| K R E U
III
FUNDI I SUNDIMEVE TË HUAJA.
FORMACIONET SHTETËRORE SHQIPTARE
NË SHEK. XIV - FILLIMI I SHEK. XV
1. SHKËPUTJA NGA BIZANTI
DHE EKSPANSIONI SERB NË TREVAT SHQIPTARE
Fundi i pranisë anzhuine dhe shtrirja e depërtimit
serb në Shqipëri
Me thyerjen përfundimtare të ushtrive anzhuine në
Berat më 1281, Perandoria Bizantine e rivendosi edhe një
herë autoritetin e vet në Shqipëri, por kontrolli
i saj kufizohej tani në një zonë më të
ngushtë në krahasim me fundin e shek. XII. Në krahun
verior bizantinët morën Durrësin dhe Krujën,
por nuk arritën të shtriheshin më tutje. Atë
kohë mbreti serb Stefan Uroshi II Milutin (1282-1321) kishte
nisur një mësymje në front të gjerë në
gjithë vijën Mat-Ohër. Madje, më 1296 ai mundi
të pushtonte përkohësisht edhe Durrësin, ndërkohë
që në krahun lindor ushtritë serbe nuk mundën
t'i afrohen Ohrit, të mbrojtur nga fisniku shqiptar, Progon
Skurra. Një mbishkrim mbi murin e kishës së Shën
Klementit në Ohër, rindërtuar prej tij në vitin
1295, kujton se Progoni mbante titullin e lartë bizantin të
heteriarkut të madh dhe se gruaja e tij, Eudokia, ishte mbesë
e perandorit Androniku II Paleolog.
Gjithsesi paqja e arritur më 1299 midis perandorit Androniku
II të Bizantit dhe mbretit serb Uroshi II ua njohu serbëve
territoret e pushtuara në veri të Durrësit e të
Ohrit. Megjithatë, ato vazhduan të jenë një
zonë jo e qetë. Nga njëra anë, inkursionet serbe
vazhduan edhe paskëtaj në jug të Matit, por, nga
ana tjetër, në vitet e para të shek. XIV vihet re
një riaktivizim i anzhuinëve të Napolit në Shqipëri.
Vërshimi i serbëve në trevën e Durrësit
dhe të Arbrit të hershëm prekte edhe interesat e
anzhuinëve e të Papatit, të cilët vazhdonin
ta konsideronin veten si titullarë të pushtetit laik e
fetar në ato treva. Rikthimi i anzhuinëve në Shqipëri
u mirëprit edhe nga vetë fisnikëria shqiptare, e
cila shpresat e një ndalimi të mësymjes serbe i varte
tashmë te bashkëpunimi me botën perëndimore
katolike. Në shtator 1304 bashkësia qytetare e Durrësit
dhe krerët shqiptarë nga familjet Matrënga, Arianiti,
Skurra, Blinishti, Zenebishi, Shpata etj., njohën për
kryezot princin Filip të Tarentit, djalin e mbretit Karli II
Anzhu. Nga ai çast trashëgimtari i fronit të Napolit
mori dhe titujt zot i Mbretërisë së Arbrit dhe despot
i Romanisë (Epirit). Në pranverë të vitit 1305
princi Filip i Tarentit zbarkoi me një ushtri në Durrës
dhe me ndihmën e vendasve e mori qytetin. Megjithatë,
ofensiva e re anzhuine u shua shumë shpejt. Marrëdhëniet
e princit të Tarentit me fisnikët shqiptarë u prishën
dhe po atë vit ky u kthye në Itali me synim që të
vinte përsëri në pranverën e ardhshme me një
ushtri më të madhe.
Megjithatë, edhe paskëtaj anzhuinët nuk mundën
ta shtrijnë kontrollin e tyre përtej Durrësit. "Vasalët"
e tyre shqiptarë nuk mungonin të ngrinin krye dhe të
këputnin çdo lidhje me kryezotin e përtejdetit,
sa herë që ky kërkonte ta ndërtonte një
pushtet real në Durrës dhe në "Mbretërinë
e Arbrit". Në pamundësi të realizonin synimet
e tyre në Shqipëri, në vitin 1311 anzhuinët
e Napolit menduan për një çast t'i ndërronin
zotërimet e tyre me Sicilinë. Por titullari i kësaj
të fundit, Frederiku i Aragonës, i informuar se anzhuinët
nuk zotëronin një pushtet real në Durrës dhe
në trevën e Arbrit, nuk e pranoi ofertën, megjithëse
këto territore, siç shprehej ai, "ishin shumë
të pasura dhe bujare" (que es molt noble e rich).
Në këtë mënyrë, në Durrës dhe
në prapashpinën e tij vazhdoi të ruhej edhe paskëtaj
një sovranitet gjithnjë e më formal i anzhuinëve.
Për bashkësinë qytetare të Durrësit dhe
për fisnikërinë feudale të Arbrit, mbajtja e
lidhjeve me anzhuinët konsiderohej e dobishme, sidomos tani
kur serbët po mësynin gjithnjë e më fort drejt
jugut. Midis anzhuinëve dhe serbëve vazhdonin të
ekzistonin marrëdhënie aleance, që këta të
fundit hë për hë nuk donin t'i prishnin. Në
fakt marrëveshja e arritur më 1308 kishte rikonfirmuar
zonat e ndikimit anzhuin e serb në Shqipëri edhe për
vitet e ardhshme.
Anzhuinët dhe Papati filluan t'u përgjigjen realisht ftesave
të aristokracisë shqiptare për t'iu kundërvënë
ofensivës serbe në dhjetëvjeçarin e dytë
të shek. XIV, kur plasën hapur kundërshtitë
serbo-anzhuine mbi sundimin në Shqipëri e në Dalmaci
dhe kur u fik çdo shpresë e Romës lidhur me një
kthim të mbretërve serbë në fenë katolike.
Aty nga viti 1318 serbët shpërthyen një ofensivë
të re në Shqipëri, duke pushtuar Durrësin dhe
Arbrin bashkë me Krujën. Atë kohë u krijua një
koalicion antiserb i fuqive katolike, të bashkërenduara
nga papati, në të cilin kishin një rol të rëndësishëm
edhe shqiptarët. Në pranverën e vitit 1319 një
numër fisnikësh shqiptarë nga dyert Blinishti, Jonima,
Arianiti, Matrënga, Muzaka etj., nëpërmjet peshkopit
të Krujës, Andreas, i bënin të ditur papa Johanit
XXII se ishin gati "të ngrinin krye dhe të hidhnin
tej zgjedhën e mbretit të Rashës (Serbisë)".
Ata premtonin gjithashtu të braktisnin ritin ortodoks dhe të
përqafonin katolicizmin, duke u ndarë edhe kishtarisht
nga pushtuesit serbë.
Si rezultat i kësaj qëndrese të organizuar dhe të
bashkërenduar me Papatin dhe me fuqi katolike të Evropës,
si Napoli, Hungaria, Kroacia etj., serbët u bllokuan edhe për
disa vjet përtej Durrësit dhe krahinës së tij,
ku anzhuinët vazhduan të ushtronin një sovranitet
përherë e më të vakët.
Shqipëria "bizantine" në gjysmën
e parë të shek. XIV. Shkëputja nga Bizanti
Nën presionin serb dhe përballë ujdisë së
krerëve shqiptarë me anzhuinët e Napolit, qysh në
vitet e para të shek. XIV Perandoria Bizantine u detyrua të
braktiste Durrësin, Krujën dhe territoret e tyre, duke
mbajtur viset në jug të rrjedhës së lumit Shkumbin.
Pushteti bizantin u ruajt pak a shumë në mënyrë
të qëndrueshme në trevën që përfshinte
viset e Myzeqesë, Vlorës, Beratit, Tomorricës, Këlcyrës,
Skraparit, Ohrit, Korçës, Kolonjës e Kosturit.
Viset poshtë Vlorës e rrjedhës së Vjosës
vazhduan, kur më shumë e kur më pak, të bëjnë
pjesë në Despotatin e Artës (Epirit). Territoret
e fituara rishtazi në veri të tij, Perandoria Bizantine
i organizoi në një njësi të veçantë
politiko-administrative, Despotatin e Beratit. Qyteti buzë
Osumit, përveçse qendër e rëndësishme
strategjike, fitoi tani një profil të plotë edhe
përsa i përket zhvillimit ekonomik. Roli i tij u rrit
së tepërmi pas shkëputjes të rrugës së
vjetër Egnatia nga sfera e sundimit bizantin. Berati u bë
pika kulmore e arteries së re që lidhte pellgun e Ohrit
me portin e Vlorës, e cila u bë porti kryesor bizantin
në Adriatik. Gjatë fundit të shek. XIII dhe gjysmës
së parë të shek. XIV, në Vlorë shënohet
një lëvizje e pazakonshme mallrash. Kanina vazhdonte të
luante edhe tani rolin e një kështjelle në mbrojtje
të Vlorës. Por Kanina ishte njëherësh rezidenca
e parapëlqyer për aristokracinë e krahinës si
dhe qendër peshkopale, së cilës perandor Androniku
II Paleologu i rikonfirmoi më 1307 të drejtat dhe privilegjet
e vjetra.
Përfaqësues i drejtpërdrejtë i pushtetit bizantin
në Despotatin e Beratit ishte qefaliu, që ishte para së
gjithash një funksionar ushtarak. Në dokumentet e kohës
ai cilësohet si "qefaliu i Beratit", por edhe "qefaliu
i Vlorës". Në fakt, edhe rezidenca fikse e tij luhatej
midis këtyre dy qendrave, që ishin më të rëndësishmet
e despotatit. Me qëllim që qefaliu të mbahej sa më
shumë nën kontroll, pushteti qendror e vuri atë nën
vartësinë e një funksionari epror, i cili ushtronte
pushtet të pakufizuar në despotat. Të tillë
"guvernatorë të përgjithshëm" në
Despotatin e Beratit dëshmohen që nga viti 1277. Ata zgjidheshin
gjithmonë nga rrethi familjar i perandorit dhe mbanin tituj
të lartë, si megas dukas, despot, protovestiar. Nëse
këta zgjidheshin gjithmonë nga rrethi më i afërt
familjar i perandorit, qefalitë ishin shpeshherë përfaqësues
të aristokracisë lokale. Shqiptarë ishin, p.sh.,
qefaliu i parë i Beratit, me emrin Stano (1277), ose Gjon Pikerni
(1314). Nivelet më të ulëta të administratës
dhe të ushtrisë së despotatit përfaqësoheshin
në pjesën dërrmuese nga elementi vendas. Fisnikë
nga familjet Matrënga, Skurra, Muzaka, Ganxha, Frëngu
etj. përmenden vazhdimisht në jetën politike të
Despotatit të Beratit. Por tashmë shumë prej këtyre
po e shfrytëzonin postin dhe autoritetin për të ndërtuar
pushtetin e tyre të pavarur.
Despotati i Beratit fitonte një rol specifik në kuadrin
e Perandorisë Bizantine të shek. XIII-XIV. Përveçse
përfaqësonte "portën" e vetme bizantine
drejt Perëndimit, ai formonte edhe barrierën kryesore
përballë ekspansionit të Serbisë drejt jugut.
