| K R E U
II
SHQIPËRIA MIDIS BIZANTIT DHE PERËNDIMIT
(SHEK. XI - XIV)
1. NORMANËT NË SHQIPËRI
Shqipëria në luftërat e Komnenëve
me normanët e Italisë
Shekulli XI solli ndryshime thelbësore në strukturën
e brendshme ekonomiko-shoqërore të Perandorisë Bizantine
si dhe në marrëdhëniet e saj me botën e jashtme.
Hipja në fron e perandorit Aleksi I Komneni (1081-1118), shënon
ardhjen në fuqi të aristokracisë ushtarake. Fillon
epoka e artë e feudalizmit ushtarak, që karakterizohet
nga ekspansioni i pronës ushtarake të kushtëzuar
(pronies) dhe që në Shqipëri u shfaq me ngritjen
e një sërë familjesh shqiptare, pjesëtarë
të të cilave fitojnë prona, tituj dhe funksione të
larta nga pushteti qendror.
Në planin e jashtëm, Perandoria Bizantine merr një
orientim të qartë perëndimor që do të ruhet
përgjatë gjithë sundimit të dinastisë Komnene
(1081-1185). Më 1071 Bizanti humbi kështjellën e
tij të fundit në Italinë e Jugut, Barin. Nga ai çast,
kundër territoreve bizantine filluan sulmet e paprera të
normanëve dhe të kryqtarëve perëndimorë.
Kjo dinamikë e re në marrëdhëniet Lindje-Perëndim
i vendosi trevat shqiptare në qendër të ngjarjeve.
Ato përbënin tashmë kufirin skajor perëndimor
të Bizantit, ndërkohë që për fuqitë
e reja të perëndimit Shqipëria, me portet dhe me
rrugët gjatësore të saj, ku vazhdonte të shquhej
Rruga e vjetër Mbretërore (Egnatia), ishte ura ideale
që bënte të mundur avancimin e ushtrive pushtuese
drejt Konstandinopojës. Për rrjedhojë, trevat shqiptare
u bënë vendi i përplasjeve të mëdha ushtarake,
kulturore e fetare, që ndikuan së tepërmi zhvillimin
historik të tyre.
Pas pushtimit të Barit, më 1071, Robert Guiskardi arriti
të bashkojë të gjitha zotërimet e princërve
normanë të Italisë së jugut dhe krijoi një
mbretëri të fuqishme, që menjëherë i hodhi
sytë në anën tjetër të Adriatikut. Në
pranverën e vitit 1081, një ushtri e madhe normane u nis
nga portet e Brindizit e të Otrantos nën drejtimin e vetë
Guiskardit dhe të djalit të tij, Boemundit. Ky i fundit
me një pjesë të flotës zbarkoi në brigjet
e Vlorës dhe, brenda një kohe të shkurtër, pushtoi
këtë qytet dhe qendrat e rëndësishme strategjike
të Kaninës e të Jerikos (Orikumit). Pjesa kryesore
e ushtrisë normane, nën drejtimin e Robert Guiskardit,
zbarkoi më në jug, në zonën e Butrintit. Atë
e bir iu drejtuan Durrësit, i pari nëpërmjet detit,
kurse i dyti me anë të një marshimi në rrugë
tokësore. Një furtunë e befasoi Guiskardin në
Kepin e Gjuhës, duke mbytur pjesën më të madhe
të flotës normane. Mbeturinat e ushtrisë së
tij arritën të bashkohen me forcat e Boemundit në
Glavinicë (Ballsh), ku mbërritën dhe përforcime
të reja nga Italia. Pasi pushtuan krejt “fushën
e Ilirikut” në qershor 1081 ushtritë normane arritën
të mbyllin rrethimin e Durrësit.
Perandori bizantin, Aleksi I Komnen, me çdo mënyrë
kërkoi të shmangë pushtimin e qytetit kryesor të
Adriatikut, që hapte rrugën drejt Selanikut e Konstandinopojës.
Ai dërgoi si komandant të qytetit të afërmin
e tij, Gjergj Paleologun. Me qëllim që të ndërpriste
komunikimin e forcave të Robert Guiskardit me brigjet e Apulisë,
Komneni lidhi një aleancë me Venedikun, i cili vuri në
dispozicion të perandorit bizantin flotën e tij të
fuqishme, kundrejt njohjes së privilegjeve tregtare në
territoret e Perandorisë Bizantine. Kjo marrëveshje, që
u përtëri disa herë në vitet e mëvonshme,
vendosi bazat e hegjemonisë së Venedikut në detet
e në tregjet bizantine.
Si rezultat i bashkëpunimit midis ushtrisë kryesore bizantine
të dislokuar në lindje të Durrësit, garnizonit
të qytetit nën gjeneralin Gjergj Paleologu dhe flotës
veneciane në ujërat e Durrësit, normanët pësuan
disa disfata, në tokë e në det. Por në një
betejë vendimtare jashtë mureve të Durrësit,
ku mori pjesë vetë perandori bizantin Aleks Komnen, normanët
korrën një fitore të madhe. Në këtë
betejë bizantinëve u mungoi ndihma e princit Bodin të
Dioklesë, aleat i tyre, i cili në momentin e fundit refuzoi
të përfshinte trupat e tij në betejë. Aleksi
I bashkë me mbeturinat e ushtrisë së tij u tërhoq
nëpër luginën e Erzenit, në qafën e Kërrabës
e grykën e Shkumbinit dhe mbërriti në Ohër.
Ndërkohë normanët e Robert Guiskardit iu kthyen qytetit
të Durrësit, të mbetur pa mbështetje nga jashtë.
Komandanti Gjergj Paleologu, që kishte marrë pjesë
në betejën e fundit, nuk kishte mundur të rifutej
në qytet dhe qe larguar bashkë me perandorin. Në
këtë mënyrë ky i fundit ia besoi mbrojtjen e
Durrësit komandantit të trupave të Arbrit. Kronistja
bizantine, Ana Komnena, e cila njëherësh ishte vajza e
perandorit Aleks Komneni dhe që i përshkruan me hollësi
ngjarjet në fjalë, sqaron se prijësi shqiptar kishte
titullin e lartë të komiskortit. Me gjithë qëndresën
e durrsakëve, qyteti u mor nga normanët në prag të
dimrit. Tregtarë nga qyteti i Amalfit e i Venedikut, që
banonin në Durrës, ua hapën tradhtisht portat e qytetit
normanëve.
Pas rënies së Durrësit ushtritë normane u lëshuan
drejt lindjes dhe në pak kohë zunë trevat e Dibrës,
Pologut e të Devollit. Por në pranverë të vitit
1082 Robert Guiskardi u detyrua të kthehej në Itali, ku
kishin shpërthyer revolta të princërve normanë,
të nxitura edhe nga Aleksi I Komneni. Djali i Guiskardit, Boemundi,
nuk mundi t`i mbajë për shumë kohë pozicionet
e fituara. Nën goditjet e ushtrisë së rimëkëmbur
bizantine dhe të popullsive vendase, normanët filluan
tërheqjen. Më 1084 bizantinët, të ndihmuar nga
banorët e vendit, rimorën Durrësin. Po atë vit
Robert Guiskardi vdiq në zotërimet e tij në Itali
dhe trupat e fundit normane u tërhoqën nga Shqipëria.
Deri në fund të sundimit të perandorit Aleksi I Komnen,
më 1118, brigjet shqiptare u prekën edhe dy herë
të tjera nga ushtri të ardhura nga perëndimi. Më
1096 në portet e Durrësit, Vlorës e të Butrintit
zbarkuan ushtritë e Kryqëzatës së parë,
të drejtuara nga sovranë e princër të ndryshëm
të Evropës. Midis tyre ishte dhe Roberti i Flandrës
dhe vetë Boemundi, sundimtari norman i Italisë së
Jugut. Një tjetër grupim kryqtarësh, nën komandën
e Rajmondit të Tuluzës, mbërriti në Durrës
në rrugë tokësore, nëpërmjet Dalmacisë
e Dioklesë. Në Diokle, kryqtarët ishin pritur “miqësisht”
nga princi Bodin, i cili tashmë ishte në luftë të
hapur me pushtetin bizantin. Mbërritja e luftëtarëve
perëndimorë në trevat, që vite më parë
kishin qenë fushëbetejë mes normanëve e bizantinëve,
e shqetësoi së tepërmi Aleks Komnenin. Ai i porositi
komandantët e tij të Durrësit, Vlorës e të
viseve të tjera që të ndiqnin me vëmendje lëvizjet
e kryqtarëve dhe të parandalonin çdo përpjekje
të tyre për të sulmuar e plaçkitur territorin
bizantin. Megjithatë, Aleks Komneni iu shmang një përplasjeje
të drejtpërdrejtë me ta dhe bëri gjithçka
për të përshpejtuar largimin e kryqtarëve drejt
lindjes. Ana Komnena dhe historianë perëndimorë,
që shoqëruan kryqëzatën e parë, tregojnë
se kryqtarët e lodhur e të rraskapitur nga lundrimi në
Adriatik, gjetën në tregjet e panairet e begata të
Durrësit, Glavinicës e të Adrianopojës (Gjirokastër)
prehjen dhe furnizimet e nevojshme për të vazhduar marshimin
e tyre drejt vendeve të shenjta.
Megjithatë kontradiktat midis perandorit bizantin dhe prijësve
të kryqëzatave, sidomos pasi këta krijuan principatat
e tyre në lindje, erdhën e u ashpërsuan derisa përfunduan
në përleshje midis ushtrive të krishtera. Veçanërisht
të mprehta qenë përplasjet e Aleks Komnenit me armikun
e tij të vjetër, Boemundin, që kishte ngritur në
Siri një principatë normane me qendër në Antioke.
Në pamundësi për të përballuar perandorin
bizantin në principatën e largët të Lindjes,
më 1107 Boemundi u kthye në Itali dhe filloi përgatitjet
për një invazion të ri të territorit bizantin.
Flota e madhe normane zbarkoi po atë vit në viset e Vlorës,
nga ku ushtritë e Boemundit iu drejtuan nëpër tokë
Durrësit. Qyteti mundi t`u qëndrojë përpjekjeve
të përsëritura të normanëve, të cilët
përdorën të gjitha mjetet dhe teknikat e kohës
për pushtimin e tij. Pa e hequr rrethimin e qytetit, Boemundi
vazhdoi marshimin e tij drejt Lindjes. Perandori Aleks Komneni u
përpoq të ndalte përparimin e ushtrive normane duke
bllokuar vendkalimet që çonin drejt Ohrit e Dibrës.
Krahina e Arbrit, e papushtueshme për nga pozicioni strategjik
e sistemet e fortifikuara të saj, u bë teatri kryesor
i veprimeve luftarake. Drejtimin e tyre perandor Aleksi ua besoi
komandantëve të shquar vendas, ndër të cilët
shquheshin Aleksandër Kabashi (Kabasilla) e Eustath Kamizi.
