| K R E U
VI
SHQIPËRIA NË KOHËN E GJERGJ
KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT
(1443 - 1468)
1. RIMËKËMBJA E
SHTETIT TË KASTRIOTËVE DHE
FORMIMI I LIDHJES SHQIPTARE TË LEZHËS
Jeta dhe veprimtaria e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut
deri më 1443
Gjergj Kastrioti lindi rreth vitit 1405. Ishte fëmija i parafundit
në familjen me shumë fëmijë të Gjonit e
të Vojsavës. Këta kishin katër djem (Stanishën,
Reposhin, Konstandinin e Gjergjin) dhe pesë vajza (Marën,
Jellën, Angjelinën, Vlajkën e Mamicën).
Kur lindi Gjergji, i ati, Gjon Kastrioti, ishte sundimtar i një
shteti të rëndësishëm, që shtrihej së
paku nga rrethinat e Prizrenit e të Tetovës në lindje
deri në detin Adriatik në perëndim. Qendra administrative
e tij duhet të ketë qenë Prizreni. Këtu duhet
të ketë lindur edhe Gjergji.
Që kur Gjergji ishte fëmijë, familja e Kastriotëve
i ndjeu rrjedhimet shkatërrimtare të pushtimeve osmane.
Dokumentet tregojnë se në vitin 1409 Gjon Kastrioti ishte
detyruar t'u dorëzonte peng osmanëve një nga djemtë
e tij, ndoshta Stanishën, dhe më pas edhe djalin e vogël,
Gjergjin. Ky u dorëzua si peng rreth moshës nëntëvjeçare,
kur osmanët pushtuan Krujën (në fillim të vitit
1415) që ishte në kufi me zotërimet e Kastriotëve.
Dërgimin e Gjergjit të vogël në oborrin osman
rreth moshës nëntëvjeçare, e dëshmojnë,
pavarësisht nga njëri-tjetri, burime historike bashkëkohore
ose pak më të vona, vendase e të huaja. Këtë
e pohojnë autorët e vjetër shqiptarë, veprat
e të cilëve shërbejnë si burime më të
rëndësishme për njohjen e historisë së
Shqipërisë të shek. XV, si Marin Barleci, Marin Beçikemi,
Gjon Muzaka, Dhimitër Frëngu. Edhe në jetëshkrimin
më të hershëm për Gjergj Kastriotin, të
hartuar rreth viteve 1481-1482 prej Martin Segonit, tregohet se
ai u dërgua i vogël peng, u rrit dhe u edukua pranë
oborrit të sulltanit. Të njëjtën gjë njoftojnë
edhe kronistë e historianë të huaj, bashkëkohës
me Skënderbeun, si italianët F. Filelfo, I. Potani, R.
Volaterani, bizantini L. Halkokondili, shumica e autorëve osmanë
të shek. XV e XVI: Ashik pasha Zade, Tursuni, I. Bitlisi etj.
Gjergji, pasi u mor peng rreth moshës nëntëvjeçare,
u dërgua në kryeqytetin e Perandorisë Osmane, në
Edrene. Ai u edukua këtu gjatë një periudhe dhjetëvjeçare
në shkollën e iç-ogllanëve, ku u dallua mbi
të tjerët. Në këtë shkollë futeshin
zakonisht djemtë e zotërve të nënshtruar për
t'u përgatitur e edukuar në frymën osmane si komandantë
të zotë e feudalë të bindur. Këta zakonisht
shërbenin si spahinj në vendet ku pushtimi osman ndeshte
në qëndresën e popullsisë, si dhe në vendet
nga ata kishin ardhur.
Gjergj Kastrioti nga natyra ishte i pajisur me dhunti të veçanta,
shumë të çmuara. Sipas dokumenteve të kohës
dhe njoftimeve të Marin Barlecit, Gjergj Kastrioti kishte mendjemprehtësi
të veçantë dhe arriti të zotëronte disa
gjuhë të huaja. Ai ishte shtatlartë, shpatullgjerë
e shumë i fuqishëm. Luftonte mbi kalë e në këmbë
dhe ishte mjeshtër i pashoq në përdorimin e shpatës
e të armëve të tjera.
Gjergji u shqua gjatë viteve të shkollës, kur iu
vu emri mysliman Skënder, dhe mori pjesë në fushata
të ndryshme ushtarake, në Ballkan dhe në Azi të
Vogël, gjatë të cilave fitoi një përvojë
të madhe ushtarake. Pasi mbaroi shkollën e iç-ogllanëve,
Skënderbeu hyri në kuadrot ushtarake të sistemit
feudal osman dhe përparoi shpejt në karrierën shtetërore,
nga pozita e spahiut deri në postin e lartë të sanxhakbeut.
Funksionet si kuadër osman për vite të tëra
Skënderbeu i ushtroi në Shqipëri, duke u lidhur me
mjedisin vendas dhe interesat e familjes së tij. Emri i Gjergj
Kastriotit për herë të parë përmendet në
Shqipëri bashkë me ata të vëllezërve të
tij në dokumente të vitit 1426 për çështje
pronësie. Në këtë kohë Skënderbeu
kishte mbaruar shkollën e iç-ogllanëve dhe ishte
në Shqipëri si spahi, më pas u bë subash i Krujës
dhe qëndroi në këtë post zyrtarisht deri në
fund të vitit 1438, kur në zeametin përkatës
është shënuar se i rijepej Zaganoz Beut. Qysh në
fillim, kur u hartua regjistri kadastral osman i vitit 835 h. (1431-1432),
zeameti i subashit të Krujës është regjistruar
me emrin e Zaganoz Beut. Pas riemërimit zyrtar në fund
të vitit 1438 në postin e subashit të Krujës,
Zaganoz Beu duhet të jetë rikthyer me vonesë në
Krujë, sepse Skënderbeu përmendet në Shqipëri
edhe më 7 dhe 10 korrik të vitit 1439. Nuk dihet se cilët
fshatra formonin timarin e tij në Shqipëri, kur ai ishte
në postin e një spahiu. Ndoshta kanë qenë disa
fshatra të vilajetit të Dhimitër Jonimës, diku
midis Lezhës e Rubikut, ku në mes të viteve 30 Skënderbeu
pati në zotërim një timar të madh, me të
paktën nëntë fshatra.
Skënderbeu konsiderohej si bashkësundimtar me të
drejta të plota me anëtarët e tjerë të
familjes në veprimtarinë politike të Kastriotëve.
Prandaj emri i tij është shënuar gjatë viteve
20 e 30 në aktet zyrtare që rregullonin marrëdhëniet
e Kastriotëve me vendet e tjera, si p.sh. në vitin 1426
në një aktblerje nga Kastriotët të një
pirgu pranë manastirit Hilandar në malin Athos dhe në
një aktdhurimi të dy fshatrave të Kastriotëve
për manastirin e Hilandarit, si dhe në mars të vitit
1438 kur Stanisha dhe Gjergji kërkuan qytetarinë e Venedikut
dhe më vonë (korrik 1439) edhe atë të Raguzës.
Qytetaria veneciane e raguzane kërkohej që, në rast
shkatërrimi e dëbimi nga zotërimet e veta prej osmanëve,
familjarët e Gjonit të strehoheshin në këto
vende.
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri si
kuadër osman Skënderbeu punoi aktivisht për mbrojtjen
e interesave të familjes së tij. Kështu, sipas një
dokumenti osman pa datë, kur Gjon Kastrioti ra në konflikt
me osmanët dhe humbi krahinën e Ishmit (Mysjen), Skënderbeu
u kërkoi autoriteteve osmane që ta merrte si zeamet këtë
krahinë. Gjatë këtyre viteve ai kishte një timar
të madh në trevën Lezhë-Rubik, që përshkohej
nga udha e karvaneve që lidhte bregdetin me Prizrenin. Kjo
rrugë ishte shumë e rëndësishme për veprimtarinë
ekonomike e tregtare të shtetit të Kastriotëve. Më
1437-1438 Skënderbeu u bë qeveritar (subash) i vilajetit
të Krujës dhe siguroi për këtë një
feud të madh prej dhjetëra fshatrash. Ky gradim ndikonte
shumë në forcimin e pozitave ekonomike e politike të
zotërimeve të Kastriotëve që shtriheshin në
lindje e në veri të vilajetit të Krujës.
Pas vdekjes së Reposhit (1431), që i qe kushtuar jetës
fetare, dhe të Konstandinit, dy vëllezërit e tjerë
drejtuan shtetin e Kastriotëve, sepse ati i tyre, Gjon Kastrioti,
ishte i sëmurë dhe vdiq në maj të vitit 1437.
Të dy vëllezërit i kushtuan vëmendje ruajtjes
e forcimit të marrëdhënieve me Venedikun e Raguzën,
prej të cilave arritën më 1438 e 1439 të siguronin
të drejtat e privilegjet që kishte patur ati i tyre me
ato dy vende. Ata vepruan bashkërisht deri kur vdiq Stanisha
më 1446.
Pas vitit 1439 Skënderbeu nuk përmendet më në
tokat shqiptare. Në këtë kohë në Ballkan
po fillonin trazira të reja, si rrjedhojë e aksioneve
ushtarake antiosmane të Janosh Huniadit. Prandaj sulltan Murati
II e largoi Skënderbeun nga posti i subashit të Krujës,
duke e emëruar sanxhakbej me sa duket larg tokave shqiptare,
ndoshta në Nikopol të Bullgarisë.
Gjatë viteve të qëndrimit në Shqipëri si
funksionar osman, Gjergj Kastrioti-Skënderbeu del me emrin
mysliman (Iskënder) në dokumentet osmane, kurse në
ato perëndimore ka përdorur vetëm emrin e krishterë
Gjergj, gjë që shpreh lidhjet e tij me parinë drejtuese
shqiptare.
Sigurimi i privilegjeve dhe i qytetarisë së Venedikut
e të Raguzës në fund të viteve 30, në një
kohë kur Skënderbeu po përparonte në karrierën
politike si kuadër i Perandorisë Osmane, tregojnë
se ai e shikonte të ardhmen jo në kuadrin e karrierës
së një funksionari osman. Përkundrazi, praninë
e tij në radhët e kuadrove osmane, ai e gjykonte si diçka
të përkohshme. Në kushtet kur së bashku me të
vëllanë, Stanishën, kishin marrë drejtimin e
zotërimeve të Kastriotëve, largimin e tij nga posti
i subashit të Krujës dhe emërimin si sanxhakbej larg
Shqipërisë, Skënderbeu nuk mund ta shikonte si një
"gradim", por si shprehje të mosbesimit të sulltanit
ndaj tij.
