K R E U
I I I
SHTETET ILIRE
Në fundin e shek. V p.e.sonë ilirët hynë
në rrugën e zhvillimit skllavopronar. Në shekujt
që pasuan e deri në pushtimin romak krahinat më të
përparuara ilire, ato jugore, kryesisht bregdetare, njohën
zhvillimin e tyre më të lartë shoqëror e politik
të pavarur. Urbanizimi intensiv i kësaj treve dhe zhvillimi
që mori, për pasojë, mënyra antike e prodhimit
në shek. IV-III p.e.sonë çoi në krijimin e
një shoqërie antike të mirëfilltë dhe në
formimin e një vargu shtetesh ilire, të cilat u inkuadruan
në qytetërimin e përparuar të botës mesdhetare.
Midis formacioneve shtetërore që u formuan në trevën
e gjerë ilire, ai që arriti një shkallë të
lartë të zhvillimit politik dhe që luajti një
rol të shquar në ngjarjet politike të kohës
qe Shteti Ilir apo Mbretëria Ilire. Që nga dukja e këtij
shteti emrat ilir dhe Iliri morën, përveç kuptimit
të gjerë etnik, edhe një kuptim të ngushtë
politik, që u lidhën me fatet historike të këtij
formacioni shtetëror dhe të popullsisë së tij,
e cila në burimet e shkruara do të njihet me emrin Illyrii
propriedictii (ilirë të mirëfilltë). Në
kohë të ndryshme Mbretëria Ilire ushtroi pushtetin
e vet, natyrisht me luhatjet që i imponuan rrethanat politike,
në një territor të gjerë që përfshinte
krahinat prej lumit Naretva (Narona) në veri e deri te lumi
Vjosa (Aous), në jug me një shtrirje drejt lindjes deri
te liqenet Lyhnide në kufi me Maqedoninë dhe më në
veri me Mbretërinë Dardane.
Në krahinat më jugore ilire u formua një shtet tjetër
i rëndësishëm ilir i njohur me emrin Shteti i Epirit,
i cili shquhet sidomos në ngjarjet politike të fundit
të shek. IV dhe të çerekut të parë të
shek. III p.e.sonë. Në kohën e shtrirjes më
të gjerë të tij, ai përfshinte tokat prej lumit
Vjosa (Aous) e deri në gjirin e Artës (Nikopolit), duke
u kufizuar nga jugu me Akarnaninë, kurse nga lindja me Thesalinë
e Maqedonisë.
Në këtë hapësirë kanë ekzistuar si
formacione shtetërore të pavarura edhe një varg qytetesh
shtete, si Dyrrahu, Apolonia, Ambrakia, historia politike e të
cilave u zhvillua herë në lidhje të ngushtë
e herë në kundërshtim me atë të Shtetit
Ilir dhe të atij të Epirit. Në rrethana të caktuara
politike lindin gjithashtu formacione më pak të rëndësishme
në formën e lidhjeve qytetare (Koinon), si ajo e Bylinëve
etj., që kanë një peshë më të vogël
në historinë politike të Ilirisë.
Në krahinat e brendshme jugore dhe qendrore ilire u formuan
tri mbretëri të vogla ilire: e paionëve, e dardanëve
dhe e athamanëve. E para shfaqet me një shkëlqim
të shkurtër në shek. IV p.e.sonë për të
rënë pastaj shpejt nën goditjet e politikës
ekspansioniste të shtetit maqedon, kurse dy të fundit
dalin në arenën politike në shek. III me një
rol të parëndësishëm.
Popullsitë ilire të krahinave të brendshme qendrore
e veriore nuk njohën deri në fillim të erës
sonë një organizim politik shtetëror; edhe në
këtë kohë ato arritën të organizohen vetëm
në federata fisnore, siç është rasti i dalmatëve
ose i fiseve të tjera.
include ($_SERVER["DOCUMENT_ROOT"]."/reklama460.php");
?>
1. ZHVILLIMI EKONOMIK E SHOQËROR
I ILIRËVE NË SHEK. IV P.E.SONË
Lindja e qyteteve dhe e jetës qytetare
Zhvillimi ekonomik e shoqëror i Ilirisë gjatë epokës
së hekurit dhe veçanërisht gjatë shek. VII-V
p.e.sonë kishte përgatitur kushtet për lindjen e
qyteteve dhe të jetës qytetare. Siç dëshmojnë
të dhënat arkeologjike, qytetet ilire ngrihen mbi bazën
e vendbanimeve të fortifikuara të epokës së
hekurit dhe të qendrave protourbane që u krijuan si rezultat
i zhvillimit të zejtarisë, të bujqësisë,
të blegtorisë, si edhe të intensifikimit të
marrëdhënieve të këmbimit me botën greke.
Kjo dëshmohet nga prania e gjerë e qeramikës së
importuar korinthike e jonike dhe më pas edhe nga prodhimet
e kolonive greke në Dyrrah e në Apoloni, të cilat
kishin hyrë në marrëdhënie të ngushta me
prapatokën ilire.
Lindja dhe zhvillimi i jetës qytetare ishte një dukuri
me karakter ekonomik e shoqëror tërësisht e re. Thelbi
i saj ishte vendosja e ekonomisë antike të tregut që
u materializua me krijimin e qyteteve si qendra prodhimi e shkëmbimi.
Kjo është e lidhur me shkëputjen e plotë të
zejtarisë nga bujqësia, me krijimin e mënyrës
antike të prodhimit dhe me zbatimin e punës së skllavit
në degët e ekonomisë.
Njoftimet më të hershme për ekzistencën e qyteteve
në Iliri i takojnë mesit të shek. IV p.e.sonë.
Historiani grek, Diodori, duke përshkruar fushatat e Filipit
II kundër ilirëve thotë se mbreti i Maqedonisë
“u lëshua mbi Ilirinë me një ushtri të
fortë, plaçkiti vendin, nënshtroi shumë qytete
të vogla dhe u kthye në Maqedoni me plaçkë
të madhe”. Oratori i madh, Demosteni, duke paralajmëruar
athinasit për rrezikun që i kërcënonte nga mbreti
maqedon, vë në dukje gjithashtu se “Filipi po fortifikonte
qytete në Iliri”. Pak më vonë historianët
grekë të shek. II p.e.sonë Ariani e Rufi përmendin
me emër Polionin si qytet i Dasaretisë, kurse historiani
i shek. IV p.e.sonë Theopompi përmend qytetin Oidanton.
Më në fund nga të dhënat numizmatike të
fillimit të shek. IV p.e.sonë mësojmë emrin
e një qyteti të rëndësishëm ilir, Damastion.
Kuptohet se origjinën e këtyre qyteteve, që janë
të pranishme në mesin e shek. IV p.e.sonë, (një
rast vërtetohet qysh në fillim të këtij shekulli),
duhet ta kërkojmë pak më parë, d.m.th. në
fundin e shek. V p.e.sonë.
Nuk dihet me saktësi se ç’paraqesin në vetvete
këto qytete të hershme ilire. Dëshmitë e autorëve
antikë, përveç faktit që kumtojnë ekzistencën
e tyre, janë tepër të varfra për të ndihmuar
që të rindërtohet pamja reale e këtyre qendrave
urbane.
Edhe nga pikëpamja arkeologjike nuk ka ende gjurmime të
tilla, nëpërmjet të cilave të dallohet qartë
qyteti i kësaj kohe. Megjithatë, prej qyteteve antike,
rrënojat e të cilave ruhen në vendin tonë, mund
të pohohet se qyteti i mirëfilltë në Iliri formohet
kryesisht gjatë shek. IV p.e.sonë. Në këtë
kohë kemi edhe dëshmitë e qarta si nga burimet e
shkruara, ashtu edhe nga ato arkeologjike.
Këto qytete ashtu sikurse vendbanimet e fortifikuara të
epokës së hekurit, ngrihen mbi kodra të mbrojtura
nga pikëpamja natyrore, por shtrihen me sipërfaqe relativisht
më të gjera, që arrijnë deri në 10-20 ha.
Muret e tyre rrethuese janë ndërtuar me një teknikë
më të përparuar me blloqe shumëkëndëshe,
trapezoidale; ato janë mjaft të fuqishme dhe me një
bukuri të rrallë (Amantia, Klos, Çuka e Aitojt
etj.), por sistemi i fortifikimit në përgjithësi
është ende i thjeshtë; ai nuk njeh kullat, rolin
e të cilave e luajnë deri diku kthesat me kënd të
drejtë, që bën muri herë mbas here për
arsye qëndrueshmërie; edhe portat në këtë
sistem janë të pakta e me një mbrojtje më të
dobët.
Qytetet e mëdha zënë një pozitë qendrore
në krahinën që zotërojnë dhe shtrihen në
një hapësirë prej 30-40 ha, siç është
rasti i Bylisit, i Antigonesë, i Lisit etj., dhe janë
të mbrojtura me mure të fuqishme.
Duke folur për qytetet e kësaj kohe Diodori i quan ato
me termin polisma, që do të thotë qytete të
vogla, me sa duket ende në shkallën fillestare të
zhvillimit të tyre. Demosteni, në shek. IV p.e.sonë
përkundrazi, përdor termin poleis që do të thotë
qytet. Ndryshimi që vërehet në termat e përdorur
prej këtyre dy autorëve nuk duket të jetë i
rastit; ai shpreh me sa duket një diferencim që u bëhet
këtyre qendrave urbane ilire dhe që lidhet me karakterin
e tyre. Pak dritë mbi këtë çështje hedh
pohimi i Arianit, i cili e quan Pelionin si “qytetin më
të fortë” midis qyteteve të Dasaretisë.
Duket se disa qytete kishin mundur të ecnin përpara dhe
të dalloheshin prej të tjerave. Interes të veçantë
paraqet në këtë drejtim Damastioni, i cili është
dhe i pari qytet ilir që pret monedha. Burimet tregojnë
se ky qytet gjendej në shpinë të zonës bregdetare,
diku midis kësaj zone dhe liqeneve lynkeste. Duke folur për
këtë Straboni në shekullin e parë shkruan kështu:
“Pas Epidamnit dhe Apolonisë gjer te malet Keraune ndodhen
bylinët, taulantët, parthinët dhe brygët; aty
afër gjenden dhe minierat e argjendit në Damastion, mbi
të cilat diestët vendosën sundimin e tyre, si dhe
enkelejtë, të cilët i quajnë dasaretë;
afër këtyre vijnë lynkestët..”. Mungesa
e të dhënave më të sigurta ka penguar që
ky qytet të lokalizohet me saktësi, por duke u nisur nga
arsenali i gjetjeve të monedhave të tij, ai duhet kërkuar
në krahinat e brendshme ilire, diku në lindje të
Drinit të Sipërm.
Pasazhi i Strabonit ka një rëndësi të veçantë
dhe për një fakt tjetër. Ai tregon se Damastioni
qe një qytet që lindi dhe u zhvillua në një
zonë të pasur me miniera, të cilat, me sa duket përbënin
edhe bazën ekonomike të tij. Shfrytëzimi i tyre dhe
zhvillimi i zejtarisë së përpunimit të metaleve
qenë degët kryesore të kësaj ekonomie. Karakteri
i saj bëhet i qartë edhe nga simbolet që mbajnë
monedhat e qytetit, të cilat paraqesin midis të tjerash
çekanin e minatorit dhe shufrat metalike.
Damastioni është, kështu, shembulli i një qyteti
zejtar të përparuar të kësaj kohe, por padyshim
jo i vetmi. Pelioni shfaqet në burimet, jo vetëm si qyteti
më i fortë midis qyteteve të Dasaretisë, por
edhe si kryeqendër apo qendër rezidenciale e mbretit ilir.
Ka mundësi që qytetet e tjera më të vogla, ato
që Diodori i quan polisma, do të kenë qenë qendra
njësish gjeografiko-ekonomike, ku do të ketë mbisunduar
ekonomia bujqësore-blegtorale me ndonjë degë të
kufizuar të zejtarisë.
Zejtaria, bujqësia e blegtoria
Lindja e qyteteve i dha një shtytje të re zhvillimit të
degëve të ndryshme të ekonomisë ilire.
Zejtarinë e shfrytëzimit të minierave dhe të
përpunimit të metaleve ilirët e njihnin dhe më
parë, por asnjëherë si tani ajo nuk paraqitet si
degë e veçantë e një qyteti, siç është
rasti i Damastionit. Në shek. IV në zejtarinë e punimit
të metaleve nuk vihet re ende ndonjë ndryshim cilësor,
fjala vjen në punimin e veglave të punës, të
armëve apo të zbukurimeve, në krahasim me shekujt
pararendës. Por tani mund të flitet për një
veprimtari më të gjerë e më intensive si në
shfrytëzimin e minierave, ashtu edhe në prodhimtarinë
e degëve të veçanta të zejtarisë metalpunuese.
Bie në sy në mënyrë të veçantë
rritja e prodhimit të armëve, që përbëjnë
në këtë kohë gjetjet më të shumta
nëpër nekropolet në krahasim me zbukurimet.
Megjithatë, nuk pati ndonjë përparim, në fushën
e zejtarisë së prodhimit qeramik, madje importi e dobësoi
për një kohë këtë degë të zejtarisë
ilire.