Por, nga ana tjetër, Despotati i Beratit ishte edhe pikëmbështetja
nga ku Perandoria Bizantine ushtronte presion mbi Despotatin fqinjë
të Artës (Epirit). Ky vazhdonte të ishte, qysh nga
viti 1204, një formacion i pavaruar. Despotët e tij bizantino-italianë
nga familjet Engjëlli e Orsini, gjatë gjithë viteve
1270-1330 u përpoqën të ruanin pushtetin e tyre kundrejt
perandorëve të Bizantit, të cilët këmbëngulnin
ta quanin Despotatin si "tokë të tyre", ndërsa
despotët e tij si "vasalë" të perandorëve
bizantinë. Për të siguruar mbështetje ndaj presionit
bizantin, despoti Niqifori I Engjëlli pranoi, më 1294,
të bëhej vasal i anzhuinëve të Napolit. Më
1320, despoti tjetër, Nikolla Orsini, kërkoi t'i vinte
tokat e tij nën mbrojtjen e Venedikut, duke njohur këtë
për kryezot. Nga ana tjetër, despotët e dobët
të Epirit nuk ishin në gjendje të mbyllnin çdo
portë dhe të kërkonin ballafaqim me Bizantin. Pothuaj
të gjithë ata, pas Mihalit II Engjëll (1230-1268),
ishin martuar me princesha nga oborri bizantin.
Sidoqoftë kjo lojë e despotëve të Artës,
për ta mbajtur mirë sa me anzhuinët e Napolit, aq
edhe me perandorët e Bizantit, shpehherë rezultoi të
ishte e rrezikshme. Në vitin 1303 e 1306 anzhuinët u shfaqën
me ushtri nën muret e Artës për të kërkuar
përmbushjen e detyrimeve që rridhnin nga vasaliteti i
despotit Thoma (1296-1318). Po ashtu, në vitin 1314 ushtria
dhe flota e Despotatit të Beratit, nën komandën e
qefalisë Gjon Pikerni dhe protontinit të Vlorës,
Gjergj Ganxha, kryen një inkursion mbi Artën nga toka
e nga deti. Disa vjet më vonë, më 1308, Janina bashkë
me pjesën më të madhe të Vagenetisë (Çamërisë)
iu aneksua Despotatit bizantin të Beratit. Si qeveritar të
këtij territori të ri bizantin, perandori Androniku II
Paleolog caktoi komandantin shqiptar, sebastin Skurra.
Dhjetëvjeçarët e fundit të pranisë bizantine
në Shqipëri, përkatësisht në Shqipërinë
e Poshtme, karakterizohen nga dy dukuri që e bënin gjithnjë
e më formale lidhjen e saj me Bizantin. Nga njëra anë,
ushtria dhe administrata bizantine mbusheshin gjithnjë e më
shumë me elementin vendas, kurse, nga ana tjetër, po zgjerohej
vazhdimisht numri i zonave autonome, ku pushtetin real e ushtronin
krerët dhe zotërit e vendit. Njoftimet historike të
viteve 30 të shek. XIV bëjnë të ditur se atë
kohë Perandoria Bizantine vazhdonte të ruante kontrollin
e saj kryesisht nëpër qytetet dhe kështjellat e Despotatit
të Beratit. Rrethinat e tyre, sidomos zonat e brendshme dhe
malore, qeveriseshin tashmë nga fisnikët vendas. Me qëllim
që t'i mbante të lidhur pas vetes krerët shqiptarë,
Perandoria Bizantine u detyrua ta njihte edhe me marrëveshje
të veçanta (synthekai) pushtetin e tyre, madje duke
i shpërblyer edhe me tituj të lartë bizantinë.
Atë kohë, Andrea I Muzaka, zoti i fuqishëm i viseve
mes Ohrit, Kolonjës e Beratit, u shpërblye me titullin
e lartë bizantin të "despotit", që ishte
i dyti në hierarkinë e titujve bizantinë, pas atij
të perandorit. Të tjerë fisnikë shqiptarë
u nderuan me të tjerë tituj të lartë, si sebastokrator
etj.
Megjithatë tensioni midis pushtetit bizantin dhe aristokracisë
vendase shqiptare doli në pah gjatë luftërave civile
në Bizant (1321-1328) dhe shpërtheu hapur pas ardhjes
në fuqi të perandor Andronikut III Paleolog (1328-1341).
Midis viteve 1328-1333 Andronikut III iu desh të drejtonte
vetë disa fushata ushtarake për të nënshtruar
shqiptarët e Ohrit, Devollit, Kolonjës, Epirit e të
Thesalisë. Sipas fjalëve të historianit bizantin
Johan Kantakuzeni, pjesëmarrës dhe kryekomandant në
ato operacione, shqiptarët jetonin në autonomi dhe nuk
e njihnin pushtetin e perandorit.
Por kryengritjet shqiptare shpërthenin në vatra të
reja, sapo që ushtritë bizantine arrinin të shuanin
të mëparshmet. Aty nga mesi i viteve 30 ato mbërritën
në shkallën më të lartë të pjesëmarrjes
dhe të organizimit të tyre. Atë kohë të
pakënaqur nga politika e re centralizuese e këtij perandori
dhe të vendosur të shkëputeshin njëherë
e mirë nga Bizanti, krerët shqiptarë ngritën
në këmbë krahina të tëra. Në Vlorë,
Berat, Këlcyrë, Skrapar, Kolonjë e në Ohër,
në Epir dhe në Thesali, kryengritësit shqiptarë
sulmuan qytetet dhe kështjellat bizantine dhe pjesërisht
i morën ato.
Kryengritja shqiptare e shtyu perandorin Androniku III Paleolog
të ndërmerrte një fushatë të madhe ushtarake
në Shqipëri. I shoqëruar nga domestiku i madh, Johan
Kantakuzeni, perandori bizantin hyri në tokat e Despotatit
të Beratit në pranverën e vitit 1336. Ushtria bizantine,
bërthamën e së cilës e përbënin repartet
e zgjedhura me mercenarë osmanë, i shtypi me ashpërsi
flakët e kryengritjes. Fshatra të tëra u dogjën,
ndërkohë që popullsisë iu rrëmbyen pasuri
të paçmueshme në të holla, në produkte
e në bagëti. Kantakuzeni flet për 300 mijë kokë
qe, 5 mijë kuaj e 1 milion e 200 mijë krerë dhen
të rrëmbyera pronarëve shqiptarë. Shtypja e
kryengritjes shkaktoi valën e parë të madhe të
eksodit shqiptar drejt jugut. Mjaft familje fisnike shqiptare u
detyruan të lënë gjënë dhe pronat e tyre
dhe të vendoseshin në Peloponez. Të tjera u përpoqën
të gjejnë shpëtim në Durrësin anzhuin dhe
të marrin rrugën e Italisë.
Shtypja e dhunshme e kryengritjes në Despotatin e Beratit përcaktoi
rënien e lëvizjes edhe në trevat e tjera. Despina
e Epirit, Ana, dhe bashkësitë shqiptare të Thesalisë
pranuan më në fund të njihnin pushtetin bizantin.
Megjithatë, rivendosja e pushtetit bizantin në trevat
e Despotatit të Beratit, të Despotatit të Epirit
dhe të Thesalisë nuk e pati jetën e gjatë. Tensioni
antibizantin në këto vise vazhdoi të mbetej i gjallë,
dhe me vdekjen e perandorit Androniku III (1341), kryengritjet morën
një hov të ri. Tashmë pasardhësit e Andronikut
III, të angazhuar në një luftë të re për
fronin dhe të ndodhur përballë një ofensive
të re të Serbisë drejt Jugut, nuk mund të merreshin
me kryengritjen shqiptare. Për rrjedhim, bizantinët u
detyruan të lënë në duart e kryengritësve
shqiptarë edhe kështjellat e tyre të fundit në
Shqipëri.
Shqipëria gjatë sundimit të car Stefan Dushanit
(1331-1355)
Qëndresa e organizuar e fisnikëve shqiptarë, herë-herë
e bashkërenduar edhe me anzhuinët e me fuqi të tjera
evropiane, kishte mundur t'i mbajë serbët për mjaft
kohë larg Durrësit e Principatës së Arbrit.
Por pushtimi i këtyre të fundit si dhe i gjithë tokave
shqiptare, njohu një shkallëzim të ri në kohën
e sundimit të mbretit serb, Stefan Dushanit (1331-1355). Që
në verën e vitit 1336, në ujdi me perandorin bizantin
Androniku III Paleolog, i cili në atë kohë drejtonte
ekspeditën ndëshkimore në Shqipërinë e
Poshtme, mbreti serb organizoi një fushatë të madhe,
në përfundim të së cilës pushtoi viset
qendrore midis Matit e Shkumbinit.
Pushtimi serb u bë shkas për riorganizimin e krerëve
shqiptarë. Për t'i dhënë më tepër
gjerësi qëndresës së tyre, këta iu drejtuan
për aleancë mbretit Robert Anzhu të Napolit, i cili
ishte i interesuar së tepërmi për Durrësin e
prapatokën e tij që anzhuinët vazhdonin t'i konsideronin
feud të tyre. Në fakt, mbreti Robert dërgoi që
atë vit në Shqipëri një ushtri të vogël
nën komandën e djalit të tij, Luigjit, e cila duhej
të bashkëpunonte me forcën kryesore të kryengritësve
shqiptarë. Në muajin dhjetor midis Luigjit, që përfaqësonte
mbretin Robert, dhe despotit Andre II Muzaka, përfaqësuesit
të krerëve feudalë shqiptarë, u nënshkruan
në Durrës paktet e aleancës që hapeshin me premtimin
anzhuin për t'u ofruar ndihmë ushtarake fisnikëve
shqiptarë. Paktet në fjalë numëronin edhe një
sërë të drejtash e privilegjesh, të cilat anzhuinët
ia njihnin posaçërisht despotit Andre Muzaka dhe familjes
së tij. Të tilla të drejta e privilegje kishin të
bënin me pronat e pasuritë e tundshme e të patundshme
të Muzakajve, me titujt, nderet e ofiqet, që u ishin dhënë
atyre që së hershmi nga perandorët e Bizantit e që
do t'u jepeshin në të ardhmen nga mbretërit anzhuinë
etj. Kundrejt këtyre, despoti Andre Muzaka duhej të konfirmonte
bindjen dhe besnikërinë e tij ndaj oborrit anzhuin e t'i
garatonte ato duke dërguar peng në Napoli njërin
nga djemtë e tij.
Një traktat të ngjashëm anzhuinët e nënshkruan
dy vjet më vonë, më 1338, edhe me kontin Tanush Topia,
të cilit i konfirmuan zotërimin e tokave midis Matit e
Shkumbinit bashkë me dhënien e një shpërblimi
vjetor prej 1 000 grosh.
Përmbajtja e pakteve në fjalë, si dhe ecuria e deriatëhershme
e marrëdhënieve të oborrit anzhuin me krerët
shqiptarë, tregojnë se pozita e tyre kundrejt njëri-tjetrit
kishte ndryshuar në favor të të dytëve. Anzhuinët
jo vetëm nuk ishin në gjendje të impononin me forcë
sundimin dhe vullnetin e tyre, por në të kundërtën,
ata përpiqeshin t'i joshnin me tituj e privilegje zotërit
e plotfuqishëm shqiptarë për të ruajtur sovranitetin
e tyre formal mbi Durrësin e mbi prapatokën e tij.