Vetë ai, me forca të shumta ishte pozicionuar më
në thellësi, në zonën e Ohrit, Devollit e të
Kolonjës, nga ku mbështeste njerëzit e tij të
angazhuar në luftimet me normanët në Arbër,
Vlorë e në Glavinicë. Pas disa muaj luftimesh rraskapitëse,
ushtria normane, e bllokuar në Ultësirën Perëndimore,
u detyrua të heqë dorë e të kthehet në
Itali. Boemundi nënshkroi në kampin e perandorit bizantin
në Kolonjë një marrëveshje poshtëruese
për të, sipas së cilës ai hiqte dorë nga
çdo sulm kundër territorit bizantin, prej zotërimeve
të tij në Itali e në Siri (Antioke), si dhe e njihte
veten si vasal të Aleksandrit I Komnen.
Nën sundimin e djemve të Aleksit I, Johanit II (1118-1143)
e Manuelit I Komnen (1143-1180), normanët dhe bizantinët
bënë secili nga një përpjekje për të
kapërcyer Adriatikun. Më 1149 mbreti Ruxheri II i Sicilisë
pushtoi Korfuzin dhe prej andej, pasi zbarkoi në sterenë
e Epirit, vazhdoi në drejtim të Tebës e të Korintit.
Por normanët u detyruan të tërhiqen shpejt nga këto
qytete, qendra të industrisë së mëndafshit dhe
çuan në Palermo, kryeqytet i mbretërisë së
tyre, teknologjinë e prodhimit të mëndafshit. Perandor
Manueli I Komeni ishte i pari sovran bizantin që imitoi Justinianin
duke tentuar pushtimin e Italisë. Më 1155 një flotë
bizantine e nisur nga portet shqiptare pushtoi qytetin e Ankonës.
Në pak kohë bizantinët kapën gjithë vijën
bregdetare nga Ankona në Taranto. Por menjëherë perandori
bizantin u ndodh përballë një koalicioni fuqish armike,
të drejtuara nga mbreti norman Guljelmi I. Edhe Venediku, aleati
i vjetër i Bizantit, u rreshtua kundër tij. Shumë
shpejt trupat bizantine u larguan nga trevat italiane të pushtuara
prej tyre.
Në vitin 1185 mbreti Guljelmi I bëri përpjekjen e
fundit të dinastisë normane të Italisë për
të pushtuar territorin bizantin. Ky zbarkim i ri norman u parapri
nga një revoltë e banorëve të viseve të
Vagenetisë (Çamëri) kundër pushtetit të
perandorit Androniku I Komneni (1182-1185). Me një shpejtësi
të pazakontë ushtritë normane pushtuan Durrësin,
strategu i të cilit, Jan Vrana, parapëlqeu të dorëzohej.
Pas Durrësit ushtritë normane u derdhën nëpër
Rrugën Mbretërore (Egnatia) dhe mbërritën para
qytetit të Selanikut. Garnizoni i kështjellës, i
përbërë prej luftëtarësh nga Kunavija e
Arbrit ua dorëzoi qytetin perëndimorëve. Por kësaj
radhe, normanët nuk arritën të konsolidojnë
fitoret e tyre. Më shumë se për meritë të
ushtrisë bizantine, ata u tërhoqën për shkak
të dobësive të organizimit e të furnizimeve
në vende aq të largëta nga bazat e tyre. Gjithsesi,
Durrësi e disa ishuj të Jonit mbetën edhe për
disa kohë në zotërim të normanëve. Me vdekjen
e Guljelmit I në krye të Mbretërisë së
Sicilisë erdhi sovrani gjerman Henriku VI, që inauguroi
sundimin e dinastisë Hohenshtaufen në Italinë e Jugut.
Sovranët e rinj, bashkë me mbretërinë, trashëguan
nga paraardhësit e tyre normanë politikën e pushtimeve
lindore. Jo më kot mbreti Henriku VI Hohenshtaufen, sipas kronistit
bizantin Niketa Konjati, e konsideronte veten “ zot të
tokave që shtrihen nga Durrësi në Selanik”.
2. JETA POLITIKE NË SHQIPËRI
NË SHEK. XII-XIII
Principata e Arbrit
Ballafaqimi i Perandorisë Bizantine me normanët e Italisë
dhe me kryqëzatat në shek. XI-XII, nxori në plan
të parë rolin e shqiptarëve dhe të tokave shqiptare
që u ndodhën në qendër të këtij ballafaqimi.
Qëndrimi i shqiptarëve përcaktoi dukshëm zhvillimin
e fushatave ushtarake të Perëndimit, ndaj pushteti qendror
bizantin u përpoq ta mbante në anën e vet fisnikërinë
shqiptare, duke e joshur atë me privilegje e tituj deri dhe
me ofiqe të lakmueshme në ushtrinë dhe administratën
bizantine. Duke filluar nga gjysma e dytë e shek. XI në
burimet historike përmenden familje fisnike shqiptare, si Skurra,
Arianiti, Muzaka, Topia, Meksha, Jonima, Pliti, Blinishti, Kamona,
që mbanin tituj të lartë bizantinë. Veçanërisht
në shek. XII, shumë i përhapur ishte titulli sebast,
që lidhet me periudhën e sundimit të dinastisë
Komnene e posaçërisht me atë të Manuelit I
(1147-1181). Luftërat e këtij perandori sa në Itali
aq edhe në Ballkan, kryesisht kundër serbëve të
Rashës, e rritën rolin dhe peshën ushtarake të
faktorit shqiptar. Fisnikët shqiptarë ishin fuqizuar mjaft.
Ndërkohë, ata shfrytëzuan privilegjet dhe ekskusitë
e akorduara nga pushteti qendror, për të rritur shkallën
e autonomisë së tyre. Ky proces zhvillimi politik autonom
i feudalëve dhe i krahinave të veçanta eci më
shpejt në trevën qendrore të Arbrit, me rol strategjik
e ushtarak të posaçëm. Në gjysmën e dytë
të shek. XII këtu kishte ndodhur me siguri një proces
përqendrimi pushteti. Në vitin 1166 përmendet, në
fakt, një prior Arbanensis (princ i Arbrit). Së bashku
me disa klerikë të lartë nga Arbri ky mori pjesë
në përurimin e kishës së re të Shën
Trifonit në Kotorr. Në ceremoni merrte pjesë dhe
"duka e komandanti" bizantin për Dalmacinë,
Dioklenë e për Arbërinë, Isaku. Kjo tregon se
priori i Arbrit, Andrea, e njihte ende formalisht sovranitetin bizantin.
Megjithatë, në këtë kohë autonomia politiko-administrative
e Arbrit ishte rritur së tepërmi, siç tregojnë
edhe privilegjet e vitit 1153 të perandorit Manuel për
kryeqendrën e Arbrit, Krujën. Duke u nisur edhe nga marrëdhëniet
e mira që vendosi me Papatin, perandori Manuel u tregua liberal
edhe përsa u përket marrëdhënieve kishtare;
në kohën e tij riti katolik njohu një përhapje
të gjerë jo vetëm në Shqipërinë e
Epërme, por dhe në atë Qendrore, posaçërisht
në Arbër.
Këto zhvillime në Shqipëri, që përkonin
në një plan më të gjerë me thellimin e
procesit të feudalizimit të Perandorisë Bizantine,
me dobësimin e pushtetit qendror dhe decentralizimin e tij,
në fundin e shek. XII, çuan në krijimin e një
strukture me tipare të qarta shtetërore në trevën
e Arbrit dhe në kristalizimin e një dinastie sunduese
vendase. Duke u nisur nga titulli "princ" (princeps),
që papa Inocenti III i dha më 1208 njërit prej krerëve
të saj, Dhimitrit, kjo strukturë shtetërore është
quajtur zakonisht në historiografi "Principatë e
Arbrit", njëlloj siç është quajtur "Despotat
i Epirit", formacioni fqinjë me Principatën e Arbrit,
me qendër në Artë, i cili kishte në krye një
despot.
Pas rënies së dinastisë së Komnenëve dhe
me ardhjen në fronin bizantin të dinastisë së
dobët të Engjëllorëve, treva e Arbrit fitoi
tiparet e një shteti të pavarur. Themelues i tij ishte
Progoni (1190-1198), pushtetin e të cilit e trashëguan
të bijtë, Gjini (1198-1206) dhe Dhimitri (1206-1216).
Dokumentet e rralla të kohës nuk thonë se cilës
familje të Arbrit i përkisnin këta. Ka shumë
gjasë që sundimtarët e Arbrit në kapërcim
të shek. XII-XIII t'i përkisnin familjes Skurra nga malësia
e Tiranës, ku emri Skurrë ndeshet ende në toponiminë
dhe antroponiminë e vendit. Emri i kësaj familjeje ndeshet
vazhdimisht në burimet e shek. XII-XIII si ndër më
kryesoret e Arbrit. Për pozitën e lartë shoqërore
të saj flet edhe varri familjar i sebastit Mihal Skurra në
kishën e Shën Mërisë së Brrarit i vitit
1201, apo varri i fisnikut tjetër nga kjo familje, Anton Skurrës,
në kishën e Shën Ndout në Lezhë. Për
pozitën e veçantë që kjo familje kishte në
shek. XII-XIII në gjirin e fisnikërisë shqiptare,
flet dhe fakti që pinjollë të saj lidhën krushqi
deri edhe me familjen perandorake bizantine. Edhe princi Dhimitër
i Arbrit u martua me mbesën e perandorit bizantin Aleksi II
Engjëlli, Komnenën, lindur nga martesa e vajzës së
këtij të fundit, Eudokisë, me mbretin e Serbisë,
Stefan Nemanjën e Kurorëzuar. Princesha Komnena, që
kishte lindur jo para vitit 1191, ishte në moshë të
mitur kur aty nga viti 1202, iu blatua princit Dhimitër të
Arbrit, gjë që në vetvete flet për karakterin
politik të kësaj martese. Martesa e Dhimitrit të
Arbrit me Komnenën synonte edhe të normalizonte marrëdhëniet
me Stefan Nemanjën e Serbisë, i cili në vitet e fundit
të shek. XII kishte mundur të pushtonte mjaft toka në
Kosovë e në Diokle (Gentë). Nemanja e vazhdoi përparimin
në thellësi të tokave shqiptare, duke marrë
edhe trevën e Pultit (malësia në të dy anët
e lumit Drin të bashkuar) që bënte pjesë në
Principatën e Arbrit. Pas lidhjes familjare me Nemanjët
e Serbisë, Principata e Arbrit ruajti në mënyrë
të qëndrueshme shtrirjen Drin-Shkumbin, të përfshirë
midis Lezhës, Durrësit, Ohrit e Dibrës.