Ndërkaq në fushën e ndërtimeve ndodh një
revolucion i vërtetë. Mjeshtrat e ndërtimit shquhen
në shek. IV për aftësitë e tyre arkitektonike
e teknike dhe për njohuritë e thella në fushën
e artit të fortifikimeve, që i zbatonin në nivelin
më të përparuar të kohës, ashtu si në
shumë vise të tjera të botës mesdhetare. Muret
rrethuese të qyteteve të ndërtuara në stilin
poligonal janë dëshmia më e qartë e arritjeve
në këtë fushë.
Të dhënat për bujqësinë dhe blegtorinë
e ilirëve për shek. IV janë të varfra. Autorët
bashkëkohës, si Aristoteli, Skymni, Ariani etj., nuk bëjnë
tjetër veçse përsërisin Hekateun, për
shkak të njohjes ende të pamjaftueshme të Ilirisë;
megjithatë Iliria për autorët grekë ishte vendi
i një bujqësie e blegtorie të zhvilluar, tokat pjellore
të së cilës shfrytëzoheshin vende-vende në
mënyrë intensive dhe që krahas kulturave bujqësore
(rritja e ullirit, kopshtaria e bletaria), në kullotat e pasura
rritnin bagëti të mira të racës.
Të dhënat arkeologjike i vërtetojnë këto
njoftime. Parmenda e paraqitur në buzët e një pitosi
gjetur në fushën e Korçës, si dhe figurat
simbolike të paraqitura në monedhat e Dyrrahut e të
Apolonisë, apo në monumentet varrimore të kohës,
si kalliri i grurit, dega e ullirit, bistaku i rrushit, bleta, lopa
si dhe briri i bollëkut, simbol i pjellorisë dhe i begatisë,
u bëjnë jehonë pasurive të tokës ilire
dhe zhvillimit që kishin marrë bujqësia e blegtoria
ilire në këtë kohë.
include ($_SERVER["DOCUMENT_ROOT"]."/reklama460.php");
?>
Tregtia dhe qarkullimi monetar
Si rrjedhim i zhvillimit të zejtarisë dhe të degëve
të tjera të ekonomisë ilire u zgjeruan shkëmbimet
dhe tregtia. Gjetjet arkeologjike dëshmojnë për një
shtrirje të gjerë të prodhimeve të zejtarisë
ilire. Tipat standardë të armëve, të zbukurimeve
dhe të enëve prej balte që përsëriten në
gjetjet nga një krahinë në tjetrën, dëshmojnë
për marrëdhënie intensive midis popullsisë së
krahinave të ndryshme dhe për një zhvillim të
konsiderueshëm të këmbimeve midis tyre.
Një zhvillim më të gjerë morën në
këtë kohë shkëmbimet me botën greke. Jo
më kot pasuritë minerale dhe disa prodhime bujqësore
tërhoqën vëmendjen e autorëve antikë të
kësaj kohe. Duket se këto prodhime ishin ndër artikujt
kryesorë të eksportit ilir. Një vend me rëndësi
zinin këmbimet me kolonitë greke të bregdetit Adriatik
dhe qytetet e Halkidës, të cilat merrnin nga Damastioni
argjendin për prerjen e monedhave të tyre, kurse nga tokat
e afërta të Atintanisë serën, që u duhej
për ndërtimin e anijeve dhe lyerjen e enëve të
transportit. Kundrejt tyre ilirët merrnin prodhime luksi të
artizanatit grek, midis të tjerave prodhime atike e italike.
Krahas prodhimeve të Dyrrahut e të Apolonisë, enët
e këtyre qendrave janë gjetje jo të rralla në
vendbanimet e zonës bregdetare. Por ato fillojnë të
duken më dendur edhe në krahinat e brendshme ilire. Pas
Trebenishtit ato shfaqen edhe në luginën e mesme të
Drinit, në afërsi të Kukësit e të Krumës.
Këto prodhime arrijnë këtu nëpërmjet rrugëve
tregtare të shkelura qysh në shek. VI-V, duke ndjekur
luginat e lumenjve me pikënisje si nga qendrat e bregut Adriatik,
ashtu edhe të Egjeut.
Monedhat e argjendit përdoren gjerësisht si ekuivalent
shkëmbimi. Në krahinat bregdetare gjejnë një
përhapje të madhe monedhat e Dyrrahut e të Apolonisë,
kurse në ato të brendshme dhe lindore monedha e Damastionit.
Gjetjet e deritanishme tregojnë se kjo monedhë qarkulloi
në një zonë të gjerë që përfshinte
krahinën e diestëve, penestëve dhe pjesërisht
atë të lynkestëve.
Prerja dhe hedhja në treg e monedhave nga një qytet ilir
si Damastioni është një fakt me rëndësi
të veçantë. Ai tregon se tani, në pjesën
e parë të shek. IV p.e.sonë, krahas Dyrrahut dhe
Apolonisë, të cilat me monedhat e tyre, qysh nga shek.V
p.e.sonë kishin mbuluar krahinat e afërta të ultësirës
bregdetare dhe i kishin tërhequr ato në orbitën e
marrëdhënieve skllavopronare, një qytet ilir, Damastioni,
lindi dhe u bë qendër e rëndësishme ekonomike
e krahinave të brendshme. Ai hodhi në treg monedhën
e vet dhe me këtë shënoi shtrirjen e mëtejshme
të sistemit monetar në krahinat e brendshme të Ilirisë
Jugore. Ekonomia monetare theu kështu dhe në këtë
pjesë të Ilirisë ekonominë e prapambetur natyrore,
për t’i hapur rrugën një sistemi të ri
ekonomik, skllavopronarisë.
Vendosja e skllavopronarisë
Me lindjen e qyteteve u krijua edhe një popullsi qytetare,
e cila më parë nuk njihej. Burimet nuk e bëjnë
të qartë përbërjen dhe karakterin e kësaj
popullsie, por meqë qytetet ishin qendra ekonomike dhe administrative,
edhe popullsia e tyre përbëhej nga masa e gjerë e
prodhuesve zejtarë, bujq e blegtorë, nga pronarët
e punishteve zejtare, tregtarët dhe aristokracia e vjetër
fisnore që përbënte parinë e qytetit. Si e tillë,
popullsia e qytetit paraqitej e diferencuar në shtresa shoqërore,
me interesa të ndryshme. Prej tyre, pronarët e punishteve
dhe tregtarët formonin shtresën e re të pasuruar,
e cila zhvendos përfundimisht në plan të dytë
aristokracinë e vjetër fisnore.
Si qendra ekonomike e politike më vete qytetet i rrethonte
një popullsi fshatare e lidhur me ta nëpërmjet interesave
ekonomikë të ndërsjelltë. Në burimet këto
popullsi njihen akoma si fise të mëdha apo të vogla,
por fisi nuk ka më kuptimin e tij klasik. Vetë dukja e
qyteteve dhe prerja e qarkullimi i monedhave janë elemente
që nuk pajtohen me rendin fisnor, ato i japin bashkësisë
një përmbajtje të re nga pikëpamja e marrëdhënieve
ekonomike e shoqërore.
Ashtu si në Maqedoni, edhe në Epirin fqinjë të
kësaj kohe, shumica e popullsisë në Iliri jetonte
në fshatra; qytetet ishin ende në numër të vogël.
Masën kryesore të kësaj popullsie e formonte fshatarësia
e lirë, por burimet bëjnë fjalë edhe për
një popullsi fshatare të varur. Theopompi në veprën
e tij “Filipika” shkruan se “ardianët kanë
300 mijë prospelatë si helotë...”. Me prospelatë
autorët e vjetër kuptonin një popullsi të varur
që merrej me punimin e tokës dhe që u jepte zotëruesve
të saj si detyrim një pjesë të prodhimit. Duke
i krahasuar prospelatët e ardianëve me helotët e
Spartës, Theopompi e përcakton edhe më mirë
gjendjen e tyre sociale. Me sa duket edhe këta ishin, sikurse
helotët, një popullsi e nënshtruar që pas pushtimit
ishin shpronësuar dhe ishin kthyer në gjendje vartësie.
Nuk kemi prova nëse kjo ishte një popullsi e huaj apo
një fis tjetër ilir që pësoi këtë
fat; numri i tyre gjithashtu duhet të jetë i tepruar,
por mbetet i padiskutueshëm fakti që kemi të bëjmë
me një masë popullsie mbi të cilën ushtrohet
shtypje ekonomike dhe politike.
Midis ilirëve ky nuk ishte një fenomen i veçantë
për ardianët. Një shekull më vonë Agatharkidi
në veprën e tij “Evropaikon” do të pohojë
se “dardanët kanë kaq shumë skllevër (ai
i quan këta me emrin “dullos”), sa dikush kishte
1 000, kurse të tjerë edhe më shumë. Secili
nga këta në kohë paqeje punon tokën, kurse në
kohë lufte merr pjesë në ushtri duke pasur si prijës
zotin (“despotes”) e tij”.
Edhe pse Agatharkidi përdor termin dullos, shpjegimet e mëtejshme
e bëjnë të qartë se kemi të bëjmë
me një popullsi të tipit të prospelatëve ardianë.
Nuk ka asnjë dyshim që termi “dullos” përdoret
këtu me kuptimin më të gjerë, ashtu sikurse
ndodh shpesh që autorët antikë i quajnë helotët
“dullë të lakeldemonëve”.
Një rast tjetër është ai që përmend
Atheneu, për penestët. Sipas tij “thesalët
quajnë penestë jo ata që lindin skllevër, por
ata që shtihen në dorë me anë të luftës”.
Dihet se me emrin penestë quhej një fis i tërë
në territorin e Mbretërisë Ilire. Përkufizimi
i Atheneut të çon në përfundimin se popullsia
e këtij fisi duhet të ketë qenë e ngjashme nga
pikëpamja e gjendjes shoqërore me prospelatët e ardianëve
dhe dullët e dardanëve.
Prania e një popullsie të tillë të varur e të
shfrytëzuar ekonomikisht midis ilirëve, është
një dëshmi e rëndësishme për të përcaktuar
karakterin dhe strukturën e shoqërisë ilire. Siç
tregojnë të dhënat e autorëve antikë, popullsia
e varur e tipit prospelatë-helotë-penestë përfaqësonte
në këtë kohë në Iliri një formë
të hershme të skllavërisë që ekzistonte
në disa nga popullsitë kryesore ilire. Kjo kategori njerëzish
përdorej në masë në punimet bujqësore dhe
mbase edhe në shfrytëzimin e minierave. Zotërit e
tyre (despotët) duket se banonin në qendrat e vogla të
fortifikuara ose në qytete. Kohën më të madhe
ata e kalonin në luftëra dhe jo rrallë me dëfrime.
Theopompi na thotë se sunduesit e prospelatëve ardianë
“çdo ditë deheshin, bënin mbledhje dhe shtroheshin
në gosti, të dhënë pas të ngrënit
e të pirit”. Pjesën tjetër të popullsisë
e përbënte masa e fshatarëve të lirë që
luante, me sa duket, ende një rol kryesor në prodhimin
shoqëror.
Përveç përfitimit nga puna e popullsisë vendase,
shtresa e pasur siguronte të mira materiale nëpërmjet
grabitjes kolektive të popujve fqinjë me anë të
luftërave. Tributet e përvitshme që detyroheshin
të paguanin popujt e nënshtruar tregojnë se këto
grabitje kryheshin në mënyrë sistematike.
Kështu në shek. IV p.e.sonë, shoqëria ilire
paraqitet si një shoqëri e ndarë në klasa e
shtresa shoqërore. Kjo shoqëri njihte atëherë
format e hershme të varësisë skllavopronare, prandaj
edhe ishte një shoqëri skllavopronare. Lindja e qyteteve
ndihmoi për thellimin e diferencimit shoqëror, sepse duke
u bërë qendra të rëndësishme të zejtarisë
dhe të tregtisë ato i dhanë hov rritjes së prodhimit,
shkëmbimit me para dhe shfrytëzimit të punës
së huaj.
Pa mbivlerësuar peshën dhe rolin e qytetit ilir në
këtë periudhë të hershme mund të thuhet
se ai vepron jo vetëm si bartës i skllavopronarisë,
por edhe si përçues i saj në botën fshatare
që e rrethon. E lidhur me qytetin me anë të marrëdhënieve
ekonomike dhe e varur prej tij përmes këtyre marrëdhënieve,
bota fshatare ilire, sidomos ajo që ndodhej rreth qyteteve
nuk është më bota e organizimit fisnor. Ajo njeh
tani marrëdhënie vartësie në formën e skllavërisë
së tipit helot.
Kështu, në shek. IV qyteti ilir na paraqitet me një
rol e peshë të ndjeshme në jetën ekonomike e
shoqërore të Ilirisë. Si i tillë ai shërbeu
si bazë e organizimit politik shtetëror.
include ($_SERVER["DOCUMENT_ROOT"]."/reklama460.php");
?>
2. MBRETËRIA E PARË
ILIRE. DINASTIA E BARDHYLIT
(FILLIMI I SHEK. IV - 335 P.E.SONË)
Ardhja në fuqi e Bardhylit
Shekulli i ri, i katërt, i gjen përsëri ilirët
në konflikt me fqinjët e tyre maqedonë për çështjen
e Lynkestisë. Në vitet e fundit të sundimit të
mbretit maqedon, Arhelaut, në kapërcyell të shekullit,
u zhvillua një luftë e re midis ilirëve dhe maqedonëve
për këtë krahinë. Në këtë luftë
mbreti i lynkestëve, Arrabeu, kishte si aleat mbretin Syra.