Ndonëse kaloi një kohë të gjatë në
shkollën e iç-ogllanëve e në vende të
huaja si kuadër e komandant i shquar i ushtrisë osmane,
Skënderbeu mbajti lidhje të ngushta me familjen e tij,
me interesat e zotërimeve të tyre. Ai jetoi për vite
të tëra në atdheun e vet, ku u brumos dhe u formua
në mjedisin e luftës së shqiptarëve kundër
pushtuesit të huaj osman dhe të disfatave të para
që osmanët pësuan në Shqipëri gjatë
kryengritjeve të viteve 30. Kthesa rrënjësore e Skënderbeut
në nëntor të vitit 1443, duke ardhur në Shqipëri
për të ngritur lart flamurin e luftës kundër
pushtuesve osmanë, ishte rrjedhojë e përvojës
jetësore shumë të pasur të tij dhe e luftës
së shqiptarëve.
Kryengritja e Përgjithshme Çlirimtare (nëntor
1443)
Shqiptarët e vazhduan luftën kundër pushtuesve osmanë
në forma të ndryshme edhe pas kryengritjeve të viteve
30 të shek. XV. Nëpër dokumente të gjysmës
së dytë të viteve 30 dhe fillimit të viteve
40 përmenden në viset shqiptare spahinj të vrarë,
spahinj që, për të shpëtuar kokën, kishin
braktisur timaret etj. Qëndresa e përhershme kundër
pushtuesve osmanë dhe rrethanat e favorshme ndërkombëtare
që u krijuan në fund të viteve 30 e në fillim
të viteve 40 të shek. XV nxitën disa nga fisnikët
shqiptarë të ngriheshin në luftë kundër
pushtuesve të huaj.
Ndërkaq në jetën kishtare e politike të Shqipërisë
ndikuan pozitivisht vendimet e Koncilit të Ferrarës, që
u mbajt gjatë viteve 1438-1439. Krahas papë Eugjenit IV,
në të morën pjesë edhe përfaqësuesit
më të lartë të universit ortodoks, si perandori
i Bizantit, Johan Paleologu, patriarku i Konstandinopojës,
Jozefi, dhe peshkopët bizantinë e sllavë më
në zë. Në korrik të vitit 1439 përfaqësuesit
e të dy palëve nënshkruan tekstin e bashkimit shpirtëror
të të dy kishave nën supremacinë e Papatit.
Ky vendim ndikonte pozitivisht për zbutjen e mosmarrëveshjeve
ndërmjet kishave ortodokse e katolike në Shqipëri
dhe për rritjen e bashkëpunimit ndërmjet sundimtarëve
shqiptarë të besimit katolik dhe ortodoks, si dhe të
këtyre me forcat politike të huaja. Vendimet e Koncilit
të Ferrarës ndihmonin bashkëpunimin ndërmjet
vendeve evropiane, që politikisht ishin shumë të
copëtuara e të përçara, në luftën
kundër armikut të përbashkët, pushtuesve osmanë,
luftë që filloi të propagandohej si një kryqëzatë
e të krishterëve kundër pushtuesve aziatikë
e besimit të tyre islam.
Në fillim të viteve 40 të shek. XV rrethanat ndërkombëtare
favorizonin shpërthimin e kryengritjeve antiosmane në
Shqipëri. Me vendosjen në fronin e Hungarisë të
mbretit të Polonisë, Vladislavit, trupat hungareze, të
komanduara nga vojvoda i Transilvanisë, Janosh Huniadi, kaluan
nga veprimet mbrojtëse në mësymje dhe përkohësisht
arritën të ndalnin përparimin e osmanëve drejt
Evropës Qendrore. Pasi grumbulloi një ushtri të fuqishme,
të përbërë prej hungarezësh, polakësh,
rumunësh etj., J. Huniadi kaloi Danubin, u fut në thellësi
të Ballkanit dhe në shtator të vitit 1442 u shkaktoi
një disfatë të rëndë trupave osmane. Fitorja
e ushtrisë së J. Huniadit ngjalli shpresa te popujt e
shtypur të Ballkanit, nxiti lidhjet e sundimtarëve ballkanas
me Hungarinë e me forca të tjera politike të kohës
për zgjerimin e frontit të luftës antiosmane. Aktivisht
veproi në këtë drejtim papa Eugjeni IV, i cili nëpërmjet
peshkopëve të vet nxiste elitën drejtuese shqiptare
e ballkanike të rrëmbente armët kundër osmanëve
sapo trupat e J. Huniadit të marshonin sërish në
drejtim të Ballkanit Qendror.
Këtë situatë ndërkombëtare disa fisnikë
shqiptarë, midis tyre edhe Gjergj Arianiti, e vlerësuan
të përshtatshme për fillimin e luftës. Në
kuadrin e përgatitjeve Gjergj Arianiti forcoi lidhjet me vendet
e tjera, duke dërguar përfaqësuesit e vet në
Romë e në Bosnjë. Në gusht të vitit 1443
ai siguroi qytetarinë e Raguzës, që të strehohej
familjarisht në atë qytet po qe se do thyhej prej trupave
osmane.
Në shtator të vitit 1443 Gjergj Arianiti sulmoi forcat
osmane në lindje të zotërimeve të tij dhe i
dëboi pushtuesit nga shumë krahina të Shqipërisë
Qendrore. Fitoret e tij ndikuan në jetën politike të
Shqipërisë dhe patën jehonë edhe në vendet
e tjera. Vetë ai vazhdonte përgatitjet për vijimin
e luftës kundër osmanëve. Më 21 tetor përfaqësuesit
e tij, sipas porosisë që kishin bërë në
Raguzë, morën këtu flamurin e Arianitëve, që
t'u printe luftëtarëve të tij në betejat e ardhshme.
Në fund të muajit nëntor Gjergj Arianiti i kërkoi
Raguzës t'i shiste bombarda, armë këto që i
duheshin për çlirimin e kështjellave.
Lufta çlirimtare u përhap edhe në trevat e Shqipërisë
së Poshtme. Gjin Zenebishi, i biri i Depës, u kthye nga
mërgimi duke zbarkuar në bregdetin shqiptar pranë
Butrintit. Me ushtrinë që organizohej këtu marshoi
nëpër rrethinat e Gjirokastrës në drejtim të
Kosturit, ku forcat e tij u sulmuan në befasi dhe u shpartalluan
nga një ushtri osmane dhe vetë Gjini mbeti i vrarë.
Në fund të vitit 1443 lufta çlirimtare e shqiptarëve
mori hov të mëtejshëm nga zhvillimi i ngjarjeve në
Ballkan.
Në tetor të vitit 1443 trupat hungareze të komanduara
nga Janosh Huniadi, pasi kaluan Danubin, u futën në thellësi
të Ballkanit dhe filluan “Fushatën e Gjatë"
që vazhdoi deri në fillim të vitit 1444. Ato marshuan
në drejtim të viseve verilindore shqiptare. Kudo ato gjetën
gatishmërinë e banorëve të krahinave ku kalonin
për të luftuar së bashku kundër të njëjtit
arimik. Vetë Huniadi shkruante ato ditë se ushtria e tij
po "rritej nga dita në ditë me shumë bullgarë,
arbër, serbë, boshnjakë".
Beteja u zhvillua më 3 nëntor 1443 në afërsi
të Nishit, ku trupat osmane u thyen dhe u tërhoqën
të shpartalluara. Ushtria e J. Huniadit vazhdoi marshimin në
thellësi të zotërimeve osmane gjatë një
dimri të ashpër dhe u fut në Bullgari, duke zbritur
deri në juglindje të Sofjes. Gjatë 5 dhe 6 dhjetorit
1443 ushtria e J. Huniadit pësoi disfatë në Vasilicit
dhe filloi tërheqjen. Pas një muaj, më 5 janar 1444
ajo pësoi një disfatë të dytë në Pirot
(në juglindje të Nishit). Me humbje të ndjeshme të
shkaktuara edhe prej kushteve natyrore të stinës, në
fillim të shkurtit të vitit 1444, ushtria e J. Huniadit
arriti në Budapest me një efektiv disa herë më
të vogël nga numri fillestar i luftëtarëve,
kur nisi fushatën në tetor të vitit 1443. Sidoqoftë,
ngjarjet e mësipërme ndikuan në jetën politike
të Ballkanit. Në gusht të vitit 1444, me miratimin
e sulltan Muratit II dhe me kufij të rrudhur, u rimëkëmb
Despotati i Rashës.
Në betejën e Nishit, të 3 nëntorit 1443, ndodhej
edhe Gjergj Kastrioti-Skënderbeu, që kishte detyrën
e funksionarit të lartë osman, atë të sanxhakbeut
të Nikopolit. Shpartallimin e forcave osmane në betejën
e 3 nëntorit 1443 dhe vazhdimin e marshimit të trupave
të J. Huniadit në drejtim të Bullgarisë, Skënderbeu
e gjykoi si çastin më të përshtatshëm
për çlirimin e tokave shqiptare. Pasi grumbulloi rreth
vetes disa qindra bashkatdhetarë pjesëmarrës në
betejën e Nishit, dhe i shoqëruar nga i nipi Hamza Kastrioti,
Skënderbeu mori rrugën në drejtim të atdheut.
Në fillim Skënderbeu hartoi planin për ringritjen
e shtetit të Kastriotëve, që, siç është
shprehur në fillim të vitit 1445, formohej nga dy pjesë
të mëdha "nga Dibra dhe Mati", që i ndante
lumit Drin. Dibra, sipas konceptit të kohës për shqiptarët,
të shprehur, p.sh., nga Marin Barleci dhe nga Gjon Muzaka,
shtrihej në lindje deri në masivin malor të Mokrës
(malet Jakupice), kurse Mati deri në Detin Adriatik.
Gjatë kthimit nga Nishi, Skënderbeu arriti në Fushë-Dardani,
vijoi rrugën Prishtinë-Prizren, që ishte e lirë
nga osmanët, dhe më tej zbriti në rajonin e Dibrës.
Kjo ishte pjesa më e begatë dhe më e populluar e
zotërimeve të Kastriotëve, prandaj ai e përmend
atë të parën kur e cilëson veten dhe të
vëllanë, Stanishën, si "zotër të Dibrës
dhe të Matit".
Dibra përbëhej nga dy rajone: nga Dibra e Poshtme dhe
Dibra e Sipërme. E para ishte zonë fushore dhe shtrihej
përgjatë rrjedhjes së sipërme të lumit
Vardar dhe arrinte në lindje, duke i përfshirë ato,
deri te ngushticat e Dervenit në afërsi të Shkupit.
Burimet historike të shek. XV, madje edhe më të hershme,
tregojnë se afër Gostivarit e në veriperëndim
të tij gjendej qendërbanimi më i madh i atij rajoni,
fshati Dibrishë (Debrishë), që është edhe
sot, emrin e të cilit ka pasur për një kohë
edhe rajoni në rrjedhjen e sipërme të lumit Vardar.
Rruga që lidhte Kërçovën me rajonin e Gostivarit
në dokumentet mesjetare del e emërtuar “Rruga Kërçovë-Dibër”
dhe banorët e fshatit Llopushnik, në juglindje të
Gostivarit, përmenden në to si ruajtës të saj.
