mbretërisë së Agronit. Përfshirja
e tyre në përbërjen e shtetit ilir ndodhi, sikurse
është vënë në dukje me të drejtë,
në drejtim të kundërt nga ai i pranuar, nëpërmjet
shtrirjes së këtij shteti në veri. Burimet tregojnë
qartë se banorët e këtij shteti quhen si më
parë “ilirë”, vendi “Iliri” dhe
sundimtarët “mbretër ilirë”.
Meqë në jetën politike të shtetit ilir nuk ka
pasur asnjë ndërprerje, dinastia e Agronit duhet të
ketë qenë e re dhe me origjinë veriore. Midis asaj
dhe sundimtarëve të mëparshëm nuk ka pasur asnjë
lidhje. Ka të ngjarë që në mesin e shek. III
p.e.sonë ose pak më parë, shteti ilir të ketë
njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë
e të cilave nuk i dimë. Nuk është çudi
që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të Veriut, të
mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën
jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të
ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar
apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike
që pasqyrohen vetëm në ndryshimin e dinastisë
sunduese dhe në shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme
të Adriatikut Lindor, Dyrrahut e Apolonisë, nga shteti
ilir.
Historia e 60 vjetëve të fundit (231-168 p.e.sonë)
të shtetit ilir është kryesisht historia e luftërave
me Romën. Ngjarjet që u zhvilluan në prag të
këtyre luftërave janë vetëm një prelud
i tyre. Megjithatë këto janë një dëshmi
e rëndësishme për vendin që zinte ky shtet midis
fuqive të tjera të Ballkanit dhe për rolin e tij
historik në ngjarjet politike të kohës.
Burimi më i rëndësishëm për këto luftëra
është vepra e historianit grek Polibi. Por, kjo vepër
e shek. II p.e.s., që përfaqëson një histori
të përgjithshme, përshkohet nga një tendenciozitet
dhe subjektivizëm i theksuar, ku nuk fshihet simpatia ndaj
Romës. Historia e ilirëve, ashtu sikurse në përgjithësi
historia e kundërshtarëve politikë të Romës,
paraqitet e shtrembëruar. Qëllimi kryesor i Polibit është
të justifikojë në këtë vepër pushtimet
romake, të cilat i quan të drejta, të nevojshme dhe
të dëshirueshme nga popullsitë vendase. Për
Polibin këto pushtime ishin të pashmangshme, sepse “fati
i kishte caktuar Romës misionin të sundojë botën”.
Një pjesë e burimeve që ka përdorur Polibi vjen
nga historiani më i lashtë romak Fabi Piktor dhe, sipas
një mendimi të përgjithshëm, ka karakter thjesht
propagandistik.
Burimet e tjera për këtë periudhë, duke qenë
nën ndikimin e një tradite të korruptuar rëndë
paraqiten më të pasakta. Kjo vihet re në radhë
të parë tek Livi, i cili i kushton më tepër
vëmendje efektit retorik e moralizues sesa të vërtetës
historike. Për hir të paraqitjes së bukur dhe tërheqëse
të ngjarjeve, ai shpeshherë sakrifikon këtë
të vërtetë. Tregimet e tij janë të veshura
me petkun moralizues dhe në mjaft raste me hollësi fantastike.
Shumë të pasigurta janë edhe njoftimet e shkrimtarëve
të tjerë, Dion Kasi e Apiani, që përfaqësojnë
ritransmetime të cunguara, dhe më tepër të pasakta
të tradicionit të vjetër.
1. NGJARJET NË PRAG TË
LUFTËS ME ROMËN
Aleanca iliro-maqedone.
Sulmi kundër Medionit
Në vitet 30 të shek. III p.e.sonë shteti ilir kishte
arritur kulmin e fuqisë së vet. Polibi thotë se “Agroni,
mbreti i ilirëve dhe i biri i Pleuratit, kishte një fuqi
detare dhe tokësore shumë më të madhe nga ajo
që kishin pasur mbretërit e mëparshëm të
Ilirisë”. Kufijtë e shtetit të tij përfshinin
një trevë të gjerë që nga Narona deri në
Aoos me përjashtim të Dyrrahut e të Apolonisë.
Qytetet e veriut, Lisi, Skodra, Ulqini e Rizoni, me limanet e gjiret
e tyre të mbrojtura, strehonin flotën e fuqishme ilire
dhe përbënin bazën e shtetit ilir.
Ndër fqinjët e shtetit ilir vetëm Mbretëria
Dardane ishte në ngjitje, ndërsa vendet jugore jetonin
ditë të vështira. Epiri, Maqedonia dhe Greqia ishin
të kapërthyera nga luftërat e ashpra socialo-politike
dhe rivaliteti midis tyre. Në mesin e shek. III pozita e Maqedonisë
ishte lëkundur përsëri. Përpjekjet e Antigon
Gonatës për të ruajtur hegjemoninë e saj në
Greqi nuk sollën rezultatet e pritura. Pasardhësi i tij
Demetri II u gjet në një situatë edhe më të
vështirë. Lëvizja antimaqedone ishte forcuar, sepse
më në fund dy lidhjet e mëdha greke, ajo Etole dhe
Ahease ishin bashkuar kundër Maqedonisë. Përmbysja
e monarkisë në Epir (viti 234) dhe dalja e këtij
vendi nga aleanca me Maqedoninë për t’u bashkuar
me koalicionin republikan, antimaqedon, e rëndoi edhe më
shumë gjendjen. Raporti i forcave ndryshoi në dëm
të Maqedonisë. Në vitin 231 të dy lidhjet e
shtuan presionin e tyre ushtarak mbi Maqedoninë, duke ndërhyrë
me forca të armatosura kundër Akarnanisë, një
vend i vogël që gëzonte mbrojtjen e Maqedonisë.
Pothuajse në të njëjtën kohë një sulm
i furishëm dardan i pavarur apo i bashkërenduar, shpërtheu
mbi Maqedoninë nga veriu. I ndodhur ngushtë, si rrallë
ndonjëherë, Demetri kishte nevojë për aleat
dhe këtë e gjeti te sundimtari i shtetit ilir, Agroni.
Kushtet e marrëveshjes nuk pasqyrohen në burimet historike
të kohës. Versioni i Polibit, që është
edhe burimi i vetëm për këtë çështje,
sipas të cilit se Demetri ia mbushi mendjen Agronit me të
holla për të ndihmuar qytetin akarnan Medionin, që
mbahej i rrethuar nga etolët, duket se shpreh tendencën
e këtij autori për t’u rezervuar ilirëve një
pozitë të padenjë. Ngjarjet konkrete që u zhvilluan
pas kësaj e sqarojnë më mirë politikën
e shtetit ilir, si edhe domethënien e përmbajtjen e kësaj
marrëveshjeje.
Sidoqoftë një aleancë midis Maqedonisë dhe Ilirisë
qe përfunduar dhe ajo i vinte këto dy shtete kundër
koalicionit republikan në Greqi dhe kundër rrezikut që
vinte prej tij. Ky rrezik qe bërë real në Epir dhe
mund të ndikonte keq edhe përtej kufijve të tij.
Ky ishte shkaku i kësaj aleance, për hir të së
cilës Maqedonia do të sakrifikonte, siç do ta shohim,
disa nga interesat e saj në Epir dhe në brigjet e Jonit,
për të kënaqur aspiratat ilire në këto
anë.
Aleanca hyri në veprim; ndërsa Demetri ishte i zënë
me dardanët, një flotë ilire prej 100 anijesh me
5 000 veta u dërgua nga Agroni kundër etolëve në
Medion. Etolët, që e mbanin të rrethuar qytetin,
prisnin dorëzimin e tij nga çasti në çast.
Ata ishin aq të sigurt saqë kishin filluar të bënin
llogaritë për ndarjen e plaçkës. Të shkujdesur
nga çdo problem i karakterit ushtarak, etolët u gjetën
përpara të papriturës së hidhur. Ilirët
që ishin futur në liman natën pa u ndjerë, zbritën
me të shpejtë nga anijet dhe pasi u rreshtuan në
formacion luftarak u sulën kundër lëmit etol. Ilirët
ditën ta maskojnë mirë lëvizjen e flotës
së tyre të madhe dhe të hyjnë në gjirin
e Ambrakisë, pa u diktuar. Por edhe sikur të kishte ndodhur
ndryshe, asnjëra nga flotat e dobësuara greke nuk qe në
gjendje t’u dilte atyre përpara. Duke përshkruar
këtë fushatë, Polibi i atribuon një rol të
veçantë befasisë në taktikën ilire dhe
qëndrimit të shkujdesur të armiqve të tyre.
Në të vërtetë ruajtja e fshehtësisë
në lëvizjen e forcave, ashtu sikurse befasia janë
elemente të domosdoshme të taktikës luftarake. Por
këta nuk qenë faktorët kryesorë që vendosën
fatin e betejës. Nga vetë zhvillimi i saj nuk është
vështirë të kuptohet se rolin vendimtar në këtë
ndeshje e luajti organizimi më i mirë i ushtrisë
ilire dhe epërsia e saj taktike në manovrimin e forcave.
Pesha që kishte “rreshtimi i tyre” dhe përqendrimi
i forcës goditëse në pikën më të dobët
të armikut, pohon Polibi, bënë që ilirët
të shkulnin armikun nga pozicionet e tij. Të thyer nga
ilirët, etolët u gjetën pas kësaj midis dy zjarreve.
Medionasit, që deri atëherë qëndronin të
mbyllur në qytet, dolën dhe i ranë armikut në
shpinë. Të asgjësuar, etolët lanë në
fushën e betejës shumë të vrarë e të
plagosur dhe gjithë pajisjet e tyre luftarake.
Përshtypja që bëri në Greqi kjo ngjarje qe shumë
e madhe. Ushtria që mbahej si më e forta ndër ushtritë
greke, që krenohej me traditat e saj luftarake, për fitoren
mbi galët në vitin 270 dhe që për gati 10 vjet
me radhë i kishte shkaktuar kaq telashe Demetrit II të
Maqedonisë, kishte marrë papritur një grusht dërrmues.
Jo më i vogël qe edhe shqetësimi që ngjalli
në botën greke kjo ngjarje, që nuk dihej se ç’pasoja
mund të kishte. Por ilirët nuk kishin detyrë tjetër
këtë radhë veç zhbllokimit të Medionit,
gjë që u dha mundësi të izolonin Epirin nga
kontakti me etolët, duke përgatitur kështu kushtet
për një ndërhyrje të gjerë në këtë
vend. Pas përfundimit të betejës ata ngarkuan menjëherë
plaçkën në anijet e tyre dhe morën rrugën
e kthimit. Në atdhe fitorja mbi etolët u kremtua me të
madhe dhe Polibi tregon se mbreti Agron u dha aq shumë pas
të pirit dhe dëfrimeve saqë ato i shkaktuan vdekjen.