Aristoteli, që e përmend këtë fakt, nuk e cilëson
origjinën etnike të Syras, por burimet e tjera e bëjnë
të qartë se ai ishte mbreti i ilirëve. Aleanca midis
tij dhe Arrabeut ka të ngjarë ta ketë zanafillën
e saj në ngjarjet e vitit 423 p.e.sonë dhe duket se ka
qenë përforcuar me një martesë dinastike midis
Syras dhe një vajze të Arrabeut. Rezultatet e kësaj
lufte nuk njihen, por ngjarjet e mëpastajme tregojnë se
nuk ndodhi ndonjë ndryshim në gjendjen ekzistuese.
Vrasja e mbretit Arhelau (viti 399 p.e.sonë), shënoi për
Maqedoninë fillimin e një periudhe trazirash që zgjatën
katër dekada me radhë. Kontradiktat e brendshme që
u bënë shkak për këtë vrasje dhe për
intrigat e mëvonshme dinastike, krijuan rast për hapjen
e konflikteve midis Maqedonisë dhe fqinjëve të saj.
Në fillim të sundimit të Amyntës II, që
pasoi Arhelaun, u duk sikur konflikti iliro-maqedon gjeti një
zgjidhje. Martesa e Amyntës me një bijë të mbretit
Syra, të quajtur Eurydike, që ishte në të njëjtën
kohë edhe mbesë e Arrabeut, fsheh në vetvete faktin
që midis ilirëve e maqedonëve ishte arritur një
marrëveshje pajtimi për çështjen e lynkestëve.
Por kjo gjendje nuk zgjati shumë. Ilirët, interesat e
të cilëve ishin ndeshur prej kohësh me ato të
Maqedonisë në Lynkesti, ishin të interesuar për
dobësimin e mëtejshëm të Maqedonisë dhe
jo për pajtim. Rasti i volitshëm për ta arritur këtë
qëllim paraqitet pikërisht tani, që Maqedoninë
e kishte pushtuar vala e turbullirave të brendshme. Në
vitin 393 p.e.sonë, ilirët u dyndën në Maqedoni,
pushtuan një pjesë të saj dhe pasi dëbuan Amyntën,
vendosën në fron një farë Argeu, që thuhet
se zbriste prej dinastisë së lynkestëve. Nën
presionin e pushtimit ilir, një pjesë e tokave të
Maqedonisë Lindore me pëlqimin e mbretit të rrëzuar
hyri në Lidhjen e Olinthit. Amynta u strehua në Thesali
dhe vetëm pas dy vjetësh mërgimi, ai mundi të
kthehej në vend me ndihmën e thesalëve, të cilët
preferonin më mirë sundimin e tij se atë të
Argeut që përkrahej nga ilirët. Paqen me ilirët
ai qe detyruar ta blinte me një tribut vjetor që do t’ua
paguante atyre.
Rrethanat në të cilat ndodhi ky ndryshim në marrëdhëniet
e vendosura së fundi midis ilirëve dhe maqedonëve
nuk janë të qarta. Dihet vetëm se ngjarjet e mëpastajme
nuk janë të lidhura me Syran, por me emrin e një
mbreti të ri ilir, të quajtur Bardhyl. Megjithëse
emri i tij shfaqet në burimet shumë më vonë,
në ngjarjet e vitit 359 p.e.sonë, prapë se prapë
duket se ai i udhëhiqte ilirët shumë kohë përpara.
Sipas këtyre burimeve Bardhyli jetoi një kohë të
gjatë dhe kur u ndesh me Filipin II (359 p.e.sonë), ose
pak më vonë, ishte në një moshë të
thyer, 90 vjeçare. Interes të veçantë lidhur
me figurën e tij kanë lajmet që e paraqesin si një
mbret me prejardhje të ulët, në fillim qymyrxhi e
pastaj kryengritës (latro), që e pat fituar pushtetin
me forcë dhe që gëzonte simpatinë e luftëtarëve,
meqenëse në ndarjen e plaçkës ishte i drejtë
e i paanshëm. Këto njoftime e paraqesin atë jo si
një trashëgimtar të Syras, por si një përmbysës
të tij. Vetëm duke pranuar këtë fakt, mund t’i
jepet një shpjegim ndryshimit që ndodhi në marrëdhëniet
e ilirëve me maqedonët në vitin 393 p.e.sonë.
Duket se në Iliri forca të reja, në të cilat
rol të rëndësishëm ka pasur Bardhyli, e kundërshtuan
marrëveshjen me Amyntën II, rrëzuan Syrën dhe
invaduan Maqedoninë. Pra, duhet të ketë qenë
Bardhyli ai që udhëhoqi ilirët në fushatën
e vitit 393 p.e.sonë kundër Amyntës dhe e detyroi
atë t’i paguante tribut vjetor. Qe përsëri
ai që theu përpjekjet e Aleksandrit II në vitin 369
dhe të Perdikës III më 360 p.e.sonë për
t’u çliruar nga kjo gjendje. Tentativa e Perdikës
përfundoi me dështim të plotë. Ai mbeti në
fushën e betejës së bashku me 4 000 maqedonë
të tjerë. Kjo qe humbja më e rëndë që
pësuan maqedonët në vargun e përpjekjeve të
tyre për t’u çliruar nga ilirët.
Gjatë gjysmës së parë të shek. IV p.e.sonë
burimet përmendin edhe një ngjarje tjetër me rëndësi.
Në vitin 385 p.e.sonë ilirët përfunduan një
aleancë me tiranin e Syrakuzës, Dionizin. Ndërmjetës
për këtë u bë mbreti i molosëve, Alketa,
i cili qe dëbuar nga vendi i tij prej partisë filospartane
dhe qe strehuar në Sirakuzë. Qëllimi i marrëveshjes
ishte rivendosja e Alketës në fronin molos. Të dyja
palët qenë të interesuara për këtë,
sepse ilirëve kjo aleancë u siguronte dobësimin e
ndikimit spartan dhe rrjedhimisht të atij maqedon në Epir,
kurse Dionizit i jepte mundësi të forconte pozitat e tregtisë
sirakuzane në brigjet e Adriatikut e të Jonit. Në
tregimin e tij Diodori vinte në dukje se Dionizi u dërgoi
ilirëve një ndihmë ushtarake prej 2 000 vetash dhe
5 000 armë “meqenëse ilirët ishin në luftë”.
Por nuk thotë se me cilët luftonin ilirët në
këtë kohë. Është supozuar se Diodori e
ka fjalën për luftën që përfundoi me dëbimin
e Amyntës, por kjo ngjarje me të drejtë është
datuar në vitin 393 dhe jo më 385. Nuk qëndron as
pikëpamja se ilirët qenë duke luftuar me molosët,
kur Dionizi u dërgoi ndihmën dhe se ky e shfrytëzoi
këtë luftë vetëm për të kthyer Alketën.
Vetë Diodori e ka sqaruar këtë fakt kur pohon se
ilirët hynë në Epir pasi u erdhi kjo ndihmë
dhe “pasi mblodhën një fuqi të madhe”.
Në këtë rast duhet të jetë fjala për
faktin se ilirët ishin në gjendje lufte pothuajse të
pandërprerë me fqinjët e tyre, maqedonët. Ndihma
ushtarake e Dionizit duket se i lehtësonte pak ilirët
nga kjo barrë. Ky fakt dhe pjesëmarrja aktive në
aksion kundër molosëve për të sjellë në
fronin e tyre Alketën e vuri Sirakuzën në pozitën
e aleatit të ilirëve kundër armiqve tradicionalë
të tyre, maqedonëve. Megjithatë forcat kryesore në
këtë aksion ishin ato ilire; ushtarëve të Dionizit
nuk iu caktua ndonjë rol i pavarur, përkundrazi Diodori
thotë se “ushtrinë që u erdhi në ndihmë
ilirët e përzien me trupat e tyre”. Ndërmarrja
përfundoi me sukses të plotë. Në betejën
e rreptë që u zhvillua ilirët dolën fitues dhe
molosët lanë në fushën e luftës shumë
të vrarë. Ndihma që u dërguan spartanët
nuk u solli ndonjë dobi molosëve dhe Alketa zuri përsëri
fronin e vet në Mbretërinë Molose. Kjo ngjarje sqaron
politikën që Bardhyli ndiqte me fqinjët perëndimorë.
Me sa duket, aleanca me Syrakuzën ishte për të një
mbështetje e shëndoshë në luftën kundër
Maqedonisë.
Fushata maqedone kundër Mbretërisë Ilire
Në vitin 359 Maqedonia mundi të dalë përsëri
në fushë të betejës kundër ilirëve,
por tani ajo e kishte kapërcyer gjendjen e kaosit të brendshëm
politik dhe kishte mënjanuar rrezikun e sulmit nga kundërshtarët
e tjerë. Sundimtari i ri i saj, Filipi II, filloi fushatën
kundër Mbretërisë Ilire pasi ishte pajtuar me Athinën
dhe kishte larguar rrezikun trak e paion.
I çliruar, në këtë mënyrë, Filipi
u sul kundër ilirëve me një ushtri të madhe,
të përbërë prej 10 000 këmbësorësh
të armatosur rëndë dhe 600 kalorësish. Bardhyli
i doli përpara armikut me një ushtri po kaq të madhe,
10 000 këmbësorë të zgjedhur dhe 500 kalorës.
Megjithatë, mbreti plak e çmoi këtë radhë
të pafavorshme ndeshjen e armatosur me maqedonët dhe bëri
përpjekje për marrëveshje. Ai i propozoi Filipit
paqe, me kusht që të dy palët të mbanin qytetet
që kishin në zotërim në atë kohë;
Filipi nuk e pranoi dhe kërkoi që ilirët t’i
lironin të gjitha qytetet që i kishin pushtuar Maqedonisë.
Meqenëse nuk u arrit marrëveshja, filloi përleshja.
Të dy ushtritë u ndeshën me ashpërsi të
madhe. Ushtria ilire i përballoi për mjaft kohë sulmet
e armikut. Goditjeve të falangës maqedone Bardhyli u kundërvuri
formacionin luftarak me radhë të shtrënguara në
trajtë kuadrati. “Në krye, - shkruan Diodori, -
fitorja nuk anoi as nga njëra, as nga tjetra palë, dhe
kështu vazhdoi për një kohë të gjatë,
sepse të dy ushtritë luftuan me një trimëri
të rrallë. Nga të dy anët u vranë shumë
veta dhe ca më shumë u plagosën”. Megjithëse
maqedonët e fituan më në fund betejën, Filipi
e pa se nuk qe në gjendje ta ndiqte armikun. Më vonë
ilirët dërguan përfaqësues dhe përfunduan
paqen, pasi liruan të gjitha qytetet e Maqedonisë që
kishin pushtuar. Diodori bën të qartë edhe faktin
se për cilat toka ishte fjala, kur thotë se, pasi i vuri
nën zotërimin e tij gjithë banorët gjer në
liqenin Lyhnid, Filipi u kthye në Maqedoni. Me këtë
betejë, ai zgjidhi përfundimisht çështjen
e Lynkestisë dhe e ndryshoi gjendjen në kufijtë perëndimorë
në favor të Maqedonisë.
Në kushtet e krijuara rishtas ilirët u përpoqën
të dilnin nga gjendja e krijuar duke kërkuar aleatë
kundër Maqedonisë. Në vitet e fundit të jetës
së tij Bardhyli u drejtua në jug, kundër molosëve,
të cilët ndërkaq ishin afruar me Filipin, duke synuar
që t’i shkëpuste nga ndikimi maqedon. Ushtria ilire
invadoi tokat molose, por ndeshi në një qëndresë
të fortë dhe u detyrua të tërhiqej. Në
vitin 356 p.e.sonë ky synim u përsërit në përpjekjen
për një aleancë të gjerë antimaqedone.
Këtë ngjarje Diodori e përshkruan kështu: “tre
mbretër, ai i Trakisë, i Paionisë dhe i Ilirisë,
ishin bashkuar për të sulmuar Filipin. Këta mbretër
fqinjë e shikonin tërë smirë rritjen e fuqisë
së Filipit dhe duke qenë se nuk ishin aq të fortë
për ta luftuar veçmas, u lidhën ndërmjet tyre
me shpresë që t’ia arrinin më lehtë qëllimit”.
Por ata ishin të zënë me grumbullimin e ushtrisë,
kur ai i zuri në befasi dhe i theu para se të bashkonin
forcat e tyre. Ky lajm vërtetohet edhe me një mbishkrim
atik, që përkujton përfundimin e një koalicioni
midis Athinës dhe tre mbretërve të përmendur
më lart. Në këtë akt zyrtar mbreti i ilirëve
quhet Grabo. Midis mendimeve të ndryshme që janë
shfaqur rreth figurës së tij, duket më i pranueshëm
supozimi sipas të cilit Grabo ka qenë pasardhës i
Bardhylit, që në këtë kohë duhet të
ketë vdekur.
