K R E U
VI
MBRETËRIA E DARDANISË
Mbretëria Dardane doli në skenën historike në
shek.IV p.e.sonë dhe u bë një prej faktorëve
relevantë, politikë dhe ushtarakë në Evropën
Juglindore gjatë shekujve III-I p.e.sonë Shteti i Dardanisë,
duke i bërë sfidë dominimit romak për një
kohë të gjatë, ra nën pushtetin e Perandorisë
Romake. dhe iu bashkangjit Provincës së Mezisë së
Epërme (Moesia Superior) në vitin 44 e.sonë. Mëvehtësia
e dikurshme, që krijoi identitetin dardan dhe rezistenca e
vazhdueshme, bënë që në vitin 279 e.sonë
të krijohej njësia e veçantë administrative-politike
romake, Provinca e Dardanisë.
Territori dhe popullsia
Dardania shtrihej në territorin e Kosovës së sotme,
të Maqedonisë Veriperëndimore, të Serbisë
Jugore dhe në një pjesë të Sanxhakut. Në
gjysmën e dytë të shek.III p.e.sonë, në
kuadër të mbretërisë hyri edhe Peonia dhe qyteti
me rëndësi gjeo-strategjike Bylazora (Veleshi i sotëm).
Kosova, duke përfshirë edhe territorin e Shkupit, përbënte
hapësirën qëndrore të kësaj mbretërie.
Dardania kishte një pozitë të volitshme gjeografike
dhe gjeostrategjike, që mundësoi krijimin e ndërlidhjeve
me hapësirat fqinje dhe ato më të largëta. Territori
i saj, duke u përshkuar nga luginat e lumenjve Vardar, Drin,
Moravë, Ibër dhe Sitnicë, përbënte një
udhëkryq të rrugëkalimeve të rëndësishme
ballkanike që shpinin drejt Egjeut, Adriatikut dhe Detit të
Zi.
Falë edhe pasurive natyrore (arit, argjendit, hekurit, fushave
pjellore, pyjeve, kullotave), si dhe të klimës së
përshtatshme, kontinentale dhe mesdhetare, Mbretëria Dardane
në shek.IV-II p.e.sonë njohu lulëzimin më të
madh.
Në Dardani jetonin një varg fisesh, por nga burimet e
shkruara ngelën të njohur vetëm fisi i dardanëve,
galabrëve, daunëve dhe i thunatëve Pa dyshim, fisi
i dardanëve, pas konsolidimit dhe fuqizimit të aristokracisë
fisnore, në shekujt VI-IV p.e.sonë, mori rolin udhëheqës
mbi bashkësitë fisnore duke i dhënë emrin mbretërisë.
Në shek.V p.e.sonë këto fise banonin në hapësirën
midis lumenjve Axios (Vardar), Drilon (Drin), Margus (Moravë)
dhe Timakus (Timok).
Etimologjia e emrit dardan, përkatësisht e Dardanisë,
lidhet me glosën indoevropiane dardh -a, shqip: dardha, dhe
do të thotë vendi i dardhave. Edhe qytetet antike dardane
e përcjellin zhvillimin fonetik të shqipes, si Naissus-Nish,
Scupi-Shkup, apo emrat e maleve e të lumenjve në Dardani,
si Scardus mons (Mali Sharr), Drinus (Drini) etj.
Dardanët janë një nga fiset e mëdha ilire. Në
epokën e hekurit, ata formuan një kulturë me veçori
lokale duke ruajtur tiparet e përbashkëta me kulturën
ilire. Vendbanimet në këtë kohë janë ngritur
në kodra gjeostrategjike, pranë burimeve të qëndrueshme
ekonomike. Vendbanimet rrethohen me ledhe prej dheu, përforcohen
me gjerdhe, apo me ledhe prej gurësh, të ngritura me teknikë
të thatë. Këto vendbanime njihen sot me emrat gradina,
gadisha e gradisha, disa prej tyre që banuan edhe në antikitetin
e vonë e në mesjetë, njihen me toponimet gjytet dhe
kala.
Deri në shek. IV p.e.sonë varrimi kryesor është
bërë në nekropole tumulare, si në gjithë
trevën tjetër ilire. Në fazat e hershme të epokës
së hekurit ka edhe varrime me urna - kultura Bërnicë
(shek. XI-IX p.e.sonë).
include ("../reklama460.php");
?>
Dardania paraurbane
Bazat për lindjen e shtetit dardan vërehen në protohistorinë
dardane gjatë shek. VI-IV p.e.sonë. Në këtë
fazë protourbane fuqizohet aristokracia fisnore, e cila akumulon
pushtetin, duke krijuar kështu bazë për një
shtresë të ardhshme skllavopronare.
Lidhjet me jugun e zhvilluar, gjatë shek. VI-V p.e.sonë
shpejtuan procesin e diferencimit shoqëror. Tregtarët
sollën në trojet dardane importe të shumta luksoze
për të plotësuar nevojat e aristokracisë vendëse
gjithnjë në rritje.
Prodhimtaria e mjeshtërve dardanë u intensifikua nga mesi
i shek.V p.e.sonë. Zejtarët poçarë, prodhonin
enë me çark sipas traditës vendëse dhe sipas
modeleve helene.
Vendbanimet e fazës protourbane gjenden ende në kodra,
por me elemente më të avancuara arkitektonike, siç
janë themelet me gurë e me lidhje të thatë.