Fushata e vitit 230 kundër Epirit
Trashëgimi në fron i takonte të birit, Pinit, që
Agroni e kishte me gruan e dytë, Triteutën. Meqë
ky ishte i mitur, sundimin e mori në dorë bashkëshortja
e tij e parë, Teuta. A ishte ky një veprim i ligjshëm
apo një uzurpim nuk dihet me saktësi, por ardhja e saj
në fuqi paraqet një rast të veçantë në
të drejtën e trashëgimisë. Mundet që paaftësia
e së ëmës t’i ketë lënë vendin
thjeshtrës; mundet gjithashtu që në vijën mashkullore
të mos ketë pasur një tjetër më të
afërt me trashëgimtarin e ligjshëm, por më shumë
ka të ngjarë që thjeshtra energjike nuk donte t’ia
kalonte këtë të drejtë një dege tjetër
të familjes mbretërore, e cila mund të sillte më
vonë ndërlikime në fatin e pinjollit të Agronit.
Sidoqoftë ardhja e saj në fuqi nuk u bë në rrugë
të zakonshme dhe vdekja e papritur e Agronit, ka të ngjarë
të ketë krijuar në oborrin ilir një gjendje
të nderë. Por çështja gjeti zgjidhjen e vet.
E përkrahur nga përfaqësuesit më të fuqishëm
të shtresës sunduese ilire, “miqtë” e
mbretit, ajo u vu në krye të shtetit dhe me ta “ushtroi
- siç thotë Polibi, - drejtimin e punëve”.
Teuta nuk e ndryshoi politikën e jashtme të shtetit ilir
dhe veprimtaria e mëtejshme e tij u zhvillua në frymën
e aleancës së farkëtuar nga Agroni me Maqedoninë.
Në vitin 230, një vit pas fitores mbi Medionin, një
forcë ushtarake dhe detare ilire, “jo më e vogël
se ajo e Agronit”, u vu përsëri në lëvizje
drejt jugut. Këtë radhë ajo kishte si objektiv kryesor
aleatin verior të etolëve dhe aheasve, Epirin. Njëkohësisht
flota ilire kishte marrë urdhër të konsideronte troje
armike gjithë anëdetjen dhe t’i shtrinte veprimet
deri thellë në Elidë dhe në Meseni, krahina
që ishin nën ndikimin etol. Me këtë aksion flota
do të mbante nën presion armikun deri në skajet më
të largëta dhe do të përcaktonte qëndrimin
e shtetit ilir ndaj aleatëve të etolëve e të
aheasve, kurse forcat kryesore do të godisnin nga deti dhe
nga toka objektivin kryesor, Epirin. Forcat detare ilire zbritën
në afërsi të kryeqendrës së Lidhjes Epirote,
Foinikes, dhe u drejtuan kundër saj. Pasi bindën mercenarët
galë t’u dorëzonin qytetin, e zunë atë
pa vështirësi. Epirotët të shqetësuar dërguan
forcat e tyre në ndihmë të Foinikes. Por pa arritur
mirë të vendosin lëmin e tyre buzë lumit, që
rrjedh pranë qytetit (Bistrica e sotme), morën vesh se
një ushtri tjetër ilire prej 5 000 vetash, nën komandën
e Skerdilaidit, ishte drejtuar kundër tyre, duke kaluar nëpër
ngushticën e Antigonesë (gryka e Tepelenës). Forcat
epirote që u dërguan kundër tyre nuk e ndaluan dot
marshimin ilir. Ndërkaq ilirët që kishin zënë
Foiniken ndërmorën një sulm të fuqishëm
kundër lëmit epirot që ndodhej në anën
e përtejme të lumit (Bistricës). Epirotët u
shpartalluan plotësisht, duke lënë në fushë
të luftës shumë të vrarë e të plagosur;
vetëm një pjesë mundën të shpëtojnë
e të ikin tek atintanët. Por edhe këtë radhë
dështimin e epirotëve Polibi e shpjegon me befasinë
e goditjes ilire dhe shkujdesjen e armiqve të tyre.
Pas këtij dështimi epirotët e humbën çdo
shpresë në fuqitë e veta dhe iu drejtuan për
ndihmë aleatëve të tyre etolë e aheas. Ndihma
nuk vonoi t’u jepej dhe forcat e të dy lidhjeve arritën
në vendin e quajtur Helikanon (një vend i paidentifikuar)
diku në pellgun e Vurgut. Këtu erdhën dhe pushtuesit
e Foinikes bashkë me forcat e Skerdilaidit, që duhet të
kenë ndjekur rrugën më të shkurtër nga
qafa e Skarficës për të arritur në Foinike.
Të dyja palët u radhitën përballë njëra-tjetrës,
por nuk arritën të përleshen, sepse, siç thotë
Polibi, ilirët morën urdhër nga Teuta të tërhiqeshin
nga Epiri, për t’u dalë përpara dardanëve
që po sulmonin nga lindja dhe për të qetësuar
disa nga fiset që ishin bashkuar me ta.
Sa qe real dhe serioz ky rrezik dardan nuk mund të thuhet,
por fakti është se ilirët nuk u shqetësuan shumë
dhe nuk u shpejtuan të largohen nga Epiri pa i rregulluar mirë
punët e tyre. Ata përfunduan më parë një
armëpushim me epirotët, në bazë të të
cilit u kthenin atyre qytetin dhe robërit që ishin qytetarë
të lirë, kundrejt një shpërblimi, kurse skllevërit
dhe plaçkën i mbajtën për vete. Ushtria dhe
flota morën rrugën e kthimit duke marrë me vete,
me sa duket, edhe premtimin për një aleancë të
ardhme. Dhe me të vërtetë kjo nuk vonoi të përfundohet.
Përfaqësuesit epirotë arritën me të shpejtë
te mbretëresha ilire dhe përfunduan me të një
aleancë, duke marrë përsipër të ndihmonin
ilirët dhe të jenë armiq të etolëve dhe
të ahejve. Po këtë gjë bënë edhe akarnanët,
të cilët kishin ardhur së bashku me epirotët.
Rezultati u arrit: Epiri u shkëput nga etolët dhe aleanca
me akarnanët krijoi tani një kufi të largët,
por të drejtpërdrejtë midis lidhjeve greke dhe shtetit
ilir.
Shqetësimet në Romë. Përgatitjet për
luftë
Shqetësimet në Greqi qenë të mëdha, por
më të mëdha ishin ato në Romë. Reagimi
romak është transmetuar në dy versione. Versioni
i parë i përket Polibit. Sipas tij, në këtë
kohë senati dërgoi te mbretëresha ilire dy delegatë
për t’u ankuar kundër sulmeve të piratëve
ilirë, të cilët prej kohësh u binin në
qafë tregtarëve italikë, por që e kishin tepruar
sidomos gjatë fushatës kundër Foinikes. Bisedimet
përfunduan në grindje dhe fyerje, që çuan
në vrasjen, me urdhrin e Teutës, të njërit prej
delegatëve, gjatë rrugës duke u kthyer. Bisedimet
janë dhënë me hollësi megjithatë vërtetësia
e tyre është e dyshimtë. Teutës, i është
veshur një qëndrim mendjelehtë prej gruaje, që
me të drejtë është konsideruar si një formulim
tipik i huajtur nga historiografia helenistike e llojit sensacional.
Versioni i dytë, ai i Apianit, ndryshon shumë prej atij
të Polibit. Sipas tij Agroni kishte pushtuar disa vise të
Epirit dhe Korkyrën, pastaj Epidamnin dhe Farin dhe kishte
vendosur garnizone në to. Por meqë zuri të sulmojë
me flotën e tij edhe vise të tjera, ishulli Isa kërkoi
ndihmën e romakëve. Këta atëherë dërguan
delegatë së bashku me isejtë, por delegatëve
u dolën në det anijet ilire dhe vranë përfaqësuesin
e Isës dhe një romak. Pra në versionin e dytë
motivi nuk është aspak pirateria, por mbrojtja e Isës
dhe e qyteteve të tjera të bregdetit; delegatët vriten,
por pa arritur të zhvillojnë bisedime dhe Teuta nuk zihet
aspak në gojë.
Sidoqoftë në të dy rastet, sipas këtyre burimeve,
Romës i bëhej një fyerje dhe shkelej “e drejta
njerëzore”. Ky ishte motivacioni me të cilin do
të nxitej opinioni publik dhe do të justifikoheshin veprimet
e mëtejshme të Republikës, një motivacion banal,
të cilin politika romake do ta përsëriste të
paktën edhe një herë tjetër më vonë
kundër ilirëve dalmatë. Por këtë herë
prej gojës së Polibit mësojmë, për çudi,
se romakët u shpallën luftë dalmatëve për
t’i nënshtruar, “por përpara popujve të
tjerë hiqeshin se e bënin këtë për shkak
të sjelljes së keqe të dalmatëve kundrejt përfaqësuesve
të tyre”.
Roma filloi të përgatitej haptazi për luftë.
Edhe mbretëresha ilire nga ana e saj nuk vonoi të marrë
masa mbrojtëse. Më parë ajo u kujdes për forcimin
e rendit të brendshëm dhe qetësoi fiset që qenë
shkëputur pas sulmit dardan. Por vëmendjen kryesore Teuta
ia kushtoi sigurimit të bregdetit. Ajo e dinte se në gjendjen
e krijuar një pozitë me rëndësi zinin Isa në
veri, Korkyra në jug dhe dy qytetet e mëdha të bregdetit,
Dyrrahu e Apolonia. Ishte e qartë se këto ishin pikat
më delikate që do të synonte armiku dhe zotërimi
i tyre do të luante një rol të dorës së
parë për fatin e luftës. Prandaj mbretëresha
shpejtoi të vërë dorë mbi to.
Isa u sulmua e para, por meqenëse nuk u dorëzua, ilirët
vendosën bllokadën e saj. Pak më vonë, në
pranverë të vitit 229, një ekspeditë e madhe
u vu, njëkohësisht në lëvizje, kundër Epidamnit
dhe Korkyrës. Ndërsa shumica e flotës vazhdoi lundrimin
drejt jugut, një pjesë e saj u ndal në Epidamn. Orvatja
për pushtimin e qytetit dështoi. Atëherë ilirët
u tërhoqën në anijet e tyre dhe pasi dolën në
det të hapur, u bashkuan përsëri me forca të
tjera për të vazhduar lundrimin drejt Korkyrës. Sapo
mbërritën këtu, forcat ilire zbarkuan dhe rrethuan
qytetin. Korkyrasit e rrethuar kërkuan ndihmën e etolëve
dhe të aheasve. Në të njëjtën kohë
erdhën për të kërkuar ndihmë tek ata edhe
delegatë nga Epidamni dhe Apolonia. Kërkesa u mor parasysh.