Frenimi që arriti t’u bënte ilirëve nuk e kënaqte
Filipin. Ai nuk e ndiente veten të qetë sidomos kur lufta
për vendosjen e hegjemonisë maqedone në Greqi kërkonte
gjithë energjitë dhe forcat e tij. Për t’u
siguruar nga sulmet e shtetit ilir, Filipi u mundua ta vinte këtë
shtet në pozita mbrojtjeje. Prandaj, në vitin 344 p.e.sonë,
e sulmoi përsëri Ilirinë me një ushtri të
fortë. Këtë radhë ilirët udhëhiqeshin
nga mbreti Pleuria. Ata i bënë një qëndresë
të ashpër dhe i shkaktuan armikut humbje të rënda.
Vetë Filipi mbeti i plagosur dhe në fushën e betejës
ranë shumë nga rrethi i tij i afërm. Megjithatë,
ai mundi të hyjë në Iliri dhe të pushtojë
disa qytete, të cilat më vonë i fortifikoi dhe vendosi
në to garnizone. Pasi shkretoi vendin, Filipi u kthye në
Maqedoni me plaçkë të madhe. Në burimet nuk
thuhet se deri ku mundi të ketë arritur dhe për cilën
pjesë të vendit është fjala kur flitet për
qytetet e pushtuara, por dihet nga pohimet e Isokratit se në
bregdet nuk mundi të dalë. Ka të ngjarë që
ai të ketë vënë dorë mbi një pjesë
të krahinës së banuar nga fisi i dasaretëve
dhe si kufi të kenë shërbyer ato që në
burimet quhen malet e Ilirisë ose të taulantëve dhe
që mund të identifikohen me vargun e maleve të Polisit,
të Kamjes dhe të Ostrovicës.
include ($_SERVER["DOCUMENT_ROOT"]."/reklama460.php");
?>
Kryengritja e vitit 335 p.e.sonë
Pas vdekjes së Filipit II, ilirët e krahinave të
nënshtruara ngritën krye në vitin 355 p.e.sonë
kundër pasardhësit të tij, Aleksandrit, kur ky ndodhej
larg vendit, duke luftuar me tribalët dhe popullsi të
tjera veriore. Këtu Aleksandrit i erdhi lajmi i kësaj
lëvizjeje në Iliri. Kliti, i biri i Bardhylit, ishte shkëputur
prej tij dhe me të ishte bashkuar edhe Glaukia, mbret i ilirëve
taulantë. Si mësoi se Kliti kishte pushtuar qytetin Pelion,
Aleksandri u drejtua me forcat e tij kundër këtij qyteti.
Rufi dhe Ariani që bëjnë fjalë për këtë
ngjarje, përshkruajnë me hollësi pozicionin e qytetit,
vendosjen e forcave kundërshtare dhe stratagjemat që përdorën
të dyja palët. Sipas tyre Pelioni ishte një qytet
i Dasaretisë, buzë lumit Eordai, dhe më i forti në
këtë vend. Ushtria ilire ishte ndarë në dy pjesë:
garnizoni që mbronte qytetin dhe repartet e lëvizshme
që kishin zënë rrugët dhe majat përqark
tij. Aleksandri vendosi t’i shkëpusë lidhjet midis
tyre; ngriti lëmin pranë qytetit dhe filloi ndërtimin
e një muri që do të pengonte garnizonin të dilte
për të marrë pjesë në luftimet e jashtme.
Mbërritja e befasishme e Glaukisë me një ushtri taulantësh
e vuri ushtrinë maqedone në pozitë të vështirë
dhe vetëm në sajë të një manovre të
shpejtë, Aleksandri mundi të tërhiqte pa humbje të
mëdha trupat e veta. Por ilirët nuk ditën ta shfrytëzonin
fitoren. Duke besuar në një sukses të plotë,
ata e lanë ushtrinë e tyre pranë Pelionit në
shkujdesje. Kjo i dha mundësi Aleksandrit, që tri ditë
pas tërheqjes, të kthehej fshehtas përsëri në
fushën e betejës dhe ta godiste natën ushtrinë
ilire. Pasi pësoi humbje të mëdha, masa kryesore
e ushtrisë ilire u tërhoq në malet e taulantëve.
Vetë Kliti, pas dështimit të kryengritjes u mërgua
në vendin e taulantëve, ndërsa garnizoni u largua
duke i vënë zjarrin qytetit. Deri në prag të
kryengritjes duket se Kliti sundonte në mbretërinë
e tij të dobësuar, duke njohur sovranitetin e mbretit
maqedon. Kjo të paktën mund të nënkuptohet nga
shprehja e Arianit që thotë se ai “u shkëput”
prej Aleksandrit, kur e njoftuan për fillimin e kryengritjes.
Por në burimet nuk thuhet se cila qe gjendja juridike që
u vendos në këtë pjesë të Ilirisë
pas largimit të Klitit. Aleksandri duket se u kënaq me
rivendosjen e gjendjes së mëparshme në këtë
pjesë të shtetit të tij dhe nuk e vazhdoi më
tej konfliktin me ilirët; telashe të tjera e prisnin në
Greqi. Taulantët, të cilët Filipi nuk kishte mundur
t’i shkelte, paraqiten në këtë konflikt si
një fuqi më vete dhe me një mbret të tyre. Tokat
e këtij fisi përbënin siç duket atë pjesë
të Mbretërisë Ilire që kishte mbetur e pavarur.
Organizimi politik i Mbretërisë Ilire
Gjatë veprimtarisë së tij tridhjetëvjeçare
deri në vitin 360 p.e.sonë Bardhyli e kishte rritur pushtetin
e vet dhe kishte krijuar një mbretëri të fortë.
Pellgu rreth liqenit Lyhnid ishte krahina ku u zhvilluan ngjarjet
e rëndësishme të gjysmës së parë të
shek. IV, por kjo krahinë nuk mund të identifikohet me territorin
e shtetit ilir, shtrirja e plotë e të cilit është
vështirë të rindërtohet. Sidoqoftë ai na
paraqitet si një forcë që ishte në gjendje t’i
kundërvihej me sukses Maqedonisë. Kuptohet vetiu që
si i tillë ai përbënte një njësi të
paktën të barabartë me të, si nga pikëpamja
e territorit, ashtu edhe e forcës së gjallë njerëzore.
Si rrjedhim, krahina të tjera të Ilirisë së Jugut,
pa përjashtuar ultësirën bregdetare, duhet të
kenë bërë pjesë në këtë njësi.
Organizimi politik i këtij formacioni shtetëror nuk njihet
mirë. Bardhyli quhet prej autorëve antikë “mbret
i ilirëve”; po kështu emërtohen dhe pasardhësit
e tij. Kjo lejon që ky formacion të konsiderohet si një
mbretëri, e cila nuk kishte marrë ende tiparet e qarta të
një monarkie. Vetë Bardhyli, në fillimet e tij na paraqitet
si një prijës i thjeshtë ushtarak që respekton
shumë zakone të rendit fisnor. Duket më e besueshme,
që mbretëria e tij të ketë qenë në fillim
një bashkim i thjeshtë bashkësish ilire, të cilat
i lidhnin interesa ekonomike dhe politike, në radhë të
parë interesi i mbrojtjes nga rreziku i jashtëm. Çdo
bashkësi kishte në krye mbretin e vet të vogël
që njihte sovranitetin e mbretit të federatës dhe i
nënshtrohej atij. Me kalimin e kohës, autoriteti dhe pushteti
i Bardhylit si mbret u rrit e u forcua së tepërmi. Ky pushtet
mbështetej në forcat e armatosura. Në vitet 60 të
shek. IV p.e.sonë, ai kishte një ushtri të rregullt,
me një organizim dhe taktikë luftarake të përparuar.
Kjo ushtri formohej nga një këmbësori e organizuar
dhe e armatosur mirë që përbënte bazën e
forcave të armatosura dhe nga kaloria, e cila, megjithëse
e vogël në numër, ekzistonte si njësi më
vete me cilësinë e një force të manovrueshme goditëse.
Ngjarjet politike që jetoi Mbretëria Ilire e kohës
së Bardhylit dhe e pasardhësve të tij tregojnë
gjithashtu se ajo përfaqësonte një forcë serioze.
Veprimet e saj nuk janë të shkëputura, por gjejnë
vend në kuadrin politik të kohës dhe janë shprehje
e një qëndrimi që ka si objektiv të qartë
dobësimin e kundërshtarit kryesor dhe forcimin e pozitave
të veta në raport me shtetet fqinje. Kjo politikë mbështetej
në marrëveshje e aleanca politike e ushtarake. Nuk mund
të përfytyrohet dot një organizim fisnor apo një
demokraci ushtarake që të luajë një rol kaq aktiv
në situatën ndërkombëtare dhe të ketë
pikësynime kaq të qarta politike, të cilat kërkonin
përqendrim forcash e mjetesh, siç është rasti
i Mbretërisë Ilire të kësaj kohe. Një veprimtari
kaq e gjerë dhe kaq e guximshme në politikën e jashtme
mund të ketë vend vetëm në kushtet e një
organizimi shtetëror.
Por nuk duhet të kujtojmë se shteti ilir i kësaj kohe
ishte një organizëm i përkryer që u përgjigjej
të gjitha kërkesave të këtij nocioni në kuptimin
e plotë të fjalës. Megjithatë ai kishte tiparet
thelbësore që i duhen një shteti: territorin, ndarjen
territoriale të popullsisë sipas njësive gjeografike-etnografike
dhe pushtetin publik në duart e klasës sunduese. Struktura
social-ekonomike e krijuar në gjirin e shoqërisë ilire
të kësaj kohe çoi gradualisht në lindjen e këtij
shteti, si një mjet që i duhej klasës sunduese për
të nënshtruar shtresat e tjera dhe për të mbrojtur
interesat e saj. Nuk mund të detyrohej masa e madhe e prospelatëve-dulle
të punonte për pjesën tjetër të shoqërisë
ilire, për despotët pa një aparat shtrëngimi të
përhershëm siç ishte aparati shtetëror. Kjo
përbënte funksionin kryesor të brendshëm të
shtetit ilir. Karakteri i shtetit shprehet edhe në funksionin
e jashtëm që realizohet nëpërmjet ndeshjeve me
popujt fqinjë me anë të fushatave pushtuese dhe ngarkimit
të tyre me tribute. Shteti ilir ndodhej në stadin e tij
fillestar dhe karakterizohej nga mbeturina të theksuara të
rendit fisnor që gjenin shprehje në anë të veçanta
të jetës shoqërore. Por qytetet dhe popullsia e tyre,
që përbënin bazën themelore ekonomike e shoqërore
të tij, kishin marrë një zhvillim të dukshëm.
Pozita dhe roli i tyre në jetën politike u bë më
i qartë në periudhat e mëpastajme, dora-dorës
me zhvillimin e mëtejshëm të shoqërisë antike
ilire.
Shteti ilir lindi si rezultat i zhvillimit të brendshëm
të forcave prodhuese në Ilirinë e Jugut. Procesi i
lindjes dhe i formimit të tij përkon me periudhën e
sundimit të mbretit Bardhyl; ai mund të konsiderohet edhe
si themeluesi i shtetit ilir. Luftërat me Maqedoninë qenë,
nga ana tjetër, një faktor i jashtëm me rëndësi
që e shpejtoi këtë proces. Dështimi i përkohshëm
në luftërat me Filipin II dhe Aleksandrin nuk e ndërpreu
jetën shtetërore të ilirëve. Këto luftëra
përbëjnë vetëm një episod të shkurtër
politik që nuk e ndali këtë proces të thellë
shoqëror në Iliri.
Shteti ilir lindi brenda territorit, të cilin e banonin sipas
Plinit dhe gjeografit romak të shek. I, Melës “ilirët
e mirëfilltë” dhe do të zhvillohet më tej
në kuadrin e po këtij territori.
include ($_SERVER["DOCUMENT_ROOT"]."/reklama460.php");
?>
3. MBRETËRIA E DYTË
ILIRE. DINASTIA E GLAUKISË
(335-231 P.E.SONË)
Rimëkëmbja e shtetit ilir
Shumë shpejt pasi pajtoi fqinjët veriorë dhe Greqinë,
Maqedonia u drejtua nga lindja duke e lënë të qetë
shtetin ilir. Fqinjësia me Maqedoninë nuk përbënte
më atë rrezik serioz dhe ilirët u munduan ta shfrytëzonin
gjendjen e krijuar për rimëkëmbjen e shtetit të
tyre. Rufi njofton për trazira të reja në Iliri,
por duket se ato nuk patën sukses, sepse në vitin 323
p.e.sonë, kur u bë ndarja e perandorisë së Aleksandrit,
një pjesë e ilirëve ishte ende nën sundimin
e Antipatrit, që u bë mbret i Maqedonisë, i Greqisë,
i Ilirisë, i Epirit dhe i popullsive të tjera të
pushtuara në Ballkan.
Gjendja e turbullt që u krijua në perandori pas vdekjes
së Aleksandrit dhe shthurjes së perandorisë së
tij krijoi kushte më të përshtatshme për çlirimin
e tokave lindore ilire. Duke u lidhur me armiqtë e Maqedonisë,
Glaukia, mbret i taulantëve, arriti t’i çlirojë
këto toka dhe t’i bashkojë me mbretërinë
e tij. Duket se pas kësaj ai mori edhe titullin “mbret
i ilirëve” në vend të titullit të mëparshëm
“mbret i taulantëve”.