Ato zgjerohen në shpate kodrash, me tendencë të vendosjes
së tyre rrëzë kodrave apo në rrafsh, gjë
që bëhet tipike në fazën vijuese, me krijimin
e qendrave urbane.
Nekropolet e shek. VI-IV p.e.s. vazhdojnë të jenë
të tipit tumular duke qenë pjesë e traditës
së hershme ilire.
Dardanët në shek. IV p.e.sonë.
Lindja dhe forcimi i Mbretërisë Dardane
Lajmi i parë për dardanët i përket mesit të
shek. IV p.e.sonë dhe tregon për një përpjekje
të mbretërisë së Maqedonisë, që ishte
bërë asokohe fuqia politike-ushtarake më e madhe
në Ballkan, për të forcuar kufijtë veriorë.
Sipas historishkruesit romak, Justinit, Filipi II kishte mundur
të mposhte e të nënshtronte dardanët e fqinjët
e tjerë. Kjo luftë e sundimtarit maqedon lidhet me pushtimin
e Paionisë dhe në përgjithësi me veprimet e
tij ushtarake kundër ilirëve, sepse në vitin 344
p.e.sonë ai sulmoi edhe shtetin ilir.
Gjendja që Filipi II vendosi në kufirin me dardanët
qe e përkohshme dhe më tepër një sigurim i kufijve
me fqinjët ilirë, të cilët e kundërshtonin
politikën hegjemoniste të Maqedonisë në Ballkan.
Në kufirin me dardanët shteti maqedon kishte arritur pasi
kishte pushtuar viset e paionëve. Ngjarjet që ndodhën
pas kësaj lufte, duke filluar me kryengritjen e vitit 335 p.e.sonë
tregojnë qartë se dardanët nuk u pajtuan me politikën
pushtuese të Maqedonisë dhe me gjendjen e krijuar në
kufirin jugor, prandaj edhe u bashkuan me koalicionin antimaqedon.
Duke përshkruar ngjarjet e mësipërme, autorët
antikë nuk përmendin asnjë qendër banimi të
dardanëve dhe nuk thonë asgjë për organizimin
e tyre të brendshëm. Madje, ata nuk përmendin as
sundimtarin e tyre. Por ngjarjet e mëvonshme dhe të dhëna
të tjera burimore dëshmojnë se në gjysmën
e dytë të shek. IV p.e.sonë ishte kryer bashkimi
i fiseve në një bashkësi të fuqishme. Dardania
asokohe përbënte një tërësi gjeografike
e politike më vete. Në bashkësinë e dardanëve
ishte rritur mjaft pushteti i parisë pronare të tokave.
Nga gjiri i kësaj parie doli më vonë dinastia mbretërore,
që i vazhdoi luftërat me Maqedoninë, shkaku i të
cilave nuk qe vetëm plaçka. Këto luftëra u
nxitën, në radhë të parë, nga politika
e sundimtarëve maqedonë, të cilët duke mbajtur
të pushtuar Paioninë kishin ndërprerë marrëdhëniet
miqësore midis dy fqinjëve dhe kërcënonin në
mënyrë të vazhdueshme dardanët.
Në fillim të shek. III p.e.sonë në trevën
qendrore të Ballkanit del Mbretëria Dardane si një
organizëm politik i rëndësishëm. Në vitet
80 të atij shekulli, në trevën e mësipërme
ndodhën dy ngjarje të rëndësishme, të cilat
lidhen njëra me tjetrën: invazioni i keltëve, kalimi
i tyre në drejtim të Greqisë e të Maqedonisë
dhe ndihma që dardanët i ofrojnë Maqedonisë
për t’u mbrojtur nga ky invazion. Sipas njoftimit të
Justinit, në vitin 279 p.e.sonë “mbreti i dardanëve”
kishte dërguar delegatë te mbreti maqedon Ptoleme Kerauni
për t’i ofruar një ndihmë ushtarake prej 20
mijë luftëtarësh në luftën kundër
keltëve. Por Ptoleme Kerauni e përbuzi ndihmën dhe
iu përgjigj me fjalë fyese delegatëve dardanë.
Dardanët morën masa mbrojtëse kundrejt keltëve.
Pas disfatës në Greqi, keltët të mundur e të
shpartalluar u tërhoqën drejt veriut. Tepricat e ushtrisë
së tyre “u asgjësuan të gjitha në tokën
e dardanëve, nëpër të cilën deshën
të kalonin”, kështu shkruante Diodori në tregimin
e tij për përfundimin e invazionit të keltëve.
Ngjarjet që lidhen me invazionin e keltëve janë një
burim i çmuar për të njohur gjendjen e krijuar
te dardanët në fillim të shek. III p.e.sonë.
Ndonëse nuk njihet emri i sundimtarit të dardanëve,
dihet se këta të fundit kishin mbretërinë e
tyre, e cila tashmë ishte një forcë politike-ushtarake
e fuqishme. Ndryshe nuk ka si shpjegohet ndihma prej 20 000 luftëtarësh
që mbreti dardan i ofroi shtetit maqedon. Ky veprim i sundimtarit
të dardanëve duhet parë si një tregues i fuqisë
së Mbretërisë së Dardanëve dhe, ndoshta,
edhe si një përpjekje për të ndryshuar marrëdhëniet
me fqinjët jugorë.
Pas këtyre ngjarjeve, në burimet e shkruara antike, për
katër dekada nuk ka ndonjë lajm për dardanët.