Flota ahease prej 10 anijesh të mëdha lufte nxitoi drejt
Korkyrës. Ilirët, si morën dhe 7 anijet që u
kishin dërguar akarnanët, sipas marrëveshjes, u dolën
ahejve përpara. Ndeshja u zhvillua afër ishullit Paksos.
Flota ahease u shpartallua. Katër anije u kapën dhe një
e pestë u fundos, të tjerat u detyruan të sprapsen
me shpejtësi për t’i shpëtuar fatit të
të parave. Lembet e lehta e të shpejta ilire vendosën
fatin e kësaj beteje. Të përdorura me guxim e shkathtësi
nga detarët ilirë, ata triumfuan mbi anijet e rënda
katër e pesërremëshe greke. Pas kësaj Korkyra
iu dorëzua ilirëve. Si morën në dorëzim
qytetin, ilirët lanë këtu një garnizon nën
komandën e Demetër Farit, kurse forcat kryesore u kthyen
dhe bllokuan përsëri Dyrrahun.
E tillë ishte gjendja kur forcat e paftuara romake u nisën
kundër Ilirisë.
2. LUFTA E PARË ILIRO-ROMAKE
Shkaqet e luftës. Veprimet ushtarake
Problemi i ndërhyrjes romake në Iliri ka qenë për
historiografinë një tezë e parapëlqyer, rreth
së cilës janë zhvilluar mjaft diskutime. Pikëpamja
që ka qenë për një kohë të gjatë
më e pranuar është se shkaku kryesor i kësaj
ndërhyrjeje ka qenë pirateria ilire, që i sillte
dëme të rënda tregtisë italike. Duke përsëritur
Polibin, kjo ndërhyrje u paraqit si një konflikt që
iu imponua senatit romak, në kundërshtim me vullnetin
e tij, “për të frenuar veprimet e sundimtares mendjelehtë
ilire”. Tezës që e shikonte ndërhyrjen romake
si pjesë të një plani për një ekspansion
më të gjerë në lindje iu kundërvu versioni
se Roma as në këtë kohë e as më parë
nuk ka pasur një politikë orientale. Më vonë
kjo teori u përsërit dhe në ditët tona. Pasues
të saj i atribuojnë monarkisë ardiane një “rol
organizues” që i dha piraterisë ilire “pamjen
e një imperializmi fillestar” dhe si pasojë bëri
që “zgjerimi ilir të ndeshet me interesat romake”.
Është e rëndësishme të sqarohet në
këtë rast nëse ishte pirateria ilire ajo që
çoi në konfliktin iliro-romak dhe që bëri
të pashmangshme luftën apo shkaqe të tjera më
të thella.
Pirateria lindi dhe u zhvillua tek ilirët, ashtu sikurse dhe
te popujt e tjerë të Mesdheut, në një stad të
caktuar të zhvillimit të tyre historik. Kështu, burimet
i përshkruajnë etruskët, në gjysmën e dytë
të shek. IV, si një popull që terrorizonte lundrimin
në Adriatik dhe në Egje; etolët në shek. III
kishin gjithashtu një nam të keq si piratë. Edhe
vetë romakët, pretenduesit e mbrojtjes së rendit,
e kanë ushtruar piraterinë në prag të erës
sonë. Tek ilirët ajo luajti një rol të dukshëm
qysh nga fundi i shek. IV. Ky mendim pajtohet si me njoftimet e
autorëve antikë, ashtu dhe me vetë zhvillimin shoqëror
e politik të ilirëve në këtë kohë.
Pirateria ishte një dukuri e pandarë e shoqërisë
skllavopronare, që e shoqëroi atë në forma të
ndryshme gjatë gjithë ekzistencës së saj.
Por veprimet ilire që përshkruan Polibi dhe që kanë
të bëjnë me ngjarjet në prag të konfliktit
të armatosur me Romën, nuk kanë aspak karakter piratesk.
Ato ishin pjesë e politikës së shtetit ilir lidhur
me gjendjen e krijuar në Greqi. Prandaj përpjekja e studiuesve
për t’i shpjeguar shkaqet e ndërhyrjes romake me
anë të piraterisë ilire nuk është e përligjur.
Nuk kanë munguar orvatjet për të kërkuar shkakun
e luftës edhe te “frika e zakonshme e romakëve ndaj
fqinjit të fortë”. Por edhe ky nuk është
një shpjegim i plotë. Ndërhyrja e Romës lidhej
në rastin konkret me rrezikun që paraqiste ky fqinjë
i fortë, aleati i Maqedonisë për aspiratat e saj
në kushtet e një Greqie të dobësuar nga lufta
e brendshme. Sukseset në perëndim e kishin rritur oreksin
e qarqeve sunduese skllavopronare romake dhe e kishin bërë
më të fuqishme tendencën për të mos e ndarë
sundimin e Mesdheut me fuqi të tjera, kurse dalja e shtetit
ilir në arenë u shkonte ndesh këtyre tendencave.
Midis kontradiktave të thella që kishin përfshirë
në këtë kohë botën mesdhetare, ato të
shtetit ilir me Romën dolën në plan të parë
dhe shkaktuan konfliktin e armatosur të vitit 229. Në
të ardhmen këto kontradikta do të thellohen e do
të shtrihen gjithnjë më në lindje, duke sjellë
me vete konflikte të reja të armatosura.
Që nga sulmi kundër Foinikes deri tek ardhja e delegatëve
kishte kaluar një vit. Megjithatë, kjo çështje
ziente qysh prej 2 vjetësh, nga ngjarja e Medionit. Gjatë
kësaj kohe Roma kishte arritur të bënte, siç
e pamë, hapat e nevojshëm diplomatikë për përgatitjen
e opinionit publik. Ishin grumbulluar gjithashtu forca të konsiderueshme
ushtarake, të cilat në rastin e rënies së Korkyrës
u vunë menjëherë në lëvizje. Një flotë
prej 200 anijesh dhe një ushtri prej 20 000 këmbësorësh
do të merrte pjesë në këtë operacion, të
cilin do ta drejtonin dy konsujt që ishin në fuqi atë
vit. Kjo tregon se sa i madh ishte preokupacioni i romakëve
për fushatën ilire dhe sa të ndërgjegjshëm
ishin ata për vlerën reale të kundërshtarit
të tyre. Nuk ishte kjo, pra, një çështje kaq
e lehtë dhe e thjeshtë, siç është bërë
zakon të paraqitet.
Por zhvillimi i ngjarjeve tregon se mbretëresha nuk arriti
t’i dalë rrezikut përpara. Qytetet e mëdha
të bregdetit, Dyrrahu, Apolonia dhe Korkyra, të cilat
do të përbënin pikëmbështetjet kryesore
të mbrojtjes, kishin mbajtur një qëndrim negativ.
Plani për pushtimin me forcë të tyre nuk pati sukses.
Kur romakët iu drejtuan Korkyrës, flota dhe forcat ilire
ishin të shpërndara dhe të angazhuara në bllokadën
e Dyrrahut dhe të Isës. Garnizoni ilir i Korkyrës
kishte mbetur i izoluar dhe kësaj iu shtua tradhtia e Demetër
Farit. Romakët, që edhe kështu kishin ardhur me forca
të mëdha (200 anije), i gjetën portat e hapura dhe
e zunë qytetin pa vështirësi. Forca të tjera
të nisura nga Brindisi dhe ato të Korkyrës, pasi
u bashkuan, iu drejtuan Apolonisë e më pas Dyrrahut dhe
i zunë po me kaq lehtësi. Shtresa sunduese e këtyre
qyteteve, e cila e kishte përcaktuar pozitën e vet që
më parë, i mirëpriti pushtuesit; ajo u tregua e gatshme
të hyjë në ombrellën romake mjaft që të
ruante pozitat e veta dhe të siguronte pasurinë e tregtinë.
Këtë politikë ndoqi edhe aristokracia parthine e
atintane, e cila ishte e lidhur ngushtë me interesa ekonomike
me qytetet fqinje, Dyrrahun dhe Apoloninë, ajo shpejtoi gjithashtu,
siç thotë Polibi, “t’u nënshtrohej
me dashje” romakëve dhe të sigurojë “miqësinë
e tyre”.
Të mbështetur në planin fillestar të mbrojtjes
së vijës bregdetare, ilirët nuk qenë në
gjendje dhe nuk patën kohë të organizonin një
qëndresë serioze. Vetëm në krahinat në
veri të Dyrrahut romakët ndeshën në kundërshtimin
ilir. Këtu ardianët i pritën me armë në
dorë. Polibi nuk jep hollësira për luftën e
tyre, thotë vetëm se i “i nënshtruan”,
por këtë radhë nuk përdor më shprehjen
“me dashje” si në rastin e parthinëve dhe
atintanëve. Ai nuk ka mundur, gjithashtu, të heshtë
për qëndresën e fortë të qytetit Nutria,
pushtimi i të cilit u kushtoi romakëve shumë ushtarë
dhe oficerë të vrarë. Duke përparuar drejt veriut
gjatë bregdetit, thuhet se romakët morën edhe qytete
të tjera, por emrat e tyre nuk zihen në gojë. Dimë
që Isën e bllokuan romakët dhe ilirët, që
e mbanin të rrethuar, u strehuan në qytetin Arbone, kurse
Teuta me forca të vogla u mbyll në qytetin e fortifikuar
të Rizonit.
Fushata e asaj vere thuajse e kishte zgjidhur përfundimisht
fatin e luftës. Viset e pushtuara në veri, konsujt i lanë
nën mbikqyrjen e Demetër Farit dhe vetë u kthyen
në Dyrrah me flotën dhe forcat e tyre tokësore. Njëri
prej tyre u nis për në Romë duke marrë me vete
pjesën më të madhe të forcave; tjetri mbeti
në Iliri me 40 anije dhe si rekrutoi ushtarë në qytetet
që ishin rreth e rrotull, vendosi ta kalojë aty dimrin
për të vigjëluar ardianët dhe popullsitë
e tjera që ishin vënë nën “mbrojtjen”
e Romës.
Paqja e vitit 228 dhe pasojat e luftës së parë
Ndërkaq Mbretëria Ilire kishte filluar të shpërbëhej.
Duke parë këtë gjendje, në pranverë të
vitit 228, Teuta dërgoi në Romë përfaqësuesit
e saj që përfundoi paqen me senatin. Kushtet e paqes qenë
të rënda. Sipas Polibit, Teuta detyrohej: 1. t’u
paguante romakëve një tribut, 2. të hiqte dorë
nga pjesa më e madhe e Ilirisë duke mbajtur për vete
vetëm pak vende dhe 3. të mos lundronte në jug të
Lisit me më shumë se dy anije, por edhe këto të
paarmatosura. Të formuluara me terma kaq të përgjithshëm
këto kushte janë bërë objekti i diskutimeve
të shumta. Përpjekjet që janë bërë
për të shpjeguar ndryshimet territoriale që iu bënë
Mbretërisë Ilire dhe për të përcaktuar
gjendjen juridike të tokave të shkëputura prej saj
kanë çuar në përfundime të ndryshme,
të cilat në ndonjë rast ishin të tilla që
nuk mund të cilësohen as si hipoteza.