Pasi realizoi bashkimin e tokave ilire dhe rimëkëmbi shtetin
ilir, Glaukia u përpoq të dobësonte ndikimin maqedon
në Epir. Për këtë qëllim ai u afrua me
mbretin e molosëve, Ajakidin dhe u martua me Berojën,
një bijë nga dera mbretërore molose. Në këtë
politikë ai u ndesh me të birin e Antipatrit, Kasandrin,
që pas shumë përpjekjesh ishte vendosur në krye
të Maqedonisë. Në vitin 317 p.e.sonë, Kasandri
rrëzoi nga froni molos aleatin e Glaukisë, Ajakidin, i
cili kishte ndërhyrë në grindjet e brendshme për
fronin maqedon, duke marrë anën e Olimbisë, nënës
së Aleksandrit. Në këtë kohë Glaukia mori
nën mbrojtje dhe mbajti në pallatin e tij birin e mbretit
të rrëzuar, Pirron dyvjeçar. Me gjithë kërkesat
këmbëngulëse të Kasandrit, Glaukia nuk e dorëzoi
Pirron; ai nuk e bëri këtë as kur mbreti maqedon
i premtoi si shpërblim shumën e madhe prej 200 talentesh,
as kur ky e kërcënoi me luftë.
Shtrirja e sovranitetit mbi Dyrrahun e Apoloninë
Tre vjet mbas kësaj ngjarjeje, në vitin 314, Kasandri,
duke u nisur nga Epiri, sulmoi nga deti Apoloninë, pastaj Dyrrahun
dhe u fut në Iliri. Në këtë luftë Glaukia
u mund dhe Kasandri u bë zot i dy qyteteve të mëdha
të Adriatikut. Trazirat politike e detyruan të kthehej
në Greqi pasi la këtu garnizone të fuqishme. Një
vit më vonë, më 313 p.e.sonë, Glaukia rrethoi
Apoloninë, por pa sukses. Sipas Diodorit, me ndërmjetësinë
e spartanëve ai pranoi të heqë rrethimin dhe të
përfundojë një traktat paqeje me apoloniatët.
Kushtet e paqes nuk dihen dhe as që bëhej fjalë për
vendosjen e ndonjë forcë maqedone në qytet; por ngjarjet
e mëpastajme, të vitit 312 p.e.sonë, tregojnë
se të dy qytetet mbroheshin nga garnizonet maqedone. Në
këtë vit apoloniatët dhe dyrrahasit ngritën
krye dhe i dëbuan forcat e Kasandrit nga qytetet e tyre. Një
rol të veçantë u atribuon Diodori në këtë
ngjarje korkyrasve, të cilët kishin ardhur për ndihmë.
Sipas tij ata “çliruan Apoloninë dhe Dyrrahun
ia dorëzuan Glaukisë, mbretit të ilirëve”.
Burimet nuk japin një përgjigje të drejtpërdrejtë
për çështjet se përse korkyrasit ua dorëzuan
Dyrrahun ilirëve, cili ishte roli i ilirëve në këtë
ngjarje, cilat kishin qenë raportet e tyre me Dyrrahun dhe
ç’raporte u vendosën me Apoloninë. Megjithatë
nuk është vështirë të kuptohet se korkyrasit
në këtë rast vepruan si aleatë jo vetëm
të apoloniatëve dhe të dyrrahasve, por edhe të
ilirëve. Dalja e Maqedonisë në brigjet e Adriatikut
cenonte interesat ekonomikë e politikë si të shtetit
ilir, ashtu edhe të Dyrrahut, Apolonisë e të Korkyrës,
prandaj ato u bashkuan kundër rrezikut maqedon. Dy qytetet
e mëdha ishin, siç duket, për ruajtjen e marrëdhënieve
të vjetra me shtetin ilir dhe nuk dëshironin t’i
nënshtroheshin me dhunë mbretit të Maqedonisë.
Dyrrahu duket se kishte qenë para kësaj në duart
e ilirëve ose kishte njohur sovranitetin e mbretit ilir. Kundërshtimi
që i bënë apoloniatët Glaukisë më
313 p.e.sonë tregon për një mbizotërim të
përkohshëm në këtë qytet të një
grupi promaqedon, i cili më vonë u përmbys nga kryengritja
e qytetarëve që dëbuan forcat e Kasandrit.
Mbreti maqedon u shpejtua të vijë me forcat e tij përsëri
para mureve të Apolonisë për të rivendosur gjendjen
e mëparshme. Diodori pohon se “apoloniatët ishin
lidhur me ilirët”. Megjithatë, nuk dihet nëse
ishte kjo një aleancë e thjeshtë ushtarake apo diçka
më tepër, por duhet nënkuptuar se ilirëve u
ishte caktuar një rol i dorës së parë qëkurse
forcat që mbronin qytetin “ishin më të mëdha”
se ato maqedone. Kasandri u thye keqas dhe u detyrua të largohej,
pasi kishte humbur një pjesë të mirë të
ushtrisë. Përpjekjet e tij për t’u ngulur në
Ilirinë bregdetare dështuan dhe pas kësaj ai nuk
provoi më të kthehej në këto anë.
Luftërat me Kasandrin tregojnë se fuqia e shtetit ilir
ishte rritur aq shumë saqë ai mundi të matej me sukses
me Maqedoninë për zotërimin e bregdetit Adriatik.
Qytetet e mëdha të këtij bregdeti prej kohësh
kishin njohur sovranitetin e mbretit ilir; të paktën mbi
Dyrrahun ishte vendosur ky sovranitet, por që nga viti 312
p.e.sonë edhe ndikimi mbi Apoloninë nuk duhet të
ketë qenë më i vogël, megjithëse pozita
juridike e këtij qyteti ndaj shtetit ilir formalisht mund të
ketë qenë pak e ndryshme nga ajo e Dyrrahut.
Pas fitores mbi Kasandrin dhe forcimit të pozitës së
tij në Dyrrah e në Apoloni, Glaukia u mor me përgatitjen
e ekspeditës që do të vinte Pirron në fronin
molos. Nuk ishte zemërgjerësia ndaj tij, as lidhjet që
kishte me të nëpërmjet së shoqes, Berojës,
bijë nga dera molose, ato që e shtynë Glaukinë
në këtë ndërmarrje të guximshme. Epiri
në këtë kohë ishte pika më nevralgjike
e kontaktit dhe hallka më e rëndësishme në kontradiktat
iliro-maqedone. Glaukia duhej ta shkëpuste këtë vend
nga ndikimi maqedon dhe t’i rikthente shtetit ilir aleatin
e humbur. Për këtë qëllim, në vitin 309
p.e.sonë, në krye të një ushtrie të madhe,
ai hyri në Epir dhe pasi mposhti kundërshtimin e grupit
promaqedon që përfaqësohej nga mbreti Alketa (ungji
i Pirros), vuri në krye të shtetit molos 12-vjeçarin
Pirro. Me këtë akt konflikti me Maqedoninë u zgjidh
në favor të ilirëve. Veprimtaria politike dhe ushtarake
e Glaukisë për rimëkëmbjen e forcimin e pozitave
të shtetit ilir u kurorëzua me sukses.
Gjatë sundimit të Glaukisë, shteti ilir jetoi ditë
lavdie; ai u bë një shtet i fuqishëm, duke përfshirë
në gjirin e tij edhe qytetet Dyrrah e Apoloni. Ai ishte e vetmja
forcë serioze që iu kundërvu Maqedonisë në
këtë pjesë të Ballkanit, dhe u bë një
faktor i rëndësishëm që ushtroi një ndikim
të fuqishëm në ngjarjet politike të kohës.
include ($_SERVER["DOCUMENT_ROOT"]."/reklama460.php");
?>
Forcimi i pushtetit mbretëror
Në vitin 302 p.e.sonë Glaukia ishte ende në krye
të shtetit ilir. Pas kësaj date ai nuk përmendet
më. Periudha që pason është mjaft e errët
dhe njihet vetëm nëpërmjet burimeve të fragmentuara,
por ndonjëherë tepër të rëndësishme.
Rreth vitit 295 p.e.sonë si mbret i ilirëve përmendet
Bardhyli i ri. Rrethanat në të cilat ai u gjend në
krye të shtetit ilir dhe marrëdhëniet e tij me Glaukinë,
të cilin e zëvendësoi, janë të paqarta.
Një lidhje martesore e paraqet Bardhylin si aleat të Pirros.
Plutarku thotë se pas vdekjes së gruas së parë,
Antigonës, Pirroja “u martua me shumë gra, për
arsye politike dhe për të rritur fuqinë e tij”.
Një ndër to ishte edhe Brikena, bija e Bardhylit, mbretit
të ilirëve. Historiani romak Justini dhe shkrimtari romak
i shek. I Frontini njoftojnë nga ana e tyre për një
fushatë të Pirros kundër ilirëve, në të
cilën ai kishte dalë fitimtar dhe kishte pushtuar edhe
qytetin që ishte kryeqendra e tyre, pa na thënë emrin
e tij. Edhe historiani grek i shek. II Apiani, gjithashtu, i bën
jehonë kësaj ngjarjeje, duke thënë se Pirroja
zotëronte një pjesë të Ilirisë gjatë
bregdetit Jon. Të gjitha këto burime nuk e përcaktojnë,
megjithatë, se deri ku u shtri sundimi i mbretit molos mbi
tokat ilire dhe si ndodhi që ai i rritur në oborrin e
Glaukisë ndërhyri me forcë në shtetin e tij.
Pas gjithë këtyre ngjarjeve fshihet një grindje e
brendshme midis trashëgimtarëve apo pretendentëve
për fronin e Glaukisë, e cila u shfrytëzua nga Pirroja.
Por nuk është për t’u përjashtuar edhe
pikëpamja sipas së cilës Bardhyli i ri të ketë
qenë një pinjoll i Bardhylit I, që vjen në fuqi
me ndihmën e Pirros, duke i lëshuar këtij të
fundit një pjesë të Mbretërisë Ilire. Vetëm
kështu mund të shpjegohet se si Pirroja u bë zot
i krahinave perëndimore të Mbretërisë Ilire,
ndofta edhe i Apolonisë, kurse Bardhylit i la krahinat lindore
rreth liqenit Lyhnid, ose në perëndim të tij.
Por pushtimi i tokave ilire prej Pirros dhe sundimi i Bardhylit
të ri si “mbret i lirëve” mbi një pjesë
të shtetit ilir nuk duhet të kenë zgjatur shumë.
Pasazhi i Apianit që thotë se këto toka i trashëguan
dhe pasardhësit e Pirros bie në kundërshtim me zhvillimin
e ngjarjeve të mëpastajme. Grindjet e brendshme për
trashëgimin e fronit të Glaukisë duket se u kapërcyen
shpejt. Në prologun e librit XXIV të historianit latin
Trogut bëhet fjalë për “luftën që
Ptolemeu e Kerouni (mbret i Maqedonisë) bënë me Monunin
ilir dhe Ptolemeun, të birin e Lysimahut”. Ky lajm që
i takon një ngjarjeje të vitit 280 p.e.sonë flet
për një sundimtar ilir që ndërhyn në grindjet
për fronin maqedon si aleat i pretendentit tjetër, birit
të Lysimahut. Sipas renditjes së Trogut, Monuni është
kundërshtar i parë i Keraunit dhe mund të supozohet
edhe iniciator i kësaj lufte. Sidoqoftë ky Monun duhet
të ishte sundimtar i një vendi, kufijtë e të
cilit takonin me Maqedoninë.
Supozimi se ai ishte një mbret dardan, sot është
zhvleftësuar duke i lënë vend mendimit se në
rastin konkret kemi të bëjmë me një sundimtar
të shtetit ilir. Figura dhe veprimtaria e tij bëhet më
e qartë nëpërmjet një monedhe të Dyrrahut.
Kjo është një tridrahme, e cila mban simbolet e njohura
të tridrahmes së mëparshme autonome të Dyrrahut;
në faqe ka një lopë duke e pirë viçi,
në shpinë një katror të mbushur me zbukurime
lineare; ndryshe prej së parës monedha e re ka një
peshë më të vogël (10,3-10,5 gr. në vend
të 10,4-11,5 gr.) dhe krahas legjendës ????? apo ??? ka
edhe emrin e mbretit (??S???OS ?????????) dhe një nofull derri
mbi lopën, që mungojnë në tridrahmat e vjetra.
Në një variant tjetër monedhave të Monunit u
është hequr legjenda e shkurtuar e qytetit dhe është
zëvendësuar me një heshtë. Këto tridrahme
janë datuar me të drejtë pas vitit 300 p.e.sonë
dhe përputhen si kohë me Monunin e përmendur prej
Trogut.
Njoftimi i Trogut dhe prerja e kësaj monedhe dëshmojnë
se me gjithë tronditjen që kishte pësuar shteti ilir
mbas vdekjes së Glaukisë nga ndërhyrja e Pirros,
Monuni kishte mundur të rimëkëmbte shtetin e tij
në të gjithë territorin e dikurshëm, prej brigjeve
të Adriatikut deri në kufi të Maqedonisë. Si
duket, ai përfitoi nga largimi i Pirros për në Itali
për t’i rikthyer shtetit të vet tokat e pushtuara.