Edhe në krahinën e Dervenit, që shtrihet në
lindje të Tetovës, gjendet mikrotoponimia Dibër,
që në sllavishten e vjetër kishtare (dëbër)
ka kuptimin luginë, grykë. Ky duhet të ketë
qenë emërtimi i vjetër i kësaj krahine, të
cilin pushtuesit osmanë e zëvendësuan me fjalën
përkatëse të tyre derven (derbend). Kjo shërben
si një e dhënë që tregon se shtrirja lindore
e Dibrës së Poshtme arrinte deri në afërsi të
Shkupit. Prandaj osmanët në shek. XV, kur bënë
ndarjen e tyre administrative, për rajonin Gostivar-Tetovë
përdorën një emërtim osman (vilajeti ose nahija
e Kalkandelenit) për ta dalluar nga njësia administrative
në perëndim të saj (nahija e Dibrës). Në
këtë të fundit, edhe pse mbante emrin e Dibrës,
gjatë shek. XV nuk kishte asnjë qendërbanimi ose
mikrotoponimi tjetër me këtë emër.
Në jug të Dibrës së Poshtme shtrihej Dibra e
Sipërme, që ishte kryesisht një rajon malor me shtrirje
të gjerë. Këtu, në pjesën verilindore të
Dibrës së Sipërme, në veri të Krushevës
e në segmentin rrugor Përlep-Kërçovë,
ishte qyteti mesjetar Debërshtë, emër që vazhdon
ta mbajë edhe sot. Kurse në veri të liqenit të
Ohrit ishte qyteti mesjetar e nahija Debërc, emër që
e mban ende sot krahina e luginës së lumit Sasheska në
verilindje të Strugës, nëpërmjet së cilës
kalon rruga nga Struga dhe Ohri për në Kërçovë.
Martin Segoni, Gjon Muzaka etj., kanë rrëfyer se qyteti
i Ohrit ishte në Dibër. Këto dëshmojnë
për shtrirjen e gjerë të rajonit të Dibrës
së Sipërme gjatë shek. XV dhe mesjetës në
përgjithësi.
Në Dibër Skënderbeu qëndroi disa ditë,
ku në fshehtësi mblodhi krerët e vendit dhe u tregoi
planin e veprimeve. Së pari ai vuri nën kontroll Dibrën
e Poshtme, e cila vetëm në lindje ruhej nga dy garnizone
të vogla, të vendosura në kështjellën e
Kalkandelenit (Tetovës) dhe, në lindje të saj, në
kështjellën e Sobrit, që ngrihej në krahinën
e Dervenit për të kontrolluar ngushticat e rrugës
Tetovë-Shkup. Sobri ka qenë në fshatin e sotëm
Orashko Gradishte, ku edhe sot ruhen rrënojat e një kështjelle.
Të dyja këto kështjella, e Tetovës dhe e Sobrit,
duhet të kenë kaluar në duart e Skënderbeut.
Me këto masa Skënderbeu vuri në kontroll një
rrugë tregtare shumë të rëndësishme, që
kalonte në rajonin më të pasur të zotërimeve
të tij dhe që lidhte viset perëndimore me Shkupin,
ku kishte selinë e vet bejlerbeu i Rumelisë. Në këtë
mënyrë ai ndërpreu lidhjet e kryeqendrës së
Rumelisë me garnizonet osmane, që gjendeshin të shpërndara
në viset e tjera shqiptare, të cilat shtriheshin në
perëndim të Shkupit.
Për t`u mbrojtur nga ndonjë sulm i papritur i forcave
osmane, Skënderbeu vendosi roje në pozicionet kyçe
të rrugëkalimeve dhe dërgoi në drejtim të
Krujës një grup luftëtarësh, duke i fshehur
në pyjet dhe grykat pranë saj. Kurse më pas Skënderbeu,
i shoqëruar nga një numër i vogël luftëtarësh,
u nis vetë për në Krujë. Duke e ditur se me
forcën e armëve ishte i pamundur pushtimi i kështjellës
së saj, Skënderbeu u paraqit pranë autoriteteve osmane
të Krujës si i riemëruar në detyrën e subashit
të saj, funksion që e kishte ushtruar në fund të
viteve 30 të shek. XV.
Pasi mori në dorëzim Krujën, Skënderbeu futi
natën në kështjellë bashkëluftëtarët
e fshehur në rrethinat e saj dhe, në bashkëpunim
me krutanët, paralizoi garnizonin osman. Ai i la të lirë
ushtarët osmanë që të largoheshin nga Shqipëria,
duke përfshirë edhe dizdarin e kështjellës,
Ballabanin, i cili pas dy dhjetëvjeçarësh do të
vihej në krye të trupave osmane për të rimarrë
Krujën.
Kur zbardhi dita, më 28 nëntor të vitit 1443, krutanët
i kishte pushtuar një gëzim i papërmbajtur dhe, siç
shprehet Barleci, "të gjithë kishin në gojë
lirinë, kudo oshëtinte zëri i ëmbël i lirisë".
Në prani të gjithë krutanëve mbi muret e kështjellës
së Krujës u ngrit flamuri i lirisë, ai i Kastriotëve.
Me këtë rast, sipas Marin Barlecit, Skënderbeu u
mbajti banorëve të Krujës një fjalim të
zjarrtë e plot patos patriotik. Duke vlerësuar lart gatishmërinë
e madhe të shqiptarëve për të luftuar, sipas
M. Barlecit, Skënderbeu iu drejtua krutanëve me fjalët
lapidare: "Armët nuk ua solla unë, por ju gjeta të
armatosur! Lirinë e pashë se e keni kudo: në kraharor,
në ballë, në shpatat e në ushtat tuaja".
Lajmi i fitores historike, i çlirimit të Krujës,
u përhap me shpejtësi dhe u prit me gëzim të
papërshkruar në mbarë vendin. Ai i dha hov të
paparë luftës çlirimtare dhe i paralizoi plotësisht
forcat osmane, duke i vënë ato në gjendje frike e
paniku.
Pasi mori Krujën, Skënderbeu në bashkëpunim
edhe me të vëllanë, Stanishën, hyri menjëherë
në bisedime me banorët e zotërimevë të
Kastriotëve si dhe me fisnikët shqiptarë që
kishin lidhje farefisnie ose krushqi me Kastriotët. Këtyre
ai u parashtroi planin e veprimeve të mëtejshme për
çlirimin e kështjellave dhe të krahinave të
tjera të Shqipërisë.
Forcat e Skënderbeut pa humbur kohë nisën sulmet
për çlirimin e një vargu kështjellash të
tjera në afërsi të Krujës. Së pari morën
Petrelën dhe pas saj iu drejtuan dy kështellave në
lindje të Krujës, Gurit të Bardhë dhe Stelushit,
të cilat kontrollonin rrugët tregtare që lidhnin
viset bregdetare me ato lindore. Luftëtarët e Skënderbeut
ndërkohë kaluan në Dibrën e Sipërme, ku
në bashkëveprim me trupat e Gjergj Arianitit e të
Zahari Gropës çliruan qytetin e Ohrit dhe kështjellën
e Sopotnicës (Sfetigradit), të ngritur në veriperëndim
të Manastirit dhe që kishte një pozicion shumë
strategjik për kontrollin e rrugëve që lidhnin Përlepin
e Manastrin me rajonet në perëndim të tyre. Bashkë
me Ohrin dhe Sopotnicën në duart e shqiptarëve ranë
edhe Struga, Kërçova, si dhe kështjella më
të vogla që kontrollonin rrugët tregtare në
hapësirat e Dibrës së Sipërme. Gjithashtu Skënderbeu
në jug të Shkupit mori për herë të parë
në zotërim të Kastriotëve rajonin malor të
Mokrës (malet Jakupice). Ai vuri nën kontroll rrugën
e rëndësishme Shkup-Kërçovë, traseja
e së cilës kalonte përgjatë luginës së
lumit Treska.
Po kështu vepruan fisnikët shqiptarë në viset
e tjera të vendit. Në Shqipërinë e Epërme
kështjellën e Jeliçës (Jenipazarit-Pazarit
të Ri) dhe atë të Zveçanit duhet t’i
kenë marrë Spanët, kurse rajonin e Pejës Dukagjinët.
Edhe Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi) nuk qëndroi
duarkryq. Më parë me ndihmën e vjehrrit të tij,
Gjon Kastriotit, dhe tani me përkrahjen e Skënderbeut,
Stefani u fuqizua, zgjeroi kufijtë e zotërimeve të
tij dhe si kryeqendër të tyre bëri Zhabiakun.
Në jug të vendit viset e çliruara arritën
deri në brigjet e lumenjve Devoll e Seman. Revolta e përgjithshme
antiosmane u shtri edhe në Shqipërinë e Poshtme.
“Turqit, - shkruante në dhjetor të vitit 1443 bajli
venecian i Korfuzit, - i ka pushtuar një tmerr i madh dhe me
nxitim ata të Vlorës, të Janinës dhe të
Gjirokastrës po përpiqen të fortifikohen". Por,
me gjithë situatën shumë të favorshme, për
mungesë organizimi të qëndresës antiosmane nga
fisnikët vendas, kështjellat kryesore të Shqipërisë
së Poshtme, që nga Berati e më në jug, mbetën
në duart e osmanëve.
Me çlirimin e një vargu kështjellash, shqiptarët
u hoqën osmanëve qendrat kryesore ushtarake në viset
e çliruara, të cilat i shndërruan në baza
të fuqishme për mbrojtjen e tyre.
Në hapësirat shqiptare që u çliruan me kryengritjen
e përgjithshme të vitit 1443 gjendeshin zotërimet
e shumë fisnikëve shqiptarë. Më të rëndësishmet
prej tyre i përbënte shteti i Kastriotëve, që
u ringrit shumë shpejt nën drejtimin e Skënderbeut
e të vëllait të madh të tij, Stanishës.
Ai gjendej në qendër të viseve të lira, shtrihej
në vijën detare Lezhë-Durrës dhe arrinte në
lindje deri në afërsi të Shkupit. Në veri të
shtetit të Kastriotëve shtriheshin zotërimet e Dukagjinëve,
të Zahariajve, të Spanëve, të Dushmanëve,
të Gjurashëve etj. Në gjirin e tyre përfshihej
Rrafshi i Dukagjinit e Drenica, krahinat e Plavës e të
Gucisë, të Jeliçës (Sanxhakut), të Gentës
(Zeta) etj. Në veri të kësaj hapësire, disa
muaj më pas, do të rikrijohej Despotati i Rashës
me kryeqytet Smederevën.
Në jug të Kastriotëve ishin zotërimet e katër
familjeve të rëndësishme: të Arianitëve,
të Topiajve, të Gropajve dhe të Muzakajve, që
ishin kufitare me viset e pushtuara prej osmanëve, prandaj
mbi to do të binte edhe pesha kryesore e luftës kundër
pushtuesve osmanë. Zotërimet e tyre arrinin në jug
deri te lumenjtë Devoll dhe Seman, kurse në lindje shtriheshin
deri në afërsi të Manastirit.