Principata e Arbrit e arriti kohezionin e saj më të madh
nën sundimin e Dhimitrit. Nën autoritetin e tij u vunë
atë kohë edhe familje të shquara të Arbrit,
siç qenë Jonimët, Plitët, Shtëpanët,
Kamonat etj. Në një traktat paqeje të nënshkruar
prej tij më 1210 me Republikën e Raguzës, Dhimitri
i quan këta, sipas së drejtës feudale perëndimore,
"njerëzit e mi" (homines mei). Edhe titujt "gjykatës"
(iudex) apo "princ" (princeps) që i atribuohen Dhimitrit
prej papës Inocenti III, flasin për pozitën e tij
të dalluar në gjirin e fisnikërisë së Arbrit.
Ato tregojnë gjithashtu se familja e princërve të
Arbrit në kapërcim të shek. XII-XIII ishte e ndikuar
nga kultura dhe feudalizmi perëndimor. Këtë e konfirmon
edhe hapi i ndërmarrë më 1208 nga princi Dhimitër
për të kaluar në ritin katolik, duke u lidhur me
kishën katolike të Romës. Me gjithë ndikimet
që modelet feudale perëndimore patën në organizimin
dhe në ndërtimin e Principatës së Arbrit, tradita
bizantine mbetej ende shumë e fuqishme. Vetë Dhimitri
parapëlqente të përdorte titujt bizantinë me
prestigj panhypersebast apo megas arhond, ashtu si bujarët
e tjerë mbanin titujt po bizantinë sebast ose protosebast.
Qendra e Principatës së Arbrit ishte në qytetin e
Krujës. Në kohën e Dhimitrit, Principata zotëronte
edhe një dalje në det, në pjesën bregdetare
midis Bishtit të Pallës dhe derdhjes së lumit Mat.
Principata e Arbrit, Dukati i Durrësit dhe Despotati
i Epirit
Kryqëzata IV (1204) solli një ndryshim rrënjësor
të kushteve politike në Perandorinë Bizantine e posaçërisht
në viset e saj perëndimore.
"Traktati i ndarjes së tokave", i nënshkruar
nga Venediku e fuqitë e tjera pjesëmarrëse në
Kryqëzatë në prag të sulmit përfundimtar
mbi Konstandinopojën, parashikonte që një pjesë
e mirë e bregdetit shqiptar, prej Durrësit deri poshtë
në Prevezë, të kalonte nën sundimin e Venedikut.
Në fakt, venecianët arritën ta merrnin Durrësin
dhe rrethinat e tij dhe të krijonin një zotërim të
tyre të quajtur "dukati i Durrësit". Por në
jug të tij, në temën e dikurshme bizantine të
Nikopojës (Epir), venecianët nuk arritën të
vendosnin pushtetin e tyre. Që në dhjetëvjeçarët
e fundit të shek. XII një degë e familjes perandorake
bizantine të Engjëllorëve kishte siguruar në
Epir, veçanërisht në provincën e Vagenetisë
(Çamëri), prona të mëdha tokësore dhe
kishte ngritur aty një pushtet thuajse të pavarur nga
Konstandinopoja. Në këtë mënyrë, menjëherë
pas pushtimit të Perandorisë Bizantine nga kryqtarët
më 1204, një pinjoll i Engjëllorëve bizantinë,
Mihal Engjëlli, djali i qeveritarit të dikurshëm
të Epirit, krijoi këtu një zotërim të pavarur.
Dokumentet e kohës e quajnë këtë "Despotat
i Artës", sipas kryeqendrës së tij. Në
historiografi është bërë zakon të quhet
"Despotat i Epirit". Gjatë historisë së
tij më se dy shekullore, Despotati i Epirit e ndryshoi disa
herë shtrirjen e tij. Sidoqoftë, bërthama e qëndrueshme
territoriale përfaqësohej nga shtrirja e temës së
dikurshme bizantine të Nikopojës, e përkufizuar nga
malet Akrokeraune (Vetëtimës) në veri, nga gjiri
i Artës (Ambrakisë) në jug dhe nga rrjedhja e lumit
Vjosa e vargmalet e Pindit në lindje. Deti Jon lagte krahun
perëndimor të Despotatit. Përveç kryeqendrës,
Artës, qytete e kështjella të tjera të rëndësishme
ishin Janina, Ajdonati (Paramithia), Himara, Berati, Kanina dhe
për një farë kohe (1213-1253) edhe Durrësi.
Shqiptarët përbënin shumicën dërrmuese
të popullsisë së Despotatit në shtrirjen klasike
të tij. Po veç shqiptarëve kishte edhe popullsi
vllahe, greke e sllave të vendosura kryesisht në viset
e Thesalisë, të Maqedonisë e të Etolo-Akarnanisë,
që u aneksuan nga despotët e Epirit pas vitit 1216.
Nga pikëpamja e organizimit shtetëror, Despotati i Epirit
ishte një shtet bizantin. Në krye të tij qëndronin
despotët e familjes perandorake Engjëlli. Këta në
aktet dhe në dokumentet zyrtare të tyre shfaqen me emrin
e përbërë Engjëll-Duka-Komnen, duke kujtuar
kështu lidhjet e Engjëllorëve me dinastitë e
tjera bizantine. Vetë sundimtarët e Epirit nuk u pajtuan
me statusin e sundimtarit të një province. Ata e mbanin
veten për trashëgimtarë të ligjshëm të
fronit bizantin dhe në këtë kuptim e konsideronin
pushtetin e tyre në Epir si një pikënisje për
të restauruar Perandorinë Bizantine, duke dëbuar
kryqtarët nga vendet bizantine.
Vitet e para të sundimit despoti Mihali I Engjëlli (1204-1216)
ia kushtoi konsolidimit të brendshëm të shtetit të
posalindur. Nuk munguan në këtë kohë edhe konfliktet
me principatat kryqtare, të krijuara pas vitit 1204 në
kufijtë e Despotatit, në mbretërinë lombarde
të Selanikut, në dukatin e Athinës dhe në Principatën
frënge të Akesë. Me t'u krijuar një gjendje
e qëndrueshme në kufijtë me këto formacione,
iu vu punës për shtrirjen e Despotatit në drejtim
të veriut. Në vitin 1210 Despotati i Epirit i ishte afruar
së tepërmi dukatit venecian të Durrësit.
Ndërkaq sundimi i Venedikut në Durrës ishte treguar
i paqëndrueshëm. Përpjekjet për ta shtrirë
juridiksionin venecian përtej qytetit kishin hasur në
kundërshtimin e princit Dhimitër të Arbrit. Fisnikë
të Arbrit ishin tashmë zotër të tokave në
rrethinat e Durrësit, gjë që shqetësoi jo vetëm
pushtetin venecian të Durrësit, por dhe kryepeshkopatën
katolike të qytetit, e cila pretendonte se Dhimitri dhe njerëzit
e tij kishin okupuar pronat e saj. Me qëllim që të
ushtronte presion mbi princin e Arbrit, duka i Venedikut lidhi një
aleancë me princin e Dioklesë (Gentës), Gjergjin,
i cili zotohej ta ndihmonte Venedikun kundër Dhimitrit. Por
ky ndërkaq kishte arritur të bënte për vete
papën e fuqishëm Inocenti III, të cilit i premtoi
konvertimin e tij, të bujarëve e të popullit të
tij në fenë katolike.
I brejtur nga konfliktet me princin e Arbrit, Papatin e me vetë
kishën vendase, dukati venecian i Durrësit u tregua i
pafuqishëm të përballonte mësymjen nga jugu
të despotit të Epirit, të Mihalit I Engjëlli.
Në vitin 1210 kufiri midis Despotatit dhe Dukatit venecian
të Durrësit ishte vendosur në rrjedhjen e lumit Shkumbin.
Atë vit duka Marin Valaresi u takua me despotin Mihal për
të biseduar lidhur me vendosjen e një paqeje. Paqja u
nënshkrua në verë të atij viti nga duka i Venedikut
Pietro Xian dhe despoti Mihali I. Në bazë të saj
njihej edhe de jure kufiri i Shkumbinit si caku verior i zotërimeve
të Despotatit. Ndërkohë, despot Mihali zotohej të
lejonte tregtarët venecianë të tregtonin lirisht,
pa taksa e doganë, në tokat e tij dhe t'i mbronte ata
nga shtetasit e tij, në rast konflikti me sipërmarrësit
venecianë.
Në muajin shtator 1210 venecianët sheshuan edhe mosmarrëveshjet
me kishën e Durrësit, duke vënë në krye
të saj venecianin Manfred. Në marrëveshjen që
nënshkroi me dukën Pietro Xian në shtator të
vitit 1210, kryepeshkopi Manfred u betua se do t'i qëndronte
besnik Republikës së Venedikut dhe se do të punonte
që qytetarët si dhe bashkësia e Durrësit dhe
e zonave përreth t'i bindeshin pushtetit venecian.
Megjithatë, shpresat e Venedikut për të ruajtur një
minimum pranie në Durrës dhe në rrethinat e tij,
pësuan goditjen e fundit më 1213, kur despot Mihali I
Engjëlli ia shkëputi atë Republikës së
Shën Markut dhe e bashkoi me zotërimet e tij. Ushtria
e tij përparoi thellë në veri e më 1215 pushtoi
Shkodrën, por shpejt u tërhoq prej andej për t'u
vendosur në vijën e Durrësit.
Pushtimi jetëshkurtër i Shkodrës ishte ndërmarrja
e fundit ushtarake e despotit Mihali I.
Në rreth 10 vjet të sundimit të tij, shteti i vogël
e i dobët epirot, arriti të zgjerohet duke zënë
pak a shumë shtrirjen e temave të dikurshme bizantine
të Nikopojës e të Durrësit. Përveç
kryeqendrës, Artës, despot Mihali parapëlqente si
rezidencë të zgjedhur të tij kështjellën
e Beratit. Ende sot aty ruhen dëshmi të shumta të
punimeve fortifikuese e të ndërtimeve të kultit të
ndërmarra në kohën e sundimit të tij. Despot
Mihali I vdiq pikërisht në kështjellën e Beratit
në vitin 1216 pas një komploti të organizuar nga
njerëz të afërt të tij. Pas kësaj në
krye të Despotatit u vu i vëllai, Teodori. Nën sundimin
e tij Despotati i Epirit arriti shtrirjen e tij më të
gjerë. Politika e despotit të ri u orientua kryekëput
nga lindja dhe synoi asgjësimin e principatave latine të
kryqtarëve në Greqi, në Maqedoni e në Traki,
rimëkëmbjen e Perandorisë Bizantine dhe kurorëzimin
e tij si perandor i Bizantit. Në këtë kuadër
fitoi rëndësi të posaçme kontrolli mbi Durrësin
dhe mbi boshtin e Rrugës Mbretërore (Egnatia), i cili
hapte rrugën drejt kështjellave të Maqedonisë
e Selanikut dhe njëherësh shkëpuste lidhjet jetësore
të perandorisë latine të Konstandinopojës ose
të mbretërisë lombarde të Selanikut me fuqitë-mëmë
të perëndimit. Duke pasur parasysh rëndësinë
strategjike të këtij boshti rrugor e veçanërisht
të pikënisjes së tij, Durrësit, mitropoliti
i Korfuzit, Gjergj Bardhami, shprehej atë kohë se "despoti
derdh pa kursim për Durrësin para, ushtri e çdo
gjë tjetër, në mënyrë që të mos
lejohen egërsirat nga Perëndimi të vënë
këmbë në atë qytet, që ai e do mbi të
tjerët ".