Mobilizimi i ri i fisnikëve shqiptarë nuk mundi t'u bënte
ballë për një kohë të gjatë sulmeve
të përsëritura të serbëve. Brenda vitit
1343 forcat eprore të Dushanit kishin mundur të shtronin
territoret e Arbrit të hershëm, me kryeqendër Krujën.
Po atë vit qyteti i Beratit pësoi sulmin e parë nga
një ushtri serbe që vinte nga ana e Ohrit. Në verën
e vitit 1346 ishte vetë Stefan Dushani, që në krye
të një fushate të madhe, pushtoi njërën
pas tjetrës kështjellat e Kosturit, Beratit dhe të
Kaninës. Në 2-3 vjetët që pasuan, Stefan Dushani,
i cili që prej vitit 1346 filloi të quhej "perandor
i Romanisë, i Sklavonisë dhe i Arbërisë",
aneksoi Epirin e Thesalinë, duke krijuar një perandori
të re ballkanike, kufijtë e së cilës fillonin
nga Danubi e përfundonin në gjirin e Korintit dhe në
detin Egje. Një numër popujsh të huaj, shqiptarë,
bullgarë, grekë, vllehë hynë në përbërje
të Perandorisë Serbe.
Perandoria e Stefan Dushanit qe konkretizimi i ambicieve pushtuese
të klasës feudale serbe. Në vendet e pushtuara feudalët
serbë u pajisën me fonde të mëdha tokësore
që iu rrëmbyen popullsisë vendase. Burimet historike
dëshmojnë masat veçanërisht të ashpra
që Stefan Dushani zbatoi në dëm të popullsisë
shqiptare. "Arbrit janë të shtypur keq nga zgjedha
e padurueshme dhe tepër e rëndë e sunduesve të
urryer sllavë..... Klerikët poshtërohen e persekutohen,
fisnikët shpronësohen e burgosen", shkruhet në
një relacion të vitit 1332 të kryepeshkopit frëng
të Tivarit, Guljelmi i Adës.
Pushtimi serb solli ndryshime të mëdha përsa i përket
përbërjes së elitës sunduese. Në krahinat
apo në qytetet e pushtuara u vendos një administratë
serbe, në krye të së cilës qenë njerëzit
më të afërt të carit, të cilët mbanin
sipas rastit titujt despot, cezar, qefali etj. Kështu, në
krye të provincës së Beratit u vu despoti Ivan Aseni,
kunati i carit serb, në Epir u zgjodh Simeon Uroshi, vëllai
i tij, kurse në Thesali Qezar Preljubi, i cili në vitin
1355 u vra gjatë një revolte të shqiptarëve
të atyshëm.
Pushtimi serb solli ndryshime të reja nëpërmjet intensifikimit
të shtypjes ekonomike e shoqërore të popullsisë
shqiptare. Kodi i Stefan Dushanit, dokumenti kryesor që sanksiononte
marrëdhëniet ekonomike, politike e juridike të shtetasve
të Perandorisë me pushtetin e carit e të klasës
sunduese serbe, përfshinte në sistemin e marrëdhënieve
feudale edhe bashkësitë e lira fshatare e blegtorale,
duke i dhënë ato si pronë feudale për manastiret
e për feudalët serbë. Një masë e tillë
godiste rëndë fshatarësinë e lirë shqiptare,
posaçërisht atë të zonave malore, që
kishte mundur t'i shpëtonte deri atëherë shfrytëzimit
feudal e të ruante një farë autonomie politike ndaj
pushtetit qendror. Kodi i Stefan Dushanit mbështetej në
institucionet juridike dhe dokesore serbe dhe si i tillë ai
në shumë aspekte binte ndesh me institucionet dhe traditën
e popujve të tjerë që u përfshinë në
suazën e shtetit serb. Në mjaft raste ai shpallte ndalimin
e institucioneve tradicionale vendase, siç qe ai i mbledhjeve
(kuvendeve) të fshatit, ku vendosej e gjykohej për probleme
të ndryshme, që tani kalonin në kompetencë të
feudalëve të veçantë e të vetë carit
serb.
Pasoja sidomos negative pati pushtimi serb në viset veriore
shqiptare e veçanërisht në Kosovë, ku sundimi
serb zgjati gati dy shekuj. Të pasura me toka bujqësore,
me qendra të zhvilluara minerare, zejtare e tregtare, këto
territore kishin qenë një joshje e vazhdueshme për
mbretërit serbë. Duke filluar nga shek. XIII, mbretërit
serbë nga dinastia Nemanja punuan për ta zhvendosur epiqendrën
e shtetit të tyre nga Rasha në drejtim të viseve
të pasura të Kosovës e të Gentës. Qytetet
e këtyre të fundit, Shkodra, Prizreni, Prishtina e Shkupi,
u bënë në kohë të ndryshme seli të
oborrit serb. Një tjetër qendër e rëndësishme
e Kosovës, Peja, prej mesit të shek. XIII u kthye në
qendër të kishës autoqefale serbe.
Zhvendosja e qendrave të gravitetit të shtetit serb drejt
jugut u shoqërua me dukuri të tjera të natyrës
shoqërore e etnike, të cilat qenë më të
dukshme në Kosovë. Një pjesë e aristokracisë
vendase u shpronësua e u zëvendësua nga aristokracia
serbe e tokës, laike e sidomos fetare. Duke filluar nga gjysma
e dytë e shek. XIII serbizohen kishat e manastiret e Kosovës
dhe ndërtohen shumë syresh, të cilat u pajisën
me fonde të mëdha tokësore. Në kohën e
sundimit të Stefan Dushanit, aty nga gjysma e shek. XIV manastiret,
tashmë të serbizuara, të Deçanit, Greçanicës,
Banjskës, Kryeëngjëllit, manastiri i Hilandarit në
Malin Athos e krahas tyre peshkopatat e Pejës, Prizrenit etj.,
zotëronin një pjesë të konsiderueshme të
fshatrave të Kosovës e të viseve të tjera veriore
shqiptare.
Shtrirja e shtetit serb në drejtim të Kosovës u shoqërua
edhe me ardhjen këtu të kolonëve të rinj nga
territoret e Serbisë së mirëfilltë (Rashës).
Të porsaardhurit populluan fshatrat e braktisura (selishtë)
ose u vendosën në pronat e përvetësuara rishtazi
nga feudalët apo kishat e manastiret serbe.
Krahas kolonizimit, mbretërit serbë, e në veçanti
car Stefan Dushani, zbatuan një politikë që synonte
asimilimin e popullsive shqiptare të viseve të pushtuara.
Si më të efektshme në këtë drejtim u zgjodhën
represioni dhe persekutimet në lëmin fetar. Kapituj të
tërë të kodit të Stefan Dushanit dhe urdhëresa
të veçanta të carit serb parashikonin masa të
rrepta, si sekuestrim të pasurisë, damkosje, dëbim
e deri dënim me vdekje për të krishterët katolikë
e ortodoksë, që nuk pranonin të konvertoheshin në
ortodoksinë serbe e nuk ripagëzoheshin duke marrë
emra sllavë. Krahas dokumenteve arkivore dëshmitarë
të ndryshëm të kohës, si udhëtari anonim
i vitit 1308, kryepeshkopi frëng i Tivarit, Guljelm i Adës
(1332), kardinali italian Guido da Padova (1350), e nënvizojnë
me theks të veçantë këtë aspekt të
politikës së mbretërve serbë ndaj popullsive
të pushtuara josllave, e cila ishte sanksionuar në të
drejtën mesjetare serbe, kodin e Stefan Dushanit (1349). Masa
të tilla goditnin në radhë të parë popullsitë
shqiptare të besimit katolik e të atij ortodoks-bizantino
të viseve veriore e verilindore, ku presioni i shtetit serb
ishte më i fortë. Ato përcaktuan përhapjen e
fenomenit të sllavizimit fetar-onomastik në shtresa të
caktuara të popullsisë shqiptare. Kjo është
arsyeja që midis shek. XIII-XIV, krahas shqiptarëve gjithsesi
të shumtë, që mbanin emra, si Gjin, Dedë, Gjon,
Progon, Llesh, gjenden në këto treva edhe shqiptarë
të tjerë, të cilësuar nga vetë dokumentacioni
si të tillë, që mbanin emra sllavë ose që
i ishin përshtatur onomastikës sllave. Emra, si Pribisllav,
Radomir, Vladislav apo mbiemrat Vogliç, Kuqeviç, Flokovci,
Gjinovci etj., dëshmojnë se në këtë kohë
(gjysma e parë e shek. XIV) një pjesë e popullsisë
shqiptare të trevave veriore, nën presionin e dhunshëm
të pushtuesve serbë, gjendej në një fazë
kalimtare të një asimilimi kulturor e fetar. Në mjaft
treva ky proces asimilimi u ndërpre në kushtet e reja
që u krijuan me shkatërrimin e shtetit serb e mbërritjen
e turqve osmanë (gjysma e dytë e shek. XIV). Pikërisht
në këtë kohë vihet re aty një kthim i popullsisë
në onomastikën karakteristike shqiptare, krahas dukurisë
së re të marrjes së emrave osmanë. Megjithatë,
në një pjesë të territoreve në fjalë,
sidomos në zona të veçanta të Gentës
(Zetës), procesi i sllavizimit vazhdoi edhe paskëtaj duke
çuar gradualisht në asimilimin kulturor dhe etnik të
bashkësive të tjera shqiptare.
Pushtimi serb i Stefan Dushanit, i ngarkuar me pasoja të rënda
ekonomike, shoqërore e etnike, ndeshi në qëndresën
e ashpër të popullsisë shqiptare. Që në
vitin e parë të sundimit të Stefan Dushanit, në
trevat veriperëndimore shpërtheu një kryengritje
antiserbe, në krye të së cilës u vu bujari Dhimitër
Suma (1332). Zgjerimi i saj e nxiti kryepeshkopin e Tivarit, Guljelmin
e Adës, të projektonte organizimin e një kryqëzate
të Perëndimit kundër serbëve, e cila do të
mbështetej në kontributin vendimtar të kryengritësve
shqiptarë të zonave të veriut. Në letrën
që i dërgonte për këtë qëllim dukës
së Burgonjës, Filipit VII Valua, prelati frëng pohonte
se për organizimin e kësaj kryqëzate antiserbe nuk
mund të gjendej vend më i përshtatshëm sesa
zonat kryengritëse në fjalë, "... ku populli
arbër mund të nxirrte në luftë më se 15
000 kalorës, burra të shëndetshëm, trima e luftëtarë
të mirë, të aftë për çdo betejë".