Pushteti i tij mbi Dyrrahun ishte rritur. Duke vënë dorë
mbi punishten e monedhave, ai i thelloi më shumë se paraardhësi
i tij marrëdhëniet me këtë qytet. Varianti i
fundit i prerjeve të Monunit tregon se mbreti ilir duhet ta
ketë ndjerë veten mjaft të fortë qysh se hoqi
prej kësaj monedhe emrin e shkurtuar të Dyrrahut. Nuk
dihet se si kanë qenë marrëdhëniet e tij me
Apoloninë, por s’ka ndonjë arsye për t’i
konsideruar të ndryshme. Edhe ky qytet duhet të ketë
njohur sovranitetin e plotë të mbretit ilir, duke iu nënshtruar
atij si Dyrrahu politikisht dhe ekonomikisht.
Pasardhës i Monunit dhe i fundit prej dinastisë së
Glaukisë ka qenë Mytili. Edhe për të si traditë
letrare kemi vetëm një njoftim të shkurtër në
prologun e librit XXV të Trogut ku thuhet se “... i biri
i tij /Pirros/, Aleksandri bëri me Mytilin luftën ilire”.
Një monedhë bronzi e prerë edhe kjo në punishten
e Dyrrahut vërteton plotësisht natyrën historike
të personit të Mytilit. Kjo monedhë, e cila ka si
simbole kryet e Herakliut në faqe dhe armët karakteristike
të këtij heroi (harkun, mëzdragun dhe millin) në
shpinë, ndryshon prej prototipit të vet, sepse në
vend të nëpunësit monetar të Dyrrahut atë
e siglon këtë radhë mbreti Mytil (??S???OS ???????),
i cili ka hequr përveç kësaj nga monedha edhe legjendën
e qytetit. Vetë këto të dhëna të monedhës
tregojnë se Mytili ishte zoti i Dyrrahut dhe ushtronte mbi
këtë qytet po atë pushtet që kishte edhe paraardhësi
i tij Monuni. Monedha është tepër e rrallë,
gjë që tregon se sundimi i tij ka qenë i shkurtër.
Lufta midis Mytilit dhe Aleksandrit, për të cilën
bënte fjalë Trogu, i takon vitit 270 p.e.sonë. Për
fat të keq nuk është ruajtur ndonjë njoftim
i saktë mbi shkaqet dhe përfundimet e kësaj lufte,
gjë që ka dhënë shkas edhe për supozime
të ndryshme. Mendimi se ajo përfundoi në favor të
Aleksandrit dhe se ky u bë përsëri zot i krahinave
jugore të shtetit ilir, madje edhe i Apolonisë, u referohet
Frontinit dhe Apianit. Një shqyrtim më i kujdesshëm
i njoftimeve të tyre tregon se këto përfundime nuk
janë plotësisht të drejta. Është e vërtetë
se Frontini, që plotëson Trogun, bën fjalë për
një ndeshje në të cilën Aleksandri mundi ilirët,
por përleshja zhvillohet në tokën epirote dhe nga
ky lajm nuk del se ai pushtoi qoftë edhe ndonjë pjesë
nga tokat e shtetit ilir. Sa për njoftimin e Apianit, ai ka
karakter tepër të përgjithshëm dhe as ky dhe
as ndonjë autor tjetër nuk paraqesin prova se Apolonia
ka qenë nën sundimin e ndonjë mbreti epirot.
4. FUQIZIMI I SKLLAVOPRONARISË
Lulëzimi i qyteteve. Pamja e tyre
Periudha midis viteve 335-230 p.e.sonë është koha
e shtrirjes së mëtejshme të jetës qytetare në
Iliri, e zhvillimit të vrullshëm dhe e lulëzimit
të qytetit ilir. Ajo përputhet me fuqizimin më të
madh të shtetit ilir. Jeta qytetare u zhvillua veçanërisht
në krahinat e ultësirës bregdetare, në shpinë
të Dyrrahut e Apolonisë, zonë që përbënte
tani qendrën e shtetit ilir. Për Damastionin dhe qytetet
e tjera të brendshme në burimet nuk bëhet më
fjalë. Duket se pas hyrjes së disa krahinave lindore në
përbërjen e shtetit maqedon, këto qytete e humbën
rëndësinë që kishin në kuadrin e shtetit
ilir. Qytete të tjera, si Bylisi, Amantia, Kanina (Thronioni
?) janë ndër ato qytete të vjetra, që u rritën
e u zhvilluan dhe luajtën në këtë kohë
një rol të dorës së parë. Krahas tyre lindën
në këtë zonë edhe një varg qytetesh të
reja, si Dimli, Olympe (Mavrovë-Vlorë), Gurzeza (Cakran),
Antipatrea, qytetet në Zgërdhesh (Albanopoli ?), në
Gradishtën e Belshit, në Selcën e Poshtme, në
Irmaj etj., të panjohura më parë. Që nga kjo
kohë jeta qytetare shtrihet edhe në krahinat bregdetare
në veri të lumit Mat. Qendrat e para urbane në këto
anë, Lisi, Skodra, Meteoni, Ulqini, Rizoni etj., lindën
vetëm në fundin e shek. IV - fillimin e shek. III p.e.sonë.
Por në krahinat e brendshme të luginës së Matit
e të Drinit të mesëm nuk ka ende dëshmi të
qendrave urbane dhe duket se jeta qytetare këtu nuk u zhvillua.
Qytetet e reja si edhe më parë, zënë një
vend qendror midis një krahine të pasur nga pikëpamja
ekonomike dhe lidhen me rrugët më të rëndësishme
të komunikacionit tokësor e detar. Procesi i lindjes së
tyre ndjek në përgjithësi rrugën e njohur të
zhvillimit të mëtejshëm të vendbanimeve të
fortifikuara të epokës së hekurit, por në disa
raste si në Dimale, Olympe, Selcë e Poshtme etj., qyteti
lind mbi një truall të ri. Karakteristikë e veçantë
e qyteteve në veri të lumit Mat është se ato
janë të kthyera me fytyrë nga deti. Për ndërtimin
e tyre janë zgjedhur gjiret e futura apo grykat e lumenjve,
vende të lidhura me detin, por edhe të mbrojtura nga rreziqet
dhe të papriturat e tij.
Pamja e përgjithshme urbanistike nuk është e njëjtë
për të gjitha qytetet ilire të kësaj kohe. Ato
dallohen sipas madhësisë dhe rolit ekonomik e politik
të tyre: ka qendra të mëdha qytetare, si Bylisi,
Dimale, Nikaja, Amantia, Antigona, Skodra, Lisi etj., ka edhe qendra
më të vogla prodhimi, si Albanopoli, Belshi, Irmaj, Symiza,
Gurzeza, Kanina, Treporti, Çuka e Ajtojt etj. Një kategori
tjetër formojnë qendrat me fizionomi qytetare, por me
funksione ushtarake dhe administrative, si Beltoja, Xibri, Dorezi,
Peshtani, Rabija, Cerja, Lekli, Selo, Ripsi etj.
Duke u mbështetur në kushtet e terrenit dhe të rrethanave
në të cilat lindi dhe u zhvillua qyteti ilir mund të
veçohen tre tipa qytetesh.
Tipin e parë e përbëjnë ato qytete, të
cilat kanë një akropol në majë dhe qytetin poshtë
tij. Të tilla janë Lisi, Zgërdheshi dhe ndonjë
qendër tjetër që u ndërtuan në faqe kodrash.
Qendrat e vjetra që u dhanë jetë këtyre qyteteve
zinin më parë majat e kodrave. Me kalimin e kohës
kufijtë e ngushtë të këtyre qendrave u kapërcyen
dhe qyteti u shtri nëpër faqet e kodrave. Kur u forcuan
ekonomikisht qytetet rrethuan sipërfaqen e re me mure mbrojtëse,
duke i zgjatur ato në vijim të mureve ekzistuese të
vendbanimit të mëparshëm; muri i poshtëm i qendrës
së vjetër u kthye në këtë rast në
një mur të brendshëm të tërthortë,
që ndante qytetin në dy pjesë: në atë të
sipërm - akropolin, dhe në atë përfund tij -
qytetin e poshtëm. Në Lis, ky tip qyteti pati një
zhvillim të mëtejshëm, duke krijuar një ndarje
të tretë, qytetin e mesëm, që veçohej
prej pjesëve të tjera të qytetit me një mur
të dytë të brendshëm.
Qendra e vjetër e tyre ishte ndërtuar mbi pllajën
e vogël të një kodre të veçuar me faqe
të thepisura, prandaj qyteti u zhvillua këtu rreth e qark
qendrës së vjetër. U krijua kështu një
tip qyteti me akropolin në mes dhe qytetin rreth tij. Qytetet
e këtij tipi duket se nuk kishin një mur të jashtëm
rrethues për lagjet e jashtme dhe mjaftoheshin vetëm me
fortifikimin e akropolit.
Ndryshe prej këtyre qyteteve, Antipatrea, Dimale, Margëlliçi,
Irmaj etj., u ngritën mbi kodra që kishin një syprinë
kryesisht të rrafshtë me kurrize e thyerje të buta.
Këto qytete që lindën mbi një truall të
ri duket se nuk kanë pasur akropol dhe territoret e tyre rrethoheshin
me një mur të vetëm. Ato përbëjnë
tipin e tretë të qyteteve ilire.
Prej qyteteve të vjetra Bylisi ndoqi një rrugë të
veçantë në zhvillimin e tij. Kodra e Klosit, mbi
të cilën ishte ngritur qyteti i vjetër, në fund
të shek. IV nuk i plotësonte më nevojat e zgjerimit
të kësaj qendre. I vetmi vend që paraqiste kushte
më të përshtatshme për këtë qëllim
ishte kodra e Hekalit, 1 500 m prej Klosit, ku filluan të vendosen
qytetarët, duke i dhënë jetë një vendbanimi
të ri. Që nga kjo kohë të dyja qendrat u zhvilluan
paralelisht si dy pjesë të veçanta, por të
ndërlidhura, të një dyqytetshi, ku i riu fitoi epërsinë
dhe u bë më përfaqësuesi. I parë më
vete Bylisi ka të gjitha tiparet e qyteteve të tipit të
tretë, pa akropol. por së bashku me Klosin ai përbën
një kategori të veçantë qyteti.
Pavarësisht nga klasifikimet e ndryshme që mund t’u
bëhen qyteteve ilire, trajtimi i tyre urbanistik u përgjigjej
disa kërkesave themelore, siç ishin vendosja e qendrës
së banuar në një terren jo të sheshtë,
rrethimi i saj me mure, ndarja e territorit brenda mureve në
tri pjesë kryesore, për banim, për veprimtari shoqërore
e mbrojtje dhe krijimi sipas kushteve të terrenit, i unitetit
midis agorasë dhe komplekseve të banimit.
Një nga kriteret bazë të qytetit ilir të asaj
kohe ishte modelimi sipas vijës së jashtme i mureve rrethuese,
traseja e të cilëve shfrytëzon sa më mirë
mundësitë mbrojtëse të terrenit. Në këtë
sistem fortifikimi muret e qendrave të vjetra të epokës
së hekurit shfrytëzoheshin vetëm pjesërisht.
Qytetet e ngritën mbrojtjen e tyre mbi një bazë krejt
të re që u përgjigjej nivelit dhe kërkesave
të kohës. Muret rrethuese të Lisit dhe të Shkodrës
u ndërtuan në stilin e njohur trapezoidal-poligonal, kurse
ato të Bylisit, Dimales, Margëlliçit, Irmajt e
të Zgërdheshit, ndiqnin stilin kuadratik. Këto ishin
mure të fuqishme të ndërtuara me blloqe të mëdha
e të skalitura me një trashësi prej 2,70-3,50 m dhe
që në kohën e vet arrinin një lartësi prej
10-12 m. Ato përforcohen tani me kulla të shumta.
Në qoftë se vendbanimet e para kishin një ose dy
porta, qytetet që kanë tani një jetë më
të dendur dhe lëvizje të madhe kanë porta të
shumta, të mëdha e të vogla, për të lehtësuar
hyrjen e daljen e qytetarëve. Meqenëse portat përbënin
pikat më të prekshme, mbrojtjes së tyre i kushtohej
një kujdes i veçantë. Ato zakonisht vendoseshin
midis dy kullave dhe në rastin kur mbroheshin nga një
e tillë e vetme, atëherë kulla ngrihej në anën
e djathtë të hyrjes, me qëllim që të shfrytëzohej
krahu i zbuluar i armikut.
Nuk njihet ende në masën e duhur ndërtimi i brendshëm
i këtyre qyteteve, por edhe ato të dhëna të
pakta që kemi dëshmojnë se ato janë ndërtuar
sipas shembullit të qyteteve bashkëkohëse në
Greqi, Maqedoni dhe në Epir, në bazë të parimeve
urbanistike të njohura të kohës helenistike. Përveç
ndarjeve të mëdha, akropolit dhe qytetit të mesëm
e të poshtëm, në këto qytete dallohet edhe pjesa
ku ndodheshin sheshi publik dhe tregu i qytetit. Skodra e Lisi dhe
qytete të tjera të ngritura buzë detit apo lumenjve,
kishin edhe skelat e tyre.
Rrugët ishin një element themelor urbanistik që e
ndanin qytetin në insola, që niseshin nga hyrjet kryesore
apo të dyta, përshkonin qytetin në drejtime të
ndryshme dhe lidhnin në mënyrë organike pjesët
përbërëse të tij.