Së pari mund të mendohet se gjatë kësaj kohe
dardanët qenë të shtrënguar të merrnin
masa për zhdukjen e pasojave të invazionit kelt. Duke
u mbështetur në përhapjen e onomastikës dardane
dijetarët kanë shfaqur edhe një mendim tjetër:
gjatë periudhës së mësipërme Mbretëria
e Dardanëve u forcua edhe më tej duke zgjeruar njëkohësisht
kufijtë e saj në veri e në jug.
Në gjysmën e dytë të shek. III p.e.sonë
rifilluan luftërat midis Mbretërisë Dardane dhe shtetit
maqedon. Shkaku i fillimit të luftërave duket se ka qenë
politika pushtuese e sundimtarëve maqedonë kundrejt fqinjëve
të tyre iliro-veriorë dhe në mënyrë të
veçantë pushtimi i truallit të paionëve. Paionët
herëpashere janë ngritur kundër pushtuesve maqedonë
dhe, duke u bashkuar në aleanca antimaqedone, kanë mundur
të çlirohen. Një aleancë e vjetër, më
tepër se sa një pushtim, duhet të ketë ekzistuar
midis dardanëve e paionëve, sepse nuk mund të shpjegohen
ndryshe të dhënat e autorëve antikë sipas të
cilëve, sa herë që paionët fitonin pavarësinë,
dardanët e kishin të hapur rrugën drejt Maqedonisë.
Një politikë të tillë ndoqi edhe sundimtari
i parë dardan që njohim me emër, Longari, i cili,
pasi çliroi Paioninë në vitin 231 p.e.sonë,
luftoi kundër Demetrit II të Maqedonisë duke kundërshtuar
kështu përpjekjet e shtetit maqedon për të zgjeruar
kufijtë veriorë. Mbretëria Dardane ishte forcuar
shumë dhe prej kësaj kohe sundimtarët maqedonë
u detyruan të angazhonin forca të mëdha ushtarake
në konfliktin me dardanët, çka ndikoi negativisht
në veprimet e tyre luftarake në Greqi dhe në përgjithësi
në dobësimin e shtetit maqedon.
Në këtë periudhë ngritjeje të mbretërisë
së tyre sundimtarët dardanë bënë përpjekje
për ta forcuar pozitën e tyre në zemër të
Ballkanit edhe kundrejt shteteve të tjera fqinje. Në vitin
229 p.e.sonë, duke përfituar nga rasti që shteti
ilir, në krye të të cilit ndodhej Teuta, ishte i
zënë në veprime ushtarake në jug, në Epir,
“një pjesë e ilirëve, - shkruan Polibi, - ishin
shkëputur dhe ishin hedhur nga ana e dardanëve”.
Teuta dha urdhër për të bërë paqe me epirotët
dhe për kthimin e ushtrisë, e cila duhet të nënshtronte
popullsitë e shkëputura nga varësia e shtetit ilir.
Polibi nuk thotë nëse shteti ilir i futi nën vartësinë
e tij ata ilirë që u bashkuan me dardanët. Trazirat,
me të cilat, sipas tij, u ndesh dhjetë vjet më vonë
Skerdilaidi, të çojnë në mendimin se shteti
ilir nuk mund t’i mbante nën vartësi këto fise.
Dardanët, po atë vit, duke shfrytëzuar gjendjen e
vështirë që kalonte mbretëria maqedone sulmuan
tokat e saj. Maqedonia e dobësuar e përballoi me vështirësi
sulmin e dardanëve, gjatë të cilit u vra edhe sundimtari
i Maqedonisë Demetri II.
Luftërat dardano-maqedone vazhduan edhe gjatë sundimit
të Antigon Dozonit, kur iniciativa e luftës kaloi në
duart e Maqedonisë, e ndihmuar edhe nga gjendja e re e krijuar
nga aleanca me shtetin ilir. Antigon Dozoni mundi të nxirrte
dardanët jashtë Maqedonisë e Paionisë dhe nga
të gjitha viset që kishin pushtuar në vitet e fundit
të sundimit të Demetrit II. Në qytetin paion Bylazora,
në luginën e lumit Aksios, maqedonët vendosën
një garnizon të fortë ushtarak. Ky qytet kishte një
rëndësi të madhe strategjike, sepse duke u ndodhur
në luginën e Aksiosit u mbyllte dardanëve rrugën
në drejtim të Maqedonisë. Një forcim i tillë
i maqedonëve në kufirin me dardanët ishte i domosdoshëm
për mbrojtjen e hegjemonisë mbi Greqinë, aq më
tepër kur në brigjet perëndimore të Adriatikut
kishin zbarkuar legjionet romake dhe Republika e Romës kishte
ardhur në kontakt me Maqedoninë. Kjo gjendje herët
a vonë do t’i çonte të dyja palët në
luftë.