Çlirimi i viseve të gjera në Shqipërinë
Qendrore e të Epërme në vitin 1443 shënonte
ngjarjen më të rëndësishme në luftën
e gjatë e të ashpër që shqiptarët kishin
zhvilluar deri në atë kohë kundër Perandorisë
Osmane. Çlirimi u krijoi mundësinë një pjese
të rëndësishme të shqiptarëve të jetonin
të lirë, kurse vitet që vijuan, të luftës
kundër pushtuesve të huaj, forcuan përgjithësisht
te shqiptarët tiparet e luftëtarëve të lirisë,
si dhe vetëdijën e tyre kombëtare.
Kuvendi i Lezhës dhe krijimi i Besëlidhjes Shqiptare
(2 mars 1444)
Çlirimi i vendit me kryengritjen e përgjithshme të
vitit 1443, ishte një fitore historike që duhej mbrojtur
e çuar më tej. Përvoja e deriatëhershme shqiptare
e ballkanike, sidomos kryengritjet e viteve 30 në Shqipëri,
kishin treguar se fuqisë ushtarake më të madhe të
kohës, Perandorisë Osmane, nuk mund t`i bëhej ballë
pa bashkimin e forcave të brendshme politike, ushtarake dhe
ekonomike, si dhe pa bashkëpunimin me vendet e tjera. Prandaj
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu ndoqi një politikë të
brendshme e të jashtme shumë aktive. Më mirë
se kushdo tjetër ai e kuptoi se për shqiptarët nuk
do të kishte perspektiva për mbrojtjen e viseve të
lira, duke qëndruar në pozitat e vjetra, pa kapërcyer
copëtimin politik të vendit në një varg zotërimesh
të pavarura dhe pa një bazë organizative të
qëndrueshme, e cila do të bashkërendonte burimet
njerëzore, ushtarake e ekonomike të vendit, si dhe gjithë
veprimtarinë e zhvilluar në rrafsh të brendshëm
me atë të ndërmarrë në rrafsh ndërkombëtar.
Për zgjidhjen e këtyre detyrave, si hap të parë
e të domosdoshëm Skënderbeu gjykoi mbajtjen e një
kuvendi të përgjithshëm, ku të përfaqësoheshin
drejtuesit e zotërimeve të pavarura dhe fisnikë të
tjerë të vendit. Për këtë ai zhvilloi paraprakisht
me ta takime vetjake, si rrjedhojë e të cilave u vendos
që të mbahej në Lezhë një kuvend i fisnikëve
shqiptarë.
Kuvendet krahinore e ndërkrahinore të fisnikëve,
të klerikëve apo të pleqve, ishin një traditë
e njohur kombëtare e shqiptarëve e trashëguar ndër
shekuj, nëpërmjet të cilave realizohej bashkëpunimi
dhe bashkimi i shqiptarëve. Një kuvend me një përfaqësi
kaq të gjerë kombëtare, që u vendos të
mbahej në Lezhë nga shqiptarët, është i
pari që njihet deri tani në historinë e tyre.
Lezha kishte një pozicion gjeografik të favorshëm
për mbajtjen e Kuvendit. Ajo ndodhej në afërsi me
zotërimet e pjesëmarrësve kryesorë të Kuvendit,
ishte e veçuar nga zotërimet e tjera të Venedikut
dhe kishte lidhje të ngushta ekonomike me viset e çliruara
shqiptare, veçanërisht me ato të Kastriotëve.
Për më tej, duke qenë Lezha nën zotërimin
venecian, mënjanoheshin mosmarrëveshjet e pakënaqësitë
që mund të lindnin ndërmjet sundimtarëve shqiptarë
për vendin ku duhej të mbahej Kuvendi, si dhe në
drejtim të marrëdhënieve me Republikën e Venedikut.
Mbajtja e tij në Lezhë ishte si një thirrje miqësore
për bashkëpunim në luftën kundër osmanëve,
që fisnikët shqiptarë i drejtonin me këtë
rast Republikës së Shën Markut.
Kuvendi i fisnikëve shqiptarë u mbajt më 2 mars 1444
në Katedralen e Shën Kollit në Lezhë. Në
të morën pjesë udhëheqës të kryengritjeve
të mëparshme antiosmane, si dhe pjesëtarë të
tjerë të aristokracisë shqiptare. Midis tyre ishin:
Skënderbeu, Gjergj Arianiti, Andre Topia (bashkë me dy
djemtë, Kominin e Muzakën dhe të nipin Tanushin),
Gjergj Stres Balsha, Nikollë e Pal Dukagjini, Pjetër Spani
(bashkë me katër djemtë, Aleksin, Bozhidarin, Vruon
dhe Mirkon), Lekë Zaharia, Teodor Muzaka i Riu (dhe pjesëtarë
të tjerë të kësaj familjeje), Zahari Gropa,
Lekë Dushmani bashkë me Pjetrin e fisnikë të
tjerë fqinjë me ta, Stefan Gjurashi (Cërnojeviçi
bashkë me bijtë e tij, Gjergjin e Gjonin) etj.
Skënderbeu mbajti fjalën e hapjes në Kuvend dhe u
ndal në domosdoshmërinë dhe rëndësinë
e bashkimit politik të shqiptarëve. Pjesëmarrësit
diskutuan format e bashkëpunimit dhe rrugët për realizimin
e bashkimit politik të tyre, në themel të të
cilit vunë institucionin më të rëndësishëm
kombëtar, atë të besës. Ata institucionalizuan
Kuvendin si forumin politik më të lartë vendimmarrës
të fisnikëve shqiptarë.
Kuvendi vendosi që bashkimi i shqiptarëve të bëhej
në formën e një besëlidhjeje politike ndërmjet
drejtuesve të zotërimeve të lira dhe fisnikëve
të tjerë të vendit, që u njoh me emrin Besëlidhja
Shqiptare e Lezhës. Ajo ishte një aleancë politike
e ushtarake. Si kryetar i saj u zgjodh Skënderbeu, kurse si
institucioni më i lartë vendimmarrës u bë Kuvendi
i anëtarëve të Besëlidhjes, i cili do të
mblidhej herë pas here për çështje të
rëndësishme. Nëpërmjet Kuvendit realizohej dhe
shprehej bashkimi i shqiptarëve.
Vendim tjetër shumë i rëndësishëm i Kuvendit
ishte krijimi i ushtrisë së përbashkët dhe caktimi
i Skënderbeut si komandant i përgjithshëm i saj.
Ushtria e Bësëlidhjes përbëhej nga dy pjesë:
nga forcat e përhershme dhe nga ato të përkohshmet
që mobilizoheshin vetëm në rast lufte. Ushtria e
përhershme formohej me luftëtarët që fisnikët
shqiptarë dërgonin pranë komandantit të përgjithshëm
sipas një kuote të caktuar për secilin, si dhe nga
ushtarët që mobilizonte vetë Skënderbeu. Këta
formonin bërthamën kryesore të ushtrisë së
përhershme, e cila vazhdimisht ishte në gatishmëri
luftarake dhe në mbrojtje të kështjellave, veçanërisht
atyre të brezit kufitar lindor nga vinin zakonisht ushtritë
osmane. Detyra kryesore e ushtrisë së përhershme
ishte mënjanimi i sulmeve të befasishme të trupave
osmane mbi viset e lira shqiptare dhe pengimi i depërtimit
të tyre në thellësi të vendit, derisa të
mobilizohej ushtria e përkohshme. Kjo formonte pjesën
më të madhe të ushtrisë së Besëlidhjes
dhe përbëhej nga luftëtarët që mobilizoheshin
përkohësisht, kur parashikohej fillimi i sulmeve të
ushtrive armike. Në ushtrinë e përkohshme përfshiheshin
të gjithë banorët e viseve të lira që ishin
në gjendje të përdornin armët. Në rast
nevoje ushtria e përbashkët mbronte vendin nga pushtuesit
osmanë e veprimet armiqësore të vendeve të tjera,
si dhe interesat e zotërimet e secilit anëtar të
Besëlidhjes.
Për të përballuar shpenzimet e mbajtjes së ushtrisë,
të armatimit të saj, etj., Kuvendi vendosi që pranë
Skënderbeut të krijohej një arkë e përbashkët.
Fondet monetare të saj do të formoheshin nga ndihmat në
të holla që secili anëtar i Besëlidhjes do të
jepte sipas një kuote të caktuar nga Kuvendi, nga të
ardhurat e kriporeve të Shën Kollit, që kishin Kastriotët
pranë grykëderdhjes së lumit Mat, nga taksat doganore,
si dhe nga tregtia e drithit, e metaleve etj.
Besëlidhja e Lezhës u krijua si një aleancë
politike dhe ushtarake e luftës së përbashkët
të fisnikëve shqiptarë kundër pushtuesve osmanë.
Në krye të Besëlidhjes dhe të organeve ushtarake
e financiare të saj u caktua një udhëheqje e vetme,
e kryesuar nga Skënderbeu. Prandaj, edhe pse Besëlidhja
kishte karakterin e një aleance politike e ushtarake, me vendimet
e Kuvendit të Lezhës u bë një hap i madh e vendimtar
përpara drejt bashkimit politik të vendit dhe krijimit
të një pushteti qendror për të gjitha viset
e lira shqiptare, pushtet që u përfaqësua nga Gjergj
Kastrioti-Skënderbeu.
Anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare synonin që,
në kuadrin e saj, të ruanin autonominë e tyre dhe
Skënderbeu, si kryetar i saj, të mos ndërhynte në
zotërimet e të tjerëve, por të ishte si "i
parë ndërmjet të barabartëve". Secili prej
anëtarëve të Besëlidhjes kishte trupa të
veçanta për të mbrojtur zotërimet e interesat
e veta dhe ruante të drejtën të kishte marrëdhënie
vetjake me vende e forca të tjera politike jashtë Besëlidhjes.
Realisht vendimet e Kuvendit i dhanë Skënderbeut një
pozitë të veçantë ndaj fisnikëve të
tjerë shqiptarë, dhe këta, siç shprehej Gjon
Muzaka, në kushtet e rrezikut të pushtimit osman, ishin
të detyruar "t`i bindeshin" atij.
Kryengritja fitimtare e vitit 1443 dhe Kuvendi i Përgjithshëm
Shqiptar i 2 marsit 1444 shënuan një kthesë vendimtare
në luftën kundër pushtimit të huaj osman dhe
hapën rrugën e zhvilimit të vrullshëm të
procesit të bashkimit politik dhe shpirtëror të banorëve
të krahinave të ndryshme shqiptare.