Vendet më në dukshme janë përdorur në qytetet
ilire për ndërtimin e godinave të rëndësishme
shoqërore. Vende të tilla zinin tempujt, teatrot, portikët,
stadiumi në Bylis, Amantie, Dimale etj., varret monumentale
në Selcë të Poshtme etj. Kur terreni ishte i pjerrët,
ai sistemohej për nevoja të ndërtimeve qytetare me
anë tarracash.
Një kujdes i veçantë i kushtohej pajisjes së
qytetit me kanale kulluese, të cilat shkarkonin ujërat
jashtë mureve rrethuese. Furnizimi me ujë të pijshëm
mbështetej kryesisht në sterat dhe rezervuaret që
ndërtoheshin brenda qytetit ose në trashësinë
e mureve rrethuese.
Një ide mbi madhësinë e qyteteve ilire e japin hapësira
që ato zinin dhe perimetri i mureve të tyre rrethuese.
Kështu, Lisi zinte një sipërfaqe prej rreth 20 ha
dhe muret e tij kishin një gjatësi prej 2 200 m; Bylisi
shtrihej mbi një sipërfaqe prej 28 ha, ndërsa muret
ishin 25 550 m të gjatë, kurse Klosi kishte pushtuar në
kodrën e vet 18 ha tokë, që rrethoheshin prej muresh
me një gjatësi prej 1 850 m. Nuk dimë shtrirjen e
saktë të Skodrës, por duket se ka qenë pak më
e madhe se ajo e Lisit. Qytetet e tjera, si Antipatrea, Dimale,
Zgërdheshi kishin një madhësi mesatare: sipërfaqja
e shtrirjes së tyre arrinte deri në 10-15 ha, kurse muret
perimetrale nuk i kalonin të 1 400 m. Një grup i tretë
qytetesh, si Irmaj, Margëlliçi etj., ishin më të
vegjël; muret e tyre ishin nën 1 400 m të gjatë
dhe rrethonin sipërfaqe të vogla prej 5-7 ha. Megjithëse
qytetet e kësaj kohe shtriheshin edhe tej mureve rrethuese
(jashtë tyre gjejmë dendur gjurmë banesash, tempuj
e ndërtime të tjera), prapëseprapë truallin
kryesor të qytetit e përbënte territori brenda mureve
rrethuese.
Muret rrethuese dhe godinat shoqërore që janë ruajtur
dëshmojnë se ndërtimet e tyre u nënshtroheshin
parimeve të njohura të urbanistikës antike. Vetëm
ndërtues të aftë dhe me njohuri të thella teknike
mund të zgjidhnin detyrat e ndërlikuara që paraqisnin
ndërtimet mbrojtëse dhe ato me karakter publik e privat,
në atë shkallë të gjerë dhe në atë
nivel të lartë që njohin qytetet ilire që nga
fundi i shek. IV deri në mesin e shek. III. Jeta dhe kërkesat
e kohës i përgatitën këta ndërtues midis
vetë popullsisë ilire. Realizimi i këtyre ndërtimeve
ishte vepër e një shoqërie skllavopronare që
kishte mundësitë e organizimit dhe të sigurimit të
materialeve për një veprimtari kaq të gjerë
ndërtuese.
Procesi i shndërrimit të disa qendrave të fortifikuara
të epokës së hekurit në qytete nuk përfshin
dhe as që mund të përfshinte të gjitha këto
qendra. Midis tyre u veçuan dhe u kthyen në qytete vetëm
ato që kishin një pozitë gjeografike të përshtatshme
për një zhvillim më të lartë. Pjesa tjetër,
më e madhja e tyre, ruajti pamjen e dikurshme me një jetë
ekonomike të kufizuar. Nevojat e mbrojtjes dhe të tregtisë
bënë, nga ana tjetër, që krahas këtyre
qendrave të lindin në rrugët e komunikacionit ose
rreth qyteteve edhe një varg vendbanimesh të vogla, të
fortifikuara, me funksione ushtarake e administrative. Të tilla
mund të konsiderohen kalaja e Xibrit në Mat, e cila zinte
një pikë kyçe në rrugën që të
çonte prej Dyrrahut në krahinat e brendshme lindore
nëpër Shkallën e Tujanit - Qafë Murrizë
- Dibër - Maqedoni; qyteza e Shkamit në rrugën e
Krrabës, kulla e Kamunaut në Sulovë, në rrugën
që lidhte ultësirën bregdetare pas Apolonisë
me luginën e Devollit; pikëvrojtimi i Rabies në Mallakastër,
në rrugën që ndjek krahun e djathtë të
Vjosës e të tjera si këto, të cilat gjenden
pa përjashtim në të gjitha rrugët e dorës
së dytë që përshkonin truallin e vendit tonë.
Tek autorët antikë dhe në burimet epigrafike këto
qendra përmenden si kështjella apo fortesa rreth qyteteve
me termat castellum apo peripolia. Ato janë në funksion
të qyteteve qoftë nga pikëpamja strategjike dhe administrative,
qoftë nga ajo ekonomike. E para duket në vendosjen e tyre
pranë qafave ose rrugëve që të çojnë
drejt qytetit, duke krijuar një kurorë fortifikimesh në
zonën gjeografike ku qyteti mbizotëron me ekonominë
e vet. E dyta shprehet në faktin se ato më tepër
konsumojnë prodhimet e qytetit sesa prodhojnë vetë.
include ($_SERVER["DOCUMENT_ROOT"]."/reklama460.php");
?>
Rritja e prodhimit zejtar dhe e tregut
Në fushën e prodhimit kjo periudhë shënon përparime
të dukshme. Punishte të shumta metalesh funksiononin në
çdo qytet. Mbeturinat e farkave, zgjyrat, të cilat janë
ndër gjetjet e zakonshme në trojet e këtyre qyteteve,
dëshmojnë qartë për këtë. Pasuritë
minerale të Ilirisë së Jugut, veçanërisht
ato të bakrit dhe të hekurit u siguronin atyre lëndë
të parë të bollshme. Në këto punishte farkëtoheshin
veglat e punës, armët dhe punoheshin stolitë e enët
metalike që u nevojiteshin qytetarëve dhe banorëve
të rretheve në jetën e tyre të përditshme.
Gjetja me shumicë e këtyre sendeve në qytetet dhe
në varrezat e kësaj kohe dëshmon për karakterin
intensiv të prodhimit zejtar dhe për konsumin e gjerë
të këtyre mallrave.
Në qytete kishte edhe punishte zejesh të tjera si ato
për regjjen e lëkurave, punimin e veshmbathjes, endjen
dhe thurjen e rrobave etj. Një nga zejet më të rëndësishme
ishte ajo e gurgdhendësve, të cilët angazhoheshin
në ndërtimet monumentale të qytetit, si në ndërtimin
e mureve rrethuese të qytetit, në godinat shoqërore,
në ngritjen e varreve monumentale etj. Veprimtaria e grupeve
të specializuara të gurgdhendësve provohet nga guroret
e zbuluara në Selcë të Poshtme, Bylis, Amantia, në
shkallët e Konispolit etj.
Zhvillim të dukshëm mori edhe zejtaria e prodhimeve qeramike.
Enët prej balte që dilnin tani nga punishtet e qyteteve
ishin të punuara kryesisht me çarkun e poçarit,
kurse sasia e atyre të punuara me dorë është
tepër e kufizuar. Kalimi në teknikën e re të
prodhimit të enëve u shoqërua me largimin nga format
tradicionale dhe me përshtatjen në shkallë të
gjerë të formave greke. Nuk mungojnë edhe përpjekjet
për të zhvilluar format e vjetra, por zakonisht ato çojnë
në ndërthurje eklektike që nuk gjejnë përhapje
të gjerë, me sa duket për shkak se nuk u përgjigjeshin
kërkesave të tregut dhe shijeve të kohës. Prodhimi
i enëve me forma greke merr përhapje të gjerë.
Kështu nga furrat e punishteve qeramike të qyteteve ilire
dalin tani enë të llojeve të ndryshme, duke filluar
prej atyre të mëdha, si pitosa e amfora e deri tek enët
e përdorimit të gjerë apo të luksit të
lyera me vernik të zi apo të pikturuara. Një vend
me rëndësi në këtë kohë zë edhe
prodhimi i tullave e sidomos i tjegullave, që përdoreshin
në ndërtimin e banesave dhe të godinave shoqërore.
Sot njihen pothuajse për çdo qytet punishte qeramike
të tilla që ishin pronë private e qytetarëve
ilirë. Sipas vulave që kanë enët apo tjegullat
del se një punishte në Lis ishte pronë e një
farë Ortai; në Irmaj pronarët e punishteve quheshin
Trito, Pato, Bato dhe Pito; një vulë me emrin e Kleitit,
nga rrethi i Gramshit i takon një punishteje në Irmaj.
Një Plator vulos buzën e një pitosi të gjetur
në Tren të Korçës, kurse një Epikad te
një enë tjetër e këtij lloji nga rrethi i Pogradecit.
Pronari i një punishteje qeramike në Selcë të
Poshtme (Polion) quhej Gent , në Bylis (Klos) një punishte
e tillë i takonte Balaneut , kurse në Dimal kemi pronarët
Epikad dhe Olnio. Në qytete të tjera, si në Zgërdhesh
e Margëlliç vulat e pronarëve janë të
shënuara me monograme apo shenja simbolike. Krahas këtyre,
nëpër këto qendra ka edhe vula që mbajnë
emra grekë e maqedonë. Prania e këtyre emrave në
vulat e punishteve qeramike të qyteteve ilire nuk është
domosdo e lidhur me qytetarë të origjinës greke apo
maqedone në këto qendra. Në periudha të caktuara
dhe aty ku pati vend një pushtim i qëndrueshëm maqedon,
kjo gjë padyshim edhe mund të ketë ndodhur. Por kjo
dukuri lidhet kryesisht me ndikime të karakterit kulturor,
si pasojë e të cilave këta emra u përhapën
dhe u adaptuan nga popullsia ilire. Dëshmi të gjalla të
kësaj dukurie vihen re në mbishkrimet varrimore të
Apolonisë e të Dyrrahut ku emri i parë është
grek, kurse i dyti, ai i atit, është ilir ose anasjelltas.
Në Apoloni kemi emra të tillë, si Nikanori i Gentit
(???a???a Ge?????), ose në Dyrrah Anaia e Glaukisë (?????a
G?a???a), Epiktesi i Tritos (?p??t???? ???t??), Teutaia e Aristionit
(?e?t??a ??e?????), Euklidi i Tritos (?p??t?a?? ???t??), Teutaia
e Aleksenit (?e?t??a ??e??????), Brygu i Afrodisit (?????? ?f??d?s?)
etj.
Rritja e prodhimit zejtar i dha hov qarkullimit më të
dendur të mallrave dhe zgjerimit të tregtisë. Prodhimet
e zejtarisë së qyteteve ilire mbulojnë tani rrethin
e tyre të ngushtë dhe lëvizin në drejtimet më
të ndryshme për të ushqyer reciprokisht tregjet e
njëri-tjetrit; jo rrallë ato shtrihen në krahina
të brendshme. Në qoftë se deri në fund të
shek. IV popullsia e këtyre krahinave të largëta
kënaqej me prodhimet e qeramikës lokale të punuar
me dorë ndërsa prodhimet e importit ishin sende luksi
tepër të rralla, më vonë prodhimet e qeramikës
qytetare ilire depërtojnë gjerësisht në këto
anë dhe hyjnë në konsumin e përditshëm
të popullsisë. Zonat e thella të dasaretëve
dhe të fiseve të tjera më të vogla që banonin
në krahinat malore të rrjedhjeve të sipërme
të Shkumbinit, të Devollit dhe të Osumit furnizonin
me prodhimet e tyre qytetet e jugut, të cilat ishin më
të dendura dhe më të zhvilluara.
Marrëdhëniet e botës ilire me Dyrrahun e Apoloninë
bëhen më intensive. Megjithëse këto nuk janë
më qendrat e vetme që furnizojnë tregun ilir, prapëseprapë
vazhdojnë të luajnë një rol të rëndësishëm.
Midis tyre duket se ka një ndarje të qartë të
zonave të tregtimit: ndërsa Dyrrahu shtrin veprimtarinë
e vet kryesisht mbi krahinat në veri të Shkumbinit, në
orbitën e Apolonisë hyjnë ato në jug të
këtij lumi. Përmes këtyre dy qendrave përhapen
gjerësisht në Iliri edhe prodhimet e qyteteve të
Apulisë. Mallrat e qendrave greke që gjenden krahas tyre
janë përkundrazi më të rralla, kurse ato maqedone
dhe të Epirit ndeshen kryesisht në zonat kufitare.
Rrugët kryesore nëpër të cilat lëviznin
mallrat dhe zhvillohej tregtia me botën ilire ishin luginat
e lumenjve; ndër to ajo e Drinit, e Shkumbinit, e Devollit,
e Osumit dhe e Vjosës formonin arteriet më të rëndësishme.