Politikën antidardane e zbatoi më me konsekuencë
pasardhësi i Dozonit, Filipi V. Siç tregojnë burimet
e shkruara, Mbretëria Dardane edhe gjatë sundimit të
këtij mbreti nuk u pajtua me gjendjen e krijuar në Paioni,
as me pretendimet hegjemoniste të Maqedonisë. Në
vitin 219 p.e.sonë, kur Filipi V ndodhej në Peloponez
ushtria dardane çliroi atë pjesë të Paionisë
që mbanin të pushtuar maqedonët dhe bashkë me
të edhe qytetin Bylazora. Filipi V u detyrua të ndërpriste
luftën në Greqi dhe ta dërgonte ushtrinë e tij
në kufijtë veriorë. Veprimet ushtarake u përqendruan
përreth Bylazorës dhe luginës së Aksiosit. Forcimi
i kufirit verior të mbretërisë maqedone dhe zotërimi
i Bylazorës, që sipas Polibit do ta vështirësonte
hyrjen e dardanëve në Maqedoni, nuk i ndali sulmet e këtyre
të fundit. Në një pasazh të Livit tregohet se
sundimtari maqedon u kthye përsëri në vitin 211 në
kufirin dardan dhe kësaj radhe pushtoi edhe qytetin Sintia
në pjesën jugperëndimore të Dardanisë,
dhe në veri të Pelagonisë (rrafshi i Manastirit)
një pikëmbështetje tjetër e rëndësishme
e sulmeve të dardanëve.
Luftërat që Mbretëria e Dardanëve bëri
me shtetin maqedon gjatë sundimit të Filipit V, pavarësisht
që nuk arritën të zgjidhnin në favor të
tyre çështjen e vartësisë së paionëve,
e dobësuan mjaft Maqedoninë dhe u bënë një
pengesë serioze për realizimin e ndërhyrjeve ushtarake
që synonin rivendosjen e hegjemonisë maqedone në
Greqi. Për Mbretërinë Dardane u krijua një situatë
e favorshme në konfliktin me Maqedoninë pas agresionit
të Filipit V në Ilirinë e Jugut. Në vitin 208
p.e.sonë, dardanët në aleancë me Eropin, sundimtarin
e një krahine ilire juglindore, sulmuan Maqedoninë. Ndërsa
ky i fundit i kufizoi veprimet ushtarake në qytetin Lyhnid
dhe në zonën përreth tij, ushtria dardane zbriti
deri në Orestidë, një krahinë në kufirin
jugperëndimor të Maqedonisë. Kësaj radhe, duke
bashkëpunuar me forcat ilire të Dasaretisë, ushtria
dardane kaloi nëpër Pelagoni në kufirin perëndimor
të mbretërisë maqedone. Futja e ushtrive ilire në
tokat e shtetit maqedon dhe sidomos pushtimi i Orestidës nga
ana e ushtrisë së dardanëve e detyruan mbretin maqedon
të hiqte dorë nga lufta e Ahesë dhe të kthehej
në Maqedoni. Sulmet e dardanëve, shkruante Livi, bënë
që Filipi “të tërhiqej edhe nga lufta kundër
romakëve dhe e vunë përpara domosdoshmërisë
që të mbronte mbretërinë e vet”. Me këto
ngjarje të fundit duhet të lidhet edhe një lajm i
Justinit, sipas të cilit “dardanët kishin filluar
të shkretojnë krahinat kufitare të Maqedonisë
dhe kishin marrë 20 mijë robër”. Më pas,
vazhdon ai, Filipi V duke analizuar situatën e vështirë
në të cilën gjendej Maqedonia dhe marrëdhëniet
me kundërshtarët kryesorë të saj, vendosi që
fushatën e parë ta bënte kundër dardanëve,
sepse ata përbënin një kërcënim serioz
dhe zotëronin fuqi të mëdha ushtarake. Për zbatimin
e këtij vendimi ai luftoi kundër dardanëve në
vitet 208 e 206 para e.sonë.
include ("../reklama460.php");
?>
Bashkëpunimi dardano-romak kundër maqedonëve
(Shek. II p.e.sonë)
Gjendja e krijuar në Ballkan në fund të shek. III
p.e.sonë, pas paqes që shteti maqedon bëri me etolët
dhe romakët, që i dha mundësi atij për të
sulmuar dardanët, nuk vazhdoi gjatë. Livi shkruan se në
vitin 200 p.e.sonë, pas ekspeditës së suksesshme
të romakëve në Dasareti (kundër Maqedonisë)
tek lëmi i romakëve erdhën mbretër të ndryshëm
e prijësa fqinjë të maqedonëve, midis të
cilëve Pleurati, i biri i Skerdilaidit dhe Batoja, i biri i
Longarit. Ata i ofronin komandantit romak ndihmë ushtarake
kundër maqedonëve. Dardanët u futën përsëri
në koalicionin antimaqedon, por tani të përgatitur
nga Roma për qëllimet e saj. Ky koalicion e afroi Mbretërinë
e Dardanëve edhe me shtetin ilir. Duke bashkëpunuar me
ushtrinë romake që kishte arritur në kufijtë
e Maqedonisë dhe duke i bashkërenditur me të veprimet
luftarake, paria sunduese dardane shpresonte se me premtimet territoriale
që i kishte bërë Roma, do të realizonte aspiratën
e saj të vjetër, futjen e Paionisë nën varësinë
e saj. Kështu në luftën e dytë romako-maqedone
morën pjesë edhe dardanët.
Veprimet e para që ndërmori shteti maqedon në luftën
kundër romakëve qenë ato kundër aleatëve
të tyre, dardanëve, të cilët, sipas Livit, bashkë
me etolët formonin dy mbështetje të mëdha për
romakët. Këto veprime u përqendruan në mbylljen
e në forcimin e grykës së Pelagonisë, një
rrugë tjetër kalimi e përdorur nga dardanët
sidomos pas afrimit të tyre me sundimtarët e Ilirisë
së Jugut. Në vitin 199 p.e.sonë, nën presionin
e ushtrive romake Filipi V i largoi forcat ushtarake të komanduara
nga djali i tij Perseu që mbanin ngushticat e Pelagonisë
dhe në këtë mënyrë u hapi rrugën për
në Maqedoni ushtrive ilire të Pleuratit e të dardanëve.