Për një kohë ka zotëruar një mendim, sipas
të cilit, romakët i ndanë pushtimet e tyre në
dy pjesë. Në veri krijuan një shtet të vogël
që përbëhej nga ishulli i Farit dhe disa toka të
bregdetit përballë. Në krye të atij ata vunë
tradhtarin Demetër Farin, me qëllim që të vëzhgonte
dhe të njoftonte për çdo veprim të Mbretërisë
Ilire. Me tokat e tjera të pushtuara në jug romakët
krijuan një protektorat, që shtrihej prej Lisit e deri
tek malet Akrokeraune dhe ato Kaone. Në këtë protektorat
u përfshinë, përveç Dyrrahut, parthinëve
dhe atintanëve, edhe qytetet Dimale, Aulona, Oriku, Bylisi,
Amantia e deri Antigonea e largët. Këtyre u shtoheshin
edhe ishujt Isa e Korkyra.
Ndryshe nga kjo pikëpamje, më realist është
mendimi që nuk njeh ndonjë teprim lidhur me të ashtuquajturin
protektorat romak në Iliri. Me të drejtë është
vënë në dukje se ai nuk ka përbërë
kurrë një rrip të pandërprerë toke, që
nga Lisi e deri te bregu kontinental përballë Korkyrës,
por ka qenë përbërë, ashtu si e nënkupton
Polibi dhe e shpreh Apiani, nga Apolonia, Dyrrahu dhe territoret
e tyre, nga ishujt Korkyra, Isa dhe nga parthinët e atintanët,
pa asnjë territor më tepër nga ato që i ishin
dorëzuar Romës. Lisi, i cili në bazë të
traktatit përbënte një kufi detar, nuk pranohet edhe
si kufi tokësor midis Mbretërisë Ilire dhe protektoratit
romak. Duke u nisur nga kjo është shprehur mendimi se
disa toka në jug të protektoratit mbetën përsëri
nën vartësinë e Mbretërisë Ilire, me gjithë
vështirësitë që paraqiste kjo vartësi për
të qenë reale. Me këtë sistem, traktati i siguronte
Romës lundrimin e qetë në ngushticën e Otrantos
dhe mbikqyrjen me anë të protektoratit të Mbretërisë
Ilire, duke i hequr kësaj çdo mundësi që të
bëhej përsëri një fuqi e madhe.
Kohët e fundit janë bërë përpjekje që
këto mendime të zëvendësohen me një tezë
të re, sipas së cilës zotërimet romake kufizohen
gjithashtu me tokat e Dyrrahut, të Apolonisë, të
parthinëve dhe të atintanëve, por parthinët
shtriheshin në luginën e mesme dhe të epërme
të Shkumbinit, kurse atintanët në Çermenikë.
Kështu protektorati ngushtohet, por shtrihet thellë në
lindje. Rreth tij pastaj vendosen një sërë zonash
të pavarura, që shërbejnë, sikurse thuhet, si
amortizatorë për zotërimet romake. Në veri të
Dyrrahut deri në afërsi të Skodrës vendoset
zotërimi i Demetër Farit, që ndante protektoratin
nga Mbretëria Ilire; në lindje zotërimet romake,
duke depërtuar thellë deri në burimet e Drinit të
Zi, ndanin mbretërinë ardiane nga aleatët e saj maqedonë
dhe bllokonin rrugët nga Maqedonia për në brigjet
e Adriatikut; më poshtë Dasaretia, që zinte territorin
midis Devollit dhe Osumit, u bë gjithashtu një zonë
e pavarur dhe formoi një amortizator tjetër ndaj Maqedonisë;
më në fund, në jug zona që hyri në vartësinë
e Romës përfundonte në territorin e Apolonisë,
që takonte bregun e Vjosës, por nuk përfshinte Aulonin,
Orikun, Bylisin dhe Amantien. Këto katër qytete formonin
një grup të pavarur ose neutral, me fjalë të
tjera një amortizator tjetër ndaj Lidhjes Epirote.
Është e pabesueshme që romakët të kenë
projektuar dhe realizuar një sistem të tillë mbrojtës,
të paktën në mënyrë të ndërgjegjshme,
siç na paraqitet. Senati nuk mund të zbatonte një
politikë jo realiste. Shtete të tilla të vogla nuk
mund të kishin një vlerë reale, sepse fuqitë
që qëndronin pas këtyre të ashtuquajturve amortizatorë
nuk do t’i përfillnin ato, nuk do t’i konsideronin
si pengesë. Në fakt të gjitha sulmet që shpërthyen
më vonë prej Mbretërisë Ilire apo Maqedonisë
kundër zotërimeve romake nuk kanë ndeshur në
pengesën e këtyre lloj shteteve dhe nuk ka të dhëna
që mbrojtja romake të jetë mbështetur në
to. Përveç kësaj, disa fakte të veçanta
që përfshihen në këtë tezë janë
krejt arbitrare. Kështu, është e pabazuar vendosja
e zotërimeve të Demetër Farit në veri të
Dyrrahut deri në afërsi të Skodrës dhe, po kështu,
nuk qëndron lokalizimi i atintanëve në Çermenikë.
Duke pranuar si të drejtë mendimin që zotërimet
romake në tokën ilire formoheshin nga Dyrrahu, Apolonia
dhe parthinët e atintanët, mbetet sidoqoftë e paqartë
shtrirja territoriale e këtyre zotërimeve. Përpjekjet
për lokalizimin e parthinëve dhe të atintanëve
nuk kanë dhënë përfundime të kënaqshme.
Në qoftë se për parthinët ka ardhur duke u saktësuar
mendimi që ata, si banorë të tokave në shpinë
të Dyrrahut, shtriheshin prej Ardaksanit e deri në Aps
(Apsos), për atintanët mendimet e studiuesve ende nuk
përkojnë. Megjithatë, po t’i çlirojmë
këto pohime nga ndonjë interpretim jo i drejtë i
burimeve dhe të lëmë mënjanë si të
dyshimta, ato burime që i shtrijnë atintanët deri
në Dodonën e largët apo në luginën e Drinos,
atëherë do të vërejmë se burimet kryesore
e më të besueshme e vendosin këtë popullsi në
shpinë të Apolonisë, në Mallakastrën e
sotme. Kështu, parthinët e atintanët së bashku
zinin gjithë bregdetin prej Ardaksanit deri në Aps (Apsos)
me një shtrirje në lindje që përfshinte edhe
brezin kodrinor të ultësirës bregdetare. Në
këtë territor bënin pjesë një varg qytetesh
ilire, midis të cilave ka të ngjarë edhe Dimale,
por jo Bylisi, që zinte skajin më jugor.
Me vënien nën sundimin e tyre të tokave më të
rëndësishme të bregdetit, romakët likujduan
kështu zotërimet e Mbretërisë Ilire në
jug. Edhe në qoftë se në këto anë mbeti
ndonjë zonë që nuk u përfshi në zotërimet
romake, siç mund të ishte Bylisi me rrethin e afërt
të tij, Dasaretia apo ndonjë zonë tjetër e brendshme
malore, ato në fakt mbetën të shkëputura nga
Mbretëria Ilire, me të cilën edhe më parë,
për vetë natyrën e shteteve antike, jo gjithmonë
kishin lidhje të forta. Koinoni i bylinëve, si një
bashkim i popullsisë dhe i qendrave të vogla përreth,
që na përmendet në burimet epigrafike i takon, me
sa duket, kësaj kohe.
Nga analiza e pikave të traktatit arrihet në përfundimin
se Roma e reduktoi shtetin ilir në një mbretëri të
vogël në veri të Lisit. Në jug ajo krijoi një
zotërim të vetin që formohej nga Dyrrahu, Apolonia,
parthinët dhe atintanët. Këtë zotërim ajo
do ta përdorte si një bazë për të garantuar
respektimin e traktatit dhe për të shtypur çdo
përpjekje për rimëkëmbjen e shtetit ilir. Zotërimet
(dinasteia) e Demetër Farit përbënin gjithashtu një
kundërpeshë ndaj Mbretërisë Ilire në veri,
kurse krahinat apo qytetet e tjera të jugut, që mbetën
të shkëputura nga kjo mbretëri, u lanë të
papërfillura me besimin që, si njësi të vogla,
favorizonin pozitën e Romës në këto anë.
Ndalimi, sipas traktatit, i lundrimit në jug të Lisit
kishte për qëllim të kufizonte nga ana tjetër
fuqinë detare të Mbretërisë Ilire; për
këtë do të shërbenin në mënyrë
të veçantë zotërimi i Isës dhe i Korkyrës.
Kështu me anë të këtij traktati Roma siguronte
të gjitha masat e mundshme për ta dobësuar shtetin
ilir dhe për ta mbajtur atë nën kontroll, por jo
për ta asgjësuar plotësisht.
Në marrëdhëniet me Romën Mbretëria Ilire
mbeti, pas përfundimit të traktatit, një shtet tributar.
Është thënë se tributi ka qenë një
dëmshpërblim që do të paguhej me këste,
megjithëse masa dhe mënyra e shlyerjes së tij në
traktat nuk përcaktohet. Gjendja juridike e qyteteve dhe e
popullsive që u përfshinë në zotërimet
direkte të Romës nuk është gjithashtu e qartë.
Marrja e tyre nën të ashtuquajturën mbrojtje nga
Roma lejon të nënkuptohet se ato qenë vënë
nën një lloj varësie. Ka shumë të ngjarë
që këto të jenë konsideruar nga ana formale
si “aleatë” apo “miq” që u lejohej
e drejta e një vetadministrimi të kufizuar. Por në
fakt ato ishin të varurit e Romës dhe si të tillë
nuk mund të hynin në marrëdhënie të lira
me shtetet e tjera. Përveç kësaj, ata ishin të
detyruar të pranonin në çdo kohë ushtritë
romake dhe t’i furnizonin ato me ushqime apo t’i plotësonin
me kontingjente ndihmëse tokësore e detare, siç
ndodhi, qysh në vitin e parë të pushtimit, në
dimrin e vitit 229/228 dhe më vonë. E njëjta gjë
mund të thuhet edhe për Demetër Farin, që u
vu në shërbim të Romës, si dinast i varur i
një zotërimi të vogël në ishullin e Farit
dhe brigjet e Dalmatisë.