Gjergj Kastrioti-Skënderbeu doli në krye të jetës
politike e ushtarake të vendit jo rastësisht. Për
këtë ndikuan: roli i veçantë i tij në
organizimin e Kryengritjes së Përgjithshme të vitit
1443, pozita gjeografike e shtetit të Kastriotëve (që
ishte në qendër të viseve të lira dhe nëpër
të kalonin rrugët më të rëndësishme
që lidhnin krahinat veriore me jugoret dhe lindoret me perëndimoret),
zotërimi prej tij i Krujës, kështjellës me pozicionin
gjeografik më të përshtatshëm për administrimin
e të gjitha viseve të çliruara, dhe për të
hyrë në kontakte të shpejta me shtetet e huaja antiosmane,
si dhe lidhjet e shumta farefisnore e martesore të Kastriotëve
me shumë familje fisnike të tjera, si Muzakajt, Arianitët,
Stres Balshajt, Gjurashët (Cërnojeviçët),
Balshajt etj. Mbi të gjitha ishte personaliteti i vetë
Skënderbeut që bëri të mundur daljen e tij në
krye të jetës politike e ushtarake të Shqipërisë.
Më tepër se cilido anëtar tjetër i Besëlidhjes
Shqiptare, Skënderbeu kishte të gjitha cilësitë
për drejtimin me sukses të luftës. Ai i njihte shumë
mirë mundësitë ekonomike, financiare e ushtarake
të vendit të vet. Ndërsa karriera e tij në radhët
e kuadrove ushtarakë osmanë e kishte bërë Skënderbeun
njohës po aq të mirë të fuqisë, organizimit
dhe të artit ushtarak të osmanëve.
2. FITORET E BESËLIDHJES
SHQIPTARE NËN UDHËHEQJEN
E GJERGJ KASTRIOTIT-SKËNDERBEUT
Fitoret e para ushtarake (1444-1447)
Vendimet e Kuvendit të Lezhës i dhanë një bazë
të gjerë e të fuqishme organizative, juridike e morale
forcimit të aftësisë mbrojtëse dhe të gatishmërisë
luftarake të vendit. Barrën kryesore për realizimin
e saj Kuvendi ia ngarkoi Skënderbeut.
Pas mbylljes së Kuvendit Skënderbeu iu përkushtua
organizimit të ushtrisë dhe sistemit mbrojtës të
vendit. Ai udhëtoi nëpër të gjitha fshatrat
e zotërimeve të Kastriotëve për të regjistruar
ushtarë, vëzhgoi shtigjet, grykat e luginat nga mund të
sulmonte ushtria osmane, caktoi informatorë që të
vëzhgonin e të njoftonin menjëherë lëvizjet
e armikut, ndërmori meremetimin e kështjellave dhe pajisjen
e tyre me luftëtarë e armatime. Vëmendje të
veçantë i kushtoi mbrojtjes së ballit lindor të
viseve të çliruara, prej nga mund të futeshin për
në thellësi të tyre ushtritë osmane. Në
fund të pranverës së vitit 1444 mbaruan përgatitjet
ushtarake dhe Skënderbeu kishte mobilizuar me mijëra luftëtarë
që ishin të gatshëm për të mbrojtur vendin.
Çlirimi i rajoneve të gjera të Shqipërisë
Qendrore e të Sipërme, që formonin një nga zonat
më strategjike të Ballkanit Perëndimor, si dhe bashkimi
politik dhe ushtarak i fisnikëve shqiptarë, përbënin
një ngjarje shumë të rëndësishme, e cila
i kalonte kufijtë e botës shqiptare. Zhvillimet politike
në Shqipëri tërhoqën kudo vëmendjen e qarqeve
drejtuese të vendeve evropiane dhe shkaktuan shqetësim
në oborrin osman.
Për të rivendosur sa më shpejt pushtetin osman në
tokat shqiptare, tregon Marin Barleci, që është burimi
kryesor për njohjen e këtyre ngjarjeve, sulltani ngarkoi
Ali Pashën, një nga komandantët e tij më të
shquar. Ky duhet të ketë qenë subashi i Shkupit,
Ali Beu. Në krye të disa mijëra vetave, në qershor
të vitit 1444, ai iu drejtua rajonit më të pasur
të çliruar nga Skënderbeu dhe që ishte më
afër Shkupit, Dibrës së Poshtme.
I informuar me kohë për lëvizjen e trupave osmane,
Skënderbeu, sipas M. Barlecit, përgatiti një ushtri
prej afro 8 mijë kalorësish e 7 mijë këmbësorësh
dhe e drejtoi për në Dibrën e Poshtme. Në afërsi
të tyre erdhën dhe u vendosën trupat e Ali Beut.
Ishte beteja e parë, guri i provës për forcat e bashkuara
shqiptare dhe për komandantin e tyre.
Beteja u zhvillua në formacion të rregullt luftimi në
një fushë të palokalizuar të Dibrës së
Poshtme. Qysh nga shek. XVIII nëpërmjet veprës së
Xh. Biemit, ajo njihet në historiografi me emrin simbolik beteja
e Torviollit dhe po kështu si datë të saj ai përmend
29 qershorin e vitit 1444.
Skënderbeu e vendosi ushtrinë në fushë të
hapur dhe e rreshtoi në formë harku të ndarë
në tri pjesë. Në rreshtat e parë të çdo
grupimi vendosi kalorësinë dhe pas tyre këmbësorinë.
Për të drejtuar zhvillimin e betejës, ai qëndroi
me luftëtarët e grupimit të qendrës. Forcat
e grupimit të djathtë i komandonte Moisi Arianiti (Golemi),
kurse ato të grupimit të majtë Tanush Topia. Mbrapa
trupave të qendrës ishin vendosur edhe dy grupime luftëtarësh
nën drejtimin e Ajdin Muzakës dhe të Kont Uranit.
Në pyjet aty pranë qëndronin të fshehura forcat
e rezervës të komanduara nga Gjin Muzaka e Hamza Kastrioti.
Beteja filloi me sulmin e luftëtarëve shqiptarë të
dy grupimeve anësore, të cilët u përpoqën
ta çanin ushtrinë osmane në dy pjesë, në
kohën kur forcat e grupimit të qendrës me Skënderbeun
në krye sulmuan trupat e Ali Beut. Kur armiku ende nuk kishte
hedhur në betejë të gjitha forcat, trupat e tij u
sulmuan befasishëm nga pas prej luftëtarëve të
Gjin Muzakës e të Hamza Kastriotit. E goditur nga të
gjitha anët, së fundi edhe nga forcat e freskëta
të komanduara nga Kont Urani, ushtria osmane u copëtua,
pësoi humbje të rënda dhe u shpartallua plotësisht.
Ajo la në fushën e betejës shumë të vrarë
e robër. Shqiptarët luftuan heroikisht dhe arritën
një fitore të shkëlqyer. Në atë betejë,
shkruante M. Barleci, "luanët komanduan luanët".
Fitorja e Torviollit pati jehonë të thellë në
Shqipëri si dhe në vendet e tjera. Ajo përforcoi
besimin e shqiptarëve te Skënderbeu e ushtria e Besëlidhjes
dhe te lufta e drejtë e tyre për mbrojtjen e lirisë.
Ajo i dha shtysë luftës antiosmane të popujve të
Ballkanit, që filloi të fuqizohej, dhe shkaktoi shqetësim
të madh në oborrin e sulltanit.
Në këto rrethana Murati II u përpoq të rregullonte
marrëdhëniet me mbretin e Hungarisë e të Polonisë,
Vladislavin IV, të cilit i kërkoi paqe, dhe më 12
korrik 1444 u nënshkrua në Seged traktati i saj me një
afat dhjetëvjeçar. Por paqja vazhdoi vetëm gjashtë
javë, sepse, i nxitur nga papa dhe forca të tjera antiosmane,
Vladislavi IV e shkeli traktatin e paqes. Ky përgatiti një
ushtri prej 14 000 vetash dhe në krye të tyre marshoi
në thellësi të Ballkanit deri në Varna. Vladislavi
IV e filloi betejën në kundërshtim me mendimin e
Janosh Huniadit dhe më 10 nëntor 1444 ushtria e tij u
shpartallua prej trupave osmane. Vladislavi mbeti i vrarë në
këtë betejë, kurse J. Huniadi mundi të shpëtonte
me mbeturinat e ushtrisë hungareze. Fitorja pranë Varnës
i dha mundësi sulltanit t`i përdorte ushtritë e veta
për të shtypur lëvizjet antiosmane të Ballkanit.
Në vjeshtë të vitit 1445, sipas M. Barlecit, kundër
Shqipërisë u sulën njëra pas tjetrës dy
ushtri osmane, të cilat u pritën prej shqiptarëve
në një luginë të ngushtë në rajonin
e Mokrës, me sa duket në luginën e lumit Treskë,
përgjatë të cilit kalonte traseja e një prej
rrugëve më të shkurtra për lëvizjen e ushtrive
osmane nga Shkupi në thellësi të tokave të lira
shqiptare. Skënderbeu lejoi ushtrinë e parë osmane,
që sipas M. Barlecit e komandonte Ferizi, të hynte në
luginë dhe pastaj e sulmoi befasisht dhe e shpartalloi. Pa
kaluar shumë kohë erdhi po në atë luginë
një ushtri e dytë e komanduar nga Mustafai. Pasi ngritën
fushimin, trupat osmane filluan plaçkitjen dhe shkretimin
e vendit. Në kohën kur një pjesë e tyre ishte
larguar për të plaçkitur, Skënderbeu goditi
kampin armik, ku ndodhej shumica e ushtarëve osmanë dhe
arriti një fitore të re të shkëlqyer. Po këtë
fat pësoi në vitin 1447 një ushtri tjetër osmane,
e komanduar po nga Mustafai, të cilën forcat e Skënderbeut,
të radhitura përballë saj, e thyen në Oronik
të Dibrës së Sipërme, në lindje të
Strugës, dhe zunë rob komandantin osman.
Fitoret e para ushtarake të Besëlidhjes Shqiptare nën
udhëheqjen e Skënderbeut patën rëndësi
të madhe për jetën politike të vendit. Ato forcuan
besimin e shqiptarëve se të bashkuar mund të përballonin
me sukses fuqinë ushtarake të Perandorisë Osmane,
rritën autoritetin e Skënderbeut si komandant i talentuar,
si dhe dashurinë e shqiptarëve ndaj tij. Në rrafsh
ndërkombëtar ato i dhanë Skënderbeut dhe qëndresës
së tij një rol të veçantë në luftën
kundër pushtuesve osmanë dhe e vunë atë në
lidhje me forcat e tjera antiosmane të kohës, si me Hungarinë,
me shtetet italiane dhe me vende të tjera. Jehona e luftës
fitimtare të shqiptarëve filloi të ndihej kudo, duke
zënë vend edhe në letërkëmbimin e personaliteteve
politike të larta të kohës, si papa Nikolla V, mbreti
Alfonsi V i Napolit etj.
Konflikti me Venedikun (1447-1448)
Republika e Venedikut ishte një nga shtetet më të
fuqishme detare e tregtare në tërë pellgun e Mesdheut
dhe zotëronte një numër qytetesh e qendrash të
rëndësishme ekonomike të Ballkanit e më gjerë.