Edhe në këtë luftë maqedonët i konsideruan
dardanët si armiq më të rrezikshëm. Duke u tërhequr
para forcave kundërshtare, sundimtari maqedon mori masa vetëm
kundër dardanëve, të cilët pasi kishin plaçkitur
Maqedoninë e Sipërme bashkë me romakët, u tërhoqën
drejt viseve të tyre. Ushtria dardane që po largohej nga
Maqedonia, e sulmuar nga maqedonët u detyrua të rreshtohej
për luftim. Beteja që vuri përballë ushtrinë
e armatosur rëndë të dardanëve kundër kalorisë
e këmbësorisë së lehtë të stërvitur
mirë të Maqedonisë përfundoi pa fitoren e asnjërës
palë. Taktika që përdori ushtria dardane bëri
që në këtë betejë ajo të mos kishte
humbje të mëdha dhe të mos mbetej asnjë rob
në duart e armikut.
Në vitin 197 p.e.sonë, pas betejës së Kinokefalit
që përfundoi në favor të romakëve, u vendos
një armëpushim midis Romës e Maqedonisë. Dardanët,
megjithëse luftuan përkrah romakëve, ndryshe nga
shteti ilir, nuk patën asnjë përfitim, kështu
u bë e qartë politika e diferencuar e Romës dhe synimet
e qëndrimi i saj ndaj shteteve të ndryshme ballkanike.
Pakënaqësia e krijuar tek paria dardane ndaj romakëve,
pas ngjarjeve të mësipërme, shkaktoi një të
çarë të thellë në marrëdhëniet
midis tyre. Ata filluan përsëri të bëjnë
një politikë të pavarur që e provon edhe fakti
se etolët në vitin 190 p.e.sonë, u kërkuan dardanëve
ushtarë me pagesë në luftën kundër romakëve.
Nga ana tjetër, maqedonët përfituan nga paqja e qëndrimi
hakmarrës i romakëve kundër dardanëve, të
cilëve iu desh të luftojnë të vetëm kundër
një armiku të egërsuar. Për këtë qëllim,
Filipi V, me forca të shumta sulmoi dardanët dhe në
betejën që u bë pranë qytetit Stobi në
Paioni e theu ushtrinë e tyre. Por dardanët mbetën
për maqedonët gjithnjë kundërshtarë të
fortë që nuk e ndërprenë luftën kundër
tyre. Duke e ndjerë forcën e Mbretërisë Dardane
dhe mospajtimin e saj me politikën maqedone, sundimtarët
e Maqedonisë menduan ta shkatërrojnë atë me
anën e forcave të treta. Për këtë Filipi
V i shfrytëzoi bastarnët që banonin në krahinën
e Danubit.
“Qëllimi i Filipit, - thotë Tit-Livi, - ishte që
të zhdukte fisin e dardanëve dhe të vendoste në
tokat e tyre bastarnët. Ai [Filipi V], mendonte se prej kësaj
do të kishte një përfitim të dyfishtë,
nga njëra anë, do të zhdukej fisi i dardanëve,
i cili gjithmonë kishte qenë armik i rrezikshëm i
Maqedonisë dhe shqetësonte mbretërit e saj në
çaste të vështira, kurse, nga ana tjetër,
do të dërgonte bastarnët në Itali që ta
shkretonin atë pasi të linin në Dardani gratë
dhe fëmijët e tyre”.
Bastarnët invaduan viset dardane në vitin 179 p.e.sonë
të ndihmuar edhe nga trakët e skordiskët, fqinjë
veriorë e lindorë të tyre. Invazionet dhe qëndrimi
i bastarnëve në viset e dardanëve krijoi për
këta të fundit një situatë shumë të
vështirë, kurse Perseu, pasardhësi i Filipit V, mundi
ta vazhdonte i qetë luftën kundër Romës. Dardanët
e pësuan për të dytën herë nga aleatët
e tyre romakë. Roma nuk i dha asnjë përgjigje ankesës
së delegatëve dardanë që njoftonin senatin romak
se invazioni i bastarnëve ishte i përgatitur dhe i nxitur
nga Maqedonia. Të mbetur përsëri vetëm, sundimtarët
dardanë grumbulluan ushtrinë e tyre dhe i sulmuan bastarnët.
Beteja përfundimtare, tregon Tit-Livi, u zhvillua nën
muret e një qyteti dardan. Kjo betejë, të cilën
e fituan dardanët, edhe pse Livi nuk e përmend këtë,
përfundoi me largimin e bastarnëve nga Dardania në
dimrin e vitit 176-175 p.e.sonë.