Në fakt, që në fillim të sundimit të tij,
Teodorit iu desh të përballonte një përpjekje
të latinëve për të shtënë në
dorë korridorin e rrugës Egnatia. Në verën e
vitit 1217, perandori i ri latin i Konstandinopojës, Pier dë
Kurtëne, në krye të një ushtrie të nisur
nga porti i Brindizit, zbarkoi në Durrës me destinacion
Konstandinopojën. Pasi mori qytetin, ushtria latine e vazhdoi
marshimin përgjatë rrugës Egnatia në drejtim
të Selanikut. Historiani bizantin Gjergj Akropoliti rrëfen
se despoti Teodor i kishte ngritur pritë ushtrisë latine
"në vendet e ashpra të Arbrit", diku në
luginën e Shkumbinit. Në betejën e zhvilluar këtu,
ushtria frënge u shpartallua keq dhe vetë perandori Kurtënè
u zu rob. Një kronist frëng, vazhduesi i Robert Autissiodorensis,
ia atribuon katastrofën e perëndimorëve qëndrimit
armiqësor të popullsisë vendase (malicia indigenorum)
që bashkëpunoi me despotin e Epirit. Pas kësaj fitoreje,
Teodori e ripushtoi Durrësin. Në qytet u përforcua
sistemi i mbrojtjes dhe u kryen punime të ndryshme fortifikuese.
Në vitet që pasuan, Teodor Engjëlli i zhvendosi veprimet
luftarake në lindje. Këtu ai mori njërën pas
tjetrës kështjellat e Ohrit, të Përlepit, të
Pelagonisë (Manastir) etj. Por objektivi kryesor ishte Selaniku,
të cilin Teodori ua shkëputi baronëve lombardë
në vitin 1224. Këtu ai u kurorëzua "perandor
e autokrat i bizantinëve" nga kryepeshkopi i fuqishëm
i Ohrit, Dhimitër Komatiani. Selaniku u bë qendra e re
ku u zhvendos Teodori e oborri i tij. Qeverisjen e zotërimeve
shqiptare Teodori ia besoi të vëllait, Konstandinit, të
cilit i akordoi titullin despot. Duke ndjekur shembullin e perandorëve
të Bizantit, ai u shpërndau tituj fisnikërie si sebastokrator,
domestik i madh, protovestiar etj., bashkëpunëtorëve
të tij të afërt, midis të cilëve edhe mjaft
bujarëve shqiptarë. Në administrimin e punëve
të "perandorisë" së tij, Teodori ndihmohej
nga një "këshill i të zgjedhurve". Një
mbështetje të fortë i jepnin politikës së
tij prelatët e lartë të kishës, ndaj të
cilëve Teodori tregoi vazhdimisht kujdes të veçantë.
Mitropoliti i Naupaktit, Jan Apakauku, kryepeshkopi i Korfuzit,
Gjergj Bardhani, ai i Ohrit, Dhimitër Komatiani, si dhe peshkopi
i Kaninës ishin disa nga bashkëpunëtorët e këshilltarët
më të afërt të Teodorit.
Pas marrjes së Selanikut, objektivi i dytë i madh mbetej
për Teodorin pushtimi i Konstandinopojës, që do të
shënonte fundin e Perandorisë Latine e rimëkëmbjen
e Bizantit. Midis viteve 1225-1230 ushtritë e tij arritën
suksese të mëdha në Maqedoninë Lindore e në
Traki, ku pushtuan Adrianopojën. Por në vendin e quajtur
Klokotnica, në vitin 1230, trupat e Teodorit pësuan një
disfatë të rëndë nga ushtritë e carit bullgar,
Ivani II Aseni, që ishte shqetësuar nga forcimi i shtetit
epiriot e nga përparimi i Teodorit në zonën e interesave
bullgarë.
Lufta midis Despotatit të Epirit dhe Perandorisë
së Nikesë për hegjemoni në Shqipëri
Beteja e Klokotnicës, ku vetë Teodori u zu rob, goditi
rëndë aspiratat panbizantine të despotëve të
Epirit. Paskëtaj, zotërimet epirote u ndanë në
shumë pjesë. Në Selanik e Thesali vazhdoi të
sundojë i vëllai i Teodorit, Manueli. Gjithë territori,
prej Adrianopoje në Durrës, u pushtua nga Ivani II Aseni
i Bullgarisë. Cari bullgar filloi paskëtaj ta quajë
veten "perandor e autokrat, zot i krahinave prej Adrianopoje
në Durrës" dhe të shpalosë me forcë
pretendimet për Konstandinopojën e për fronin bizantin.
Krahinat e Epirit nuk u përfshinë në kufijtë
e rinj të mbretërisë bullgare. Këtu shfaqet
si sundimtar Mihali II Engjëlli, djali i Mihalit I. Për
10 vjet ky punoi për të forcuar pozitat e lëkundura
të Engjëllorëve. Rrethi i bashkëpunëtorëve
të tij u zgjerua me elementë të aristokracisë
vendase, të cilëve u ishte besuar drejtimi i krahinave
dhe i kështjellave të ndryshme të despotatit. Ashtu
si dhe i ati, Mihali II i ruajti lidhjet e ngushta me Beratin, Vlorën
e me parinë e këtyre dy qyteteve. Me qeveritarin e tyre,
Jan Frëngun, pinjoll i një familjeje të vjetër
fisnike vendase, despoti kishte edhe lidhje familjare.
Shthurja e Mbretërisë së Bullgarisë, pas vdekjes
së Ivanit II Aseni (1241), e lejoi Mihalin II të zgjerojë
kufijtë e Despotatit. Durrësi u bë përsëri
pjesë e tij, ndërkohë që kështjella të
tjera u aneksuan në Maqedoni e në Thesali. Por edhe kësaj
radhe Despotati ndeshi në një kundërshtar të
fuqishëm, që në atë kohë ishte bërë
një faktor i rëndësishëm politik në Ballkan.
Kjo ishte Perandoria e Nikesë, një formacion i ngjashëm
me Despotatin e Epirit, që lindi pas vitit 1204 në Azinë
e Vogël. Luftërat me Nikenë përbëjnë
fazën e dytë të rëndësishme në historinë
e Despotatit të Epirit. Ashtu si despotët e Epirit, edhe
perandorët e Nikesë e mbanin veten për trashëgimtarë
të ligjshëm të fronit bizantin. Marrja e Konstandinopojës
e rimëkëmbja e Perandorisë Bizantine përbënin
vijën kryesore të politikës së tyre, nga ku
buronte edhe armiqësia me rivalët e tyre të Epirit.
Pas dobësimit të Mbretërisë së Bullgarisë,
Perandoria e Nikesë fitoi epërsi në ngjarjet në
Ballkan. Brenda vitit 1246 perandori i Nikesë, Joan Vatatze
(1222-1254), pushtoi Trakinë, Maqedoninë dhe qytetin e
Selanikut.
Sukseset e rrufeshme të nikeasve zbuluan mangësitë
ushtarake e politike të shtetit epiriot. Tashmë ishte
dobësuar aleanca e këtij shteti me krerët lokalë
të krahinave të ndryshme të Despotatit, në të
cilën bazohej forca e tij. Politika e zbatuar nga Teodori e
nga Mihali II në funksion të pushtimeve kishte goditur
drejtpërsëdrejti format e qeverisjes në rajone të
caktuara të Despotatit të Epirit me Principatën e
Arbrit, e cila ishte kthyer tashmë në një shtet vasal.
Çarja midis dy aleatëve të dikurshëm u pa
gjatë konflikteve ushtarake që u zhvilluan në zonën
e Maqedonisë Jugperëndimore midis forcave të Nikesë
dhe atyre të Epirit në vitin 1253. Atë kohë
princi i Arbrit, Gulami, bashkë me forcat e tij, kishte zënë
pozicion në zonën e Kosturit për t'u prerë rrugën
nikeasve që kërkonin të çanin në drejtim
të Devollit. Por perandori i Nikesë, Jan Vatatze, arriti
të tërheqë në anën e tij princin Gulam,
që tashmë ishte ftohur me Mihalin e Epirit. Premtimet
joshëse të perandorit të Nikesë u konkretizuan
me nënshkrimin e një traktati, që vuloste aleancën
e re midis Nikesë dhe Arbrit dhe që njihte autonominë
e këtij të fundit.
Krahas Gulamit të Arbrit, me nikeasit u bashkuan edhe krerët
e Kosturit e të Devollit, të cilët gjithashtu ishin
të pakënaqur nga Mihali II i Epirit. Në këto
kushte, despoti i Epirit u detyrua të kërkonte paqe, e
cila u nënshkrua në Larisë (1253). Mihali II hiqte
dorë nga kështjellat e Maqedonisë Perëndimore
dhe nga kështjella e Krujës. Kësaj të fundit,
perandori Jan Vatatze i njohu qysh atë vit një sërë
privilegjesh të rëndësishme që kishin të
bënin me sigurimin e pronave të fisnikëve, të
klerit dhe të qytetarëve të saj, si dhe me heqjen
e tatimeve të caktuara. Të njëjtat privilegje u konfirmuan
pas dy vjetësh nga perandori i ri i Nikesë, Teodori II
Laskari (1254-1258). Ato iu konfirmuan vazhdimisht krutanëve
nga perandorët e mëvonshëm të Bizantit.
Humbja e mbështetjes që kishte patur në Principatën
e Arbrit ia bëri të pamundur despotit Mihal ruajtjen e
zotërimit të rëndësishëm të Durrësit.
Në vitin 1256 qyteti iu dorëzua perandorit të Nikesë.
Paqja e nënshkruar atë vit midis dy rivalëve sanksiononte
tërheqjen e Despotatit të Epirit në kufijtë
e tij fillestarë. Në viset e zbrazura nga epirotët
u vendos administrata e Nikesë.
Kryengritja e shqiptarëve kundër Perandorisë
së Nikesë (1257-1258)
Vendosja e pushtetit të Nikesë në viset shqiptare
nuk e përmirësoi gjendjen e tyre, përkundrazi, një
administratë e rreptë ushtarake e civile u vendos në
trevat shqiptare, përfshirë edhe Principatën e Arbrit,
që kishte luajtur një rol vendimtar në suksesin e
nikeasve. Në krye të saj u vu një qeveritar bizantin,
Konstandin Habaroni, i cili së bashku me qeveritarët e
krahinave të tjera të Shqipërisë e të Maqedonisë,
u vu nën urdhrat e komandantit epror, pretorit Georg Akropoliti
që kishte selinë në Selanik.