Gjatë konfliktit Maqedonia, Lidhja Epirote dhe Akarnania kishin
mbajtur një qëndrim që nuk pajtohej me detyrimet
e tyre si aleatë të shtetit ilir dhe me interesat e tyre
politike në përgjithësi. Ky qëndrim shpjegohet
me një varg rrethanash. Sado me rezerva ta kenë parë
këta aleatë rritjen e fuqisë ilire, dalja e Romës
në brigjet lindore të Adriatikut nuk mund të ishte
për ta më e mirë. Por, nga ana tjetër, nuk shohim,
të paktën burimet nuk na e thonë, që krahas
masave mbrojtëse me karakter ushtarak, shteti ilir të
ketë marrë edhe masa për vënien në lëvizje
të aleatëve të tij. Duket qartë se ilirët,
ashtu edhe aleatët e tyre nuk arritën t’i përfundonin
përgatitjet për t’i dalë përpara rrezikut
që po i kërcënonte. Jo vetëm kaq, por vetë
Maqedonia u gjend në këtë kohë e rrezikuar seriozisht
nga një sulm dardan, i cili i kushtoi jetën sundimtarit
të saj, Demetrit II. Ky fakt nuk ishte pa rëndësi
në zgjedhjen e momentit të përshtatshëm për
shpërthimin e konfliktit të armatosur kundër ilirëve.
Edhe në qoftë se ky sulm ishte krejt i pavarur, nuk mund
të mos merret parasysh fakti që ai përkon në
kohë me ngjarjet e përshkruara më lart. Në këto
rrethana romakëve nuk u mbetej gjë tjetër veçse
të ndanin dhe të paralizonin aleatët jugorë,
Lidhjen Epirote dhe Akarnaninë prej mbretërive ilire.
Këtë detyrë ata e zgjidhën duke drejtuar goditjen
e tyre të parë kundër Korkyrës dhe Apolonisë.
Pasi rregulluan punët në Iliri, romakët përcaktuan
edhe qëndrimin e tyre ndaj aleatëve dhe armiqve të
shtetit ilir. Në gjendjen e re të krijuar senati deshi
t’u jepte atyre një provë më të qartë
të pozitës së Republikës. Menjëherë
pas përfundimit të traktatit të paqes, konsulli që
mbeti në Iliri u dërgoi një delegacion etolëve
dhe ahejve për t’u shpjeguar arsyet e ndërhyrjes
dhe të luftës në Iliri dhe për t’u bërë
të ditur kushtet e paqes që u kishin imponuar ilirëve.
Përfaqësuesit bënë çmos të justifikonin
këtë iniciativë të Romës, duke nxjerrë
në pah pasojat e “lumtura” që rridhnin prej
saj për helenët. Kujdesit dhe mirësjelljes së
tyre të shtirë, lidhjet e mëdha greke qenë detyruar
t’u përgjigjeshin duke i pritur këto delegacione
plot respekt dhe duke dhënë kështu, miratimin e tyre
për këto veprime të Republikës. Më vonë
delegatët vizituan edhe dy qytete të mëdha tregtare,
Korinthin dhe Athinën, që përfaqësonin kundërshtarin
më të vendosur të Maqedonisë dhe jo vetëm
gjetën të njëjtën pritje, por si asnjëherë
më parë, u lejuan të merrnin pjesë në lojërat
istmike. Krenaria greke ishte thyer dhe Roma kishte bërë
në këtë drejtim hapin e parë konkret. Nga ana
tjetër, Maqedonia, Epiri dhe Akarnania, aleate të Mbretërisë
Ilire, nuk u vizituan. Me këtë qëndrim mospërfillës
Roma u dha të kuptojë atyre se në cilën anë
ishin simpatitë e saj.
3. LUFTA E DYTË ILIRO-ROMAKE
Përpjekjet për t’u shkëputur nga
varësia romake.
Lufta e dytë
Në vështrimin e parë mund të duket se punët
në Iliri u rregulluan në atë mënyrë që
garantonin respektimin e traktatit të paqes dhe një sundim
të qetë për pushtuesin. Megjithatë, ngjarjet
politike treguan se as ilirët, as fqinjët e tyre maqedonët,
nuk donin të pajtoheshin me gjendjen e krijuar.
Në vitet që pasuan luftën e parë, Demetër
Fari u bë regjent i Mbretërisë Ilire, në vend
të Teutës, që thuhet se kishte vdekur apo abdikuar.
Nuk dihet nëse ky akt u krye me pëlqimin e Romës,
por është e sigurt se duke shtrirë pushtetin e tij
mbi gjithë Mbretërinë Ilire, Demetri u forcua mjaft.
Nuk duhet përjashtuar që në këtë rast ai
të ketë pasur edhe përkrahjen e komandantit të
njohur të Teutës, Skerdilaidit, me të cilin bashkëpunoi
për një kohë.
Pas vitit 225 ose pak më vonë vihet re largimi i Demetrit
nga miqësia me Romën, që u pasqyrua në veprimet
e pavarura të tij. Në vitin 223 ai mori pjesë në
invadimin e Peloponezit si aleat i mbretit të Maqedonisë,
Antigon Dozonit dhe në vitin pasues forcat ilire të komanduara
prej tij luajtën një rol vendimtar në betejën
e Selanisë. Këto veprime të Demetrit, megjithëse
nuk drejtoheshin haptazi kundër Romës, shprehnin qartë
tendencën e tij për t’u shkëputur nga varësia
romake dhe preknin me këtë pozitën e Republikës
në Iliri.
Është pohuar se Farosiani mundi të veprojë lirisht
për shkak të “indiferentizmit” që treguan
romakët ndaj ngjarjeve në Lindje, ose sepse ekzistonte
një keqkuptim në përcaktimin e marrëdhënieve
midis ilirëve dhe Republikës, që buronte nga mënyra
e ndryshme e të menduarit dhe të kuptuarit të këtyre
marrëdhënieve nga palët. Por do të ishte gabim
të hidhej poshtë vlerësimi që i bënte Polibi
situatës dhe të nënvleftësohet ndikimi që
patën ngjarjet në Itali dhe Greqi ndaj qëndrimit
të Demetrit. Nuk ka dyshim se sulmi gal dhe rreziku kartagjenas
lehtësuan veprimet e Dozonit në Greqi dhe përcaktuan
pozitën e Farosianit. Para Romës së kërcënuar
në Perëndim Demetri preferoi aleancën me Maqedoninë.
Roma në fund të fundit nuk i kishte kënaqur ambicjet
e tij pas luftës së parë, kurse ai tani donte të
forconte pozitat e fituara si sundimtar i shtetit ilir, duke shfrytëzuar
vështirësitë e Republikës.
Senati e kuptoi atë që po ndodhte në Iliri dhe provoi
ta frenonte Demetrin. “E thirri në Romë, sepse ishte
bërë kryelartë dhe i rëndë...”, por
pas kësaj ai u tregua edhe më i pabindur dhe u hodh në
veprim të hapur kundër Romës. Në vitin 221 bëri
për vete istrianët dhe së bashku me ta sulmoi anijet
italike, kurse më 220 ndërmori veprime edhe më të
guximshme; pushtoi disa nga qytetet e Ilirisë që ishin
nën vartësinë e Romës dhe nxiti një kryengritje
të atintanëve, rezultat i së cilës qe largimi
i tyre prej romakëve. Më në fund, në përkrahje
të veprimeve maqedone në Greqi, ai ndërmori së
bashku me Skerdilaidin një ekspeditë detare kundër
Pylosit (në Meseni) dhe këndej u hodh me anijet e tij
kundër Cykladeve.
Për shumë vite me radhë, Roma nuk qe në gjendje
të merrte masa kundër Demetrit, por sidoqoftë në
vitet e fundit gjendja për të qe bërë më
e favorshme. Ajo ishte lehtësuar nga pesha e rëndë
e luftës me galët, kurse në Greqi pas vdekjes së
Antigon Dozonit ishin riaktivizuar, jo pa nxitjen e saj, armiqtë
e Maqedonisë, me shpresën se pasardhësi i tij, Filipi
V, për moshën e re nuk do të ishte në gjendje
të mbante frenat e vendit.
Ndërsa Demetri po e forconte aleancën me pasardhësin
e Dozonit, një e çarë u vërtetua edhe në
marrëdhëniet e tij me Skerdilaidin. Ajo u shfaq pas dështimit
të sulmit kundër Pylosit, por shkaqet duhen kërkuar
më thellë. Skerdilaidi nuk e ndoqi Demetrin në ekspeditën
e tij në Iliri. Rrugës u ndal në Naupakt. Këtu,
me ndërmjetësinë e mbretit të athamanëve,
që e kishte të tijin, ai mori një vendim të
papritur: u lidh me etolët dhe i ndihmoi në veprimet e
tyre kundër aleatëve të Maqedonisë. Shenja të
mospajtimit me politikën e Demetrit ishin shfaqur në Iliri
edhe më parë. Forca ilire të kundërta me të
kishin sulmuar Maqedoninë në kohën kur Demetri luftonte
përkrah Dozonit në Selasi dhe mbreti maqedon qe detyruar
të kthehej me të shpejtë për të shpëtuar
vendin nga ky rrezik. Edhe më vonë Demetri qe detyruar
të merrte masa të rrepta ndaj kundërshtarëve
të tij në qytetet e Ilirisë e t’ua jepte pushtetin
miqve të besuar. Tani që Skerdilaidi kishte marrë
vendim, Filipi V u detyrua të ndërhynte vetë për
ta neutralizuar dhe në takimin që pati me të mundi
ta bindë që të largohej nga etolët me premtimin
se “do ndihmonte për të rregulluar punët e
Ilirisë”; megjithëse Skerdilaidi pranoi të
lidhte aleancë me Filipin, marrëdhëniet me Maqedoninë
nuk gjetën në vitet që pasuan terren të përshtatshëm
për t’u zhvilluar e forcuar.
Veprimet e etolëve e kishin detyruar Filipin, nga ana tjetër,
t’u shpallte këtyre luftë, por si përgjigje
pati një kryengritje të “kleomenistëve”,
miq të Etolisë në Spartë. I tërhequr nga
ngjarjet në Greqi, Filipi qe detyruar të lërë
mënjanë çështjet e Ilirisë dhe Farosiani
mbeti i vetmuar përballë Romës.
Gjendja e turbullt në Iliri dhe në Greqi i lejoi senatit
të ndërhyjë me forca të armatosura për
të rivendosur autoritetin e tronditur në brigjet lindore
të Adriatikut. Kjo i duhej Romës edhe për një
arsye tjetër të rëndësishme: në perëndim
kishin filluar të bëheshin gjithnjë më të
qarta shenjat e një konflikti të afërt me Kartagjenën.