Atë që shteti maqedon nuk mundi ta bëjë me anën
e bastarnëve, u përpoq ta bënte me forcën e
armëve të tij. Në vitin 172 p.e.sonë në
krye të ushtrisë maqedone që sulmoi Mbretërinë
Dardane u vu vetë mbreti Perseu. Fitorja e përkohshme
nuk i lëkundi dardanët dhe nuk pati ndonjë rëndësi
të madhe, sepse në dy vitet që pasuan Mbretëria
e Dardanëve përmendet si një fuqi e rëndësishme
në brendi të Ballkanit. Në këtë kohë
ata e forcuan miqësinë me shtetin ilir nëpërmjet
një lidhje martesore të Teutës, bijës së
mbretit Monun, me Gentin. Kjo aleancë u shoqërua me një
veprimtari ushtarake të përkohshme kundër Maqedonisë
në kufijtë perëndimorë të saj, por sukseset
e Perseut në krahinën e banuar nga penestët dhe politika
antiromake që filloi të bënte Genti e afruan shtetin
ilir me shtetin maqedon. Koniunktura politike që u krijua në
prag të luftës së fundit të romakëve kundër
shtetit maqedon e shtetit ilir e detyroi Mbretërinë Dardane
të afrohej përsëri me romakët, etolët e
penestët kundër maqedonëve. Por me gjithë pjesëmarrjen
e tyre në koalicionin antimaqedon edhe pas mundjes përfundimtare
të Maqedonisë, dardanët nuk e morën Paioninë.
“Dardanëve, të cilët kërkonin Paioninë,
pasi ishin kufitarë me tokat e tyre, komandanti romak, - thotë
Livi, - iu përgjigj se u jepte liri gjithë atyre që
qenë nën sundimin e Perseut. Duke mos u dhënë
Paioninë e kërkuar prej tyre, u dha të drejtën
të tregtonin kripë”.
Organizimi politik dhe zhvillimi ekonomiko-shoqëror
i dardanëve në shek. III-II p.e.sonë
Mbretëria Dardane në shekujt III e II p.e.sonë u
shfaq në ngjarjet historike të Ballkanit si një formacion
politik i fuqishëm dhe i rëndësishëm. Treva
në të cilën u krijua kjo mbretëri ndodhej në
zemër të Ballkanit dhe identifikohet me truallin në
të cilin autorët antikë kanë vendosur fisin
e madh ilir të dardanëve. Kjo trevë në kohën
e lulëzimit të Mbretërisë së Dardanëve
arrinte në veri deri në lumenjtë e Angros (Morava
e Ibari) dhe te qyteti Nais, në kufirin me autariatët
e skordiskët. Në jug ajo shkonte deri te rrjedha e lumit
Aksios (Vardar), duke u kufizuar me Paioninë, Pelagoninë
e Penestinë. Në lindje lumi Margos (Morava Perëndimore)
e ndante Dardaninë nga Trakia, kurse në perëndim
lumi Drin e mali i Sharit e kufizonin me truallin e shtetit ilir.
Dardania e lashtë në vija të përgjithshme i
përgjigjet krahinës së sotme të Kosovës.
Për mungesë të dhënash burimore nuk e njohim
ende mirë organizimin e brendshëm të Mbretërisë
së Dardanëve.
Nga të dhënat burimore të derisotme, që janë
të pamjaftueshme, arrihet në përfundimin se dardanët
nuk arritën atë zhvillim ekonomik e shoqëror dhe
atë organizim politik e shtetëror që patën shtetet
fqinje bashkëkohëse të Ilirisë së Jugut
e të Maqedonisë. Por kjo nuk do të thotë se
dardanët qenë në një shkallë të tillë
të zhvillimit që përjashtonte praninë tek ata
të një organizimi shtetëror. Nga pikëpamja e
strukturës shoqërore dhe ekonomike Mbretëria Dardane,
e lindur mbi bazën e një bashkësie fisnore, nuk ka
qenë thjesht një organizëm fisnor, primitiv. Gjatë
gjithë ekzistencës së saj Mbretëria Dardane
ka pasur synime politike të qarta dhe me një veprimtari
të organizuar, ku vendin kryesor e zënë natyrisht
luftërat me Maqedoninë. Nuk është vetëm
“etja për plaçkë” ajo që i shtynte
dardanët në luftë me maqedonët. Luftëra
plaçkitëse nuk ka bërë vetëm Mbretëria
Dardane, ato i kanë bërë në Greqi edhe sundimtarët
maqedonë, sikurse edhe më vonë komandantët romakë.
Luftërat dardano-maqedone kanë pasur si burim politikën
e dy palëve ndërluftuese. Në plan të parë
qëndronte politika hegjemoniste e Maqedonisë, por duhet
thënë se në kohën e lulëzimit të saj
edhe Mbretëria Dardane ka pasur prirje ekspansioniste, kryesisht
kundrejt fqinjës së saj, Paionisë.
Në marrëdhëniet me fqinjët Mbretëria Dardane,
ashtu si shtetet e tjera, përfaqësohej nga mbretërit,
të cilët janë përpjekur të mbrojnë
interesat e shtetit të tyre edhe nëpërmjet lidhjeve
martesore.