Që të nesërmen e vendosjes së sundimit të
Nikesë në Shqipëri filluan të duken shenjat
e një pakënaqësie të thellë. Këto
qenë më të forta në trevat e Principatës
së Arbrit, e cila në kundërshtim me premtimet e dhëna,
u privua nga çdo lloj autonomie prej regjimit nikeas. Qeveritari
nikeas i Arbrit, Konstandin Habaroni, nuk ishte në gjendje
të mbante nën kontroll gjendjen shpërthyese, ndaj,
në dimrin e vitit 1257-1258, kryekomandanti i forcave perëndimore
të Nikesë, pretori Gjergj Akropoliti, vendosi të
organizonte një ekspeditë demonstrative në Arbër.
Prej Selanikut, ekspedita e drejtuar prej tij përparoi nëpër
Kostur, Ohër, Durrës, ku Akropoliti u takua me krerët
dhe autoritetet e vendit. Marshimi i Akropolitit vazhdoi nëpër
krahinat e thella të Matit e të Dibrës. Kudo ku kaloi
Akropoliti u mundua të forcojë bazat e sundimit të
Nikesë, duke riorganizuar administratën ushtarake e civile
të saj. Pas tre muajsh misioni të vështirë në
zonën shpërthyese të Arbrit, në shkurt të
vitit 1258, Akropoliti mbërriti në Përlep. Këtu
atij i erdhi lajmi se "mbarë populli i arbëreshëve
ishte hedhur në kryengritje". Për rrjedhojë
edhe despoti Mihali II Engjëlli i Epirit e prishi paqen me
Nikenë. Vetë qeveritari Nikeas i Arbrit, Konstandin Habaroni,
u zu rob prej tij gjatë një prite që iu ngrit në
Kaninë dhe ku pati dorë e fejuara e tij, Maria Frëngu,
kunatë e despotit Mihal dhe pinjolle e familjes më të
shquar të zonës së Vlorës në shek. XI-XIII.
Gjendja e re e detyroi Akropolitin të ndërmerrte një
fushatë të vërtetë ushtarake për të
shtypur kryengritjen. Goditja kryesore e nikeasve u drejtua kundër
vatrës së trazirave, Arbrit. Ushtria e tyre, nën
komandën e vetë Akropolitit pushtoi Ohrin dhe vazhdoi
marshimin drejt Durrësit. Por qëndresa e kryengritësve
shqiptarë e detyroi Akropolitin të bënte prapaktheu
në Ohër. Paskëtaj, kryekomandanti nikeas u përpoq
të hynte në Arbër nga ana e Dibrës, por edhe
këtu ushtria e tij u rrezikua të asgjësohej nga kryengritësit,
ndaj u tërhoq në drejtim të Përlepit.
Ndërkaq, i inkurajuar nga kryengritja e shqiptarëve, despoti
Mihali II Engjëll i Epirit rifilloi veprimet luftarake në
Maqedoni. Ushtria e tij, e përkrahur nga popullsia vendase,
pushtoi Ohrin dhe kështjella të tjera të Maqedonisë
Perëndimore. Pothuaj të gjithë komandantët e
forcave të Nikesë u hodhën në anën e despotit
të Epirit. Edhe kështjella e Përlepit, ku ishte i
rrethuar kryekomandanti, Georg Akropoliti, u hapi portat epirotëve.
Akropoliti dhe ushtarakë të tjerë ranë robër
të Mihalit II. Në këtë mënyrë, gjithë
këto treva u përfshinë përsëri në
kufijtë e Despotatit të Epirit.
Sukseset e arritura në Maqedoni zgjuan te Mihali II i Epirit,
ashtu si te paraardhësi i tij, ëndrrën e pushtimit
të Konstandinopojës e të rimëkëmbjes së
Perandorisë Bizantine, duke i paraprirë në këtë
gjë rivalit të tij, perandorit të Nikesë. Në
funksion të këtij qëllimi despoti i Epirit i hodhi
sytë nga një aleancë e re me sovranin e Mbretërisë
së Sicilisë, mbretin Manfred nga dinastia gjermane Hohenshtaufen,
pavarësisht se ky kishte përfituar nga ngjarjet e fundit
për të shtënë në dorë një pjesë
të bregdetit shqiptar. Aleanca me Manfredin u bë fakt
i kryer me martesën e këtij të fundit me vajzën
e despotit Mihal, Helenën. Megjithatë përforcimet
që mori nga Manfredi e dhëndri tjetër i tij, princi
Guljelm II Vilëharduen i Akesë, nuk i mjaftuan despotit
të Epirit për të ndalur ofensivën e filluar
në pranverën e viti 1259 nga perandori i ri i Nikesë,
Mihali VIII Paleolog. Ohri qe një nga kështjellat e para
që despoti i Epirit u lëshoi nikeanëve. Kësaj
radhe ish-kryepeshkopi durrsak i qytetit, Konstandin Kabasilla,
që erdhi bashkë me ushtrinë nikeane, ndikoi me autoritetin
e tij për t'i bindur mbrojtësit t'ia dorëzonin kështjellën
perandorit të Nikesë. Pas Ohrit, ushtria e Nikesë,
nën komandën e sebastokratorit Jan, vëlla i perandorit
Mihali VIII Paleolog, rrethoi kështjellën e Devollit,
të cilën e mori pas luftimesh të ashpra.
Në verë të atij viti, Mihali II Engjëlli pësoi
disfatën përfundimtare në fushën e Pelagonisë
(Manastir).
Fitorja e Perandorisë së Nikesë mbi Despotatin e
Epirit në Pelagoni u pasua nga një tjetër fitore
e madhe e saj. Në verë të vitit 1261 nikeasit ua
morën me sulm Konstandinopojën latinëve. Në
këtë mënyrë, konflikti i gjatë për
të korrur trashëgiminë e Perandorisë Bizantine
u zgjidh në favor të Nikesë. Mihali VIII Paleologu
u bë perandori i parë i Perandorisë Bizantine të
rimëkëmbur.
Rivali i tij i dikurshëm, despoti Mihali II i Epirit, pas disfatës
në Pelagoni i humbi krejt zotërimet e tij. Ushtritë
e Paleologut përparuan deri thellë në kufijtë
e Epirit historik e morën dhe qendrat e fundit të qëndresës
epirote, Janinën e Artën. Mihali II Engjëlli u strehua
në Korfuz, zotërim i dhëndrit të tij Manfred.
Por ashtu si më 1257, administrata e re bizantine hyri që
në fillim në konflikt me popullsinë vendase. Rritja
e pakënaqësisë gjeti shprehjen më të lartë
në shpërthimin e kryengritjeve antibizantine në gjithë
territorin shqiptar të Perandorisë. Këto kryengritje
krijuan kushte që despoti Mihali II Engjëll të kthehej
në Epir e pak nga pak të rikrijonte Despotatin e Epirit
në kufijtë e ngushtuar të temës së dikurshme
të Nikopojës.
Përsa u përket territoreve në veri të lumit
Vjosë, kryengritjet antibizantine të shqiptarëve
u mpleksën aty me një sërë rrethanash të
tjera, të cilat krijuan një gjendje krejtësisht të
re.
3. SHQIPËRIA DHE MBRETËRIA
E SICILISË NË SHEK. XIII
Manfred Hohenshtaufeni në Shqipëri
Kapërcimi i shek. XII-XIII solli në Mbretërinë
e Sicilisë një ndryshim të dinastisë sunduese.
Vendin e dinastisë normane Altavila, e zuri dinastia perandorake
gjermane Hohenshtaufen. Bashkë me fronin e Sicilisë, sovranët
e rinj gjermanë trashëguan dhe planet pushtuese në
Lindje të paraardhësve të tyre.
Henriku VI Hohenshtaufen që me ardhjen e tij në pushtet
i shpalli hapur pretendimet e tij në bregun lindor të
Adriatikut. Sipas historianit bizantin Niketë Koniati, Henriku
pretendonte të ishte zot i gjithë territorit që shtrihej
prej Durrësit e deri në Selanik, territor i pushtuar për
një kohë të shkurtër nga paraardhësi i
tij norman, Guljelmi II, gjatë fushatës së vitit
1185.
Por as Henriku VI, as pasardhësi i tij i madh, Frederiku II
Hohenshtaufen, nuk qenë në gjendje të organizonin
ndonjë ekspeditë si ato të normanëve në
Shqipëri. Një gjë të tillë e bëri
djali i Frederikut, Manfred Hohenshtaufeni. Duke përfituar
nga konflikti midis despotit Mihali II i Epirit dhe perandorit të
Nikesë, Teodorit II Laskari, si dhe i inkurajuar nga pakënaqësia
e thellë që kishte pushtuar popullsinë shqiptare
kundër këtyre dy rivalëve bizantinë, në
mesin e dimrit të vitit 1257-1258 flota e Manfredit e komanduar
nga admirali i tij, Filip Kinardi, zbarkoi në bregdetin shqiptar
dhe pushtoi Durrësin, Vlorën, Spinaricën e Beratin.
Ndonëse këto kështjella juridikisht ishin në
atë kohë nën sundimin e perandorit të Nikesë
(Durrësi), apo të despotit të Epirit (Vlora, Berati
e Spinarica), as njëri e as tjetri nuk ushtronin pushtet real
në to. Kryengritja e fundit e vitit 1257 e shqiptarëve
i kishte detyruar garnizonet dhe administratën e perandorit
apo të despotit të tërhiqeshin dhe ta linin qeverisjen
e atyre vendeve në dorë të parisë lokale, e
cila, me sa duket, ishte marrë vesh paraprakisht me Manfredin
e Sicilisë për ndërmarrjen e tij.
I ndodhur para faktit të kryer, despoti Mihali II i Epirit
e pa me vend mos të ndizte armiqësi të reja me mbretin
e Sicilisë. Përkundrazi, me qëllim që ta tërhiqte
atë në një aleancë ushtarake kundër rivalit
të tij kryesor, perandorit të Nikesë, ai ia njohu
Manfredit pushtimet e reja në bregdetin shqiptar. Madje i ofroi
atij dhe dorën e së bijës, Helenës, bashkë
me një sërë zotërimesh të tjera në
cilësinë e pajës: Himarën, Sopotin (Borshin),
Butrintin e Korfuzin. Në këtë mënyrë ndër
të gjithë sovranët e mbretërisë së
Sicilisë të dy shekujve të fundit, Manfredi qe i
pari që zuri një pjesë të mirë të
brezit bregdetar të Shqipërisë në pritje të
kushteve të përshtatshme për të zgjeruar pushtimet
në thellësi të Ballkanit.