Në pranverën e vitit 219 romakët zbritën për
të dytën herë me ushtritë e tyre në brigjet
e Ilirisë. Këtë radhë ata e drejtuan goditjen
kundër pikave më të rëndësishme të
mbrojtjes së Demetrit në jug kundër qytetit Dimale,
kurse në veri kundër kryeqendrës së tij, Farit.
Megjithëse këto dy qendra ishin shumë të fortifikuara
dhe me gjithë masat mbrojtëse që kishte marrë
Demetri, Dimale nuk i qëndroi sulmit romak veçse një
javë. Fari ra gjithashtu shumë shpejt si rezultat i një
dredhie taktike të romakëve; konsulli e shkatërroi
krejt qytetin. Demetri mundi të shpëtojë duke u larguar
fshehurazi me një anije të vogël dhe arriti te Filipi,
ku qëndroi deri në fund të jetës së tij
si këshilltar i keq i mbretit të Maqedonisë.
Polibi tregon se pas kësaj konsulli “pushtoi dhe pjesën
tjetër të Ilirisë dhe i rregulloi punët si deshi
vetë”. Ky pohim nuk duhet të jetë i saktë,
sepse po ky autor e përmend Skerdilaidin ende të pavarur
në veprimet e tij dhe si aleat të Filipit në vitin
218. Me sa mund të gjykohet prej Apianit, vetëm Pineu
iu nënshtrua romakëve dhe nënshkroi me ta marrëveshje
e traktate të dyta, kurse Skerdilaidin ata nuk e prekën
dhe me sa duket e kursyen, megjithëse edhe ai kishte shkelur
traktatin e vitit 228. Kjo mund të mendohet edhe për atintanët
kryengritës apo për ndonjë nga popullsitë dhe
qytetet e tjera. Konsujt duhet të kënaqeshin këtë
radhë me dëbimin e Demetrit dhe të ktheheshin me
të shpejtë në atdhe, sepse Hanibali e kishte sfiduar
keq Republikën me veprimet e tij në Spanjë. E konsideruan
se me këtë aksion kishin treguar në mënyrë
të mjaftueshme forcën e Romës, pa e zgjeruar luftën
në Iliri dhe pa hyrë në konflikt të hapur me
Maqedoninë; morën me vete skllevër dhe plaçkë
të shumtë dhe u kthyen në Romë ku festuan fitoren
mbi Farin me një triumf të bujshëm, megjithëse
lufta që kishin bërë nuk e meritonte këtë.
Lufta për ribashkimin e shtetit ilir
Lufta e dytë e la shtetin ilir të përçarë
dhe në një kaos të brendshëm politik. Ndërsa
Pineu u mbeti “besnik” romakëve, Skerdilaidi vepron
ende më 218 si aleat i Maqedonisë, duke përkrahur
Filipin në ndërmarrjet e tij detare të atij viti.
Por i penguar nga komplotet dhe trazirat që i kishin shkaktuar
dinastët e qyteteve të Ilirisë, nuk mundi të
dërgonte më shumë se 15 anije, baras me gjysmën
e atyre që kishte premtuar. Nga ana tjetër, kontingjente
ilire, nën komandën e Demetrit vepronin krahas forcave
maqedone në Greqi dhe luanin një rol të parëndësishëm
në operacionet e mbretit maqedon kundër etolëve dhe
aleatëve të tyre.
Gjendja në Iliri ishte shumë e rëndë edhe për
shkak të luftës së brendshme, e cila po ziente në
qytete prej disa vitesh. Polibi e paraqet këtë si një
luftë që zhvillohej në sferat e larta sunduese, midis
dinastëve të qyteteve dhe sundimtarëve të lartë
të shtetit ilir. Megjithatë nuk ka dyshim se ajo ishte
shumë më e ndërlikuar. Në situatën e rëndë
që jetonte Iliria, ajo shprehte si kontradiktat në gjirin
e shtresës sunduese, ashtu edhe ato midis saj dhe shtresave
të tjera të ulëta qytetare. Orientimet promaqedone
dhe proromake, si edhe rrymat decentralizuese dhe centralizuese
ishin shprehja e jashtme e saj.
Ndërkaq, ndërsa në Greqi vazhdonte me furi lufta
midis Maqedonisë dhe Lidhjes Etole, në të cilën
qenë tërhequr edhe ilirët përkrah aleatëve
të njërës apo tjetrës palë, në perëndim
shpërtheu lufta vendimtare midis Romës dhe Kartagjenës,
e njohur si Lufta e Dytë Punike. Kontradiktat midis fuqive
të mëdha mesdhetare dhe rezultatet e kësaj lufte
patën një ndikim të thellë në orientimet
politike të fuqive ndërluftuese në Greqi dhe rënduan
edhe më shumë gjendjen e Ilirisë. Kështu me
gjithë dështimet që kishte pësuar në vitin
217, Roma nuk ngurroi të dërgonte përfaqësues
në Iliri për të bërë presion politik me
qëllim që të ruante pozitat e saj në brigjet
e Adriatikut dhe të mënjanonte një qëndrim eventualisht
të kundërt nga ana e Pineut. Ajo nuk la mënjanë
edhe Maqedoninë, të cilën e konsideronte si armike
potenciale të saj. Të dërguarit e senatit i vunë
në dukje Pineut se ishte vonuar në shlyerjen e tributit
dhe se po të donte ta shtynte duhej të jepte pengje, kurse
Filipit i kërkuan dorëzimin e Demetrit pa përfilluar
kështu pozitën e tij të pavarur.
Por rezultatet e luftës me Hanibalin ishin të tilla që
nuk mund të mos errësonin këto hapa të senatit.
Në Maqedoni ato u pritën me entuziazëm dhe ngjallën
një shpresë për largimin e rrezikut romak, i cili
qëndronte pezull mbi këtë vend qysh nga lufta e parë
iliro-romake. Lajmi i fitores së Hanibalit, pranë liqenit
të Trazimenit e bëri më të vendosur Filipin.
I nxitur edhe nga Demetri, ai mori aty për aty vendimin të
çlirohej nga lufta në Greqi për t’u drejtuar
kundër Romës.
Kur Filipi nuk kishte përfunduar ende paqen me etolët
në Naupakt (verë e vitit 217), ishte hedhur në luftë
kundër tij Skerdilaidi. Polibi tregon se një flotë
e tij kishte dalë papritmas në Leukas, sulmoi dhe rrëmbeu
disa anije të Filipit dhe pastaj vazhdoi lundrimin drejt Maleas,
duke zënë e plaçkitur rrugës tregtarët.
Në të njëjtën kohë, Skerdilaidi kishte
sulmuar Filipin nga toka, kishte pushtuar Piseun, një qytet
i vogël në Pelagoni, dhe, pasi kishte bërë për
vete qytetet e Dasaretisë, midis të cilave edhe qytetin
e rëndësishëm Antipatrean, kishte kryer sulme edhe
kundër një pjese të Maqedonisë në kufi
me këto qytete.
Shkakun pse sundimtari ilir, ish-aleat i Maqedonisë, u gjend
papritur në luftë me Filipin dhe u prish me të, Polibi
e shpjegon në mënyrë të thjeshtëzuar. Ai
thotë se Skerdilaidi ishte zemëruar me mbretin maqedon,
sepse “nuk i kishte dhënë të hollat që
i detyrohej sipas marrëveshjes”. Një shpjegim i
tillë nuk mund të jetë bindës edhe në qoftë
se ky fakt është i vërtetë; shkaqe më të
thella duhej të kenë tronditur marrëdhëniet
e tij me Maqedoninë.
Ajo që preokuptonte Skerdilaidin vitet e fundit ishte kapërcimi
i vështirësive të brendshme që vinin nga trazirat
e dinastëve të qyteteve. Në verën e vitit 217
ai i kishte eleminuar ato me sukses dhe mbase përmes tyre kishte
arritur t’i jepte fund përçarjes politike që
ekzistonte midis tij, Demetrit dhe Pineut. Nuk ka dyshim se pas
kësaj ai u bë sundimtar i vetëm i shtetit ilir dhe
është fakt që për Pineun nuk bëhet fjalë
më në burimet. Roma duhet të mos i jetë kundërvënë
Skerdilaidit, në veprën e tij të ribashkimit, kurse
për Maqedoninë kjo nuk mund të thuhet. Përveç
premtimeve, Filipi, që përkrahte Demetrin, nuk i kishte
dhënë atij asnjë ndihmë konkrete. Shtrirja e
pushtetit të Skerdilaidit mbi qytetet e Dasaretisë, që
u bashkuan me të vullnetarisht, nuk duhet të jetë
mirëpritur në oborrin mbretëror në Pela dhe
ka shumë të ngjarë që këtu të ketë
zanafillën e vet edhe konflikti i armatosur midis sundimtarit
ilir dhe Filipit.
4. LUFTA MAQEDONO-ROMAKE
DHE NGJARJET NË ILIRI
Agresioni i Filipit V kundër Ilirisë
Koha të cilën Skerdilaidi e kishte zgjedhur për t’i
rikthyer shtetit ilir Dasaretinë nuk ishte aspak e përshtatshme.
Filipi sapo ishte çliruar nga lufta në Greqi dhe nuk
kishte asnjë vështirësi për t’u drejtuar
kundër tij. Aq më tepër që kjo ndërmarrje
përputhej edhe me planin e tij të madh për të
dalë në brigjet e Adriatikut prej nga ëndërronte
të hidhej në Itali. Me një fushatë të shpejtë
ai pushtoi qytetet rreth liqenit Lyhnid dhe ato të Dasaretisë,
deri në Antipatrea.
I vendosur në ndërmarrjen e tij, Filipi e zgjeroi vitin
tjetër ndërhyrjen në Iliri, duke iu drejtuar asaj
këtë radhë nga deti. Pasi ndërtoi në skelat
e Maqedonisë 100 anije, në verë të vitit 216
doli në ishujt e Jonit. Kur u sigurua se flota romake ishte
larg, lundroi për në brigjet e Ilirisë. Në planin
e tij ishte pushtimi i Apolonisë, të cilën e mendonte
si bazën më të përshtatshme për aksionin
e tij të ardhshëm. Por, kur iu afrua grykës së
Aosit, mori papritur, lajmin se anijet romake ishin drejtuar për
në Apoloni. Pa sqaruar ende fuqinë e kundërshtarit,
flota maqedone u tërhoq në panik. Skerdilaidi që
e kishte ndjerë rrezikun e një sulmi nga deti ua kishte
bërë të ditur këtë gjë romakëve
dhe kishte kërkuar ndihmën e tyre. Në përgjigje
të kësaj kërkese romakët shkëputën
nga flota e tyre e Sicilisë 10 anije pesërremëshe
dhe i dërguan në Apoloni. Ishte kjo skuadër e vogël
që shkaktoi panik te maqedonët dhe dështimin e tyre.