Rrugë të tjera të shumta, të dorës së
dytë, përshkonin grykat e ngushta dhe qafat e maleve për
të lidhur njërën krahinë me tjetrën. Sado
të vështira që ishin këto rrugë, asnjë
krahinë e Ilirisë Jugore nuk mbeti në këtë
kohë e izoluar dhe jashtë ndikimit të marrëdhënieve
tregtare me qytetet. Më e rëndësishmja është
se në tregun e brendshëm mbizotëronin prodhimet lokale,
të cilat konkurronin si me prodhimet që vinin nga Dyrrahu
e Apolonia, ashtu edhe me ato të importit dhe që ishin
kryesisht sende luksi.
Fuqizimi ekonomik dhe rritja e prodhimit zejtar u lejoi qyteteve
Skodra, Bylis, Amantia e Olympe të presin gjatë gjysmës
së parë të shek. III monedhat e tyre prej bronzi
në emër të bashkësive qytetare përkatëse.
Organizimi shoqëror e politik
Burimet nuk hedhin dritë plotësisht mbi strukturën
shoqërore dhe organizimin politik të qytetit ilir. Megjithatë
nuk është vështirë të kuptohet se një
bazë ekonomike e tillë si ajo që u krijua në
Iliri në kohën e lulëzimit të jetës qytetare
i takonte një shoqërie antike të zhvilluar me të
gjitha tiparet e saj.
Duke qenë qendra ekonomike, një vend me rëndësi
në popullsinë e qyteteve zinte shtresa e prodhuesve zejtarë
dhe e mjeshtërve ndërtues, të cilët mund të
ishin qytetarë të lirë ose dhe skllevër. Prania
e këtyre të fundit dëshmohet në qytetet ilire
vetëm përmes burimeve që lidhen me ngjarjet e mbarimit
të shek. III dhe ato të fillimit të shek. II p.e.sonë,
por nuk ka dyshim se në këtë kohë ato nuk janë
një dukuri e re, ashtu si nuk janë vetë qytetet që
përmendëm. Shtresën tjetër të popullsisë
e përbënin pronarët e punishteve zejtare, tregtarët
dhe në qytetet bregdetare, detarët. Krahas tyre, në
qytetet ilire jetonin, me sa duket, edhe përfaqësues të
aristrokracisë së vjetër fisnore që mbështeteshin
në pronën e tokave dhe të blegtorisë. Si e tillë
popullsia e qyteteve paraqitej në këtë etapë
e diferencuar shumë qartë në shtresa shoqërore
me interesa të ndryshme.
Nga pikëpamja e organizimit politik mbi bazën e federalizmit
qyteti së bashku me rrethinat fshatare dhe kështjellat
që formonin sistemin e tij mbrojtës dhe u shërbenin
nevojave të tregtisë, përbënin koinonin që
mbante emrin e qytetit kryesor, i cili ishte qendra e kësaj
njësie. Koinoni kishte organe që zgjidheshin çdo
vit nga eklesia ose mbledhja e përgjithshme. Prej saj dilte
këshilli legjislativ ose buleja, si dhe organi përfaqësues
i njësive i përbërë nga damiorgët. Zbatimi
i vendimeve bëhej nga një kolegj nëpunësish,
të quajtur prytanë që zgjidheshin çdo vit,
të shoqëruar nga një sekretar. Në krye të
koinonit qëndronte strategu. Në koinonin e bylinëve
strategu ishte një nëpunës ushtarak që shoqërohej
në këtë funksion edhe nga hiparku, komandanti i kalorisë.
Pastaj vinin me radhë nëpunësit e ngarkuar me edukimin
e rinisë (gymnasiarkët), me organizimin e festave dhe
të garave sportive (epimeletët), me drejtimin e rojeve
(toksarkët, peripolarkët) etj.
Koinoni duke qenë një organizëm autonom përbënte
një njësi administrative të shtetit ilir. Si rrjedhim,
shteti përbëhej nga disa koinone të organizuara mbi
bazën e federatizmit.
Veprimtari e rëndësishme e qyteteve ishte emetimi i monedhave.
Skodra, Lisi, Bylisi, presin monedhat e tyre në emër të
bashkësive qytetare, gjë që dëshmon jo vetëm
për fuqinë ekonomike të këtyre qyteteve, por
edhe për një autonomi politike që ato gëzonin
në kuadrin e shtetit ilir. Simbolet e monedhave të tyre
hedhin dritë, mbase edhe mbi karakterin e pushtetit politik
në këto qytete. Pasqyrimi i anijes në monedhat e
Skodrës ka mundësi të përfaqësojë
një shenjë për tregtinë detare që zhvillonte
qyteti dhe të jetë, në këtë mënyrë,
një e dhënë e tërthortë për peshën
sunduese të shtresës tregtare në qytet. Në Bylis,
përkundrazi, përdoret si simbol fytyra e themeluesit legjendar
të qytetit, duke theksuar me këtë traditën,
me të cilën lidhej kryesisht shtresa aristrokratike e
qytetit.
Pak më i qartë bëhet ky problem në burimet e
çerekut të fundit të shek. III. Këtu për
herë të parë bëhet fjalë se në krye
të qyteteve qëndronin polidinastet (sundimtarë të
qyteteve), të cilët i nënshtroheshin plotësisht
pushtetit të mbretit.
include ($_SERVER["DOCUMENT_ROOT"]."/reklama460.php");
?>
Dyrrahu dhe Apolonia
Përfshirja e Dyrrahut dhe e Apolonisë në gjirin e
shtetit ilir pati pasoja të rëndësishme si për
jetën e këtyre qyteteve, ashtu edhe për vetë
shtetin ilir.
Të dhënat arkeologjike tregojnë se qysh nga çereku
i fundit të shek. IV p.e.sonë, lidhjet e këtyre qyteteve
me botën ilire bëhen më të dendura dhe më
të drejtpërdrejta. Tregtisë së Dyrrahut dhe
të Apolonisë iu hapën lirisht rrugët e gjera
të tregut ilir. Që nga kjo kohë në krahinat
e brendshme ilire fillojnë të depërtojnë me
lehtësi prodhimet e zejtarisë së zhvilluar të
tyre. Nëpërmjet këtyre qyteteve, në Iliri hynin
mallrat e importit, midis të cilave vendin më të
rëndësishëm e zinin ato që vinin nga brigjet
e përtejme të Adriatikut.
Dyrrahu dhe Apolonia fillojnë të hedhin në treg monedha
të reja argjendi, ndër të cilat përhapje të
gjerë merr drahma e argjendtë e këtyre dy qyteteve.
Ajo ishte destinuar kryesisht për tregtinë me botën
ilire, prandaj edhe me të drejtë është pagëzuar
“drahma ilire”. Shfaqje e re e kësaj kohe është
prerja nga këto qytete e monedhave të bronzit. Vënia
në qarkullim dhe pranimi në masë, siç tregojnë
gjetjet, i këtyre monedhave me vleftë shumë herë
më të vogël se monedhat e argjendit, tregon se ekonomia
monetare ishte zhvilluar në një shkallë të gjerë
në Iliri.
Gjatë kësaj kohe Dyrrahu dhe Apolonia jetojnë një
periudhë të vërtetë lulëzimi. Ndërtimet
më të rëndësishme e më monumentale në
këto qytete i përkasin periudhës pas mesit të
shek. IV p.e.sonë. Forcimi ekonomik dhe pasurimi i tyre nga
tregtia me botën ilire u lejuan të ndërtonin mure
të fuqishme mbrojtëse, që përfshinin në
gjirin e tyre sipërfaqe shumë më të mëdha
nga ato që njihnin më parë, të ngrinin tregje
e sheshe publike, shëtitore, tempuj, gjimnaze e godina të
mëdha administrative.
Një dukuri e re filloi të përshkojë dhe të
ndryshojë në një drejtim të caktuar jetën
shoqërore të këtyre qyteteve dhe përbërjen
e mëparshme etnike të tyre. Emrat ilirë që janë
gjetur vitet e fundit mbi gurët e varreve të zbuluara
në nekropolin e Dyrrahut, përbëjnë mbi 1/3 e
tërësisë së emrave të njohur në këtë
qytet nga monumentet epigrafike. Këto emra dëshmojnë
praninë në masë të popullsisë ilire në
to. Emrat ilirë të prytanëve dhe të nëpunësve
monetarë që gjenden në të dyja faqet e monedhave
prej argjendi dhe bronzi dhe emrat në vulat e tjegullave të
Dyrrahut dhe të Apolonisë, tregojnë se popullsia
ilire kishte një peshë me rëndësi në jetën
ekonomike, dhe kishte siguruar të drejta qytetare të plota
deri në zënien e posteve më të larta në
jetën administrative e politike të qytetit. Midis emrave
të shumtë ishin edhe këta: ??????, Ge?????, ?a????,
?aa???da?, ???ta???, ?????????, ???t??, për Dyrrahun, ?at??,
?p??ad?? etj., për Apoloninë.
Kështu qysh nga fundi i shek. IV p.e.sonë, Dyrrahu dhe
Apolonia humbasin karakterin tipik të një kolonie, mbasi
popullsia e tyre përbëhet në një përqindje
të madhe edhe nga ilirët. Procesi i ilirizimit të
këtyre qyteteve, rezultat i shtrirjes së sovranitetit
ilir mbi to, ushtroi një ndikim të thellë mbi gjithë
jetën sociale-politike e kulturore të Ilirisë në
shekujt e mëpastajmë. Rezultati i këtij procesi qe
shkëputja e plotë e Dyrrahut dhe e Apolonisë nga
qytetet mëmë dhe integrimi i tyre i plotë në
jetën ekonomike e politike të shtetit ilir. Këtë
integrim e favorizonte përputhja e interesave të tyre
ekonomike e politike me ato të shtetit ilir. Mbreti dhe shtresa
sunduese e shtetit ilir lakmonin fuqinë ekonomike të këtyre
qyteteve të mëdha, kurse skllavopronarët e Dyrrahut
dhe të Apolonisë pushtetin e fuqishëm të sundimtarëve
ilirë mbi një krahinë shumë më të
gjerë se sa territoret e ngushta të qyteteve-shtete të
tyre me pasuri dhe treg të gjerë. Rezultati u arrit, siç
tregojnë faktet, sado të pakta, nëpërmjet një
lufte të ashpër politike, mjaft të ndërlikuar,
ku u përzien edhe fuqi të jashtme, por edhe si rrjedhojë
e një domosdoshmërie të diktuar nga kushtet objektive
të kohës.
include ($_SERVER["DOCUMENT_ROOT"]."/reklama460.php");
?>
5. RËNIA E DINASTISË
SË GLAUKISË
Gjendja politike në vitet 270-231
Pas luftës së fundit të Mytilit kundër Aleksandrit
II të Epirit, në vitin 270, nuk flitet më në
burimet për shtetin ilir. Duke zbritur drejt vitit 230 dalin
të dhëna të reja mbi këtë shtet.
Megjithëse në vështrimin e parë kjo duket si
një periudhë e errët, ajo përbën në
vetvete një faqe me shumë interes në historinë
ilire. Gjatë gjysmë shekulli, që nga Glaukia deri
te Mytili, shteti ilir kishte mundur t’i bënte ballë
me sukses agresionit të Kasandrit dhe më pas të Pirros
e pasardhësit të tij. Të gjithë këta kishin
dështuar në ndërmarrjet e tyre dhe më në
fund qenë detyruar të hiqnin dorë prej Ilirisë.
Ndërkaq gjendja në Greqi mbetej e paqëndrueshme.
Sundimtarët maqedonë, Antigon Gonata dhe i biri i tij
Demetri, u gjendën tërësisht të angazhuar në
teatrin grek të veprimeve politike e ushtarake për të
ruajtur hegjemoninë e Maqedonisë në këto anë.
Për shtetin ilir kjo qe një periudhë qetësie
në marrëdhëniet me fqinjët, veçanërisht
me Maqedoninë, dhe me këtë duhet shpjeguar edhe heshtja
e burimeve. Por nuk qe Gonata ai që “diti, siç
pretendohet, t’u imponojë paqen fqinjëve veriperëndimorë”.
Burimet nuk bëjnë fjalë për një gjë
të tillë. Në qoftë se midis Ilirisë dhe
Maqedonisë nuk pati në këtë kohë ndonjë
konflikt, kjo duhet shpjeguar më tepër me faktin se ilirët,
të lodhur nga luftërat e deriatëhershme, nuk mundnin,
pra, edhe nuk kërkuan t’i shfrytëzonin vështirësitë
e Maqedonisë në interes të tyre.
Ndërkaq ka të ngjarë që nga mesi i shek. III
p.e.sonë ose pak më parë shteti ilir të ketë
njohur një periudhë trazirash të brendshme, hollësitë
e të cilave nuk njihen mirë. Nuk është çudi
që zhvillimi i vrullshëm i qyteteve të veriut, të
mbetura jashtë konflikteve luftarake që prekën pjesën
jugore të shtetit ilir bashkë me qytetet e tij, të
ketë ndryshuar raportin e forcave dhe të ketë ndikuar
apo të jetë bërë bazë e ndryshimeve politike
që pasqyrohen vetëm në zëvendësimin e dinastisë
sunduese të Glaukisë me atë të Agronit dhe në
shkëputjen e dy qyteteve të rëndësishme të
Adriatikut Lindor, të Dyrrahut e të Apolonisë, nga
shteti ilir.
include ($_SERVER["DOCUMENT_ROOT"]."/reklama460.php");
?>
|