Qëndresa e shqiptarëve kundër pushtimit serb nuk
qe karakteristikë vetëm për viset e veriut, por për
të gjitha trevat shqiptare deri thellë në Epir. Ajo
doli akoma më në pah pas vdekjes së carit serb, Stefan
Dushanit (1355). Kryengritjet e zonës së Beratit (1356)
dhe të Himarës (1358), e reduktuan pushtetin e despotit
sllav Ivan Komnen Asenit vetëm në qytetin e Vlorës
e në rrethinat e tij. Më 1356 dështoi një përpjekje
për të ripushtuar Beratin me ndihmën e ushtrisë
së Simeon Uroshit, sundimtarit serb të Epirit. Megjithatë,
sipas një shënimi të kohës në një
nga kodikët e Beratit, serbët me atë rast u sollën
aq mizorisht “saqë edhe të vdekurit i nxorën
nga varri”. Një vit më parë, më 1355,
shqiptarët e Thesalisë ngritën krye kundër qeveritarit
serb, Qezar Preljubit, dhe e vranë atë. Pak kohë
pas ekspeditës së tij kundër Beratit, edhe Simeon
Uroshi, vëllai i Dushanit, u detyrua nga shqiptarët e
Epirit t'i linte zotërimet e veta. Në këtë mënyrë
që nga Genta e Kosova deri poshtë në Epir lindën
ose u ringjallën formacione politike të dyerve më
të shquara shqiptare, Balshët, Gropajt, Topiajt, Matrëngët,
Muzakët, Zenebishët, Bua-Shpatat etj.
Zhvillimi i pavarur politik i trojeve shqiptare hynte tani në
një fazë vendimtare, duke i orientuar ato gjithnjë
e më shumë drejt krijimit të një shteti të
përqendruar shqiptar.
2. FORMACIONET SHTETËRORE
SHQIPTARE NË SHEK. XIV DHE NË FILLIM TË SHEK. XV
Despotati shqiptar i Artës
Aty nga fundi i shek. XIII në Epir fillon të shquhet familja
fisnike Shpata. Në vitin 1304 një dokument anzhuin i rendit
Shpatajt midis aristokratëve më në zë të
Shqipërisë.
Ashtu si dhe për shtëpitë e tjera fisnike shqiptare,
edhe për Shpatajt procesi i fuqizimit dhe i emancipimit politik
kishte ndjekur një rrugë vazhdimisht në ngjitje,
derisa gjeti shprehjen më të plotë pas shembjes së
Perandorisë Serbe të Stefan Dushanit (1355). Në atë
çast Shpatajt e fisnikë të tjerë shqiptarë
e shtrinë sundimin e tyre politik në krejt Epirin dhe,
në vitet që pasuan, filluan të zgjerohen në
krahinat fqinje jugore të Akarnanisë e të Etolisë.
Qeveritari serb i Epirit, mbreti Simeon Uroshi, u detyrua të
largohej në Thesali, ku zuri vendin e komandantit serb Qezar
Preljubit, i vrarë gjatë një përpjekjeje me
shqiptarët e atyshëm. Përfaqësues të tjerë
të aristokracisë dhe të administratës së
vjetër bizantino-serbe gjetën strehim në qytetin
e Janinës.
Shtrirja e pushtetit të fisnikëve shqiptarë në
Epir ndeshi pengesë te pinjolli i fundit i dinastisë së
vjetër sunduese të Epirit, despoti Niqifori II Engjëlli.
Në verën e vitit 1358 ky u doli përpara forcave shqiptare
në vendin e quajtur Akelou (Akarnani). Ushtria e tij, e përbërë
pjesërisht prej mercenarëve osmanë, u asgjësua
në betejën e përgjakshme që u zhvillua aty e
ku vetë despoti bizantin humbi jetën.
Pas betejës së Akelout krahinat jugore të Epirit,
të Akarnanisë e të Etolisë u përfshinë
në kuadrin e dy formacioneve shtetërore shqiptare. I pari,
me qendër në Artë, kishte në krye fisnikun Pjetër
Losha, kurse i dyti, me qendër në Angjelokastër (Akarnani),
drejtohej nga despoti Gjin Bua Shpata. Pas vdekjes së Pjetër
Loshës më 1374, Despotati shqiptar i Artës dhe ai
i Angjelokastrës u bashkuan nën sundimin e despotit Gjin
Bua Shpata. Zotërimet e këtij të fundit përbënin
tani një vazhdimësi territoresh prej gjirit të Korintit,
në jug, deri në derdhjen e lumit Akeront (Glyki), në
veri, ku puqeshin me zotërimet e Gjon Zenebishit. Megjithatë
në pjesën lindore të Epirit mbeti një territor
i ngushtë me qendër Janinën, i cili nuk u përfshi
në kufijtë e këtyre dy formacioneve shqiptare fqinje.
Këtu përfaqësuesit e fisnikërisë e të
administratës së vjetër serbo-bizantine të Epirit
u përpoqën të organizojnë qëndresën
kundër hegjemonisë së krerëve shqiptarë.
Të mbështetur edhe nga qeveritari i deriparadokohshëm
serb i Epirit, Simeon Uroshi, ata mundën të imponojnë
si qeveritar të Janinës despotin serb Thoma Preljuboviç.
Si djalë i Qezar Preljubit, qeveritarit të Thesalisë
të vrarë më 1355 nga shqiptarët, Thomai trashëgoi
një armiqësi dhe urrejtje të pashuar kundër
tyre.
Despotati i Janinës ishte mbeturina e fundit e sundimit serb
në Epir. Qenia e tij përbënte një rrezik real
për formacionet fqinje shqiptare të Gjirokastrës
e të Artës, pasi Thoma Preljuboviçi vështronte
t'i zgjeronte kufijtë e despotatit të tij pikërisht
në dëm të zotërimeve të Shpatajve e të
Zenebishëve. Nga ana tjetër, despoti serb nuk ngurroi
të thërriste për ndihmë kundër sundimtarëve
shqiptarë reparte serbe, italiane e, ç'ishte më
keq, osmane, duke e kthyer Epirin në një fushë beteje
ku mercenarët e huaj mbillnin terror e shkatërrime të
pafundme.
Këto arsye, si dhe arsye të tjera të natyrës
ekonomike (Janina ishte një qendër mjaft e pasur ekonomike
e tregtare), i futën sundimtarët shqiptarë të
Epirit në një konflikt të gjatë të armatosur
me despotin e Janinës. Për tre vjet rresht (1370-1373)
kështjella e Janinës iu nënshtrua rrethimit e sulmeve
të njëpasnjëshme të despotit të Artës,
Pjetër Losha, e të aleatëve të tij, bashkësive
shqiptare të mazarakëve e të malakasëve që
banonin përreth Janinës. Megjithëse u detyrua të
kërkonte paqe, Thoma Preljuboviçi nuk pushoi së
përndjekuri e së tiranizuari popullsinë shqiptare
të Janinës e të fshatrave përreth, nga e cila
tërhiqte robër e pengje që i mbyllte në burgje
të posaçme. Për këtë zell të tij
kundër shqiptarëve, bashkëkohësit i ngjitën
despotit serb nofkën "shqiptarovrasës" (alvanitoktonos).
Pas vdekjes së Pjetër Loshës, më 1374, në
krye të despotatit të Artës u vu zoti i Angjelokastrës,
Gjin Bua Shpata. Në kohën e sundimit të tij, konflikti
me despotin serb, Thoma Preljuboviçin, u ashpërsua edhe
më. Që në vitin 1375 Gjin Bua Shpata u shfaq me ushtrinë
e tij nën muret e Janinës. Qyteti mundi të qëndrojë
edhe kësaj radhe falë mureve të tij të papushtueshme.
Gjithsesi, i interesuar për pushimin e armiqësive, Thomai
i ofroi Shpatës dorën e së motrës, Helenës.
Por martesa nuk e fashiti konfliktin midis Gjin Bua Shpatës
dhe Thomait. Për më tepër, në vitet që
vijuan Janina u bë pre e sulmeve të bashkësisë
shqiptare të malakasëve. Nën komandën e Gjin
Fratit këta e sulmuan kështjellën më së
pari në vitin 1377, por pa mundur ta merrnin atë. Dy vjet
më vonë, më 1379 malakasët arritën të
zinin ishullin në liqen si dhe kullën e brendshme të
kështjellës së Janinës. Kësaj radhe në
anë të tyre qëndronin edhe pjesëtarë të
parisë vendase, përfshi mitropolitin Mateo, përkrahës
i Gjin Bua Shpatës. Por edhe kësaj radhe shqiptarët
dështuan në qëllimin e tyre. Mungesa e mjeteve të
mjaftueshme ua bëri atyre të pamundur që të
shpërthenin muret e kështjellës, qoftë nga toka
e qoftë nga liqeni. Mitropoliti Mateo u detyrua të linte
Janinën bashkë me të tjerë dhe të strehohej
te Gjin Bua Shpata.
Krahas despotit serb të Janinës, formacioni i Shpatajve
të Artës u fut në këtë kohë në
një konflikt të ashpër me anzhuinët e Napolit,
të cilët qysh prej një shekulli vazhdonin të
ngulnin këmbë në pretendimet e tyre mbi bregdetin
epirot. Ky konflikt u shpreh më së pari në përleshjet
e armatosura me forcat e kontit Leonard Toko, që sundonte mbi
ishujt e Qefalonisë e Leukadës si vasal i mbretëreshës
Xhovana të Napolit. Dokumentet e kohës informojnë
se qysh në vitin 1360 "konti i Qefalonisë bënte
luftë të madhe me Despotatin e arbërve". Në
vitet që pasuan ndeshja me anzhuinët u ndez edhe më
keq. Në vitin 1378 mbretëresha e Napolit organizoi një
fushatë të madhe për asgjësimin e Despotatit
shqiptar të Artës. Bërthama e ushtrisë së
grumbulluar prej saj përbëhej nga Urdhri i Joanitëve
të Rodit, një formacion i famshëm për bëmat
e tij luftarake, që ishte futur në shërbim të
anzhuinëve të Napolit.
Ekspedita anzhuine filloi me marrjen e Naupaktit (Lepantos), kështjella
më jugore e Shpatajve, e vendosur mbi bregun verior të
gjirit të Korintit. Prej këndej ajo përparoi drejt
veriut e brenda pak kohe qendra e Despotatit shqiptar, Arta, u ndodh
nën rrethimin e ushtrisë napolitane. Gjatë betejës
vendimtare që u zhvillua nën muret e Artës, despoti
Gjin Bua Shpata korri një fitore të madhe. Vetë kryekomandanti
i ekspeditës anzhuine, Mjeshtri i Madh Huan Fernandez Heredia
i Urdhrit të Joanitëve, u zu rob prej shqiptarëve.
Në pranverë të po atij viti, Gjin Bua Shpata fitimtar
mbi anzhuinët, rifilloi sulmet sistematike mbi Janinën.
Thoma Preljuboviçi kësaj radhe gjeti një aleat
të fuqishëm kundër shqiptarëve te turqit osmanë,
të cilët kishin filluar të vendoseshin në Thesalinë
fqinje. Disa herë brenda viteve 1380-1384 reparte osmane, të
thirrura nga Thomai, kryen inkursione shkatërruese në
zotërimet e Gjin Bua Shpatës e në ato të Gjon
Zenebishit, duke lehtësuar presionin e tyre mbi Janinën.