Pasojat e kësaj ngjarjeje qenë edhe më serioze. I
kërcënuar nga Maqedonia, sundimtari ilir qe detyruar të
kthehej me fytyrë nga Roma, pasi kishte luftuar kaq vjet për
të shpëtuar prej saj. Me agresionin kundër Ilirisë,
Filipi kishte bërë një hap fatal për vetë
fatin e Maqedonisë dhe të Ballkanit në tërësi:
kishte bërë që interesat e sundimtarit ilir të
përputheshin detyrimisht me ato të Republikës. Që
nga kjo kohë Skerdilaidi do të vepronte si aleat i Romës,
duke i dhënë politikës së shtetit të tij
një kurs të ri që do të ndiqej për rreth
katër dekada me radhë.
Drejtimi që kishin marrë punët qysh prej vitit 217
u përcaktua edhe më qartë pas fitores së Hanibalit
në Kanë. Në vitin 215 Filipi dhe Hanibali përfunduan
një traktat aleance sipas të cilit zotoheshin të
ndihmonin njëri-tjetrin në luftën kundër Romës.
Në traktat nuk përfilleshin aspak interesat e shtetit
ilir. Klauzola sipas së cilës romakët nuk duhet të
mbeteshin “zotër të Korkyrës, as të Apolonisë
e Epidamnit, as të Farit, as të parthinëve dhe Dimales,
as të Amantisë”, i njihte praktikisht Maqedonisë
të drejtën e sundimit në Iliri. Po të pranojmë
se përfundimi i një aleance midis Kartagjenës dhe
Maqedonisë ishte objekt bisedimesh qysh prej kohës së
Dozonit dhe se qe vonuar për shkak të pavendosmërisë
së Filipit, atëherë në dritën e klauzolës
së sipërme ka arsye të mendohet se lakmitë e
Maqedonisë kanë qenë prej kohësh një shqetësim
për Ilirinë dhe mbase kanë pasur edhe ato ndikimin
e tyre në marrëdhëniet midis Skerdilaidit e Filipit.
Duke përcaktuar sferat e interesave marrëveshja përcaktonte
edhe zonat e veprimeve ushtarake. Në frymën e marrëveshjes
të dyja palët ndërmorën në vitin 214 veprime
të përbashkëta në Itali dhe Iliri. Ndërsa
Hanibali sulmoi Tarentin, Filipi u drejtua sërishmi kundër
qyteteve bregdetare të Ilirisë. Me një flotë
prej 120 lembesh u fut në Aos dhe provoi të merrte Apoloninë,
por shpejt u bind se kjo nuk ishte një punë e lehtë.
Atëherë papritmas u drejtua kundër Orikut, të
cilin e pushtoi me sulmin e parë, sepse nuk ishte aq i mbrojtur.
Ndërkaq mbante të ngujuar Apoloninë dhe shpresonte
ta merrte me qetësi, duke menduar se romakët nuk do të
ishin në gjendje ta shqetësonin në operacionet e
tij. Por ndodhi e kundërta. Reagimi i romakëve qe i menjëhershëm:
një flotë prej 50 anijesh pesërremëshe u nis
nga Brindisi dhe pushtoi Orikun që Filipi e kishte lënë
në duart e një garnizoni të vogël. Pastaj pa
u vonuar forcat romake u gjendën në Apoloni, ku hynë
natën pa u diktuar. Këndej së bashku me forcat e
qytetit, sulmuan në befasi kampin e Filipit, të cilin
e gjetën krejt të pambrojtur. Afër 3 000 maqedonë
mbetën në fushën e betejës ose u zunë robër.
Mbreti provoi të ikte nga deti, por si e gjeti grykën
e lumit të mbyllur nga flota romake, dogji anijet e veta dhe
u tërhoq nga toka për në Maqedoni me mbeturinat e
ushtrisë.
Dështimi para mureve të Apolonisë i tregoi Filipit
se plani për daljen në brigjet e Adriatikut dhe kalimi
në Itali nuk ishte një punë e lehtë. Në
të dy vitet që pasuan ai e ndryshoi drejtimin e sulmit
të tij: nënshtroi atintanët, parthinët bashkë
me qytetin e tyre Dimalin dhe u fut në tokat e ardianëve,
duke u shtyrë në veri deri në Lis. Mendimi se atij
iu nënshtrua edhe Skodra, madje se u shtri deri përtej
lumit Narona, nuk qëndrojnë dhe kanë gjetur pak përkrahje.
Veprimet e dy viteve të fundit dëshmojnë për
një strategji të re politike-ushtarake të Filipit,
që synonte të zgjeronte pushtimet në Iliri. Marrja
e Lisit, megjithëse i siguroi një dalje në det, nuk
mund të lidhet me planin e vjetër të kalimit në
Itali. Qyteti ishte shumë larg brigjeve të përtejme
të Adriatikut dhe sa kohë që Dyrrahu dhe Apolonia
ishin në duart e romakëve, çdo kalim përmes
detit ishte i paracaktuar të dështonte. Duket më
e besueshme që Filipi të jetë interesuar në
këto çaste në radhë të parë për
vendosjen e një sundimi të shëndoshë në
Iliri me perspektivën e dëbimit të plotë të
romakëve prej këndej, kurse plani i kalimit në Itali
të ketë ardhur duke u zbehur. Pushtimet e tij ishin padyshim
një rezultat me rëndësi: ato ngushtuan shumë
zotërimet romake në Iliri dhe duke hyrë si pykë
midis tyre dhe shtetit ilir, e ndanë këtë të
fundit prej romakëve.
Koalicioni antimaqedon
Në qoftë se më 213 dhe 212 Filipi i kishte duart
e lira në Iliri, më vonë punët ndryshuan. Me
marrjen e Syrakuzës dhe të Kapuas (212-211), romakët
filluan të shijojnë frytet e para të epërsisë
së armëve të tyre mbi Hanibalin. Pas kësaj ata
riaktivizuan politikën e tyre në lindje: më 211 përfunduan
një aleancë me etolët, në të cilën
tërhoqën më vonë edhe disa shtete të tjera
greke, Atalin e Pergamit si dhe shtetin ilir, të përfaqësuar
nga Skerdilaidi dhe i biri i tij Pleurati. Duke shfrytëzuar
me kujdes armiqësitë e popujve të ndryshëm ndaj
politikës pushtuese të Filipit, romakët arritën
kështu të krijojnë në Ballkan një koalicion
të fuqishëm antimaqedon, që ua lehtësoi shumë
peshën e luftës përtej Adriatikut.
Filipi u njoftua për aleancën në Pela ku ishte duke
dimëruar. Duke ditur se gjendja e krijuar në Greqi do
ta tërhiqte plotësisht andej, ai vendosi të siguronte
më parë shpinën e mbretërisë nga rreziku
ilir; ndërmori papritur një ekspeditë kundër
tokave të Orikut dhe Apolonisë dhe shkretoi viset fqinje
të Ilirisë me Maqedoninë, me qëllim që
të linte pas frikë dhe terror. Në pranverë iu
kthye Greqisë, por aleatët ia kishin marrë iniciativën
dhe duke e goditur në shumë anë e detyruan të
vihet në pozita mbrojtëse.
Në 209 Filipi i mbante ende tokat e pushtuara në Iliri,
sepse në bisedimet për paqe, që u zhvilluan midis
tij dhe etolëve në Falaia dhe pastaj në Aigon, mbretit
iu kërkua t’u kthejë romakëve Atintaninë
dhe Skerdilaidit ardiejtë, pra pushtimet e tij më veriore.
Bisedimet dështuan dhe problemi në këtë rrugë
nuk gjeti zgjidhje. Por, po këtë vit, Skerdilaidin e gjejmë
në Etoli duke luftuar kundër maqedonëve dhe një
vit më vonë, më 208, midis panikut që kishte
kapur aleatët e Maqedonisë në Greqi, Filipit i erdhi
lajmi shqetësues nga mbretëria: “Skerdilaidi dhe
Pleurati ishin vënë në marshim”. Hollësitë
rreth këtij sulmi ilir dhe rezultatet e tij nuk dihen, por
fakti që ky marshim kishte ngjallur shqetësime në
Maqedoni tregon se sundimtarët ilirë kishin zbritur thellë
në jug dhe si pasojë i kishin dëbuar forcat maqedone
të paktën nga pushtimet e tyre veriore, Lisi dhe tokat
e ardiejve.
Ndryshe nga këto përfundime, vitet 207 dhe 206 shënojnë
një rënie të luftës kundër mbretit maqedon.
Romakët që deri atëherë kishin luftuar kundër
Filipit me forca të pakta, u tërhoqën nga fusha e
betejës, duke menduar se ia kishin arritur qëllimit të
tyre për të larguar Filipin nga ndërhyrja në
perëndim. Shembullin e tyre e ndoqi dhe Atali, i thirrur në
atdhe për nevoja të mbretërisë. Pesha e luftës
mbeti kështu mbi aleatët ballkanikë. Duke shfrytëzuar
këtë gjendje, Filipi përqendroi goditjen mbi etolët
dhe më 206 i detyroi ata të bëjnë paqe të
veçantë.
Në këto rrethana romakët u detyruan të dërgojnë
me të shpejtë forca në Iliri. Në pranverë
të vitit 205 zbritën në Dyrrah me 10 000 këmbësorë
dhe 1 000 kalorës me 35 anije. Sapo mësuan ardhjen e romakëve,
parthinët dhe popuj të tjerë fqinjë u ngritën
kundër maqedonëve. Duke pushtuar pa vështirësi
tokat e tyre, romakët arritën në Dimale, të
cilin e rrethuan. Ndërkohë ata dërguan një pjesë
të forcave të tyre me 15 anije në Etoli me shpresë
se mund të prishnin paqen.
Këtu në Apoloni të dyja palët, nën ndikimin
e disa rrethanave, shprehën dëshirën për të
mos e vazhduar më tej luftën. Gjendja në Itali kishte
ndryshuar; Hanibali kishte pësuar humbje të rënda
në Itali dhe aleanca me të kishte humbur çdo kuptim
për Filipin. Edhe romakët e ndienin veten të lodhur
nga lufta e gjatë me Kartagjenën. Të dyja palët
ishin të prirura për një paqe ose të paktën
për një armëpushim të gjatë. Epirotët
u vunë në rolin e ndërmjetësit dhe Foinike,
kryeqyteti i tyre, u bë qendër e bisedimeve. Paqja u vendos
dhe sipas kushteve të marrëveshjes, romakëve u njihej
e drejta mbi parthinët e Dimalen dhe dy qytete të vogla
pranë tij, kurse Filipi mbante Atintaninë dhe, kuptohet,
Dasaretinë. Midis aleatëve të Romës është
përfshirë edhe sundimtari i shtetit ilir, Pleurati, i
cili tani përmendet pa të atin, Skerdilaidin. Në
marrëveshje nuk thuhet shprehimisht cilat qenë të
drejtat që i njiheshin atij. Paqja, pa dyshim, i jepte fund
gjendjes së luftës midis mbretit ilir dhe Maqedonisë
ndërsa çështje territoriale, të pazgjidhura
midis tyre, me sa duket, nuk kishte. Fakti që në bisedimet
e Foinikes nuk bëhet fjalë më për Lisin dhe
ardianët tregon se çështja kishte gjetur zgjidhje
që më parë, mbase që në vitet 209 ose 208.