Në këtë kuadër një vend të veçantë
e rol parësor kishin zotërimet e Republikës së
Venedikut në Shqipëri.
Rëndësia ekonomike, politike dhe strategjike e zotërimeve
që kishte në tokat shqiptare, bënte që Republika
e Venedikut t`i kushtonte në çdo kohë vëmendje
të veçantë ruajtjes së këtyre zotërimeve
dhe forcimit të pozitave të veta në to. Për
këtë qëllim ajo shfrytëzoi gjendjen politike
të krijuar në Shqipëri pas vitit 1443. Nga fundi
i këtij viti e më pas, Senati i Venedikut shqyrtoi mundësinë
e kalimit në duart e Republikës të Gjirokastrës,
të Janinës e të Kaninës, që ende mbaheshin
nga osmanët. Duke shfrytëzuar rrethanat e krijuara nga
vdekja e sundimtarit të kështjellës së Dejës,
Lekë Zaharisë, nëpërmjet nënës së
këtij, Boksës, që ishte motër e Tanush Dukagjinit,
në shtator të vitit 1444 Venediku mori Dejën, Shasin
si dhe ndonjë kështjellë tjetër të paidentifikuar
të tij. Zotërimi i Dejës kishte për Venedikun
rëndësi të shumanshme. Nga ana ekonomike jepte të
ardhura jo të pakta si qendër doganore në kryqëzim
të rrugëve të rëndësishme tregtare. Në
plan strategjik e ushtarak, si kështjellë ajo mbronte
zotërimet veneciane në rajonin e Shkodrës dhe ishte
për Republikën, siç shprehej vetë Senati,
"hapi i parë" për të hyrë në
viset e çliruara shqiptare.
Për të mënjanuar kërkesat e herëpashershme
të zotërve vendas për dëbimin e Venedikut nga
viset shqiptare, Republika lejoi mbajtjen e Kuvendit Shqiptar në
qytetin e Lezhës, që e kishte nën zotërim, dhe
në vitin 1445 Skënderbeut dhe të vëllait, Stanishës,
i dha të drejtat e privilegjet e qytetarisë veneciane.
Interesat ekonomikë, politikë, ushtarakë e strategjikë
të Republikës së Venedikut në Shqipëri
ishin pjesë e interesave jetikë të saj në tërë
pellgun e Mesdheut Lindor, ku kishte një numër të
madh zotërimesh dhe që vazhdimisht ishin nën kërcënimin
e pushtimit osman. Prandaj marrëdhëniet me sulltanët
osmanë kishin për Republikën e Venedikut rëndësi
të dorës së parë dhe herë pas here ajo
nënshkruante traktate paqeje me ta, si më 1446 etj. Një
politikë e tillë inkurajonte veprimtarinë pushtuese
të sulltanëve dhe dëmtonte luftën e ballkanasve
kundër pushtuesve osmanë. Prandaj ishin të pashmangshme
kundërshtitë midis Besëlidhjes së Lezhës
dhe Venedikut.
Pasi çliroi Krujën dhe viset e tjera shqiptare, Skënderbeu
qysh në fund të vitit 1443, deklaroi se "ishte trashëgimtar
i Balshës dhe donte vendet që kishin qenë të
tij", një pjesë e të cilave tashmë ishin
nën zotërim venecian. Që në fillim të shek.
XV interesat e Kastriotëve ishin shtrirë edhe në
rajonin verior të bregdetit shqiptar. Krahas qendrës tregtare
e doganore të Shufadasë, Gjon Kastrioti zotëroi në
bregdet Shëngjinin, si dhe shtëpi në Ulqin. Prandaj
ai e martoi një vajzë të tij me sundimtarin e rajoneve
të Kotorrit e të Gentës, Stefan Gjurashin (Cërnojeviçin).
Gjoni tregtonte drithë në Kotorr. Në kuadrin e këtyre
interesave, Skënderbeu do t’i kërkonte më pas
Venedikut Shëngjinin e Velipojën dhe, bashkë me to,
rajonin bregdetar përkatës, që të ishte sa më
afër zotërimeve të kunatit të tij. Në këtë
kohë zotërimet e Stefan Gjurashit njohën një
zgjerim të madh dhe shtriheshin nga rrethinat e Kotorrit deri
në Medun. Dëbimin e Venedikut prej këtyre viseve
nuk e kërkonte vetëm Skënderbeu, por përgjithësisht
e gjithë lëvizja politike shqiptare e kohës. Nevojat
e luftës antiosmane për mjete ekonomike, për forca
njerëzore e për zotërimin e kështjellave, që
kishin rol parësor në mbrojten e vendit, kërkonin
që edhe qytetet e kështjellat shqiptare, të cilat
ishin nën Venedikun, të integroheshin me viset e lira
shqiptare.
Skënderbeu u përpoq të shfrytëzonte kundër
Venedikut edhe rrethanat ndërkombëtare. Për fillimin
e konfliktit me të ai zgjodhi kohën kur forcat ushtarake
të Venedikut luftonin në Lombardi kundër trupave
të dukës së Milanos, që ishte aleat i mbretit
të Napolit, Alfonsit V. Në kuadrin e përgatitjeve
ushtarake, Skënderbeu i kërkoi Alfonsit V, në vitin
1447, anije lufte që t'i përdorte për rrethimin e
qyteteve bregdetare që ishin nën zotërimin e Venedikut,
si të Durrësit etj., por kërkesa e tij nuk u plotësua.
Si shkas për fillimin e luftës kundër Venedikut duhet
të ketë shërbyer kështjella e Dejës. Ajo
kishte qenë nën zotërimin e Lekë Zaharisë
dhe me vdekjen e këtij në fund të vitit 1444, Deja
kaloi në duart e Venedikut. Çështja e zotërimit
të Dejës kishte futur në mosmarrëveshje Nikollë
Dukagjin, që përkohësisht e mori atë gjatë
kryengritjeve të viteve 30 të shek. XV, me Lekë Zaharinë,
që e mori atë më pas, dhe me nënën e këtij,
Boksën e dy nipërit e saj, Pal e Lekë Dukagjinin,
që ia dorëzuan kështjellën Venedikut.
Qysh në verë të vitit 1446 Nikollë Dukagjini
ndërmori sulme të ashpra për pushtimin e Dejës,
gjë që çoi në acarimin e marrëdhënieve
me Venedikun. Ai mori Shasin. Në këto rrethana, në
vjeshtë të vitit 1447, Skënderbeu mblodhi Kuvendin
e Besëlidhjes Shqiptare dhe u kërkoi anëtarëve
të saj që t'i shpallej luftë Republikës së
Venedikut në rast se nuk dorëzonte Dejën. Anëtarët
e Besëlidhjes e miratuan kërkesën e Skënderbeut.
Në nëntor të vitit 1447 "ushtria e fuqishme
e Skënderbeut", siç shpreheshin qeveritarët
venecianë, filloi luftën dhe sulmoi Durrësin, Dejën
dhe kështjella të tjera në rajonin e Shkodrës.
Aksioni i tyre qe i fuqishëm dhe e detyroi Senatin e Venedikut
që, për të përballuar gjendjen, të vinte
në përdorim mjete të shumta. Ai dërgoi përforcime
ushtarake në zotërimet e veta në Shqipëri dhe
shpalli se, personit që mund të vriste Skënderbeun,
do t'i jepte një shpërblim të lartë e të
përjetshëm. Gjithashtu udhëzoi qeveritarët e
vet të përçanin forcat vendase, sidomos të
shkëpusnin Pal e Lekë Dukagjinin nga Skënderbeu dhe
të nxitnin ushtrinë osmane të sulmonte shqiptarët
për t'i futur këta në një luftë në
dy fronte njëkohësisht.
Gjatë verës së vitit 1448, duke mbajtur të rrethuar
Durrësin e Dejën, forcat ushtarake të Besëlidhjes
Shqiptare iu drejtuan zonës së Shkodrës, që
ishte zotërimi më i rëndësishëm i Venedikut
në tokat shqiptare. Në sulmin mbi rajonin e Shkodrës
mori pjesë edhe Gjergj Arianiti me forcat e tij. Pasi kaluan
lumin Drin, në brigjet e tij shqiptarët u ndeshën
me ushtrinë mercenare veneciane të komanduar nga Daniel
Juriç Sebençini dhe korrën një fitore të
shkëlqyer. Pas kësaj ata iu drejtuan Shkodrës dhe
Drishtit. Për të mbështetur vazhdimin e veprimeve
luftarake shqiptarët ndërtuan një kështjellë
mbi gërmadhat e Ballecit, që gjendej në rrëzë
të malit Maranaj.
Kalimi i ushtrisë shqiptare në thellësi të zotërimeve
veneciane, u përkrah fuqishëm nga banorët e këtyre
viseve, të cilët shpërthyen në kryengritje dhe
u bashkuan me ushtrinë e Lidhjes. Zotërimet veneciane
në Shqipëri, siç shprehej Senati i Venedikut për
situatën e krijuar, ishin në "flakën më
të madhe". Kjo i dha mundësi ushtrisë shqiptare
t'i shtrinte veprimet luftarake dhe të futej në thellësi
të këtyre zotërimeve.
Në kohën që vazhdonin veprimet luftarake në
zonën e Shkodrës, rreth 10 mijë luftëtarë
shqiptarë kaluan lumin e Bunës dhe sulmuan në drejtim
të qytetit të Tivarit, duke bashkërenduar veprimet
me disa mijëra ushtarë të Stefan Gjurashit (Cërnojeviçi),
si dhe të mbretit të Bosnjës, Stefan Tomasheviqit,
të komanduara nga Stefan Maramonti.
Skënderbeu me pjesën kryesore të ushtrisë nuk
qëndroi gjatë në zonën e Tivarit. Ai kaloi në
krahinat lindore të vendit për të përballuar
ushtrinë osmane që, edhe nën nxitjen e Venedikut,
erdhi në këto çaste në Shqipëri për
t'i vënë forcat shqiptare midis dy zjarreve. Në zonën
e Shkodrës Skënderbeu la Hamza Kastriotin me një
pjesë të forcave për të vazhduar rrethimin mbi
Dejën e Drishtin. Pas largimit të tij Venediku nxiti mosmarrëveshjet
ndërmjet Stefan Maramontit dhe Stefan Gjurashit dhe arriti
të ruante pushtetin e vet mbi qytetet që shtriheshin në
bregun e djathtë të lumit të Bunës.
Kalimi i forcave ushtarake kryesore të Skënderbeut në
lindje të vendit e lehtësoi Venedikun nga trysnia ushtarake
e shqiptarëve dhe i dha mundësinë të përforconte
mbrojten në zotërimet e veta.
Lufta e shqiptarëve për mbrojtjen e Sopotnicës
(Sfetigradit) gjatë verës së vitit 1448
Disfatat e njëpasnjëshme të ushtrive osmane në
Shqipëri gjatë viteve 1444-1447 shkaktuan shqetësim
të madh në oborrin osman. Për këtë arsye
sulltan Murati II vendosi të vihej vetë në krye të
ushtrisë osmane për shkatërrimin e forcave shqiptare.