Në Mbretërinë Dardane pushteti mbretëror ishte
i trashëgueshëm. Mbreti komandonte dhe dispononte fuqinë
ushtarake të të gjithë dardanëve. Nga ato pak
burime që njihen, del se ushtria dardane ka qenë një
ushtri e rregullt, e organizuar mirë, në bazën e
së cilës qëndronte falanga me tetë mijë
luftëtarë. Ajo ishte një ushtri e përbërë
nga këmbësorë të armatosur rëndë,
që manovronte në luftë sipas një taktike të
veçantë. Në vitin 199 p.e.sonë kur ushtria
dardane po tërhiqej nga Maqedonia u sulmua nga ushtria maqedone;
“dardanët, - shkruan Tit-Livi, - kthyen flamujt dhe u
vendosën në radhë të rregullta përballë
armikut, beteja u zhvillua njëlloj si në një luftë
të vërtetë”. Dhe më poshtë ai shton:
“Por sapo dardanët viheshin në rrugë, njerëzit
e mbretit [Filipi V] i bezdisnin me kalorinë e këmbësorinë
e tyre të lehtë, kurse dardanët nuk kishin ushtri
të këtij lloji dhe ishin ngarkuar me armë të
rënda... U vranë pak, të plagosur pati më shumë,
por asnjë nuk u zu, sepse në raste të rralla dalin
nga radhët e tyre dhe të shtrënguar të gjithë
së bashku luftojnë ose tërhiqen”. Një
ushtri e tillë nuk mund të ishte një ushtri fisnore.
Në Mbretërinë Dardane ushtria përbënte
një forcë të madhe. Në vitin 279 p.e.sonë
mbreti dardan i ofron si ndihmë Ptoleme Keraunit një ushtri
prej 20 mijë luftëtarësh. Shtatëdhjetë
vjet më vonë, pasi kishte hyrë në Maqedoni,
ushtria dardane duke u tërhequr mori me vete 20 mijë robër,
kurse në betejën e vitit 170 p.e.sonë kundër
Perseut ajo humbi 10 mijë luftëtarë. Këto shifra
të larta, të cilat tregojnë fuqinë ushtarake
të Mbretërisë Dardane, edhe pse mund të duken
të tepruara, bashkë me të gjitha veprimet luftarake
të saj, janë dëshmi e pranisë së një
organizimi shtetëror në Dardani.
Mbretëria Dardane, si një organizëm politiko-ushtarak
i veçantë ka pasur mënyrën e vet antike të
prodhimit. Jeta ekonomike në Dardani ka qenë mbështetur
në radhë të parë në zhvillimin e bujqësisë.
Rrafshinat e Dardanisë kanë qenë pjellore dhe të
përshtatshme për të gjitha degët e bujqësisë.
Bujqësia duke qenë dega kryesore e ekonomisë, ka
bërë që te dardanët të mbizotërojë
popullsia fshatare dhe njëkohësisht të ruhet karakteri
rural i popullsisë. Një burim me vlerë për të
njohur zhvillimin ekonomiko-shoqëror dhe format e pronësisë
tokësore te dardanët në shek. III p.e.sonë janë
të dhënat e Agatharkidit. Në veprën e tij “Evropaikon”,
ai shkruan se “dardanët kanë kaq shumë skllevër
sa dikush kishte një mijë... kurse një tjetër
edhe më shumë. Secili nga këta [skllevër] në
kohë paqe punon tokën, kurse në kohë lufte merr
pjesë në ushtri, duke pasur si prijës të zotin
e vet”. Duke pranuar mendimin e përgjithshëm se
me termin dulloi=skllevër, duhet kuptuar një popullsi
fshatare e varur, vërtetohet prania te dardanët e një
shtrese të pasur që zotëronte prona të mëdha
tokësore dhe të një popullsie të shpronësuar,
e cila kishte detyrime ndaj parisë ose shtresës sunduese
dardane. Paria dardane shfrytëzonte jo vetëm “skllevërit”
që përmend Agatharkidi, por edhe robërit e luftës.
Kjo duhet të ketë qenë arsyeja që në luftën
e vitit 216 p.e.sonë ushtria dardane mori me vete 20 mijë
robër nga Maqedonia. Por kjo nuk ka qenë forma e vetme
e pronësisë së tokës në Mbretërinë
Dardane. Te dardanët ka pasur edhe një shtresë të
fuqishme fshatarësh të lirë, të cilët bashkë
me zejtarët e lirë kanë luajtur një rol të
rëndësishëm në jetën ekonomike të
vendit. Edhe gjatë pushtimit romak, kur skllavëria si
sistem ekonomiko-shoqëror u përhap në një shkallë
të gjerë, fshatarët e lirë mbetën një
forcë e madhe në provincën e Dardanisë. Një
degë gjithashtu e rëndësishme në jetën
ekonomike të dardanëve ka qenë xehtaria, nxjerrja
dhe përpunimi i metaleve. Në mungesë të të
dhënave të mjaftueshme të drejtpërdrejta duhet
marrë parasysh shfrytëzimi i madh i burimeve metalifere
në kohën e pushtimit romak, përvoja e xehtarëve
dhe e metalpunuesve dardanë.
Nga mesi i shek. IV p.e.sonë disa nga vendbanimet e fortifikuara
të tipit gradina zëvendësohen me qendra urbane. Ato
u ngritën pranë xeherorëve ose në rrafsh e në
udhëkryqet tregtare. Damastioni ishte një prej qyteteve
të hershme, i cili u ngrit afër minierave të argjendit
rreth shek. V p.e.sonë. Në njoftimet fragmentare të
autorëve antikë ato quhen me termat polis, urbs, oppidum.
Straboni përmend si të tilla Scupi, Naisi, Ulpiana pararomake,
Novobërda etj. Qyteti Sitnia, në veri të Pelagonisë,
përmendet si qendër e rëndësishme. Ptolemeu,
autor i shek. II e. sonë përmend katër qytete të
vjetra dhe të rëndësishme të Dardanisë:
Naissos, Arribantion, Ulpianon dhe Scupi.