Por beteja e Pelagonisë (Manastirit), në pranverë
1259, ku bashkë me forcat e despotit, Mihalit II të Epirit,
u shpartallua edhe reparti i vogël prej 300 luftëtarësh
që Manfredi i kishte dërguar për ndihmë vjehrrit
të tij, i vuri në pikëpyetje vetë zotërimet
siciliane në Shqipëri. Ngadhënjyesi i Pelagonisë,
perandori i ri i Nikesë, Mihali VIII Paleologu (prej 1261 perandor
i Bizantit), e vazhdoi mësymjen deri në bregdet, duke
marrë të gjitha zotërimet e Manfredit, me përjashtim
të Durrësit. Gjithsesi, në shtator të vitit
1261 Manfredi organizoi një fushatë të re në
Shqipëri dhe arriti përsëri zotërimet e bregdetit,
të cilat i mbajti deri në fund të jetës së
tij (1266).
Baza e qeverisjes së zotërimeve të Manfredit në
Shqipëri ishin kështjellat. Këtu u vendosën
garnizonet siciliane nën komandën e kështjellarëve.
Kështjellari i Kaninës, që kontrollonte dhe zonën
e Vlorës, në vitet 1258-1274 ishte Jakob Balsiniani, pas
çdo gjase një fisnik gjerman. Juridiksioni i tij shtrihej
në një perimetër të gjerë rreth kështjellës,
që përfshinte edhe fshatrat e Orikumit, Vranishtit, Vonicës
etj. Krerët feudalë vendas ishin përfshirë në
sistemin e mbrojtjes së kështjellës së Kaninës
dhe të territorit të saj. Përveçse në
rast lufte, ata, normalisht, të shoqëruar nga njerëzit
e tyre, kryenin për një muaj në vit shërbimin
e garnizonit brenda në kështjellë.
Manfredi e respektoi traditën përsa i përket organizimit
administrativ të Durrësit dhe të krahinës fqinje
të Arbrit. Ato u ruajtën si një njësi e vetme
administrative, nën drejtimin e një qeveritari ushtarak
me titullin e kapitenit që e kishte selinë në Durrës.
Duke pasur parasysh forcën dhe rolin e parisë feudale
të Arbrit në fatet e kësaj treve, Manfredi ia besoi
postin e kapitenit të Durrësit e të Arbrit një
fisniku nga një shtëpi e njohur feudale, Andrea Vranës.
Në vitin 1185, në kohën e fushatës normane,
një tjetër pinjoll i kësaj familjeje kishte kryer
funksione të ngjashme në atë trevë si strateg
i Bizantit.
Rasti i njohur i kapitenit Andrea Vrana tregon se Manfredi diti
të tërhiqte në administratën civile e ushtarake
të zotërimeve të tij shqiptare edhe fisnikë
vendas. Madje, trupa shqiptare nën komandën e krerëve
vendas u integruan edhe në forcat e Manfredit të angazhuara
në Itali kundër kundërshtarëve të tij.
Si mëkëmbës të përgjithshëm të
zotërimeve të tij në Shqipëri, Manfredi caktoi
njeriun e tij të besuar, admiralin Filip Kinardi. Megjithatë,
pushteti i tij realizohej në zotërimet jugore. Treva Durrës-Arbër,
si zonë me rëndësi të posaçme strategjike,
ishte nën vëzhgimin e drejtpërdrejtë të
mbretit Manfred.
Fillimisht, selia e admiral Kinardit ndodhej në Korfuz, por
me kohë u zhvendos në Kaninë. Këtu ai u martua
me të venë e një fisniku nga familja e vjetër
Frëngu, që ishte njëherësh kunata e despot Mihalit
II të Epirit. Miqësia që Filip Kinardi kishte me
peshkopin ortodoks të Kaninës është një
tjetër tregues i lidhjeve të ngushta, që Kinardi,
e në përgjithësi gjithë administrata e Manfredit,
vendosi me mjedisin, e veçanërisht me parinë vendase.
Me këtë shpjegohet fakti që, pas vrasjes së
Manfredit në Betejën e Beneventit (1266), disa nga bashkëpunëtorët
më të ngushtë të tij, midis tyre dhe konti Frederik
Lançia, dajë i Manfredit dhe personi numër një
në oborrin e tij, erdhën dhe u strehuan në Shqipëri.
Fundi i mbretit Manfred në Betejën fatale të Beneventit,
shkaktoi pështjellim në zotërimet shqiptare të
Hohenshtaufëve të Sicilisë. Menjëherë pas
Manfredit, edhe mëkëmbësi i tij admiral Kinardi ra
viktimë e një komploti të kurdisur në Kaninë
nga despot Mihali II Engjëlli i Epirit në bashkëpunim
me të shoqen e njeriut të Manfredit, Maria Frëngun,
që ishte edhe kunatë e tij. Por, pavarësisht nga
kjo, despoti nuk arriti t’i shtinte në dorë zotërimet
e Manfredit. Njerëzit e këtij, si këshilltari i Kaninës,
Jakob Balsiniani, ai i Korfuzit, Verner Alamani, dhe kapiteni i
Durrësit-Arbrit, Andrea Vrana, refuzuan t'ia dorëzojnë
despotit të Epirit viset nën juridiksion të tyre.
Të njëjtën gjë bënë edhe më 1267,
kur ngadhënjyesi i Beneventit e vrasësi i Manfredit, francezi
Karl Anzhu, u çoi fjalë funksionarëve të ish-mbretit
Hohenshtaufen në Shqipëri që ta njihnin atë
si mbret i ri i Sicilisë.
Anzhuinët dhe “Mbretëria e Arbrit”
Sovrani i ri i mbretërisë së Sicilisë, Karli
I Anzhu, trashëgoi synimet e vjetra të dinastive të
Altavilëve normanë e të Hohenshtaufëve gjermanë.
Në qendër të politikës së tij të jashtme
u vu pushtimi i Lindjes e marrja e Konstandinopojës. Kjo politikë
u nxit e u ushqye vazhdimisht nga kisha e Romës, e cila llogariste
të organizonte, nëpërmjet anzhuinëve, një
kryqëzatë të re kundër Bizantit dhe të
realizonte kështu bashkimin me dhunë të kishave.
Pikërisht në praninë e papës Klementit IV u
nënshkrua në maj të vitit 1267 në Viterbo marrëveshja
midis Karlit I Anzhu e perandorit të shfronëzuar latin
të Konstandinopojës, Balduinit II, në bazë të
së cilës ky i fundit ia kalonte të drejtat e tij
në Lindje mbretit anzhuin. Marrëveshja në fjalë
përcaktonte si fazë të parë të ndërmarrjes
anzhuine zënien e një kryeure në bregdetin shqiptar,
në zotërimet e ish-mbretit Manfred.
Karli I Anzhu u mundua të afirmonte të drejtat e tij në
vijë trashëgimije mbi zotërimet shqiptare të
Manfredit, duke i shndërruar në vasalë të tij
bashkëpunëtorët e Manfredit në Shqipëri.
Në këtë kuadër, më 1267, Karli I emëroi
si mëkëmbës të tij në Shqipëri Gaco
Kinardin, një i afërm i mëkëmbësit të
vrarë të Manfredit, Filipit. Por as kështjellari
i Korfuzit, as ai i Vlorës, i Butrintit e i Sopotit dhe as
kapiten Vrana e qytetarët e Durrësit nuk dëgjuan
të kalojnë nën sovranitetin anzhuin. Përkundrazi,
marrëdhëniet e mbretit Karl me bregun përballë
mbetën të ndera deri në vitin 1271. Atë kohë,
vetë ai shprehej në një letër se shqiptarët
e "urrenin emrin e tij" (in odium nostri nominis).
Gjithsesi, anzhuinët nuk ndërmorën ndonjë fushatë
të armatosur. Karli I u përpoq të tërhiqte me
anë premtimesh krerët shqiptarë dhe në vitin
1271 ai duket se kishte vendosur një dialog me aristokracinë
e Arbrit si edhe me bashkësinë qytetare të Durrësit.
Gjatë atij viti dy priftërinj katolikë shqiptarë,
Gjoni nga Durrësi dhe Nikolla nga Arbri, si të besuar
të mbretit Karl dhe të aleatit të tij të madh,
papës Gregori X, bënë disa udhëtime midis Napolit
e Durrësit, duke përcjellë mesazhet e mbretit te
krerët shqiptarë. Në fillim të shkurtit 1272
mbërriti në oborrin anzhuin në Napoli një përfaqësi
e fisnikërisë së Arbrit dhe e bashkësisë
qytetare të Durrësit. Në përfundim të traktativave
me Karlin Anzhu u shpall bashkimi i "Mbretërisë së
Arbrit" (Regnum Albaniae) me mbretërinë e Sicilisë
nën sovranitetin e mbretit Karl (Carolus I, dei gratia rex
Siciliae et Albaniae).
Kthesa e fisnikëve shqiptarë në marrëdhëniet
me mbretin anzhuin ndodhi për një sërë arsyesh
të jashtme dhe të brendshme. Në atë kohë
bizantinët dhe serbët e kishin rritur presionin në
trevat shqiptare që ishin ende jashtë kontrollit të
tyre. Serbët i ishin afruar tashmë zonës së
Dibrës, kurse Perandoria Bizantine e kishte rivendosur sundimin
e saj në një pjesë të mirë të Shqipërisë
së brendshme. Marrja e Beratit menjëherë pas fitores
së bizantinëve në Pelagoni (Manastir), më 1259,
i jepte Bizantit një bazë strategjike mjaft të rëndësishme
për të shtrirë më tej zonën e kontrollit
të vet deri në vijën bregdetare.
Vështirësive të aristokracisë shqiptare në
marrëdhëniet me këto fuqi të huaja, u shtoheshin
edhe ndarjet e konfliktet midis vetë fisnikëve shqiptarë.
Në këtë kohë edhe Principata e dikurshme e Arbrit
e kishte humbur shkëlqimin që kishte patur në kohën
e princit Dhimitër. Në vend të një familjeje
feudale, në trevën e Arbrit ushtronin ndikimin dhe pushtetin
e tyre disa familje, shpesh herë në konflikt me njëra-tjetrën,
siç ishin familjet Skurra, Vrana, Blinishti, Topia, Arianiti
etj. Në këtë mënyrë, njohja e një
sovrani të huaj u pa edhe si një mjet për të
qetësuar rivalitetet midis tyre. Së fundi, jo pa rol ishte
edhe fakti që në Shqipëri, veçanërisht
në zonën e Durrësit dhe të Arbrit, ekzistonte
tashmë një grupim filo-anzhuin, që përfaqësohej
kryesisht nga kleri katolik i Durrësit dhe i Arbrit, që
nën sundimin e Manfredit, armikut të egër të
Papatit, kishte pësuar përndjekje nga më të
ashprat. Për rrjedhojë, ky ishte i prirur të bashkëpunonte
me sovranin e ri të Sicilisë, Karlin Anzhu, që ndryshe
nga Manfredi, ishte beniamin dhe krahu i djathtë i kishës
katolike të Romës.