Me nxitjen e Venedikut, ai e filloi fushatën në një
çast shumë të përshtatshëm për të,
kur shqiptarët ishin të zënë në luftën
me Republikën e Shën Markut.
Me pjesën kryesore të ushtrisë shqiptare, Skënderbeu
bashkë me Gjergj Arianitin kaluan nga zona e Shkodrës
në krahinat lindore dhe përforcuan me të shpejtë
kështjellat e vendit, si dhe grykat nga mund të vinte
armiku.
Në qershor të vitit 1448 ushtritë osmane të
Rumelisë dhe të Anadollit, të komanduara nga vetë
sulltan Murati II, të cilin e shoqëronte edhe i biri 21-vjeçar,
sulltani i ardhshëm Mehmeti II, iu afruan brezit kufitar të
viseve lindore me qëllim që të hynin në thellësi
të viseve të lira shqiptare, të rivendosnin në
to pushtetin osman dhe t'i jepnin fund njëherë e mirë
qëndresës shqiptare.
Ushtria e sulltan Muratit II i përqendroi operacionet e saj
mbi kështjellën e Sopotnicës (Stefigradit), që
ishte baza kufitare më e rëndësishme në pjesën
jugore të ballit lindor të viseve shqiptare të çliruara,
e cila do hapte rrugën për ripushtimin e Ohrit. Osmanët
qysh në fillim, kur në fund të shek. XIV e pushtuan
për herë të parë Sopotnicën, e riemërtuan
Demir Hisar.
Nëpërmjet zotërimit të kështjellës
së Sopotnicës shqiptarët kishin futur nën kontrollin
e tyre rrugë ndërkrahinore shumë të rëndësishme
(që lidhnin luginën e Vardarit dhe rajonet e Përlepit
e të Manastirit, të cilat ishin nën pushtimin osman,
me viset e lira shqiptare në perëndim të tyre) si
rruga Velesh - Kërçovë - Rahovnik (Dibër)
- Deti Adriatik, rruga Përlep - Kërçovë -
Rahovnik - Deti Adriatik, rruga Përlep - Resnjë - Ohër
- Strugë - Lugina e Shkumbinit, si dhe rruga Manastir - Resnjë
- Ohër - Strugë - Lugina e Shkumbinit. Gjithashtu Sopotnica
gjendej jo larg rrugës Shkup -Kërçovë.
Pozicion gjeografik kyç i Sopotnicës për zotërimin
e rrugëve ndërkrahinore bëri që sulltan Murati
II të përdorte gjithë fuqinë e vet ushtarake
për rimarrjen e saj. Prandaj lufta për Sopotnicën
është pasqyruar gjerësisht në veprën e
M. Barlecit për Skënderbeun, si dhe nga kronistë
e historianë bizantinë e osmanë, madje edhe në
këngët popullore shqiptare e sllave. Kronisti bizantin
Laonik Halkokondili, si burimi më i hershëm që flet
për këtë ngjarje, e përmend kështjellën
me emrin Sfeti, qendërbanim mesjetar (Sveta) pranë kështjellës
së Sopotnicës. Kurse M. Barleci e emërton Sfetigrad
(sllavisht: Qytet i Shenjtë), emër që lidhej me manastiret
e kishat e shumta që ishin në rajonin e Sopotnicës.
Kurse tek Oruçi, e nën ndikimin e tij edhe te kronistët
e historianët e tjerë osmanë, emri i kështjellës
është ngatërruar me atë të Koxhaxhikut.
Kështjella e Koxhaxhikut gjendej në rrugën përgjatë
rrjedhjes së sipërme të lumit Drini i Zi dhe ruante
një rrugë dytësore krahinore, atë Strugë
- Rahovnik (Dibër) dhe për marrjen e një kështjelle
të tillë, pa rëndësi strategjike, nuk mund të
angazhoheshin të gjitha forcat ushtarake të Perandorisë
Osmane. Ngatërrimi i emrit të Demir Hisarit me atë
të Koxhaxhikut nga Oruçi e autorë të tjerë
osmanë nuk është thjesht vetëm një rastësi,
por ky ngatërrim është bërë sepse emrin
e Demir Hisari e mbante edhe një vilajet e kështjellë
tjetër që ishin në afërsi të kryeqytetit
të Perandorisë Osmane, Edrenesë. Nuk duhet përjashtuar
mundësia që në fillim me emrin e Koxhaxhikut osmanët
të kenë emërtuar përkohësisht edhe vetë
kështjellën e Sopotnicës.
Pasi trupat osmane rrethuan kështjellën e Sopotnicës,
sulltan Murati II u kërkoi mbrojtësve dorëzimin e
saj. Por garnizoni i kështjellës, i drejtuar nga prifti
matjan Pjetër Perlati, hodhi poshtë kërkesën
për dorëzimin e saj dhe e mbrojti atë me heroizëm,
duke i thyer sulmet e njëpasnjëshme të trupave osmane.
Detyrën luftarake të mbrojtësve të kështjellës
e lehtësoi shumë ushtria shqiptare, e cila nën komandën
e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit vepronte në rrethinat
e saj. Skënderbeu organizoi sulme të befasishme e të
vazhdueshme kundër rrethuesve të kështjellës
dhe luftëtarët shqiptarë depërtuan edhe në
kampin e ushtrisë osmane, duke i shkaktuar asaj humbje të
ndjeshme.
Qëndresa e garnizonit të Sopotnicës vazhdoi për
aq kohë, sa osmanët arritën të zbulonin dhe
të prishnin kanalin e furnizimit të kështjellës
me ujë të pijshëm, gjë që e përkeqësoi
gjendjen e të rrethuarve. Etja e detyroi garnizonin e kështjellës
të hynte në bisedime me sulltanin dhe të pranonte
ofertën e tij për t'u larguar i lirë bashkë
me armët, me kusht që të dorëzonte kështjellën.
Pas gati tre muaj rrethimi, në gusht të vitit 1448 Sopotnica
kaloi në duart e osmanëve. Sipas kronistit bizantin L.
Halkokondili, banorët e Sopotnicës u masakruan, prandaj,
rrëfen ai, Getia iu dorëzua vetë osmanëve, pa
bërë qëndresë. Emri i Getias nuk gjendet në
burimet e tjera historike, prandaj duhet të jetë Ohri.
Ky qytet disa herë ka kaluar në duart e shqiptarëve
dhe të osmanëve gjatë shek. XV dhe vetëm në
fund të viteve 60 do të pushtohej përfundimisht nga
sulltan Mehmeti II, i cili do t'u njihte banorëve të tij
disa privilegje.
Rënia në duart e osmanëve e Sopotnicës, e bashkë
me të e Ohrit, ishte një humbje e rëndë për
shqiptarët dhe dobësonte sistemin e fortifikimeve mbrojtëse
të viseve të lira. Megjithatë, bllokimi për
një kohë relativisht të gjatë i trupave osmane
në Sopotnicë dhe lajmet për përgatitjen ushtarake
kundër osmanëve, që kishte filluar J. Huniadi, e
detyruan Muratin II të ndërpriste luftën kundër
shqiptarëve. Ai u largua pa realizuar synimin e fushatës
së vet ushtarake, marshimin në drejtim të Shqipërisë
Perëndimore dhe mposhtjen e qëndresës shqiptare.
Lufta për mbrojtjen e Sopotnicës la gjurmë të
pashlyeshme në vetëdijen historike të shqiptarëve
që banonin në zotërimet e Arianitëve. Toponimia
dhe antroponimia e këngës “Gjorgj Golemi”
(Gjergj Arianiti) dhe e tregimeve popullore për këtë
personazh të lavdishëm të shek. XV dëshmojnë
se sfondi i përgjithshëm historik i tyre përkujton
luftën e Sopotnicës. Mishërimi i saj në krijimtarinë
popullore është një përmendore për luftën
heroike të shqiptarëve gjatë shek. XV.
Paqja me Venedikun (tetor 1448)
Pas largimit të trupave osmane, Skënderbeu u kthye në
frontin e luftës kundër Venedikut.
Për të shqyrtuar qëndrimin që duhej të
mbanin ndaj përgatitjeve ushtarake antiosmane të J. Huniadi,
anëtarët e Besëlidhjes Shqiptare mblodhën Kuvendin
dhe vendosën që një ushtri e fuqishme e tyre të
bashkohej me forcat e Huniadit për të organizuar një
fushatë ushtarake të përbashkët kundër
pushtuesve osmanë. Për realizimin e këtij projekti
të përbashkët, ushtria e J. Huniadit do të marshonte
drejt viseve verilindore shqiptare, ku të bashkohej me rreth
20 mijë luftëtarë shqiptarë që do t`i komandonte
vetë Skënderbeu.
Përballë perspektivës që hapte zhvillimi me
sukses i një fushate ushtarake të përbashkët
shqiptaro-hungareze, Skënderbeu hyri në bisedime me Republikën
e Venedikut për t'i dhënë fund konfliktit të
armatosur dhe për të normalizuar marrëdhëniet
me të.
Bisedimet me përfaqësuesit e Venedikut u zhvilluan në
kampin ushtarak të Skënderbeut, të vendosur pranë
Lezhës. Besëlidhjen Shqiptare e përfaqësonin
Skënderbeu dhe Nikollë Dukagjini, ndërsa Republikën
e Venedikut e përfaqësonte qeveritari i Shkodrës,
Paulo Loredani, dhe i dërguari i posaçëm i saj,
Andrea Venerio.
Në përfundim të bisedimeve u nënshkrua më
4 tetor 1448 traktati i paqes. Sipas tij Republika e Venedikut do
të mbante zotërimet e saj në tokat shqiptare, duke
përfshirë edhe Dejën, me disa kushte: Skënderbeut
do t'i paguante çdo vit 1 400 dukate, disa anëtarë
të Besëlidhjes Shqiptare do të kishin prej Republikës
privilegje e favore të ndryshme, si p.sh. përjashtimin
e Skënderbeut e të Gjergj Arianitit nga taksat doganore
për kripën e stofrat që mund të blinin në
Durrës etj.
Por disa pika të këtij traktati nuk u respektuan nga Venediku.
Kështu, Skënderbeut nuk iu dhanë 1 400 dukatet e
vitit të parë, që sipas traktatit do t'i merrte brenda
15 ditëve që të përgatitej për fushatën
ushtarake të përbashkët me J. Huniadin. Ai iu drejtua
edhe Raguzës për një hua në të holla që
të përgatitej ushtarakisht, por kërkesa e tij nuk
u plotësua.
Me gjithë përgatitjet intensive për luftë të
përbashkët me hungarezët kundër osmanëve,
forcat shqiptare nuk arritën të merrnin pjesë në
betejë. Despoti serb, Gjergj Brankoviçi, nuk lejoi ushtrinë
shqiptare që të kalonte nëpër rrugët e
zotërimeve të tij. Rrjedhimisht trupat e J. Huniadit u
gjendën vetëm përballë ushtrisë osmane
në betejën që u zhvillua më 18 tetor 1448 në
afërsi të Prishtinës, të cilën e humbën.