Lufta e dytë maqedono-romake. Dështimi i Filipit
V
Paqja e Foinikes, ashtu sikurse u përfundua, i la hapur kontradiktat
midis Romës dhe Maqedonisë. Pozita që ruajti Maqedonia
në Iliri nuk ishte aspak e favorshme për Republikën,
por ajo e bënte këtë hap vetëm e vetëm
që të çlirohej dhe të përqendronte forcat
për betejat e ardhme vendimtare me Hanibalin. Filipi nga ana
e tij e kishte kuptuar se për të nuk kishte rrugë
tjetër, veçse të forconte pozitat në Ballkan
dhe në Lindje, ku ai parashikonte ndeshjen e ardhme me Romën.
Këtë drejtim morën, në fakt, edhe ngjarjet në
vitet që pasuan. Ndërsa Roma ishte duke përfunduar
luftën me Hanibalin, Filipi ndërmori një varg veprimesh
diplomatike dhe ushtarake në Lindje: përfundoi një
aleancë me Atalin III të Sirisë, zgjeroi pushtimet
në Egje, duke u shtrirë deri në Helespont, shtoi
presionin mbi Greqinë dhe u mori disa toka etolëve, goditi
në veri dardanët dhe në kundërshtim me traktatin
e Foinikes bëri pushtime të vogla në Iliri që
i lejuan t’u shkëpuste romakëve parthinët.
Ndërkaq në vitin 201 romakët e thyen përfundimisht
Hanibalin dhe e detyruan Kartagjenën të përfundonte
paqen. Fitimtarët, që edhe më parë nuk e kishin
duruar Filipin, nuk mund të lejonin tani që t’u
cenoheshin interesat e tyre në Iliri dhe në përgjithësi
nuk mund ta shihnin me sy të mirë forcimin e pozitave
të tij në Lindje.
Goditjen vendosën t’ia japin nga Iliria. Në vjeshtë
të vitit 200 dy legjione zbritën në Apoloni dhe ngritën
lëmin në afërsi të lumit Aps. Këtej filloi
sulmi kundër pozitave të Filipit në Dasareti. U dërgua
menjëherë një ekspeditë kundër Antipatreas,
sepse ky qytet i rëndësishëm ishte pika më e
përparuar e Filipit në Iliri dhe zinte një pozitë
kyçe në rrugën që kalonte përmes luginës
së Devollit për në Maqedoni. Me një sulm të
shpejtë forcat romake zunë tri kështjella në
rrethet e qytetit (Karagun, Geruntin dhe Orgesin) dhe sakaq u gjendën
para mureve të tij. Komandanti romak u mundua të hyjë
në Antipatrea me anën e marrëveshjes, por paria,
duke pasur besim te madhësia e qytetit, te muret dhe pozita
e tij e mbrojtur kundërshtoi të dorëzohet. Atëherë
romakëve iu desh ta merrnin me sulm, gjë që u kushtoi
shumë shtrenjtë. Për këtë arësye komandanti
romak u soll në mënyrë barbare. Ai urdhëroi
masakrimin e popullsisë prej 16 vjeç e lart dhe pasi
plaçkiti qytetin, e dogji dhe i shkatërroi muret mbrojtëse
të tij. Pas kësaj romakët pushtuan edhe dy qytete
më të vogla në thellësi: Kodrionin dhe Knidin
dhe pasi lanë një garnizon në Kodrion u kthyen në
lëmin e tyre në Aps. Kjo ekspeditë e përmirësoi
shumë pozitën e romakëve; ata kishin asgjësuar
një bastion të Filipit siç ishte Antipatrea, kurse
me vendosjen e garnizonit në Kodrion kishin shtyrë në
thellësi pikën e kontaktit me armikun dhe kishin hapur
rrugën për operacionet e ardhshme.
Gjatë dimrit konsulli romak u kujdes të siguronte aleatë.
Thirri në lëmin e tij në Aps mbretërit e vendeve
fqinje me Maqeoninë, midis të cilëve Pleuratin e
Ilirisë, Baton e Dardanisë dhe Aleksandrin e Athamanisë
dhe u mori atyre premtimet për ndihmë në luftën
kundër Filipit. Por përpjekjet për të tërhequr
etolët përsëri në luftë dështuan,
kurse Epiri i mbeti besnik Filipit.
Mbreti i Maqedonisë po përgatitej në mënyrë
të ethshme për fushatën e stinës së ardhshme
të vitit 199. I siguruar nga qëndrimi i Epirit dhe i Lidhjes
etole në jug ai i përqendroi forcat në veri. Me qëllim
që të mënjanonte rrezikun e një depërtimi
dardan në Maqedoni, dërgoi forca për të mbyllur
grykën e Pelagonisë. Me forcat kryesore u vendos diku
në afërsi të malit Lynkus duke pritur një sulm
të konsullit dhe të Pleuratit, që mendonte se do
t’i vinte përmes luginës së Genusit në
drejtim të Lyhnidit. Por u gabua. Konsulli nuk e ndryshoi drejtimin
e tij. Duke rimarrë operacionin u shty më tej në
Dasareti dhe nëpër luginën e Apsosit (Devollit) doli
në fushën e Korçës. Këtu u furnizua me
drithë nga hambarët e pasur të Dasaretisë dhe
prej këndej mbërriti në Oresti dhe Elimioti.
Kur mësoi për drejtimin që kishte marrë konsulli,
Filipi shpërnguli forcat nga Pelagonia dhe Lynku në drejtim
të jugut. Por me këtë i hapi rrugën Pleuratit
i cili, me sa duket, pasi çliroi parthinët, ndoqi luginën
e Genusit dhe arriti në Lyhnid. Edhe dardanët vërshuan
nga veriu në Maqedoni. Në këtë kohë romakët
u kthyen përsëri në Dasareti dhe pushtuan qytetin
Peilon. Meqenëse qyteti kishte një pozitë të
përshtatshme për të sulmuar Maqedoninë, konsulli
la këtu një garnizon dhe si mori me vete plaçkën
dhe skllevërit, e solli ushtrinë përsëri në
krahinën e qetë të Apolonisë, aty prej nga ishte
nisur.
Filipit, përkundrazi, iu desh të bëjë përpjekje
të mëdha për të përballuar pas kësaj,
në veri ilirët e Pleuratit dhe dardanët që kishin
hyrë në Maqedoni, kurse në jug athamanët dhe
etolët, të cilët pas sukseseve të romakëve
kishin vendosur të hynin përsëri në luftë
kundër mbretit të Maqedonisë. Kështu në
dy fushata gjatë viteve 200 dhe 199 Filipi u dëbua nga
tokat e parthinëve dhe Dasaretia, ndërsa kundër tij
u ngritën përsëri etolët dhe popullsi të
tjera të vogla fqinjë.
Në vitin e tretë të luftës (198) veprimet ushtarake
u shpërngulën në jug, në luginën e lumit
Aos. Operacionet e dy viteve të para u kishin treguar romakëve
se rruga për në Maqedoni, përmes Dasaretisë
ishte e lidhur me vështirësi serioze përsa i përket
furnizimit dhe rezervat e kësaj krahine nuk i përballonin
dot nevojat e ushtrisë romake. Duhej kërkuar një
rrugë tjetër më e sigurt. E tillë paraqitej
lugina e Aosit që të çonte në Maqedoni përmes
Thesalisë. Kjo krahinë ishte një hambar i sigurt
për një ushtri që do të shkëputej kaq shumë
nga bazat e saj. Përveç kësaj, me hyrjen e etolëve
në luftë gjendja në jug ishte bërë më
e favorshme për romakët, prandaj depërtimi në
zemër të Greqisë përmes luginës së
Aosit u siguronte romakëve bashkimin me aleatët e tyre.
Filipi që e kishte ndjerë këtë rrezik dërgoi
në pranverë të vitit 198 një pjesë të
forcave që të zinin grykën e Antigonesë, duke
menduar se romakët mund të merrnin rrugën përmes
luginës së Drinos dhe fushës së Malësisë
për të dalë në Thesali. Mbas disa ditësh
arriti edhe vetë me forcat kryesore dhe, si e pa gjendjen,
vendosi t’ia kushtojë vëmendjen kryesore mbrojtjes
së ngushticës së Aosit, e cila megjithëse nëpër
një rrugë më të vështirë, por më
të shkurtër, të çonte gjithashtu në Thesali.
Pa lëshuar grykën e Antigonesë ai vendosi forcat
në të dyja anët e lumit Aos. Mbrojtjen e krahut të
majtë, nga ana e malit Asnau (mali i Golikut), dhe grykën
e Antigonesë ia besoi komandantit të tij, Atenagorës,
kurse krahun e djathtë, d.m.th. atë nga ana e malit Merop
(mali i Shëndëlliut) dhe rrugën që kalonte nga
kjo anë buzë lumit, e mbajti vetë.
Romakët që kishin ngritur lëmin e tyre përballë
të dyja grykave qëndruan për një kohë të
gjatë të pavendosur për të sulmuar, sepse pozitat
e mbretit maqedon ishin shumë të forta. Gjatë kësaj
kohe nuk munguan edhe përpjekjet për të arritur në
një marrëveshje, por Filipi shpresonte në rezultate
më të mira dhe nuk i pranoi kushtet e konsullit.
Ndërkaq romakët mundën të siguronin një
dalje në shpinë të Filipit me ndihmën e njërit
prej parisë epirotase. I zënë në befasi nga
mbrapa dhe i goditur me forcë në ballë, Filipi u
detyrua të lërë pozicionet e tij të fuqishme
dhe të tërhiqej me humbje të mëdha. Duke ndjekur
armikun, romakët u bënë shumë shpejt zotër
të një pjese të mirë të Greqisë Qendrore.
Pas kësaj Lidhja Epirote, deri tani aleate e Filipit, por që
nuk kishte hyrë në konflikt të armatosur, u afrua
me romakët. Së shpejti edhe Lidhja Epirote-Ahease u shkëput
nga aleanca me Maqedoninë.
Në vitin 197 ushtria romake dhe ajo e aleatëve ishin përqendruar
në Thesali. Në betejën që u zhvillua në
afërsi të Kinoskefales, Filipi mori goditjen vendimtare
dhe u detyrua të kërkonte paqe. Kushte |