Me ndihmën e osmanëve, despoti Thoma pushtoi përkohësisht
një numër fshatrash rreth Janinës si dhe kështjellën
e Paramithisë (Shën Donatit). Gjithsesi, tirani i Janinës
ra pre e një komploti dhe, i urryer nga të gjithë,
vdiq në dhjetor 1384. Në vend të tij paria e Janinës
e mbreti serb i Thesalisë, Joazaf, thirri e vuri italianin
Izau Buondelmonte Açajuolin, kunat i kontit Leonard Toko
të Qefalonisë. Ky gëzonte njëherësh mbështetjen
e perandorit të Bizantit, të Venedikut, Firences dhe të
Mbretërisë së Napolit. Marrëdhëniet e shqiptarëve
me Despotatin e Janinës mbetën të tendosura edhe
në kohën e sundimit të Izaut, ndonëse aty nga
viti 1394, ky mori për grua të bijën e Gjin Shpatës,
Irenën, i nxitur edhe nga arkondët e qytetit. Inkursionet
e reparteve osmane, të thirrura nga despoti i ri i Janinës,
vazhduan edhe paskëtaj, madje për të siguruar mbështetjen
më të madhe të sulltanit osman, despoti Izau u shpall
vasal i tij (1387). Ndërkohë mbi Despotatin shqiptar të
Artës qenë intensifikuar edhe sulmet e kontit të
Qefalonisë Karl Tokos, nip i Izaut.
Në rrethana të tilla të vështira, më 29
tetor të vitit 1399 vdiq despoti Gjin Bua Shpata "burrë
i fuqishëm, i admirueshëm e lavdi e Arbërisë”,
siç e quan atë një kronikë e kohës. Me
emrin e tij është e lidhur periudha më e lulëzuar
e historisë së Despotatit shqiptar të Artës.
Zotërimet e Shpatajve u ndanë midis të afërme
të tij, që shpeshherë ishin në armiqësi
e mëri me njëri-tjetrin. Një mëri e tillë
ekzistonte dhe midis Muriq Shpatës dhe Sguro Bua Shpatës,
që qeveriste zotërimet jugore të Shpatajve. Si vëlla
i Gjinit, këtij i takonte të ishte trashëgimtar i
ligjshëm i fronit. Por Muriqi, i ri dhe ambicioz, mundi ta
mënjanojë kushëririn e tij plak dhe të marrë
në dorë drejtimin e principatës.
Me ardhjen në pushtet vëmendja e Shpatës së
ri u zhvendos nga Lindja, ku despotët e Janinës dhe osmanët
e Thesalisë kishin qenë kujdesi kryesor i paraardhësit
të tij të madh. Me komandantët osmanë të
Thesalisë Muriqi nuk e pati të vështirë të
gjente një modus vivendi, sidomos pas katastrofës që
sulltan Bajaziti pësoi nga mongolët e Timurlengut në
betejën e Ankarasë (1402). U shtensionuan edhe marrëdhëniet
me despotin Ezau të Janinës, që ishte njerk i Muriqit
dhe që për më tepër kërkoi dorën e
vajzës së Muriqit për djalin e tij të lindur
nga martesa me shqiptaren Evdoqia Balsha, vajzë e Gjergjit
I Balsha.
Në këtë mënyrë vëmendja e Muriq Shpatës
u përqendrua nga rreziku që i vinte zotërimeve të
tij nga konti i Qefalonisë Karl Tokoja. Për sa kohë
në krye të principatës kishte qenë Gjin Bua
Shpata, Tokoja kishte dalë gjithnjë i mundur nga ballafaqimi
me shqiptarët. Këta, madje, ishin në gjendje të
organizonin me anije sulme mbi ishujt e tij të Qefalonisë
dhe Leukadës, gjë që e kishte shtyrë kontin
të kërkonte ndihmën e Napolit e të Venedikut.
Por në vitet e para të sundimit të Muriq Shpatës,
raporti i forcave paraqitej i ndryshuar në favor të Tokos.
Grindjet dhe pakënaqësitë ndaj sundimtarit të
ri të Artës shtynë mjaft feudalë shqiptarë
dhe krerë bashkësish nga Parga, Paramithia, Margëlliçi
e Janina (përfshirë bashkësitë e mëdha
të mazrekëve e malakasëve) të dorëzoheshin
përpara dhuratave dhe premtimeve që u drejtoi atyre me
bollëk konti Karl Toko. Në këtë mënyrë,
me një ushtri, lulen e së cilës e përbënin
luftëtarët shqiptarë, ku shquheshin vëllezërit
Muriq e Dhimo Bua, si dhe me ndihmën e një flote të
ofruar nga mbreti i Napolit, Karl Tokoja, filloi t'i rrëmbejë
Muriq Shpatës njërin zotërim pas tjetrit. Si pasardhës
i kontëve nga familja Orsini të Qefalonisë, ai pretendonte
të bëhej, ashtu siç qenë bërë ata
një shekull më parë, despot i krejt Epirit.
Në këtë mënyrë, me luftë dhe më
shumë me dredhi, Karl Tokoja u rrëmbeu Shpatajve një
sërë kështjellash, fillimisht në jug të
gjirit të Artës, si Katohinë, Varnakun, Kandilen,
Anatolikon e Dragomestin (1401-1404). Prej këndej ai filloi
sulmet dhe plaçkitjet në territorin e Angjelokastrës
e të Artës. Shumë shpejt Muriq Shpata u detyrua të
lëshojë kështjellat e Riniasës e Ajtoit, që
siguronin mbrojtjen e Artës. Gjatë një beteje me
forcat e Tokos, u plagos rëndë e më tej vdiq edhe
vëllai i legjendarit Gjin Bua Shpata, Sguroj, i cili të
paktën në çastet e fundit gjeti ngushëllim
kur pa se Muriq Shpata me forcat e tij po vraponte t'i vinte në
ndihmë.
I biri i Sguros, Pal Shpata, në pamundësi t'i ruante zotërimet
që i la i ati në jug të gjirit të Artës,
nxitoi t'ia ofrojë ato Venedikut. Më 1402 ai i propozoi
këtij lëshimin e kështjellës së rëndësishme
bregdetare të Lepantos si dhe vetë kryeqendrën e
vet, Angjelokastrën. Ndërsa mori në dorëzim
të parën (1407), kundrejt një shpërblimi, Republika
e Venedikut u mor vesh me Karl Tokon që e dyta, Angjelokastra,
t'i kalonte këtij të fundit (1408). Në këtë
mënyrë Shpatajt humbën përfundimisht zotërimet
në jug të gjirit të Artës, në Etoli e në
Akarnani.
Në kushtet e dobësimit e të përçarjes
së krerëve shqiptarë, konti Karl Toko nuk e pati
të vështirë të zinte vendin e despotit Ezau
të Janinës, kur ky i fundit vdiq (1411). Krahas elementëve
të parisë së qytetit, ku u shqua greku Simon Stratigopulos
dhe dhëndri i tij, serbi Stefan Vojsllavi, dorëzimin e
Janinës në duar të Karl Tokos e përkrahën
edhe mjaft krerë e bashkësi shqiptare, brenda e jashtë
qytetit, të cilët ai i kishte joshur me dhurata e premtime.
Tashmë i pafuqishëm ndaj ngjitjes së rivalit të
tij, Muriq Shpata nuk qe në gjendje të shfrytëzonte
momentin e favorshëm pas thyerjes së ushtrive të
Tokos nga Gjon Zenebishi në betejën e Kranesë, afër
Mesopotamit (1411). Më 1415 ai vdiq, duke ia lënë
barrën e drejtimit, të asaj që kishte mbetur nga
Principata e dikurshme e Gjin Bua Shpatës, vëllait të
tij, Jakupit, që kishte kaluar në fenë islame.
Jakupi tregoi që në fillim një dinamizëm e trimëri
që s'e kishin karakterizuar vëllanë e tij. Me të
u bashkuan mjaft edhe nga krerët apo bashkësitë shqiptare
që ishin hedhur në anën e Karl Tokos, siç
qe, p.sh., prijësi i shquar Muriq Bua.
Në pamundësi për ta thyer sundimtarin e ri shqiptar
në fushë të hapur, Karl Tokoja i përgatiti atij
një pritë në kështjellën e Vombljanës,
afër Artës. I ftuar nga kështjellari i saj, njeri
i Karl Tokos, gjoja për ta marrë në dorëzim
kështjellën, Jakup Shpata u sulmua tradhtisht nga forcat
e Tokos ndërsa u qe afruar me trupat e tij mureve të saj.
Jakupi vdiq me shpatë në dorë mes luftëtarëve
të tij. Me vrasjen e tij u shënua dhe fati i Artës
dhe i gjithë zotërimit të Shpatajve. Më 4 tetor
1416 Karl Tokoja hyri në Artë. Pinjollët e fundit
të Shpatajve ose pranuan të hyjnë në shërbim
të Karl Tokos, ose emigruan drejt Moresë dhe ishujve të
Jonit.
Principata e Zenebishëve
Emri i Zenebishëve, si një ndër familjet fisnike
më të shquara të Shqipërisë së Poshtme,
përmendet krahas dyerve më në zë shqiptare në
një dokument të vitit 1304. Shkëlqimin më të
madh kjo familje e arriti pas gjysmës së dytë të
shek. XIV, kur në krye të saj ishte sebastrokratori Gjon
Zenebishi (?-1418). Kryeqendra e këtij të fundit ishte
kështjella e Gjirokastrës, e cila përmendet për
herë të parë pikërisht në këtë
kohë si rezidencë e Zenebishëve. Në vitet 70
të shek. XIV zotërimi i Zenebishëve përfshinte,
veç Gjirokastrës dhe rrethet e saj, luginën e Drinos,
Delvinën dhe një pjesë të mirë të
zonës së pasur të Vagenetisë (Çamërinë
e Sipërme), deri në derdhjen e poshtme të lumit Gliki,
ku zotërimet e Gjon Zenebishit kufizoheshin me ato të
vjehrrit dhe aleatit të tij, Gjin Bua Shpatës së
Artës. Së bashku me këtë të fundit, Gjon
Zenebishi ndërmori inkursione të vazhdueshme kundër
kështjellës së Janinës, ku sundonte despoti
serb Thoma Preljuboviçi, armik i betuar i shqiptarëve,
i cili, siç është theksuar tashmë, i thirri
për herë të parë osmanët në këto
anë më 1380 kundër shqiptarëve. I mbështetur
dhe nga një pjesë e parisë serbo-bizantine të
Janinës, Thomai mundi ta ruante sundimin brenda mureve të
Janinës, deri në vrasjen e përgjakshme të tij,
në vitin 1386.