Pavarësisht nga motive të tilla që flisnin në
të mirë të anzhuinëve, kompromisi i vitit 1272
midis anzhuinëve e aristokracisë shqiptare u bë i
mundur vetëm pasi Karli I Anzhu u dha krerëve shqiptarë
garancitë e kërkuara. Në dy diploma të dala
nga kancelaria e tij më 20 e 21 shkurt 1272, u premtonte atyre
mbrojtjen e tij (protectionem suam) dhe njohjen e të gjitha
privilegjeve, normave e dokeve "të mira" të
mëparshme. Teksti i tyre tregon qartë që njohja e
sovranitetit anzhuin nga krerët shqiptarë nuk qe një
"dorëzim" pa kushte, por një ujdi e arritur,
siç shprehej vetë mbreti Karl, "pa kurrfarë
dhune e shtrëngimi" (absque aliqua violentia seu cohactione).
Anzhuinët kënaqnin në thelb dy kërkesat themelore
të shqiptarëve: kërkesën për një angazhim
të anzhuinëve në marrëdhëniet e ndera të
shqiptarëve me fuqitë e tjera, kryesisht Bizantin e Serbinë,
dhe kërkesën për njohjen e autonomisë politiko-administrative
të fisnikëve vendas brenda kuadrit të "Mbretërisë
së Arbrit".
Pavarësisht nga premtimet joshëse të anzhuinëve,
jo menjëherë e jo të gjithë fisnikët shqiptarë
u tërhoqën prej tyre.
Koha e gjatë, që iu desh Karlit I Anzhu për të
realizuar planin e vet, ishte prova më e mirë se në
gjirin e aristokracisë shqiptare kishte ngurrime lidhur me
një orientim proanzhuin. Në fakt, anzhuinët përcaktuan
qysh në fillim hapësirën midis Durrësit e Vlorës
ose më saktë midis Matit e Seman-Devollit, si zonë
e interesave të tyre jetike në Shqipëri. Tokat jashtë
tyre anzhuinët i panë para së gjithash në funksion
të marrëdhënieve me shtetet aleate ballkanike, në
radhë të parë me mbretërinë e Serbisë.
Kjo vijë politike e anzhuinëve i prishi këta qysh
në fillim me një krah të rëndësishëm
të aristokracisë shqiptare. Aleanca me Mbretërinë
Serbe pati gjithmonë përparësi për Karlin Anzhu
dhe ky refuzoi të merrte në mbrojtje fisnikët shqiptarë,
si Gropajt e Dibrës, tokat e të cilëve ndodheshin
nën kërcënimin e pushtimit serb.
Por marrëdhëniet e anzhuinëve nuk vonuan të
prishen edhe me fisnikët-vasalë të tyre të "Mbretërisë
së Arbrit". Premtimet lidhur me njohjen e autonomisë
e të privilegjeve të vjetra, që Karli I u kishte
dhënë krerëve shqiptarë në fillim, u treguan
se ishin demagogji. Fisnikët shqiptarë u detyruan të
kryejnë "betimin dhe homazhin feudal" (ligii homagii
iuramentum). Këtu u vendos një administratë e fortë
ushtarake, ku aristokracia shqiptare nuk përfaqësohej
në asnjë instancë të saj. Të gjithë
funksionarët, që nga "kapiteni e mëkëmbësi
i Mbretërisë së Arbërisë”, te mareshali,
kështjellarët, intendentët e postet më të
ulëta, ishin me kombësi franko-italiane. Shqiptarët
ishin përjashtuar nga çdo rol efektiv në këtë
"Mbretëri të Arbërisë". Fisnikët
shqiptarë, që njohin për kryezot Karlin I Anzhu e
që u përfshinë në "Mbretërinë
e Arbërisë", u organizuan prej anzhuinëve në
një lloj "këshilli regjence". Karli I u vinte
atyre kufirin e të drejtave e detyrave, kur i këshillonte
se "duhej t'i bindeshin mëkëmbësit e kapitenit
të përgjithshëm të Mbretërisë së
Arbrit dhe ta ndihmonin atë me të gjitha forcat e për
çdo punë, qoftë me këshilla, qoftë me
mjetet e nevojshme". Dokumentet anzhuine lënë të
kuptohet qartë se ku konsistonte ndihma e krerëve shqiptarë
për kryezotin anzhuin. Në radhë të parë
ata duhet të shoqëronin trupat anzhuine në fushatat
ushtarake. Ky shërbim i tyre përputhej me thelbin e regjimit
anzhuin e të "Mbretërisë së Arbrit",
të cilën anzhuinët e projektuan dhe e ndërtuan
si një bërthamë të një perandorie të
tërë ballkanike. Shqiptarët duhet të luftonin,
kështu, për një qëllim që s'qe i tyre e
që ata nuk e ndienin. Kjo i zhgënjeu shpresat fillestare
të tyre, të ushqyera nga premtimet e Karlit I Anzhu, që
ua serviri atyre "Mbretërinë e Arbrit" si një
pasardhëse të natyrshme të Principatës së
Arbrit, ku fisnikët shqiptarë do të ruanin autonominë
e tyre e do të luanin rol parësor.
Por regjimi i ri anzhuin nuk pati pasoja negative vetëm në
planin politik. Anzhuinët vendosën në zotërimet
e tyre një regjim të rreptë shfrytëzimi. Fonde
të mëdha tokësore iu rrëmbyen pronarëve
vendas, në radhë të parë kundërshtarëve
të regjimit anzhuin, e u shpërndanë në të
mirë të kurorës, të funksionarëve e feudalëve
anzhuinë dhe të kishave, kuvendeve e manastireve katolike
të themeluara me shumicë nga klerikët e huaj, të
ardhur bashkë me anzhuinët e që përfaqësonin
një mbështetje shoqërore e mjet diversioni ideologjik
të tyre. Fshatarësia shqiptare, që punonte në
këto toka, iu nënshtrua një shfrytëzimi intensiv
e të panjohur deri atëherë. Të ardhura të
mëdha hynin në arkën mbretërore e të funksionarëve
anzhuinë nga taksat e detyrimet që shpeshherë këta
ia impononin në mënyrë arbitrare popullsisë
vendase.
Vendosja e regjimit anzhuin pati reflekse negative edhe në
jetën e qyteteve. Autonomia e tyre u ngushtua, organet bashkiake
të qeverisjes pushuan së funksionuari e u zëvendësuan
nga administrata anzhuine. Interesat ekonomikë të shtresave
tregtare-zejtare e të vegjëlisë u dëmtuan rëndë
nga politika e monopolit shtetëror mbi prodhimin e shitjen
e produkteve kryesore, si dhe nga detyrimet nga më të
ndryshmet që nëpunësit anzhuinë ngarkonin në
kurriz të popullsisë qytetare. Të ardhurat e shumta
që vinin nga prodhimi dhe tregtia e kripës shkonin në
dobi të mbajtjes së trupave dhe të administratës
anzhuine në Shqipëri.
Në këtë mënyrë regjimi anzhuin ngjalli
që në muajt e parë zhgënjim e pakënaqësi
midis shtresave më të ndryshme të shoqërisë
shqiptare. Zëdhënëse e kësaj pakënaqësie
u bë aristokracia shqiptare, brenda e jashtë kuadrit të
"Mbretërisë së Arbrit", e cila e pa se
anzhuinët i shkelën pa ngurruar aspiratat e saj politike.
Për t'i detyruar krerët shqiptarë që t'i rrinin
besnikë e mos të ngrinin krye, Karli I filloi të
marrë peng fëmijët e tyre, të cilët i çonte
e i ruante në kështjellat e Italisë së Jugut,
ku këta trajtoheshin si të ishin robër, aq sa në
mjaft raste ata të tentonin të arratiseshin.
Përplasjet e shqiptarëve me anzhuinët, që në
fillimet e vendosjes së këtyre të fundit në
Shqipëri, favorizuan lojën e bizantinëve. Duke filluar
nga vera e vitit 1272, perandori bizantin Mihali VIII Paleolog ishte
vënë në kontakt me fisnikët shqiptarë dhe
përpiqej t'i bënte ata për vete e t'i hidhte kundër
anzhuinëve. Përpjekja e tij mbështetej në premtimet
e garancitë që u paraqiste shqiptarëve e s'ka dyshim
që në këtë pikë ai nuk mbeti pas, madje
e kapërceu rivalin e tij, Karlin I Anzhu, përderisa arriti
qysh në fillim të bënte për vete ("të
mashtrojë", sipas shprehjes së Karlit I) mjaft prej
tyre.
Në verën e vitit 1274, vetë dokumentet anzhuine bëjnë
fjalë për një aleancë operative midis bizantinëve
e fisnikëve shqiptarë.
Në gusht të atij viti aleatët kishin arritur një
fitore të parë mbi anzhuinët, duke u shkaktuar atyre
mjaft të vrarë e duke zënë shumë të
tjerë robër. Në muajin nëntor komandantët
anzhuinë në Shqipëri i raportonin mbretit anzhuin
Karl se "arbëreshët e bizantinët kishin rrethuar
Durrësin". Informatat e mëvoshme konfirmonin se luftimet
tashmë ishin përqendruar në afërsi të kështjellave
bizantine. Shpërthimi i konfliktit të hapur me shqiptarët
bëri që fronti i luftimeve të zhvendosej me shpejtësi
në afërsi të kështjellave anzhuine të bregdetit.
Forca tërheqëse e këtij orientimi të ri të
aristokracisë shqiptare kundër anzhuinëve u bënë
ata fisnikë që kishin mbajtur një qëndrim të
rezervuar ndaj anzhuinëve e që nuk ishin përfshirë
në "Mbretërinë e Arbrit". Të tillë
qenë Pal Gropa e Gjin Muzaka, zotër përkatësisht
të zonës së Dibrës dhe asaj të Beratit.
Me kohë me këta fisnikë u bashkuan edhe të tjerë,
nga ata që ishin njohur vasalë të mbretit Karl. Në
mënyrë mjaft domethënësë Karli I Anzhu
fillon t'i quajë me emrin "tradhtarët e mi"
(proditores nostros) fisnikë të tillë si Blinishtët,
Skurrajt, Jonimët etj., që deri atëherë kishin
qenë "besnikët e tij" (fideles suos). Ky qëndrim
i ri qe me pasoja fatale për sundimin anzhuin. Zotërimet
shqiptare të Karlit Anzhu apo, siç preferonte t'i quante
ai, "Mbretëria e Arbrit", që s'ishte veçse
një shumë zotërimesh të fisnikëve shqiptarë,
vasalë të tij, u reduktua, pas armiqësimit me ta,
në kështjellat bregdetare të Durrësit, Vlorës
e Kaninës.