Duke iu referuar burimeve e të dhënave arkeologjike mund
të mendohet se në shek. III-II ato kishin filluar të
merrnin tiparet e qendrave urbane. Objekte të tilla, si vegla
pune, stoli e prodhime qeramike që janë zbuluar në
disa qendërbanime të fortifikuara dhe që janë
prodhime vendase, dëshmojnë për transformimin e tyre
në qendra zejtare. Monedhat maqedone, ato të Damastionit
e të qyteteve Dyrrah e Apoloni etj., si edhe objekte të
ndryshme të importuara duhen marrë si tregues të
këmbimit mall-para dhe të një veprimtarie tregtare
mjaft të gjerë që arrinte deri në Adriatik e
në detin Egje.
Mbretëria Dardane në luftën kundër
Romës
Pas pushtimit të Paionisë e të Maqedonisë nga
romakët marrëdhëniet e dardanëve me ta ndryshuan.
Që nga kjo kohë për parinë sunduese dardane
u bë e qartë se me romakët nuk kishte vend më
për bashkëpunim, i cili nuk u kishte sjellë përveç
dëmeve, asnjë përfitim. Në kufijtë jugorë
vendin e shtetit maqedon e kishte zënë Roma, synimet e
së cilës për nënshtrimin e plotë të
ilirëve nuk mund të fshiheshin. Tradhtisë së
romakëve dardanët iu përgjigjën, në fillim
me sulme kundër viseve të pushtuara prej tyre ose duke
mbrojtur kundërshtarët e Romës. Më vonë,
pas largimit të skordiskëve, të cilët me sulmet
e tyre kishin dobësuar Mbretërinë Dardane, dardanët
u radhitën në luftë kundër romakëve përkrah
fqinjëve të tyre lindorë, medëve. Veprimet e
përbashkëta të medëve e të dardanëve,
për disa dekada e penguan depërtimin e ushtrisë romake
në viset e tyre. Ekspeditat e ndryshme romake të viteve
97 e 85 p.e.sonë gjetën një qëndresë të
fortë te medët e dardanët dhe përpjekjet për
t’i nënshtruar jo vetëm që nuk patën sukses,
por përfunduan me humbje për Romën. Në vitin
84 dardanët bënin pjesë në fiset ballkanike
që duke sulmuar provincën romake të Maqedonisë
arritën deri në Delf. Për komandantët e mëkëmbësit
romakë u bë e qartë se dardanët ishin kundërshtarë
të fortë dhe për nënshtrimin e tyre duheshin
forca të mëdha ushtarake dhe një përgatitje
e veçantë për luftë në të cilën
objekti kryesor i goditjes do të ishin dardanët.
Këto masa i mori konsulli romak Gai Skribon Kurioni, i dërguar
në vitin 76 p.e.sonë në provincën e Maqedonisë
në krye të pesë legjioneve. Me këto operacione
luftarake Roma donte të arrinte nënshtrimin sistematik
të fqinjëve veriorë të provincës maqedone.
Kryengritja që bëri njëri nga pesë legjionet
fill pas zbarkimit në Iliri tregon se në qarqet ushtarake
të Romës jehona e ekspeditave të dështuara kundër
dardanëve dhe qëndresa e këtyre të fundit ishin
një fakt tanimë i njohur. Frontini shkruan në Stratagemat,
se “kur në luftën e Dardanisë, njëri nga
pesë legjionet, e vendosura në rrethinat e Dyrrahut ngriti
krye, iu shmang shërbimit ushtarak dhe tha se nuk kishte ndërmend
të ndiqte komandantin e paarsyeshëm dhe një ekspeditë
të vështirë e të rrezikshme, Konsulli G. Kurioni,
urdhëroi katër legjionet të dilnin të armatosura
dhe të radhiteshin në formacion luftarak me armë
të zhveshura”. Katër legjionet e sjella nga Kurioni
dhe ushtria romake që ndodhej në provincën e Maqedonisë
sulmuan Mbretërinë Dardane dhe u futën në Dardani.
Burimet e shkruara romake nuk japin të dhëna të drejtpërdrejta
për atë se si u zhvillua kjo “luftë me dardanët”,
që qe një luftë e vërtetë për nënshtrimin
e Dardanisë, si dhe për përfundimin e saj. Por dihet
se ushtria romake ka gjetur një qëndresë të
fortë dhe u soll mizorisht me dardanët. Kujtimi i masakrave
romake në Dardani u ruajt për një kohë të
gjatë. Në shek. IV e.sonë Amian Marcelini, duke shkruar
për dënimet me dhjetim që perandori Valentinian i
dha ushtrisë së tij, e krahasonte atë me mizorinë
e Skribon Kurionit në Dardani. Ky i fundit pas kësaj lufte
arriti me ushtrinë e tij deri në Danub dhe më vonë
festoi edhe triumfin në Romë. Por në burimet e shkruara
dardanët dalin edhe më vonë si kundërshtarë
të romakëve. Në bazë të këtyre të
dhënave kuptohet që edhe pas ekspeditës së Kurionit
nuk ndodhi një nënshtrim i plotë i Dardanisë,
por më tepër një varësi nëpërmjet
së cilës dardanët kishin disa detyrime kundrejt romakëve.
Disa ngjarje të mëvonshme tregojnë se dardanët
edhe pse të dobësuar nga luftërat kundër romakëve
dhe nga pasojat e tyre, vazhduan të kundërshtonin politikën
pushtuese të Romës.
include ("../reklama460.php");
?>
|