Despoti i ri i Janinës, italiani Ezau Buondelmonti Açajuoli
(1386-1411), i cili mori pushtetin në Janinë si përfaqësues
i interesave të huaja në atë qytet e në krejt
Epirin, ndoqi që në fillim një politikë agresive
ndaj sundimtarëve shqiptarë të kësaj treve,
veçanërisht ndaj Gjon Zenebishit. Me ndihmën e
reparteve osmane ai i mori këtij të fundit portet dhe
tregjet e rëndësishme të Sajadhës e Kastrovilës,
buzë detit Jon (Çamëri e sotme). Por në pranverën
e vitit 1399, ushtria e Zenebishit u shkaktoi forcave të despotit
Ezau një disfatë fatale gjatë një beteje në
Dhivër (Mesopotam), ku vetë despoti i Janinës u zu
rob nga sundimtari shqiptar, që sakaq e mbylli në burgun
e kështjellës së tij të Gjirokastrës. Të
gjithë aleatët e Ezaut, nga komuna e Firences, që
e kishte qytetar të vetin, Mbretëria e Napolit, Republika
e Venedikut e deri te komandanti osman i Thesalisë, ndërhynë
te Gjoni për lirimin e tij. Të njëjtën gjë
i kërkoi Zenebishi edhe aleati e vjehrri i tij, Gjin Bua Shpata
i Artës. Ezau u lëshua kundrejt një shpërblimi
të majmë prej 10 mijë copë florinjsh. Gjithsesi,
ai pushoi së qeni një shqetësim për zotërimet
e Zenebishit, i cili shtiu përsëri në dorë limanet
dhe tregjet bregdetare nga Sajadha e Kastrovila e deri në Pargë.
Porse mbajtja e këtyre vendeve bëri të pashmangshëm
një konflikt të ri me Republikën e Venedikut. Përleshjet
e para të Gjon Zenebishit me Venedikun ishin regjistruar që
në vitin 1386, kur ky i fundit, pasi shtiu në dorë
ishullin e Korfuzit, i rrëmbeu Zenebishit edhe disa nga qendrat
kryesore ushtarake e ekonomike të bregdetit, si Butrintin,
Ksamilin dhe Sajadhën. Kjo e fundit u rimor prej Gjonit aty
nga viti 1400. Për Sajadhën, veçanërisht për
kriporet me famë të atij vendi, të cilat konkurronin
rëndë kriporet veneciane të Korfuzit, u luftua me
këmbëngulje si nga Venediku, ashtu edhe nga Zenebishi.
Në një letër, që i çonte për këtë
çështje Senatit të Venedikut në qershor 1401,
Gjon Zenebishi bënte të qartë se "paqja e tij
me Republikën do të sigurohej vetëm kur Venediku
të hiqte dorë nga përpjekjet për të shtënë
në dorë kullën dhe kriporet e Sajadhës, që
ai i kishte trashëguar nga të parët dhe që ishin
buka e tij".
Megjithatë, rrethanat e krijuara në vitet e para të
shek. XV e detyruan Gjon Zenebishin të hiqte dorë si nga
Sajadha, ashtu dhe nga Kastrovila e Parga dhe të kërkonte
rregullimin e marrëdhënieve me Republikën e fuqishme
të Venedikut.
Vdekja e despotit Ezau, më 1411, nxori përsëri në
plan të parë problemin e pushtetit në Janinë.
E veja e Ezaut, Evdokia Balsha, vajzë e të famshmit Gjergjit
I Balsha, iu kundërvu përpjekjeve të një pjese
të parisë së qytetit, që donte t'ia dorëzonte
qytetin nipit të despotit Ezau, kontit të Qefalonisë,
Karl Toko. E mbështetur kryesisht nga shtresat e ulta dhe të
mesme të qytetit, "despina e Arbërisë"
hyri në traktaktiva me Gjon Zenebishin, gjë që vuri
në lëvizje përkrahësit e Karl Tokos. Pas një
komploti të organizuar prej tyre, despina Evdokia u detyrua
të braktiste qytetin dhe të strehohej përkohësisht
te Gjon Zenebishi në Gjirokastër.
Ambiciet e despotit të ri të Janinës, Karl Tokos,
që synonte të vinte nën sundimin e tij të gjitha
territoret e Despotatit të dikurshëm të Epirit, e
çuan atë drejt një ndeshjeje të pashmangshme
me zotin e fuqishëm të Gjirokastrës. Në verën
e vitit 1411 Gjon Zenebishi i zuri rrugën në Kranesë
(Mesopotam) ushtrisë së Karl Tokos, që kishte depërtuar
në thellësi të zotërimeve të tij dhe synonte
të kapte Gjirokastrën. Në betejën e ashpër
të zhvilluar në atë vend, forcat e Zenebishit arritën
një fitore të bujshme duke e asgjësuar krejtësisht
ushtrinë e Tokos. Paskëtaj, ky u përpoq t'i bënte
ballë sundimtarit shqiptar duke u mbështetur kryekëput
tek aleanca që lidhi me osmanët dhe që u vulos edhe
me martesën e vajzës së tij me Musa Beun, pretendentin
e fronit.
Presioni osman, i cili ishte veçanërisht i fortë
në zotërimet e Zenebishëve dhe të Shpatajve
të Epirit, e shtyu Gjonin të kërkonte aleancën
e Republikës së Venedikut. Në korrik të vitit
1414 ai i kërkoi kësaj të fundit t'i vinte në
dispozicion 30 balestrierë, me të cilët të mund
të mbronte këshjellat e tij dhe njëherësh të
ndalte vërshimin e osmanëve në brigjet e Jonit. Në
të njëjtën kohë, sundimtari shqiptar kërkonte
nga Venediku që të lejohej të blinte disa prona në
Korfuz, ku të mund të strehohej në rast se do të
detyrohej të largohej nga vendi i tij.
Në fakt, deri në atë kohë, në Korfuz ishin
vendosur mjaft familje shqiptare të ikura nga zotërimet
e Zenebishit për shkak të kushteve të rënda
të krijuara nga inkursionet e osmanëve. Në verën
e vitit 1418 një ushtri osmane prej 30 000 vetash, e thirrur
nga Karl Tokoja, hyri në zotërimet e Zenebishit. Pasi
pushtoi mjaft vise e kështjella, Hamza Beu, dhëndër
i Tokos, rrethoi Gjirokastrën. Sundimtari plak i Gjirokastrës
mundi t'i bënte ballë këtij sulmi të parë
mbi kryeqendrën e tij, por, kur osmanët ndërmorën
në vjeshtën e parë të atij viti, një fushatë
të re akoma më të fuqishme, ai nuk jetonte më
dhe djemtë e tij ua lëshuan atë osmanëve dhe
u strehuan në Korfuz. Nga Korfuzi trashëgimtarët
e sebastokratorit të shquar, Gjon, të mbështetur
edhe nga Venediku, Papati dhe Mbretëria e Napolit, nuk i reshtën
përpjekjet për të çliruar zotërimet atërore,
duke organizuar e duke u vënë në krye të kryengritjeve
të fuqishme antiosmane.
Principata e Topiajve
Në kapërcim të shek. XIII-XIV, roli i familjes së
shquar fisnike të Skurrajve në trevën e Arbrit u
kishte kaluar fisnikëve të familjes Topia. Emri i kësaj
familjeje nuk përmendet para shek. XIII.
Në vitet 70 të shek. XIII bëhet fjalë për
një pinjoll të saj, përfaqësues i aristokracisë
ushtarake me titullin miles. Në atë kohë Topiajt
ditën t'i bënin vend vetes, duke u shkëputur nga
Bizanti e duke vendosur lidhje të ngushta me anzhuinët
e Napolit si dhe me Papatin e Romës. Këtij të fundit
Topiajt i premtuan kalimin e tyre nga riti ortodoks në atë
katolik. Për rrjedhojë, kisha e Romës u njohu Topiajve
si zotërim të familjes tokat midis rrjedhës së
Matit dhe asaj të Shkumbinit, të cilat përputheshin
pak a shumë me shtrirjen e Principatës së dikurshme
të Arbrit. Të drejtat e Topiajve mbi këto vise u
konfirmuan më 1338 edhe nga anzhuinët e Napolit, të
cilët e konsideronin veten kryezot të Durrësit e
të Arbrit si dhe Topiajt vasalë të tyre. Topiajt
ishin shpallur vasalë të mbretit të Napolit, Karli
I Anzhu, që në vitin 1272. Megjithatë varësia
e tyre nga oborri i Napolit mbeti thjesht formale. Si mbreti Karli
I, ashtu dhe pasardhësit e tij, Karli II e Roberti I Anzhu,
ankoheshin vazhdimisht në aktet e tyre për "mosbindjen"
madje edhe për "rebelimet" e vazhdueshme të
Topiajve dhe të krerëve të tjerë shqiptarë
kundër pushtetit sovran të tyre. Megjithatë, të
ndërgjegjshëm se s'do të mund ta ruanin autoritetin
e tyre mbi Durrësin dhe Arbrin, anzhuinët këmbëngulnin
t'i mbanin afër Topiajt, qoftë duke u falur herë
pas here "fajet", qoftë duke u dhënë edhe
provizione (para) të mëdha vjetore, siç vepruan
më 1338 me kontin Tanush Topia. I vëllai i këtij
të fundit, Domeniku, ishte klerik i lartë dhe në
vitin 1336 mbreti Robert Anzhu e kishte tërhequr në oborrin
e Napolit si kapelan e këshilltar të tij.
Marrëdhëniet e Topiajve me anzhuinët e Napolit pësuan
një ngrirje të fortë në kohën e sundimit
të Andreas, djalit të Tanushit. Ndonëse qe martuar
me një vajzë jashtë martese të mbretit Robert,
Andre Topia tregohej fare i pabindur ndaj tij, aq sa anzhuini vuri
njerëz dhe e vrau.
Zotërimi i Topiajve arriti fuqinë dhe shkallën më
të lartë të organizimit në kohën e princit
Karl Topia, djali i madh i Andreas, që erdhi në fuqi në
vitin 1359. Brenda viteve 50 të shek. XIV ai arriti të
konsolidonte në luftë me rivalët e shumtë pushtetin
e vet në trevën e Arbrit. Ashtu si paraardhësit e
vet, Karli shfrytëzoi mjeshtërisht për këtë
qëllim lidhjet e hershme të familjes së tij me anzhuinët
e Napolit. Ai nuk ngurronte të vinte në dukje "lidhjet
e gjakut" që kishte me këta të fundit nga e
ëma. Në këtë kuptim ai i shtoi stemës familjare
të Topiajve, që paraqiste një luan, edhe simbolin
e anzhuinëve, zambakun.
Pavarësisht se u mëshonte lidhjeve të veçanta
të Topiajve me kryezotërit e Napolit, Karli kishte vendosur
t'u shkëpuste këtyre qytetin e Durrësit. Më
1362 forcat e tij sulmuan Durrësin nga toka dhe nga deti. Ndonëse
nuk u mor dot, qyteti u detyrua t'i paguajë Topisë një
tribur vjetor, i cili nxirrej nga rritja e taksave mbi tregtarët
e huaj që vizitonin Durrësin.