Rrjedhja e re, që morën marrëdhëniet e shqiptarëve
me anzhuinët, dhe aleanca shqiptaro-bizantine, që pasoi,
i përmbysi planet e mëdha të Karlit I Anzhu, i cili
kishte shpresuar t'i çonte ushtritë e tij deri në
Konstandinopojë. Për më tepër planet e mbretit
anzhuin u komprometuan edhe nga afrimi i perandorit bizantin, Mihalit
VIII Paleolog, me Papën. Ujdia që këta të dy
arritën në Koncilin e Lionit, më 1274, për të
realizuar bashkimin e kishave, e izoloi Karlin Anzhu duke i hequr
atij përkrahjen e pakushtëzuar të Papatit. Në
vend që të vazhdonte mësymjen drejt Lindjes, Karli
u detyrua të nënshkruante një armëpushim me
Mihalin VIII Paleolog (1276). Ndërkohë "bizantinët"
e kishin kthyer Beratin në qendrën ku së bashku me
fisnikët shqiptarë organizoheshin operacionet kundër
kështjellave anzhuine. Komandën e kësaj kështjelle
ata ia kishin besuar një fisniku vendas, sebastit Stano, që
kryente funksionin e qefalisë (qeveritarit) të qytetit.
Në atë kohë bizantinët kishin arritur të
rrëmbenin edhe Spinaricën, lokalitetin bregdetar midis
Vlorës e Durrësit. Në këtë mënyrë,
zotërimet jugore të anzhuinëve ishin ndarë nga
Durrësi nëpërmjet këtij pykëzimi bizantin
nga Berati në bregdet. Ndërlidhjet midis zotërimeve
anzhuine dhe midis tyre e Mbretërisë së Sicilisë
kryheshin vetëm me anën e detit. Por edhe komunikimi detar
ishte bërë i rrezikshëm, sepse një flotë
bizantine me bazë në Spinaricë e në Butrint
sulmonte anijet anzhuine.
Duke parë gjendjen katastrofike të trupave të tij
në Shqipëri, mbreti Karli I Anzhu mendoi të organizonte
një fushatë të re, gjatë së cilës
të nënshtronte krerët kryengritës shqiptarë
dhe të merrte kështjellat e pushtuara ndërkohë
nga perandori bizantin Mihali VIII Paleolog. Në këtë
kuadër rëndësi e posaçme iu dha kështjellës
së Beratit, kundër së cilës u përqendrua
goditja kryesore anzhuine. Marrja e Beratit do të çlironte
nga presioni bizantin bazat bregdetare të anzhuinëve (Vlorën,
Durrësin) dhe do të krijonte kushtet për përparimin
e ushtrive të Karlit Anzhu në brendësi të vendit.
Është për këto arsye që Karli I i shkruante
komandantit të ushtrisë anzhuine në Shqipëri
se "nuk mund ta shprehte me fjalë rëndësinë
që i jepte pushtimit të kështjellës së
Beratit" (ad captionem castri Bellgradi, que ultra quam dici
valeat cordi nostro residet ).
Në prag të mësymjes, Karli I Anzhu konfirmoi aleancat
me Serbinë e me Despotatin e Epirit. Despot Niqifori I i Epirit
u shpall vasal i mbretit anzhuin dhe i dorëzoi këtij kështjellat
e Butrintit, të Sopotit e të Porto-Palermos. Por para
së gjithash Karli I bëri një përpjekje të
re për t'i rregulluar marrëdhëniet me shqiptarët
e për t'i shkëputur këta nga bizantinët. Në
këtë kuadër Karli I liroi nga burgjet italiane një
numër krerësh shqiptarë kryengritës, mes të
cilëve Gjin Muzakën, i cili mbahej "i lidhur me pranga
të forta hekuri" në burgun e kështjellës
së Brindizit së bashku me Dhimitër Zogun, Kasnec
e Guljelm Blinishtin. Karlit I Anzhu i erdhën kërkesa
të përsëritura nga fisnikët shqiptarë për
ta liruar Muzakën. Me sa duket, Gjin Muzaka gëzonte pozitë
e autoritet të veçantë dhe nëpërmjet
tij mbreti anzhuin u përpoq të ndikonte mbi krerët
shqiptarë. Në gusht të vitit 1280 ai urdhëroi
lirimin e robit Muzaka, "pasi të kishte dhënë
peng gruan e fëmijët e pasi të ishte betuar se nuk
do të bashkohej më me armiqtë e mbretit Karl e nuk
do të fliste e do të vepronte më kundër tij".
Në kushtet e përgatitjes së mësymjes anzhuine
mbi Beratin, neutralizimi i Muzakajve, zotër të vendit,
merrte kuptim të veçantë.
Megjithatë, përpjekjet e anzhuinëve për diversion
në radhët e aristokracisë shqiptare nuk dhanë
rezultat. Në prag të betejës vendimtare për
Beratin lajmet që i vinin Karlit I nga komandatët e tij
në Shqipëri e njoftonin se "arbrit kishin ngritur
përsëri krye dhe sulmonin trupat anzhuine". Qëndrimi
i vendosur antianzhuin i shumicës së fisnikëve shqiptarë
kushtëzoi në mënyrë vendimtare ecurinë
e mësymjes anzhuine. Ndërkohë që ushtria e Hygo
de Sylit, e përforcuar nga kontingjentet e ardhura nga Durrësi,
Vlora e Butrinti, kishte mbyllur rrethimin e Beratit, shqiptarët
sulmonin kështjellat anzhuine të bregdetit duke e detyruar
komandantin anzhuin t'i shpërqendronte forcat e të niste
përforcime në drejtim të atyre kështjellave.
Rrethimi anzhuin i Beratit zgjati disa muaj. Në dhjetor të
vitit 1280 anzhuinët mundën më në fund të
zinin lagjet e jashtme të qytetit (suburbia). Por në betejën
finale, që u zhvillua në pranverën e vitit tjetër
buzë Osumit, mbrojtësit e kështjellës i shkaktuan
një disfatë të rëndë kalorisë frënge,
duke zënë rob edhe vetë komandantin e ushtrisë
anzhuine.
Pas disfatës së Beratit anzhuinët u tërhoqën
me shpejtësi në skajin bregdetar, ku mundën të
ruajnë edhe për ca kohë kështjellat e rëndësishme
të Durrësit, Vlorës e Kaninës. Në vitin
1282 Karli I projektoi një fushatë të re kundër
Bizantit, por po atë vit në Sicili shpërtheu kryengritja
e madhe anti-anzhuine e "Mbrëmjeve siciliane", në
të cilën kishin dorë edhe perandori bizantin, Mihali
VIII Paleologu, e mbreti i Aragonës. Paskëtaj nisi një
periudhë 20-vjeçare luftërash midis aragonasve
e anzhuinëve për zotërimin e Sicilisë. Në
kushte të tilla ekspedita e re kundër Bizantit mbeti e
parealizuar. Kështjellat që anzhuinët mbajtën
edhe për disa vjet në bregdetin shqiptar mbetën si
ishuj të izoluar nën rrethimin e vazhdueshëm të
shqiptarëve e të bizantinëve. Brenda vitit 1285 anzhuinët
braktisën edhe Durrësin, Vlorën e Kaninën. Fortesat
e Butrintit, Sopotit e Porto-Palermos, që ata mundën të
mbajnë në jug, në territoret e Despotatit të
Epirit, ishin pika mbështetëse pa ndonjë rëndësi
strategjike të veçantë. Në këtë
mënyrë, pas rreth 15 vjetësh përpjekjesh për
të fituar e për të mbajtur pozitat e tyre në
Shqipëri, anzhuinët u detyruan të tërhiqen e
t'ia lënë vendin Perandorisë Bizantine, që sakaq
rivendosi autoritetin e saj në një pjesë të
mirë të tokave shqiptare.
4. GJENDJA KISHTARE NË
SHQIPËRI NË SHEK. XI-XIV
Ndarja e kishave (1054). Përparimet e katolicizmit
në Shqipërinë e Epërme
Në kapërcim të shek. X-XI, trevat shqiptare ishin
nën juridiksionin kishtar të tri kryepeshkopatave, të
cilat drejtonin një numër të madh selish peshkopale
vartëse (sufragane). Këto qenë kryepeshkopata e Naupaktit,
ajo e Durrësit dhe kryepeshkopata e Ohrit. Kjo e fundit, e
krijuar dhe e fuqizuar si e tillë nga carët bullgarë,
mundi të tërheqë nën juridiksionin e vet një
numër peshkopatash, deri atëherë sufragane të
dy mitropolive fqinje. Të tilla qenë peshkopatat e Himarës,
Butrintit, Drinopojës e Kozilit (pranë Prevezës),
që iu shkëputën Naupaktit, apo selitë e Vlorës,
Glavinicës e Cernikut që deri atë çast i përkisnin
Durrësit. Në këtë mënyrë kryepeshkopata
e Ohrit përmblodhi numrin më të madh të peshkopatave
shqiptare. Përveç selive që iu shkëputën
Durrësit e Naupaktit, ajo kishte nën vete edhe selitë
peshkopale të Nishit, Prizrenit, Shkupit, Dibrës, Kërçovës,
Përlepit, Devollit, Kolonjës, Manastirit etj. Kryepeshkopata
e Ohrit e ruajti këtë shtrirje edhe pas rënies së
Perandorisë Bullgare (1018). Perandori Bizantin Bazili II ia
rikonfirmoi kishës së Ohrit të gjitha sufraganet
që i ishin akorduar nga carët bullgarë, përfshirë
selitë e shkëputura nga Naupakti e Durrësi, me gjithë
protestat e kryepeshkopëve të këtyre të fundit.
Juridiksioni i Durrësit, që fillimisht shtrihej prej Tivari
në Vlorë vazhdoi të zvogëlohej derisa aty nga
viti 1143, nga 14 sufragane që kishte më parë, i
kishin mbetur vetëm 4 sufragane: Kruja, Kunavia, Stefaniaka
dhe Lezha. Rëndësi të madhe pati shkëputja prej
tij e selive peshkopale të Dioklesë (Gentës), të
cilat përpiqeshin të krijonin një dioqezë kishtare
më vete me qendër Tivarin. Në kuadrin e luftës
për një autonomi politike nga Bizanti, princërit
e Dioklesë i shfrytëzuan dhe i inkurajuan përpjekjet
e klerit të tyre për një shkëputje kishtare
nga Konstandinopoja. Rezultati i përpjekjeve të tilla
ishte shkëputja më 1022 e peshkopatave të Ulqinit
e të Tivarit nga Durrësi dhe rikthimi i tyre në sferën
e kishës së Romës. Papa Benedikti VIII i shpalli
në atë kohë dy peshkopatat shqiptare si sufragana
të kryepeshkopatës së Raguzës.
Shembulli i Tivarit dhe i Ulqinit u ndoq në vitet e mëvonshme
edhe nga peshkopatat e tjera shqiptare të veriut. Në këtë
mënyrë, ndarja zyrtare e kishës (1054), në kishë
katolike të Perëndimit, me qendër në Romë,
e në kishë ortodokse të Lindjes, me qendër në
Konstandinopojë, i gjeti trojet shqiptare të ndara midis
dy qendrave të mëdha të botës së krishterë.
Pjesa më e madhe e tyre vazhdoi të qëndrojë
e lidhu |