Pas nënshkrimit të traktatit të paqes të 4 tetorit
1448 konflikti ndërmjet shqiptarëve e Venedikut nuk u
shua. Ai u rindez nga Lekë Dukagjini në mesin e viteve
50. Forcat e L. Dukagjinit, duke pasur mbështetjen e pashpallur
të Skënderbeut (i cili ndërkohë, sipas qeveritarëve
venecianë në Shqipëri, synonte për vete Drishtin
dhe Tivarin), arritën të merrnin kështjellën
e Dejës dhe atë të Shasit dhe i mbajtën ato
për disa vjet, deri kur L. Dukagjini dhe Venediku nënshkruan
traktatin e paqes të 19 shkurtit 1459.
Mbrojtja e Krujës gjatë Rrethimit I (korrik-tetor
1450)
Fushata ushtarake e sulltan Muratit II kundër Shqipërisë
gjatë vitit 1448 nuk dha përfundimet e dëshiruara
prej tij. Ishte e natyrshme që, pas fitores së vitit 1448
kundër ushtrisë së Huniadit, sulltani do të
kërkonte shkatërrimin e forcave shqiptare. Në mars
të vitit 1449 ai pushtoi qytetin e Artës dhe zotërimet
e despotit të Artës, Leonardit I (IV) Toko (1448 - 1479),
që kishte lidhje me Skënderbeun, u reduktuan në Shqipërinë
e Poshtme në Angjelokastër, Vonicë e Varnacë,
si dhe në ishujt Leukadë, Qefaloni e Xantë. Prandaj
Skënderbeu i përshpejtoi masat për forcimin e mbrojtjes
së vendit. U riparuan kështjellat, të cilat u përforcuan
edhe me luftëtarë e armatime.
Për fuqizimin e mbrojtjes së viseve lindore, ushtria shqiptare
e komanduar nga Skënderbeu u përpoq të çlironte
kështjellën e Sopotnicës (Sfetigradin). Në këtë
aksion morën pjesë me repartet ushtarake të tyre
edhe Gjergj Arianiti, Moisi Arianiti (Golemi) e Zahari Gropa. Sopotnica
u sulmua nga forcat shqiptare gjatë vitit 1449, por nuk e morën
dot. Përpjekjet e sundimtarëve shqiptarë për
të rivendosur pushtetin e tyre në rajonet e Sopotnicës
e të Ohrit nuk reshtën.
Për forcimin e aftësisë mbrojtëse të vendit,
rëndësi kishin edhe marrëdhëniet me Venedikun.
Në prill të vitit 1449 Skënderbeu dërgoi në
Venedik përfaqësuesit e vet për t`i kërkuar
Senatit të Republikës ratifikimin e traktatit të
paqes të tetorit 1448, si dhe autorizimin që ai të
mobilizonte luftëtarë nga banorët e zotërimeve
veneciane në Shqipëri. Gjithashtu Skënderbeu i kërkoi
Republikës së Shën Markut të përforconte
Shkodrën e zotërimet e tjera për të penguar
kalimin nëpër to të ushtrive osmane që të
mos sulmonin prapa krahëve forcat shqiptare. Këto kërkesa
Senati i Venedikut i pranoi, kurse nuk pranoi bashkëpunimin
ushtarak me Skënderbeun, që do të çonte në
prishjen e traktatit të paqes së nënshkruar me sulltan
Muratin II.
Sulmi i trupave osmane kundër Shqipërisë nuk vonoi.
Në vitin 1450 sulltan Murati II ndërmori një fushatë
ushtarake shumë të fuqishme, duke angazhuar në të
gjithë ushtrinë e Perandorisë. Sipas burimeve të
kohës, që përmendin Rrethimin I të Krujës,
numri i trupave osmane arrinte në l00 mijë veta. Por,
sipas rrëfimeve të bashkëkohësve që kanë
njohur nga afër organizimin e ushtrisë osmane, numri maksimal
i trupave të rregullta që mund të merrte pjesë
nëpër beteja larg viseve të tyre ishte rreth 30 mijë
veta.
I njoftuar me kohë për lëvizjen e ushtrisë armike,
Skënderbeu përfundoi masat mbrojtëse. Në vende
të sigurta malore dhe në qytetet e fortifikuara bregdetare
ai strehoi popullsinë e paaftë për luftë, grumbulloi
bagëtinë dhe prodhimet bujqësore në vende të
sigurta. Në vjeljen, grumbullimin dhe transportimin e prodhimeve
bujqësore në ndihmë të popullsisë vuri
ushtrinë. Prodhimet bujqësore të paarrira u asgjësuan,
që armiku të mos kishte mundësi furnizimi me to.
Skënderbeu mobilizoi popullsinë e aftë për luftë
dhe organizoi një ushtri të fuqishme. Forcat ushtarake
ai i ndau në tri pjesë. Nën komandën e Kont
Uranit vendosi në kështjellën e Krujës 1 500
luftëtarë vullnetarë të sprovuar. Mijëra
të tjerë i organizoi në formë çetash
që të vepronin në të gjithë vendin, sidomos
pranë rrugëve për të penguar furnizimin e trupave
armike me ushqime e mallra të tjera, duke sulmuar sidomos karvanet
e furnizimit të tyre. Nga këto më të rëndësishmet
ishin forcat e Gjergj Arianitit, që do të vepronin kryesisht
përgjatë Rrugës Mbretërore (Egnacia). Detyra
më e rëndësishme iu caktua 8 mijë luftëtarëve
që u vunë nën komandën e drejtpërdrejtë
të Skënderbeut. Këta do të qëndronin kryesisht
në rrethinat e Krujës dhe do të sulmonin pa ndërprerë
ushtrinë osmane që të mos e lejonin atë të
përqendrohej me të gjitha forcat kundër mbrojtësve
të kështjellës së saj.
Gjatë verës së vitit 1450 u grumbulluan në Manastir
rreth 30 mijë veta, që ishte numri maksimal i të
gjitha forcave ushtarake të Rumelisë e të Anadollit,
të cilat mund të grumbulloheshin dhe të merrnin pjesë
në luftime larg vendbanimeve të tyre. Ata u vunë
nën komandën e sulltan Muratit II, i cili, ashtu si para
dy vjetësh në Sopotnicë, kishte me vete edhe të
birin 23-vjeçar, sulltanin e ardhshëm, Mehmetin II.
Në fund të muajit korrik 1450, sulltan Murati II iu drejtua
viseve të lira shqiptare. Trupat osmane ishin të pajisura
me mjete ushtarake të shumta e nga më modernet për
kohën, duke përfshirë edhe metal për derdhjen
e topave.
Ushtria osmane ndoqi Rrugën Mbretërore (Egnacia). Gjatë
marshimit në drejtim të viseve perendimore trupat osmane
u gjendën nën sulmet e pandërprera të luftëtarëve
të Gjergj Arianitit që vepronin në formën e
çetave. Ushtria osmane kudo ku kaloi, vinte në dukje
kronisti bashkëkohor bizantin L. Halkokondili, "dogji,
duke i vënë zjarrin çdo gjëje që takonte".
Ajo depërtoi në thellësi të vendit, iu drejtua
Krujës dhe i ngriti çadrat në fushën që
shtrihej në perëndim të saj. Nënkuptohet se
një pjesë e viseve lindore të zotërimeve të
Kastriotëve e të Arianitëve, nëpër të
cilat lëviznin ushtritë pushtuese, përkohësisht
kaloi nën kontrollin osman.
Përballë ushtrisë së fuqishme osmane, sulltan
Murati II mendoi se shqiptarët ishin ligështuar, prandaj
u kërkoi mbrojtësve të kështjellës së
Krujës dorëzimin e saj pa luftë. Ai i propozoi Kont
Uranit një shumë të madhe të hollash dhe mbrojtësve
paprekshmëri gjatë largimit nga kështjella. Por këto
oferta u refuzuan prej shqiptarëve. Atëherë Murati
II urdhëroi pushtimin me luftë të kështjellës
së Krujës. Pranë mureve të saj osmanët
derdhën topa të fuqishëm. Me to u rrahën muret
kështjellës, një pjesë e të cilave së
bashku me portën e hyrjes u dëmtua. Pas bombardimit osmanët
u vërsulën drejt mureve të dëmtuara, por ndeshën
në "murin" e pamposhtur të mbrojtësve të
saj, të cilët me luftën dhe qëndresën e
tyre, nuk i lanë të hynin në kështjellë.
Nga jashtë Skënderbeu me luftëtarët e vet godisnin
pareshtur dhe befasishëm ushtrinë armike, nga drejtime
të ndryshme, ditën e natën, dhe shpesh e sulmonin
atë njëkohësisht në disa drejtime. Me ta bashkëvepronin
edhe mbrojtësit e Krujës. Shpesh këta dilnin nga
kështjella dhe sulmonin befasishëm ose u kundërpërgjigjeshin
goditjeve të trupave osmane.
Duke parë humbjet e mëdha të ushtrisë së
tij prej luftëtarëve të Skënderbeut, sulltan
Murati II urdhëroi asgjësimin e tyre, duke i ndjekur kudo
edhe nëpër male. Por ekspeditat malore u shkaktuan trupave
osmane humbje të rënda. Gjendja e tyre filloi të
përkeqësohej gjithnjë e më shumë edhe nga
mungesa e ushqimeve dhe e mallrave të tjera, sepse karvanet
e furnizimit që vinin nga Lindja nuk mund të qarkullonin
për shkak të sulmeve shfarosëse të çetave
të shumta shqiptare. Nevojat e ushtrisë për ushqime
e mallra të tjera, sulltan Murati II u përpoq t'i plotësonte
duke u furnizuar prej tregtarëve venecianë nëpërmjet
Durrësit e Shkodrës. Skënderbeu protestoi pranë
qeveritarëve të Republikës së Venedikut dhe,
pasi tregtarët e saj vazhduan të furnizonin me mallra
trupat osmane, atëherë ushtria shqiptare nisi sulmet kundër
karvaneve të tyre.
Lufta nën muret e Krujës vazhdoi gjatë katër
muajve. Osmanët e mbajtën vazhdimisht të rrethuar
kështjellën e Krujës dhe e sulmuan shumë herë
atë për ta pushtuar, por mbrojtësit e saj qëndruan
deri në fund. Ushtria osmane, sipas burimeve historike, pati
me mijëra të vrarë. Pasi humbi shpresat për
mposhtjen e shqiptarëve, Murati II kërkoi të arrinte
një marrëveshje paqeje me Skënderbeun, por ajo u
refuzua. Duke pasur një ushtri të demoralizuar dhe të
lodhur, në mesin e muajit tetor 1450, me fillimin e stinës
së s |