Sulmi i Karl Topisë mbi Durrësin ngjalli shqetësim
sa në bashkësinë e këtij qyteti, që i trembej
pushtetit feudal, aq dhe te mbretëresha Xhovana e Napolit,
dhe te Republika e Venedikut. Kjo e fundit nuk mund të pajtohej
me faktin që princi shqiptar zotëronte tashmë një
flotë ushtarake, të ankoruar në Kepin e Rodonit në
veri dhe në Kepin e Melit (caput Meliarum) në jug të
Durrësit, me të cilën ai mund të kontrollonte
ose të dëmtonte trafikun e anijeve veneciane nëpër
Adriatik. Ndaj në maj të vitit 1364 Senati i Venedikut
e urdhëronte kapitenin e flotës së Adriatikut që
të pengonte çdo aksion të flotës së Karl
Topisë dhe, në rastin ekstrem, t'i kapte anijet shqiptare
dhe t'i digjte ato, si dhe të shkatërronte bazën
e tyre në Kepin e Melit. Të gjitha këto duhet të
bëheshin në mënyrë të fshehtë pa rënë
në sy të princit shqiptar, me të cilin gjithsesi
Republika ishte e interesuar të mbante marrëdhënie
të mira. Në fakt Topia pati rastin të tregonte se
nuk ishte një sundimtar i zakonshëm, kur po atë vit
theu të fuqishmin Gjergj Balsha. Ndaj, me qëllim që
të ndikonte sa më shumë mbi princin shqiptar, në
prill të vitit 1366 Senati i Venedikut e shpalli Karl Topinë
qytetar të Venedikut. Megjithatë kjo nuk e ndali këtë
të fundit të forcojë flotën e tij dhe të
intensifikojë sulmet mbi Durrësin. Më në fund,
në muajt e parë të vitit 1368, qyteti ra në
duart e Topisë. Nga ai çast sundimtari shqiptar i shtoi
titullit të tij si "princ i Arbrit" edhe titullin
tjetër të "zotit të Durrësit".
Në jug Principata e Topiajve u bë fqinje me atë të
Muzakëve, të cilët, aty nga viti 1370, aneksuan zotërimin
e sebastokratorit Vlash Matrënga, që shtrihej midis derdhjes
së Shkumbinit dhe Semanit. Gjithsesi aleanca e Muzakajve me
Balshajt e veriut e keqësoi gjendjen e principatës së
Karl Topisë, duke shtrënguar darën rreth saj. Ishte
keqësuar ndërkohë edhe pozita ndërkombëtare
e saj. Sovranët e Napolit nuk ia falën "vasalit"
Karl Topia marrjen e Durrësit më 1368. Plot moskuptime
e përplasje paraqiteshin edhe marrëdhëniet me Venedikun,
pavarësisht që Republika e detrave e kishte shpallur Karl
Topinë qytetar të saj. Marrëdhëniet ishin ftohur
dukshëm edhe me Papatin e posaçërisht me papën
Gregori XI, i cili nuk i falte princit shqiptar prirjet "heretike"
duke e akuzuar atë për patarin (ithtar i lëvizjes
antipapale patarine). Edhe miqësia me Raguzën dhe me Hungarinë
nuk i sillte ndonjë avantazh të madh Karl Topisë
në planin politik. Raguza ishte në fakt një fuqi
tregtare, por ajo s'kishte ndonjë peshë në ngjarjet
politike e ushtarake. Përsa i përket afrimit me Mbretërinë
Hungareze, në sfond të saj qëndronte thjesht armiqësia
e kësaj të fundit me Venedikun, pra kishte karakter koniunktural
pa ndonjë ndikim në planin praktik.
Në kushte të tilla, kur dhe marrëdhëniet me
bashkësinë qytetare të Durrësit qenë acaruar,
Karl Topia e humbi qytetin, i cili kaloi përsëri për
pak kohë nën sovranitetin e anzhuinëve të Napolit.
Madje këta të fundit në fillim të vitit 1372
vendosën të organizonin një fushatë të
madhe për të shtrirë pushtimet tej Durrësit
dhe për të rikrijuar "Mbretërinë e Arbrit"
të kohës së Karlit I Anzhu. Në planet e organizatorëve
ishte edhe zënia rob e Karl Topisë dhe e Gjergj Balshës,
për të cilët premtohej një çmin prej
1 000 dukatë ari. Por fushata që iu besua Gjergjit të
Navarës dhe që mori edhe bekimin e papës Gregori
XI nuk arriti të realizohej. Karl Topia mbeti zot i plotfuqishëm
i "gjithë vendit të Arbrit". Madje, ai mundi
t'u marrë Muzakëve edhe zotërimet e dikurshme të
Vlash Matrëngës, midis derdhjeve të lumenjve Shkumbin
e Seman. Tashmë principata e Karl Topisë kapte gjithë
hapësirën midis Drinit e Semanit. Vetë Durrësi,
ndonëse formalisht mbeti në zotërimin e anzhuinëve
të Napolit, në të vërtetë e ndiente gjithnjë
e më shumë pushtetin e princit shqiptar. Me sa duket ky
i fundit, i ndërgjegjshëm për interesat e shumtë
që ndërthureshin në Durrës, kishte vendosur
ta merrte qytetin në mënyrë "të ligjshme",
duke shmangur përdorimin e armëve. Në fakt aty nga
viti 1383 ai e bleu atë nga anzhuinët kundrejt një
shume të madhe të hollash.
Sundimi i Karl Topisë mbi qytetin e dëshiruar buzë
Adriatikut nuk zgjati shumë. Marrja e qytetit prej tij ndodhi
në një kohë kur ishte rindezur konflikti i hershëm
me Balshajt, ndërkohë zotër edhe të Vlorës.
Me një sulm të befasishëm në vitin 1384 Balsha
II e pushtoi Durrësin. Tashmë në aktet zyrtare ai
filloi t'i atribuojë vetes titullin "dukë i Durrësit".
Por nuk e gëzoi gjatë. Më 18 shtator 1385 forcat
osmane të Hajredin Pashës shpartalluan në Savër
të Myzeqesë ushtrinë e Balshës II dhe të
aleatëve të tij. Karl Topia hyri përsëri në
Durrës, por tashmë edhe ai, si mjaft sundimtarë të
tjerë shqiptarë, u detyrua t'i nënshtrohej hegjemonisë
së osmanëve. Në përpjekje për t'i shpëtuar
kësaj të fundit, Topia u kthye nga Venediku. Midis viteve
1386-1387 ai bëri disa përçapje pranë Republikës,
duke i ofruar kësaj vendosjen e një lloj protektorati
mbi zotërimet e tij. Duke iu shmangur një angazhimi të
drejtpërdrejtë në një zonë që tashmë
ishte në vëmendjen e osmanëve, Venediku u mjaftua
t'i premtonte Karl Topisë ndihma modeste ushtarake, sigurisht
kundrejt privilegjeve tregtare. I ndodhur nën trysninë
e vazhdueshme të osmanëve, Karl Topia tentoi në maj
të 1387 një ujdi të fundit me Republikën. Propozimi
i tij i ri kishte të bënte me shitjen e Durrësit,
me largimin e vetë Karlit dhe vendosjen e tij në ndonjërën
nga kolonitë veneciane në Kretë ose në Eube.
Por edhe kësaj radhe nuk u përfundua gjë, qoftë
për shkak të hezitimeve të Venedikut, që tashmë
ishte i bindur se marrja e Durrësit do të thoshte luftë
me osmanët, qoftë edhe se, shumë shpejt pas paraqitjes
së këtij propozimi të ri, princi Karl Topia ndërroi
jetë.
Trashëgimtari i dobët i Karl Topisë, Gjergji, mundi
të ushtrojë pushtetin e tij në Durrës e në
rrethinat e tij. Kruja dhe krahina përreth saj i kaluan motrës
së tij, Helenës, që ishte martuar me fisnikun venecian
Mark Barbadigun. Konti Niketa Topia, një kushëri i Gjergjit,
sundonte ultësirën në jug të Durrësit.
Feudalë të tjerë, që s'i përkisnin familjes
fisnike Topia, sundonin tashmë të pavarur në viset
e Tiranës, në luginën e Shkumbinit e gjetkë.
Marrëdhëniet e tyre me Gjergj Topinë ishin shpeshherë
armiqësore. Në këtë mënyrë juridiksioni
i trashëgimtarit të Karl Topisë kufizohej në
qytetin e Durrësit dhe në rrethinat e afërta të
tij. Në fakt, edhe në burimet e kohës Gjergji cilësohet
thjesht "zot i Durrësit", ndryshe nga paraardhësi
i tij i madh, princi Karl Topia, që quhej "zot i gjithë
vendit të Arbrit".
Ardhja në pushtet e Gjergj Topisë përkoi me intensifikimin
e sulmeve osmane në viset bregdetare dhe, për rrjedhojë,
edhe me politikën e re të Venedikut, për të
shtënë në dorë qytetet bregdetare shqiptare.
Herë me premtime dhe herë me presione Venediku arriti
të bindte Gjergjin që fillimisht t'i lëshonte kullën
e poshtme të qytetit, atë që ruante pjesën e
portit.
Më tej, Venediku arriti të fuste në kontroll gjithë
qytetin, duke shfrytëzuar vështirësitë e zotit
të Durrësit, si dhe lidhjet e veta me një sërë
fisnikësh shqiptarë nga familjet Muzaka, Skurra, Nesha
e vetë Topia, të cilëve u shpërndante provizione
vjetore. Me marrëveshjen e nënshkruar me Venedikun në
gusht të vitit 1392, Gjergj Topia pranonte që, pas vdekjes
së tij, i gjithë qyteti të kalonte edhe de jure nën
sundimin e Venedikut. Një kalim i tillë i pushtetit në
Durrës ndodhi vetëm ndonjë muaj më vonë,
kur sundimtari shqiptar vdiq.
Vitet që pasuan shënuan zhdukjen nga skena edhe të
Topiajve të fundit. Në vitin 1403 konti Niketë Topia
mori kështjellën e Krujës nga duart e kushërirës
së tij, Helenës. Në këtë mënyrë
Niketa bashkoi nën sundimin e tij territoret pjellore rreth
e rrotull Durrësit prej të cilave nxirrte fitime të
mëdha. Venediku ia njohu zotërimet sundimtarit shqiptar,
aq më tepër që ato formonin një perde midis
Durrësit dhe posteve të përparuara osmane në
Maqedoni. Nga ana tjetër, nga zotërimet e Niketës
mbërrinin në Durrës produktet bujqësore e blegtorale
të domosdoshme për mbijetesën e qytetit. Megjithatë
zotërimi i të fundit të Topiajve nuk pati jetë
të gjatë.
Më 1412 kontit Niketa iu desh ta paguajë me një disfatë
të bujshme dhe me burgimin e tij rivalitetin me Teodor Muzakën
e Beratit për zotërimin e fushave rreth Shkumbinit. Falë
ndërhyrjes së Republikës së Raguzës, Niketa
u lirua nga burgu i Muzakës. Por paskëtaj ai duhej të
matej me sulmet e osmanëve, që pikërisht në
atë kohë njohën një intensifikim të ri.
Me vdekjen e Niketës, osmanët pushtuan kryeqendrën
e vjetër të Arbrit dhe të Topiajve, Krujën.
Në fillim të vitit 1415 qyteti kishte një komandant
turk, Ballaban Beun, i cili quhej “subash i Krujës dhe
i Arbrit”.
Principata e Muzakajve
Historiania bizantine e shek. XI-XII, Ana Komnena, përmend
e para emrin e një fisniku nga familja Muzaka, i cili rreth
vitit 1090 ishte ndër komandantët më të besuar
të perandor Aleksi I Komneni. Origjina e familjes ishte nga
zona e Oparit, ku Muzakajt kishin zotërimet fillestare të
tyre me fshatrat Voskop, Lavdar, Xerje, Bec, Mazrek, Marjan, Dushan,
Zerec etj. Kronisti Gjon Muzaka (1510) kujton se varret e të
parëve të familjes ndodheshin pranë kishës së
Shën Triadhës në Lavdar të Oparit. Autoriteti
dhe roli politik i Muzakajve dëshmohet qartë që në
shek. XIII.
Gjatë luftërave me anzhuinët e Napolit (1273-1281),
i pari i derës së Muzakajve, Gjoni I Muzaka, u shqua si
një ndër krerët kryesorë të qëndresës.
I zënë rob gjatë një beteje, në tetor të
vitit 1279, Gjoni u burgos në kështjellën e Brindizit
bashkë me tre bashkëpunëtorët e tij, Dhimitër
Zogun dhe Kasnec e Guljelm Blenishtin. Por, nën presionin e
krerëve shqiptarë, mbreti Karli I Anzhu u detyrua ta lironte
atë vitin tjetër, kundrejt premtimit se "nuk do të
fliste e nuk do të vepronte më kundër tij".
Në fund të shek. XIII, duke përfituar nga marrëdhëniet
e tyre me pushtetin qendror bizantin, Muzakajt mundën të
siguronin prona të shumta në krahinat fqinje të Tomoricës,
Skraparit, Këlcyrës e Beratit në perëndim dhe
në ultësirën e Korçës në lindje.
Atë kohë Muzakajt afrohen me anzhuinët, që vazhdonin
të mbanin Durrësin, dhe nëpërmjet tyre me Papatin,
i cili ishte vënë në krye të koalicionit të
fuqive evropiane e ballkanike kundër mbretërisë serbe.
Në vitin 1319 papa Johanit XXII i njoftuan gatishmërinë
e tyre për t'iu bashkuar frontit antiserb shumë fisnikë
shqiptarë, mes të cilëve edhe tre vëllezërit
Muzakaj, zotër në Këlcyrë. Qëndresa e organizuar
nga bujarët Muzaka kundër ekspansionit të serbëve
në trevat shqiptare, ende nën sundimin bizantin, u vlerësua
edhe nga perandorët e Bizantit, të cilët i shpërblyen
ata me pronia të reja e me tituj fisnikërie. Dikur para
vitit 1335, i pari i Muzakajve, Andrea II, mori titullin e lartë
despot, i cili vinte i dyti, pas atij të perandorit, në
shkallën e hierarkisë bizantine. Ndërkohë, pinjollë
të Muzakajve vazhduan të qëndronin në poste
të rëndësishme në Konstandinopojë, si epistrati
Muzaka në vitet 1320.
Krijuesi i një principate të vërtetë të
kësaj familjeje ishte pikërisht despot Andrea II Muzaka
(1335-1372). Nën drejtimin e tij, Muzakajt u vunë në
krye të lëvizjeve antibizantine të viteve 1335-1341,
që përfshiu trevat shqiptare jugore. Me atë rast,
despot Muzaka lidhi edhe një aleancë me anzhuinët
e Napolit. Në paktet e nënshkruara në Durrës
më 30 dhjetor 1336 me Luigj Anzhunë, nip i mbretit Robert,
Andrea II Muzaka njohu për kryezot mbretin e Napolit, i cili
nga ana e tij i konfirmoi fisnikut shqiptar pronat, titujt e gradat
e dhuruara nga perandorët e Bizantit. Si peng të besnikërisë
ndaj sovranit anzhuin, Andrea II Muzaka duhej të linte në
Durrës, pranë përfaqësuesit të mbretit
të Napolit, njërin prej djemve të tij.
Shtypja e kryengritjeve antibizantine të jugut më 1336
u shoqërua me shpronësimin dhe me dëbimin e mjaft
fisnikëve të familjes Muzakaj, të cilët u strehuan
në Greqi, posaçërisht në Peloponez. Edhe në
kohën e pushtimit serb të Stefan Dushanit (1345-1355)
Muzakajt ishin frymëzuesit e qëndresës dhe ishin
vazhdimisht në luftë me qeveritarin sllav të zonës
së Beratit e të Vlorës, despotin Ivan Komnen Asenin.
Aty nga viti 1350 Andrea II Muzaka mori Beratin, duke e detyruar
qeveritarin e Stefan Dushanit ta zhvendoste selinë e vet në
Kaninë. Pushteti i Muzakajve u shtri ndërkohë në
Myzeqe, që e mori këtë emër pikërisht prej
tyre (Muzakia=vendi i Muzakajve). Ndikimi i Muzakëve u bë
i ndjeshëm edhe në qytetin e Durrësit, ku despot
Andrea zotëronte pasuri të patundshme dhe ku marrëveshja
e vitit 1336 me anzhuinët e lejonte të qëndronte
dhe të lëvizte lirisht në atë qytet.
Pas vdekjes së car Dushanit dhe shthurjes së Perandorisë
Serbe, despot Andrea II Muzaka i zgjeroi më tej kufijtë
e zotërimeve të tij në drejtim të zonës
së Korçës e Devollit, duke dëbuar prej andej
sundimtarët serbë të vendosur rishtazi. Nga fundi
i viteve 60 ai aneksoi zotërimet e zotit të Karavastasë,
sebastokratorit Vlash Matrënga, pushtoi kështjellën
e rëndësishme të Bregut, doli mbi Shkumbin e mori
tokat e Gosës e të Garunjës, duke u ballafaquar drejtpërsëdrejti
me princin e fuqishëm të Arbrit, Karl Topinë. Po
në atë kohë Andrea II Muzaka mori Vlorën e Kaninën
nga duart e sebastit Aleksandër, që sundonte aty pas vdekjes
së despotit Ivan Komnen.
Megjithatë, despot Muzaka shumë shpejt ia kaloi në
formë paje këto dy qytete vëllait të vogël
të Balshajve, Balshës II, pas martesës së këtij
me vajzën e tij, Komitën. Siç duket, në bazë
të aleancës midis këtyre dy familjeve fisnike shqiptare
qëndronte rivaliteti i tyre i përbashkët me Topiajt
e veçanërisht me sundimtarin serb Vukashin, atë
kohë zot i Kosovës e i gjithë Maqedonisë Perëndimore,
deri në Kostur. Pikërisht me ndihmën e Balshajve,
despot Andrea II Muzaka theu më 1370 pranë Kosturit ushtrinë
e krajl Vukashinit. Kjo fitore u përshëndet edhe nga perandori
i Bizantit, Johani V Paleologu, i cili me këtë rast i
konfirmoi Andrea II Muzakës titullin e despotit, duke i dhuruar
fronin bashkë me shenjën përkatëse dalluese,
shqiponjën me dy krerë e me yll në mes. Kjo zëvendësoi
emblemën e hershme të Muzakajve, e cila paraqiste një
burim që shpërthente nga toka duke u ndarë më
dysh.
Bashkë me konfirmimin e titullit despot, perandor Johani V
Paleologu i kaloi Andrea II Muzakës edhe të drejtat mbi
Kosturin.
Ndonjë vit më vonë, me ndihmën e Balshajve e
të bujarëve të tjerë shqiptarë, despot
Andrea i rrëmbeu Mark Krajleviçit, të birit të
Vukashinit, qytetin e Kosturit. Në këtë mënyrë,
në fund të jetës së tij, despoti plak, Andrea
II Muzaka, kishte përfshirë në principatën e
tij Myzeqenë, Beratin, Tomoricën, Skraparin, Këlcyrën,
Përmetin, Oparin, Devollin, Kolonjën e Kosturin. Megjithatë,
në krahun perëndimor të zotërimeve të Muzakajve,
ndihej fort hegjemonia e Balshëve të fuqishëm, të
cilët nga Vlora e Kanina ushtronin ndikim të madh në
zonat përreth, deri në Berat, siç e dëshmon
edhe mbishkrimi i të ashtuquajturit "Epitaf i Glavinicës"
i vitit 1372. Aty nga viti 1374, Muzakajt ishin detyruar të
tërhiqeshin edhe nga tokat që kishin zënë para
pak vjetësh përtej Shkumbinit, si dhe nga kështjella
e nga tregu i Bregut, në derdhje të Shkumbinit. Këto
vende i kaluan rivalit të tyre, princit Karl Topia.
Vdekja e despot Andrea II Muzakës menjëherë pas marrjes
së Kosturit (ai u varros në kishën e Shën Ndoit
në Durrës) ndikoi gjithashtu në dobësimin e
zotërimit të Muzakajve. Ky u nda midis tre bijve të
tij: Gjonit, Teodorit e Stojës. I pari trashëgoi zotërimet
stërgjyshore të familjes, i dyti Beratin e zonën
e Myzeqesë, kurse i treti viset nga Devolli në Kostur.
Shumë shpejt, në vitin 1375, Stojë Muzakës iu
desh të përballonte një sulm të Mark Krajleviçit,
i cili me një ushtri mercenare osmane u përpoq pa sukses
të rimerrte Kosturin. Deri në pushtimin përfundimtar
nga osmanët, më 1385, qyteti mbeti në duar të
Muzakajve, siç e vërteton edhe një mbishkrim ktitorial
në kishën e Shën Thanasit, të ngritur më
1382 nga vëllezërit Stojë e Teodor Muzaka. Stoja
vdiq në vitin 1384, kurse vëllai i dytë, Teodori,
mbeti i vrarë në betejën e Fushë-Dardanisë,
më 1389, ku kishte shkuar me forca të shumta bashkë
me fisnikë të tjerë shqiptarë. Vëllai i
madh Gjini, pasi kishte kaluar mjaft vjet në burgun e Kaninës,
ku e kishte mbyllur i kunati, Balsha II, vdiq edhe ai para vitit
1390 në një çast rrëmuje e shthurrjeje të
principatës. Osmanët tashmë shfaqeshin rregullisht
në zotërimet e tyre dhe në zonën e Korçës
ata ishin bërë zotër realë të vendit. Zotërimet
e Muzakajve u rrudhën kryesisht në viset malore. Mjaft
pinjollë të tyre, si djali i madh i Gjinit, Andrea, ishin
vendosur në Durrës ku ishin vënë në shërbim
të Venedikut.
Periudha e shkurtër e rimëkëmbjes së zotërimit
të Muzakajve pas disfatës së osmanëve në
betejën e Ankarasë (1402) lidhet me emrin e Teodorit III
Muzaka, djalit të Andresë. Ky për disa vjet arriti
ta shtrijë përsëri zotërimin e Muzakajve në
fushën e Myzeqesë, duke ringjallur për këtë
konfliktin e vjetër me Topiajt, posaçërisht me
kontin Niketë Topia, i cili gjatë një përpjekjeje
më 1412 ra rob i Muzakës.
Me rifillimin e sulmeve osmane zotërimi i Muzakajve u prek
rëndë. Më 1417, njëherësh me Vlorën,
ra edhe Berati. Teodor Muzaka u kthye nga ajo kohë në
vasal të sulltanit dhe pasardhësit e tij me përkrahjen
e osmanëve apo të Venedikut, mbajtën një minimum
të principatës së dikurshme derisa pas r |